GJOKË DABAJ: NACIONALIZMI SHQIPTAR – NUK KA ASGJË TË PËRBASHKËT ME NACIONALIZMAT QË E RRETHOJNË

(Durrës, 05. 02. 2013) – Në shtypin tonë po flitet shumë për “rrëziqet” e nacionalizmit (shqiptar!) në Ballkan. U bënë disa deklarata politikanësh në lidhje me çështjet tona kombëtare, të pazgjidhura edhe mbas 1 shekulli. Fill mbas këtyre deklaratave u dëgjuan ndërhyrjet e vërejtjet e ndërkombëtarëve, madje të atyre, prej të cilëvet kombi ynë pret ndihmë edhe përkrahje, jo qortime.
Nuk e di a po flitet dhe sa po flitet në shtypin e fqinjëvet tanë për rrëziqet e nacionalizmavet të tyre. A po flitet dhe sa po flitet në shtypin grek, në shtypin sërb, në shtypin sllavomaqedon, në shtypin malazias?! Por, në qoftë se atje nuk flitet kundër nacionalizmavet të atyre kombeve, kjo do të thotë që ky problem po shikohet me kokë poshtë, së prapthi dhe përfundimisht, ashtu si nuk duhet të shikohet.
Ambasadorët e akredituar në Beograd, në Athinë, në Shkup dhe në Podgoricë, kur takohen me politikanë të atyre shteteve, ose kur bëjnë konferenca shtypi,
– a u flasin atyre kundër nacionalizmit sërb, grek, sllavomaqedon dhe malazias?
– Rrjedhimisht, gazetat e Beogradit a flasin kundër nacionalizmit sërb dhe, nëse flasin, çfarë argumentesh sjellin autorët e atyre shkrimeve?
– Gazetat e Athinës, a flasin dhe sa flasin kundër nacionalizmit grek dhe, nëse flasin, çfarë argumentesh sjellin?
– Gazetat sllavomaqedone të Shkupit, a flasin kundër nacionalizmit sllavomaqedon?
– Gazetat e Podgoricës, a flasin kundër nacionalizmit sllavomalaziaz?

Ky është thelbi i problemit në Ballkan. Edhe Bashkimi Europian, të 27 shtetet e BE-së, edhe SHBA-ja, por, pse jo, edhe pjesa tjetër e Botës, kështu duhet ta masin rrëzikshmërinë ose parrëzikshmërinë e nacionalizmit në këtë pjesë të Botës.
– Sa flitet kundër nacionalizmit vetjak në secilin prej këtyre shteteve?! Sa dënohen në shtypin grek, krimet që kanë bërë grekët e mëparshëm ndaj shqiptarëvet të mëparshëm?!
– Sa dënohen në shtypin sërb, krimet që kanë bërë sërbët e mëparshëm, edhe të sotmit, ndaj shqiptarëvet të mëparshëm, edhe ndaj të sotmëvet?!
– Sa dënohen, në shtypin sllavomaqedon, krimet që kanë bërë sllavomaqedonët ndaj shqiptarëvet në të kaluarën, po edhe në të sotmen?!
– Sa dënohen në shtypin e përditshëm malazias, krimet që kanë bërë sllavomalazezët e mëparshëm, edhe të sotmit, ndaj shqiptarëvet të mëparshëm, po edhe ndaj të sotmëvet, psh në Kosovë?!

Nëse nuk shikohet kështu problemi, Europa duhet ta dijë që s’ka gjë në vijë me Ballkanin. Ballkani është quajtur fuçi baruti dhe mbetet edhe sot, një depo armësh, të gatshme për zjarr, nëse nuk bëhet kthesa, dmth përmbysja, pikërisht në këtë drejtim. Në drejtimin e të dënuarit të nacionalizmit atje, ku ai është realisht i rrëzikshëm dhe jo atje ku ai s’bën tjetër, veçse mbron vetëveten.
Përgjegjësinë për këtë punë, shumë të madhe, madje do të thoshim, jetike për të ardhshmen e krejt Evropës, e kanë: politika europiane, diplomacia europiane, gazetaria europiane, historiografia, dokumentografia, njerëzit e ditur, njerëzit mendjekthjellët e, mbi të gjitha, njerëzit me moral të shëndoshë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura