GJOKË DABAJ: PËR GJUHËN SHQIPE KA NJË PARIM THEMELOR

(Durrës, 14. 07. 2012) – Më në fund, po shpeshtohet në median tonë edhe tema e gjuhës shqipe. Unë uroj që kjo temë diskutimi për problemet e gjuhës sonë të vijë gjithnjë duke u gjallëruar, si dhe duke prurë rrugëzgjidhje gjithnjë e më të efektshme, mençurore, rezultative dhe të zbatueshme.
Gjuhësia jonë ka, në këtë fillim shekulli, aq shumë detyra, sa nuk do të mjaftonin për t’i kryer, DISA institute dhe DISA fakultete të albanologjisë. (Është fjala për t’i kryer ashtu si duhet dhe siç e kërkojnë vlerat madhore të këtij Kombi.) Për t’i kryer si duhet detyrat që shtron shek. XXI para gjuhësisë shqiptare dhe para albanologjisë në tërësi, shqiptarët do të duhet të themelojnë një universitet të madh të ballkanistikës, madje me degë edhe të europeistikës (Unë do ta quaja Universiteti “Konstantini i Madh”), dhe pale a do të mjaftonte shek. XXI për t’i dalë mbanë kësaj pune.

………………………………………………………

Problemi i shtrirjes së iliro-arbro-shqipes në kohë e në hapësirë nuk është zgjidhur ende. Thuhet që gjuha shqipe është ndër gjuhët më të lashta të Europës, por kjo nuk ia mbush mendjen shumicës së dijetarëvet. Duhen vëllime, duhen korpuse përherë e më të plotë me studime, me vulën institucionale, përkthyer e pakta në disa nga gjuhët më të përhapura të botës, dhe prapë mbetet pikëpyetje: U mbushet apo s’u mbushet mendja dijetarëvet të botës?! Sepse mund të kesh 1000 vlera, apo 1 milion vlera, por, po nuk i njohe vetë dhe po nuk t’i njohën të tjerët, ato nuk çojnë peshë.
Problemi i marrëdhënivet të gjuhës iliro-arbro-shqipe, me lashtodakishten, pasojisht, edhe me rumanishten e sotme, me greqishten, të vjetrën dhe të renë, me latinishten, përfshirë aty edhe neolatinishtet e tjera, veç rumanishtes, dhe me të gjitha sllavishtet, nuk është zgjidhur as përafërsisht. Janë bërë disa studime të pjesshëm, madje sipërfaqësorë dhe me një dozë të palejueshme nënshtrueshmërie dhe inferioriteti. Janë bërë ata studime dhe u është vënë vula. Dmth është konsideruar që dija, në këtë lagje të sajën, nuk mund të bëjë tjetër, veçse ndonjë plotësim të rastit. Ky problem, vetëkuptohet, pa mohuar asnjërën prej arritjevet, duhet të rimerret prej fillimit dhe të rishqyrtohet mbi baza shumë më të gjëra, sidomos atyre historike.

…………………………………….

FLET ELENA KOCAQI: PËR LIBRIN ‘ROLI PELLAZGO’ILIR NË

KRIJIMIN E KOMBEVE DHE GJUHËVE EUROPIANE’

……………………………….

………………………………………..

______________________________

Probleme brenda shqipes ka me shumicë: Fonetika, morfologjia e sintaksa, në diakroni dhe në sinkroni, dhe në përgjithësi gramatika historike, e cila, studimisht, ka mbetur në zanafillë, madje në një zanafillë me shumë stonime. Në mënyrë të veçantë, është e pastudiuar stilistika e gjuhës shqipe. Për të gjitha këto, kërkohen specialistë të cilësisë së parë. Jo, të çohen në fakultetet tanë filologjikë ish-nxënës të 5-avet, por të përzgjidhen nxënës nga më cilësorët. (Natyrisht, duke i stimuluar, jo thjeshtë me bursa, por sidomos me hapjen e perspektivavet të tyre jetësore!) Në gjendjen që jemi sot, në këtë pikëpamje, në pikëpamjen e cilësisë së studentëvet të këtyre degëve, mund të thuhet vetëm kaq: Mjerë fakultetet tanë të filologjisë! Mjerë shkencat tona albanologjike! Mjerë Kombi ynë, me një të këtillë superstrukturë të vajtueshme, për të ardhshmen!
Problem më vehte është etimologjia. Kemi pasur etimologë, të huaj dhe të vendit, me vlera të konsiderueshme, por jo çdo gjë që kanë thënë ata ka mundur t’i rezistojë kohës. Ata edhe vetë e kanë pohuar që etimologjitë e tyre nuk duhet të merren si tabu. Mirëpo, për ta çuar më tej punën e tyre, duhet përkushtim institucional dhe duhen njohuri. Madje nuk mjaftojnë institucionet dhe njohuritë, por duhet edhe talenti.
Problem tjetër i madh është toponimia. Nuk e kemi mbledhur dhe nuk e kemi arkivuar si duhet as makrotoponiminë, me shqyrtimin historik të sajin, as mikrotoponiminë, e cila hyn në shkencë siç hyn pluhuri i floririt nëpër depot e thesarevet dhe bën në shkencë pikërisht punën që bëjnë thesaret në ekonomi.
Problem i madh është dialektologjia, sado që dialektologët tanë kanë bërë një punë më se të lavdërueshme, sidomos me Atlasin Dialektologjik të Gjuhës Shqipe. Kanë bërë një punë të madhe e të lavdërueshme, por kurrsesi nuk duhet menduar se aty është fundi i kësaj dege të gjuhësisë sonë. Ai Atlas do konsideruar si një fazë e rëndësishme FILLIMORE, e domosdoshme për të vazhduar më tutje punën jashzakonisht voluminoze në dialektologji. Voluminoze dhe të shpërndarë në një shumicë studiuesish. Jo, në 1 apo 5 studiues.
Problem janë leksikologjia dhe leksikografia. Prapë këtu, Fjalori i vitit 1980 nuk është FUNDI, por FILLIMI i një leksikografie të mirëfilltë, e cila duhet të arrijë të pajiset me vëllime të atillë fjalorësh, siç janë pajisur psh gjermanishtja apo gjuha angleze. Leksikologjia, falë disa prej studiuesve tanë gjurmëlënës në këtë fushë, ka tashmë një bazë të shëndetshme shkencore, por ajo duhet të shtihet praktikisht në punë. Në fushën e leksikëvet, ne duhet të punojmë shumë edhe për enciklopeditë. U bë në kohën e Enverit një fjalor i vogël enciklopedik, u botua edhe tash pothuaj po ai fjalor, me disa krehje e spastrime, por nuk i shpëtoi dot as ky presionit të antishkencës.
Problemi i shtatë a i tetë, shumë i madh, madje legjislativ, është ai i ndotjes së gjuhës shqipe. Gjuha shqipe është ndotur shumë, si me lëndë tonën, hedhurina të ngjashme me lëvoret e qepëvet, ashtu edhe me lëndë të importuar, hedhurina të ngjashme me shishet plastike dhe me qeset. Krahasoni brigjet e lumenjvet dhe anëdetet tanë të këtyre viteve, dhe do të mund ta konkretizoni sa e ndotur është kjo gjuha jonë. Gjuhë, për të cilën Naimi ynë i madh thoshte me ngazëllim: “sa e dëlirë”! Kjo gjuhë, dikur e dëlirë, e pastruar me aq kujdes, jo prej njërit, po prej të gjithë rilindësvet tanë, kush më shumë e kush më pak, është ndyrë sot, deri edhe nga pakujdesia e atyre që titrojnë e kompjuterojnë. Kush nuk e ka mbushur gjuhën tonë me papastërti! Nuk di njeriu çfarë duhet t’i neveritet më shumë: A libri, i mbushur me shkelje të të gjithë llojevet, korrektura teknike, apo autori i një të tillë libri. Lexon njeriu titrat në ekranet televizivë dhe, në vend që të përqëndrohet te përmbajtja, ia qorrojnë sytë shkeljet shkrimore.
Vijmë më në fund te problemi për të cilin po debatohet tani në mediat tona, ai problem që e kemi quajtur gjuhë shqipe letrare apo gjuhë shqipe standard. Kam qenë dhe jam i mendimit që këta probleme, problemet e gjuhës së përbashkët të të gjithë shqiptarëvet, duhen diskutuar, si dhe të gjithë problemet e tjerë që i ka gjuhësia jonë. Me të vetmin dallim se këtu nuk kërkohen vëllime. Kanë kaluar tashmë 40 vjet që kur u zhvillua në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit dhe, me atë rast, u morën edhe vendimet përkatës, vendime që, në fakt, shënuan KRIJIMIN SOLEMN TË SHQIPES SË PËRBASHKËT. Kanë kaluar tashmë 40 vjet dhe shumë nga rregullat drejtshkrimore dhe drejtshqiptimore që dolën prej atij Kongresi, duhet të rishikohen. Disa prej tyre duheshin debatuar qysh atëherë, por, ose nuk u debatuan, ose u lanë ashtu si nuk duhej.

………………………………………….

VIZION PLUS: NDRYSHIMI I GJUHËS SHQIPE!

…………………….

Përdorimi i standardit të gjuhës shqipe në Kosovë

__________________________

Lidhur pikërisht me nevojën e këtij rishikimi, kam pasur dhe kam edhe unë, si të gjithë ata që janë marrë e merren me gjuhësinë shqiptare, një numër vërejtjesh dhe propozimesh, madje aq kategorikë dhe aq këmbëngulës, sa, në librat dhe në shkrimet e mi, edhe i kam zbatuar, pa pyetur dhe pa marrë leje prej askujt. Të kishim polici gjuhësore, unë duhej të isha arrestuar dhe dënuar disa herë për shkeljet që u kam bërë Rregullavet të drejtshkrimit, të vitit 1972.
Por unë nuk po dua tani të diskutoj për këto gjëra. Unë po dua tani të tërheq vëmendjen te ajo që gjuhësia shqiptare dhe në përgjithësi albanologjia i ka nja 9 male me probleme, 9 male më të rëndë se ata të Dibrës, dhe krahas këtyre 9 maleve, ka edhe problemin e një sistemi urash, ndërtuar për t’u lidhur këta male njëri me tjetrin. PRONOCIMI IM është ky: T’i përmirësojmë këto ura, t’i zbukurojmë këto ura, t’i përsosim këto ura, por jo duke gjuajtur njëri-tjetrin me gurët e krahut të vet, as me gurët e njëri-tjetrit, apo, më keq akoma, duke shkulur naivisht dhe, herë-herë edhe ligësisht, gurët e vetë uravet.
Për të zgjidhur qëndrueshëm dhe me dinjitetin që i takon Kombit tonë, këtë problem, i cili ËSHTË problem i madh, por, sidoqoftë, është problem ku e ku më i vogël se të tjerët, që i cekëm më lart, ka një parim THEMELOR dhe ky është PARIMI I PËRBASHKËSISË.
Është, në radhë të parë, parim i cili mbështetet mbi një MORAL të caktuar. Dhe, MORALI ynë, i krijuar, jo në kohën e Rilindjes, as në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por shumë më përpara, e pakta që në shekujt kur emërtimi ARBËR shkoi e u shtri prej trevavet tona qendrore drejt ekstremevet tanë të Jugut, të Lindjes, të Veriperendimit dhe të Veriut. Vetëm ky konstatim do të kërkonte hapjen e një kapitulli të ri në historiografinë tonë. Kur filluan bashketniasit tanë të Jugut, të quhen ARBËR, pas shembullit të ARBËNVET, që jetonin midis lumenjvet Fan-rrjedha e poshtme e Matit dhe Shkumbin, ose, ndoshta më saktë, Dri (i bashkuar) dhe Shkumbin? (Ndoshta në kohën e Despotatit të Epirit.) A mos pati edhe atëherë ndonjë “kongres” për t’i bashkuar 2 dialektet? Ma merr mendja që jo. Por një ide e PËRBASHKIMIT doemos që ka ekzistuar. Ka ekzistuar një MORAL, një lëvizje e përgjithshme etnokulturore, e cila pashmangshëm do të ketë përfshirë edhe sferën e gjuhës. Po cili ka qenë ky MORAL? Morali ka qenë ai i respektimit të njëri-tjetrit. Po e përsëris: Ai i respektimit të njëri-tjetrit! Dhe ne, në kohën tonë, nuk kemi asnjë arsye që ta braktisim atë MORAL.
Praktikisht, një i këtillë MORAL, me peshën deri në përmasat e një SHENJTËRIE të pacënueshme, do të mund të shprehej kështu: Do të ruajmë apo përfshijmë në gjuhën tonë të përbashkët të gjithë ata elementë të Jugut, të cilët i ka pëlqyer dhe i pëlqen edhe Veriu, dhe do të ruajmë apo përfshijmë në gjuhën tonë të përbashkët të gjithë ata elementë të Veriut, të cilët i ka pëlqyer dhe i pëlqen edhe Jugu. (Kuptohet, të gjitha këto të argumentuara shkencërisht.) Çfarëdo qëndrimi tjetër, mendoj unë, nuk mund të emërtohet ndryshe, veçse qëndrim përçarës.

……………………………..

(ILUSTRIMET I PËRZGJODHI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura