GJOKË DABAJ: PO TA LEXONI VEPRËN E MITRUSH KUTELIT, DO T’IA PUTHNIT MERMERIN E VARRIT!

Durrës, 17. 07. 2016: (Një bisedë e trishtë me 50 mijë të reja e të rinj shqiptarë) – Nëse do ta lexonit veprën e Mitrush Kutelit, ju, edhe pa ju thënë unë, do të shkonit te varri i tij dhe do t’ia puthnit mermerin e varrit.
Por ju nuk lexoni libra! Nuk lexoni dhe kjo është fatkeqësia juaj kulturore më e madhe! Nëse, kur të plakeni, do të detyroheni ta quani veten brez i dështuar, kjo do të ndodhë pikërisht sepse nuk keni lexuar libra! Një njeri që nuk lexon libra, është, në pikëpamje intelektuale, njeri i dështuar. Një brez që nuk lexon libra, është, në aspektin intelektual, brez i dështuar. Por, kur të themi brez i dështuar, nënkuptohet që edhe kombi, të cilit i përket ai brez, është një komb i dështuar, për atë periudhë që i takon atij brezi.

Një e re apo i ri, të paktën nga mosha 17 vjeç e lart, duhet të lexojë e pakta 20 faqe libër në natë dhe, kur të jetë bërë 70 vjeç, ai duhet të ketë bërë të vetën një literaturë prej 365 mijë faqesh.
Kjo është receta dhe kjo është e vetmja mënyrë që, një komb, duke parapranuar se e pakta 20% e tija do ta zbatojë këtë recetë, do të mund të quhet komb i kulturuar. Përndryshe, cili komb nuk e zbaton këtë rregull në kohën tonë (flas për kohën tonë), ai do të mbetet për t’u quajtur komb refugjo, të cilin do të mund ta marrin me lopatë, ta ngarkojnë në një kamion, tren apo anije dhe ta derdhin ku të duan.
Duke e ditur që ju, të dashur të rinj e të reja, nuk i keni lexuar 20 faqe libër në çdo natë, e kam të qartë që as veprën e Mitrush Kutelit nuk e keni lexuar. Madje, edhe mua, që e kam zbatuar këtë rregull gjithë jetën, kish rrëzik të më mbetej pa u njohur ky krijues i yni kaq i madh.
Po ju flas vetëm për njërin prej tregimevet të tij, “Vjeshta e Xheladin beut”, shkruar në Bukuresht në vitin 1939. Është një tregim me rreth 40 faqe, të cilin, një lexues i rregullt, e fillon dhe e mbaron me dy “seanca”.
Në fund, pasi e mbarova, shënova kështu: “Një kryevepër e letërsisë botërore”.
Kam lexuar plot kryeautorë dhe kryevepra botërore.
Një Balzak,
një Turgeniev,
një Xh.London,
një Ç.Dikens,
një Hygo,
një Lermontov,
një Mopasan,
një Çehov,
një Markez,
një Kamy,
një Heminguej,
një Flober,
një Gollsuorth…
Kam lexuar vepra që e kanë marrë Çmimin Nobel. Prozatorët tanë të mëdhenj apo të mirënjohur,
një A.Demaç,
një I.Kadare,
një R.Qose,
një N.Prift,
një S.Drin,
një M.Zeqo.
Që të gjithë kanë vendin e vet, sepse asnjë mal nuk mund të quhet impozant pa një larmi drurësh, por edhe shkëbinjsh kryefortë.
Midis veprash që e kanë marrë dhe, sigurisht, e kanë merituar Çmimin Nobel, ka edhe të atilla që unë nuk mund t’i vë përpara “Vjeshtës së Xheladin beut” dhe ju siguroj që nuk po bie kështu në subjektivizëm.
Mirëpo, kujt po i flas unë?!
Unë u flas 50 mijë (apo ndoshta 1 milion) të rejave dhe të rinjve shqiptarë, për të cilët jam i sigurt se nuk do ta lexojnë as shkrimin tim, të publikuar në të quajturit rrjete socialë, le më veprën e M.Kutelit, që është dhënë vetëm në libra prej letre.
Tregimi “Vjeshta e Xheladin beut“ bën fjalë për, e pakta gjysmën e qeveritarëvet tanë të sotëm, për një shumicë deputetësh tanë, për pushtetarët tanë të bashkivet e të komunavet dhe për një varg presidentësh të firmavet e kompanivet që veprojnë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe në të gjithë qytetet e tjerë të Shqipërisë.
Do të thotë dikush: „Si është e mundur?! Tregimi është shkruar këtu e 77 vjet të shkuar!“ Por pikërisht këtu qëndron vlera e kësaj vepre. Një vepër e madhe u takon të gjitha kohëve.
Një njeri që ka pushtet, por s’ka moral pozitiv njerëzor!
Një njeri që ka pasuri, por s’ka as moral, as kulturë për ta përdorur atë pasuri!
Nuk ka skrupuj gjëkundi!
Është krejt i paskrupull!
Në 40 faqe letër janë renditur të gjitha të këqiat njerëzore. Në të njëjtat ato faqe, gjuha tregimtare e M.Kutelit është nga më të bukurat, pra, nga më të arrirat që një artist i fjalës mund ta synojë. Unë i numërova këtu rreth 220 fjalë që ne gjuhëtarët i quajmë fjalë të rralla. Disa janë neologjizma, pra, një kontribut i vyer në pasurimin e gjuhës sonë. Disa, madje një shumicë e tyre, janë fjalë e shprehje që feudalët tanë të atëhershëm i përdornin si “stoli” të “kulturës” së tyre otomane e që e shëmtonin gjuhën tonë po aq sa e shëmtonin “kulturën” e vetë atyre myteberëve. Krejt stili i tregimit është nga më të arrirët, në shërbim të temës dhe idevet, që autori i ka vënë vetes qëllim për t’ia transmetuar lexuesit.
Shtëpia ku jeton Xheladin beu, vendbanimet që ai i ka nën sundim dhe i quan të tijët, njerëzit që gjallojnë nën sundimin e tij, që të gjitha na i ka pikturuar M.Kuteli me fjalët e fjalitë më mjeshtërore.
Xheladin beu, pothuaj në çdo veprim të tijin, apo edhe me mënyrën se si flet ai, krijon te lexuesi përshtypje të pashlyeshme. Krijon vrraga, krijon rrudha në shpirtin e lexuesit.
Ç’nuk gjen njeriu në këtë tregim!?
Makutërinë në të ngrënë! (Shkoni nëpër restorantet dhe motelet, dhe shihni si hanë myteberët tanë të sotmit)!
Pangopësinë në grumbullim pasurie, dinakërinë, servilizmin ndaj njerëzvet që u interesojnë, harbutërinë, arrogancën, cinizmin, ndaj të nënshtruarvet!
Xheladin beu jeton midis një turme njerëzish të nëpërkëmbur, të cilëvet u është mohuar krejt personaliteti! Ata janë “të lirë” vetëm për të zbatuar ç’thotë padroni i tyre.
Atij i shërbejnë një tufë femrash, vënë në dispozicion të tijin me çdo gjë që kanë. Ai ka një grua sa për formë, siç i kanë shumë nga “vipat” e kohës sonë, ndërsa kërkesat e tija seksuale, të pafrerë, i plotësojnë, pa një pa dy, të quajturat kopile. Sheh një vajzë dhe e bën të vetën, ngopet me të dhe e braktis, duke gjetur një tjetër.
Zhvirgjërimi i vajzavet të mitura, 12 e 13-vjeçe, është pjesë e rëndësishme e “pasionevet” të tij. Përdhunimet, homoseksualizmin me të quajturit dylberë, incestin, të gjithë llojet e ndotjevet të moralit njerëzor i gjejmë aty, te i njëjti njeri.
Nëse dëshiron t’i urresh veset antinjerëzorë të njerëzvet, lexo këtë tregim.
Nëse dëshiron të dish deri ku mund të arrijë të vetëndyrët e qenies njeri, lexo këtë tregim dhe nëse dëshiron të fisnikërosh vetëveten me virtyte të kundërt me veset që na pasyrohen këtu, duhet doemos ta lexosh këtë vepër.
Por unë prapë nuk po mund të çlirohem nga shqetësimi, nga brenga, madje edhe nga alarmi: ”Ç’po bëhet kështu me të rejat e të rinjtë tanë që nuk po lexojnë libra?! Përse kanë mësuar të lexojnë e të shkruajnë këta djem e këto vajza?! Pse i kanë shpenzuar 16 vjet të jetës së vet, gjoja për t’u shkolluar, në mos lexofshin e në mos shkrofshin asgjë për të qenë, pasi të kenë diplomuar?!”
S’ka rrugë tjetër, veçse, vajzat e këtyre 50-mijëvet, që unë iu drejtova, të jetojnë si “kopilet” e Xheladinëvet, ndërsa djemtë, si “dylberët” ndër kthetrat e Xheladinëvet, të cilët janë me bollëk e me tepricë në të gjitha kohët. Në këto rrethana palexueshmerie kaq të papranueshme, natyrisht që askush prej këtyre 50 mijëve (apo 1 milion e 500 mijëve) nuk ka për t’ia puthur mermerin Mirtush Kutelit.
Gjokë Dabaj – Durrës, 16 korrik 2016

=======================================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

FRAGMENT NGA NOVELA E MITRUSH KUTELIT “VJESHTA E XHELADIN BEUT

***
As vetë Xheladin Beu nuk dinte përse ndjente një zbrazëtirë aq të madhe në zemër atij mëngjezi vjeshte të dytë. Një zbrazëtirë sa një zgërbonjë gështenje që e ka brejtur krymbi përbrenda, një shembëtirë, një trubullirë e një neveritje pa fund e pa anë… Edhe çudi: mëngjezi s’ishte i keq. E rrallë dhe e verdhë, vërtet, fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafazë, po qielli i kulluar, i ëmbël. Shpeshëria që, siç na duket neve, njerëzisë, s’ditka kurrë se ç’qenka dhembja e pikëllesa, cicërinte e ngazëllohej me bujë të madhe aty pranë konakëve të beut e tej e tutje – arave, pemëve, qiellit – kurse ay, Xheladin Beu i Shemshedin Beut të xheladin Pashait, apo “Beu i madh”, siç i thosh tërë bota, zot i patundur mbi çifligje e mbi njerëz, ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër.

Gojën e kish të hidhur sikur paskej ngrënë shafran, qiellëzën të thatë, gjuhën të trashë si shuall bualli. Dhe herë-herë, një të therur në tepelekun e kokës. As nga shëndeti, as nga malli e gjeja s’ish qarë shumë gjer ahere Beu i madh. Shëndetin e kish patur grurë: burrë i ngjeshur, dërdëng, ta çaje bëje katër: kamjen të rëndë, shumë brezash, sa as vetë s’ja merrte dot radhën me të numëruar e me kalem; bujqit, rajej e harbutë, të gjithë me dorën në zemër, si nuse kaurri: s’guxonin as t’i thoshin me emër, as ta shikonin në dritën e syrit.
Edhe sikur t’u bënte urdhër që të shtirheshin përdhe që t’i shkelte me këmbë, siç shkelet balta për të bërë plitharë, shumë prej tyresh do të shtriheshin t’i shkelte. Se jo më kot Xheladin Beu kish në dorë bukën e kopaçen, tamam ç’i duhet fusharakut që të bëhet i butë si dele, jo aq fort për jetën e tij sa për atë të fëmijve të njomë e shumë brenga të tjera të kësaj dore. Tua të qaheshin? Po kujt t’i qaheshin? Kush i dëgjonte? Të ngriheshin e të iknin? Mirë, të iknin, po ku? Kudo që të shkonin i priste qaforja, sepse gjithë bejlerët e pashallarët kishin kërbaç e qahjanj. Tërë dheu që jepte bukë ishte e tyrja. Mirë thoshin ata që thoshin: gjithë derrat një turi kanë…
Ca që ishin ngritur e kishin ikur natën, në erësirë, me fëmijët në kosha e pleqtë në tezga, kishin humbur si uji nëpër ujë, nuk u qe ndjerë nami e nishani. Prandaj ata që kishin mbetur, rrinin aty ku ishin, bënin grurë e hanin misër. Kur s’kish misër të mirë, hanin misër gjarpri, këlkëzë, të shkuar nëpër tri ujra, zienin përbrenda siç ziejnë e roniten në lyrën e vet ato kokat e këmbët e bagëtisë të futura në një poçe të madhe balte, me këltyrën të zënë me brumë, brenda në furrë.
Nuk u ndjehej as regëtima, as cicërima. Herë-herë binte ndonjë sëmundje e u vinte kosën të vegjëlve e të mëdhenjve; shtëpi e fshatra të tëra mbeteshin të shkrta. Po, çudi, çudi, pas sëmundjes shtroheshin përsëri si fara e sinapit. Ta pret mendja se ndër rajenj e ndër harbutë kish edhe kokëndezur, që nuk duronin më tej e mateshin t’ja shkrepnin, po Xheladin Beu, që ishte brezi i tretë zot në atë mëngë të mbretërisë së madhe të Baba sulltanit, e kish vënë punën në vijë të mos bënte rrëk njeri, kështu që kokëndezurit mbeteshin pa kokë përpara se të ndiznin koka të tjera. Këtë punë e bënin qajhallarët, “trimat” siç u thosh beu, apo “lanxhot”, “larot”, “zybat”, siç u thoshin me gjysmë goje ata të tjerët, vegjëlia. Ja kështu! Puna e bejllëkut dhe e çiflikllëkut do marifete. Dhe marifetet mblidhen e shtohen brez pas brezi, nga babai, nga gjyshi e më tej.
Këto marifete Xheladin Beu i kish në xhep dhe i nxirrte një nga një a të gjitha bashkë, si t’ja donte puna. Veç kësaj, duhet ta dini se ai kishte zënë të gjitha shtigjet, shpatullat i kishte të ngrohta dhe i kthente gjithnjë andej nga ngrohte dielli, duvaxhi me mish e me shpirt i “llambës së dynjasë”, Baba sulltanit, të cilit i dërgonte kur e kur peshqeshe: mahmudije të verdha e çupa të bardha, nga çifligjet e tija. Nuk e harronte Kapu Aganë, as sadrazemin, as sulltan-validenë, as adëmin e madh, të parin e haremllëkut të sulltanit, që të mbyllnin sytë kur Xheladin Beu zgjeronte çifligjet lart e poshtë, në stërkat e bujqësisë, në zabelët dhe tokat e buta pa zot.
Nuk përzihej fort në gërnjat e të mëdhenjve të mbretërisë, po kur i vinte ndonjë bumbashir e i thosh se Baba sulltani kish luftë s’di se ku, në Qyrdistan, në Rabistan apo në Tinglimajmunistan, beu i dërgonte karvanë me imdate e njerëz me dyfegje, që do të linin kokat andej. Po mbi të gjithë, beu mbështetej tek i vjehri, që ish bir veziri, mbështetej tek të kunetërit, që ishin të gjithë në bukë të madhe.
Me gjithë këto të mira që zumë në gojë e ato që nuk i zumë fare – kazanët e qypat dinga me mahmudije të verdha nga ato të merhum sulltan Mahmutit, me dupje lira, ingjiliska e verdhashka të ndryshme të kauristanit (s’prish punë se i kish prerë kauristani, alltën ishin edhe këto, nuk i hante ndryshku) dhe që i shtoheshin mot për mot, kukumale – me gjithë ata trimat mustaqepresh e mustaqerruar, që kish nënë urdhër e që s’linin të fluturonte as zogu pa lënë poshtë ndonjë pendë, se nuk i ushqente më kot me mish të majmë e somune të bardha, Xheladin Beu ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër (po, brenda në zemër) atij mëngjezi të ëmbël vjeshte.
Dhe kjo oda e madhe e konakut të madh me mure kalaje, me ca dritare me nga dy palë hekura të përdredhura si brirë dashi e me kafazë, nëpër të cialt drita e diellit hynte e çjerrë si nëpër ca kula drizash, i qerthullohej beut ashtu siç qerthullohen kuajt në lëmë. Jo, nuk qerthullohej oda, po qerthulloheshin trutë e Xheladin beut.
Dhe nuk dinte ç’ishte kjo punë. I sëmurë nuk ishte, sepse ishte ngjallur, dhe të ngjallurit, thonë, nuk sëmuren kurrë. Kish patur, vërtet, në të ri, një si frëngjyzë a si i thonë asaj sëmundjes së frëngut, që ja kish dhënë peshqesh një cingi e trashë, brenda në Manastir, ku kish vajtur me ftesën e valiut dhe kish “këmbyer gjellën”, po kjo s’ish gjë: punë e vjetër, e harruar. Fshikën ja kish mbyllur një xherah plak me melhem zhive e hudhër të shtypur në havan e s’di çfarë tjetër.
Ca më vonë i qe mbushur trupi me pushkuriza prush të kuqe, po edhe këto i kish mbyllur me melhem dhe trupi i qe zbardhur përsëri. Pastaj i kish rënë leshi i kokës, po rroftë festja me xhufkë, që ja mbulonte tullupanen. S’di se kush i kish thënë se po të kesh ndonjë sëmundje të kësaj dore, duhet ta hedhësh, t’ja japësh dikujt, ta përndash mbarë e prapë: peshqesh e dhe! Kjo isht epunë që dihej.
Filan be, hanedan i madh, e kish hedhur oftikën duke pështyrë fshehur në gjellët e mira që u shtronte mysafirëve dhe, thoshin, ish bërë mirë, kish rrojtur edhe mjaft vjet. Ç’është e drejta, me kohë e mot, shumë nga mysafirët e të afërmit ishin sëmurur, po kësaj s’ke ç’i bën: sikush si ta ketë shkruar nga dora e zotit. Fundi i fundit, përse ata të mbeteshin faqekuq si molla, kurse ai, beu handean, të zverdhej e të thahej dita ditës? Ata të rronin, ai të vdiste – ë? Kështu bëri edhe Xheladin beu; i suall një çupë të mitur (sa më e mitur, thoshin, aq më e mirë është për benë, se të miturat e kanë gjakun të hollë, të valë, dhe gjaku i hollë dhe i valë e hollon, e ngroh dhe e spastron gjakun e trashë, të ftohtë…) dhe beu e pishi. E prishi e dha urdhër ta shpinin tutje që të mos shihej e të mos dëgjohej. Pastaj e përndau frëngjyzën anembanë, në gra e në dylberë, dhe u shërua fare…
(…)

Mbi autorin:
KUSH ËSHTË MITRUSH KUTELI

Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Mësimet e para i mori në vendlindje, studimet e mesme në Selanik, në Shkollën Tregtare Rumune (1921-1928). Më 1931 u diplomua në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike. Më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera në mësime, seriozitetit dhe kapacitetit të veçantë intelektual, u emërua drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë.
Kundërshtimi që i bëri politikës financiare të pushtuesve gjermanë, i solli si ndëshkim mobilizimin në ushtri dhe drejtimi drejt Frontit të Lindjes. Nga rruga e vdekjes së sigurtë e ktheu një telegram ku njoftohej se Nëna e tij ishte shumë sëmurë. Mundi të arrijë në Shqipëri në Shtator 1942, dy javë pasi Nëna kishte ndërruar jetë.
Në janar u emërua Drejtor i Drejtorisë Qëndrore të Bankës së Shtetit Shqiptar. Dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk pranoi të firmosi kursin që pati caktuar shteti komunist mes lekut shqiptar dhe dinarit jugosllav, dhe që dëmtonte rëndë ekonominë e vendit tonë.
Në maj 1947 e arrestuan dhe pasi i thanë “armik i popullit”, e dënuan me pesë vjet heqje lirie. Kuteli u dërgua në kampin e Vioçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. E liruan “me falje”, në prill 1949. Nga viti 1949, Kuteli nuk u mor më me ekonomi dhe punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri.
Letërsisë i kushtoi kohën e pakët që i mbeti nga puna e normuar e përkthimit.Zemra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj 1967. Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra, (17 në fushën ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, prralltar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura