GJOKË DABAJ: KUSH PO E VRET SHPIRTIN PATRIOTIK TË SHQIPTARIT?!

(Durrës, 05. 11. 2012) – Qysh në datën 20 tetor 2012 e mora vesh, nga një njoftim i portalit tonë mediatik “Pashtriku”, se më 1 nëntor do të hapej në Prishtinë Panairi “Dekada e Librit të Lirisë II”. E organizonin atë panair 3 asociacione, të cilët, në këndvështrimin tim, bëjnë pjesë në atë që do ta quaja detashmenti avangard i ruajtjes dhe kultivimit të traditës dhe krenarisë sonë kombëtare: Radio-Kosova e Lirë, Shoqata e të Burgosurvet Politikë dhe Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së”.

…………………………………..

LEXONI: PREJ 1 – 4 NËNTOR 2012, NË PRISHTINË MBAHET PANAIRI

‘DEKADA E LIBRIT TË LIRISË II’
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=884

…………………………………………………….

Vendosa të shkoja në atë panair. Aq më tepër kur, si bashkautor me shokun tim të hershëm, Fadil Cukaj, sapo e kemi botuar një libër, i cili kryesisht bën fjalë për veprimtarinë e Grupit Ilegal “Liria” në vitet 1962-1964 në Prizren. Jam gjithashtu edhe autor i një elegjie kushtuar dëshmorëvet tanë të Tivarit, 1945, ende edhe sot të pavarr. Mendova që këta 2 libra, por edhe “Strategjia e shqiptarëvet”, një pjesë e mirë e të cilit flet statistikisht për plojat që kanë bërë pushtuesit mbi popullin tonë në kohë të ndryshme, do t’u interesojnë vizituesvet të atij panairi.
Vendosa të shkoja, me gjithë një trysni të madhe, tepër ogurkeqe, të disa skeptikëvet që më rrethojnë. Ata më thanë:
“Pse po mundohesh kot?
A po mendon se do t’i blejë kush librat e tu?

S’ka kohë Kosova të merret tash me ty e me shokët e tu. Ka halle të tjerë Kosova.”
Madje, një nga të afërmit e mi, i cili bën pjesë në armatën e skeptikëvet, më bëri edhe këtë paralajmërim:
“Do t’i harxhosh kot ata lekë e ata euro.”
Nga e gjithë kjo breshëri sugjerimesh, më bëri përshtypje dhe më shqetësoi shumë shprehja:
“Pse mundohesh kot?”
Ajo ndajfolje e mallkuar KOT, m’i rrahu tëmthat me orë të tëra:
“Pse KOT?!
A vërtet KOT?!
Si mund të thuhet: KOT?!

Nëse vërtet po shkon KOT mundimi ynë, atëherë pse rrojmë?!”
Deri këtu arrita. Dhe, si një reagim ndaj asaj që më impononte fjala kobndjellëse KOT, fillova të bëj ca llogarira: Kosova dhe viset e tjerë kanë mbi 100000 ish të burgosur politikë, dmth të burgosur pa kurrfarë faji, pa kurrfarë delikti. Në mos ata vetë, sepse një pjesë e tyre nuk jatojnë më, të afërmit e tyre duhet të vijnë për t’u interesuar çfarë është shkruar për kalvarin e të atillë njerëzve, patriotë të mirëfilltë dhe martirë. Çfarë është shkruar, por edhe çfarë është lënë mangut, ç’boshllëqe kanë mbetur pa u plotësuar. Të vijnë këtu, t’i shikojnë këta libra, t’i marrin, t’i lexojnë, të frymëzohen prej tyre dhe të nxiten, të vendosin, që edhe për të afërmit e tyre, për babën, për axhën, për vëllanë, për dajën, për burrin, të shkruhet diçka. Kosova dhe viset e tjerë kanë, vetëm të Luftës së fundit, mbi 15000 dëshmorë. Të 15000 nënat, ato që janë gjallë, të 15000 apo 30000 apo 50000 motrat, të 15000 bashkëshortet, ose aq sa janë realisht, të 15000 baballarët, ata që janë gjallë, të 15000 apo 30000, apo 50000 vëllezërit, të 15000 bijtë apo nipërit e atyre 15000 dëshmorëve, duhet të jenë të interesuar ç’po shkruhet për të afërmit e tyre dhe në përgjithësi për të sakrifikuarit e këtij Kombi.
Por jo vetëm ç’po shkruhet. Ata duhet të jenë të interesuar edhe ç’nuk po shkruhet. Të vijnë këtu, të takojnë autorë të ndryshëm, të bisedojnë me ta, t’u propozojnë, t’u ofrojnë dokumente. Panairet janë vende ku shumë gjëra mund të zënë fill. Për këtë Vend e për këtë Komb është derdhur shumë gjak. Ata që e kanë derdhur gjakun për këtë Vend, nuk bën të harrohen. Mora parasysh që, prej këtyre qindra mijë njerëzve, që duhet të jenë realisht të interesuar për të ardhur në këtë panair, natyrisht që nuk do të mund të vijnë të gjithë. Është plotësisht e arsyeshme. Një pjesë e mirë madje nuk vijnë dot, sepse janë të varfër. Janë aq të varfër, sa thonë: “Përse u vranë të afërmit tanë, kur ne po rrojmë kaq keq?!” Por, ta zëmë, prej 300000 vetëvet, 30000 a do të mund të vinin? E zvogëlova edhe këtë shifër për 10 herë, zvogëlim drastik për të cilin duhej të qortohesha, dhe thashë: “3000 (tre mijë)!” Për 3000 vizitues të atij panairi ia vlente të udhëtoja nga Durrësi në Prishtinë.
Vaj për ne! Unë nuk i përdor me dëshirë as pasthirrmat as parathirrmat, por këtu nuk mund të gjendet ndonjë pjesë tjetër e ligjëratës për të shprehur atë çfarë përjetova.
Panairi u hap në orën 12.

Me gjithë organizuesit, bëheshim a s’bëheshim 30 vetë!
Jo 3000,
as 300,
por 30!
Asnjë kamerë televizive,
asnjë televizion,
asnjë gazetë,
as nga Prishtina,
as nga Tirana,
as nga Shkupi.

A po më lejoni ta përsëris edhe njëherë? Aty nuk kish ardhur asnjë kamerë televizive dhe asnjë gazetar, përveç një vajze, e cila, si dukej, ishte e vetë Radios “Kosova e Lirë”, s’kishin ardhur as nga Prishtina, le më nga Tirana e nga Shkupi! Të ishin përplasur, me pasojë vdekjen, 2 shoferë të dehur diku përtej Çagllavicës, s’e di sa kamera do të kishin vrapuar për atje.
Aty, në atë sallë ku erdhën aq pak njerëz, gjendej një seri botimesh për dëshmorët e UÇK-së, aty gjendej i ekspozuar një numër jo i vogël monografish e biografish të dëshmorëvet dhe të ish të burgosurvet, gjendeshin piktura, fotografi e vizatime nga më mbresëlënësit. Pashë në një vend disa shirita çarçafësh të burgut, mbushur plot me vargje e me strofa poezish. Në një vend perendimor, për ato copa çarçafësh do të mund të paguante dikush 1 milion euro. Një patriot, psh hebre, anglez apo gjerman, nëse ata shirita çarçafësh do të ishin shkruar prej një të burgosuri të tyre, do të mund të paguante edhe 2 milion euro. Thjeshtë për t’i pasur e për t’i ruajtur brez pas brezi në muzeun e vet familjar. Shokut tim, Fadil Cukaj, 6 gjermanë nga Zvicra i kanë dërguar nga 1 suvenir, me rastin e botimit të librit tonë “Rrugë rëziqesh me vetëdije”. Njëri, një orë nga ato zviceranet 200-vjeçare, njëri, një elektrik dore shumë të veçantë. Gjermanët po, por shqiptarët nuk na çuan asgjë. As nuk erdhën për t’i parë librat, jo vetëm tanët, por të dhjetëra të të tjerëvet, të ekspozuar aty, në një kohë kur kafenetë poshtë nesh ishin plot e përplot me shijues pijesh e muhabetesh, krahasimisht “shumë më të rëndësishëm”.

Fjala e Adem Demaçit me rastin e hapjes së Panairit “Dekada e librit të lirisë II

Besoj se po bëhet traditë që ta përkujtojmë vetveten, se siç po shihet nuk është shteti që duhet ti përkujtoj , dhe ta ketë një qendër që do të merret me këto probleme atëherë detyrohemi vetë. Radio Kosova e Lirë po e vazhdon ende luftën sepse siç po duket ajo nuk ka përfunduar ende dhe tanimë po dihet se duhet të bisedojmë përsëri me Serbinë, e cila ka pretendime ndaj Kosovës. Ata ende po pretendojnë të na kthejnë në pikën zero që ne të ja nisim nga fillimi etj.(…)

…………………………………………………….

Midis atyre 30 vetëve, u gjend, si gjithmonë, edhe Baca Adem. Ai i tha 2 fjalë para nesh. Midis tjerash, atij s’iu ndejt pa thënë edhe afërsisht kështu: “Kur s’ka qeveri, jemi të thirrur ne, që t’i kryejmë këta obligime ndaj të rënëvet tanë.” Unë kam bindjen që, kur Baca Adem është nxjerrë para gjyqit, salla, nëse UDB-a i ka lejuar, ka mundur të jetë më plot se kjo sallë e sotme, kur, të paktën legalisht, nuk e kemi UDB-n .
Një trishtim i vështirëdurueshëm, për këdo që e ruan pak shpirt shqiptari nën sqetull. Ditën e parë dhe ditën e dytë, e shumta mund të kenë ardhur rreth 100 vetë. Midis tyre, sigurisht, kish nga ata që u qet shpirti zjarr, ardhur aty, jo veç nga Drenica, nga Prizreni e Theranda, por edhe nga Gjirokastra, z.Dilaver Goxhaj etj, nga Veleshta e Strugës, z.Agim Vinca. Lavdi Gjirokastrës, Labërisë dhe Veleshtës, që, të paktën me nga 1 përfaqësues, nuk e lënë Kosovën vetëm!
Kaluan ashtu 2 ditë me vizitorë fare të pakët. Po shpresohej që të vinin diç më shumë të shtunën e të dielën, por unë u largova, me një ndrydhje të fortë në shpirt. U largova dhe po mendoja, në atë mënyrë siç mund të mendojë një shpirt i vrarë. “Nëse tani”, thashë me vete, “do të ndalesha para një shitoreje bizhuterish dhe parfumerish, sa blerës do të hynin në atë shitore në harkun e 2 ditëve? Nuk mund ta bëja atë provë në Prishtinë, por erdha dhe e bëra në Durrës, duke pasur bindjen që rezultati do të ish po ai.
Është një shitore e tillë në qendër të qytetit. (Se mos është e vetmja!) Ka aty: të kuq buzësh, më shumë se 10 lloje, ka komplete ngjyrash për qepalla, për qerpikë, për vetulla. Ka ngjyra për manikyr e për pedikyr. Për ata që nuk e kuptojnë çdo me thënë pedikyr, po e shpjegoj: Janë llaqe ngjyrash të ndryshme për të zbukuruar thonjtë e këmbëvet. Ka mjete për të shkulur qimet. Ka pudra gjithfaresh, për ta mbajtur lëkurën butë… Në 1 orë e 46 minuta, kanë hyrë në atë shitore, disa prej të cilëvet edhe kanë dalë ndërkohë, plot 100 vetë. Kryesisht zonja dhe zonjusha (Ato mund të ishin edhe motra apo bashkëshorte dëshmorësh!), por edhe burra që i shoqëronin zonjat. Kanë hyrë edhe ndo nja 10 a 12 plaka. (Nëse nuk mund të ishin nëna dëshmorësh, ato janë të së njëjtës moshë me nënat e dëshmorëvet.) Tek i numëroja, si i lënë mendsh, si i mallkuar, si i blasfemuar, blerësit që hynin në atë shitore bizhuterish e parfumerish, po nxirja përfundimin që, po në atë orë, ndoshta në nja 500 të tilla shitore, anembanë Atdheut tonë, që nga Saranda deri në Mirtovicë, kanë hyrë e dalë diku rreth 50000 (pesëdhjetë mijë) të interesuar për të tillë artikuj. Larg qoftë! S’ka asgjë të keqe! S’po u thotë askush shqiptarëvet: “Mos blini të kuq buzësh dhe prerëse thonjsh!” As patate e ullinj, s’po u thotë kush të mos blejnë. Por po duhet t’u themi: “Merruni edhe me gjakun që është derdhur për këtë vend! Merruni, sepse, po nuk u morët edhe me këtë lloj ‘artikulli’, vijnë prapë, ME SIGURI, gjakderdhësit, e atëherë s’ka ç’na duhen as bizhuteritë, as artikujt e tjerë!”
Më mbeti gjithsesi mendja tek Panairi i Librit të Lirisë. Nëse do ta quajmë të dështuar atë panair dhe të ngjashmit me të, atëherë le ta dimë, se krejt Lufta jonë ka dështuar! Duke e analizuar kështu këtë dukuri, del se vërtet dikush po e vret shpirtin patriotik të shqiptarëvet.
Por, kush po e kryen këtë krim, i cili po vjen fill pas atij krimi që e kryen sërbët?!
Vetë ne!
Doemos, vetë ne!
Pa diskutim, vetë ne!

Ismail Kadareja tha afërsisht kështu: “Puna e parë që bënë shqiptarët, sapo e fituan lirinë, ishte: të shkatërronin Shqipërinë.” Unë do të thosha: “Jo vetëm Shqipërinë materiale, por edhe Shqipërinë shpirtërore.” Dhe kjo është më e keqja e të gjitha të këqiavet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura