SABIT ABDYLI: MALLI PËR MËMËDHENË

Pashtriku.org, 08. 01. 2014 – Sabit Abdyli u lind në vitin 1946 në Kabash të Vitisë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Viti. Studimet i bëri në Shkup e Prishtinë. Shkruan poezi e prozë. Artikujt për migrimet e shqiptarëve në Zelandë të Re janë përmbledhur në librin “Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha, Auckland, 2010”. Ka botuar edhe librin dokumentar “Ankthi i Pranverës ‘99” për ngjarjet gjatë luftës së vitit 1999 në katundet e Vitisë (Prishtinë 2004). Poashtu ka botuar edhe monografinë “Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997”, pastaj “Kohë e lumtur Prishtinë 2005 (Përmbledhje me poezi), “Na Kabashi jem t´ndam një zjarrmi”, “Letra, anektdota, aforizma” Gjilanë, 2013, “Kaq mall” (poezi) 2014. Në vitet 1991-1999 ka punuar si përgjegjës dhe mësimdhënës në paralelet e gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Kabash. Sabit Abdyli nga viti 1999 jeton dhe vepron në qytetin e Aucklandit të Zelandë së Re. Atje vazhdon të shkruaj poezi, anekdoda, aforizma e letra, dhe është shumë aktiv në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në aktivitete kulturore etj.
***
PRISHTINA ’81

(Kadri Luzhës)
Prishtinës erë bliri i vinte
Shëtisje korzosë së ndarë
Me plot spiun civilë
Një xhiro, dy…
Brisk ende nuk i kishe ra fytyrës
Prisje para agun
Afishet fshehur në gji
Auckland, mars 2011
KAQ MALL

Po mësoj e nuk mësoj
pse kaq mall për kullat
në ketë vend
pa ëndrra me diell
juga e veriu ndryshe fryn
lejlekët dallëndyshet
në kohë tjetër shkojnë e vijnë
në ketë vend
kaq mall e dallgë
Janar, 2014

ÇAST
Grurë i valëvitur në qershor
Reflekton vezullim drite në mua
Erë e bukës mbrume në shtatë fqinjë
ndezur ma mbajnë etjen
dhe nuk ngopëm
me shikimin tënd
kohën
mallin eshk
zjarr që asnjë çast nuk shuhet
Janar 2014
KËNGË KURBETI

Gurit i bie vala
guri kryeneç,
s’lëkundet dot nga vendi,
i fortë në vend të vet.
Barkën muhaxhir, vala nuk e njeh,
kurdo e fut në thellësi,
kurdo e përplasë në breg.
Shkurt, 2014
STINËT

Pranvera e lodhur
vjeshta e verdhë
As dimri dimër
as vera verë
Larg teje Kosovë
Stina e rëndë plumb
as unë nuk jam unë
Auckland, dhjetor 2002
VALA HILEQARE

Kreshtë e bardhë mbi valë
Pa pra i njom buzën
Bregut t’saj të tharë
Flladit bregun vala
Rërës i shuan zjarr
Mua flokun zbardh
Valë moj hileqare
Freskomë edhe mua
Se jam mërgimtar
Auckland, 17 tetor 2009
DITË E PËRDITË

Me bagazh malli plumb
ditë e përditë
i kthehem femërisë
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë
kroi i moçëm
tokë e Ilirisë
dihej fjala fjalë
në ballë të oxhakut njerëzit më të mirë
Mars, 2013
DYREVE TË BOTËS

Jeta dyerve të botës
e hidhur pelin
kafes dyerve të botës
kot sheqer i hedh
bukë e dyerve të botës
si lëmsh mbështjellët në fyt
dyerve të botës
jeta pelin
Mars, 2014
EC E EC

Gur i shkulur,
spirancë maje thyer.
Ecë e ecë n’kërkim
edhe kur zë vend,
emrin muhaxhir!
Auckland, tetor 2013
LULE UJISTE

Zhgjëndërr i shihja;
zogjtë në degë ftoi u lëshuan!
Hap dritaren, u hedh thërrmije,
zbresin e çohen gëzuar!
Këtu ku bren miza hekur,
paskan ardhur!
Nëna me kove nxirrte ujë.
Në ballkon ujiste:
lule vathet, sheqeret, shelgjet
Fliste me to.
Saktë e dinte kur çelin e ç’ngjyrë kanë!
Auckland, janar 2014
KUJTIME E MALL

Shtëpia ime këngë
jashtë e brenda xham
fjala gur stralli
mbuluar gjelbërim
pemë frutore mollë kumbulla qershi
zëra e qeshje fëmijësh
kohë tjera erdhën
të rrethuan me ndërtesa betoni
të ftohta të babëzitura
metamorfozë kohe e ligë
njerëz urë e vig
pragu i saj
ndezur mallin mban
Janar, 2014
GËZIM O MALL

Mbaruam fjalët.
Heshtja nuk shkon.
Oqeani qetëson valët,
shkëmbin e pushon.
Hesht kur flas,
flas kur hesht,
ç’më bren përbrenda,
qoftë gëzim o mall!
Mars, 2014
ZJARR

Fletët e kalendarit përherë,
si fletë dushku në vjeshtë.
Jeta mes zjarresh.
Shkruaj e fshi fjalë,
shpresa më prenë e mban.
Mot i përthyer mes rreshtash
merr flakë,
me akull shuaj zjarr!
Maj 2014
KËNGË TONA

Jam bukë gruri,
arave valë-valë.
Jam mik dhembjesh
në shi e acar.
Jam gur këngësh tona,
sy shqiponje sogjetar;
brigjesh malesh fushash
këtej e matanë!
Maj, 2014
IKE

Shkove si ditë e javës!
Zhurmshëm llafet,
hapat pa zë.
Acar i pakohë fshin gjurmët
barit të njomë.
Rrugë me vargje hap
këngën nuk e ndal,
në secilin varg timin një zog
thur një baladë.
Maj, 2014
KËNGË TRISHTILI

Përtej shtatë fushave e maleve,
ta njoh buzëqeshjen hidhërimin,
kot më mbështjellë fjalë.
Librit faqet shfletoj,
prapa s’kthehem dot,
luftën e ndezur ftoh.
Në pemën e tij ndan ledhit në arë
këngës trishtili ja thotë pa u ndal.
6 maj 2014
SHTEGTIM

Vjeshtë e vonë ishte
valixhet në dorë
kalorës rrugëve të panjohura
mbi re qumësht të bardha
zog në shtegtim
nuk dija ngjyrë tjetër as fjalë tjera
përveç kuq e zi
përditë në mbrëmje përshëndesja
mirë mëngjes shqip
dhe kthehesha për të mësuar
gjeografinë, horizontet, kohen
kur lind e perëndon Dielli
këtu dhe në vendin tim
maj, 2014
KËNGË HERAKE

Në trap të ograjës
lules këpusnim petalet
një për një
lules më do s’më do
s’dinë gjë petalet thoshim
kur dilte “s’më do”
këpusnim pa u lodhur
herë-herë dy herë përsërisnim
për të përfunduar si donim
“më do”
në fund të vitit shkollor
punët pisk në ditar
pambarim këpusnim petale
kaloj s’kaloj zhurmonim
si gjinkallat në vapë
Qershor, 2014
QIELLIT TË SAJ

Zjarr është poeti, zjarr!
Digjet të djeg pore, që përpushen si yje,
Ngroh në acar dimërak,
freskon në vapë përdëllese.
Orë alarmi ndërgjegje fjeturish.
Vdes e ngjallet për një varg për një fjalë,
për plis e për fis.
Bubullimë në damarë dimrash
dhe njerëzish që lëpihen.
Lajmëtar ogurbardhë.
I përjetshëm shqiponjë qiellit të saj.
Auckland, 18 Shtator 2013
FLAMURI

U valëvit në Krujë,
Deçiq, Shkup e Vlorë.
Te Verrat e Llukës
Para tij u morën ngryk.
Në Prekaz, Koshare, Karadak ..
U mbrojt me gjak.
Në fusha, grunaja të Kosovës
Vjet për vjet mbin.
Në kaptell djepi roje.
I moçëm sa bjeshka.
Bubullimë e gjëmë,
Cicërimë e këngë.
Auckland, 2010
NËNTORI I TRETË

Mjegullnajë e stepave të ngrira
dhe myk i kohëve të errëta
Nëntorit i bëjnë pritë.
O Zot,
Na ruaj nga moti keq,
nga hijet e zeza,
mjegullnaja e ligë!
Auckland, 2007
EJA

Eja pranverë,
eja!
Shtruar ta kem
udhën:
me gurë stralli,
me gjak të kristaltë
me dhembjet tona deri në asht.
Auckland, 2007
RREZON SHTET KOSOVA

Mbështetur në breg të Paqësorit
dielli më përcëllon
Nga thellësi e detit
Vala më freskon
Jehonë e valës detit
Oshtin për liri
Tokë e lulëkuqeve
Feston Pavarësinë
Rrezon shtet Kosova
Lule në Evropë!
Qiellin tënd të përflakur
Me mall ta puth Kosovë!
Do t’ kthehem patjetër.
Me flakën e mallit,
Diellit të vendlindjes.
Shaluar mbi dallgë!
Ngutu valë e detit,
dallgës jepi valë!
Fishekzjarrët e Lirisë,
Shndrisin n’Dardanë!
Shekujt të thinjën,
shtrëngatës ballë për ballë.
Gjoks i Ademit hapur
Kosova ime e bardhë !
Shembull qëndrese
Qëndrinë, Zonjë e parë
Rrugë e lirisë,
Njëqind vjet e gjatë.
Auckland, shkurt 2008
LUTJE E KOHËS

Nga pushtetarë mujsharë injorantë
gjeneralë maniakë
të etur për lavd
mësues e klerikë gjysmë të ditur
primitiv e radikalë
runa Zot!
Auckland, gusht, 2012
NJË HERË PËRKULET BURRI

Dedë Gjo Luli
Ismali,
Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi,
Agimi …
u përkulën
kur puthën Flamurin
Auckland, 2.05.’12
KOSOVË

Tokë e lulëkuqeve.
Me mure të ndan.
Të goditën:
me hekur,
me zjarr…
Me drapër e çekiç:
të përçanë,
të helmuan,
të ndrydhën…
Gjë pa bë nuk lanë.
Krajlat me carë.
Tokë e Hasan Prishtinës,
Ademit,
Agimit…
E panënshtruar.
Guri e fortë.
Shkëmb.
Vullkan, lavë e valë.
Veshur me diell.
Shtegut bashkimit,
akullnajat shkrin.
Auckland, 2006
QULLASHËT

Qullashët qullashë
në ditët e agut
çdo gjëje i dalin “zot”
shtetit, politikës
Sofrës së begat
hanë me dy lugë
se një u duket pak.
Janar, 2012
AT DITË KUR PO NISESHA USHTAR
25 gusht 1970
Shtrëngim duarsh, përqafime,
doja të mbahem burrë, po loti më tradhtoi.
T’i shpëtosh të keqes, më thanë, sa më pak fjalë!
Me të ligun mos ngul kunja,
dosjet janë të hapura për shqiptarë!
Ne vetëm numra jemi,
mos beso kur të rrahin krahëve!
Në listat: “Të rrezikshëm për shtetin, Bashkim vëllazërimin”
emrat tanë deri më një të sistimuar i kanë!


(Poezi të shkëputura nga libri “KAQ MALL” – Sabit Abdyli)

=======================================

………………………………………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura