GJOKË DABAJ: OBORRI I DHIVET, BISHTPËRPJETA!

Durrës, 17 maj 2018: (Askush të mos i përkrahë fajtorët, por edhe dënimi i fajtorëvet ta ketë një radhë!) Tek po dëgjoja që Hollanda, Gjermania dhe Franca po “hezitonin” për të hapur negociatat me Republikën e Shqipërisë, më erdhi në mendje një fabul popullore shqiptare.
Një dele, e qethi çobani dhe e ktheu në oborr. Dhia, kur e pa delen të qethur, zbardhi dhëmbët dhe tha: „Yy! S’ke turp që të ka dalë bytha jashtë e ta shikon gjithë dynjaja!“ Delja tundi bishtin dhe iu kthye dhisë: „Ty, moj motër, gjithë jetën të rri bytha zbuluar!“
M’u përfytyrua bishti i dhisë, që rri gjithmonë përpjetë dhe organin seksual dhe atë të jashtqitjes ia shikon e gjithë bota, ndërsa deles, edhe pse ia kanë qethur leshin, prapë bishti i rri me përvujtni poshtë dhe organet nuk i shikohen ashtu si dhisë.
Hollanda, që drogën e ka sheshit, që prostitucionin e ka sheshit, po i bëka vërejtje Republikës së Shqipërisë dhe po hezitoka për ta pranuar Republikën e Shqipërisë në BE!? Hollanda s’është thjeshtë një dhi bishtpërpjetë, por është një dhi e zgjebosur në pikëpamje morale, në krahasim me Republikën e Shqipërisë! Dhe nuk janë më të pastër moralisht as Gjermania e as Franca! Krejt BE-ja i ngjan një oborri, mbushur me dhi bishpërpjeta dhe me dele leshqethura!
Logjika e tyre nuk shkon më larg se logjika e dhivet, nxitur nga babëzia për t’i zotëruar vetë kullotat! Ia morën Republikës së Shqipërisë naftën, ia morën kromin, bakrin, gurin gëlqeror, pyjet, ia shkatërruan industrinë dhe bujqësinë, ia ulën në zero sistemin arsimor, ia deformuan moralisht shëndetësinë, ia përmbysën deri në neveritje sistemin e drejtësisë, i futën aq sa mundën me metoda të ulëta virusin e islamizmit dhe tash i thonë: “S’je akoma e pjekur për t’u bërë anëtare e BE-së! Nuk je ende e denjë për oborrin tonë!“ E shtyjnë kohën e pranimit, në rastin më të mirë, deri në vitin 2025. (Në na zëntë gjallë!)

Kurrë mos u pranofshim! U plaçin sytë shqiptarëvet, në mos ditshin të marrin pjesën që u takon në një të tillë oborr bagëtishë, sa fodulle e shkurtpamëse, aq edhe të pangopshme për t’u pasuruar edhe në kurriz të Republikës së Shqipërisë, madje në kurriz të krejt Shqipërisë, përfshirë aty Republikën e Kosovës dhe gjithë sa është ky Atdhe i yni i stërcopëzuar! Kërkojnë të pangopurit të nxjerrin dhjamë nga pleshti, që u zëntë fytin ky dhjamë!
Gazetat e Tiranës, në këto dy-tri ditë, janë të fryra dhe të tejfryra, sa janë gati të pëlcasin, me dy lajme: Lajmin mbi arrestimin „shtëpiak“ të Saimir Tahirit dhe lajmin mbi kërkesën-„bubullimë“ të PD-së, që Fatmir Xhafaj të japë sa më parë dorëheqjen.
Ndërkaq, në një cep të po këtyre gazetave, marrim vesh që Presidenti i SHBA-së, Donald Trampi, është bërë shkaktar që, brenda një dite të vetme, të vriten mbi 60 njerëz dhe të plagosen mbi 2500 njerëz! Brenda një dite u vranë mbi 60 njerëz dhe u plagosën mbi 2500 njerëz, prej të cilëvet nuk dihet sa do të mbijetojnë dhe sa prej tyre do të mbeten të gjymtë, dhe askush nuk u kujtua (ose nuk guxoi) të kërkojë, me BUBULLIMË, dorëheqjen e Donald Trampit. Fatmir Xhafaj (si vëlla i një ish-të dënuari para gjysmë shekulli!), i marrka më qafë, Shqipërinë, Evropën dhe gjithë botën! Saimir Tahiri (i hamendësuar si drogëshpërndarës), i marrka më qafë të gjithë drogëpërdoruesit, që nga Roma deri në Los Anxheles! Donald Trampit s’i hyka ferrë në këmbë, se u bë shkaktar që, brenda një dite (Vetëm në një ditë!), të humbin jetët dhjetëra djem të rinj palestinezë, sikur ata s’qenkan njerëz, njësoj si izraelitët dhe njësoj si amerikanët!
Këtu afër kam një plakë, e cila, e indinjuar nga ç’po shikojmë e ç’po dëgjojmë, nuk gjen shprehje tjetër, veç: „I rëntë një bombë kësaj bote!“ E thotë këtë, mendohet pak, pastaj nuk i rrihet pa shtuar: „Vetëm ne shqiptarët shpëtofshim pa u shfarosur!“
Gjithsesi, a nuk duhet t’ua kujtojmë të gjithë dashamirësvet tanë perendimorë këtë fabul tonën të dhisë bishtpërpjetë dhe deles bishtqethur?! Jo për të shfajsuar veten, por për t’u krahasuar.
Gjokë Dabaj, Durrës 17 maj 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura