PËRPARIM DEMI: ORIGJINA E SERVILIZMIT SHTETËROR SHQIPTAR

Bukuresht, 06. 11. 2013 – Historia jonë është plot me dhimbje, e lyer me gjak, e mbushur me lumenj lotësh të derdhur. Është histori eksperimentesh ku populli ynë u përdor në shekuj si mish për top, popull mercenar, apo si “kobaj” për lojrat e diplomacisë europiane. Vendi ynë mbërriti në shekullin e XX-të pa shtet, pasi politikanët tanë bënin karrierë në Stamboll e gjetkë. Ata ndronin emrat, përfitonin ofiqe dhe peshqeshe për shërbimet që kryenin për perandorinë Osmane, për vendet fqinjë apo fuqitë e tjera të mëdha të kohës. U bënë bejlerë, pashallarë, vali, zadrazemë, gjithmonë duke iu përkulur me dorën e shtrirë, duke puthur duart e huaja vrastare. Kur ngrinin kryet ndonjëherë mbeteshin pa to. Shpesh vendi ynë kthehej në mjet shkëmbimi në tregjet ndërmjet negociatorëve të huaj, monedhë shpërblimi, dhuratë apo peng, mollë sherri, kur interesat gjeostrategjike nuk përputheshin mes tyre.
Sot të mahnitur zbulojmë, në arkivat e ngarkuara me histori dhe intriga, fakte reale dhe të sajuara nga kancelaritë, nga konsuj dhe klerikë të ndryshëm, udhëtarë aventurierë të guximshëm, që lanë pas tyre shkrime, raporte apo libra, ku ne përshkrueshim, herë si fantazma të së kaluarës antike dhe herë si popull anonim primitiv, i pavlerë. Pati dhe disa që na thurën hymne poetike, nostalgjike si ajo e Lord Bajronit. E vërteta përherë shfaqej e zbehtë ndër rreshta të pashkruar, që sot vështirë të mblidhet e tëra, duke qëmtuar pikat e rralla të shpërndara nëpër letrat e mbuluara nga pluhuri i kohës dhe të hedhura pa rregull në bodrumet e errëta për mos t’u ndriçuar kurrë. Të vërtetat e Edith Durhanit apo të Elena Gjikës nuk u interesonin dhe nuk u përdorën asnjëherë, nuk u morrën për bazë, u konsideruan nga ambasadorët në Londër si letërsi romantike pa vlerë. Ali Pashën e sakrifikuan, krerët arvanitas ca i vranë dhe ca i blenë, pasi nuk u duhej një Shqipëri, kishin vendosur të sajonin një kukull – Greqin.

 Pasi, pas një vargu shumë të gjatë luftrash, rastësisht lindi shteti shqiptar ( them rastësisht, pasi mundësia më e madhe ishte të mos krijohej, të ndalohej, siç ndër shekuj u ndalua dhe gjuha jonë). Një shtet i vogël pa ushtri, pa fonde, pa administratë, pa kufij, pa ligje, pa shkolla, pa rrugë, pa industri, pa diplomaci, pa libra dhe pa shtëpi botuese, pa gazeta dhe pa revista, me një popull të uritur, të leckosur, të sakatosur, analfabet. Sa i kushtoi perandorisë ndër shekuj që të na mbante ashtu deri në fundin e saj ??? Sa shumë luftuam që të mos ishim më të tillë? Ky shtet u krijua për të mos jetuar, u krijua përkohësisht sa të kalonte kriza e momentit, u krijua nga mosmarveshjet. U krijua me shpresë që fqinjët tanë dikur të merreshin vesh mes tyre për ndarjen e atyre pak tokave që mbetën nga Shqipëria osmane, e cila duhej të shkrihej. U krijua si shtet i një populli të ndaluar, i cili nuk kishte të drejtën shtetformuese, bile as edhe që të jetonte në tokat e tij, të cilat me kohë ishin planifikuar të boshatiseshin dhe të ripopulloheshin me të tjerë. Ta quajmë një shtet eksperimental, nuk është fare korekt për të, pasi eksperimentet planifikohen, kurse shteti shqiptar nuk u planifikua asnjëherë, prandaj duke iu referuar rrjedhjes historike mund ta quajmë shtet-lodër në duart e fuqive të mëdha. Europianët habiteshin – çfarë do jetë ky shtet, përse na duhet ai? E pranuan aksidentalisht, të detyruar, pasi nuk gjetën zgjidhje tjetër për konfliktet mes tyre, pasi nuk dinin si ta ndanin në atë periudhë, prandaj dhe e shtynë ndarjen e tij për më vonë, më mirë të themi eleminimin e tij në një kohë tjetër (kjo ishte ideja), kur të qetësoheshin gjakrat, ose kur dikush të tërhiqej dhe t’i ulte pretendimet. Meqënëse kjo nuk ka ndodhur deri më sot dhe pretendimet e fqinjëve nuk janë paksuar akoma, por përkundrazi janë shtuar, pra dhe zgjidhja e konflikteve apo ngopja e orekseve të tyre akoma nuk po duket të ketë ndodhur, prandaj shteti shqiptar vazhdon të ekzistojë me statukuonë e tij, duke u ngritur dhe rrëzuar periodikisht, për të mos u konsoliduar asnjëherë përfundimisht.
Sa më tepër që lexoj histori aq më tepër më përforcohet bindja se shteti ynë është një pasojë, koinçidencë e konjukturës, rezultat i mosmarrveshjeve. Kjo s’ka të bëjë fare me luftën e popullit të tij, me vuajtjet dhe sakrificat e tij. Psh. të gjitha kryengritjet u shuan, nuk patën sukses, nuk u përkrahën, nuk u mbështetën, nga kundërshtarët e perandorisë. Viktimat ishin përherë shqiptarët e varfër. E vetmja kryengritje që u përkrah nga fundi i saj (kur shqiptarët kishin konsumuar rezervat e fundit të tyre njerzore), ishtë ajo e shqiptarëve të Greqise, por dhe kjo jo për të krijuar një shtet shqiptar, përkundrazi sajuan një shtet të një populli të paqënë, për hir të nostalgjive filohelene dhe interesave të tyre gjeostrategjike.
Shqipëria sot po rindërtohet nga populli, nga paratë e emigrantëve (këtë e di kushdo), por ne prapë s’kemi shtet për popullin tonë. Populli lufton të pasurohet, duke punuar qoftë dhe ilegalisht, kurse shteti po mundohet ta varfërojë, duke pasuruar të huajt. Ky shtet-lodër në duart e fuqive të mëdha akoma ekziston, veç hidhet nga njëra dorë në tjetrën. Bile më e forta është se po për të njëjtën arsye, koinçidencë dhe kjo, tani kemi jo një por dy shtete-lodra shqiptare, të cilët hedhin vallen sipas muzikës apo daulles së interesave globale.
Shteti shqiptar në shekullin e kaluar u drejtua nga dy “aktorë”, Zogu dhe Enveri, të cilët e bënë zap përkohësisht popullin fukara. Këta patën rolin dhe detyrën që Shqipëria mbetej ashtu siç ishte, e askujt, por as e pavarur jo. Këta bënë gjithshka, sipas kohës që patën në dispozicion, që ta lodhnin popullin sa më tepër duke e mbajtur me shpresa, pa i dhënë asgjë. Ky shtet shqipëtar nuk mund të jetonte pa ombrellë, e cila ndërrohej në kohë dhe momente të caktuara, gjë që nuk varrej prej tij. Egzistenca e tij pa ombrellë do konsiderohej herezi, gjë e ndaluar, diçka e pamundur. Finokët që drejtuan shtetin tonë kohët fundit e kuptuan që në fillim këtë, atyre jua bën ustallarët të qartë. Bile po të mos e kuptonin këtë dhe po të mos e pranonin, nuk kishin për të patur asnjë shans të hypnin në krye. Kështu patëm fatin të provonim ombrella të markave të ndryshme, duke filluar nga ajo italiane, serbe, greke, ruse, kineze, amerikane dhe së fundi po na ofrohet ajo europiane në konkurencë me atë turke. Ne sot zihemi se kush ka qënë më i fortë, Zogu apo Enveri, kush kontriboi më tepër – për çfarë – pyes unë? Nejse histori e gjatë, ndoshta jemi lodhur megjithmend duke iu rikthyer historisë, duke shfletuar të njëjtat faqe të shkruara në kohëra të ndryshme.
Pra artista kanë qënë vetëm këta të dy, të tjerët pas tyre, janë kllouna, imitim i dobët, piçirukër që gjoja bëjnë politikë. Ata që guxuan të flasin për Shqipëri etnike, për kombin shqiptar të bashkuar, u shuan krejt, u masakruan me shpejtësi të paparë. Nacionalistat shqiptarë ishin elementi me i padëshirueshëm nga fuqitë e mëdha, ata u persekutuan si në kohën e inkuzicionit mesjetar. Masakra e tyre ka qënë e pashëmbullt, vepër e organizuar dhe e drejtuar nga emisarët e Titos, që kontrolluan çiftin Hoxha (Enver dhe Fadil). Kështu mbeti populli ynë pa kokë dhe trupi i tij u transformua në një turmë që duartrokiste papushim. Çmënduri kolektive.
Përjetuam kohët e fundit periudhën Sal-Ramës, sa energji shkuan dëm, gjoja përmbysëm regjimin, por nuk ndërruam as ombrellën të paktën. Përkundrazi, ombrella na e bëri rotacionin, kurse ne flasim, bëjmë muhabet me njëri-tjetrin, mburremi dhe shahemi, pështyhemi kur na e rekomandojnë këtë. Kur e shoh Hashimin si spërdridhet mes Ashtonit dhe Daçiçit, BE dhe USA, BE dheTurqisë, Beogradit dhe Tiranës, etj., mes ombrellës dhe popullit, nga njëherë më vjen keq për të, se nuk del dot nga vallja i ziu, pasi daullja nuk pushon dhe e detyron të hedhi këmbët në vazhdimësi. E ka zënë belaja, por vetë e ka fajin, ç’ju desh politika? Ka për ta pirë kupën deri në fund, s’ka rrugë tjetër. Po doli nga loja alternativa për të është koshi i plehrave. Ai jo me Erdoganin bëhet vëlla por dhe me dreqin. Edhe Sala deshi me ia hedh ombrellës dhe u bë së fundi vëlla gjaku me Erdoganin, po si shkoi të shkretit, ia morri Rama në kthesë, e drodhi me Papandreun dhe kupola e pranoi përkohësisht. Do rrojmë dhe do shikojmë. Kushedi se çfarë suprizash do na bëj historia e planifikuar por e pashkruar ende.
Për një gjë jam i bindur, konjuktura e sotme dhe ombrella që kemi, na thotë : – do pushtet – ul kurrizin, do shtet – bindu, do para – shitu.
Ne shqiptarët kemi një kontraditë tepër të madhe. Populli ynë ka një histori të gjatë, më të gjatën nga gjithë popujt e tjerë të Europës, por historia e shtetit tonë është shumë e shkurtër dhe e hidhur. Jemi shumë krenarë për të parën, por jemi të dënuar të kemi shtet servil pa shtyllë kurizore. Krenarë – luks i rrallë për servilat. Shpesh duam më tepër të huajt se veten tonë. Bëhemi shërbëtorë jashtë dhe gjela në shtëpinë tonë. Hiqemi të mënçur duke folur në gjuhët e të tjerëve. Fryhemi nga lajkat. Turku na njeh mirë, prandaj flet pa teklif Erdogani, duke ngrënë i sheshuar në sofrën tonë, mu në zëmër të Prizrenit. Edhe Europa na njeh mirë, ka eksperiencë, ka arkivat plot, prandaj dhe na dikton si të flasim jo shqip. Sot amerikani na përkëdhel si qenin e tij dhe na nxjerr shëtitje nëpër botë, pa na e hequr kularin nga qafa.
Of of of, bërtisni sa mundeni more shqiptarë se ndoshta dikush do na dëgjoj. Mësoni shqiptarë, të njohim, të kuptojmë gjuhën e tyre. Punoni shqiptarë, se paraja për ditë të zeza na duhet. Ngrihuni, mos prisni, se pa ne s’do ket kurrë Shqipëri. Po vlon kazani europian, po derdhet, është momenti të ruani shtegun, të rrini gati në pritë, se shpejt do shihni të dali koka e bajlozit të zi.
————
Këto radhë jo fort të këndshme që shkruaj nuk janë propagandë partie, por janë pjellë e trishtimit tim, kur shoh ëndrat e mija të fluturojnë larg, larg realitetit që po jetojmë. Ndoshta dikush nuk do jetë dakord me mua, puna e tij, opinioni është i lirë – kështu besoj unë ose të paktën shpresoj të jetë ashtu.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura