GJOKË DABAJ: NJË BISEDË QË NUK E BËRA DOT ME PROFESOR DHORI QIRJAZIN

Durrës, 13 shtator 2018. Akademia e Shkencavet dhe Instituti i Albanologjisë, dega e historisë, kanë organizuar sivjet një varg ligjëratash mbi jetën, veprën dhe luftën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ligjëratat po mbahen në Pallatin e Kongresevet, në një sallë të përgatitur enkas për këto veprimtari. Ftohen për të ligjëruar profesorë që e njohin dhe janë marrë me këtë pjesë të historisë sonë. Dëgjohet ligjërata, pastaj bëhen pyetje ose bisedohet zgjërueshëm në lidhje me temën. Përderisa flitet për Heroin tonë Kombëtar, vetëkuptohet që aty gama e bisedavet vetëvetiu përfshin të gjithë problemet që kanë të bëjnë me Kombin. Heroi Kombëtar është Dielli që i shtrin rrezet mbi çdo shqetësim që ka Kombi, sidomos mbi alarmet gjumëshkatërrues të njerëzvet që i duan Kombin dhe Atdheun.
Njëri nga ligjëruesit e radhës, i ftuar për të trajtuar këtu një temë të kësaj fushe, ish edhe Prof.Dhori Qirjazi, i cili prej vitesh punon në njërin prej universitetevet të Greqisë. Doemos, ai do të përqëndrohej te mënyra si trajtohet Gjergj Kastrioti Skënderbeu në historiografinë greke. Ligjërata e tij ishte interesante, mjaft informuese dhe mua më erdhi keq që shkova pak vonë. Teksti i ligjërimit të tij shfaqej edhe në dy monitorë, të instaluar anash, në mënyrë që, edhe kur zëri mund të mos dëgjohej qartë, ligjërata të mund edhe të lexohej.
Të gjitha ishin mirë e bukur, por mua po më brente një problem shumë madh dhe gjatë gjithë kohës po mundohesha të formuloja mënyrën se si do t’ia parashtroja shqetësimin tim, edhe profesorit, sidomos sepse ai vepronte si intelektual në Greqinë fqinje, edhe auditorit të pranishëm, shumica profesorë akademikë. I rendita fjalitë në mendjen time, i përsërita, i rirregullova, por ndërkohë biseda po i afrohej fundit dhe unë nuk arrita të them asgjë.

Prof.Dhori Qirjazi

Dolëm në sallonin ku ishin shtruar tavolinat me pije e me meze. U takuam, u përshëndetëm, shkëmbyem ndonjë mendim fluturimthi njeri me tjetrin, por brenga ime mbeti brenda meje. Tani po e shkruaj atë që pata bërë gati t’ia them atë ditë Profesor Dhorit dhe të gjithë dëgjuesvet, që siç thashë, nuk ishin njerëz të rendomtë.
Brenga ime lidhet me një kuptim krejt të gabuar që i është dhënë dhe i jepet edhe sot emrit, pra makrotoponimit SHQIPËRI. Quhet gabimisht SHQIPËRI vetëm ajo pjesë e Shqipërisë që na e ka lënë Konferenca Ndërkombëtare e Londrës e vitit 1913. Pjesët e tjera të Shqipërisë nuk quhen SHQIPËRI! Shqiptarët e kohës sonë dalin kështu zvarranikë të mjerë në krahasim me paraardhësit tanë, të cilët gjithashtu nuk shquhen për ndonjë patriotizëm brilant.
Në të 6 shekujt e kusur, kur ishte i pushtuar nga Perandoria Romake, Atdheu ynë u quajt pandërprerë ILIRI. Asnjë pjesë e Ilirisë nuk u quajt Itali. As në shekujt kur Atdheu ynë bënte pjesë në Perandorinë Bizantine, ku pushtetin e patën uzurpuar grekët, ky vend asnjëherë nuk u quajt Greqi, por njihej si Thema e Nikopolit, Thema e Durrësit e tjera. Në 5 shekujt e sundimit osman vendi ynë quhej ARNAUTLLUK ose ARNAUTISTAN, që do të thotë vendi i arbënvet. Ish i ndarë në katër vilajete dhe të katër vilajetet së bashku përbënin ARNAUTISTANIN dhe, në aspektin gjeografik asnjëherë nuk është quajtur Turqi. Them, në aspektin gjeografik, sepse shtetërisht kuptohet që ishim pjesë e Perandorisë Osmane që ndryshe quhej edhe Turqi.
Mbas vitit 1913, në vend që të triumfonte dhe të zinte rrënjë të paktën terminologjia e rilindësvet tanë, për faqen tonë të zezë, ndodhi krejt e kundërta. U quajt SHQIPËRI vetëm pjesa që fitoi pavarësinë. Pjesa e rrëgjuar! Pjesa e cunguar! Duket kështu sikur edhe shpirti ynë u cungua!
Pjesët e Shqipërisë Veriperendimore, Veriore dhe Verilindore, që ranë nën sundimin e sllavëve të jugut, sado që vazhduan të banohen me shqiptarë, nuk u përcaktuan më, as gjeografikisht, si pjesë të Shqipërisë. Irlanda rron 500 vjet nën sundimin anglez dhe vazhdon të quhet Irlandë! Ne për 5 vjet e humbëm emrin e Vendit tonë! Emrin e Atdheut tonë! Gjyshi im, pa asnjë klasë shkollë, kurrë nuk e ka quajtur Tivarin pjesë të Malit të Zi. Mali i Zi, për të, ishte përtej Tivarit. (Dhe ma tregonte me gisht nga binte Mali i Zi.) Akademikët tanë, kur shkojnë në Tivar, thonë: Ishim në Mal të Zi.
Gjysma e Shqipërisë Jugore që iu dha Greqisë, bashkë me përkatësinë shtetërore, e humbi edhe emërtimin gjeografik, emërtim që dikur e kish pasur Arbëri Jugore ose Toskëri e, nga gjysma e dytë e shekullit XVIII e këndej, Shqipëri Jugore ose Toskëri. Një pjesë e kësaj Shqipërie Jugore apo Toskërie, quhej Çamëri. Sot po na thonë që as Çamëri nuk ka! E ne po heshtim si qyqarë, si merhumë! Njëmijë herë më të squllët se gjyshërit tanë! Shqiptari i Republikës së Shqipërisë, sapo kalon Kakavijën, merr familjen në telefon dhe thotë: Kalova në Greqi. Njëri nga gazetarët tanë, për të cilin e di shumë mirë që ka punuar në Janinë, më thotë: Punova tre vjet në Greqi. Dhe, kur unë i them: Mos më gënjej, se ti nuk ke qenë në Greqi, ai vë buzën në gaz dhe hesht. Kur e takoj mbas një viti, sërish më thotë: Kur isha në Greqi.
Një profesori, anëtari të Akademisë së Shkencavet dhe Artevet të Kosovës i shkoj në zyrë në Prishtinë dhe ai, sapo të kemi mbaruar me frazat rutinë, më pyet: Kur paske ardhur nga Shqipëria?! Ç’t’i them unë këtij profesori?! A t’i them: Po ti, ku gjendfesh?! A nuk gjendesh në Shqipëri?! Apo t’ia plas derën e të iki?!
Pikërisht këtë problem të madh tonin desha ta bisedoj me Profesor Dhorin dhe desha të flas me të në prani edhe të akademikëvet që gjendeshin aty. Doja ta pyesja: Ç’po bëni ju, në ambientet e intelektualëvet, kolegë tuaj në shtetin grek, që territori nga Arta deri në Konicë, në kuptimin gjeografik, jo në kuptimin shtetëror, të konceptohet si pjesë e Shqipërisë Jugore? Për shembull, të quhet Jugo-Shqipëri?!
Dhe, mbasi të jetë konsideruar kjo teminologji e jona, e sakatuar, si një problem me rëndësi jetike për Kombin tonë, thashë me vete, do t’i mbetej profesoratit tonë, inteligjencës sonë, përfshirë aty veçanërisht gazetarët, përhapur sot në të gjithë botën, të kërkojë rrugët e një zgjidhjeje sa më racionale. sepse, në këtë gjendje që jemi, duke mos ditur të përdorim si duhet as emrin e Atdheut tonë, ne do të detyrohemi të pranojmë se jemi për t’u vajtuar për së gjalli.
Gjokë Dabaj, Durrës 12 shtator 2018

=====================================
Ligjërata e Prof. Dhori Qiriazi në Konferencën Ndërkombëtare Albanologjike

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura