GJOKË DABAJ: PAVLEFSHMËRIA E DEKLARATËS MBI TË DREJTAT E NJERIUT (2)

Durrës, 27. 08. 2015: NENI 18. „Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit“. S’po e kuptoj për çfarë mendimi bëhet fjalë. Çfarë është i lirë të mendojë njeriu? A mund të mendojë njeriu diçka që OKB-ja nuk e parashikon? A duhet ta falenderojë njeriu OKB-në, që ia dha të drejtën njeriut për të menduar çfarë të dojë? Të mendojë edhe si K.Marksi, edhe si V.I.Lenini, edhe si Mao Ce Duni. Një tjetër të mendojë si një shfrytëzues femrash, si një falsifikues dokumentesh, si një pronar kazinoje, si një tregtar i zgjuar që di të bëjë tregti e të grumbullojë pasuri atje ku fakir fukarenjtë nuk mund t‘i kursejnë paratë, psh në fushën e ilaçevet!
Me fjalën BESIM besoj se nënkuptohet feja, religjioni. Ky, pa dyshim, është i drejtuar kundër ateizmit të komunistëvet, por edhe të atyre që nuk janë komunistë. Njeriu mund të besojë në çfarë të dojë, në një perendi, në 2 perendi, në Jezu Krishtin, në Muhamedin, në Budën, mund të besojë edhe në „preokupimin“ e yjevet, ç’fat do të ketë sot njëri apo tjetri banor i këtij planeti.
Vetëm një besim, një religjion, duket se nuk i pëlqen Deklaratës së OKB-së: Një religjion që nuk do të shkonte në rrugën e religjionevet mistikë. Sepse, nëse njeriu nuk shkon në rrugën e asnjërit nga religjionet tradicionalë mistikë, a do të jetë i lirë?! S’e besoj. S’e besojnë ata që hartojnë Deklarata mbi të Drejtat e Njeriut.

Është i lirë njeriu, edhe kur i modifikon, krishtërimin apo islamizmin: bahai, jehovai etj etj. Por, në rast se dikush, në emër të Allahut, do të vrasë e të presë koka gazetarësh, OKB-ja do të thotë: Ky është EKSTREMIZËM. Ne kemi deklaruar se çdo njeri ka të drejtën e lirisë së besimit, por jo deri këtu!Gomari duhet të kullotë vetëm aq sa ia kemi lënë ne litarin!
Tani s’e di si do t’ia bëjë Asambleja e Përgjithshme me nenin 18. A do t’u thotë, Kishës sërbe, ruse, greke etj, dhe Xhamisë botërore: Besimtarët tuaj kanë të drejtë të besojnë, por edhe s’kanë të drejtë të besojnë?! A do të modifikohet neni 18?! Nëse do ta modifikojnë, do të ishte mirë ta formulonin kështu: Jepni para sa më shumë, për ndërtimin e sa më shumë kishave e xhamive, sepse, vetëm ashtu do të mund ta sigurojmë harmoninë midis popujve me besime të ndryshëm!
KAPITALIZMI PO LUAN ME BESIMIN FETAR! Po tallet me besimin fetar, si me një loco! Po i ushqen klerikët, siç ushqen derrat, pronari i derravet, po i vesh si gogozhelë dhe po i nxjerr para popujvet, për t’i mbajtur ata, pra popujt, sa më larg logjikës së shëndoshë njerëzore, asaj logjike që do të ish e denjë për shekujt XX dhe XXI!
Nuk ka asnjë kapitalist që e beson sinqerisht ekzistencën e një fuqie mistike të quajtur Jehova, Zot apo Allah! Që të gjithë janë hipokritë!
Dhe, Deklarata mbi të Drejtat e Njeriut është një deklaratë hipokritësh!
NENI 19. “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së marrjes së mendimit e të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe idevet me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë”.
Ky nen është ideal për të krijuar KAKOFONI në media, në mënyrë që të mos mund të merret vesh asgjë, dhe ashtu të nxiret jashtë përdorimit krejt sistemi i informimit. Në një klasë me nxënës, ku të gjithë flasin e bërtasin si të duan dhe thonë ç’të duan, a mund të përvetësohet dituria?!
Ndërkohë, gazetarët, ata që e kërkojnë seriozisht të vërtetën, po na u tek, edhe mund t’i vrasim, duke e mbyllur çështjen me një “protestë” të thjeshtë apo me një statistikë cinike: Kaq gazetarë na u vranë këtë vit.
NENI 20. “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe të bashkimit paqësor”.
Nuk është harruar epiteti paqësor, por është harruar të thuhet, kush e ka për DETYRË t’u përgjigjet kërkesavet të atyre mbledhjeve (mitingjeve) dhe atyre bashkimeve. Në vend të kësaj, shtetet kanë përgatitur një teknikë të sofistikuar për t’ia “siguruar” njeriut së paku këto të drejta: ujë me presion të madh (edhe në dimër), gaz lotsjellës, shkopinj gome, plumba plastikë. Në këtë mënyrë, njeriut i është garantuar e drejta për të përjetuar skenat më makabre të qytetërimit modern.
Kulmi i cinizmit arrin kur nëpër shkolla flitet ME TË MADHE kundër ndëshkimit fizik të nxënësvet, ndërsa, sapo nxënësi e mbaron shkollën, në guxoftë të dalë në ndonjë protestë (mbledhje), i ha shkopinjtë në kurriz, pa numër, TË LEJUAR ME LIGJ shtetëror dhe, pa marrë parasysh kush e ka prishur rendin.
Pika 2 e këtij neni thotë: “Asnjeri nuk duhet të detyrohet të bëjë pjesë në ndonjë bashkim”. Shumë e drejtë. Por do të duhej shtuar: Çdo njeri ka të drejtë të rrijë indifferent. Le t’i dalë flaka! Le t’i fitojë kush të dojë zgjedhjet! Le ta asfiksojë frymëmarrjen e njerëzvet ndotja e atmospheres! Neni 20, pika 2, ia garanton indiferentizmin gjithkujt.
NENI 21 ka 3 pika.
Pika1.”Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpëdrejtë ose me anë të përfaqësuesvet të zgjedhur lirisht”. Duhet shtuar: Përjashtohen nga qeverisja e drejtpërdrejtë vetëm ata “pak” persona që s’kanë para për të paguar fushatën. Në shkallë botërore, disa miliardë, përfshirë aty të gjithë njerëzit e ditur, të cilët nuk janë batakçinj! Përfshihen në të drejtën e qeverisjes “me anë të përfaqësuesvet” të gjithë ata që e shesin votën, disa milionë “zgjedhës”, aq sa i duhen njërës apo tjetrës palë.
Pika 2. “Gjithkush ka njëlloj të drejtë të hyjë në shërbimet publikë të vendit të vet”. Duhet shtuar: Me përjashtim të rastevet kur vendet e punës për shërbime publikë janë plotësuar dhe me përjashtim të rastevet kur dëshiron të kryesh një shërbim publik, por publiku, dmth, populli, as që e dëgjon ofertën tënde, qoftë sepse para teje e kanë zënë radhën mashtruesit e pafund, qoftë sepse kakofonia e mediavet lejon të dëgjohen vetëm ato që u interesojnë shkelësvet të të drejtavet të njeriut.
Pika 3. “Vulneti i popullit është baza e pushtetit shtetëror”. Duhet shtuar: Jo krejt vullneti. Vetëm aq vullnet, sa dëshiron të pranojë ai që e organizon fushatën. Me fjalë të tjera, kjo pikë e nenit 21, do të duhej formuluar kështu: Vullneti i një pjese TË MANIPULUAR të popullit është baza e pushtetit shtetëror. Ajo pjesë e popullit që nuk manipulohet, është në gjendje latente. Mjafton të bëjmë këtë llogari: 50% e popullsisë nuk merr pjesë në zgjedhje, 50% e pjesëmarrësvet ia siguron pushtetin partisë fituese. Del që vetëm 25% e shtetasvet, përfshirë aty edhe të manipuluarit apo tifozët, ata fare të rendomtit, përbëkan “bazën e pushtetit shtetëror”.
NENI 22.”Gjithkush ka të drejtën e sigurimit shoqëror dhe të realizimit të të drejtavet ekonomike sociale, kulturore të domosdoshme për dinjitetin e vet dhe zhvillimin e lirë të personalitetit…”.
Duhet shtuar (gjithmonë ironikisht): 1. E drejta e sigurimit shoqëror duhet t’u garantojë në radhë të parë mirëqenien ekonomiko-financiare titullarëvet dhe nëpunësvet që merren me të quajturit sigurime shoqërorë.
2.Të drejtat kulturore, “të domosdoshme për dinjitetin e njeriut”, do t’u sigurohen vetëm atyre që i sigurojnë vetë ato të drejta. Përndryshe, kanë plotësisht të drejtë edhe të zhduken nga faqja e dheut, duke u asimiluar, kombet apo pjesë të kombevet, deri në atë shkallë, sa të mos mbeten mbi planetin tokë, më shumë se 3 apo 4 kombe, deri sa edhe ata t’i japin fund kësaj Deklarate, duke masakruar njëri-tjetrin.
Hartuesit e Deklaratës e patën harruar, ose bënë sikur e harruan, thënien përjetësusht të parrëzueshme latine: HOMO HOMINIS EST LUPUS, njeriu për njeriun është ujk. Por, të harrosh, në një deklaratë të këtillë, së cilës pretendon t’i japësh përmasa gjithnjerëzore, do të thotë, t’ua lësh njerëzit ujqërvet, me vetëdije. E gjithë periudha 67-vjeçare, pas kësaj Deklarate, dëshmon që është favorizuar vetia e njeriut për të qenë ujk, pikërisht ndaj ATIJ që Deklarata pretendon se po ia jep të gjitha të drejtat.
Hartuesit e kësaj Deklarate nuk e patën parasysh as zemërimin e Zotit ndaj faraonëvet të Egjiptit dhe as ndëshkimin që Zoti zbatoi te sodomasit e te gomorrasit. Ata folën në tym, duke i dhënë të drejta çdo lloj njeiru dhe e përgatitën terrenin në mënyrë të shkëlqyer për ta shndërruar krejt planetin Tokë në një Sodomë e Gomorrë.
Hartuesit e Deklaratës kanë harruar ose kanë bërë sikur kanë harruar, që njeriu ka dobësitë e veta, madje edhe kundër vetëvetes. Prandaj, t’i japësh të drejta dhe të mos zësh në gojë as edhe 1 herë domosdonë që ka njeriu për t’u vetëpërsosur, kjo do të thotë ta lëshosh pjesën negative të njerëzimit të harbojë nëpër botë si një kafshë pa fre, pa zinxhirë dhe pa hallka në hundë.
Në besimet monoteistë nuk ka qenë shpikur kot agjërimi. Ai ka për DETYRË ta DETYROJË njeriun për të reflektuar brenda vetes. Ai ka për DETYRË për ta përmirësuar njeriun, që të mos u bëjë keq, as vetes, as të tjerëvet. Komunistët nuk e kishin shpikur kot të quajturin stazh në punë prodhuese. Kapitalistët e SHBA-së, në shekullin XIX, po edhe më vonë, i dërgonin bijtë e vet “në jetë”, pa u dhënë kokërr dollari. Le të njiheshin me vështirësitë e jetës, pastaj të vinin e të merrnin në dorëzim menaxhimin e pasurisë. Hartuesit e kësaj Deklarate as që deshën t’i trajtonin problemet e kësaj natyre. Atyre u ishin mbyllur sytë përballë asaj ç’po bënte komunizmi me diktaturat e veta dhe deshën si e si t’u kundërviheshin komunistëvet, qoftë edhe me një dokument tërësisht infantil e çorientues nga kreu në fund.
Kush ka DETYRË të kujdeset për kulturën dhe dinjitetin e njeriut?! Kush e ka për DETYRË të mos i shkelë e të mos i përbuzë vlerat kulturore të një njeriu?! Kujt nuk i lejohet, në forma nga më të ndryshmet, ta asfiksojë e ta pamundësojë ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së një njeriu tjetër?!
NENI 23, pika 1. “Gjithkush ka të drejtën për punë, të zgjedhë lirisht profesionin, të ketë kushte të favorshëm pune dhe të jetë i mbrojtur nga papunësia”.
Edhe në SHBA papunësia arrin në 10%, le më në Afrikë, në Amerikën e Jugut, në Azi. Kush ka DETYRË t’i sigurojë punë GJITHKUSH-it?!
Pika 2. “Gjithkush, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që, për punë të njëjtë, të marrë rrogë të njëjtë”.
Me këtë unë kuptoj që një rrobaqepës në Sofje e në Beograd duhet të marrë rrogë të barabartë me rrobaqepësin në Paris e në Londër. Një karpentier në Mogadishu duhet të paguhet, sipas pikës 2 të nenit 23 të Deklaratës mbi të Drejtat e Njeriut, njësoj si një karpentier në Njujork.
Urdhëroni dhe bëni statistika, sa dhe si zbatohet kjo pikë e këtij neni!
Pika 3 vazhdon me përrallën e së drejtës për punë, pagë, madje edhe për plotësime të rrogës nga të ardhurat e sigurimevet shoqërorë. Përralla pa mbret. Më thuaj, or zotëri, kush ka DETYRË t’ia realizojë njeriut këto të drejta?!
Pika 4. “Gjithkush ka të drejtë të formojë sindikatë…” Tekstin po e plotësoj unë (ironikisht, se s’ka rrugë tjetër): Të formojë sindikatë, në mënyrë që të mund t’i sigurojë VETES të ardhura të majme nga kuotat e anëtarëvet, të cilët, kur të dalin nëpër mitingje e demonstrata, të hanë ndonjë shkop ku ta kenë fatin për t’i kapur, dhe të marrin ndonjë stërkalë gazi lotsjellës mu në sy. Gjithkush i siguron këto të drejta me anë të sindikatavet.
NENI 24. “Gjithkush ka të drejtë për pushim dhe kohë të lirë”. Duhej shtuar: Atyre që s’kanë punë, atyre që rrinë pa punë me dhjetëra vjet, kjo e drejtë quhet se u plotësohet në mënyrë më optimal të mundshme.
NENI 25, meqë është mjaft i gjatë, me siguri do të na nxjerrë diçka në dritë. Po e kopjoj nga fillimi në fund.
1.”Gjithkush ka të dejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm i cili t’i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshme si të atij personalisht, ashtu edhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjedisor dhe shërbimet e nevojshëm socialë, si dhe të drejtën për të qenë i siguruar në rast sëmundjeje, papunësie, vejanie, pleqërie dhe raste të tjerë të humbjevet të mjetevet për jetesë për shkak të rrethaqnavet të pavaruara nga vullneti i tij.”
2.”Nënat dhe fëmijët kanë nevojë për kujdes dhe ndihmë të posaçme. Të gjithë fëmijët, të lindur brenda ose jashtë martese, gëzojnë të njëjtat mbrojtje sociale”.
Meraku im i parë, në lidhje me krjet nenin, është: Si arrin ta sigurojnë “një nivel të mjaftueshëm jetese” PJESA E PASUR e bashkësisë njerëzore? Si e sigurojnë këtë “nivel të mjaftueshëm jetese” shefat e kompanivet, korporatavet, bankavet, qeveritarët, nëpunësit e lartë shtetërorë, bosët e bastevet në fushën e sportevet, oficerët e lartë të ushtrivet, këngëtarët e famshëm, sportistët e famshëm, parlamentarët, pronarët e kazinovet, trafikantët e fëmijëvet, pronarët e klinikavet dentare, pronarët e spitalevet, pronarët e mediavet, pronarët e telefonisë dhe internetit, si dhe shpikësit e mijëra mënyrave për të fituar para, pa e care kokën fare, ka apo s’ka farë të drejtash dikush tjetër?!
Ky është meraku im i parë. Merakun e dytë, të tretë e në vazhdim, i ka marrë përsipër Deklarata qysh në fund të vitit 1948. Le të bëhen statistika dhe le të konkludohet sa e si është zbatuar ky nen.
Që të gjitha fushat që përmenden në këtë nen, ushqimi, veshmbathja, banesa, kujdesi mjekësor, sigurimi në raste sëmundjesh, papunësia, vejania, pleqëria, kujdesi për fëmijët, është e mundshme për t’i analizuar një për një, por jo me pyetjen: Sa njerëzve U JANË SIGURUAR, ushqimi etj, por: Sa banorëve të këtij planeti NUK U JANË SIGURUAR dhe sa prej banorëvet të këtij planeti e kanë keqpërdorur çdo gjë që u është siguruar?!
Lidhur me pikën 2, do të mund të shikonim, psh, fëmijët e braktisur, Gavroshët, që bredhin pa kurrfarë mbështetjeje nëpër qytetet shumëmilionësh, numrin e lypësavet dhe numrin e fëmijëvet që TRAFIKOHEN.
NENI 26. Edhe ky na qenka i gjatë! Me siguri do të ketë zgjidhur një varg problemesh në këto 67 vjet të ekzistencës së kësaj Deklarate. Folka, madje, për ARSIMIN! Më raka në sy që aty nuk u përmendka fare EDUKIMI, si njëri prej 2 komponentëvet, në cilindo sistem shkollor. Arsim, pa qenë nevoja të flitet për edukimin! Këtë guxim “pedagogjik” do të mund ta merrte vetëm Asambleja e Përgjithshme e Kombevet të Bashuar, në njërin prej dokumentevet të saj më kryesorë!
Gjithsesi, për të gjetur ekzakt, ç’rezultate u ka dhënë Kombevet të Bashkuar të planetit tonë ky nen i kësaj Deklarate mbi të Drejtat e Njeriut, duhet të na shërbejnë një varg STATISTIKASH. 1.Sa prej nxënësvet që kanë kaluar nëpër rrjetin shkollor, të formuluar e rekomanduar në këtë Deklaratë, kanë përfunduar në përdorues droge? Neni 26 thotë që çdo njeri ka të drejtë të zgjedhë profesionin. Sa prej nxënësvet, të shkolluar në këtë “EPOKË” 67-vjeçare, kanë “zgjedhur”, pra, “profesionin” e përdoruesit të drogës?! Sa prej femravet, që kanë kaluar nëpër këtë sistem shkollor, kanë “zgjedhur” “profesionin” e prostitutës? Sa çuna të shkolluar e goca të shkolluara janë bërë ushtarë e ushtare, pjesë të ushtriivet pushtuese? Sa janë bërë policë, ruajtës të dhunshëm të pushtetevet, për të rrahur shokët e vet të shkollës? Sa janë bërë spiunë, me rrogë ose pa rrogë, jo në shërbim të progresit, kombit të vet etj, por në shërbim të njërit e tjetrit grup rivalësh e konkurentësh? Sa janë bërë kumarxhinj e bastexhinj, që i kanë marrë më qafë veten dhe familjet e veta? Sa prej nxënësvet, të shkolluar sipas së drejtës që u jep ky nen, kanë zgjedhur profesionin e prodhuesit dhe tregtuesit të drogës? Sa janë bërë mjekë, të atillë që e përdorin mjekësinë për t’i rrjepur familjet e të sëmurëvet? (Një shumice njerëzish, me të drejta “kaq të garantuara”, u levërdis më shumë të vdesin, se sa të mjekohen!) Sa nga ata nxënës janë bërë juristë, të atillë që e ushtrojnë profesionin e vet në atë mënyrë që, shumicës së atyre që u është bërë padrejtësi, u levërdis më shumë t’i nënshtrohen padrejtësisë, se sa të kërkojnë drejtësi?! Sa prej këtyre të shkolluarve, duke përfituar apo jo nga kjo dispozitë, kanë zgjedhur “profesionin” për të vrarë, madje me kënaqësi, pjesëtarët e një feje tjetër apo të një kombi tjetër?!
Përfundimisht, sa filozofë të mëdhenj, burra shtetesh dhe titullarë të vetë atij organizmi që e ka lindur këtë Deklaratë kaq “shpresëkëndellëse”, të cilët mund të merrnin përsipër për ta shpëtuar njerëzimin nga katastrofat, ka “nxjerrë” ky nen i kësaj Deklarate?!
Dua të them: Ky system arsimor, i formuluar në këtë mënyrë, a është në gjendje ta largojë njerëzimin nga vargu shumë i gjatë i rrëziqevet?!
(E vërteta është se Kombet e Bashkuar KANË statistika ME QINDRA TON, por nuk i kanë për ta nxjerrë të pavlefshme Deklaratën. I kanë për t’u dhënë rrogat nëpunësvet të vet dhe për të krijuar përshtypjen se OKB-ja “PO PUNON”! Po rri pa gjumë OKB-ja, për t’i dhënë të drejtat çdo njeriu dhe për të shpëtuar njerëzimin njëherë e mirë nga telashet!)
NENI 27, pika 1, thotë se gjithkush ka të dejtë të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore… të përfitojë nga përparimi i shkencës etj.
Natyrisht, nëse ka mundësi. Nëse nuk ka para, as për të blerë një penel dhe një palë ngjyra, kot e ka talentin. Nëse nuk ka para për të blerë një violinë, kot e ka talentin dhe nëse nuk ka para për të blerë një traktor të vogël, le ta lërojë tokën me qe ose me gomar.
Kush ka DETYRË t’i japë mundësi personit të marrë pjesë në jetën kulturore dhe kush duhet t’ia sigurojë personit përfitimin nga progresi teknik?! Reklama “Telefono tani, se nesër mund të mos ketë më nga shpikja jonë më e re”?! Reklama që i fryu njerëzit me koka-kolë dhe redbu?! Reklama, reklama, reklama, që s’të lënë të ndalesh e të mendosh seriozisht për probleme më të rëndësishëm se malli që reklamohet!
Kush ka DETYRË t’i sigurojë karrierë në fushën e kulturës NJË FEMRE TË BUKUR, pa qenë e detyruar të zhvishet lakuriq para kameravet?! Para kameravet, por edhe në dhomat e menaxherëvet!?
Por, mbi të gjitha dhe para së gjithash, një Deklaratë “universale”, “gjithbotërore”, në lidhje me “të përfituarit nga përparimi shkencor”, duhej të ishte veçanërisht e prerë: Njeriu ka DETYRË t’i përdorë VETËM PËR MIRË arritjet e shkencës. Njeriu s’ka të drejtë t’i përdorë PËR KEQ arritjet e shkencës.
Që kimia, biologjia, mikrobiologjia, gjenetika, informatika, teknika, të mos bëjnë kërdinë mbi njerëzit, me ç’mënyrë do të na mbronte OKB-ja, në mos me DETYRAT, që do t’ia përcaktonte fare qartë njeriut një e këtillë deklaratë?! Psh: Mjetet e informimit dhe të ndërlidhjes njeriu ka DETYRË t’i përdorë VETËM PËR MIRË. Njeriu s’ka të drejtë t’i përdorë PËR KEQ mjetet e informimit dhe të ndërlidhjes. E kështu me radhë.
Pika 2. “Gjithkush ka të drejtë të mbrojë interest moralë e materialë, që rrjedhin nga çdo krijimtari shkencore, letrare dhe artistike, autori i të cilavet është ai vetë”.
Kush ka DETYRË t’i mbrojë të drejtat e autorit? Kujt i ndalohet të vjedhë krijimtarinë e tjetërkujt? Sigurisht, njeriut. Këto do të duhej të na i përcaktonte Asambleja e Përgjithshme, jo me „nënakte“ e „nëndeklarata“, por që në tekstin bazë.
Krejt kjo Deklaratë s’bën tjetër, veçse i jep njeriut të drejtën për të bërtitur. Ndërsa, a e dëgjon ndokush njeriun, kjo nuk i intereson fare kësaj Deklarate.
NENI 28. „Gjithkush ka të drejtë për një rend shoqëror dhe ndërkombëtar në të cilin mund të realizohen të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë“.
Kush duhet ta realizojë, kush ka DETYRË ta realizojë atë rend shoqëror ku jeta dhe liritë e shpallura të mos rrënohen? Pse nuk thuhet në Deklaratë: Ne zotohemi se do t’i përmbushim të gjitha kërkesat e arsyeshme të cilitdo individ dhe të cilitdo komb dhe zotohemi që do të ndalojmë me vendosmëri cilindo që e prish rendin shoqëror e ndërkombëtar, të kërkuar e miratuar pej të gjithë kombeve!?
NENI 29. Më në fund përmenden edhe DETYRIMET, por vetëm kur rendi apo bashkësia i pëlqejnë personit. Nuk specifikohet ç’detyrime janë ata. Zoti ia ka thënë Moisiut, që Moisiu t’ia thotë popullit të vet, TË GJITHË DETYRIMET NJË NGA NJË. Pse Asambleja jonë e Përgjithshme nuk specifikon DETYRAT, por vetëm të drejtat? Ç’do të kish bërë Zoti me popullin e Moisiut, nëse ai popull do të kish proklamuar vetëm të drejtat?!
Pika 2 e nenit 29: „Në ushtrimin e të drejtavet dhe lirivet të veta, gjithkush do t’u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të cilët janë parashikuar me ligj, ekskluzivisht me qëllim që të sigurohet njohja dhe respektimi i nevojshëm i të drejtavet dhe lirivet të të tjerëvet e që të plotësohen kërkesat e drejta të moralit, rendit publik dhe mirëqenies së përgjithshme në shoqërinë demokratike“.
Është pikë shumë e rëndësishme, pikërisht sepse, ndërsa deri tani vetëm ka dhënë të drejta, këtu i kufizon në një farë mënyre ato të drejta.
Megjithatë: „Që të plotësohen kërkesat e drejta të moralit“… A është përcaktuar në këtë Deklaratë, cilat janë „kërkesat e drejta të moralit“? Jo. Atëherë, Organizata e Kombevet të Bashkuar duhet t’i ketë përcaktuar diku gjetkë, në ndonjë tjetër dokument „kërkesat e drejta të moralit“. Përndryshe, kjo klauzolë do të jetë fare e kotë.
A është „kërkesë e drejtë e moralit“, të mos i përvetësosh të mirat materiale të të tjerëvet, në çfarëdo forme qoftë?! Psh, sistemi i monopolevet, që e vret konkurencën e lirë, a i shkel „kërkesat e drejta të moralit“?! Deklarata nuk e thotë këtë. Ulemi më poshtë, vijmë te familja. Dihet që është „kërkesë e drejtë e moralit“, të respektuarit e prindërvet, sepse këtë ia tha edhe Zoti Moisiut që njëherë e një kohë: „Nderoji babën tënd dhe nënën tënde, që ta kesh jetën të gjatë përmbi tokë“. Ia tha Zoti Moisiut qysh atëherë dhe s’e ka hedhur poshtë askush deri më sot, si njërën prej normavet më jetëgjata të moralit. Duke mos e thënë këtë normë të moralit, Deklarata nuk i ka vënë vetes DETYRË të përcaktojë kurrfarë DETYRASH të njeriut, por vetëm TË DREJTA, deri edhe te bijt e bijat kundrejt prindërvet.
„Kërkesat e drejta të rendit publik“. E kemi parë edhe më parë si i ka zgjidhur kjo Deklaratë ato kërkesa, duke mos thënë asgjë: Dil e bërtit nëpër rrugë sa të duash, thyej dyqane, hidh bomba molotov, digj makina, tund pankarta, nga ana tjetër, paguaj dhjetëra mijë policë për të ruajtur rendin publik, jepu të drejtën policëvet që, me shkopinjtë prej gome, me fije çeliku brenda, të rrahin kë t’u kapë shkopi, jepi, jo leje, por urdhër policisë, që t’i spërkatë turmat me gaz lotsjellës dhe t’i gjuajë me plumba gome. Këtë „rend publik“, deri edhe në stadiume, ia ka „siguruar“ kjo Deklaratë, e cila mund të jetë çdo gjë tjetër, veçse jo: një dokument me rëndësi i njeriut të kohës sonë.
„Kërkesat e drejta të mirëqenies së përgjithshme“. Na i ka përmendur edhe këto kërkesa Deklarata jonë, dhe kanë menduar ashtu nënshkruesit e saj se, me aq, e arritën MIRËQENIEN E PËRGJITHSHME.
Në vitin 1948 ekzistonin edhe kapitalizmi, edhe komunizmi. Të 2 pretendonin se po synonin MIRËQENIEN E PËRGJITHSHME. Asnjëri nuk e realizoi këtë synim. Komunizmi dështoi dhe vendet ish-komunistë iu kthyen kapitalizmit. Kapitalizmi kish dështuar me kohë, por, i trembur nga komunizmi, aq sa qe komunizmi në këmbë, i ndërmori disa veprime në të mirë të MIRËQENIES SË PËRGJITHSHME. Por, SAPO U PËRMBYS KOMUNIZMI, KAPITALIZMI E HARROI BRENDA NATËS SYNIMIN E MIRËQENIES SË PËRGJITHSHME.
***
Deklarata e të Drejtavet të Njeriut është aty, E GJYMTË SIÇ EDHE U HARTUA, dhe sot është shndërruar mirëfilli në një tufë letrash, që nuk shërbejnë për asgjë.
Një dokument quhet i vlefshëm, atëherë kur e kryen punën, për të cilën është hartuar. Kjo Deklaratë nuk mundi dhe nuk mund të bënte kurrfarë efekti të qenësishëm, përveçse për demagogji.
Deklarata mbi të Drejtat e Njeriut, në të vërtetë, ka qenë me LEUÇEMI qysh kur ka lindur. Kësaj i mungonin rruazat e kuqe (DETYRAT E NJERIUT) dhe i kish me tepricë rruazat e bardha (TË DREJTAT E NJERIUT). Sigurisht që vetë Deklarata nuk ka kurrfarë faji. Fajin e kanë prindërit që e kanë lindur, sepse kanë abuzuar para dhe pas lindjes së saj, në mënyrën më të palejueshme.
Jo vetëm dokumenti, jo vetëm Deklarata, por as vetë Organizata e Kombevet të Bashkuar, s’po vlen tashmë aspak më shumë se ajo Deklaratë.
Popujvet duhet t’u dhimben paratë që japin për atë organizatë, dhe duhet, mbi bazën e kësdaj përvoje të hidhur, të gjejnë mënyra: Ose ta riorganizojnë, duke i dhënë DETYRAT dhe kompetencat e një qeverie qendrore gjithbotërore, ose të mos japin më para për një qenie të tillë, fund e krye të zhvlerësuar.
Në të gjitha kohët, primare kanë qenë DETYRAT e njeriut dhe pastaj ka ardhur E DREJTA. Edhe Konfuci predikonte DETYRAT. Nëpunësi që i kryente më mirë DETYRAT, duhej të mbahej në punë, sipas Konfucit.
Çfarë do të duhej të bënte OKB-ja, nëse do të ishte në funksionin e vet? Ajo, në radhë të parë, duhej të përcaktonte DETYRAT E SHTETEVET TË MËDHENJ, të cilat nuk do të mateshin me sasinë e kontributevet, por me sjelljen e tyre ndaj shtetevet më të vegjël. Shtetet e mëdhenj nuk janë PERENDI. Ç’është ajo „e drejtë VETO-je“ për shtetet e mëdhenj?! Ajo është një e drejtë arbitrariteti, pra, E DREJTË PADREJTËSIE. E drejta për t’i shkelur brutalisht të drejtat e njeriut.
OKB-ja duhej të përcaktonte DETYRAT e të gjithë organizmavet prodhues, sidomos të atyre organizmave prodhues apo tregtues, që dalin jashtë kufijvet të shtetevet të vet. Kush do t’i kontrollonte KORPORATAT SHUMËKOMBËSHE, nëse atë punë nuk do ta bënte OKB-ja?
Duke filluar te DETYRAT e shtetevet të mëdhenj dhe të korporatavet ekonomike shumëkombëshe, OKB-ja duhej të zbriste deri te DETYRAT e një bashkëshorti, bashkëshorteje, prindi, biri, bije. Të gjithë kanë DETYRA!
Vetëm pas kësaj, si kapitull i dytë, do të mund të përcaktoheshin EDHE TË DREJTAT.
Të gjitha këto gjëra, në shekullin XXI, NUK SHTROHEN SI DËSHIRË. Është DHUNA, POTENCIALE DHE EFEKTIVE, e armatimit monstruoz dhe DHUNA, POTENCIALE DHE EFEKTIVE, e përdorimit të çdo arritjeje tekniko-shkencore, nga njëra pjesë e njerëzvet në dëm të pjesës tjetër, janë, pra, këta 2 faktorë, ata që e DETYROJNË njerëzimin, ose të ndërgjegjësohet dhe të zgjedhë SHPËTIMIN, o të mos ndërgjegjësohet dhe të shkojë pashmangshëm DREJT FUNDIT TË VET.
Shekulli XXI ofron pamëshirshëm vetëm 1(një) alternativë.

Korrik 2015 – Gjokë Dabaj.

_____________
PJESA E PARË:
GJOKË DABAJ: PAVLEFSHMËRIA E DEKLARATËS MBI TË DREJTAT E NJERIUT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=4367
***
PJESA E DYTË:
GJOKË DABAJ: PAVLEFSHMËRIA E DEKLARATËS MBI TË DREJTAT E NJERIUT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=4368

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura