GJOKË DABAJ: PSE DUHEJ TË VRITEJ ENVER HOXHA?!

Durrës, 15. 10. 2015: Në gazetën „Telegraf“, 24 shtator 2015, në faqen e parë, lexojmë: „Plani i kryeministrit britanik për vrasjen e Enver Hoxhës,… tentativat në Durrës, Tiranë, Pezë e Sarandë“. Që ka pasur, jo 1, por disa plane e tentativa për ta vrarë udhëheqësin e Shqipërisë Socialiste, Enver Hoxhën, është tashmë e ditur dhe e njohur prej të gjithë atyre që janë marrë me biografinë e këtij udhëheqësi shqiptar. Por unë po shtroj, në këtë përvjetor të lindjes së tij, disa pyetje jo pak të rëndësishme dhe që kërkojnë shqyrtim e studim serioz dhe objektiv, qoftë prej historishkruesvet të sotëm, qoftë prej atyre që do të vijnë pas nesh.
Përse donin ta vrisnin Enver Hoxhën?! A kishin të drejtë të huajt ta vrisnin Enver Hoxhën, qoftë morale, qoftë ligjore? Arsye personale, familjare apo edhe grupore, brenda vendit, dihet që ka pasur. Nuk ka udhëheqës shteti në botë që të mos ketë cënuar dikënd, kurse për diktatorët, dihet që, në këtë drejtim, janë më të akuzueshmit. Por fjala është për arsye HISTORIKISHT OBJEKTIVE. A ka pasur arsye HISTORIKISHT OBJEKTIVE për të kurdisur kaq atentate për këtë njeri?! Aq më tepër, kur marrim vesh që, një kryeministër i një vendi DEMOKRATIK perendimor, e paska miratuar personalisht një plan për të vrarë udhëheqësin legjitim të një shteti sovran, qoftë ai edhe diktator.

Enver Hoxha (16 tetor 1908 – 11 pril 1985)

Këtu ka shumë hapësirë për të diskutuar, por unë po marr tash vetëm njërin prej aspektevet të veprimtarisë së Enver Hoxhës, atë të bujqësisë e blegtorisë, dhe po shtroj pyetjen përkatëse shoqëruese: A për këtë gjë duhej vrarë Enver Hoxha?! Njerëzit, sigurisht, duhet të bëjnë edhe krahasimet midis ASAJ bujqësie e blegtorie në kohën e Enver Hoxhës dhe KËSAJ bujqësie e blegtorie pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe pas zvarritjes së tij nëpër Sheshin “Skënderbej”. Kush do të duhej vrarë në këtë rast, ai apo këta që erdhën pas tij?! Dhe, a keni dëgjuar që dikush në Perendim të ketë bërë plane për të vrarë ndonjërin prej këtyre që i shkatërruan, bujqësinë dhe industrinë, në Republikën e Shqipërisë? Përkundrazi, mund të kemi dëgjuar që dikush ka paguar për t’i vrarë, bashkë me enver Hoxhën, edhe bujqësinë, edhe industrinë e këtij vendi.
***
Nga viti 1945 e deri në prag të vdekjes, më 1985, Enver Hoxha ka folur për bujqësinë e blegtorinë më shumë se 300 herë. Nuk po them, I KA PËRMENDUR, por KA FOLUR GJËRË GJATË për këtë degë të ekonomisë dhe është marrë intensivisht me këtë punë, duke u përpjekur, mbështetur në teorinë marksiste-leniniste dhe në praktikën e Leninit dhe atë të Stalinit, për ta përparuar sa më shumë këtë degë të ekonomisë. Duhet theksuar këtu me shumë forcë, që, në krejt këto përpjekje, vetë Enveri, personalisht apo familjarisht, NUK KISH PËR QËLLIM TË FITONTE ASGJË PËR VETE. Enveri nuk ka qenë as pronar tokash, as feudal, as latifondist.
Nëse shikohet në aspektin klasor, mund të thuhet që Enver Hoxha, duke u përpjekur që t’i përparonte bujqësinë e blegtorinë, mbronte interesat e fshatarësisë dhe të krejt masavet punonjëse të shtetit të vet.
Më 25 nëntor 1945, në fshatin Gore të Lushnjës, Enver Hoxha demonstron pajisjen e fshatarëvet me tapi. Fillon ashtu REFORMA AGRARE, e cila do t’i shpronësonte feudalët dhe do t’u jepte tokat fshatarëvet.
3 janë fjalitë që do të duhej t’i rikujtonim sot, mbas 70 vjetësh: 1.” Mbi kurrizin tonë shkelnin çizmet e gjakosura… të bejlerëvet feudalë.” (Vep.3,f.191) 2.”Ju duhet të dini…se fati juaj është i lidhur ngushtë me fatin e këtij pushteti.” (f.194). 3.”Rrëzimi i lëtij pushteti do të ishte skllavërim për popullin tonë.” (f.194).
Tani, që është rrëzuar ai pushtet, ne na intereson veçanërisht fjalia e tretë: A u riskllavëruan fshatarët e këtij vendi? Fjala është për ata fshatarë që i shohim thuajse përnatë në emisionin “Shqipëria tjetër” dhe për qindra mijë të tjerë, të cilët i shohim, që nga varrezat tona mbushur me djem të rinj e deri te burgjet e Greqisë, Italisë, Zvicrës dhe Francës.
Më 1 tetor, në fshatin Drashovicë të Vlorës, Enveri ka thënë: “Populli mori fuqinë në dorë, ua mori edhe tokën atyre që vite me radhë shfrytëzonin djersën tuaj dhe qeveria ua dha fshatarëvet.” (Vep.3, f.213). Tani, studiuesit duhet të shkojnë në Drashovicë dhe në 1000 katunde të tjerë të Republikës së Shqipërisë, dhe të shikojnë: Si është gjendja e fshatarëvet pas vdekjes së Enver Hoxhës? Si është gjendja, edhe e atyre fshatarëvet që kanë mbetur e vazhdojnë të jetojnë në ata fshatra, por edhe e atyre që janë shpërngulur prej andej.
Më 9 nëntor 1947 përfundon kanali ujitës “Naum Panxhi”. Enveri shkon në përurimin e tij dhe mban atje fjalimin e rastit. Sot është e udhës të vizitohet me kamera televizive GJITHË RRJETI UJITËS, i ndërtuar në kohën e Enver Hoxhës, dhe të bëhen konkluzione.
Më 12 tetor, Enveri përuron fazën e parë të tharjes së Kënetës së Maliqit. 2 janë objektet që duhen studiuar sot në zonën e Maliqit: Cila është gjendja e Kënetës dhe e fshatarëvet që rrojnë aty, dhe ç’është bërë me Fabrikën e Sheqerit në Maliq pas vdekjes së Enverit?
Më 8 nëntor 1948, në Kongresin I të PKSH-së, Enver Hoxha ua kushton, bujqësisë, blegtorisë dhe pyjevet 74 faqe. Bën analizë të hollësishme, me shifra e me pasqyra statistikore. Unë po sjell këtu vetëm njërën prej atyre statistikave. Para reformës agrare, në Republikën Popullore të Shqipërisë kishte 7 familje latifondistësh me mbi 14 mijë hektarë tokë, kish gati 5 mijë familje pronarësh të mëdhenj me afër 100 mijë hektarë tokë, pronarë të vegjël e të mesëm kish afër 130 mijë familje dhe fshatarë pa tokë kish mbi 21 mijë familje.
Reforma agrare ua kish marrë tokat pronarëvet të mëdhenj dhe ua kish pjesëtuar fshatarëvet simbas një kriteri të përcaktuar me ligj. Më vonë do të bëhej KOLEKTIVIZIMI, por pa e shpronësuar masën e fshatarëvet. Të shpronësuar duhen konsideruar vetëm pronarët e mëdhenj.
Si pasojë e kësaj reforme, në vitin 1948, toka shfrytëzohej në mënyrën më optimale të mundshme për atë kohë. Pra, jo në mënyrë absolutisht optimale, por në mënyrë relativisht optimale.
Pyetjet që shtrohen tash, janë këto: A bëri mirë Enver Hoxha që e kreu reformën agrare, apo bëri keq? Mbas vitit 1990, a duhej t’u ktheheshin 7 familjevet latifondiste të 14 mijë hektarët dhe a duhej t’u ktheheshin të 5 mijë pronarëvet të mëdhenj të 100 mijë hektarët? A mund të quhet DEMOKRACI, pushtet i demosit, pushtet i popullit, krijimi dhe favorizimi i një klase latifondistësh, qoftë të vjetër, qoftë të re? A duhej të planifikonte Perendimi një vrasje të Enver Hoxhës apo një rrëzim të pushtetit të tij, sepse ai kish kryer një reformë agrare në vendin e vet? Aq më tepër, kur të gjithë regjimet në shtetet perendimorë e quajnë veten DEMOKRATIKË, regjime të demosit?
Më 15 shkurt 1949 Enver Hoxha mban fjalim në Kongresin e Parë të Kooperativavet Bujqësore. Në 25 faqe të fjalimit të tij, ai e ka arsyetuar gjërë e gjatë, pse dhe si po krijoheshin dhe pse dhe si duheshin krijuar KOOOPERATIVAT BUJQËSORE.
Më 16 mars, Enveri prapë ka folur përsëri për problemet e fshatit.
Në vitin 1950, më 2 shkurt, më 29 mars, më 27 tetor, më 15 dhjetor dhe në të gjithë rastet e tjerë, përpjekjet e tija ishin, për ta PËRMIRËSUAR gjendjen ekonomike të fshatarëvet.
Në vitin 1951, vazhdon po ajo përpjekje. Enveri flet për bujqësinë, më 16 shkurt, më 21 maj, më 17 gusht dhe më 31 tetor. Në Maliq tashmë është vënë në punë fabrika e sheqerit. Enveri e vlerëson këtë vepër si një ndër fitoret më të mëdha të atyre viteve.
Viti 1952. Më 25 janar, më 31 mars (Kongresi II i PPSH-së), më 5 maj, më 6 qershor, më 17 qershor, më 12 nëntor, Enveri merret shumë seriozisht, krahas shumë problemevet të tjerë, edhe me problemet e bujqësisë. Më 8 dhjetor ai mban një fjalim plot me shqetësime në Ndërmarrjen Bujqësore të Sukthit.
Më 21 prill 1953, mbahet Kongresi II i Kooperativavet Bujqësore dhe Enveri vazhdon gjatë gjithë atij viti të interesohet dhe të japë udhëzime, me të vetmin qëllim që jeta e fshatarëvet të PËRMIRËSOHET sa më shumë.
Edhe viti 1954 është plot me veprimtari partiake, shtetërore e organizative, në mënyrë që edhe popullsia rurale shqiptare, ashtu si ajo urbane, (të paktën brenda RPSH-së) të ketë një jetë sa më të mirë. Ai flet për këta probleme, më 21 shkurt, më 6 mars, më 27 mars, në Konferencën e Parë Kombëtare të NBSH-vet (të ndërmarrjevet bujqësore shtetërore). Më 7 shtator flet për kultivimin e pambukut, më 21 shtator flet në lidhje me çmimet e prodhimevet bujqësorë e blegtoralë, pastaj prapë më 13 tetor, më 29 tetor dhe më 7 dhjetor, gjithnjë për bujqësinë e blegtorinë. Në këtë të fundit, më 7 dhjetor, jep orientime mbi organizimin e mekanikës bujqësore.
Në të gjithë këtë veprimtari të papushimtë të Enver Hoxhës, PËR TA BËRË JETËN E QINDRA MIJË FSHATARËVE SA MË TË MIRË, unë nuk shoh asnjë arsye të shëndoshë për ta vrarë këtë njeri. Përkundrazi, shoh shumë arsye për ta nderuar ndërkombëtarisht.
Më 3 gusht 1956, Enver Hoxha angazhohet në përmirësimin e udhëheqjes së partisë së tij në sektorin shtetëror të bujqësisë. Më 25 maj, në Kongresin III të PPSH-së, mirëqenies materiale të fshatarëvet i kushton plot 42 faqe analiza të hollësishme mbi prodhimin e drithëravet, mbi ngritjen e mëtejshme të blegtorisë, mbi kolektivizimin e bujqësisë, mbi mekanizimin e punëvet në bujqësi, mbi ndërmarrjet shtetërore të bujqësisë dhe mbi metodat e drejtimit të punëvet në bujqësi.
Pse duhej vrarë ky njeri dhe pse i duhej zvarritur shtatorja nëpër Sheshin “Skënderbej”?!
Më 1 maj 1957, Enver Hoxha u shkruan letër komitetevet të Partisë në Vlorë e në Bilisht me rastin e përfundimit në ata rrethe të kolektivizimit. Më 15 maj, më 27 maj, më 2 qershor, më 18 qershor, më 2 nëntor dhe krejt viti 1957, është plot me angazhimin e Enver Hoxhës, me qëllim që punët në bujqësi e blegtori të shkojnë sa më mirë. Ai shqetësohet deri edhe për ngordhjen e 20 deshvet në Lushnjë dhe ky shqetësim i tiji, pse ngordhën 20 desh nga pakujdesia e dikujt atje, nuk përbën kurrfarë krimi, as kombëtar, as ndërkombëtar. Meqë jemi në Lushnjë, mund të thotë dikush që “në atë rreth ndodheshin me qindra njerëz të internuar dhe Enveri mund të shqetësohej për deshtë, por për ata të internuar as që i bëhej vonë”. Nuk është e vërtetë që Enveri nuk shqetësohej, edhe për të internuarit, edhe për të burgosurit. Për këtë ka (ose ka pasur) me mijëra dokumente. Mjafton të përmendim vetëm 1 fakt: Të gjitha letrat që dërgoheshin në adresën e tij prej të burgosurvet, i lexonte më parë vetë ai dhe pastaj mund t’i jepeshin dikujt tjetër prej zyrtarëvet, me shënimet përkatës, shënime që, në shumicën e rastevet, shprehnin përkrahje ndaj letëshkruesit.
Në vitin 1958, kemi plot 17 a 18 analiza e udhëzime të Enver Hoxhës, që lidhen e bëjnë fjalë për fatin e popullsisë fshatare në RPSH: Më 18 janar, më 25 shkurt, më 28 shkurt, më 1 mars, më 2 mars, më 4 mars, më 23 mars, më 23 prill, më 26 prill, më 26 shtator, më 4 tetor, më 5 tetor, më 3 nëntor dhe më 11 dhjetor. Le t’i lexojnë njerëzit dhe le të na thonë: A ka aty ndonjë arsye për ta shpallur tjerin kriminel, në mënyrë arbitrare, pa asnjë gjykim, as kombëtar, as ndërkombëtar?!
Viti 1959 vazhdon me të njëjtin preokupim të Enver Hoxhës: Të përmirësohet, me punë dhe me organizim, jeta e krejt popullit e veçanërisht jeta e popullsisë fshatare, e cila objektivisht i kish kushtet më të vështirë se ajo e qytetit: 16 shkurt, 21 prill, 22 prill, 5 maj, 18 maj, 19 qershor, 21 qershor, 21 tetor, 24 tetor.
Vjen viti 1960. Do të kalojnë edhe 25 vjet deri sa Enver Hoxha të vdesë. Kundërshtarët e tij shqetësohen. Kundërshtarët e tij kërkojnë argumente për ta akuzuar, bëjnë plane për ta asgjësuar dhe për të përmbysur pushtetin e tij. Por brezat që do të vijnë, do të pyesin: A kishin të dejtë?! Ata që donin ta mposhtnin Enver Hoxhën, a kishin hallin e Shqipërisë, apo kishin ndonjë hall tjetër?! Do të vijë viti 1990 dhe do ta shohim ku do ta çojnë Shqipërinë kundërshtarët e Enver Hoxhës. Në vitin 1960, Enveri flet për bujqësinë e blegtorinë, më 15 janar, më 2 shkurt, më 6 prill, më 18 prill, më 2 qershor, më 3 qershor, më 14 qershor. Asnjeri nga fjalimet apo analizat e tija nuk përbëjnë shkelje të kodit penal dhe nuk ka asnjë mbështetje ligjore që dikush të kërkojë për ta vrarë autorin e atyre fjalimeve dhe analizave.
Hyjmë në vitin 1961. Zhvillon punimet Kongresi IV i PPSH-së, më 13 shkurt, dhe Enveri lexon aty raportin e vet. 8 faqe ua kushton rezultatevet të deriatëhershëm në fushën e bujqësisë e blegtorisë, pa harruar asnjëherë të flasë edhe për pyjet, dhe 7 faqe ia kushton zhvillimit të mëtejshëm të këtyre degëve të ekonomisë. Më 28 mars merr në shqyrtim zonat e thella malore të RPSH-së. Më 14 qershor gjendet në fshatrat, Ndroq, Petrelë, Vaqarr, Bërzhitë. Më 19 qershor flet për specialistët e bujqësisë, më 25 tetor porosit që kooperativat bujqësore ta forcojnë nivelin e jetesës së fshatarëvet e jo ta dobësojnë dhe më 19 nëntor, në një miting në Himarë, premton që “Bregdeti Shqiptar do të kthehet në një kopsht të lulëzuar”. Nuk pushon kurrë së kujdesuri për të shtuar ushqimin e popullit të vet, në një kohë kur për vete kënaqej me një pjatë trahana në mëngjes.
Në vitin 1962, Enveri ka folur për bujqësinë e blegtorinë, midis tjerash, edhe në këto data: 19 janar, 18 shkurt, 3 maj, 18 shtator, 19 shtator, 19 tetor, 28 tetor dhe 17 dhjetor. Më vjen çudi: Pse nuk shkruajnë njerëzit, qoftë biografë, qoftë gazetarë, autorë artikujsh të shkëputur, për këtë aspekt të veprës së Enver Hoxhës, por merren me ca aspekte krejt anësorë e joesencialë të jetës së tij?
Në vitin1963, më 22 janar, Enveri do të kërkojë që të futet kultura socialiste në çdo familje të fshatit tonë. Nuk do të kërkojë që të përdoret droga, nuk do të kërkojë që të kultivohet droga, nuk do të kërkojë që të tregtohet droga. Përse duhej rrëzuar qeveria e tij?!
Më 11 shkurt, në Bishqethëm të Lushnjës, do të mbajë një fjalim, ku, midis tjerash, do të thotë: “Mendja dhe dora e njerëzvet tanë do ta bëjnë Fushën e Myzeqesë edhe më të bukur e më pjellore.” Po atë ditë, Enveri do të japë orientime lidhur me rolin e traktoristëvet në ambientet fshatarë, si dhe mbi rëndësinë e madhe të eksperimentevet në fushën e prodhimit bujqësor. Më 10 maj Enver Hoxha tërheq vëmendjen mbi të metat që ishin vënë re në blegtori. Më 6 qershor ka folur për gjendjen ekonomike, sociale e kulturore të fshatit. Më 13 shtator, mbi artizanatin në fshat. Më 16 shtator, në një takim me kuadrot e kooperativavet bujqësore të Beratit, kërkon intensifikimin dhe modernizimin e bujqësisë. Më 4 tetor shtron nevojën e grumbullimit dhe përdorimit në bujqësi të plehut të bagëtivet. Më 5 tetor flet prapë për mekanikën bujqësore. Më 21 tetor, me shumë seriozitet e largpamësi, por edhe me një brengë të pashprehur, i kërkon popullit shqiptar që të mos i mungojnë kurrë buka dhe fishekët. Buka, për të jetuar pa ia shtrirë dorën kujt, fishekët, për të mbrojtur atdheun pa kërkuar prej të tjerëvet që të na mbrojnë. Kuptohet, fjalët bukë dhe fishekë, janë metonimi. Më 26 tetor Enveri flet për blegtorët, të cilët duhet ta duan dhe të kenë pasion për profesionin e vet. Nuk shohim në asnjë vend që Enver Hoxha t’i këshillojë shtetasit e vet për t’i shkatërruar bujqësinë e blegtorinë. Një e tillë inondatë, sigurisht e kurdisur, ka për të ndodhur vetëm pas vitit 1990, 5 vjet mbasi Enveri të ketë vdekur dhe fill pasi shtatoret e tija të jenë rrëzuar. U kuptua qartë që, planifikuesit dhe përgatitësit e atentatevet, kishin për qëllim të rrëzonin e të shkatërronin, jo thjeshtë personin, por KOMBIN të cilit ai i përkiste.
Në vitin 1964, Enver Hoxha merret përsëri gjërësisht, veç tjerash, edhe me problemet e bujqësisë, blegtorisë dhe në përgjithësi me jetën rurale të vendit të vet: 2 maj, 19 qershor, 20 qershor, 29 qershor, 15 shtator, 16 shtator, 2 tetor. E shohim në Shkodër, në Kooperativën Bujqësore “Perlat Rexhepi”, në Bërdicë dhe, kudo që shkon, kërkesa e tij më kryesore është ngritja e nivelit të jetesës të fshatarësisë punonjëse.
Më 1965, Enveri flet për bujqësinë e për fshatin, më 23 janar, më 16 qershor, më 25 qershor, më 15 tetor, më 23 nëntor. Po i vë në dukje datat, sepse ç’nuk është thënë për atë njeri, ndërsa për jetën e tij TË VËRTETË, që të gjithë kanë heshtur. Përse është heshtur për punët e tija serioze dhe pozitive me vlera të mëdha shtetndërtuese dhe kombzhvilluese?!
Në vitin 1966 e shohim Enver Hoxhën në Divjakë, më 7 mars, në Kooperativën bujqësore “Stalin” të Krutjes, më 8 mars, pastaj, më 1 qershor, në kooperativën bujqësore të Shalësit, rrethi i Elbasanit dhe më 20 shtator prapë në Elbasan në kooperativën bujqësore të Shmilit.
Më 1 nëntor, në Kongresin V të PPSH-së, Enver Hoxha, veç pjesëvet të tjera ku flitet për fshatin dhe jetën e fshatarëvet, u kushton problemevet të bujqësisë, si përherë, edhe një kapitull të veçantë, prej 11 faqesh.
Viti 1967. Më 18 shkurt Enveri vjen në një kooperativë bujqësore të Shijakut. Më 24 shkurt flet për kooperativat bujqësore në zonat malore. Pas 1 muaji, më 24 mars, ai gjendet në Krujë, ku prapë trajton problemin e forcimit të kooperativavet bujqësore në zonat e thella malore. Më 25 mars mban fjalim në Kooperativën Bujqësore “Partizani” në Fushë-Krujë. Më 22 maj bisedon me bariun e dhivet Lezan Pisli. Më 27 maj flet për modernizimin e bujqësisë. Më 10 qershor dhe më 30 qershor, shtron për zgjidhje probleme të rëndësishëm të bujqësisë. Më 2 shtator e shohim në Rapshë të Këlmendit, ku pohon se vetëm duke luftuar traditën prapambetëse, mund të lulëzojë Malësia jonë. Më 4 shtator shkon në Troshan të Lezhës. Më 3 nëntor është në Shtërmen e Gostimë të Elbasanit. Më 10 nëntor flet pë problemet e blegtorisë.
Asnjëherë nuk e shohim Enver Hoxhën të thur plane apo të tentojë për të vrarë ndonjë personalitet apo drejtues shteti të ndonjë vendi të botës. Flet kundër armiqvet e kundërshtarëvet, boton artikuj demaskues, por asnjëherë nuk i hyn aventurës për vepruar apo për të komplotuar. Pse duhej të planifikonin të tjerët likuidimin e tij, në një kohë kur ai po merrej me hallet dhe problemet e vendit të vet?!
Në vitin 1968, më 10 janar, sërish merret me ngritjen e nivelit të jetesës në zonat e thella malore. Më 27 maj bisedon me punëtorët dhe me kooperativistët e Rubikut. Më 28 maj shkon në Përlat të Mirditës dhe shtron kërkesën që, për punët e bujqësisë, duhet të mendojnë të gjithë. Më 29 qershor Enver Hoxhën e gjejmë në Grecalli të Fierit, më 1 korrik në Kooperativën Bujqësore „Shkurte Pal Vata“ të Lushnjës. Për bujqësinë flet edhe më 19 shtator, si dhe më 16 tetor, në ditëlindjen e vet.
Viti 1969 është prapë plot me preokupime të Enver Hoxhës në lidhje me bujqësinë. Më 23 janar i shkruan letër Alo Qoses në Sojnik të Gramshit, më 26 shkurt bisedon me punëtorë, kooperativistë dhe kuadro të Beratit, më 27 shkurt gjendet në një darkë në Kooperativën Bujqësore “8Nëntori” të Kutallisë në rrethin e Beratit, më 3 mars, lëvizjen e disa grupeve fshatarësh nga Veriu në Jug e nga Jugu në Veri, e sheh si një nga mënyrat e afrimit shpirtëror midis krahinavet, ndërsa më 4 mars jep udhëzime që krahas industrisë të zhvillohet edhe bujqësia. Më 6 prill shkon në fshatin Ninësh të Mallakastrës, për shkak se atje kish rënë tërmet, dhe po atë ditë ndalet edhe në Hekal. Më 5 maj flet për objektet social-kulturorë në fshat dhe më 6 maj flet për mekanizimin e punëvet në bujqësi. Më 27 maj është në Picar të Gjirokastrës, ndërsa të nesërmen, më 28 maj, mban fjalim në një miting në Libohovë. Më 22 shtator, në një letër që u shkruan kooperativistëvet të Lepushës në Këlmend, thotë se Malësia mund të prodhojë më shumë qumësht, mish, djathë dhe gjalp. Nuk thotë që Malësia mund të prodhojë kanabis sativa dhe, o burra, se po e kërkon Evropa. Në fshatrat Izvor e Rabie të Tepelenës, pas një tërmeti shkatërrues, janë ndërtuar shtëpi të reja, krejt falas, me punë vullnetare dhe duke e siguruar shteti të gjithë materialin e nevojshëm. Enveri, më 16 tetor, ka pritur në shtëpinë e vet një delegacion të atyre 2 fshatrave dhe ua ka uruar shtëpitë e reja. Më bën pështypje një fjali e tija: Kur të plakemi ne edhe ca më shumë, të rinjtë kanë për të na thënë: “Vërtet mirë keni punuar dhe keni ndërtuar ju, po ne tani do t’i bëjmë fshatrat tanë akoma më të bukur”. (Vep.42,f.20) Do të ish mirë të bëhej një reportazh mbi gjendjen e sotme të fshatravet Izvor e Rabije. Ku gjenden sot banorët e atyre fshatrave? Sa për qind e banorëvet vazhdojnë të jetojnë aty? Sa prej tyre kanë ndrërtuar shtëpi të reja, më të bukura se ato të mëparshmet, e sa nuk kanë mundur t’i mirëmbajnë as ato që iu patën ndërtuar të reja në kohën e Enverit?
Vjen viti 1970. Më 11 mars Enveri bisedon me kooperativistët e Luzit të Vogël në rrethin e Kavajës dhe mban një fjalim në mitingun e organizuar me atë rast. Më 20 mars flet për forcimin e organizimit të punës në kooperativat bujqësore të zmadhuara. Më 29 maj, takim me punonjësit e Hasit e të Krumës, më 31 maj me kooperativstët e Dragobisë, më 2 qershor miting në Pukë, më 27 gusht miting në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar „Skënderbeu“ të Devollit, të nesërmen, më 28 gusht, në ndërmarrjen bujqësore shtetërore të Dvoranit. Më 2 tetor diskuton lidhur me varësinë e rritjes së prodhimit bujqësor nga transporti. Më 16 tetor pret një grup kooperativistësh të rrethit të Tiranës. Më 23 nëntor shtron idetë mbi një fazë ndërmjetëse të kalimit nga kooperativa bujqësore në ndërmarrje shtetërore bujqësore.
Fillon viti 1971, Enveri, më 5 maj, ngre shqetësimin dhe thotë: “Pa organizim e disiplinë nuk mund të kemi bujqësi moderne.” Prapë, më 14 janar, trajton të njëjtën çështje dhe, më 18 të po atij muaji, kërkon që t’i kushtohet më shumë rëndësi zhvillimit të blegtorisë. Më 20 janar shtron dhe analizon çështjen e sigurimevet shoqërorë edhe të kooperativistëvet, siç veprohej me punëtorët e nëpunësit shtetërorë. Më 1 shkurt kërkon të bëhet më shumë kujdes për furnizimin e fshatarësisë. Në datat 13 shkurt, 26 shkurt, 23 mars dhe 16 prill, Enveri pa pushim merret me problemet që kishte bujqësia, për të vazhduar pastaj, me të njëjtin preokupim më 17 maj, më 18 maj dhe më 26 maj. Më 29 nëntor shkon në Institutin e Projektimevet dhe flet për problemin e ujitjes. Më 13 dhjetor jep orientime për kultivimin e pambukut.
Më 12 prill 1972, flet mbi planin e grumbullimit të tepricavet dhe thotë që ky lloj plani nuk përbën detyrim. Më 20 qershor diskuton për modernizimin e bujqësisë dhe më 30 tetor, ekzistencën e kooperativavet të tipit të lartë e kushtëzon edhe me rendimentin e lartë në bujqësi.
1973-shin, më 11 janar, e fillon me kërkesën që në bujqësi duhet të ketë njerëz të kualifikuar. Më 22 janar i këshillon organet partiakë e shtetërorë që të mos nguten, por të bëjnë studime në lidhje me shndërrimin e kooperativavet bujqësore në ndërmarrje shtetërore. Më 28 mars kërkon të mos ketë konservatorizëm në futjen e mekanizimevet në punët bujqësore. Më 17 maj, në ndërmarrjen bujqësore të Elbasanit, vë në dukje që të rinjtë janë e ardhshmja e atdheut. Më 13 qershor Enveri shkon mysafir te kooperativisti Sulo Muço në Koplik. Më 16 tetor bën për kushedi të satën herë thirrje për forcimin e koopertaivavet bujqësore.
Më 10 maj 1974 Enveri flet prapë për kooperativat e tipit të lartë. Më 25 qershor tërheq vëmendjen te përparimi që duhej realizuar në zonat kodrinore e malore.
Më 3 mars 1975 Enver Hoxha, sigurisht, tashmë i shqetësuar, kërkon që fsahti të ndihmohet efektivisht për mbrojtjen e shëndetit të nënës dhe të fëmijës. Më 22 mars u çon letër të rinjvet të Kooperativës Bujqësore „Enver Hoxha“ të Bujanit. Më 24 prill flet për të quajturit oborre të kooperativistëvet, një copë tokë dhe disa bagëti që u ishin lejuar fshatarëvet për të plotësuar disa nga nevojat e veta.
Në vitin 1976, më 26 prill, flet prapë për sigurimet shoqërorë që duhet të aplikohen edhe në fshat, veçanërisht në funksion të kujdesit për nënat me fëmijë të vegjël. Më 28 prill Enveri bën vërejtjen: „Pa një kthesë në kokën e njerëvet, nuk bëhet dot kthesa në prodhimin e ullirit.“ Dhe prapë më 23 qershor flet për ullirin. Shihet që sa vjen e i shtohet shqetësimi. Ëndrra e madhe, por njerëzit të vegjël. Më 25 qershor ngre edhe njëherë çështjen e mekanizimit të bujqësisë, më 3 shtator flet për farërat, ndaj të cilavet duhet të tregohet kujdes i veçantë, më 1 tetor Enveri thotë që tregtia duhet ta inkurajojë e jo ta pengojë prodhimin bujqësor, më 4 tetor thotë: „Po të shqetësohesh për furnizimin e kooperativistëvet, e gjen rrugëzgjidhjen“. Më 1 nëntor, në Kongresin VII të PPSH-së, tregohen të arriturat në bujqësi dhe jepen orientime për zhvillim të mëtejshëm, duke u mbështetur në forcat e veta. Shqipëria, o do të mbështetej në forcat e veta, o do t’i dorëzohej konkurencës së vendevet të zhvilluar kapitalistë. Pas vitit 1990 u hoq dorë nga parimi i të mbështeturit në forcat e veta dhe u mbetet sociologëvet dhe ekonomistëvet për të bërë krhasimet SHIFRORË midis 2 kohëvet. Midis kohës 10 vjet para se të vdesë Enveri dhe kohës 30 vjet pas vdekjes së tij.
Më 22 dhjetor Enveri flet për tufëzimin e bagëtivet. Në të vërtetë, ai ka qenë një eksperiment i gabuar. Në këtë bisedë, Enveri kërkon të informohet për të gjitha hollësitë që lidhen me këtë lloj kolektivizimi brenda kolektivizimit.
Në vitin 1977, 28 janar, Enveri prapë tërheq vëmendjen që „të ardhurat e kooperativës shtohen duke rritur prodhimin“. Por kujt t’i thuash?! Më 3 shkurt flet për kooperativat e tipit të lartë. Duhet thënë që edhe ky ishte një eksperiment i gabuar dhe, në të gjitha analizat e tija, shihet që Enveri ishte i shqetësuar, në mos i alarmuar, sado që ai gjithmonë ka ditur t’i fshehë shqetësimin apo alarmin e brendshëm. Një udhëheqësi nuk duhet t’i lexohet në fytyrë ç’i zien përbrenda. Më 21 shkurt trajton sërish blegrorinë e bujqësinë, duke kërkuar që të 2-ja këto degë të vlerësohen njëlloj. Më 23 mars ka takim me kooperativistët e rrethit të Vlorës. Më 1 qershor, në takimin me sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, thekson me këmbëngulje, si përherë: „Niveli i jetesës së kooperativistëvet ngrihet duke punuar më shumë“. Por kujt t’i thuash?! Më 21 shtator ai shtron kërkesën e forcimit të mëtejshëm të ndërmarrjevet bujqësore shtetërore.
Më 15 mars 1978, Enver Hoxha ka shkuar në Tepelenë dhe u jep porosi të veçantë kuadrovet të atij rrethi që blegtorinë ta kenë në qendër të vëmendjes. Më 20 mars mban një fjalim në Ksamil të Sarandës, me ç’rast i bën thirrje veçanërisht brezit të ri: „Sa më pjellore t’i bëjmë fushat e malet tanë, aq më e fortë do të bëhet Shqipëria“. Më 28 mars gjendet në Lukovë të Sarandës, ku rinia kish hapur brezare për agrume e ullinj. Ato brezare ishin një mrekulli botërore dhe Enveri jep mendimin se aty mund të merren mesatarisht 50 kg ullinj për çdo rrënjë. Në ullinj të veçantë ata kishin arritur të merrnin përmbi 100 kg. Më 5 qershor shtron edhe njëherë domosdonë e bashkëveprimit midis bujqësisë dhe blegtorisë. Ai ngul këmbë në idenë e tij faktikisht të parrëzueshme, se blegtoria nuk mund të ecë pa bujqësinë dhe e ka fjalën për rrethin e Tepelenës, ku degë kryesore është blegtoria. Më 11 gusht e shohim Enver Hoxhën duke mbajtur shënime lidhur me bujqësinë dhe blegtorinë. Është vetëm, në zyrën e vet, por mendjen e ka atje ku prodhohen drithërat, mishi dhe qumështi. Më 28 gusht u thotë, midis tjerash, sekretarëvet të Komitetit Qendror: „Bujqësia kërkon punë të kujdesshme shkencore dhe organizative.“ Por, kujt t’i thuash?!
10 dhjetor 1980. Enver Hoxha bisedon me sekretarët e Komitetit Qendror mbi mënyrat e të shpërblyerit të kooperativistëvet në kohën kur kooperativat bujqësore përgatiten për t’u shndërruar në ndërmarrje bijqësore shtetërore, sepse perspektiva ishte që edhe bujqësia, si industria, të shndërrohej e tëra në pronë shtetërore, që do të thoshte, në pronë të të gjithë popullit.
***
Enver Hoxha e udhëhoqi për 40 vjet Republikën e Shqipërisë (RPSH e më vonë RPSSH). Veprimtaria e tij ka qenë e gjithanëshme, por unë nuk mora këtu as industrinë, as tregtinë, as shëndetësinë, as arsimin, as ushtrinë, as organizimin e të quajturavet leva të Partisë (të PPSH-së) dhe as politikën e tij të jashtme, e cila, në të gjitha kohët, ka qenë dhe është tepër e vështirë për udhëheqësit shqiptarë. E gjithë kjo ka qenë një punë kolosale e Enver Hoxhës dhe historiografia nuk ka arsye të mos merret në mënyrë të hollësishme me analizën shkencore të krejt asaj pune.
Por unë mora këtu vetëm bujqësinë dhe blegtorinë, një vështrim krejt panoramik dhe ndoshta edhe monoton, në mënyrë që secili lexues të mund të krijojë sadokudo një ide të qartë vetëm për njërën nga fushat e punës së tij.
Në ata 40 vjet RPSSH, nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, arriti t’i ngjajë vërtet një kopshti me lule. Të huajt mahniteshin kur i shikonin tokat e këtij shteti aq bukur të sistemuara, të pacopëzuara, pa gjerdhe e pa thurje me ferra, me kanalizime dhe, që të gjitha të punuara. RPSSH-ja në atë kohë arriti ta prodhojë vetë bukën që i duhej. Vetëm mbas vdekjes së Enverit, në vitet kur shtetin e mori Ramiz Alia në dorë, ra prodhimi dhe vendi u katandis në pikë të hallit dhe mbas 1990-s ai u shkatërrua gjer në themele.
Në 40 vjet të qeverisjes së tij, Enver Hoxha krijoi një shtet ekologjik, krejtësisht të pastër, në një kohë kur bujqësinë e Perendimit po e mbulonte dhe po e mbizotëronte OMGJ-ja. Në 40 vjet të qeverisjes së tij, Enver Hoxha e mbajti të gjallë jetën në fshat dhe nuk lejoi që fshati të shkretohej, ashtu siç po ndodhte në krejt të ashtuquajturën botë e përparuar. Në 40 vjet të qeverisjes së tij, Enver Hoxha nuk nuk e shqetësoi Perendimin me kurrfarë eksodi masiv, siç ndodhi e po ndodh mbas vitevet 1990.
Enver Hoxha ia hoqi NATO-s Traktatin e Varshavës nga brigjet e Mesdheut dhe për këtë nuk mori kurrfarë falenderimi.
Duke i pasur parasysh këto që thashë, unë prapë po bëj pyetjen: Përse duhej ta vrisnin perendimorët Enver Hoxhën?! Konkluzioni im është ky: 1.Perendimorët nuk e dinin, ose nuk donin ta dinin, sa e rëndësishme është Shqipëria për ta. Ata kanë qenë të verbër në politikat e tyre ndaj krejt Shqipërisë e veçanërisht ndaj RPSSH-së. (Fjala është për atë pjesë që bënte politikën në ata shtete.) 2.Perendimi, mbështetur kryesisht në synimet e fitimit, donte ta kishte Shqipërinë koloni të vetën, donte naftën, donte mineralet, donte treg shitjeje dhe nuk i pëlqente kurrsesi një ekonomi e pavarur në Shqipëri. 3.Idetë komuniste, prej të cilavet ishte frymëzuar Enver Hoxha, dihet që borgjezisë perendimore nuk kish si t’i pëlqenin. Por nuk duhet menduar kurrsesi që Evropa Perendimore dhe SHBA-ja do të na kishin trajtuar ndryshe nëse këtu nuk do të kish hyrë fryma komuniste. Ne gjithsesi do të ishim koloni dhe ndoshta edhe më keq, sepse do të mund t’u jepeshin fqinjëvet edhe pjesë të tjera të vendit tonë. Psh, i quajturi Vorio Epir, pas Luftës së Dytë, do të mund t’i jepej Greqisë.
Po cili duhet të jetë VENDI I ENVER HOXHËS NË TË ARDHSHMEN, në kushtet e një shikimi më të kthjellët të historisë? Evropa Perendimore duhet ta pranojë Enver Hoxhën si njërin prej personalitetevet më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit XX. Mund të mendojë dikush: Po një pjesë e shqiptarëvet, ç’do të thotë? Ajo pjesë e shqiptarëvet që ka hedhur baltë mbi emrin dhe veprën e Enver Hoxhës, sapo ta nuhasë kthesën racionale të Evropës, do të vrapojë kush e kush ta lëvdojë më shumë, „udhëheqësin tonë të lavdishëm“. Këtu kemi qenë, kur u bëheshin duart gjak nga duartrokitjet.
Organizma dhe organizata të ndryshme duhet t’i japin Enver Hoxhës DEKORATA e ÇMIME të ndryshëm, pas vdekjes, sepse vetëm në atë mënyrë do të mund të korrigjohen gabimet e rëndë që ka bërë Perendimi ndaj Shqipërisë. Enver Hoxhës duhet t’i jepet çmimi „Nobel“ pas vdekjes. Mund të thotë dikush që ëndrra e tij nuk u realizua, se nuk pati jetë të gjatë. Por as ëndrra e Nënë Terezes nuk është realizuar e megjithatë i është dhënë çmimi „Nobel“. Mund të thotë dikush që Enver Hoxha ka dhënë orientime, pëlqime ose edhe urdhëra për të vrarë kundërshtarët e regjimit të tij. Por edhe Barak Obama ka dhënë urdhëra për të vrarë, psh, qindra talebanë. Megjithatë, atij i është dhënë çmimi „Nobel“. E kam fjalën, KUR BOTA TË MUND T’I SHIKOJË GJËRAT MË KTHJELLËT DHE ME MENDJE MË TË SHËNDOSHË, Enver Hoxha duhet të zërë vendin që i takon midis njerëzvet më të shquar të Evropës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura