GJOKË DABAJ: NJË PASQYRË E SHKURTËR E ILIRO-ALBANIZMAVET NË GJUHËT SLLAVE(I)

Pashtriku.org, 19. 07. 2013 – Them: Pasqyrë E SHKURTËR, sepse shkencat e marrëdhënievet ILIRO-sllave, ato të mirëfilltat, ende nuk kanë filluar, prandaj do të duhet shumë kohë për të mos u quajtur më, pasqyrat apo parashtresat, TË SHKURTËRA. Ndërkaq, për lidhjet e ARBËRVET me sllavët, lidhjet kulturore, ekonomike, politike etj, janë thënë disa gjëra, vetëm sa i përket ndikimit të sllavëvet mbi arbërit. Ana e kundërt, roli i arbërvet në kulturën sllave është trajtuar thuajse me një lloj cinizmi. SHQIPTARËT, në fund, si pasardhës të ilirëvet dhe arbërvet, as që janë llogaritur fare si ushtrues të ndonjë ndikimi në kulturën e fqinjëvet.
Kjo ka ndodhur prej disa shkaqesh themelorë:
1. Ilirët janë parë si një popullatë “fisesh” thuajse të asgjësuar prej barbarëvet, në shekujt V, VI dhe VII.
2. Shteti i Bizantit është parë si një shtet vetëm i grekëvet.
3. Për arbërit, edhe kur është pranuar që janë pasardhës të ilirëvet, është folur, prapë, si për ca “fise” nomadësh, ose, e shumta, si për ca principatëza të vogla.
E gjithë kjo ka bërë që historia të SHTREMBËROHET, ose të mos flitet fare pikërisht për gjërat, për të cilat duhej folur. Në këtë mënyrë, historiografisë dhe të gjitha fushave të tjera të filologjisë, s’u mbetet tjetër, veçse t’ia fillojnë nga fillimi rishikimit në të gjithë aspektet të çdo gjëje që është thënë deri më sot mbi marrëdhëniet e ilirëvet dhe të arbërvet me sllavët dhe të thuhen, mbi bazën e kërkimevet seriozë dhe mirëfilli shkencorë, gjërat që nuk janë thënë.
Në shekujt III dhe IV, ilirët kanë qenë në shtetin e Romës një forcë e madhe: politike, ushtarake dhe ekonomike. Në shekujt V e VI, ilirët ishin prapë forcë e madhe në Perandorinë Lindore të Romës. Nuk është thënë thuajse asgjë për këta 2 aspekte, tepër të rëndësishëm, jo vetëm për historinë e Gadishullit të Ilirisë, por për historinë e krejt Europës dhe të krejt Pellgut të Mesdheut.
Kur kanë ardhur sllavët në këtë gadishull, në sh. VII, ilirët kanë qenë këtu një popull i madh lashtovendës, me qytete të shumtë dhe me fshatra, edhe më të shumtë, shumëshekullorë, me një rend shoqëror dhe ekonomi skllavopronare, më të zhvilluarën e kohës dhe në transformim e sipër drejt feudalizmit, me kulturë shtetërore, të praktikuar ndër shekuj e të konsoliduar, me kisha, ipeshkvi e arqipeshkvi të shumta, me rrjet të dendur rugësh për komunikim midis qytetesh, me flota detare me nam në krejt Mesdheun, me administratë përvojëshumë të përhapur në të gjithë territorin.
Gjuha e ilirëvet, e shkruar, me sa dimë deri më sot, ishte gjuha latine, ndërsa gjuha e folur, me pak përjashtime në disa qytete bregdetarë dhe në disa bashkësi nomadësh (aromunët e sotëm), ishte pa dyshim ilirishtja.

Sllavët u vendosën qëndrueshëm në Gadishullin e Ilirisë në gjysmën e parë të sh VII. Kaluan Danubin dhe Savën me lejen e Perandorit Irakli dhe zunë kryesisht ato sipërfaqe toke që, për shkak të luftëravet dhe për shkak të shpërbërjes së Perandorisë Romake, kishin mbetur pa zot, dmth pa pronar. Një pjesë sllavësh, madje, goranët, duke mos pasur ku të vendosen, zunë kodrinat dhe malet. Pra, kjo duhet kuptuar kështu: Sllavët nuk e PËRMBYTËN krejt Gadishullin, siç është pretenduar në historiografi, por zunë vetëm një pjesë tokash të shpopulluara. Vendbanimet e sllavëvet të ardhur kanë pasur në atë kohë formën e ENKLAVAVET, që quheshin SKLLAVINI ose ZADRUGA.
Me popullsinë vendëse, doemos, ata kishin marrëdhënie të shumta, por jetën e bënin kryesisht më vete, në formën e kolonivet, duke përdorur në ato koloni, një gjuhë të vetën, të prurë prej vendevet nga kishin ardhur, por, sigurisht, duke çuar në atë gjuhë elementë të shumtë nga gjuha e vendësvet, si nga gjuha latine e administratës, ashtu edhe nga gjuha e folur ilire, e përditshme dhe gjithpërfshirëse e gjithkundgjendëshme. Do mbajtur parasysh këtu, që sllavët e ardhur, gati për 300 vjet, nuk patën as kishat e tyre, as ndonjë lloj administrate të vetën. Kësisoj, marrëdhëniet administrative, tregtare dhe çdo lloj tjetër komunikimi me popullsinë josllave ata e bënin në gjuhën e vendit, o latinisht, o ilirisht.
* * *
Një korpus i veçantë i grupit të diturivet që duhet të merret me këtë punë, është edhe sqarimi shkencor i mënyrës se si ka shkuar kultura europiane te të quajturit sllavë të lindjes dhe sllave të perendimit. S’është fjala për kohët e vona të princërvet e të carëvet. Fjala është për shekujt kur ata popuj nuk i kishin as shtetet e tipit që Europa i kish pasur prej shekujsh, as fenë e krishterë. Në radhë të parë, ajo që duhet sqaruar, janë rrugët GJEOGRAFIKE. A kanë qenë: Gjermania e sotme, Skandinavia dhe Baltiku, a kanë qenë Gadishulli i Ilirisë, Rumania e sotme dhe Bullgaria e sotme, apo kanë qenë Azia e Vogël, Kavkazi dhe Deti i Zi, ato rrugë GJEOGRAFIKE që kanë çuar kulturën e Europës në popujt sllavolindorë dhe sllavoperendimorë? Të 3-ja këto rrugë janë për t’u marrë në konsideratë dhe duhen trajtuar një për një, por ajo e Gadishullit të Ilirisë, Ballkanit të sotëm, nëpërmjet Danubit, Dardanelevet dhe Detit të Zi, ka qenë, në ata shekuj, pa dyshim, më e komunikueshmja rrugë që e ka çuar përvojën europiane deri në Rusi. Ky ka qenë areali, nga kanë shkuar për në Krime, Ukrainë e Rusi, mallrat e tregtisë, përvojat e ekonomizimit, përvojat e shtetbërjes dhe feja e krishterë.
Ky ka qenë, doemos, edhe areali kryesor nga kanë shkuar në Krime, Ukrainë dhe Rusi, edhe GJUHËT e popujvet të Europës. Themi: GJUHËT, sepse njerëzit që do të shkonin në vendet sllavë, qoftë për tregti, qoftë për të përhapur fenë e krishterë, a për çfarëdo lloj pune tjetër, do ta FLISNIN një gjuhë.
GJUHËT e popujvet të Europës, ato të shkruarat, kanë qenë latinishtja dhe greqishtja. Mirëpo, nuk duhet harruar që gjuhët e folura, në një ambient ku shkrimi nuk ekziston fare ose është shumë i kufizuar, kanë një aftësi depërtimi shumë më të fuqishme se gjuhët e shkruara. Prandaj dhe studimet duhen orientuar në të 2 aspektet: edhe në aspektin administrativ e kishtar, dmth në aspektin e përhapjes shkrimore të GJUHËS, edhe në aspektin e përhapjes gojore, dmth duke folur, njerëzit që shkonin këndej me njerëzit që gjenin atje.
Subjektet që mund të kenë çuar thesare GJUHËSORË midis popujvet, kryesisht sllavolindorë, por edhe sllavoperendimorë, kanë qenë: grekët, rumunët, ilirët, sllavët e jugut, klerikët dhe zyrtarët e ndryshëm. Kur është fjala për popujt sllavojugorë, do mbajtur parasysh që këta popuj e kanë pasë marrë kulturën europiane, midis tjerash edhe GJUHËN, qysh më parë dhe, në rrjedhë të kohës, dmth gjatë shekujvet VII, VIII, IX, X etj, ua kanë transmetuar bashketniasvet të vet, si të vetën.
* * *
Të gjitha këto që u thanë këtu, kanë qenë baza e pikënisjes sime për të hulumtuar iliro-albanizmat, së pari në gjuhët sllavojugore e së këndejmi edhe te sllavët e tjerë. Konkluzioni im është që GJUHA iliro-arbërishte ka ushtruar ndikim shumë të fuqishëm në GJUHËT sllave dhe kjo i ka arsyet e veta qartësisht të shpjegueshme: Arsyeja e parë është, se ilirët, në sh VII, atëherë kur sllavojugorët janë vendosur për të jetuar në jug të lumenjvet Sava dhe Danub, kanë qenë populli më madh i këtij gadishulli. Ata shtriheshin nga Tergeste e dikurshme, Trieste e sotme, deri në Nikopolin e dikurshëm, Prevezën e sotme, dhe nga brigjet e Adriatikut e të Jonit, deri te lumenjtë e sotëm Morava e Vardar. Përveç kësaj, ilirët, në ata shekuj, kanë banuar në numër të madh edhe në kryeqendrën e vet, Konstantinopol. Nuk do harruar që Konstantinopolin e kishin themeluar ilirët (Perandori Konstantin), ndërtuar, në pjesën më të madhe, dhe sunduar ekskluzivisht deri në fillim të sh VII. Në këta kushte, GJUHA e folur ilire e më vonë arbërishtja (që herë e quanin maqedonishte e herë epirote), ka hyrë në gjuhët sllave në mënyrën më të natyrshme të mundshme.
* * *
Fjalorthi i mëposhtëm i iliro-albanizmavet në gjuhët sllave, një pjesë e të cilit është botuar edhe në studimet e mi të mëpashëm, do ta vërtetojë më së miri gjithë çfarë u tha më sipër.
1.BALEGA, bajgë, nga *bale-gë. Në ndonjë dialekt të shqipes përdoret edhe BAGËL, ku rrënja BAG lidhet edhe me fjalën BAGËTI. Aty –ËL është prapashtesë, ndërsa në formën BAGËL ka ndodhur metateza dhe ka dalë: BALËGË e, prej këndej, te sllavishtet: BALEGA. Në gjuhët sllave kjo fjalë ka, e pakta, 4 njësi leksikore.
(Vo! Më poshtë për njësitë leksikore që lidhen me zërat bazë, do t’i shënojmë vetëm me shifër dhe shkurt, në mënyrë që të kuptohet, sa prodhues ka qenë një iliro-albanizëm në ato gjuhë.)
2.BARZAST, i bërdhylët, nga *i bardhëzë. Dh-ja dhe Ë-të kanë rënë. Z-ja është prapashtesë zbvogëluese e iliro-arbërishtes, -AST është prapashtesë sllave e ngjashmërisë. (Fjalë me përdorim të kufizuar.)
3.BDETI, me ndejtë zgjuar, nga *me bdi, me pritë ditën. B-ja është parashtesë nga një e mëparshme MB-, rrënja është DI, që lidhet me DITË, kurse –TI në sllavishtet është prapashtesë foljeformuese. (3 njësi leks.)
4.BIGAR, stalaktit, çmërs, bigorr, nga *mbi gur. Kuptimisht formë krejt e përligjur, sepse stalaktiti rrëshqet apo ndërtohet, me pika uji, MBI GUR. Edhe këtu B-ja është parashtesë, ardhur nga MBI-, ndërsa GAR, ose në shqip GORR, vjen nga *GUR, ku U-ja ka ndërruar tingëllimë për shkak të zhvendosjes së theksit te I-ja.
5.BILJKA, bimë, nga *me mbi. -KA është prapashtesë. Duket se edhe -Lj ka prejardhje prapashtese. Rrënja BI- nuk mund të ketë ardhur nga BILJKA, me rënien e prapashtesavet, por e kundërta. Do parë edhe lidhja me fjalën greke BIOS, jetë. (7 njësi leks.)
6.BLATO (bllato), 1, baltë, 2.liqen. Nga *balëtë. TË- është nyjë shquese te emrat asnjanës. Rusisht БОЛОТÓ (ballato). Te forma sllavojugore ka rënë A-ja. Kuptimi liqen do të ketë ardhur, me përdorim metomimik, nga balta që krijohet anash liqenesh. (9 njësi leks.)
7.BLAVOR (bllavor), bullar. Nga *bullar. Ka rënë U-ja, ndërsa A-ja e gjatë, te forma shqip, mund të ketë qenë *-av: *b(u)lav(ë)rë). Do parë edhe lidhja me latinishten LARVA, me ç’rast B-ja do të mbetej parashtesë.
8.BOS, i zbathur, nga *bath. Rusisht: БОСÓЙ (basoj). Te shqipja kemi fjalët: ME MBATHË e ME ZBATHË, ku M-ja dhe Z-ja janë parashtesa. Rrënja BATH nuk mund të ketë ardhur nga BOS, sepse S-ja nuk jep TH. Ndodh e kundërta: Në të gjithë rastet TH-ja ka dhënë S, psh: SIKA, nga THIKA etj. (10 njësi leks.)
9.BRAV, berr, nga *berr, me prapashtesën –AV. Nga *berrav, me rënien e E-së, ka dalë BRAV. (9 njësi leks.)
10.BREG, breg, nga *(m)b(ë)reg. Rusisht: БЕРЕГ (bjerjeg). Rrënja REG do lidhur me latinishten REGIO. (15 njësi leks.)
11.BREME, barrë, nga *(e) barme, diçka që BAHET. Rusisht: БРЕМЯ. –M-ja është prapashtesë. Rrënja BAR, të krahasohet me BARTJE, I BARTUR, krejt nga ME BAJTË. (15 njësi leks.)
12.BREZA, mështekën, nga *bardhëzë. Krs. Rusisht: БЕРЁЗА (bjerjoza). Do krahasuar me latinishten: Bertula alba, ku alba ka kuptimin: e bardhë. (9 njësi leks.)
13.BRIGA, brengë, nga *me bre. (7 njesi leks.)
14.BUJATI, me u hazdisë, me u fry, nga *mb(ë)ujë. Krs. rus: БУЙНЫЙ (bujnëj). (16 njësi leks.)
15.BUJOL (bujoll), kovë e vogël druri, nga *mb(ë)ujëlë.
16.BUJON, lëng mishi, nga *mb(ë)ujënë.
17.BUNAR, pus, bunar, nga *me bunue. (3 njësi leks.)
18.BUS, plis dheu, bucë, nga *butësë. (13 njësi leks.)
19.CILJ, cak, qëllim, nga *me qëllue. Krs. rus: ЦЕЛЬ (cel). (4 njësi leks.)
20.DIM, tym, nga *tym. Krs. Rus: ДЫМ (dëim). (29 njësi leks.)
21.DINAR, monedhë (e njohur jo vetëm te sllavët), nga *dhi, njësi shumë e hershme shkëmbimi. Fjalë e përhapur në shumë popuj. Për të vërtetuatr prejardhjen do krahasuar edhe me KUNA te kroatët. (3 njësi leks.)
22.DLETO, daltë, nga *dalëtë, prej foljes *me dalë.
23.DRHTATI (dërhtati), me u dridhë, nga *dridh(ëh). Krs. Rus: ДРОЖАТЬ (drozhatj). (10 njësi leks.)
24.DRUGA, drugëz, nga *dru.
25.DRVO, dru, nga *dru. Krs. Rus: ДЕРЕВО (djerjevo). (58 njësi leks.)
Është një shembull, se si, gjuhët, pasi të kenë huazuar qoftë edhe 1 fjalë të vetme, mund të pasurohen pafundësisht me mjetet e vet. Kështu ndodh edhe me tokën: Të merr ai tjetri një pëllëmbë vend e ndërton aty, për vete, një qytet. Por, në këtë paralelizim dukurishë, ka një dallim thelbësor: Kur tjetri të ka marrë tokën, i dënuari je ti, kurse kur të ka marrë fjalën, je ti ai që ndjehesh mirë. Ndjehesh mirë, sepse janë të parët e tu, je ti vetë, ai që u ke dhënë të tjerëvet kulturë.
26.FRULA (frulla), fyell, nga *me fry. FRULAŠ (frullash), fyelltar.
27.FRUS, fruth, nga *fruth.
28.GRABITI, me grabitë, me rrëmbye, nga *(kë)rrab(ë) (kjo, nga *me rrëmbye). Krs. Rus: ГРАБИТЬ (grabitj). (33 njësi leks.)
29.GRAD, qytet, nga *gardh. Krs. Rus: ГОРОД (gorad), por edhe ОПОЛОТ (apallot), kështjellë, nga ПЛОТ (plot), gardh. (68 njësi leks.)
30.GRANICA, kufi, nga *guranëzë. Krs. Rus: ГРАНЬ (granj), cak, kufi, nga *guranë. (21 njësi leks.)
31.GREJATI, me ngrohë, nga *me ngrohë (e kundërta: me ngri) Krs. Rus: ГРЕТЬ (grjet). (19 njësi leks.)
32.GREPŠА (grepsha), dantellë, nga *grep.
33.GRINTAV, që grindet, nga *me u grindë (*me gri). (njësi leks: GRINTATI, GRINTAVAC, rimarrë në shqip prej sllavishtes me formën: GRINDAVEC).
34.GRINUTI, me u vërsulë, me u hedhë, nga *me u ngritë.
35.GRINJA, tenjë, molë, nga *me gri. (27 njësi leks.)
36.GRKLJAN (gërkljan), laring, nga *grykël. [Njësi leks: GRKLJANI (gërkljani), GRKLJANSKI (gërkljanski)].
37.GRLO (gërllo), fyt, nga *ang (*ang-ër-lë). Krs. rus: ГОРЛО (gorllo). (28 njësi leks.)
38.GROB, varr, nga *gropë. Krs. rus: ГРОБ (grob). (19 njësi leks.)
39.ГОРСТЬ (gorst), grusht, nga *gur (*gurë-stë), me kuptimin: si gur.
40.HALABUKA (hallabuka), zallamahi, nga *hallabyk! (Nëpër të folme krahinore të shqipes njihet fjala pasthirrmë: Hallabyk!) (Njësi leks: HALABUČITI (hallabuçiti), TARLABUKA (tarllabuka). (Do krahasuar edhe me BUKA, oshtimë, zhurmë e mbytur, BUČITI (buçiti), me ushtue. Këto, ndonëse tigëllisht janë të njëjta, në prejardhje nuk lidhen me 3 të parat.)
41.HLEB, bukë, nga *elbëh. Krs. rus: ХЛЕБ (hljeb). (13 njësi leks.)
42.HRANA, ushqim, nga *me hangër [*(e) hangërnë]. Krs. rus: ХРАНИТЬ (hranjit). (33 njësi leks.)
43.HUNJAVICA, rrufë, nga *hundë. (4 njësi leks.)
44.HVALA (hvalla), falemnderit, nga *lauh-*hual-*fal. Krs. rus: ХВАЛА (hvalla). (30 njësi leks.)
45.ЯАКОРЬ (jakor), spirancë, nga *hekur.
46.KACA, tinar, fuci, nga *kadëzë. Krs. rus: КАДКА (kadka).
47.KAJATI SE, me u pendue, nga *me kajtë (Mund të jetë formë dialektore, e njohur në trevat veriore.) Krs. rus: КАЯАТЬСЯ (kajatsa). (15 njësi leks.)
48.KALJAC, dhëmb i syrit te kali, nga *kalë. (Nëse është e vërtetë që emri KALË ka ardhur, në arbërisht apo para arbërishtes, nga latinishtja CABALLUS, atëherë kjo fjalë do të ketë shkuar te sllavët relativisht vonë.)
49.KATUN, tëbanë, nga *katund (*kë-të-end?).
50.KAZATI, me kallëzue, nga *kalli (*kallëzë). Krs. rus: ПОКАЗАТЬ (pakazat). (65 njësi leks.)
51.KIŠA (kisha), shi, nga *kë-shi. (14 njësi leks.)
52.KLAS (kllas), kalli, nga *kallës. Krs. rus: КОЛОС (kollas). (13 njësi leks.)
53.KLET, me mallkue, nga *me kla, formë e hershme e foljes së sotme me qa, (ndoshta dikur: *me këlye.) Krs. rus: КЛЯСТЬ (kljast). (25 njësi leks.)
54.KLJUN, sqep, nga *kël-hundë. Krs. rus: КЛЮВ (kljuv). (21 njësi leks.)
55.KLJUSE, kalë gërdallë, nga *kalësë. Krs. rus: КЛЯЧА (kljaça). (Njësi leks: KLJUSAD, KLJUSINA).
56.KOKULICA, e qethur e rrumbullakët në majë të kokës (te priftërinjtë), nga *kokë-ulë, ose *kokë-(ë)l(ë)-zë.
57.KOLENO, gju, nga *gëlun. Krs. rus: КОЛЕНО (kaljeno). (7 njësi leks.)
58.KORAK, hap, nga *k(ë)rah-kë. (13 njësi leks.)
59.KOREN, rrënjë, nga *kë-rra-një. Krs. rus: КОРЕНЬ (korjenj). (17 njësi leks.)
60.KOSA, kosë, mjet korrës, nga *korrësë. Krs. rus: КОСА (kasa). (24 njësi leks.)
61.KOŠUTA (koshuta), drenushë, sutë, nga *kë-sutë. (5 njësi leks.)
62.KRAJ, skaj, mbarim, nga *krah. Krs. rus: КРАЙ (kraj). (37 njësi leks. Midis tyre edhe emri i një shteti: UKRAINË,-A).
63.KRASTA, dregëz, nga *me krue (*kruestë). (11 njësi leks.)
64.KRESTA, lafshë, nga *krye (*kryestë).
65.KREŠTATI (kreshtati), me bërtitë sa ke në krye, me krrokatë, nga *krye (*kryestë), nëse s’është onomatope. Krs: KREŠTALICA (kreshtalica), grifshë.
66.KRILO (krillo), krah shpendi, nga *krah [*krih-(ë)lë]. Krs. rus: КРЫЛО (krëillo). (17 njësi leks.)
67.KRINKA, maskë koke, nga *krye [*kry(e)n-kë] 68.KRUH, bukë, nga *grunë [*gru(në)h] 69.KRULENJE, gurgullim, nga *krue, burim. (KRULITI, me gurgullue (*me krulue)
70.KUKOLJ, bimë që i ka farëzat të kokëluara në një gëzhutëz, nga *kokë-l(ë)
71.KUKURUZ, misër, nga *kokërrzë. Krs. rus: КУКУРУЗА (kukuruza). (10 njësi leks.)
72.LJAGA, njollë e pistë, nga *me lagë.
73.LAKAT (llakat), beryl, nga *(i) lakëtë, i kthyeshëm. Krs. rus: ЛОКТЬ (llokot). (11 njësi leks.)
74.LJIGAV, i jargët, nga *lye-gë. (Njësi leks: LJIGAVAC, LJIGAVOST)
75.LIZATI, me lëpi, nga *me lye-zë. Krs. rus: ЛИЗАТЬ (ljizat). (33njësi leks.)
76.LUG (llug), korie, pyll vogël, nga *me ulë [*ul(ë)-g(ë)], me metatezë. Krs. rus: ЛУГ (llug). (6 njësi leks)
77.MAGARAC, gomar, nga *(ë)m(ë)-gar. (15 njësi leks.)
78.MAGLA (maglla), mjegull, nga *m(ë)-ag-ëlë. (15 njësi leks.)
79.MLEČANIN (mleçanin), venedikas, nga *(ë)m(ë)-let. (Krs. arb: LËTI, për latin. (Forma të tjera në sllavisht: MLECI, venedikasit, U MLECIMA, ndër venedikas, MLETAČKI (mletaçki), i Venedikut.
80.MLEKO, qumësht, tâmbël, nga *(a)m-ël-kë. Krs. rus: МОЛОКО (mallako). (16 njësi leks.) E kanë edhe gjuhët perendimore. Duket se është pellazgo-ilirizëm.
81.MRAK, errësirë, nga *me u errë [*(ë)m(ë)-(e)rrë-k(ë)]. Krs. rus: МРАЧНЫЙ (mraçnëj). (16 njësi leks.)
82.MRAZ, ngricë, nga *mardhëzë. Krs. rus: МОРОЗ (moroz). (30 njësi leks.)
83.NEDELJA, e diel, javë, nga *diell [*n(ë)e dielë]. Krs. rus: НЕДЕЛЯ (njedjelja). (9 njësi leks.)
84.ODRIPAN, zhelan, me rroba rripa-rripa, nga *rrip, *rjepur, i bërë rripa-rripa.
85.ORAH, arrë, nga *arrëh. Krs. rus: ОРЕХ (arjeh). (10 njësi leks.)
86.OŠURITI (oshuriti), me përvëlue, nga *zhur, shkrumb. Njësi leks: POŠURITI.
87.OTAC, atë, nga *atë [*at(ë)-s(ë)], ose: [*at(ë)-ac, *at-(j)ec]. Krs. rus: ОТЕЦ (atjec). (9 njësi leks.)
88.PEĆI (peqi), me pjekë, nga *me pjekë. Krs. rus: ПЕЧЬ (pjeç). (40 njësi leks.)
89.PELENA, shpargën, nga *me pjellë (*pjellënë). Krs. rus: ПЕЛЕНА (pjeljena). (6 njësi leks.)
90.PIRITI, me fry në zjarr, me fry era, nga *pir, rrënja e emrit PIRUST, etnonjësi ilire shumë e njohur. (12 njësi leks.)
91.PITATI, me pyetë, nga *me pyetë. (33 njësi leks.)
92.PITI, me pi, nga *me pi. Krs. rus: ПИТЬ (pjit). (46 njësi leks.)
93.PIZMA, urrejtje, mëri, nga *pezëm. (4 njësi leks.)
94.PLANINA (pllanina), mal, nga *pyllënë. (11 njësi leks.)
95.PLEME, fis, nga *(e) pjellme. Krs. rus: ПЛЕМЯ (plemja). (17 njësi leks.)
96.POJAS, rrip i leshtë, brez që mbështillet rreth ijevet, nga*ije (*ijas). Krs. rus: ПОЯС (pojas). (6 njësi leks.)
97.POJITI, me u dhënë ujë bagëtivet, nga *ujë. (4 njësi leks.)
98.POKLISAR, lajmëtar, kumtar, nga *me klithë. Krs: POKLISARSTVO.
99.PRAG, prag, nga *për-ag. Krs. rus: ПОРОГ (parog).
100.PRČ (përç), cjap i patredhur, cjap mbarsës, nga onomatopeja *përç-përç [*përt-(ë)sh]. (14 njësi leks.)
101.PRDA (përda), pordhë, nga *pordhë. (21 njësi leks.)
102.PRLJATI (përljati), me fëlliqë, me ndy, nga *me përlye. (11 njësi leks.)
103.PRLITI (përliti), me djegë pak, me përvëlue, nga *me përvëlue. (8 njësi leks.)
104.PRPUŠKATI (përpushkati), me përpushë pula, nga *me përpushë. Ka edhe njësitë leks: PRPOŠENJE, PRPOŠITI.
105.PRSA (pçrsa), parzma, nga *par(ë)së. (15 njësi leks.)
106.RAME, sup, nga *krah-më. (10 njësi leks.)
107.RAVAN, i rrafshët, nga *me ra. Krs. rus: РАВНИНА (ravnjina). (46 njësi leks.)
108.PAЗ (raz), herë, ndoshta nga *herëz.
109.REKA, lumë, nga *me rrjedhë (*rrjedhkë). Krs. rus: PEKA (rjeka). (8 njësi leks.)
110.REKESA, zbaticë e detit, nga *rrëke (*rrëkesë).
111.РУКОПАШНЫЙ (rukopashnëj), trup me trup, nga fjala sllave *ruka, dorë dhe arbërishtja *pash.
112.RUNDAV, me qime, me push, nga *me rrue (*i rruntë). (16 njësi leks.)
113.SENO, sanë, bar i thatë, nga *me tha (pjesorja e vjetër: *thanë). Krs. rus: CEHO (sjeno). (8 njësi leks.)
114.SINJAST, i përhimë, nga *thinjë. Krs. rus: СИНЕТЬ (sinjet). (12 njësi leks.)
115.SISATI, me thithë, nga *me thithë. Krs. rus: СОСАТЬ (sasat). (20 njësi leks.)
116.SLAMA (sllama), kashtë, nga *lâmë (*s-lâmë). Krs. rus: СОЛОМА (salloma). (14 njësi leks.)
117.SOKO(L) [soko(ll)], fajkua, nga *zog-ël(ë). Krs. rus: СОКОЛ (sokoll). (14 njësi leks.)
118.STADO, kope, grigjë, nga *stan [*(i)(e) stantë]. Krs. rus: СТАДО (stado)
119.STOPANIN, zot shtëpie; stopan, nga *tëbanë (*s-tëbanë); STOPANICA.
120.STRANA, anë, brinjë, nga *stër-anë. Krs. rus: СТРАНА (strana) dhe СТОРОНА (starana). (30 njësi leks.)
121.STREHA, strehë, nga *stër-re (vend ku nuk shikohesh, ku nuk vihesh re). Krs. STREJA.
122.STRM (stërm), I rrëpirët, nga *me stër-ra [*(i) stër-ramë]. (12 njësi leks.)
123.STROPOŠTATI SE (stroposhtati se), me u rrëzue, me u rrokullisë, nga *me u stërposhtë.
124.STRUGATI, me gërrye, nga *dru (*s-dru-gë). Krs. rus: СТРУЖКА (struzhka), bujashkë. (9 njësi leks.)
125.STRUKA, strugë, mbulesë e leshtë kundër shiut, nga *stë-uj(ë)-gë. E njëjta prejardhje duket se haset edhe te emri STRUGA, shtrat lumi (pa ujë), pastaj: vathë, zgavër.
126.SVRAKA, laraskë, nga *sorr(ë)-kë (*sorrakë). (5 njësi leks.)
127.ŠEPATI (shepati), me çalue, nga *me shqepue (*me u shqepë). (11 njësi leks.)
128.ŠPELUNKA (shpellunka), strofull, nga *shpellë.
129.ШПЕНËК (shpjeniok), thumb I tokëzës, nga *me shpue [*shpuenk(ë)].
130.ŠPINAKL (shpinakëll), një prej pëlhurave (velave) të anijes, nga *shpinë (*shpin-ak-ël).
131.ШПИНДЕЛЬ (shpindelj), bosht, nga *me shpue [*shpuen-të-(ë)-l(ë)].
132.ШПОРА (shpora), mamuzë, nga *me shpue (*shporë).
133.ШПУЛЬКА (shpuljka), gjep, rrotull, masur (në makinën qepëse), nga *me shpu, me çue, me përcjellë.
134.ŠPURAK (shpurak), akrep, nga *me shpue (*shpuer-ak).
135.ŠTIPATI (shtipati), me pickue, nga *me shtypë. Krs. rus: ЩИПАТЬ (shçipat). (19 njësi leks.)
136.ŠTRUNJAČA (shtrunjaça), dyshek, nga *me shtrue. (3 njësi leks.)
137.ŠTUR (shtur), i zbrazët, i thatë, nga *me shthur ose *(i)vështirë. (3 njësi leks.)
138.ŠUT (shut), shyt, pa brirë, nga *shyt. (5 njësi leks.)
139.ŠUTJETI (shutjeti), me heshtë, nga *me shue (zërin). Krs: zâ i shutë. (8 njësi leks.) E njëjta formë në rusisht ka kuptim tjetër, të kundërt me heshtjen. Pse?
140.TALAS (tallas), valë, dallgë, tallaz, nga *thellës. (6 njësi leks.) Edhe në greqisht kjo fjalë duhet të jetë një iliro-albanizëm.
141.TATA, atë, nga *të atë. Diminutiv: TATICA.
142.TETKA, hallë, teze, nga *të et (motra e të et). Krs. rus: ТËТКА (tjotka). (13 njësi leks.)
143.TMURAN, i errët, i mbyllët, nga *murr [*të murrën(ë)] 144.TRK (tërk), vrap, nga nga *turr [*turr-k(ë)]. (37 njësi leks.)
145.TROHA, thërrime, nga *trohë. (23 njësi leks.)
146.TURA, lëmsh, shkul, tufë, vandak, nga *turrë. (15 njësi leks.) Foljen POTURITI, G,Majeri e krahason me turr, por nuk besoj të jetë i saktë.
147.TURIN, turi, nga *turi(n). (5 njësi leks.)
148.UBAO, ubël, (Pus, në trevat karstike të Dinarikëvet, i cili nozullohet me ujë të pastër nga burime të nëndheshëm.) Nga *ujbël, [*uj(ë)-b(ë)-ël] ose *ujambël. Në afërsi të Dubrovnikut ka një toponim a hidronim OMBLA, për të cilin është thënë se vjen nga *ujombla.
149.URDA, urlë, qumësht i ntrashur, i thartë dhe i kripur, nga *urdh (*urth), djegësirë në grykë nga thartira që vjen prej stomakut.
150.USAHNUTI, me shterrë, me tha, nga *me tha(h). Krs. rus: СУХОЙ (suhoj). (71 njësi leks.) (Vo! Rrënja e të gjitha këtyre fjalëve është: *sah [*tha(h)]. Të gjithë ndryshimet e tjerë tingëllorë janë zhvillime të brendshëm të sllavishtevet.)
151.UŠULJATI SE (ushuljati se), me u futë barkas, nga *shul, *shulas.
152.VAL (vall), vale, dallgë, nga *vale. Krs. rus: ВАЛ (vall). (7 njësi leks.)
153.VAJKATI SE, me shprehë keqardhje, me u qa, nga *vaj (vajtim).
154.VATRA, zjarr, nga *vatër, vend ku ndizet zjarri. (13 njësi leks.)
155.VEDRO, enë druri, vedër. Ka në rrënjë fjalën *dru dhe është iliro-albanizëm në disa gjuhë. Krs: VEDARCE, VEDRICA. Krs. rus: ВЕДРО (vjedro).
156.VERIGA, vargua, zinxhir, nga *me var (*varg) (*me vjerrë). Krs: VERIZHICA, VERIZHNI. Krs. rus: ВЕРНИЦА (vjerjenjica), ВЕРËВКА (vjerjovka).
157.VIG, kurth, grackë, nga *vig, kalim i ngushtë.
158.VIRITI, me përgjue, nga *me vu re. (10 njësi leks.)
159.VLAGA (vllaga), lagështirë, nga *me lagë. Krs. rus: ВЛАГА (vllaga). (8 njësi leks.)
160.VRAN, i zi, nga *me vra (pjesorja e vjetër: *vran). Krs. rus: ВОРОНОЙ (varanoj). (16 njësi leks.)
161.VRAS, ngërç, nga *me vra (*vrasë, që vret, ose: *vrath)
162.ЗАРНИЦА (zarnjica), vetëtimë, nga *zjarr (*zjarrnëzë).
163.ЗАРЕВО (zarjevo), flake e kuqe e zjarrit, nga *zjarr.
164.ZHAR (zhar), prush, nga *zjarr. Krs. rus: ЖАР (zhar). (34 njësi leks.)
165.ZHEĆI (zheqi), me djegë, nga *me djegë (*dego). Krs. rus: ЖЕЧЬ (zhjeç). (21 njësi leks.)

E thashë: PASQYRË E SHKURTËR, edhe sepse në shpjegimet e fjalëvet jam ndalur fare pak. Secila nga këto 165 fjalë, vështruar edhe si familje fjalësh, do të kërkonte studim më vete. Vëmë re që një familje fjalësh arrin të ketë deri në 71 njësi leksikore. Pra, prej një fjale të vetme të iliro-arbërishtes kanë arritur të krijohen në gjuhët sllave deri mbi 71 fjalë. Gjithsej në materialin që unë e kam shqyrtuar, dalin diku rreth 2000 (dy mijë) njësi leksikore të sllavishtes jugore qendrore dhe të rusishtes, me prejardhje nga iliro-arbërishtja. Por, kur të njëjtët huazime do t’i shqyrtonim edhe në gjuhët polake, çeke, sllovake, bullgare, sllovene, ukarainase etj, merret me mend sa e madhe është në ato gjuhë sasia e fjalëvet me prejardhje nga iliro-arbërishtja.
Ata që janë gjuhëtarë, ata që njohin ligjet e fonetikës, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhët sllave, ata që njohin fjalëformimin në këto gjuhë, të gjitha këto që janë paraqitur këtu, do të mund t’i shtjellojnë më në gjërësi edhe më në thellësi. Ata që nuk janë gjuhëtarë, natyrisht që do ta kenë vështirë të shohin përtej kësaj që është thënë këtu.
Duke njohur ligjet e fjalëformimit në gjuhën shqipe e në gjuhët sllave, si dhe në gjuhët e tjera fleksive, fjalët që kemi përpara, mund t’i gjykojmë një për një dhe në grupe, qoftë duke pohuar apo hedhur poshtë etimologjitë që janë dhënë, qoftë duke hulumtuar më tutje dhe duke zbuluar të dhëna të reja.
Një të këtillë punë do të ishte mirë ta organizonin e udhëhiqnin pedagogët tanë në fakultetet e gjuhëvet të huaja, duke u dhënë detyra konkrete studentëvet të vet, psh secilit student nga 10 prej këtyre fjalëve, me kërkesën për t’u bërë atyre analiza shterruese.
Etimologu sheh së pari kuptimin dhe ngjashmëritë tingëllore. Pasi të ketë konstatuar një përafri kuptimore dhe, njëkohësisht, ngjashmëri tingëllore, midis 2 fjalëve, i hyhet analizës: Çfarë ka ndodhur me fjalët përkatëse? Si zbërthehet fjala përkatëse në leksema? Cilët janë përbërësit e fjalës në njërën gjuhë dhe në gjuhën tjetër? E gjithë kjo duhet të çojë në konkluzionin: Si janë krijuar fjalët përkatëse dhe cila gjuhë i ka huazuar ato fjalë prej tjetrës? Mbi bazën e mjetevet leksikorë dhe fonetikë të fjalëformimit, gjykohet edhe prejardhja. Atje ku ka mundësi të vazhdohet zbërthimi, atje ku është i mundur një zbërthim i mëtutjeshëm i një fjale, atje do kërkuar edhe prejardhja e saj.
* * *
Kështu, në rreshtin e fjalëvet të paraqitura këtu, që, sipas meje janë iliro-albanizma, nëpërmjet shqyrtimit me radhë, të parashtesavet, prapashtesavet, dukurisë së kalimit nga një tingull në tjetrin, dukurisë së rënies së tingujvet etj, do të vëmë re disa nga veçoritë e këtyre fjalëve dhe do të arrijmë ashtu te konkluzionet: Janë apo s’janë këto fjalë iliro-albanizma në gjuhët sllave?

( VIJON… )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura