Durrës, 6 mars 2018: Nuk i ka hije klasës së sotme plotike të Republikës së Malit të Zi të hapë plagët që paraardhësit e saj u kanë shkaktuar shqiptarëvet. Nuk i ka hije, por as levërdi nuk ka! Parlamenti i Republikës së Malit të Zi, në qoftë se donte të promovonte miqësi të vërtetë me shqiptarët, nuk duhej ta kish miratuar atë të quajtur “Marrëveshje të Demarkacionit”. Republika e Malit të Zi apo kushdo tjetër, nuk duhej të shfrytëzonin një apo disa Esat Pashë Toptanë të Rinj, për t’u marrë shqiptarëvet edhe 9000 (nëntë mijë) apo 10000 (dhjetë mijë) hektarë tokë tjetër. Po them: TOKË TJETËR!
Nuk duhej të vepronin kështu, sepse veprime të tillë shkaktojnë turbullira në shpirtin e shqiptarëvet. Veprime të tillë zgjojnë kujtime tepër të hidhur te shqiptarët!
Të parët e malazezëvet të sotëm u kanë marrë shqiptarëvet pjesë të mëdha të Atdheut të tyre. U kanë marrë Palabardhin dhe Piprin, përtej Podgoricës, qysh herët.Marrë dhe shkombëtarizuar. Më vonë i kanë marrë Shqipërisë krahinën e Kuçit dhe e kanë shkombëtarizuar edhe atë, ca me dhunë e ca me demagogjinë kishtare pravosllave sërbe. Kishin mbetur qyteti i Podgoricës dhe qyteza e Spuzhës. I mori edhe ata Mali i Zi. Kishin mbetur Rozhaja, Plava, Gucia. U bënë luftëra të mëdha. U hapën mijëra varre shqiptarësh dhe malazezçsh. I mori më të fund edhe ato krahina shqiptare Mali i Zi. Knjazhevina malaziase lakmonte edhe Fushën e Zetës, edhe malet e Trieshit, Grudës e Hotit. Arriti t’i përfshijë edhe ata vise, ajkë të shqiptarisë, brenda kufijvet të vet. Ia mori, pra, Mali i Zi Shqipërisë edhe Vraninën, Planicën, Tuzin, Hotin, Grudën dhe Trieshin. Në të njëjtët vite, Austro-Hungaria ia fali Malit të Zi Tivarin, me shpresën që asaj do t’i mbetej përgjithmonë Hecegovina. Por Austro-Hungaria, pa shkuar shumë kohë, e humbi Hercegovinën, ndërsa Mali i Zi edhe sot po e quan „të vetin“ atë Tivar që ia ka falur Austro-Hungaria. Ulqinin, ndërkaq, ia dhanë Malit të Zi të gjitha fuqitë e Evropës njëzëri me ndihmën edhe të Turqisë.
Të gjitha këto janë plagë që u rrinë me shekuj të hapura shqiptarëvet dhe Shqipërisë, sado që s’ka ditë që nuk na thonë diplomatët perendimorë: „Mos shikoni nga e kaluara! Shikoni nga e ardhshmja!“
Por, si mund të shikojmë nga e ardhshmja, kur kasta politike e sotme malaziase, në vend që të na thotë, po jua kthejmë të paktën disa prej tokavet që jua kanë marrë të parët tanë, zgjatin duart dhe kërkojnë të marrin edhe toka të tjera?!
Kasta e sotme pushtetmbajtëse e shtetit malazias, por edhe kasta politikërregulluese, në të vërtetë politikëmanipuluese e sotme gjithevropiane, duhet ta dinë që shpirti i shqiptarëvet është tejet i ngarkuar me padrejtësi që na janë bërë shekull mbas shekulli.
„Treqind djem që i ka Rugova,/ s’i ka mbreti as krejt Kosova!/ Thuj Sërbisë ma ke pa sherrin,/ ta shkyj postën, ta kput telin,/ ta za Grykën, ta mba asqerin,/ sa t’jem gjallë, s’ta kam da sherrin!“ (Epika historike nr.3, f.114)
Këta vargje janë kënduar në vitin 1918. Por mos mendoni se janë harruar! Vargun “thuj Sërbisë ma ke pa sherrin”, ne mund ta zëvendësojmë në çdo çast me “thuj Evropës ma ke pa sherrin”, le më “thuj Malit t’Zi” dhe jo me “treqind djem”, por me “treqind mijë”!
Se Shqiptari, kur zemërohet dhe kur thika i zë në kockë, ia vargëzon dhe ia rikujton që të gjitha, vetes, Malit të Zi, Sërbisë, Evropës e kujtdo tjetër!
“Se n’Previ i kanë afrue…/ O, tanë tetëqind, ç’i kanë qillue,/ me i batare i kanë rrxue,/ asni gjallë, bre, nuk ka pshtue!” (Këngë e vajtime, f.282)
Na i vranë atëherë, malazezët e atëhershëm, 800 burra, se nuk deshën të pranonin fenë ortodokse pravosllave. Po kush donte t’ua ndërronte fenë shqiptarëvet?! Malazezët që nuk i njihnin as parimet thmelorë të krishtërimit: “Mos lakmo gjënë e huaj, mos vidh, mos vra!” ?!
“Krejt Evropa n’kamb’ a çue,/ n’at Berlin tek asht shkue./ Krajl’i Rusit tek asht idhnue,/ keq ka nis’ me kuvenue:/ Cërrna Gorën m’e zgjanue,/ shumë e vogël a qillue,/ Hot e Grudë, Plavë e Guci/ me ia lshue Malit t’Zi!/ O, Malit t’Zi o me ia lshue!” (Këngë vajtime, f.311)
Pa drejtësi atëherë, pa drejtësi edhe sot! Pa logjikë atëherë, pa logjikë edhe sot! Me zjarr baruti atëherë, me kapsula raketash sot!
“Gjith’ Shqipnija ka ba ‘medet’,/ Mali i Zi ktu po na vjen,/ gja për s’mbari nuk po len,/ grue e fmi tan’ po i pret,/ djelm e burra, t’tan’ po i vret,/ kull’ e shpija t’tan’ po i djeg./ Po na djeg, more, kull’ e shpi!” (Epika historike 3, f.66)
E tash unë po e them përsëri: Politikanët e sotëm të Malit të Zi nuk duhej të na i hapnin këto plagë. Varet prej tyre se a do të mund të qetësohet sadopak shpiri ynë prej të këtillë kujtimesh. Dhe përgjegjësia, natyrisht, bie në radhë të parë mbi ata politikanë. Edhe në qoftë se dikush do t’i ketë joshur apo urdhëruar, merrjani Kosovës këta 9000 hektarë tokë, politikanët malazias nuk duhej të kishin pranuar të bëhen mashë e të tjerëvet.
„Ç’po gjimon-e Mal’i Hotit,/ në Gusinj‘ na ka ra moti,/ Podgoricë po kërset topi./ …Derllet gjaku i djelve ri,/ qyqet nana rrin‘ në shpi,/ ku j kan‘ djelt‘-e gja nuk din‘./ …N’ato brinja mi Tophane/ gjill pa krena jau kan‘ lan‘-e,/ sorrat e korbat jau han‘!“ (Shestani, I, f.605)
„Në Gusinj‘ na ka ra moti“ do të thotë se në atë krahinë janë bërë masakra të tmerrshme dhe se është djegur e përvëluar çdo gjë nga ushtria e knjaz Nikollës. Kënga këdohej në krahinat e Tivarit, gjë që dëshmon se tragjedia përjetohej në tërë vendin në shkallë kombëtare. Dhimbja ish aq e fuqishme, sa edhe sot dhe në të gjitha kohët, jo vetëm shqiptarëvet, por të gjithë njerëzvet, përfshirë këtu edhe malazezët e sotëm, nuk mund të mos u vijë keq për ata njerëz, bij nënash, të vrarë në atë mënyrë: „Gjill pa krena jau kan‘ lan‘,/ sorrat e korbat jau han‘!/
Parlamentarët me përkatësi kombëtare shqiptare, në parlamentin e sotëm malazias nuk do të bënin keq t’ua kujtonin kolegëvet të vet malazias të këtillë episode më shumë se rrënqethës, nga historia e marrëdhënievet shqiptaro-malaziase.
Ata parlamentarë me përkatësi kombëtare shqiptare, që shqiptarët i kanë zgjedhur për të mbrojtur, qoftë edhe me jetën e vet, të drejtat e shqiptarëvet, nuk duhet të harrojnë që kombi shqiptar në të gjitha kohët ka rritur në gjirin e vet individë të atillë që s’e kanë kursyer jetën kur ka ardhur puna për t’u sakrifikuar.
Qe, po ua kujtoj atyre deputetëve tanë dy a tre raste:
“Pulec Hima, o, ni trim dai,/ shetit Plavë, shetit Guci,/ mbledh’ m’i ka do djem të ri./ …Po luftojke, o, për Shqipni,/ mos me ndej’ nën Mal të Zi./ …Copa-copa kombin na e kan’ ba!/ Prej n’Ulqin, n’Guci e n’Plavë,/ Malit t’Zi, bre, ia kan’ fal’!” ( Këngë dhe vajtime, f.345)
Ai Pules Hima s’i ka pasë tepër, as jetën, as familjen, por e ka quajtur më me vend të luftojë për Shqipni. Kërkesa ndaj deputetëvet të sotëm shqiptarë në parlamentin e Malit të Zi, nën shembullin e Pulec Himës, do të ishte kjo: Të kërkojnë shkolla shqipe në Plavë, në Rozhajë e kudo ku ka ende qoftë edhe 5 apo 6 fëmijë me gjyshër e paragjyshër shqiptarë. Të kthehen në kombin e vet ata, të cilëvet ua ka tjetërsuar diskriminimi kombësinë.
“Savo Gorja me sahat:/ -Hajt, Halil, se flasim prapë!-/ Halil Beqja pika e trimit,/ n’Sutorman nguli kufinin!/ (Epika historike 3, f.104)
Sutormani është një mal, kufi tradicional midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kufiri shtetëror shqiptaro-malazias, falë përpjekjevet jashtë logjikës të fuqivet të mëdha evro-aziatike, ka zbritur nja 70 kilomera në jug të Sutormanit.
Unë jam vetë shtetas i Republikës së Malit të Zi dhe dua të jem luajal ndaj atij shteti, ashtu siç i takon çdo shtetasi të qytetëruar. Mirëpo, të jesh luajal, nuk do të thotë të pranosh edhe padrejtësitë e pushtetmbjtësvet. Në qoftë se, për shembull, pushetmbajtësit e sotëm të Malit të Zi nuk do të hapin shkolla shqipe në të gjithë Tivarin dhe në të gjithë katundet rreth Tivarit, unë edhe të gjithë shqiptarët e tjerë do të detyrohemi një ditë ta ridemonstrojmë praktikisht aktin e Halil Beqjes.
Unë jam shtetas luajal i Malit të Zi dhe do të përpiqem të jem luajal, për shkak të rrethanavet që m’i ka diktuar historia. Por, në qoftë se pushtetmbajtësit e sotëm të Republikës së Malit të Zi nuk do t’i regjistrojnë si shqiptarë të gjithë shqiptarët e Tivarit, t’i regjistrojnë shqiptarë ashtu siç janë realisht e jo duke u mbështetur në përrallat gjoja „demokratike“ të „vetëdeklarimit“, unë dhe të gjithë shqiptarët do të detyrohemi një ditë të frymëzohemi edhe nga akti i tridhjetë krushqvet shestanas që do t’i shohim më poshtë:
„Se kanë mbet‘-e trillet‘ krushq,/ trillet‘ krushq e bajraktari./ …Kush e ze luthtën ma j pari?/ Idriz Brisk, Ali Hajdari,/ Pjetër Gjoka pej Shestani.“/ (Shestani I, f.603)
Një shqiptar shestanas kish dasmë. 30 krushq kishin shkuar për të marrë nusen, por, duke u kthyer, vënë re një ushtri malaziase që po truponte në drejtim të dy a tre katundeve me popullsi myslimane. Pararoja e tyre kish filluar t’u vinte flakën kullavet të Muriqit. Atëherë krushqit, sado që midis tyre kish vetëm dy myslimanë dhe krejt të tjerët ishin të krishterë katolikë, i vënë pushkën ushtrisë malaziase. Komandantët malazias u munduan t’i „sqarojnë“ krushqit se nuk kishin punë me banorët e krishterë, por Pjetër Gjoka, kryedasmori, iu përgjigj: „Ç’punë keni ju cilin Zot lusim ne shqiptarët?!“ …Vënia midis dy zjarrevet bëri që agresorët të linin atë ditë nëpër brinjat e Shestanit mbi 40 të vrarë.
Disa dhjetëvjetëha më vonë, shqiptarët e këtyre anëve, për shkak të oreksit të pafund të pushtetarëvet të atëhershëm të Malit të Zi, u detyruan të thurnin të tjerë vargje dhe t’i këndojë në vallet e veta:
„Nëpër mal, nëpër Rumi,/ shkon asqeri talimxhi,/ në Shkodër po don‘ me hy,/ në Shkodër-e ka Shtegvasha./ …Ka Shtegvasha nën Fojletë, / shumë asqeri paska met‘:/ katërqind e tetllet‘ vet‘!/ Bajn‘ me mushka ka tre vet‘/, ka tre vet‘ i kan’ ngarkuo,/ n’Arbanesh po don’ me i çuo./ …Arbaneshi gropa-gropa,/ plot me vorre ish mbush’ toka./ Rretherreth po rri Evropa.”/ (Shestani I, f.607)
480 janë vrarë vetëm nëpër shpatet shkëmborë të Arbneshit në kapërcyell të Rumisë, por në krejt Luftën e Shkodrës është llogaritur se janë vrarë jo më pak se 5000 (pesë mijë) malazias. Askujt nuk i vjen mirë që krajli i Malit të Zi i ka shkaktuar kombit të vet kaq shumë viktima. Por kjo ngjarje dhe të tjera të ngjashme, më shumë se cilindo tjetër, duhet t’u shërbejë politikëbërësvet të sotëm malazias si përvojë e keqe, përvojë të cilën kombi i tyre nuk do të duhej ta përsëriste kurrë më në të ardhshmen.
Lakmitë primitive ndaj tokavet shqiptare të paraardhësvet të kombit malazias, (komb i cili, simbas dijetarëvet, për shembull simbas historianit Mirosllav Qosoviq, mbi 60 për qind është me prejardhje arbërore e vllahe), duhet të dënohen ashpër prej udhëheqësvet aktualë malazias e jo të shkohet po në atë rrugë. Para se të kërkonin për të përvetësuar padrejtësisht një copë Rugovë, parlamentarët malazias, që normalisht edhe ata duhet të jenë mbi 60 për qind me prejardhje arbërore, do të duhej ta kishin lexuar poemën aspak keqdashëse e fqinjurrejtëse, por tepër mësimnxjerrëse, të Atë Gjergj Fishtës, ku midis tjerash thuhet:
“Krisi Osja atbotë si ulani,/ Mje m’Cetinë i vojti zani:/ -Ah kadalë, Nikollë, t’vraftë Zoti!/ Pse ktu i thonë Oso baroti,/ Se s’ke pa Shqyptar me sy,/ Se djeg veten edhe ty!- Edhe zjarr i dha barotit!/ Aman, falë i kjoshim Zotit,/ Kur ka dhanun zjarr barotit,/ Se ç’a dridhë Vranina e shkretë!/ Se ç’a hjedhë kulla përpjetë!/ Se dhe L’qeni ç’ka gjimue/ M’Kala t’Shkodërs tuj ushtue!/ Qepra, tjeglla, gur e trena:/ Kambë e trupën, krahë e krena,/ Hi e tym e flake e shkndija,/ Shi mje m’Viri i hodh duhija:/ I hodh duhija shi M’brg t’Virit/ Qepra, gur e gjymtyrë nirit./ .. Eni, eni, mori Shkina,/ Eni, eni te Vranina,/ Mblidhni vetë nëpër shpat e prrue/ Ehu, kortarët e djemve t’ue;/ Edhe msoni fmin’ mbas sotit/ Mos t’ lakmojn’ tok’s Kastriotit,/ Pse u del shtrejt, qe besa e Zotit!”/ (Lahuta, f.57-58)
Politikanët e Malit të Zi e kanë të domosdoshme për të ndërtuar një marrëdhënie të mirë me shqiptarët, nëse nuk duan të na përsëriten, atyre dhe ne, zezona të këtilla.
…Duke iu kthyer edhe njëherë asaj çka thashë që në fillim, unë ngul këmbë që parlamenti i Malit të Zi nuk duhej ta kish miratuar atë farë “Marrëveshjeje” të ashtuquajtur “të Demarkacionit” me Republikën e Kosovës dhe kjo për shumë arsye. Midis shqiptarëvet mund të gjenden në çdo kohë Esat Pashë Toptanë me shumicë, por qeveritarët e Malit të Zi nuk duhej t’i kishin hyrë aventurës për të shfrytëzuar çfarëdolloj esatpashëtoptanizmi, sepse duke u marrë shqiptarëvet edhe sado pak territor tjetër, ata duhej ta dinin se do të shkaktonin revoltë te pjesa e shëndoshë moralisht dhe mendërisht e kombit shqiptar. Por njëkohësisht duhej ta dinin se, me veprimin e tyre, ata po i krijonin terren të përshtatshëm veprimi edhe pjesës shoviniste të kombit shqiptar. Ashtu si në çdo komb tjetër, edhe në kombin shqiptar ka shovinistë. Pse duhej t’u jepnin shkas shovinistëvet të cilësdo anë që të nxisin armiqësitë midis dy kombevet?! Përfundimisht unë kam bindjen që marrja, zaptimi edhe i kësaj pjese të tokës shqiptare nga ana e Republikës së Malit të Zi do t’u shkaktojë një krisje afatgjatë marrëdhënievet shqiptaro-malaziase, gjë që më së shumti do të dëmtojë vetë Malin e Zi, por edhe shqiptarët, edhe vetë Evropën, nëse ajo vërtet dëshiron të ketë mirëkuptim midis kombevet të vet.
Unë nuk po dua tani të flas për atë këmbëngulje të neveritshme të dy diplomatëvet të BE-së e të SHBA-së të akredituar në Prishtinë. Ai është vëret një qëndrim i neveritshëm, i cili nuk do të harrohet ndoshta ndër shekuj.
Gjokë Dabaj – Durrës, 24-28 shkurt 2018
Harta e Malit të Zi me territoret shqiptare të aneksuara nga vendimet e Kongresit të Berlinit 1878…!