Durrës, 13. 07. 2016: Janë tri vorbulla të zeza, të cilat, në kohën tonë, po i thithin energjitë njerëzore, duke e çuar jetën në planetin tonë drejt një katastrofe të pakthimtë. 1. Grumbullimi i kapitalevet gjithëbotërorë në duart e një numri fare të pakët pasurigllabëruesish, 2. Armatimi i pakontrolluar i po këtyre pasurigllabëruesve me armët më të përbindshme, 3. Propagandimi i religjionevet mistakë, deri në përmasat e një absurdi krejt anakronik, edhe ky në shërbim të të njëjtëvet pasurigllabërues.
Të tria këto dukuri janë vënë re, trajtuar dhe analizuar, por njerëzimi nuk ka qenë në gjendje deri më sot që t’i neutralizojë, t’i vërë nën kontroll dhe t’i bëjë të padëmshme. Të tria këto dukuri, vorbulla të zeza, mbështjellë më një të vetme, mund të përqasin figurativisht me të quajturat vrima të zeza të gjithësisë. Termi vrimë e zezë në gjithësi nënkupton zhdukjen, shuarjen, ngjeshjen e një mase yjore me fuqi gravitacionale aq të madhe, sa nuk lejon largimin e asgjëje prej andej, madje as dritës.
Veç këtyre, ka, në kohën tonë dhe në jetën tonë të përditshme, edhe vorbulla të tjera të zeza, por këto janë tri më fatelet për njerëzimin.
I.GRUMBULLIMI I KAPITALEVET NË DUART E PAK NJERËZVE
Kapitali, qysh kur është shfaqur paraja, ka pasë tendencën për t’u grumbulluar në duar sa më të pakëta. (Shih Biblën, ardhja e Jezusit në tempull dhe dëbimi prej andej i fajdexhinjvet.) Masa e njerëzvet ka jetuar si ka mundur, pakica gllabëruese e kapitalit (e pasurisë) ka jetuar si ka dashur. (Në të vërtetë, i është dukur ashtu, sepse, në të vërtetë, në të gjitha kohët, pjesa gllabëruese e pasurivet ka qenë fatalisht skllave e asaj pasurie).
Mënyrat, metodat, për ta grumbulluar kapitalin (pasurinë), kanë qenë nga më të ndyshmet dhe kanë ardhur gjithnjë duke u sofistikuar.
Mirëpo, do të ishte gabim të thuhet që, të përqëndruarit e kapitalevet, nuk ka pasur edhe rol pozitiv. Pikërisht kësaj duhet t’i përkushtohet vëmendja gjithnjerëzore: Kur, të përqëndruarit e kapitalevet është i dëmshëm, negativ, shkatërrues, e kur është i dobishëm, pozitiv, madje i domosdoshëm?
Të përqëndruarit e kapitalevet në duart e shtetit, me kusht që përdorimi i tyre të jetë racional, në të mirë pikërisht të atyre shtetasve që i krijojnë kapitalet, është, pa dyshim, një veprimtari pozitive, e duhur dhe e domosdoshme, por vetëm deri atëherë kur, si grumbullimi, ashtu edhe shpërndarja, përdorimi, të jenë rigorozisht të kontrolluar. Sapo në një shtet, qoftë grumbullimi, qoftë përdorimi i kapitalevet, fillon e del jashtë racionales, dmth, jashtë mençurisë dhe mirëstudimit, duke mos pasur si udhërrëfyes dhe si etalon dy parime kryesorë, humanizmin dhe patriotizmin, aty, krejt aparati shtetëror shkon drejt degradimit dhe, ose shndërrohet në një aparat parazitar, faktikisht kriminal ndaj shtetasvet të vet, ose shpërbëhet, duke e falimentuar shtetin, gjë që pësëri rezulton veprimatari kriminale.
Në këtë fushë ka hapësirë për të bërë me mijëra faqe analiza të dobishme.
Por, meqenëse në kohën e sotme krejt përdorimi i kapitalevet ka si karakteristikë dominuese negativitetin skandaloz dhe tejet të rrëzikshëm, ne jemi të detyruar të përqëndrohemi pikërisht te kjo karakteristikë: Kapitali po grumbullohet në duart e një pakice grupesh njerëzish dhe kjo po çon pashmangshëm në krizat financiare, më rrënueset që kanë ndodhur ndonjëherë. Nuk do të jetë e largët koha kur një veturë mercedes-benz do të “shitet” për dy feta bukë lyer me gjalpë. (Lexo „Tre shokët“ e E.M.Remarkut.)
Disa thonë se mbi 50% të kapitalevet botërorë gjenden në duart e 3% të banorëvet të botës, disa japin shifra të tjera. Por, sado që shifrat të lëvizin, qoftë edhe me tendencë zbutjeje, ato gjithsesi mbeten alarmante. Nëse marrim parasysh edhe faktin që mjetet financiarë gjithëbotërorë janë grumbulluar tashmë dhe po vazhdojnë të grumbullohen në disa shtete të quajtur të zhvilluar, pamja bëhet edhe më e frikshme.
Studiuesit e gjithësisë, siç e përmendëm më lart, e kanë zbuluar e përshkruar dukurinë e vrimavet të zeza, të cilat i përpijnë e i shfarosin yjet disa herë më të mëdhenj se Dielli, sikur të mos kenë ekzistuar kurrë. Por ne nuk po na intereson tash se ç’bën natyra. Ne po na intereson ç’bëjnë njerëzit.
Duke u përqëndruar në duar të pakëta, paraja faktikisht asgjësohet. Ne na duket sikur ajo ekziston, por, në të vërtetë, njerëzimi është i detyruar të gjejë para të tjera, për t’i zëvendësuar ato që përpihen prej vrimavet të zeza. Në këtë mënyrë, nëse njerëzimi nuk do të gjejë mënyra për t’i shpërndarë paratë ndër banorët që punojnë dhe vetëm e vetëm mbi bazën e punës që shpenzohet për një prodhim të caktuar, si dhe gjeografikisht sa më të harmonizuar, ai do të gjendet shumë shpejt në situata pa rrugëdalje.
Komunizmi tentoi t’i heqë kapitalet nga duart e individëvet dhe t’i shtetëzojë ata. Kjo dha rezultate shumë të dukshëm, por fatkeqësisht, fare afatshkurtër, sepse individë e grupe të mëdhenj individësh shfaqën tendencën për t’i pëvetësuar edhe kapitalet shtetërorë, ndërsa, nga ana tjetër, ata kapitale nuk pat kush t’i mbrojë. Si rrjedhojë e kësaj tendence, erdhi shkatërrimi i sistemit komunist dhe njerëzimi ra nën pushtetin absolut të grumbulluesvet të kapitalevet.
Natyrisht, nuk mund të mendohet më për revolucione të tipit komunist, për t‘i zhdukur tërësisht kapitalin privat dhe pronën private. Ajo provë u bë dhe dështoi. Prandaj është imperativ i kohës që të mendohet për rrugë të tjera. Njerëzimi, o do të gjejë rrugë për t’i shpëtuar vrimës së zezë të përvetësimit të pasurivet nga një pakicë njerëzish, o do të gllabërohet prej vrimës së zezë dhe do të zhduket nga jeta së bashku me vetë gllabëruesit e kapitalevet.
Sot nuk është situata, as si në kohën e skllavopronarëvet, as si në kohën e monarkëvet të feudalizmit dhe as si në kohën kur kapitalistët vepronin si gllabërues, por nuk i kishin në dorë armët e sotme të shfarosjes totale, përfshirë në atë shfarosje edhe vetë zotëruesit e atyre armëve. Në kohën e skllavopronarisë, në kohën e feudalizmit, si dhe në kohën e kapitalizmit deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, vriteshin, zhdukeshin, qindra mijë ushtarë e civilë popujsh të ndyshëm, vriteshin e zhdukeshin edhe një pjesë e sundimtarëvet, skllavopronarë, feudalë apo kapitalistë, por dikush mbetej.
Sot nuk mund të llogaritet që „dikush të mbetet“. Sot, nëse ndizet lufta (gjë që është e pashmangshme, sa kohë që ekzistojnë vrimat e zeza), mund të llogaritet vetëm në mundësinë e një ripërtëritjeje, dhe vetëm pas nja 200-300 vjetësh, prej një popullsie ndoshta gjysmë të egër.
A i levërdis njerëzimit që të bjerë deri në atë shkallë, vetëm e vetëm se 3% e banorëvet të këtij planeti nuk duan t’ia dinë për katastrofën që vetë ata po e shkaktojnë?! A i levërdis njerëzimit që t’i zhduken gjithë ato arritje të shkencës dhe të artit, sepse 3% të popullatës 7-miliardëshe nuk po dashka t’ia dijë për pasojat?!
Do gjetur, pra, një mënyrë që pasuria e super të pasurvet të mund të reduktohet deri në një shkallë të arsyshme. S’u bë kjo, luftërat shkatërruese janë duke ardhur. Le të bëjnë sa të duan kampionate sportesh, le të bëjnë sa të duan koncerte këngësh e muzike, le të hapin kanale televizivë pa fund, le të botojnë gazeta me miliona, le të provokojnë luftëra lokale në rajonet ku nuk ka armatime bërthamorë, katastrofa është aty, fill pasi të jetë ngjizur mirë e mirë kriza e përgjithshme financiare.
II.ARMATIMI I PAKONTROLLUAR ME ARMËT MË TË PËRBINDSHME
Armatimi, në të gjitha kohët ka qenë një vepër antihumane në duart e gllabëruesvet. Me anë të armatimevet u është bërë e mundur gllabëruesvet të pasurivet që të gllabërojnë edhe më shumë pasuri. Me anë të armatimevet janë krijuar shtete të fuqishëm dhe janë mbajtur më këmbë, duke nënshtruar mijëra e miliona të pazotë për t’i bërë ballë njërit lloj apo tjetrit lloj të armatimevet. Kush ka prodhuar armë më të sofistikuara dhe kush ka ditur t’i organizojë forcat e veta të dhunës, ai ka vrarë ose nënshtruar gllabërues të tjerë dhe ka arritur të mbisundojë deri sa në skenë ka dalë një gllabërues me armë e forca dhune më të fuqishme.
Nuk duhet harruar, megjithatë, që një numër armësh, prodhuar për të shtypur e gllabëruar, u kanë shërbyer popujvet edhe për t’u çliruar. Por kjo ka ndodhur thjeshtë, sepse dhunuesi, pushtuesi, gllabëruesi, i ka prodhuar e përdorur ato armë kundër lirisë së popujvet dhe popujt janë detyruar t’i përdorin po ato armë për t’u çliruar.
Sot është krejt ndryshe. Sot armët atomike, kimike dhe bakteriologjike, nuk mund t’u shërbejnë popujvet për t’u çliruar, qoftë edhe për faktin se luftërat çlirimtare nuk i kanë në natyrën e vet vrasjet masive. Kushdo që vret gra e fëmijë, nuk mund të quhet çlirimtar.
Sot është krejt ndryshe, madje edhe për vetë pushtuesit, sepse asgjësimi reciprok, brenda 2 apo 5 minutash, është shumë më i mundshëm, sesa mbetja gjallë e njërit apo tjetrit pushtues. Ç’do të bëjë Rusia në një përballje me SHBA-në dhe ç’do të bëjë SHBA-ja në një përballje me Rusinë?! Po Kina ç’do të bëjë në një bërballje me një fuqi tjetër bërthamore dhe ç’do të bëjë fuqia tjetër bërthamore në një përballje me Kinën?!
Shkëputja e Mbretërisë së Bashkuar prej Bashkimit Evropian duhet parë edhe në këtë aspekt. Nuk janë arsye kryesore, as ana ekonomike, as “frika prej refugjatëvet”, që Britania të shkëputet prej BE-së. Arsye kryesore, e fshehur me kujdesin më tinëzar të mundshëm, është që Evropën ta lënë praktikisht pa një mbrojtje bërthamore. Lindjen e Afërme dhe të Mesme, si dhe Afrikën, i kanë shndërruar në sheshe luftërash e masakrash, pikërisht sepse ata vende nuk kanë armë bërthamore. Iranin po mundohen ta mbajnë prej vitesh nën kontroll, që të mos e ketë armën bërthamore, Francën nuk e kanë vështirë ta kenë nën kontroll, sepse ajo, edhe sikur ta shkelësh me të dyja këmbët, nuk ka për t’i përdorur ndonjëherë ato armë. Kështu që, me sa duket, edhe Evropën kanë planifikuar për ta bërë shesh krimesh e përleshjesh, siç ia kanë aritur të bëjnë me Lindjen e Afërme e të Mesme dhe me Afrikën.
Verbëria e prodhuesvet të armëvet të sotme, nga njëra anë u merr popujvet sasi të mëdha energjie, ua thith energjitë si një vrimë e zezë, nga ana tjetër, u përgatit të njëjtëvet popuj një asgjësim të pashmangshëm. Nën të këtillë makinacione shkurtpamës, vrima e zezë e mjetevet të pafund financiarë çon në zhdukjen, në thithjen e vetë atyre mejeteve dhe të krejt energjive e dijeve njerëzore, vënë në shërbim të përsosjes së këtyre armëve, në thelbin e tyre vetazgjësuese.
Është, pra, e domosdoshme të gjendet një mënyrë sa më e shpejtë për ta neutralizuar këtë vrimë të zezë shpenzimesh gjithnjerëzorë për të zezën e vet, sa nuk ka ardhur dita e fundit.
III.RELIGJIONET ME BAZË MISTICIZMIN
Propaganda e religjionevet me bazë misticizmin, i cili ka marrë zhvillim krejt të paarsyetueshëm në vitet pas rrëzimit të komunizmit, përbën një vrimë të zezë, në të cilën po thithet, po paralizohet dhe po shuhet mendja njerëzore.
Është thënë prej kohësh që feja është opium për popullin.
Ne do të thoshim që popullit i duhet gjithsesi një fe, sepse, pa një besim, pa një rregull, pa një rit, pa një vend ku të mblidhet komuniteti, nuk është e mundur të jetojë normalisht asnjë popull. Pa një fe, pa një rit dhe pa një ideologji orientuese, masa njerëzore shndërrohet në masë që ne shiptarët e quajmë bagëti. Madje, duke qenë se njerëzit e kanë një organ më shumë se gjallesat e tjera, organin e të menduarit, ata, pa një fe, pa një besim, bëhen më të rrëzikshëm se cilado gjallesë tjetër.
Por feja që i duhet njerëzimit në këto kohë kulmesh në të arritura dhe njëkohësisht rrëziqesh për t’u zhdukur totalisht, nuk është feja mistike, feja që ka në themel një perendi të përfytyruar. Feja, religjioni, që i duhet njerëzimit në këtë kohë arritjesh të mëdha dhe rrëziqesh edhe më të mëdhenj, është feja, religjioni jomistik me bazë kombin, të cilit i përkasin individët dhe grupet e individëvet.
Secili komb ka një gjuhë që e dallon prej kombevet të tjerë, ashtu si një bimë ka një konstrukt të vetin që e dallon prej bimëvet të tjera. Rrjedhimisht, shenjtëria e parë, së cilës duhet t’i falet çdo njeri, është gjuha e kombit të tij. Pas kësaj, secili komb ka një varg të gjatë idhujsh e shenjtorësh, të cilëvet secili pjesëtar i atij kombi duhet t’u falet me përunjësi. Janë cilësitë etnokulturore, janë veshjet, është muzika, është folklori. Janë dëshmorët që kanë dhënë jetët për kombin e vet, janë personalitetet e artit e të kulturës, dijetarët, filozofët, shkrimtarët, janë udhëheqësit për liri, luftëtarët që kanë sakrifikuar çdo interes vetjak për hir të interesavet të kombit të vet.
Kuptohet, gjatë përpunimit të një ideologjie kombëtare, të një baze religjioze kombëtare jomistike, duhet të bëhet kujdes që të mos konsiderohen shenjtorë personat që kanë bërë krime, sepse baza e një ideologjie kombëtare është dhe mbetet humanizmi. Ne shqiptarët tashmë i kemi hyrë punës për ta krijuar një religjion tonin kombëtar. Në të vërtetë, ne e kemi prej kohësh religjionin tonë kombëtar, zhveshur prej çdo lloj bestytnie, por tani, nëpërmjet institucionit Përkujdesja Shqiptare, i kemi hyrë punës për ta çuar e zbatuar atë, praktikisht dhe ritualisht, pranë secilit individ të kombit tonë.
Ndërkaq, në shkallë botërore, po shpenzohen energji shumë të mëdha për të mbajtur më këmbë religjionet radicionalë me bazë misticizmin. Po ndërtohen qindra e mijëra kisha, ortodokse e katolike, xhami, teqe, sinagoga, faltore budistësh dhe gjithfarë faltoresh të tjera, me lloj-lloj emërtimesh, si e si të tërhiqen atje sa më shumë njerëz të verbër apo gjysmë të verbër. Miliarda njësi monetare po shpenzohen për të ngritur këto faltore. Njerëzimit po i thithen, me metodën “vrima e zezë”, energji të pafundme, për t’i mbajtur më këmbë, me para, këta religjione. Feja mistike, hebraizmi, budizmi, krishtërimi, islamizmi, me gjithë morinë e derivatevet të tyre, po predikohen me të madhe në të gjithë kontinentet, në një kohë kur shumica e njerëzimit tashmë nuk është aspak besimtare në idhujt që i predikohen. I dëgjova një ditë me veshët e mi prej një besimtari këto fjalë: “Në fshatin tim” tha ai, “ka 400 banorë të besimit mysliman, por vetëm 20 prej tyre vijnë rregullisht në xhami. Të tjerët mblidhen aty, sa për formë, vetëm në ditë Bajrami.”
Pse po i shpenzohen njerëzimit gjithë këto para?! Më mirë të themi: Pse po i merren njerëzimit, me forma të ndryshme, gjithë këto para, në një kohë kur, realisht, nuk është ky interesi i tij?! Gjithë këto para po i merren njerëzimit, për ta mbajtur trurin njerëzor në errësirë e në skllavëri. Sundimtarëvet, gllabëruesvet të të gjitha kohëvet, u janë dashur bestytnitë, besimet në perendi të përfytyruara, për t’i mbajtur turmat në një errësirë permanente mendore.
Kur themi kështu, është e nevojshme të ruhemi shumë prej skolastikavet, të cilat e kanë në natyrën e vet të jenë ekstremisht të ngurta. Besimi, feja, i është dashur njerëzimit edhe si mjet për të ecur pëpara në histori. Kështu, monoteizmi ka luajtur një rol revolucionar në historinë e njerëzimit, sepse ka rrëzuar politeizmin e bashkë me të edhe sistemin skllavopronar. Iluminizmi, që ish një fe shumë e mirë, shumë revolucionare, por që nuk arriti të organizohet në të gjithë komponentet e vet, pat si qëllim të rrëzojë monoteizmin dhe, bshkë me të, edhe sistemin shoqëror feudal. Mirëpo, iluminizmi nuk u interesonte gllabëruesvet dhe përvetësuesvet të pasurivet e të energjivet gjithënjerëzore, prandaj ata, nga frika e iluminizmit, po mundohen ta mbajnë gjallë të quajturin monoteizëm, që në thelb, nuk është fe e kapitalizmit, por e feudalizmit. Shihni veshjet e klerikëvet dhe do të bindeni që monoteizmi është vërtet fe e feudalizmit!
Tani ka ardhur koha që të vihet në jetë iluminizmi i mirëfilltë, duke e institucionalizuar atë. Ka ardhur koha që iluminizmi të formulohet si ideologji e kombevet, të organizohet në bazë kombesh, të predikojë ruajtjen e gjuhëvet dhe të veçorivet kombëtare, të predikojë vëllazërimin midis kombevet dhe të jetë kundër shkrirjes dhe asgjësimit të kombevet më të dobët.
Më në fund, iluminizmi të marrë përsipër për ta shpëtuar njerëzimin prej një shfarosjeje totale me anë luftërash të asgjësimit në masë, luftëra në të cilat po e shpien me shpejtësi tri vrimat e zeza: përqëndrimi i kapitalevet në duar të pakëta të një grushti kryegllabëruesish, armatimi i pamend i po këtyre kryegllabëruesve dhe përpjekjevet për ta mbajtur në errësirë, pa fije drite, trurin njerëzor me anë të ndërtimevet të sa më shumë tempujvet dhe predikimevet të ethshëm të religjionevet me bazë misticizmin.
Kombet duhet të krijojnë religjionet e vet jomistikë dhe t’i predikojnë ata religjione nëpër faltoret e veta moderne kombëtare, duke zëvendësuar ashtu kishat, xhamitë, teqetë, sinagogat dhe çdo lloj faltore tjetër që ua ndalon dritën mendjevet njerëzore.
Veçse nuk duhet harruar: Kombet duhet të nxitojnë, ndryshe, pasi të jenë shkrepur kapsulat bërthamore, do të jetë tepër vonë.