GJOKË DABAJ: NJËSITË VENDORE TË PËRKUJDESJES SHQIPTARE

(Durrës, 14 qershor 2012) – Organi i përkujdesjes vendore nuk është organ pushteti, as organ partie. Ai është një ORGANIZËM NDËRGJEGJSOR E SHPIRTËROR KOMBËTAR. Kur themi ndërgjegjsor, kjo do të thotë se ka të bëjë me mendjen, me mënyrën e të menduarit të banorëvet përkatës. Kur themi ndërgjegjsor, kjo do të thotë që njerëzit e atij komuniteti, me anë të vetëdijes së vet, me anë të mendjes së vet, këtë herë të përbashkuar, kërkojnë dhe gjejnë mënyra për të zgjidhur problemet që kanë dhe që në shumë raste nuk janë aspak të lehtë.
Është tepër e rëndësishme, madje jetike për ne, të kuptojmë sa vendimtar është roli i njësivet vendore të atdheekombdashurisë sonë, të patriotizmit tonë. Kombi, cilido komb, përbëhet prej njerëzish të veçantë, të cilët i bashkojnë disa cilësi të veçanta: gjuhë e veçantë, folklor i veçantë, këngë të veçanta që mund të këndohen vetëm në atë gjuhë, veshje (tradicionale) e veçantë, rite lindjesh, rite dasmash, ceremoni vdekjesh, festa të veçanta, histori e veçantë, vendbanim (i sotëm ose i dikurshëm) i veçantë. Janë, pra, një mori faktorësh që një individ e bëjnë pjesë të një kombi të veçantë.

_______________________________________

E gjithë kjo është e krahasueshme (kuptohet, relativisht e krahasueshme), me bimë të ndryshme, me botën e madhe të bimëvet. Fletë të veçanta, degë karakteristike, lule të veçanta, fruta të veçantë, fortësi të veçantë, qëndrueshmeëri ose paqëndrueshmëri ndaj ndryshimevet të klimës, përbëjnë tërësinë e një lloji bime, druri apo peme. Ashtu siç është bota e mbushur me bimë, drurë apo pemë të ndryshme, ashtu është bota e mbushur edhe me kombe të ndryshëm. Madhështia e botës bimore qëndron te larmia e bimëvet, te numri i shumtë i llojevet bimorë. Madhështia e botës njerëzore qëndron te larmia e kombevet, e gjuhëvet, e kulturavet, e traditavet, e së kaluarës, e vendevet ku janë stisur. Nëse në botë do të ekzistonte vetëm 1 lloj bime, kjo nuk do të kish kurrfarë kuptimi. Pamja e përgjithshme do të ish monotone dhe nuk dihet nëse do të mund të vazhdohej gjatë vetëm me 1 bimë. Nëse në botë do të ekzistonte vetëm 1 komb, kjo gjithashtu nuk do të kish kurrfarë kuptimi. Jeta njerëzore mbi tokë do të bëhej monotone, vetëmbytëse.

Sidoqoftë, duhet ditur mirë, duhet kuptuar mirë, që ekzistenca e pyjevet me lisa varet prej mënyrës si funksionojnë fletët, degët, rrënjët e secilit lis të veçantë. Kështu duhet kuptuar edhe veprimtaria vendore, lokale, e njësivet të secilit komb, e, në rastin tonë, e Kombit tonë, e lisnajës sonë. Sa më vitalë të jenë lisat e veçantë, aq më madhështore do të jenë lisnajat.

Mu për këtë arsye e kemi të domosdoshme që ne shqiptarët të krijojmë një model veprimtarie të njësive VENDORE, kudo që jetojnë shqiptarët. Thënë prapë me gjuhën e botanikës, jo të lihen bimët tona në gjendje të egër, të cilat të mund t’i shkulë, t’i presë e t’i djegë kush të dojë, por t’i nënshtrohen ato një kultivimi të vetëdijshëm e shkencor, në mënyrë që të mund t’u mbijetojnë edhe stinëvet të thata, edhe furtunavet.

Një të këtillë veprimtari lokale, vendore, mund ta quajmë, pra, PËRKUJDESJA VENDORE E SHQIPTARËVET. Në të gjithë Kombin tonë ka atdhetarë e njerëz të vetëdijshëm se, pa i ruajtur veçoritë kombëtare, as veçoritë apo zotësitë vetjake, personale, nuk mund ta arrijnë vlerën e vet të mirëfilltë. Që këta shqiptarë të mund të përkrahin e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të zgjërojnë rrethin e vet, duhet që TË MBLIDHEN FIZIKISHT rreth njëri-tjetrit. Modeli më i mirë i një veprimtarie të këtillë, është ky: gjendet, (me mjetet vetjakë), një ambient, një dhomë, një shtëpi, një sallë apo një ndërtesë më vete, ku shqiptarët e një vendbanimi të mblidhen CEREMONIALISHT njëherë në javë. Nuk është e rekomandueshme, as e përshtatshme, as e hijshme, që njerëzit të mblidhen CEREMONIALISHT çdo ditë e çdo natë, por nuk është e rekomandueshme as të mblidhen më rrallë se njëherë në javë. Ora duhet të jetë rigorozisht e përcaktuar. Psh, dimrit, ora 17, verës, ora 21. Ose ndonjë orar tjetër, por gjithmonë i detyrueshëm për t’u respektuar. Drejtues i veprimtarisë duhet të jetë një njeri i ditur, por edhe i apasionuar pas çështjes kombëtare. Pjesëmarja nund të fillojë EDHE me 5 vetë, me synimin dhe shpresën që ai numër të vijë gjtihnjë duke u rritur.

Veprimtaria fillon me Himnin tonë Kombëtar, i cili ekzekutohet me mjete audiovizivë elektronikë dhe shoqërohet solemnisht nga të gjithë të pranishmit, duke qëndruar më këmbë. Flamuri ynë Kombëtar qëndron në krahun e djathtë të katedrës, ku gjendet përkujdesësi, predikuesi, profesori. Në ata shtete të huaj, ku me ligj është i detyrueshëm edhe flamuri i atij shteti, natyrisht, në shenjë luajaliteti, vendoset edhe flamuri i atij shteti. Por vetëm kur detyrohet me ligj, jo vullnetarisht.

Mbas Himnit, profesori mban një ligjëratë me përmbajtje kombëtare: Kapitull mbi probleme të gjuhës shqipe, kapitull nga historia e shqiptarëvet, kapitull nga gjeografia e Shqipërisë, nga arkeologjia, nga folklori, nga etnokultura, nga jeta e personalitetevet tanë kombëtarë, nga letërsia. Sigurisht, me ilustrimet e nevojshëm dhe shoqëruar me mjetet modernë ose jomodernë të paraqitjes pamore. Jo më shumë se 30 minuta.

Vazhdon një intermexo 10-minutëshe me këngë apo melodi të zgjedhura kombëtare, popullore ose me autorë të njohur, herë nga një krahinë e herë nga një krahinë tjetër e vendit tonë, ose që lidhet me personalitetin apo krahinën, për të cilët është folur atë ditë.

Mbas intermexos, profesori paraqet gjendjen aktuale, ngjarjet që kanë ndodhur gjatë javës e që lidhen me Kombin Shqiptar dhe me hapësirat gjeografike të Shqipërisë. Jepen edhe udhëzime, si duhet t’i kuptojmë dhe si duhet të reagojmë ndaj atyre ngjarjeve. E gjithë kjo, jo më shumë se 20 minuta.

Mbaron parashtrimi. Mbyllet me një këngë mobilizuese, entuziaste, ose edhe solemne të dhimbshme, sipas rastit.

Rinia shpërndahet dhe mund të merret me sport apo me veprimtari të tjera kulturore artistike, me internet, me lexime, por, atë natë, gjithsesi me përmbajtje patriotike.

Më të moçmit, mundet edhe dikush prej të rinjvet, mblidhen në një dhomë më vete dhe trajtojnë problemet që ka komuniteti shqiptar në vendin ku ai komunitet jeton: Punësimi, shkollimi, ndriçimi, ushqimi, uji, pastërtia, gjaqet, gjyqet, korrupsioni, padrejtësitë, droga, prostitucioni, marrëdhëniet me fqinjët joshqiptarë, arti, libri, sporti, reklamat, shtypi, propaganda. Qindra probleme kanë komunitetet, dmth njerëzit të cilët banojnë në një vend të caktuar. Diskutohen këta probleme dhe caktohen rrugët e daljes nga gjendja, rrugët më optimale të zgjidhjes. Në të gjithë rastet evitohet, shmanget çdo lloj grindjeje apo mërie. Lihen afatet. Javën tjetër shikohet çfarë është bërë.

Organi i përkujdesjes vendore nuk është organ pushteti, as organ partie. Ai është një ORGANIZËM NDËRGJEGJSOR E SHPIRTËROR KOMBËTAR. Kur themi ndërgjegjsor, kjo do të thotë se ka të bëjë me mendjen, me mënyrën e të menduarit të banorëvet përkatës. Kur themi ndërgjegjsor, kjo do të thotë që njerëzit e atij komuniteti, me anë të vetëdijes së vet, me anë të mendjes së vet, këtë herë të përbashkuar, kërkojnë dhe gjejnë mënyra për të zgjidhur problemet që kanë dhe që në shumë raste nuk janë aspak të lehtë. Kur themi shpirtëror, kjo do të thotë që komunitetin përkatës e përafrojnë, e lidhin fije të shumta të prejardhjes, gjuhës së të parëvet, këngëvet, historisë, madje edhe të gjakut, sepse çdo shqiptar, sado e çuditshme të duket, ka gene të përbashkët me çdo shqiptar tjetër. Kjo nuk do të thotë që ai s’mund të ketë përzierje me kombe të tjerë, por prej kombit të vet doemos e ka pjesën kryesore të qenies së vet. Lidhjet shpirtërore midis pjesëtarëvet të një kombi janë të pazëvendësueshme. Veçse ato duhet të kultivohen. Organi i përkujdesjes vendore muk është organ pushteti partie, por, megjithatë, ai ka lidhje me organet e pushtetit dhe të partivet. Ka lidhje, sepse, nëpërmjet përfaqësuesvet të vet, ai u drejtohet atyre organeve, sidomos organevet të pushteit, për të zgjidhur problemet.

Kur flasim për krijimin e njësive vendore të përkujdesjes shqiptare, është shumë e rëndësishme të kuptohet që askush nuk duhet të presë që të këtilla njësi të krijohen me urdhëra nga ndonjë organ epror apo madhor. Këto njësi krijohen kudo ku ndihet nevoja dhe ku ka vullnet për t’i krijuar. Kudo ku ka shqiptarë, të cilët e shohin të nevojshme të lidhen njëri me tjetrin dhe t’ia lehtësojnë njëri-tjetrit vështirësitë dhe hallet e jetës. I krijojnë njerëzit vetë. S’ka nevojë t’u japë dikush urdhër. Mjafton ta zbatojnë skemën që dhamë më sipër, sepse ajo ka shumë rëndësi.

Kur të kemi një organ qendror të Përkujdesjes Gjithshqiptare, atëherë do të bashkohen të gjitha këto njësi vendore dhe çdo gjë do të shkojë më mirë e më lehtë. Do të shkojë më mirë e më lehtë, sepse koordinimi i veprimevet do të jetë më i përbashkuar, problemet financiarë do të zgjidhen më mirë, ndikimi ynë në organet ekonomikë, shtetërorë e politikë, në dobi të Kombit tonë, do të bëhet përherë e më i fuqishëm. Duhet theksuar: Jo ndikimi i partivet apo i pushtetit mbi ne, por ndikimi ynë mbi ta.

Vetëm kur të kemi arritur të kemi një organ qendror të Përkujdesjes Gjithshqiptare, dmth kur të kemi arritur t’i bashkojmë njësitë vendore që i përmendëm më lart, nën një udhëheqje të vetme, do të mund të themi që i kemi hyrë realisht rrugës së përparimit. Do të bashkohen ashtu njësitë vendore ekzistuese dhe do të punohet që krejt Kombi ynë, i pajisur me një vetëdije e kulturë moderne, të përfshihet në morinë e të këtilla njësive vendore. Filluar nga Tirana a Prishtina e deri në Stamboll, Athinë, Boston apo Londër, Kombit tonë do t’i duhen diku rreth 150 mijë a 200 mijë njësi të tilla vendore të përkujdesjes. Dhe atëherë nuk do të mund më të luhet asnjë lojë mbi kurrizin tonë.

Në vazhdim lexoni shkrimin e parë për këtë temë:

https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=381  

___________________________

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
Ndonëse ideja e historianit Gjokë Dabaj për organizimin e Institucionit të Përkujdesjes Shqiptare ka ngjallur intersim të madh në gjithë Etnikumin Shqiptar, krijimi i njësive (bërthamave) të përkujdesjes vendore është i mundshëm dhe i domosdoshëm në këto momente të vështira nëpër të cilat po kalojmë ne shqiptarët. Prandaj, të gjithë vullnetmirët që mund të krijojnë njësi të përkujdesjes vendore le të kontaktojnë me z. Gjokë Dabaj ose me kryeredaktorin e portalit pashtriku.org, përmes adresave elektronike: [email protected] & [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura