Durrës, 16 mars 2021: Libri “Kryengritja e Dervish Carës” e autorit sllavo-maqedon Aleksandar Matkovski, ka lëndë me shumë vlera për historinë e Shqipërisë. Ka gjithashtu edhe shumë gjëra për të korrigjuar.
Por unë do të ndalem këtu kryesisht te Nishi, Leskovci, Vranja, Piroti, Velesi, hapësira që, në atë kohë ishin pjesë të Shqipërisë, ndoshta me mbi 60% popullsi shqiptare.
Kryengritja ka zgjatur nga viti 1841 deri më 1847, me faza të ndryshme të zhvillimit, deri në shuarje. Popullsia joshqiptare nuk ka marrë pjesë aktive në atë kryengritje. Në libër konsiderohet si shkak i mospjesëmarrjes së popullsisë së krishterë, shqiptare ose joshqiptare, orientimi islamist i udhëheqësvet të saj. Por problemi mbetet për t’u rianalizuar në një dritë shkencore më të kthjellët.
Ndërkaq, le t’i shqyrtojmë shkurtimisht fragmentet që lidhen me Nishin, Leskovcin, Vranjën, Pirotin, Velesin e tjerë vende, që dikur ishin me shumicë popullsie shqiptare e sot nuk janë të tillë.
Pra, le të gjykojmë: Pse i ndodhi kombit tonë një i tillë ngushtim, të cilin as sot e kësaj dite nuk po dimë ta ndalim?!
…Konsulli anglez lajmëron që, ”më 3 maj 1841ka pasur trazira në rrethinat e Nishit, Shkupit dhe Vranjës.” (f. 68)
“Në vitin 1841, Leskovci dhe rrethina e tij u inkuadruan në kryengritjen e njohur të Nishit. Atje, nën udhëheqjen e prijësit popullor, priftit Gjorgje Jankoviq dhe Kondo Mumxhia, ngritën krye 15 fshatra.” (f. 102)
“Kjo kryengritje, e cila në rrethinën e Leskovcit mbahet mend si Kryengritja e Bojaxhinjvet, u shua nga bashibozukët shqiptarë… U dogjën 88 fshatra. Në Leskovc ishin përgatitur 60 hunj, për të ngulur në ta kryengritësit. Ismail Pasha nuk mundi t’i pengojë krimet e bashibozukëvet” (f. 103) (Bashibozukët janë ushtarë të trupavet ndihmëse të parregullta të Perandorisë Osmane. Gj. D.)
“Në maj 1841myslimanët dhe të krishterët e bashkuar e sulmuan shtëpinë e muhasilit në Leskovc. Por muhasili arriti që, përmes intrigash, t’i përçajë myslimanët dhe të krishterët.” (f. 69-70)
“(Në vitin 1843), popullsia shqiptare nga Prizreni, Tetova, Shkupi, Kumanova, Katllanova, Vranja dhe Prishtina, është përfshirë në kryengritje.” (f. 75)
“Tetova u shndërrua në qendër të kryengritjes… Dervish Cara dërgoi korrierët e tij tek pashallarët e Dibrës, Prizrenit, Prishtinës dhe Vranjës.” (f.84)
“Njëri prej udhëheqësvet të kryengritjes së Dervish Carës, Soliman Toli, në tetor 1843, nëpër tubimet e fshatravet përreth Vranjës, Prizrenit dhe Prishtinës, fliste me zjarr të theksuar kundër të gjithë tatimeve.” (f. 51)
(Të vihet re që Vranja qëndron në të njëjtin rresht me Prizrenin dhe Prishtinën. Provo sot t’u flasësh shqip fshatarëvet përreth Vranjës! Gj. D.)
Më 25 gusht 1843, një konsull francez, midis tjerash, e njoftonte qeverinë e vet: “Çeta të armatosura kryengritësish vendës endeshin rrugëve duke i bërë të pakalueshme, duke djegur disa manastire dhe kisha të Vranjës, Shkupit e Dibrës.” (f. 57)
(Krejt letra e këtij francezi shprehet në përkrahje të qeverisë osmane dhe duket sikur mezi gjen rastin të thotë që kryengritësit “endeshin rrugëvet” dhe madje paskan djegur edhe disa manastire e kisha. Gj. D.)
“Kah gjysma e janrit 1844, në rrethinën e Vranjës kish rreth 3000-4000 kryengritës, të armatosur dhe të udhëhequr nga Dervish Cara, Selim Markoja dhe Soliman Tola.” (f. 97)
“Selim Markoja, i cili, me urdhër të Dervish Carës, e komandoi ekspeditën për çlirimin e Vranjës, u vra. Në vend të tij, Sulejman (se Soliman) Toli, që sërish nuk mundi ta çlirojë Vranjën, dha urdhër të shkatërroheshin të mbjellat dhe të shkuleshin vreshtat e të gjithë atyre pronarëve që e përkrahnin Husein-pashën.” (f. 97)
“Kryengritësit shqiptarë nga Dobrovoji, Leskovci, Vranja, Kumanova, Gjilani, Shkupi, Tetova dhe Gostivari, në krye me prijësit Sulejman Toli, Selman Rogoçica, Festoli nga Tërnavci dhe Ymer Presheva… i sulmuan mercenarët e Husein-pashës.” (f. 98)
“Pas çlirimit të Shkupit, kryengritësit e rrethit të Kumanovës, Kriva Pallankës e Vranjës, në shkurt 1844, morën Kriva Pallankën. (Duhet theksuar që) përreth Vranjës, Kumanovës dhe Kriva Pallankës ka pasur kryengritës qysh në janar 1844… Disa çeta kryengritësish arritën përpara Shtipit, Radovishtit dhe Velesit.” (f. 90)
“Më 12 prill 1844 kryengritësit e çlirojnë Vranjën… Vazhdon kryengritja në rrethinën e Leskovcit.” (f. 59)
“Familja e Husein Pashës zotëronte tokat më pjellore të rrafshinës së dy anëvet të Moravës së Jugut, -nga Vranja deri në Bujanovc. Fshatrat si: Lapërdinci, Rataja, Gramagja, Lepenca, Rakoveci, Turija, Romanovci i Poshtëm, Jovaci, Kukavica, Vertogoshi i Epërm, ishin çifliqe të tij… Shqiptarët dhe sërbët e këtyre anëve, veçanërisht popullata shqiptare e rrethit të Vranjës dhe Preshevës, rrebeloheshin shpesh kundër këtij pashai, pavarësisht të dhënës se edhe ai ishte me përkatësi shqiptare.” (f. 95-96)
(Pra, në thelb, kërkohej një reformë agrare. Kërkohej reformë agrare, por jo që Vranjën ta marrë Sërbia! Sërbët kanë ardhur për të banuar në gadishullin e Ilirisë në shekullin VII të erës sonë, ndërsa ilirët, midis tyre edhe dardanët, i kishin pasur mbi 300 qytete, kur sllavët zbritën në këtë gadishull. Shih për këtë literaturën përkatëse. Gj. D.)
“Kryengritësit e pashallëkut të Vranjës shfrytëzuan… mungesën e popullaritetit të Husein Pashës.” (f. 96)
“Kryengritja e Vranjës, e vitit 1844, u quajt Asharat, sipas emrit të një lagjeje ku kish nisur revolta kundër Husein-pashës.” (f. 99)
“Në Leskovc nuk u zbatua Reforma e Tanzimatit, për shkak të kryengritjes së 1441-shit, si dhe Kryengritjes së Dervish Carës më 1844.” (f. 103-104)
“Pashai i Nishit mori lajm nga pashai i Leskovcit se kundër arnautëvet, nga njëra anë janë dërguar 5000 forca me 20 topa, në anën tjetër, Dali Beu dhe Shahin Beu i sulmuan me 3000 forca. Arnautët, të cilët kishin 20000 pushkë, nën udhëheqjen e Dervish Carës, u pozicionuan në Fushën e Shkupit.” (f. 104)
“Gjatë kryengritjes së Dervish Carës, Ismail Pasha i Leskovcit ishte në anën e kundërshtarëvet të sulltanit. Ai e ndihmoi Dervish Carën me të gjitha forcat e tija.” (f. 104)
“Kur forcat kryengritëse u thyen në Betejën e Katllanovës, një kolonë kryengritësish u nis drejt Kaçanikut, duke shpresuar që t’i ndalë forcat e sulltanit në Grykën e Kaçanikut, kurse kolona tjetër lëvizi drejt Vranjës, për të rezistuar në Grykën e Vranjës.” (f. 104-105)
(Pra, Vranja ishte një territor shqiptar, njësoj si Kaçaniku. Gj. D.)
“Në një raport zyrtar të asaj kohe thuhet: Arnautët e kanë sulmuar Vranjën dhe e kanë marrë me armë, duke therur shumë sërbë… Pashai i Vranjës ka ikur në Manastir.” (f. 105)
(Kupohet që sërbët ishin përkrahës të pashait, ndryshe s’kish pse “thereshin”! Gj. D.)
“Pas masakrës së Vranjës, të bërë nga kryengritësit e Dervish Carës, në mars të vitit 1844, ata u nisën drejt Leskovcit, nëpër Polanicë dhe nëpër Grykën e Veternicës.” (f. 105)
(Është e qartë që konceptin e “masakrës“, në këta raste, nuk e kanë përdorur dashamirës të shqiptarëvet, por kundërshtarët e tyre. Sado që, çdo luftë me armë i nënkupton edhe vrasjet. Gj. D.)
“Kryengritja e Dervish Carës në Leskovc u shua kah fundi i shtatorit. U zu rob edhe Sejdi Menxha… Më 5 prill 1845 u kap edhe Ismail Pasha i Leskovcit dhe u dëbua me gjithë familje në Azi të Vogël.” (f. 106)
“Fshati Rata, një orë larg Vranjës, u shkatërrua nga shqiptarët, bashkë me sarajet e Hasan Pashës nga Vranja.2 (f. 183)
“Më 18 prill valiu i Rumelisë nisi 2000 këmbësorë dhe 2000 kalorës në drejtim të Velesit.” (f. 215)
“Ata (turqit) kishin ndërmend të sillnin ushtrinë në qendrën e kryengritësvet dhe të merrnin qytetet më të rëndësishëm, si Shkupin, Kumanovën, Tetovën, Vranjën, Prishtinën dhe Shkodrën.” (f. 215)
“Dervish Cara nisi të mendojë për çlirimin e Velesit dhe më pas të Manastirit.” (f. 237)
“Ndërmjet Velesit dhe Shkupit ishin mbledhur gati 8000 kryengritës.” (f. 243)
“Pararoja turke, me urdhër të renegatit kroat Omer Pashës, po përparonte drejt Velesit, 16 orë larg Manastirit dhe 8 orë larg Shkupit.” (f. 243)
“Shqiptarët u mblodhën në numër të madh në rrugën ndërmjet Shkupit dhe Velesit, e dogjën urën që gjendej mbi lumin Vardar, duke propaganduar se ka ardhur koha që shqiptarët të organizohen në mbrojtje të pavarësisë dhe të të drejtavet të tyre.” (f. 244)
“Kryengritësit u tërhoqën drejt Vranjës, ku gjendeshin 6000 kryengritës që e kishin marrë qytetin.” (f. 247)
Por konsulli anglez, në maj 1844, pas Betejës vendimtare të Katllanovës, bën këtë njoftim: “Kryengritësit u tërhoqën në drejtim të Tetovës dhe Vranjës. Gjatë Betejës së Katllanovës u zu rob Dervish Cara, ndërkaq, një tjetër me emrin Emin Xhambazi u vra.” (f. 248)
“Arnautët gjendeshin në udhën që shpinte në Veles… Omer Pasha e shkatërroi me topa hanin (vendpërqëndrimin e kryengritësvet). I dëboi arnautët prej këndej dhe ata u shpërndanë nëpër Bllatë.” (f. 257)
“Omer Pasha, me një pjesë të ushtrisë, u nis t’i pushtojë Kumanovën, Kriva Pallankën dhe Vranjën dhe, pasi vendosi (atje) njerëzit e tij, u kthye në Shkup.” (f. 275)
“Kur Omer Pasha u kthye në Shkup, shqiptarët e rrethinës së Kumanovës qenë tërhequr në malet përrreth Kumanovës dhe Vranjës.” (f. 280)
“Pas Betejës së Kumanovës, ku morën pjesë edhe kryengritës nga Vranja, ata u tërhoqën në drejtim të Vranjës, ku kishte edhe rreth 6000 kryengritës.” (f. 280)
“Omer Pasha, nga Shkupi, u nis (prapë?) në drejtim të Vranjës, me një ushtri prej 10000 vetësh.” (Kjo ndodhi) më 10 qershor 1844. Ai kish me vete edhe 6000 kalorës dhe një bateri artilerie. (f. 281)
“Në ballë të kryengritësvet të Vranjës (si dhe më parë) ishte Suliman Toli nga fshati Tërnavë.” (f. 281)
“Shqiptarët, nga Vranja, Leskovci dhe Mali i Zi i Shkupit, u tubuan në fshatin Moravicë, me qëllim që t’i bënin pritë Omer Pashës në bregun e lumit Smolicë.” (f. 281)
“Më 23 korrik 1844 konsulli austriak lajmëron nga Shkodra se Omer Pasha hyri në Vranjë, dërgoi nëpër burgje 200 kryengritës (shqiptarë) dhe lejoi rindërtimin e kishës së rrënuar. (f. 283)
“Omer Pasha hyri në Vranjë ditën e parë të Rrëshajëvet, kurse më pas ushtria e tij u nis nëpër fshatra duke i kapur prijësit e kryengritjes, të cilët dorëzoheshin. Vetëm nga kjo anë u dërguan në internim 200 njerëz, kurse ushtarëvet të sulltanit Omer Pasha u lejoi që, në fshatrat Festolinë dhe Tërnavë të bënin çfarë të donin disa ditë me radhë. Një eskadron i kalorësisë jo vetëm që i plaçkiti këta fshatra, por i dhunoi edhe gratë.” (f. 281)
“Mbasi i mposhti në këtë mënyrë kryengritësit shqiptarë të Vrajës, Omer Pasha, një sllav i turqizuar, bëri edhe riorganizimin e këtij pashallëku, duke e suprimuar si njësi administrative me emërtimin pashallëk dhe duke krijuar Kazanë e Vranjës, njësi shumë më minore se ajo e pashallëkut. Në krye të kazasë së sapothemeluar, vendosi një kajmekam dhe një të quajtur mexhliz, në të cilin emëroi si pjesëtarë dy myslimanë dhe dy të krishterë. Ishte hera e parë që në një mexhliz osman të ishin pjesëtarë edhe përfaqësues të të krishterëvet. Veç kësaj, sërbët e Vranjës e fituan aso kohe edhe të drejtën e përfaqësimit në Stamboll.” (f. 282)
Në këtë mënyrë Turqia e shtypi kryengritjen e shqiptarëvet, (të cilët, deri atëherë, kishin bërë aq shumë për Turqinë), dhe krijoi kushtet që Vranja të bëhej pjesë e Sërbisë, përjetësisht armike e Turqisë.
Kurorën më “falenderuese” që, shqiptarët, duke qenë në disa shekuj shërbëtorë edhe shtyllë e asaj perandorie, kishin guxuar të kërkonin pak më shumë mvehtësi, Omer Pasha, përfaqësues i asaj perandorie, e “stolisi” në këtë mënyrë:
“I ftoi prijësit shkupianë për gjoja pajtim me të dërguarin e sulltanit… Ata u mashtruan, u kapën, u vunë nën pranga dhe u dërguan në kazamatet e Azisë së Vogël… Kur këta të burgosur po i kalonin nëpër Veles, ushtarët e sulltanit, të cilët i shoqëronin robërit, i hipën së prapthi në gomerë, me bishtat e gomerëve futur në gojë.”
(Ishin 46 nga banorët më të shquar të Shkupit!) (f. 263)
A e dimë?! A mund ta përfytyrojmë, por edhe ta kuptojmë, çka do me thënë, të na i ketë trajtuar dikush në këtë mënyrë 46 prijës?!
Nuk je në gjendje as të qeshësh, as të qash! Nuk mund as të harrosh e as ta mbash mendjen atje!
Një fyerje që të vë në dilemë: T’ua themi fëmijëvet nëpër shkollat tona, ç’i kanë bërë kombit tonë pushtuesit e të gjitha kohëve, apo t’ua fshehim të këtilla të vërteta të pagëlltitshme?!
“Në tetor 1845, u suprimuan zyrtarisht pashallëqet e Tetovës, Shkupit dhe Vranjës. Në vend të tyre u organizuan mydyrllëqet dhe kajmekamët.” (f. 330-331)
“Për shkak të gjendjes së rëndë të shqiptarëvet dhe të rrebelëvet të Vranjës dhe rrethinës, për shkak të keqpërdorimevet të pushtetarëvet turq që lidheshin me zbatimin e dhunshëm të reformavet, në vitin 1846 në Vranjë pati përpjekje për kryengritje të re.” (f. 286)
Por Sërbia, falë dhuratavet që i jepte Turqia dhe falë përkrahjevet me brohori që i ofronte Evropa, u bë pronare, edhe e Nishit, edhe e Vranjës, edhe e Laskovcit e tash, pasi ka krijuar bindjen se shqiptarët nuk janë në gjendje t’i mbrojnë tokat e veta, po kërkon edhe çifliqe të tjerë. T’i zhvatë Sërbia tokat tona, duke simuluar, si përherë, viktimën e jo grabitësin, siç është në të vërtetë!
Në këta kushte, kombit shqiptar i del e domosdoshme të bëjë analizat e veta. Sa here që një ushtri e humb një betejë, shtabi i saj mblidhet për të analizuar, midis tjerash, edhe gabimet apo fajet e vet.