Durrës, 17. 07. 2014 – (Dhe për të gjithë ata që, tash sa vjet, vijnë rrotull një emri, të cilin s’e kanë aspak vështirë ta gjejnë) – Gazetat po shkruajnë që zonja A.Merkel, Kancelarja e Republikës së Gjermanisë, paska thënë: “Emri i Maqedonisë është barrë e rëndë për ne.” Sado që, ajo që thonë gazetat, mund të mos jetë fort e saktë, unë po dua t’ia lehtësoj barrën zonjës A.Merkel dhe, me këtë rast, po tentoj të bëhem edhe kumbarë i emrit të një shteti. Natyrisht, nëse më pranojnë palët.
Ta quajnë MAQEDONI shtetin që ka sot si kryeqytet Shkupin, është njësoj sikur të quhen BAJERN pjesët e Landit të Tyringenit (Salfeld, Suhl, Erfurt, Vaimar, Jena, Gera) dhe pjesët e Landit të Hesenit (Fulda, Ofenbach, Darshtadt dhe Frankfurt), duke lënë jashtë këtij formacioni Vürbergun, Elangenin, Furtin, Nürnbergun etj. A do të kish kuptim të quheshin BAJERN apo LANDI I BAJERNIT, apo SHTETI I BAJERNIT, rajonet që i përmenda?
E tash ta bëjmë sqarimin në terrenin konkret. Struga, Ohri, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shtipi, Velesi, Negotini, Strumica, Kavardavci e Prilepi, nuk kanë qenë kurrë pjesë të Maqedonisë Antike. Si rrjedhojë krejt logjike, i gjithë ky territor, i cili kap më shumë se 90% të shtetit të sotëm që, zyrtarisht dhe me kusht përkohëshmërie, quhet Ish-Republika Federative Jugosllave e Maqedonisë, nuk mund të emërtohet MAQEDONI. Të gjithë këta vende që i rendita, në kohë të lashta kanë qenë pjesë e formacionevet shtetërorë të Dardanisë, Thrakisë, Paionisë, Penestisë dhe Lynkestisë.
Angela Merkel
Duke qenë se sllavomaqedonët e sotëm mbështeten në onomastikën historike, duke qenë se është dëshira e tyre që të mbështeten pikërisht në atë onomastikë, lind e drejta që edhe ne të tjerët të mbështetemi në të njëjtën onomastikë. Nëse ata që po duan ta quajnë këtë shtet MAQEDONI, e kanë konceptuar GABIM këtë emërtim, doemos që u lind e drejta të tjerëvet për ta KONTESTUAR. Veçanërisht shqiptarëvet që janë pjesë e shtetit në fjalë.
Shqiptarët e dinë që në ato hapësira janë pasaardhës të dardanëvet, paionëvet, penestëvet dhe lynkestëvet, megjithatë, ata nuk po ngulin këmbë që ai shtet të marrë emrin Lynkesti, Penesti, Paioni apo Dardani. Së këndejmi formulohet arsyetimi që as sllavomaqedonët nuk duhet të ngulin këmbë që shteti, që s’është vetëm i tyre, por është edhe i shqiptarëvet, të quhet MAQEDONI. Aq më tepër, duke e ditur që aty s’ka qenë kurrë Maqedonia, përveç në rastet e ndonjë inkursioni fare të përkohshëm ushtarak. (Siç ishte psh. rasti i Perseut.)
Z.A.Merkel duhet të bindet me këtë rast që grekët kanë shumë të drejtë që e kontestojnë atë emër. Sado që as grekët nuk mbështeten në ndonjë të drejtë të tyren trashëguese, ata prapë kanë të drejtë qoftë thjeshtë sepse emërtimi MAQEDONI nuk i përgjigjet së vërtetës gjeografiko-historike.
Në qoftë se, pas këtij parashtrimi, do të kërkojmë, më në fund, një zgjidhje, do të na duhet të ndalemi pak edhe te emërtimet që i janë dhënë këtij vendi në 2 Jugosllavitë tashmë të shpërbëra.
Në Jugosllavinë monarkike ky territor është quajtur BANOVINA E VARDARIT (Vardarska Banovina). Në Jugosllavinë komuniste ky territor mori statusin e republikës federative dhe u quajt REPUBLIKA POPULLORE E MAQEDONISË, më vonë REPUBLIKA SOCIALISTE E MAQEDONISË.
Emërtimi MAQEDONI, e thamë tashmë dhe e arsyetuam që nuk i përgjigjet realitetit historiko-gjeografik. Mirëpo, as emërtimi administrativ BANOVINË tashmë nuk i përgjigjet realitetit aktual historik. Del kështu e domosdoshme që të gjendet kompromisi. Le të merret dhe ruhet emërtimi REPUBLIKË, sepse, me atë emërtim, është hedhur hapi juridik që ai territor do të mund të shndërrohej në shtet, por le të merret edhe emërtimi E VARDARIT, sepse ashtu i përmbahemi një të vërtete të pakontesueshme gjeografike.
Pra: jo BANOVINA E VARDARIT, por REPUBLIKA E VARDARIT ose SHTETI SLLAVO-SHQIPTAR I VARDARIT. (Themi SLLAVO-SHQIPTAR e jo SHQIPTARO-SLLAV, sepse marrim parasysh numrin më të madh të sllavëvet në atë shtet. Përndryshe, nëse shihet mosha e popujvet, do të duhej thënë SHQIPTARO-SLLAV.) Sllavët e atyshëm, tashmë me aspiratë euro-atlantike, nuk kanë pse kundërshtojnë, qoftë edhe sepse ai vend s’ka më shumë se 70 vjet që shtetërisht është quajtur MAQEDONI, madje me qëllime shumë djallëzorë.
Nuk duhet të harrojmë që, në të 2 emërtimet, në shekullin e shkuar, nuk është pasur fare parasysh që, në ata territore, banonte një pjesë e rëndësishme e kombit shqiptar. Mirëpo tani ekziston një dokument me emrin MARRËVESHJA E OHRIT, i miratuar ndërkombëtarisht dhe, në atë dokument, është sanksionuar BASHKËSHTETËSIA e të 2 kombeve. Shqiptarët, pra, janë pjesë SHTETFORMUESE e atij shteti, kështu që, doemos, edhe ata kanë TË DREJTË, shumëfish më tepër se grekët, të marrin pjesë në formulimin e emrit të atij shteti. Shqiptarët kanë të drejtë, jo vetëm të marrin pjesë, por edhe ta BLLOKOJNË, më me forcë se askush tjetër çfarëdo emri që nuk u përshtatet atyre. Emri MAQEDONI nuk na përshtatet ne shqiptarëvet, jo se maqedonët e lashtë ishin të huaj për ne, por thjeshtë sepse territorialisht ai emër nuk korrespondon.
Në anë tjetër, si komb i kompromisit, si popull që shquhemi për kompromise e mirëkuptime, ne shqiptarët nuk po kërkojmë që atij shteti t’i vihet ndonjë emërtim nacionalist. Psh., SHQIPËRIA LINDORE apo REPUBLIKA E SHQIPËRISË LINDORE. Dhe as nuk po e fyejmë pjesën sllave, në këtë rast bashkështetase me shqiptarët.
Emërtimi REPUBLIKA E VARDARIT, nuk do t’i pengonte kurrsesi sllavët e këtij shteti ta quajnë veten MAQEDONË, ashtu si nuk do t’i pengonte ky emërtim as shqiptarët ta quajnë veten SHQIPTARË. Grekët, ndërkaq, nuk do të kishin më kurrfarë arsyeje të kundërshtonin dhe kështu do të mund të fillohej në këtë rajon një rrugë më për së mbari.
Z.A.Merkel, ndërkohë, duke e lexuar edhe njëherë fillimin e këtij shkrimi, nuk do ta quante aspak barrë të rëndë emrin kaq të debatuar të një shteti, i cili gjithsesi duhet të ruhet nga shpërbërja.