GJOKË DABAJ: NJË COPË JETË NË VITIN 1955 (Ditar)

Durrës, 25. 09. 2015: (Ditar, shkruar në gjuhën sllave, në moshën 17 vjeç. Përkthim dhe kompjuterim, 2015, në moshën 77 vjeç) – 17 vjeç, nuk kam qenë i vogël. Në këtë moshë shumë njerëz e kanë përcaktuar udhën e vet. Muzikantët, sportistët, inxhinierët, ekonomistët, shkencëtarët, poetët, politikanët e ardhshëm, por edhe profesione më „modestë“, zdrukthtarët, mekanikët, rrobaqepësit, muratorët, që të gjithë, në kushte normalë, në këtë moshë, e kanë bërë startin e vet dhe ecin, me shumë pasion ose me më pak energji, në rrugën që u është ravijëzuar tashmë. Në histori ka madje personalitete të spikatur qysh në këtë moshë: ushtarakë, trashëgimtarë të fronevet, kompozitorë…

Unë, siç do të shikohet edhe në shënimet e këtij ditari, s’isha, veçse një i ri fare i thjeshtë. 1 vit më parë e kisha kryer shkollën 8-vjeçare. Ruaja bagëtitë dhe bëja punë të tjera në shtëpi e rreth shtëpisë. SHKRUAJA NË GJUHË TË HUAJ. NUK DIJA TË SHKRUAJA NË GJUHËN TIME, sado që e flisja përditë këtë gjuhë. Nuk shikoja as edhe 1 perspektivë për jetën time.

Megjithkëto, rreshtat e këtij ditari, e kësaj fletoreje, tregojnë vlerën e madhe që ka, për çdo njeri, të shënuarit në letër të ngjarjevet të ditës. Të ulurit në mbrëmje para një kandili dhe të shënuarit aty, qoftë edhe 2 fjali, nga dita që po mbyllet, e detyron njeriun të kthehet në retrospektivë. E detyron njeriun të shohë vetëveten në kohë të sapokaluar, të bëjë njëfarë bilanci të ditës që po lë pas dhe, doemos, të mendojë edhe për ditën që do të vijë. Gabimet, pengesat, sukseset, dështimet, punët, sado të rendomta qofshin ato, pastaj moti, i keq apo i mirë, përballja me njerëzit dhe me ambientin, ndjenjat, midis të cilavet, edhe ajo e dashurisë, miqësitë, shoqëritë, lëkundjet shpirtërore, sëmundjet, të gjitha këto, kur njeriu ulet për të shkruar ditar, do t’i nënshtrohen një analize dhe do ta çojnë ashtu individin në një jetë, gjithsesi më të kontrolluar.
Prandaj dhe po e publikoj këtë ditar: Për t’u treguar njerëzvet të rinj, sa rëndësi ka të shkruarit në fund të ditës, të asaj që tashmë ka kaluar. Të ulesh e të shkruash në fund të ditës të asaj që tashmë ka kalaur, të detyron, ty personalisht, ta shohësh sa e ke veten në dorë, sa i qëndrueshëm je, sa serioz je, sa i preokupuar je me jetën tënde dhe me të afërmit e tu.
Të mosmbajturit, ndërkaq, të një ditari, kur bie fjala për të, nuk i krijon njeriut ndjenjë tjetër, veçse keqardhje: Sa kot kam jetuar! T‘i kisha shkruar ato që më kanë ndodhur, sot do të mund ta shihja më qartë të shkuarën time. Kështu them edhe unë për ngjarjet që më kanë ndodhur, por që nuk i kam shënuar. Ndërsa për këto që i kam shënuar, më vjen mirë. Më vjen mirë, sado që ndonjëherë janë edhe të hidhura.
Më vjen mirë mua, por besoj se edhe pasardhësvet të mi do t’u vijë mirë, sepse do ta njohin më në hollësi paraardhësin e vet.

( *** )
Në vazhdim mund të lexoni ditarin në formatin PDF:

https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/gjoke-dabaj-nje-cope-jete-1955.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura