GJOKË DABAJ: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE NUK DO TË LEJOJË PËRBALTJEN E VETËVETES

Durrës, 23 tetor 2019: (Nga relacionet e Dom Shtjefën Gasprit, korrik 1671-qershor 1672) – Nganjëherë mund të mësohet më shumë nga shembulli i keq, se sa nga qindra këshillime e moralizime. Fragmentet që po sjellim këtu, shkëputur nga një informim shumë i rëndësishëm, që prifti arbër Dom Shtjefën Gaspri i ka pasë dërguar Vatikanit në vitin 1672, ashtu si krejt ai informacion, mund dhe duhet t’u shërbejë studiuesvet e, përmes tyre, të gjithë shqiptarëvet, thënë fare shkoqur: për t’i vënë secili prej nesh gishtin kokës. Ndërkohë, ne që po përgatisim një institucion kulturor gjithkombëtar, do ta shfrytëzojmë këtë material në punën tonë, sa më gjërësisht dhe sa më efektivisht të mundemi. Në Fjalëmirat tona të Gjuhës Shqipe do të shërbejnë, si përhapës të gjuhës dhe kulturës sonë, përgjegjës të përgatitur në shkallën më të lartë. Të përgatitur në shkallën më të lartë, jo vetëm diturisht, por edhe moralisht edhe edukativisht.
Kryesisë së Përkujdesjes Gjithshqiptare do t’i kërkohet që të jetë rigoroze deri në përmasat e një rreptësie të pakompromis. Ajo Kryesi, e mbikqyrur prej një Këshilli të Lartë njerëzish më të shquar të Kombit, do të bëjë që përgjegjësit e Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, o të shkëlqejnë në të gjithë aspektet, o të largohen sa më parë, për t’u lënë vendin atyre që shkëlqejnë.
Dhe, për të mos qenë ashtu si nuk duhet, përgjegjësit e Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe do të duhet ta mbajnë mbi tavolinën e tyre të punës pikërisht këtë fragment përvojash tona të hidhura, të cilat bënë që Kombi ynë të katandiset “kaposhi një thelë”, si mos më keq. Kjo është arsyeja pse po i botojmë këta fragmente, me emrat konkretë të njerëzvet, prej të cilëvet Kombi priste të mësonte rrugën e shpëtimit.
Të këtillë ishin klerikët katolikë të asaj kohe, sigurisht jo të gjithë. Por ne e dimë dhe do të duhej ta dinim edhe me dokumente si ky, që, as klerikët myslimanë dhe as ata ortodoksë, në ato kohëra të zeza, nuk kanë qenë aspak më rrugërrëfyes se këta që po i lexojmë këtu. Mjerë ai komb që ka fatin e keq për t’u prirë prej së këtillësh!
Përgjegjësit e Fjalëmiravet tona të Gjuhës Shqipe nuk do të bien kurrë kaq poshtë. Ata do të jenë prijës të mirëfilltë!
E tash, le t’i lexojmë një nga një ata emra priftërinjsh, të cilët, bashkë me të tjerë si ata, para e mbas tyre, të krishterë e myslimanë, mbajnë mbi shpinë mëkatin e rroposjes së këtij Kombi deri në zgrip të zhdukjes!
Dioqeza e Shkupit (18 korrik 1671-15 gusht 1671)
1.Dom Vinçenc Matoviqi. Nuk është i dashur nga banorët e famullisë, nuk mban marrëdhënie të mira dhe është shumë tekanjoz. (f.67)
2.Dom Gjon Kulinoviqi. Ka arritur pak rezultate duke mos e kryer detyrën e tij me përpikmërinë që kërkohet. Nganjëherë i braktis të sëmurët dhe i lë të vdesin pa sakramente. Nuk ua mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë. Bën jetë të parregullt. (f.68)
3.Fra Bernardini i oservantëvet. Nuk është shembullor, por për sa pashë unë, ishte i sinqertë. Udhëton pa veshjen priftërore, vishet si turk dhe shkon i armatosur. Neglizhent në mësimin e doktrinës së krishterë. (f.68)
4.Dom Natali Buçiqi. Jeton me sjellje të mirë, për sa kam mundur të kuptoj. Mban shkollën dhe mëson shumë të rinj në normat e mira dhe me doktrinën e krishterë. Nuk ka abuzuar me orenditë dhe veshjet e shenjta, por nuk rri dot pa u shoqëruar me persona keqbërës. (f.69)
5.Dom Xhirolamo Kukumariqi. Dikur nxënës i Kolegjit Ilirik. Ka pasur pak rezultate. Me pijet nuk është i kujdesshëm. Shkon i veshur si turk dhe nuk njihet nëse është prift, vetëm nga ata që praktikojnë fenë. Shkon i armatosur me armë zjarri e me thikë. Nuk e ushtron doktrinën e krishterë. Thuhet që kishte përvetësuar një shumë të mirë parashë prej një gruaje të ve nga Shkupi, e cila i kishte depozituar pranë tij për siguri. (f.70)
Dioqeza e Pultit (25 gusht 1671-27 gusht 1671)
6.Padre Jozefi dhe Fra Engjëlli. Gjeta në Gash dy Etër të Reformuar, Padre Jozefin nga Toskana, prift, dhe Fra Angelon nga Napoli, kirurg. Në fshatin Gash kanë ngritur një hospice dhe janë vendosur kundër vullnetit të famullitarit dhe prandaj famullitari është tërhequr në Biakë. Ky Padre Jozefi celebron meshë në banesën e tyre, në një vend të papërshtatshëm, ku mbajnë bagëtitë. Ka njohuri të pakta në gjuhën arbërishte. Nuk ua mëson doktrinën e krishterë besimtarëvet. Nën altar mban një enë me verë… Ndërsa Fra Angeloja, kur shkon të mjekojë nëpër fshatra, ngushëllohet duke bërë të paguajnë. Kështu e gjeta në fshatin Zogaj duke mjekuar dy të plagosur, prej të cilëvet mori 200 paoli të holla dhe sende të tjerë. (f.10)

7.Dom Shtjefën Jubani. Ka 40 vjet që shërben në Pult. Nuk e ushtron doktrinën kristiane tek besimtarët. Në rini ka jetuar ndonjëherë me një „vajzë“. Por nuk shoqërohet me persona me sjellje të keqe, nuk ka vjedhur pasuri dhe orendi të kishës. (f.11)
8.Dom Nijollë Ziu, Vikar Apostolik i Pultit. Nuk e lëvdojnë për shkak të lakmivet të tija dhe cilësivet të këqia. Banon shpesh jashtë residencës, duke shkuar në shtëpinë e prindërvet në dioqezën e Sapës. Nuk ka gjetur kohën për të zhdukur veset te besimtarët. Nuk ua mëson priftërinjve dhe fretërve doktrinën e krishterë. E detyron famullitarin e Biakës t’i japë gjysmën e lëmoshës që ia kanë dhënë besimtarët me mundime. Për çdo vrasje me dashje, që vrasësi të ndjehet absolut, i kërkon 12 paoli. (f.12)
9.Dom Fran Samrishi. Është i padijshëm, di pak të lexojë dhe aspak të shkruajë. Nuk ua meson doktrinën e krishterë besimtarëvet dhe nuk e mbjell tek ata kurrë fjalën e Zotit. Udhëton i armatosur dhe ngjan me një barbar thrakas. Merr për çdo pagëzim 6 bajoki dhe për çdo martesë 12 bajoki. Nuk merr para prej atyre që shesin skllevër. (f.13)
Dioqeza e Shkodrës (8 shtator 1671-5 nëntor 1671)
10.Dom Pjetër Trumshi. Nuk ua mëson doktrinën e krishterë besimtarëvet. Mban miqësi me turqit dhe me raste mbizotëron favori i atyre. Për nevoja të kishës së tij nuk don të shpenzojë një çerek leku. Nuk ka respekt ndaj prelatit të tij dhe e quan cigan. E kërcënon se do ta vrasë, nëse nuk ia plotëson kërkesat, dhe pastaj të shkojë në Stamboll e të bëhet turk. Di të lexojë pjesërisht dhe nuk di të shkruajë, prandaj nuk mban regjistrat, madje as ata të pagëzimit, martesës e të vdekjes. (f.18)
11.Dom Xhakomo Kolomsi. Nuk mëson doktrinën e krishterë. Fajësohet për incest. U shërben turqvet dhe mban miqësi me ta. Megjithkëto, nuk ka vënë dorë mbi pasurinë e kishës. (f.18)
12.Dom Mark Nikolla. Nuk mëson doktrinën e krishterë. Pijanec. E akuzojnë për incest. Është i padëshirueshëm për komshinjtë. I pabindur ndaj prelatit të tij. (f.18)
13.Dom Pal Drançi. Ish-nxënës i Kolegjit të Fermos. Ka pasur rezultate shumë të këqinj. Nuk ua mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë. Pijanec. E akuzojnë për incest, shkon e kërcen publikisht në ballo publike. (f.18)
14.Dom Pjetër Dajçi. Nuk e mëson doktrinën e krishterë. Nganjëherë dehet. Nuk e mirëmban kishën. (f.19)
15.Dom Stefan Konuçi. Nuk e mëson doktrinën e krishterë. I ka dhënë para pashait të Shkodrës, për t’i marrë jetën prelatit të vet. Është larguar nga famullia pa leje dhe ka shkuar në Venedik bashkë me Dom Pjetër Trumshin. Ka celebruar meshën shumë herë duke qenë i pezulluar. (f.20)
16.Dom Nikollë Samrishi. Për sa kam mundur të informohem, është me zakone të mirë dhe jeton në mënyrë të ndershme. (f.21)
17.Dom Ndue Vladanji. Është me zakone shumë të këqinj. Nuk e kryen detyrën e vet, duke u larguar shpesh nga famullia. Ka mbajtur publikisht një konkubinë për disa vjet. Qe zënë në flagrancë nga turqit e Shkodrës, që e kishin vendosur mbi një gomar për së prapthi dhe e kishin kaluar nëpër gjithë qytetin e Shkodrës. Megjithatë, ai kishte vazhduar të shkonte hapur te ajo gruaja. Imzot Pjetër Bogdani, ipeshkëv i Shkodrës, organizoi pezullimin e tij nga meshtaria, por Dom Ndoi shau dhe poshtëroi ndalimin e martesës për klerin katolik. Më vonë, duke dyshuar se gruaja ishte me barrë, prifti Dom Ndoi hodhi helm në raki, siç më thanë, dhe gruaja vdiq. Tani mban një grua tjetër nga ato të pafetë (myslimane, Gj.D.) dhe i del në mbrojtje vëllai i tij, ipeshkvi i Lezhës. (Imzot Gjergj Vladanji? Gj.D.) (f.22).
18.Imzot Pjetër Bogdani, Ipeshkëv i Shkodrës. Nuk e ushtron doktrinën e krishterë në dioqezën e tij. Është shumë i dhënë pas parasë. I rëndonte më përpara famullitarët, duke qëndruar në shtëpitë tyre për dy vjet me shpenzimet e tyre. Për çdo famulli për vajin e shenjtë u merr gjysmë real, gjysmë libre raki dhe shumë vezë peshku të kripura. Këtë vit, për sa kam kuptuar unë, ai është shmangur qëllimisht të mos takohet me mua. Ka grumbulluar në Raguzë, bashkë me xhaxhain e tij, Imzot Andrea Bogdanin, 5000 skude të provizionevet të tyre për çështje sigurie. Është në kërkim (siç më kanë thënë në Rjoll) për të blerë në Ankona banesë dhe prona, për ta transferuar familjen e tyre në një vend të krishterë. Edhe duke qenë ipeshkëv, edhe pse ka pak devocion, rrallëherë e thotë oficien e shenjtë, por ka edhe një jetë të shthurur. Dom Pjetër Trumshit i qëndroi tre vjet në shtëpi, duke i premtuar se do ta bënte arqipeshkëv të Tivarit, dhe pastaj, kur u kujtua Dom Pjetër Trumshi që po e ushqente me shpresa të kota, e përzuri nga shtëpia. (f.23).
19.Dom Gjin Dulëza. Nuk ua mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë. Ka hyrë në famulli me dhunë, i mbështetur nga krahu i pushtuesvet turq. Lexon keq dhe nuk kupton. Udhëton i veshur si turk dhe i armatosur, dhe duket si një barbar thrakas. Është pijanec. Mban miqësi të ngushtë me turqit dhe me raste mban krahun e tyre. (f.23)
20.Dom Nikollë Grubesa. Shërben në dy famulli, në atë të Shën Gjergjit në Buzëgjarpën dhe në të Barbullushit, që e ka zënë me ndihmën e turqvet. Thuhet se kishte komunikuar me turqit për probleme të shëndetit trupor. Është shpirtkeq. Zbaton praktikat turke në shtëpinë e tij. Por, sa jam informuar, mban një grua publikisht jashtë shtëpisë. Është i pandreqshëm dhe nuk ka mundur të kthehet në jetën e mirë. (f.23)
Ipeshkvia e Sapës (6 nëntor 1671-31 nëntor 1671)
21.Dom Pjetër Këlçira. Nuk ka shtëpi qëndrimi të përhershme, pasi shtëpia që kishte pasur në fshatin Gralisht, ishte djegur, kur ishin sulmuar banorët e Iballës nga turqit. Zotëron disi gjuhën italiane. Nuk ndjek me përpikmëri detyrën e vet. Qëndron jashtë famullisë tij. E ka braktisur mësimin e doktrinës së krishterë, defekt pothuajse i përbashkët i të gjithë priftërinjve të Arbërisë. Është pak pijanec, por faleminderit Zotit, jeton me nder. (f.26-27)
22.Dom Aleksandër Bushati. Është neglizhent në mësimin e doktrinës së krishterë. Di të lexojë dhe të shkruajë, por nuk mban libër pagëzimesh, vdekjesh e martesash. Kishte qenë ushtar dhe kishte bërë dy vrasje në rrethinën e Kretës. Qe shuguruar meshtar nga ipeshkvi i Sapës Fra Simon Suma për 50 paoli, siç ma vërtetoi vetë prifti. (f.28)
23.Dom Primo Ufa. E kryen shërbimin pa kujdes. U fut me dhunë në famulli, me ndihmën e turqvet. Qe akuzuar për mëkatet që bënte. I patën thyer kokën dhe dënuar publikisht. Shkonte me një kushërirë të dytë. Grindavec, arrogant, mendjemadh. Mban miqësi me turqit dhe është informator i guvernatorit të vendit për gjithçka që bëjnë klerikët. (f.28)
24.Dom Martin Kama. E tepron nganjëherë me pije. Neglizhent në mësimin e doktrinës së krishterë. Nuk di të shkruajë, nuk është i heshtur, bën jetë të shthurur. Kur kalon kohën me turqit, shkrin gjithë ç‘ka të vetën për ta. (f.29)
25.Dom Pal Kama. Është po aq injorant, sa i vëllai Martini. Pret prej fshatarëvet për të siguruar jetesën. (f.29)
26.Dom Gjergj Lumsi. Ishte nxënës i Kolegjit të Neofitëvet në Romë. Ka marrëdhënie me një grua, duke qëndruar në vijimësi në shtëpinë e saj e jo në qelë. Mban familjaritet me turqit dhe thuhet se vepron kundra klerit dhe klerikëvet. Duke ditur të shkruajë, nuk mban libër të pagëzimevet, vdekjevet e martesavet. Shihet keq nga banorët e famullisë për zakonet e tij shumë të këqinj. (f.30)
27.Dom Lukë Hoti. Ka qenë turk i bërë i krishterë dhe më vonë prift. Është shumë i padijshëm, lexon keq dhe nuk kupton. Nuk di të shkruajë. Ushtron fajdet. Mban marrëdhënie me një fqinjën e tij. Me të ka një djalë, të cilin nuk e pranon as nuk e refuzon. (f.30)
28.Dom Gjergj Zupi. Ky prift është injorant. Di të lexojë, por nuk kupton dhe nuk di të shkruajë. Koprrac dhe lakmitar për para. (f.30)
29.Dom Gjergj Mesi. Ka jetuar në Vendedik rreth 5 vjet. Di të lexojë, por nuk kupton. Nuk mban libra, as të pagëzimit, as të martesavet dhe as të vdekjevet, megjithëse di të shkruajë. (f.30)
30.Dom Gjon Kryeziu. Ka studiuar në Kolegjin Ilirik. S‘ka shumë moral. Ditë e natë rri me cigarishte në gojë, duke pirë duhan. Ato pak gjëra që ka mësuar, nuk i vë në praktikë. Nuk mban libra të pagëzimit, martesës dhe vdekjes. Nuk i mungon jeta e shthurur. (f.31)
31.Dom Ndue Ziu. Nipi i Vikarit Apostolik të Pultir. Është i padijshëm, di të lexojë keq dhe nuk kupton atë që lexon. Nuk di të shkruajë. Është neglizhent për detyrën. Nuk ua mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë, të përkthyer në arbërisht prej Andrea Budit. Shkonte me një grua, e cila vdiq deri sa unë isha në vizitë. Shkon i armatosur me armë zjarri dhe thikë. Është nazeli, i çuditshëm dhe arrogant. (f.31)
32.Dom Engjëll Mesi. Defektoz e shumë nazeli. Mban lidhje me një grua. Në jetë bën skandale dhe ka pak vlera morale. Respektohet pak nga banorët e famullisë, për shkak të zakonevet të tij shumë të këqinj. Nuk di të shkruajë. Është i dhunshëm dhe pijanec. (f.31-32)
33.Dom Martin Ziu. Ka qëndruar 5 vjet në Venedik, di pak të lexojë dhe nuk e kupton atë që lexon, shkruan keq, ka pak gjykim dhe është i ndryshueshëm në gjithçka. Në Venedik ka qenë skandaloz për sa i përket jetës së shthurur, duke shkuar me një grua, kujdestare burgjesh. (f.32)
34.Dom Shtjefën Kalamashi. Defektoz në punën e tij, nuk e mëson aspak doktrinën e krishterë. Jo i moralshëm. Ka lidhje me një grua, e cila kishte qenë shtatzënë, me fetusin e pjekur dhe të gjallë. E bëri të dështonte. Këtë klerik desha ta pezulloj dhe e deklarova të parregullt, por ipeshkvi më kundërshtoi. Nuk ka marrëdhënie të mira me banorët e famullisë, por qëndron atje me forcë. Di të lexojë keq dhe nuk kupton. Nuk di të shkruajë.
35.Dom Ndre Kalamashi. Është defektoz në punën e tij. Di të lexojë disi, por nuk kupton. Nuk di të shkruajë. Në brendësi është mëkatar, por fshehtas. Mban miqësi me turqit dhe është bërë famullitar me ndihmën e tyre. (f.32)
36.Dom Mark Sinçi. Ky prift ka zakone shumë të këqinj, është shumë injorant, lexon keq dhe nuk kupton, nuk di të shkruajë. Është i dhunshëm dhe pijanec. Shoqërohet me hajdutë dhe vrasës, me të cilët kryen vrasje të njohura botërisht. Pret vreshtat, djeg tagjitë dhe i bën njëmijë të këqia në fshat dhe në vendet prreth. (f.33)
37.Dom Ndre Teodori. Është akuzuar për vjedhje. Defektoz në detyrën e tij dhe nuk ua mëson doktrinën e krishterë banorëvet të famullisë. Lexon keq, nuk di të shkruajë. Në thënien e meshës bën mijëra gabime, për më tepër e thotë meshën në shtëpi. (f.33)
38.Imzot Fra Simon Suma, ipeshkvi i Sapës. Ky prelat, si edhe më parë, kur ishte frat i oservantëvet minorë, nuk është i rregullt. I përgjumur në dinjitetin ipeshkvnor, ka rrëshqitur në shumë gabime e defekte. Rron me lëmosha tash dhjetë vjet. Jeton në mënyrë të shthurur, duke mbajtur në shtëpi një grua, të dyshuar për skandale të mëdhenj në rrugë. Kur pat ardhur nga Venediku para dhjetë vjetësh, nuk pat shkuar në rezidencën e ipeshkvisë, por në shtëpinë e asaj gruaje. Ishte këshilluar shumë herë nga banorët e famullisë dhe nga kleri, që të largohej prej atje e të shkonte në rezidencë, por ai shkoi në një shtëpi tjetër. Kështu rezidenca, me të gjithë komoditetet, e bërë me aq shpenzime nga paraardhësit e tij, tashmë është shkatërruar. Është realisht dhe publikisht simoniak (tregtar i pajisjevet të shenjta). Dom Mark Sinçin e ka shuguruar prift për 12 reale. Dom Shtjefën Kalamashin e ka shuguruar për 12 reale. Dom Lekë Bushatit, megjithëse ky kishte bërë dy vrasje në Kretë, i ka marrë 50 paoli dhe e ka bërë prift. Përfundimisht, asnjë nuk është bërë klerik pa paguar. Ka rreth gjashtë a shtatë vjet që është krejtësisht i paaftë, duke qenë se ka humbur mundësinë që nga mesi e poshtë, megjithkëtë, më keq se mungesa e aftësivet, janë jeta e tij e shthurur dhe skandalet. Mban tre priftërinj në shtëpi, edhe ata të shthurur. Përndjek të mirët dhe përkëdhel njerëzit e këqinj. (f.33)
Ipeshkvia e Lezhës (1 dhjetor 1671-6 janar 1672)
39.Dom Pal Gazulli. Ky prift është i padijshëm si gjithë të tjerët. Di të lexojë, por nuk kupton dhe nuk di të shkruajë. Nuk e ushtron doktrinën e krishterë tek banorët e famullisë. Megjithkëtë, ka zakone të mirë dhe u jep këshilla të mira besimtarëvet. (f.36)
40.Dom Pjetër Kaçinari. Ky prift është i padijshëm, lexon keq, nuk di të shkruajë dhe nuk ua meson doktrinën e krishterë banorëvet të famullisë. Këta malësorë janë të dhënë pas vjedhjevet dhe grabitjevet. Ka qenë, me gjithë injorancën e tij, një shembull i mirë, duke mos bërë skandale. (f.37).
41.Dom Teodor Gjansi. Ky ishte i heshtur. Para se të shugurohej kishte kryer vjedhje dhe kjo ishte e njohur nga ipeshkvi. Është i padijshëm, lexon dhe nuk kupton, ka pak emër të mirë, nuk ua mëson doktrinën e krishterë besimtarëvet, udhëton i armatosur me armë zjarri e me thikë. (f.37).
42.Dom Gjon Mamëzi, famullitar i Mirditës. Duke qenë i bërë prift rishtas, di pak të lexojë dhe nuk kupton, nuk e kryen detyrën e tij, pasi nuk ua mëson doktrinën banorëvet të famullisë. Shkon i armatosur me armë zjarri e me thikë. Bëjnë grabitje mirditasit, i japin edhe atij pjesë. (f.39)
43.Dom Prend Trasha. I deformuar në të dyja duart. Nuk ua mëson doktrinën besimtrëvet. Mirditasit e tjerë bëjnë grabitje, merr ndonjë send që ata i japin. (f.39)
44.Dom Pal Gjonema. Injorant, neglizhent në detyrën e tij, i dhënë ndaj trafikut e tregtisë. Në administrimin e sakramenit merr 12 lira. Nuk shkon të administrojë sakramentet te ata të largëtit, nëse nuk e paguajnë. (f.40)
45.Dom Gjergj Muriqi. Defektoz, indiferent, nuk ua mëson doktrinën e krishterë banorëvet të famullisë. Ka qenë në të kaluarën në jetë të shthurur me një grua që tashmë ka vdekur. Tani ka kthyer e jep shembull të mirë. (f.40)
46.Dom Lukë Spiti. Është lakmitar ndaj të hollavet. Ka qenë në Venedik para 28 vjetësh. Di të lexojë e të shkruajë me kompetencë, por është indiferent, nuk ua meson doktrinën e krishterë banorëvet të famullisë. Megjithatë, librin e pagëzimevet, martesavet dhe vdekjevet e mban në rregull. (f.41)
47.Dom Mëhill Kruta. Indiferent në mësimin e banorëvet me doktrinën e krishterë. Ndërsa me sjellje nuk është me skandale. Mban marrëdhënie të mira me të afërmit dhe me banorët e famullisë. Udhëton i armatosur me armë zjarri dhe me thikë. (f.41)
48.Dom Gjergj Gregi. Indiferent dhe defektoz në mësimin e doktrinës së krishterë. E lë shpesh famullinë pa meshë. Udhëton i armatosur me armë zjarri. (f.42)
49.Fra Agostini. Është skandaloz, bën jetë të shthurur. Qëndron i dehur dhe i pabindur ndaj superiorit. I përkrahur nga turqit e Lezhës, ka pak moral dhe jeton me pak shije të mirë. Ka rrahur deri në rrjedhje gjaku shokun e vet Fra Ndre Trasin, për të cilin askush nuk thotë gjë të keqe. (f.42)
50.Dom Pjetër Ziu. Ky prift e bën mirë detyrën e vet, mëson popullin. Për sa kam mundur të hetoj, nuk ka bërë skandale. Qëndron larg familjaritetit me turqit dhe nga ata me jetë të keqe, prandaj meriton me ia rritë shpërblimin me 5 skude. (f.42)
51.Dom Pal Materishi. Është neglizhent dhe nuk e mëson popullin me doktrinën e krishterë. Udhëton i armatosur me armë zjarri e me thikë. Fajësohet se është hajdut. Shoqërohet me ata që bëjnë jetë të keqe. E duan pak banorët e famullisë. (f.43)
52.Dom Pal Lalmi. Për këtë të nderuar nuk mund të them që nuk është i mirë. (f.43)
53.Dom Ndre Reçi. Ky më ka dhënë rastin të dyshoj, pasi ka tërhequr në oborrin e tij një burrë me gruan e tij të hijshme, ka tentuar ta fusë në dorë dhe pastaj e ka larguar. (f.44)
54.Dom Gjon Ukasi. Është indiferent në punën e tij. Është lakmitar në para. (f.44)
Dioqeza e Durrësit (10 shkurt 1672-13 maj 1672)
55.Dom Lazër Dediqi. Është injorant, di pak të lexojë, nuk di të shkruajë, nuk u mëson banorëvet të famullisë doktrinën e krishterë. Mban dele e dhi. Merret me tregti dhe shkon i armatosur me armë zjarri e me thikë. (f.48)
56.Dom Gjergj Mirdita. Është injorant. Di pak të lexojë e aspak të shkruajë. Nuk ua mëson doktrinën e krishterë banorëvet të famullisë. Shkon i armatosur me armë zjarri e me thikë. (f.48)
57.Dom Gjergj Skornja. Është shumë injorant. Di fare pak të lexojë e aspak të shkruajë. Ka zakone shumë të këqinj dhe nuk e thotë meshën. Nuk ua mëson doktrinën e krishterë skllaveve të shitura, skllave të krishtera të shitura tek turqit. Shoqërohet me vrasës rrugësh. Udhëton i armatosur me armë zjarri e me thikë. Mban miqësi të ngushtë me një turk kryesor të Lezhës, të quajtur Sinan Begu. Këta, ndonëse janë të këtillë, nuk janë pezulluar kurrë nga prelati.(f.48)
58.Dom Gjergj Kella. Di pak të lexojë, por nuk kupton dhe nuk di të shkruajë. Nuk ua mëson doktrinën e krishterë banorëvet të famullisë. Është fodull dhe arrogant. Dehet lehtësisht. Pijanec. (f.48)
59.Dom Gjon Lura. Është neglizhent, sepse nuk ua mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë. Fut hundët në gjëra të vogla. Jo i zgjuar. I dhunshëm. Ka qenë më parë turk. Qe pagëzuar pastaj bërë prift nga Imzot Nikollë Kurpeni. Udhëton i armatosur me armë zjarri dhe me thikë. Besoj se pak herë flet për detyrën. (f.49)
60.Dom Primo Gjani. Nga i ritit grek ishte kthyer në ritin latin. Kishte kryer një vrasje. Pasi fitoi lirinë, qe bërë prift nga Imzot Nikollë Kurpeni. Nuk ua mëson doktrinën e krishterë besimtarëvet. Nuk di aq mirë të lexojë e të shkruajë. Megjithatë, është me zakone të mirë. (f.49) (Ky vlerësimi i fundit është disi i çuditshëm. Gj.D.)
61.Dom Gjergj Hala. Nuk ua mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë. Kur thotë meshën, bën mijëra gabime dhe nuk di të shkruajë. Udhëton i armatosur me armë zjarri e me thikë. (f.49)
62.Dom Lazër Dedi. Ky prift nuk e mëson doktrinën e krishterë. Di diçka të lexojë, por nuk di të shkruajë. Udhëton me armë zjarri e me thikë. Megjithatë, nuk është me skandale në lidhje me banorët e famullisë dhe as i shthurur në veprimtarinë e tij. (f.50)
63.Dom Gjon Dukagjini. Nuk ua mëson doktrinën e krishterë besimtarëvet. Di pak të lexojë, por nuk di të shkruajë. Udhëton i armatosur me armë zjarri e me thikë. Nuk është i shthurur në jetën private. (f.50)
64.Dom Stefan Skura. Ky prift nuk qëndron i mbyllur në një vend. Di të lexojë pak, por nuk di të shkruajë. Mbante miqësi të madhe me një turk kryesor të Matit, i cili ka pak ditë që është vrarë. (f.51)
65.Dom Gjergj Lufi. Nuk është i ditur dhe nuk e mëson doktrinën e krishterë. Di pak të lexojë dhe nuk di të shkruajë asgjë. Megjithatë, nuk bën jetë të shthurur. (f.51)
66.Padre Aleksandër Luçi. Është 70 vjeç. Për shkak të mungesavet ka shitur më përpara një kelk të Kuvendit të Lezhës, i gjithi në argjend në vlerën e 50 skudeve. Ia kishte dhënë një maskarai, priftit Dom Gjoni të Gurit të Bardhë, i cili ua kishte shitur turqvet, duke fituar gjysmën e shumës. (f.51-52).
67.Padre Gabriele Greni. Ka shumë defekte. Kur është zgjedhur Ministër Provincial, 6 fretër oservantë, duke qenë kundër, kanë dalë jashtë, për të mos ia dhënë votën. Por 5 të mbetur brenda, midis të cilëvet 2 rishtarë, e kanë zgjedhur dhe ai është kthyer në një despot dhe ka bërë çfarë ka dashur. E ka burgosur Fra Françesko Maria Kabashin, kundërshtarin e vet, dhe e ka trajtuar në mënyrën më çnjerëzore, duke e mbajtur në një burg të nëndheshëm që gjendet në Kepin e Rodonit. (f.52)
68.Dom Primo Lalëzi. Jeton në mizerje, është fort injorant, megjithatë, lexon çfarë i dërgohet dhe e thotë meshën me të gjitha kërkesat e ceremonisë së shenjtë. Nga jeta dhe zakonet është i ndershëm, pra vjen i denjë për t’u trajtuar mirë nga Kongregacioni i Shenjtë. (f.53)
69.Dom Gjon Mollkuqi. Ky misionar apostolik është i frytshëm si në mbajtjen e këtyre të krishterëve, edhe në pakësimin e atyre që kishin kaluar në muhamedanizëm. U mëson për festa banorëvet të famullisë doktrinën e krishterë. Jep shembull të mirë dhe ka zakone të mirë, ka moral dhe qëndron larg shoqërisë së atyre që bëjnë jetë të keqe dhe, për sjelljet e tija të mira, është i denjë t’i rritet shuma e zemërgjërësisë së Kongregacionit të Shenjtë me 5 skude. (f.54)
70.Dom Gjergj Mesikoja. Ky prift ka qenë ushtar. Është injorant, lexon keq dhe nuk di të shkruajë, nuk di të organizojë meshën as zyrën. Nxitës i rrëfimeve, skandaloz dhe me pak moral. Nuk u meson doktrinën e krishterë banorëvet të famullisë së tij, të cilët s’e duan, për shkak të cilësivet të tija të këqia. (Gj.D: „Nxit rrëfimet“, ndoshta me kuptimin që rrëfimet i përdor për keq.) (f.54)
71.Dom Gjergj Gurabardhi. Nuk ua meson besimtarëvet doktrinën e krishterë, një e metë pothuajse e përbashkët e të gjithë priftërinjve të Arbërisë. ky dhe Dom Ndre Mati, që shërben në të njëjtën kishë, nuk bëjnë skandale as nuk shoqërohen me njerëz me jetë të keqe dhe nuk mbajnë miqësi me turqit. (f.55)
72.Dom Nikollë Zumi. Nuk ua mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë. Lexon me kompetencë dhe di pak të shkruajë. I dhënë pas të hollave, shpreson t’u bëjë të mira njerëzvet të tij dhe për këtë lakmi shpesh u drejtohet banorëvet të famullisë. Për çdo të vdekur që varroset, kërkon një reale. (f.55)
73.Dom Nikollë Bodini. Pashë se në kishë mbante rregull të keq dhe s’kish mirësjellje. Kur i kërkohej të mbante një meshë, duhej të pastronte, lante e purifikonte shtrojet e altarit. Pak përpara meje kishte qenë prelati e, megjithatë, nuk kishte lënë asnjë urdhër. Kështu, kudo që kam vizituar, kam parë që prelati ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Dom Nikolla lexon me kompetencë, por nuk di të shkruajë. Nuk u mëson doktrinën e krishterë banorëve të famullisë, megjithatë është me zakone të mirë. Nuk shoqërohet me njerëz që bëjnë jetë të keqe dhe i largohet miqësisë me turqit. (f.55)
74.Dom Gjon Bogdani. Ky prift lexon me kompetencë, është shembull i mirë, larg shoqërisë me ata që bëjnë jetë të keqe. Ua mëson doktrinën e krishtrerë banorëvet të famullisë. (f.56)
75.Dom Gjon Ziu. Lexon mirë dhe shkruan me kompetencë. Të dielave i mëson banorët e famullisë. Jep shembull të mirë, duke qëndruar larg njerëzve që bëjnë jetë të keqe dhe atyre që kanë miqësi me turqit. (f.56)
76.Dom Ndre Kurti. Është injorant, di të lexojë pak e nuk di të shkruajë. Është shumë i përfolur. Përflitet për një ndrikull të tijën se flë shumë herë në shtëpinë e tij. (f.56-57)
77.Dom Ndre Shpata. Është injorant, me zakone shumë të këqinj. Ka ushtruar rrëfimet pa leje të prelatit të vet. U jep strehë vjedhësvet, duke blerë sende prej tyre. Nuk ia mëson doktrinën kësaj pakice të krishterësh. Mban shoqëri me ata që bëjnë jetë të keqe. (f.58)
78.Dom Jovan Gurabardhi. 60-vjeçar, injorant, fajdexhi. U jep ndihmë vjedhësvet, duke u blerë atyre sende të vjedhur. U ka shitur turqvet kelkun e Kuvendit të Lezhës, të dërguar nga Fra Aleksandër Luçi. (f.58)
79.Dom Martin Gurbardhi. Është 60 vjeç me qëndrim e zakone shumë të këqinj, duke qenë se ka mbajtur një konkubinë më tepër se 20 vjet, e cila ka vdekur së fundmi. Nuk u mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë. Ushtron tregtinë. Nuk e duan, për shkak të qëndrimevet të tij të këqinj. (f.59)
80.Dom Gjergj Mëhilli. Nuk ua mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë. Di të lexojë, por nuk kupton dhe nuk di të shkruajë. Kishte rrëmbyer një grua në fshatin e quajtur Vrioni. Vdiqën dy njerëz të gruas së rrëmbyer, në mbrojtje të nderit të saj. Udhëton i armatosur me armë zjarri e me thikë. (f.59)
81.Dom Ndre Koleci. Nuk ua mëson doktrinën e krishterë banorëvet të famullisë. Di pak të lexojë, por nuk di aspak të shkruajë. Në jetesën e tij jep shembull të mirë. (f. 59)
82.Dom Nikollë Mesikoja. Është neglizhent dhe nuk ua mëson besimtarëvet bazat e fesë. Koprrac dhe lakmitar për të holla. Pashë se në kishë mbante kashtë, sanë, fuçi dhe kazan. Pak kohë më parë Imzot Galata e kishte vizituar kishën dhe e kishte gjetur në të njëjtën gjendje, megjithatë, nuk kish marrë asnjë masë kundër priftit. (f.59)
83.Dom Primo Lumsa. Është me zakone shumë të këqinj. E ka zhveshur kishën nga petkat e orenditë e shenjta. Dërgoi 8 turq t’u dilnin përpara Dom Gjon Mollkuqit dhe Dom Primo Lalësit, dhe i keqtrajtuan deri në gjakosje. Është heshtur për vjedhës kuajsh e sendesh të tjerë. Udhëton me armë zjarri dhe me thikë dhe nga kjo e dominon prelatin. Mban miqësi të ngushtë me turqit dhe përfiton nga miqësia e tyre. Urrehet nga banorët e famullisë. (f.60)
84.Dom Gjon Vrioni. Nuk ua mëson doktrinën e krishterë banorëvet të famullisë. Di pak të lexojë dhe nuk di aspak të shkruajë. (f.60)
85.Imzot Gerardo Galata, Arqipeshkëv i Durrësit. Ky prelat kishte lindur nga prindër të pafe me emrin turk Hysen. Nënën e kish pasur prej katolikësh. Mësova se besonte në Muhametin në moshë të vogël dhe se ish pagëzuar dy herë. Herën e parë në një kishë të Kurbinit, herën e dytë në Arjanë. Ka përdorur mashtrime kundër paraardhësit të tij, Imzot Nikollë Kurpeni. Duke parë se po vdiste, i ka bërë testamentin me përfitime për vete. Pastaj, kur arqipeshkvi ka vdekur, e ka grisur testamentin dhe ka hartuar një tjetër me ndihmën e frat Aurelit, duke i marrë të gjitha të hollat që i kish lënë prelati i ndjerë. (f.61)

Dioqeza e Tivarit (22 qershor 1672-30 qershor 1672)
86.Dom Marino Jeliqi. Nxënës i Kolegjit Propaganda e Fesë, misionar apostolik. Ankohen për të ata të fshatit Shushan se nuk u shërben me përpikmëri, nuk u mëson doktrinën e krishterë. Nganjëherë është i paqëndrueshëm. Megjithatë, asnjëherë nuk ka abuzuar me orenditë e rrobat e shenjta të kishës. (f.74)
87.Dom Pjetër Gjergji. Është i paaftë për të kryer detyrën e famullitarit për shkak të moshës. Nuk ua ka mësuar dhe nuk ua mëson doktrinën e krishterë besimtarëvet. Është koprrac dhe lakmitar për të holla. Megjithatë, nuk ka abuzuar me pajisjet e rrobat e shenjta. (f.74)
88.Dom Fran Gjorga. Është shumë injorant dhe nuk ua mëson besimtarëvet doktrinën e krishterë. Merret me tregti. Merret me fajde. (f.75)
89.Imzot Andrija Zmajeviqi, Arqipeshkëv i Tivarit. Bën që klerikët të ushtrojnë doktrinën e krishterë dhe po ashtu jep mësim çdo ditë në shkollë, duke mësuar të rinjtë. Ai punon me entuziazëm të plotë për të rregulluar jetën kishtare. Plot mëshirë dhe zell në Zotin, angazhohet me çdo mjet që të ofrojë në gjirin e Kishës së Shenjtë popujt skizmatikë të Pashtroviqit. Është shembull i mirë, mësues pozitiv ndaj popullit. (f.77)
Midis këtyre, vetëm 8 janë vlerësuar me fjalë të mira. Domethënë, më pak se 10%. Dom Nikollë Samrishi, Dom Pjetër Ziu, Dom Pal Lalmi, Dom Primo Lalëzi, Dom Gjon Mollkuqi, Dom Gjon Bogdani, Dom Gjon Ziu dhe Imzot Andrija Zmajeviqi, i cili ish nga Grykat e Kotorrit dhe nuk e quante veten arbër.
Kjo, që Imzot Andrija Zmajeviqi nuk e quan veten arbër dhe ëshë më i miri midis afër 90 arbërve, duket sikur s’ka shumë rëndësi. Por ne, në këtë rast, nuk na lejohet të mos shqetësohemi. Madje të alarmohemi deri thellë brenda mendjes dhe brenda shpirtit tonë. Nëse Imzot Andrija Zmajeviqi ishte një i huaj, pse duhej pikërisht ai të ish më i miri midis afër 90 klerikëve arbër?! Nëse Imzot Andrija Zmajeviqi ish me prejardhje iliro-arbërore, përse ish dashur që të parët e tij të ndërronin identitet, që pasardhësi i tyre të ish pozitiv?! . Dom Shtjefën Gasprin e sponsorizojnë të huajt dhe marrin përsipër të huajt për të na përmirësuar. Përse vetë ne nuk ishim të zotët për të qenë klerikët tanë të mirë, por duhej të kujdesej për ne dikush tjetër?! Përgjigjja është fare e thjeshtë: Jo se ne jemi “race e poshtër”, siç mund të konkludojë ndojë i cekët, por sepse ne nuk e kishim e as sot nuk e kemi një institucion tonin të kohezionimit etniko-kombëtar.
Për të mos qenë nxirës të realitetit, përkundrazi, duke synuar që secilit nga paraardhësit tanë t’i bëjmë vlerësimin që i takon, ne këtu po sjellim edhe një emërore tjetër klerikësh, arbër e në vazhdim shqiptarë, të cilëvet brezat që vijnë duhet t’u jenë mirënjohës. Duhet t’u jenë mirfënjohës, sepse, gjithsesi, pa ata klerikë, intelektualë kryesorë e shpeshherë të vetmit intelektualë të Kombit, Kombi ynë nuk do të ish sot as këtu ku është. Gjon Gazulli, Marin Barleti, Dhimitër Frangu, Leonik Tomeu, Gjergj Pelini, Pal Engjëlli, Pal Gazulli, Maksim Artioti, Gjon Buzuku, Pal Pjetër Engjëlli, Maksim Dionisi (Filozofi), Nikollë Mekajshi, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Fran Bardhi.
Këta ishin që të gjithë, të kohëvet para kohës së atyre që pak parë i lexuam për keq. Midis këtyre ka të atillë klerikë, pa të cilët as që do të mund të kuptohej historia e Kombit tonë. Një Marin Barlet, një Pal Engjëll, një Gjon Buzuk, një Maksim Dionis, një Lekë Matrëngë, një Pjetër Bud, një Fran Bardh. Maksim Dionisi, i mbiquajtur Filozofi, ka organizuar një nga kryengritjet më të mëdha antiosmane në Jugun tonë! Dhe e kanë rrjepur të gjallë dhe lëkurën ia kanë çuar në Stamboll!
Gjon Nikollë Kazazi, Nezim Frakulla, Nikollë Filja, Sulejman Naibi, Jul Variboba. Fillojnë kështu, në shekullin 18, edhe klarikët myslimanë ta ndiejnë veten të thirrur për t’i prirë Kombit andej nga duhet. Bashkë me bashkëkombësit e vet të krishterë. Duhet të përfytyrojmë që, klerikët tanë myslimanë të deriatëhershëm, do të kenë qenë edhe më të këqinj, edhe më negativë se këta 80 klerikë katolikë që Dom Shtjefën Gaspri i ka damkosur kaq keq.
Kalojmë në shekullin 19. Nikollë Keta, Teodor Haxhifilipi (Dhaskal Todri), Imzot Françesk Buliari (me prejardhje arbërore), Dalip Frashëri, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Kyçyku-Çami, Françesk Anton Santori.
Këta ishin ata që nuk e arritën shekullin 20. Këta bënë dritë deri në prag të shekullit 20, kurse të tjerët, që do t’i përmendim tani, morën dritë në shekullin 19, bënë dritë në atë shekull dhe e prunë po atë dritë edhe në shekullin 20.
Said Najdeni (Hoxhë Voka), Papa Kristo Negovani, Hafiz Ali Ulqinaku, Dom Nikollë Kaçorri, Leonard de Martino (me prejardhje arbërore), Ymer Lutfi Paçarizi, Atë Shtjefën Gjeçovi, Dom Ndre Mjeda, Atë Stath Melani, Atë Gjergj Fishta, Atë Bernardin Palaj, Atë Vinçenc Prennushi, Atë Justin Rrota, Imzot Fan Stilijan Noli, Atë Vinçenc Malaj.
Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund ta përfytyrojë veten ndryshe, veçse duke kultivuar, madje duke adhuruar, çdo gjë pozitive që ka pasur shekull mbas shekulli udhëheqja shpirtërore e Etnisë sonë e më vonë e Kombit tonë, dhe duke mos u pajtuar kurrsesi me asgjë negative që mund të kenë pasur një pjesë e atyre udhëheqësve shpirtërorë, të cilët, në të vërtetë kanë qenë shkaktarë që Kombi ynë sot gjendet kaq i rrudhur. Ata që kultivuan virtyte të mirë, e ruajtën këtë etni për të mos u shpërbërë, ata që rrezatuan vese, e kanë marrë më qafë këtë etni, aq sa sot shumë bashkëkombës tanë bëjnë pyetjen: A do të na zërë gjallë, si komb, shekulli 21 ?! A do të flitet gjëkundi shqip mbas vitit 2100 ?! Kështu thonë. Ne nuk themi kështu. Ne themi: Nëse nuk e vëmë në këmbë ashtu si duhet Përkujdesjen Gjithshqiptare, atëherë vërtet gjuha shqipe do të vijë duke u rrëgjuar, frikshëm dhe realisht rrëzikshëm! Por nëse e vëmë në këmbë ashtu si duhet Përkujdesjen Gjithshqiptare, Kombi ynë ka për të përjetuar një lulëzim të paparë deri më sot.
Durrës, 17-22 tetor 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura