GJOKË DABAJ: MONOTEIZMI MISTIK, MUNDËSITË E NJË EVOLUIMI – PA MISTICIZËM!

Durrës, 21. 07. 2015 – Që monoteizmi mistik, një teizëm që mbështetet në mistere, të evoluojë në një RELIGJION TË RI, nuk është aspak e pamundshme. Vetë monoteizmi buron nga politeizmi dhe, në krahasim me të, s‘ish tjetër, veçse RELIGJION I RI. Në politeizëm bijtë e zotavet ishin me dhjetëra. JEZUSI është njëri prej dhjetëra të tillë bij zotash, i cili u trashëgua prej politeizmit dhe u fut ashtu njerëzimi në një epokë të re. Edhe Jehovai është njëri prej dhjetëra zotash, në të cilët besonte Antikiteti, të cilëvet u falej dhe u blatonte fli e të cilët edhe i kritikonte. Rastisi të zgjidhet ky, pra JEHOVAI, si „I VËRTETI“ dhe kjo i mjaftoi njerëzimit për t’i shtyrë edhe 2000 vjet jetë. Monoteizmi, besimi në 1 zot, e pat vështirë t’i eklipsojë zotat e tjerë. U deshën shumë sakrifica, por, më në fund, pas 300 vjetësh, ai hyri në rrugën për t’u bërë religjion zotërues në mbarë botën.
Në shekullin VII, dmth, 3 shekuj mbas triumfit të monoteizmit, në vendet e Arabisë, u krijua i pari MONOTEIZËM ETNIK. (Nuk duhet të harrojmë që Jezusi nuk pranoi të ish prijës vetëm i njërës etni, i etnisë izraelite, dhe prandaj edhe u kryqëzua.) Si i tillë, si monoteizëm etnik arab, islamizmi do të përhapej me shpejtësi edhe mbi etni të tjera, duke i arabizuar ato, tërësisht apo pjesërisht. KUR’ANI s’është tjetër, veçse kompilim i Besëlidhjes së Vjetër, dmth, i librit fetar të izraelitëvet, me pak pjesë edhe nga Beslidhja e Re. Kompiluar, sigurisht, me stilin e vet.
MONOTEIZMI I SOTËM, shtuar këtu edhe budizmin dhe besimet e tjerë lindorë, si dhe fraksione nga më të ndryshmit, mbirë si kërpudhat gjithandej, ËSHTË NË PERENDIM E SIPËR. Ai, që nga dalja në skenë e sistemit kapitalist, nuk po mund të ketë më rol progresist në jetën e shoqërisë njerëzore. Mund të thotë dikush që ai asnjëherë nuk ka luajtur rol progresist. Nuk është e vërtetë. Mjafton të përmendim faktin që krishtërimi i shpalli të gjithë njerëzit të barabartë përpara Zotit. Deri atëherë skllevërit thuajse nuk konsideroheshin njerëz. Ata quheshin „kafshë me 2 këmbë“, „vegla që flasin“ etj.
Është ajo tjetra e vërtetë: Forcat regresive njerëzore i kanë shfrytëzuar për keq edhe religjionet monoteistë, ashtu siç po e shfrytëzojnë sot për keq, psh, ISIS-i, Boko-Harami, Alkaeda etj, besimin islam. Të njëjtën gjë kanë bërë të krishterët në vendet kolonialë, në shekujt që shkuan, të njëtën gjë bënë, po të krishterët, në Srebrenicë, në mbarim të shekullit XX.

Por ky nuk është thelbi. Thelbi është se monoteizmi mistik e ka kryer prej kohësh rolin e tij progresist dhe tashmë i ka ikur koha. Njerëzit, në masë, nuk e besojnë më ekzistencën e një Zoti, në formën siç e paraqesin krishtërimi, islamizmi etj., madje, E DINË QË S’KA NJË ZOT TË TILLË, dhe janë të gatshëm ta zëvendësojnë Zotin e fundit imagjinar me një Zot tjetër, psh, me ZOTIN E MIRËSISË NJERËZORE, i cili të luftojë TË KEQEN NJERËZORE.
Në të vërtetë, i njëjti konfrontim ka qenë në të gjitha kohët: e mira përballë së keqes, e keqja në përpjekje për ta zhbërë të mirën, Perendia, pra Zoti, më një krah, Djalli, Dreqi, në krahun tjetër.
Vetëm se, tash, njeriu e di mirë që nuk ka asgjë mistike në ekzistencën e këtyre 2 forcave. Ai i sheh qartë, këtu në Tokë, të 2-ja këto forca, dhe pikërisht, apo kryesisht, te njeriu.
Pjesa më e madhe e njerëzimit është gati të çlirohet prej misticizmit. Shkollimi e ka bërë punën e vet, shkenca e ka bërë punën e vet, teknologjia, sidomos kibernetika, e ka bërë punën e vet.
Njerëzimi po e sheh përditë e më qartë, se as e keqja, as e mira, nuk po i vijnë njerëzimit nga ndonjë forcë mistike, por pikërisht prej njeriut. Atëherë, ç’duhet misticizmi, përveçse për të penguar, madje, për t’i dhënë mundësi së keqes njerëzore të veprojë më lirisht?!
Në vend që miliarda njerëz të vihen në luftë kundër së keqes NJERËZORE, duke i hapur rrugë së mirës NJERËZORE, ata, duke pasur në krye predikuesit e misticizmit, duke praktikuar ritet mistikë, bëhen pasivë dhe presin që „Godoja“, pra, Zoti mistik, Zoti që nuk vjen kurrë, të vijë e t’i ndëshkojë të këqinjtë.
Prandaj, masat njerëzore janë potencialisht të gatshme për ta braktisur misticizmin. Mirëpo, që të ndodhë përmbysja, duhet më parë të lindë RELIGJIONI I RI, pa misticizëm. Njerëzit nuk mund ta braktisin, përveçse në mënyrë anarkike, besimin e hershëm, pa pasur një besim të ri, një RELIGJION TË RI, për t’u mbështetur tek ai dhe për të shpresuar tek ai..
Të shohim shkurt, ç’përmban e ç’duhet të përmbajë një religjion funksional dhe jetëgjatë. Një religjion, funksional dhe jetëgjatë, ka 3 komponentë kryesorë.
– Ka një TEORI (Sa më plotë të jetë teoria e një religjioni, aq më funksional është ai religjion.),
– ka një UDHËHEQJE QENDRORE (Sa më mirë të vihet në zbatim të idevet të veta, të teorisë së vet, udhëheqja qendrore e një religjioni, aq më imun është ai religjion nga shtrembërimet.),
– ka edhe PREDIKATORET e veta dhe PREDIKUESIT e vet (Sa më të shumta të jenë predikatoret dhe sa më të përkushtuar e të arsimuar të jenë predikuesit, aq më të garantuar e ka përhapjen dhe qëndrueshmërinë religjioni në fjalë.)

Të 3 këta komponentë duhet të kenë, doemos, edhe mbështetjen përkatëse financiare, e cila sigurohet nga vetë besimtarët. (Sa më të bindur të jenë besimtarët se, pa mbështetje finaciare, nuk ka religjion dhe nuk ka realizim të idealevet të tyre, aq më i qëndrueshëm, më i zgjëruar, më masiv dhe më jetëgjatë bëhet religjioni i tyre.)
Nuk është e vërtetë që religjionet mbështeten te ekzistenca e një Zoti të mbinatyrshëm. (Fjala RELIGJION lidhet me latinishten RELIGIO, vetëdije, kult, besim. Pra, nuk është aspak e thënë që RELIGJIONI të ketë doemos lidhje me misticizmin.) Religjionet mbështeten te PROPAGANDA, shoqëruar me RITE. Një propagandë, dmth, një predikim, edhe i rremë të jetë, kur i ka predikuesit të zotë dhe ritet të stabilizuar, në funksion të një vetëdijeje të caktuar, qoftë edhe 1% e mjegullt, ia del që t’i mbledhë njerëzit rreth vetes dhe t’i lidhë ata me idetë përkatëse. (Kështu kanë vepruar dhe kështu veprojnë edhe sot religjionet që predikojnë mistere të mbinatyrshëm.)
Në rastet kur një religjion godet në pikë, dmth, kur përputhet me qëllimet dhe interesat e qindra mijë apo miliona njerëzve, atëherë nuk ka forcë që ta ndalë atë religjion. (Kujto skllevërit në vigjilje të krishtërimit.)
NË RASTIN TONË, NJË RELIGJION, I CILI DO T’I HAPTE SYTË NJERËZIMIT, PËR TA SHPËTUAR:
– NGA KATASTROFAT,
– NGA LUFTËRAT BËRTHAMORE,
– NGA ASFIKSIMI GLOBAL PREJ NDOTJEVET TË ATMOSFERËS,
– NGA PËDORIMI KIRIMINAL I KIMISË,
– NGA PËRDORIMI KRIMINAL I BIOLOGJISË,
– NGA PËRDORIMI KRIMINAL I KIBERNETIKËS,
– NGA TË ZHYTURIT E EKONOMISË GJITHNJERËZORE NË KRIZA FINANCIARE LUFTËSJELLËSE,
– NGA NDARJA E PAJUSTIFIKUESHME NË NJË PAKICË TË PASURISH DHE NË NJË SHUMICË TË VARFËRISH, DO TË MBLIDHTE RRETH VETES ME SHPEJTËSI TË MADHE MILIONA E MILIONA BESIMTARË.
Çfarë do të ndodhte atëherë me bersimet tradicionalë që mbështeten te misticizmi?
Në botë ka qindra mijë kisha, qindra mijë xhami, mijëra sinagoga, mijëra faltore të budistëvet dhe një mori predikimesh mistakë të të gjithë zhanrevet. Të gjithë këta do të përpiqeshin ta shuanin RELIGJIONIN E RI. Do të përdornin të gjithë mjetet! Deri edhe shtetin! Deri edhe OKB-në! Deri edhe Këshillin e Sigurimit! Ushtrinë, policinë, shërbimin sekret e, krahas të gjithavet, median, e cila tashmë është e sofistikuar në shkallën më superiore.
Por, nëse nuk do t’ia arrinin, nëse RELIGJIONI I RI PA MISTICIZËM, por shumë shpresëdhënës, do të ishte aq i fuqishëm, sa t’i lërë pa bukë religjionet tradicionalë, që mbështeten te zota të përfytyruar, por inekzistentë, atëherë ata do t’i ktheheshin PROCESIT TË EVOLUIMIT. Nuk është aspak vështirë të ndërrojë funksion një institucion i dështuar.
RELIGJIONIT TË RI kjo do t’i interesonte: nëse mijëra xhami, kisha e tempuj të tjerë, do të ktheheshin në predikatore të fesë pa misticizëm (s’ka gjë se i kanë format e zbukurimet siç i ka krijuar monoteizmi mistik), do t’i kurseheshin njerëzimit shumë para dhe, ç’është më e mira, një evoluim i tillë do ta shpejtonte shumë shpëtimin gjithnjerëzor nga katastrofat.
Çfarë do të ndodhte atëherë me “Zotin që është në qiell”, me Shën Mërinë, me Jezu Krishtin, me engjëjt (melaiqet), me profetin Muhamed, me Shën Palin, me Budën, me Abaz-Alinë, me Shën Savën, me Shën Spiridhonin, me Shën Stefan Nemanjën, me Shën Nënë Terezen?!
Është fare e thjeshtë për t’u kuptuar. Por, për t’u zbatuar do mundim të madh, ndoshta edhe përgjakje të mëdha.
Do të ndodhte ajo që ka ndodhur me perenditë e Egjiptit (Ra, Apis), me Zeusin, me Pseidonin, me Marsin, me Venerën, me Prometeun, me Herkulin, me Herën, me Artemidën, me Argonautët, me Deukalionin, me Romulin, me orakujt e Dodonës, me Apollonin.
Secilit do t’i jepej vlerësimi që i takon, jeta do të vazhdonte më e sigurtë dhe njerëzit do të bëheshin më të kthjellët. Sigurisht që lufta, përplasja, nuk do të pushonte, por katastrofat, që, në kohën tonë, janë më kërcënuese se kurrë, do të shmangeshin dhe do të agonte ashtu EPOKA E MADHE E VËLLAZËRIMIT TË KOMBEVET.
Në qoftë se nuk do të kryhej kjo RILINDJE E NJERËZIMIT me një RELIGJION TË RI, para Luftës së Tretë Botërore, pas saj, me siguri që ka për të ndodhur, por, me HUMBJE TË PAPËRFYTYRUESHME.

– Kontakti me autorin: [email protected]

…………………………………………………………..

(Ilustrimin e përagtiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura