GJOKË DABAJ: PSE DUHESHIN ASGJËSUAR USHTRITË SHQIPTARE?!

(Durrës, 31. 03. 2012) – Në harkun e këtyre 20 vjetëve të fundit, ne i patëm 4 ushtri tonat dhe që të 4-at na u asgjësuan, jo prej armikut që e kishim ballas, por prej aleatëvet, që duhej të na mbronin ne, e rrjedhimisht edhe ushtritë tona. Është një çudi e madhe, ndoshta ndër të rrallat në botë. Megjithatë, në historinë e kombit tonë, këta 4 raste nuk janë të vetmit. Po përmendim vetëm 2, thjeshtë sa për ngacmim të kujtesës.
     1. Në vitet 1448-1450 qeveria e Venedikut kish caktuar një shumë prej 10 mijë dukatësh shpërblim për atë që vriste Gjergj Kastriotin Skëderbeun. Përse donte ta vriste Venediku Heroin tonë Kombëtar?! Për shkak të 2 thasëve kripë, prej të cilëvet Kastriotasi do të vilte për vete në doganën e Vaut të Dejës?! Apo se Kastriotasi do ta mbronte Republikën e Venedikut prej Turkut në thuajse krejt gjysmën e dytë të shekullit XV?! Madje fryma kastriotase do ta mbronte Venedikun prej Perandorisë Osmane edhe në shekullin XVI (kujto qëndresën e Tivarit e të Ulqinit deri në vitin 1571), edhe më vonë (kujto kuvendet e njëpasnjëshëm të arbërvet)!
     2. Një peshkop i Durrësit, në kohën e sundimit osman, shkon nëpër Evropë, mbledh atje ndihma, blen armë, mbush një anije me ato armë dhe bëhet gati për t’i prurë nga Venecia në Arbëri. Pa pritur, autoritetet e Republikës së Venedikut e ndalin anijen, i shkarkojnë armët, kurse peshkopin, bashkë me një kapiten që peshkopi e kish me vete, e arrestojnë dhe e dënojnë me burg. Venediku ishte aleat i natyrshëm i arbërvet kundër Perandorisë Osmane. Pse e bëri Venediku këtë veprim, i cili shkonte në favor të armikut të tij shumëshekullor?.. 

_______________________________________________

     Këta ishin 2 shembuj, sa për të ngacmuar të kujtuarit tonë, gjithsesi të hidhur. Shohim tani kohët më të afërta. Që nga dhjetori i vitit 1990 e këndej, që kur u dëgjuan nëpër Tiranë thirrjet e para “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”, Aleanca Euroatllantike, pra NATO-ja, e kish fare lehtë ta kuptonte që edhe arsenali ushtarak i Republikës së Shqipërisë tashmë ishte potencialisht forcë pro NATO-s dhe jo kundër NATO-s. Megjithatë, ndër “veprat” e para të nëndheshme (S’e dimë kush fshihej konkretisht prapa këtyre “veprave”.), ishte asgjësimi i ushtrisë shqiptare dhe i krejt objektevet të saj mbrojtës. Mund të themi tani për tani vetëm kaq: Në vitet e të këtillë veprimeve anti-NATO dhe realisht antiperendomorë, në krye të ushtrisë shqiptare ka qenë Kiço Mustaqi, një grek i mirëfilltë (siç e ka pohuar vetë), të cilin e pat vënë aty Ramiz Alia.
Erdhi 1991-shi dhe erdhën gjithë vitet mbas 1991-shit. Kryefjala e punëvet në Republikën e Shqipërisë ishte çarmatimi i ushtrisë së saj deri në predhën e fundit. Ushtria shqiptare, deri në këtë kohë, ka qenë e kompletuar me çdo gjë që i nevojitet një ushtrie mbrojtëse. Armë këmbësorie, për të gjithë shtetasit, të aftë për të luftuar. Burra e gra, pleq e të rinj, që të gjithë e kishin në depot përkatëse, në afërsi të çdo vendbanimi, nga një pushkë automatike ose kallashnikov, caktuar me numër vendi e me numër arme për secilin banor. Municion ka pasur për disa vjet luftë të pandërprerë. Artileria tokësore ka qenë e atillë që asnjë ushtri invaduese të mos mund të hyjë në kufijtë e shtetit, pa u gozhduar në vend dhe pa u zbrapsur. Artileria kundërajrore ka qenë e aftë të mbrojë qiellin nga çdo lloj sulmi ajror. Ndërlidhja ishte, për kohën, në nivelin më të lakmueshëm. Republika e Shqipërisë kish në atë kohë rreth 300 avionë lufte dhe rreth 2000 tanke. I gjithë territori i Republikës së Shqipërisë ishte i fortifikuar si rrallë ndonjë shtet tjetër në botë. Kuptohet, fortifikimi nuk bëhet për të sulmuar dikënd, por për t’u mbrojtur. Shtetasit e këtij shteti kishin përballuar shumë mangësi, deri edhe në ushqime, vetëm e vetëm që të jenë në gjendje për t’u mbrojtur nga pushtuesit. Nga ata pushtues, që kurrë s’e patën lënë këtë popull të rrojë i qetë në atdheun e vet.
     Erdhi 1991-shi. Logjikisht, i gjithë ai potencial ushtarak po bëhej tashmë pjesë e fuqisë mbrojtëse (dhe paqëruajtëse) të Aleancës Ushtarake të NATO-s. Pse nuk e ruajti NATO-ja, aleati ynë, këtë potencial ushtarak tashmë të vetin? Të 2000 tanket dhe mijëra topa u çuan për skrap në Zhelezarën e Nikshiqit. Bunkerët, tashmë të NATO-s, u shkulën, u shkatërruan, u copëtuan dhe, hekuri i tyre, nxjerrë me 1000 belara nga dheu, u rishkri në Kurumin e Elbasanit.
     Si rezultat, para 100 vjetësh, forca e armatosur e Ismail Qemalit ka qenë më në gjendje të mbrohet në drejtim të Himarës dhe Gjirokastrës, se ç’është sot në gjendje ushtria shqiptare të mbrojë Himarën dhe Gjirokastrën. Ndërkaq, shteti grek, edhe në ditën e vet më të vështirë financiare, po blenë prej Gjermanisë miliarda euro armë nga më të sofistikuarat. Shteti grek thotë, me këtë rast, që këto armë i duhen, sepse “ka frikë” nga Turqia. Kjo s’është e vërtetë. E vërteta është se shteti grek planifikon të marrë jugun e Republikës së Shqipërisë. Vetëkuptohet, jo brenda ditës, por kur t’i vijë rasti, dhe, atëherë, doemos që do të ketë punë edhe me Turqinë. Mirëpo, e gjithë kjo s’është shenjë e mirë për NATO-n. Për NATO-n do të kish qenë më mirë që në Republikën e Shqipërisë të ish ruajtur e pacënuar aftësia mbrojtëse. Shtesat e reja mund të bëheshin mbi ato që ekzistoni, jo mbi asgjë.
     U krijua ndërkohë edhe në Kosovë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. U armatos, me 1000 halle dhe privacione. Madje, me armë fare të lehta dhe fare të pakta. As topa, as tanke, as avionë, as raketa. Megjithatë, UÇK-ja e bëri luftën ashtu si mundi, më shumë me trimëri se me forcën e armëvet. E luftoi pushtuesin sërb më shumë me atdhedashuri, se me mjete lufte, me të cilët ushtria sërbe ishte 100-fish më e kompletuar. Them 100-fish, por druaj se kam thënë pak. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte aleatja më e predispozuar e forcavet të NATO-s, jo vetëm nga ardhja e R.Hollbrukut e këndej, por qysh në zanafillën e saj. Gjatë gjithë kohës së bombardimevet, UÇK-ja ishte, praktikisht dhe faktikisht, ndonëse jo burokrato – “zyrtarisht”, forca e vetme tokësore e NATO-s, e cila vepronte në Kosovë. Megjithatë, megjithatë, megjithatë! Puna e parë që bënë aleatët tanë, fill pas nënshkrimit të një letre në Kumanovë, ishte: të mbledhë pushkët tona, t’i rreshtojë nëpër sheshe, t’i sharrojë tytat e tyre me fresibla specialë dhe t’i filmojë krejt këto, në mënyrë që sërbët të binden se nuk ka më UÇK e, rrjedhimisht, nuk ka më as Kosovë me liri të garantuar. Sërbia, që ish agresorja, nuk u çarmatos. Sërbia, që i kish drejtuar tytat e artilerisë së vet dhe raketat e veta kundër aviacionit të NATO-s, nuk u çarmatos. Topavet të Sërbisë nuk iu sharruan tytat. Iu sharruan tytat pushkëzavet të shqiptarëvet. Pse e bënë këtë punë kaq të keqe aleatët tanë?!
     Pse pranuam ne, që të na merren pushkët dhe pse nuk i bindëm aleatët tanë se s’kishim ndërmend (Kurrë në botë!) t’ua kthenim atyre ato pushkë dhe prandaj nuk kishin asnjë arsye për të na i marrë ?! Të njëjtin lloj çarmatimi e kishim pranuar në Prizren, në vitin 1945, nga “aleatët” tanë të atëhershëm jugosllavë. E kishim pranuar çarmatimin dhe ishim çarmatosur në Prizren. Jugosllavët na kishin grahë si berrat nëpër malet e Kukësit e të Pukës dhe, sapo na kishin nxjerrë në breg të Tivarit, na kishin grirë, me armë, të ngjashme me ato që ua kishim dorëzuar vetë.
    Çfarë duhej të bënte NATO-ja në Republikën e ardhshme të Kosovës, nëse do të ndiqte një politikë proshqiptare, dmth provetëvetes? NATO-ja, nëse nuk do të kish brenda vetëvetes Kolonë të Pestë anti-NATO, duhej të bënte që forcat e UÇK-së, jo të çarmatoseshin, por, bashkë me forcat e KFOR-it, të zinin pozicionet deri në pikën më veriore dhe të ushtronin në krejt territorin e vet të drejtat që i kishin fituar me luftë.
     Nuk u veprua ashtu. Tani na duhet t’i çojmë me helikopter doganierët deri në Jarinjë. Tani, sado që e kemi një të quajtur Forcë Sigurie, konstatimi ynë, i hidhur sa s’ka ku të vejë, është ky: Isë Boletini, para 100 vjetësh, me trimat e tij, ish më në gjendje ta mbronte Mitrovicën.
    E krijuam një ushtri të vogël edhe në Anamoravë. E bëmë bam 2 a 3 herë. Erdhën ndërkombëtarët, aleatët tanë, dhe na thane: “Mos! Mos bëni kështu, se destabilizohet rajoni!” Heu dreq! Ne nuk dimë t’i themi mikut: “Nuk është ashtu! Rajonin e destabilizojnë të tjerët, jo ne.” Sidomos, kur miku ynë është i fortë. Na u “mbush mendja” se vërtet ashtu mund të ndodhte, se mund të bëheshim ne e jo sërbët shkaktarë kiametesh në këto anë dhe… i dorëzuam armët. U filmuan edhe ato… Pas disa vjetësh, B.Tadiqi erdhi dhe ngriti një garnizon të fuqishëm ushtarak mu në tokën shqiptare, mu në kufi me Republikën e Kosovës. Askush nuk e filmoi, as nuk i tha se po e destabilizon rajonin. 
     Çfarë duhej të bënin ndërkombëtarët perendimorë në Anamoravë, nëse do të ndiqnin një politikë proshqiptare, dmth provetëvetes? Ta zëmë se nuk u levërdiste të kërkonin ndryshim të kufijvet shtetërorë. Nëse nuk u levërdiste të kërkonin ndryshim të kufijvet shtetërorë, ndërkombëtarët perendimorë, në vend që ta çarmatosnin UÇPBM-në, duhej ta shndërronin në polici vendore dhe ta detyronin Beogradin që t’i japë Anamoravës statusin e republikës breda shtetit të Sërbisë.
     Nuk u veprua ashtu dhe tani na duhet të konstatojmë: Idriz Seferi ish më në gjendje ta mbronte Anamoravën në kohën e vet, se ne, 100 vjet më vonë.
     Bëmë si bëmë dhe ia krisëm edhe në Tetovë. Sllavët na vranë gjithandej. Na gjurmonin me helikopterë. Na hynin nëpër fshatra e na i vrisnin nga 10 e nga 15 djem të rinj. Na i vranë babë e bir mu në mes të Tetovës… Por ata nuk i çarmatosi askush. Na çarmatosën ne. Nuk na çarmatosën sllavët, por miqtë tanë, aleatët tanë. Po Izraelin pse s’po e çarmatosin, xhanëm! Nuk po e çarmatosin, sepse Izraeli është i zoti i vetes. Ne nuk jemi të zotët e vetes!
     Në anë tjetër, do pohuar me siguri të parrëzueshme, se as aleatët tanë, sado të fortë që e ndiejnë veten, nuk po tregohen aspak largpamës. Duke çarmatosur ne, ata, aleatët tanë, po bëjnë një politikë miope dhe po zbatojnë një strategji më se të verbër, në radhë të parë për vete. Ata nuk po e kuptojnë dot që shqiptarët, në këto hapësira, janë faktor shumë i rëndësishëm properendimor. Natyrshëm properendimor! Historikisht properendimor! Ata gjithashtu nuk po e kuptojnë dot që, duke lejuar që ne shqiptarët të dëmtohemi prej fqinjëvet tanë edhe nëpërmjet tyre, e dëmtojnë pandreqshëm edhe vetëveten.
     Çfarë duhej të bënin ndërkombëtarët dhe NATO-ja, nëse do të ndiqnin një politikë proshqiptare dhe paqëruajtëse afatgjatë? Ata duhej të hynin në ish-Republikën Jugosllave të së quajturës Maqedoni (në të cilën s’bën pjesë as 10% të Maqedonisë Antike). Të hynin atje më 2001-shin, ashtu siç patën hyrë në Republikën e Shqipërisë më 1997-n. Ta çonin punën deri atje, që vetë qeveria e Shkupit t’i ftonte dhe të vendosnin armëpushim midis të 2-ja palëve. Jo t’i çarmatosnin shqiptarët, por t’i linin të armatosur ashtu siç ishin dhe, në ata kushte, të realizonin një marrëveshje midis 2 etnive. Pika më kryesore e Marrëveshjes së Ohrit duhej të ishte: 30% deri 40% e oficerëvet të ushtrisë atij shteti të ishin shqiptarë. Pikë tjetër duhej të ishte: Të gjithë fëmijët e atij shteti, nga klasa V, jo nga klasa I, të ishin të detyruar të mësojnë gjuhën e njeri-tjetrit. Por nuk ndodhi, veç tjeravet, edhe sepse perendimorët, aleatët tanë, kanë brenda strukturavet të veta një Kolonë të Pestë antiperendimore shumë të rrëzikshme.
     Me qëllim për ta përforcuar edhe njëherë këtë që thamë për aleatët, po sjellim këtu edhe 3 shembuj.
     1. Në pranverë të vitit 1944 Ulqinin e kanë bombarduar aeroplanët angloamerikanë. Në librin “Cafobeg Ulqini” të autorit Fahri Buçinca, botim i v.2009, f.143, thuhet: “në Ulqin… nga aeroplanët anglo-amerikanë u bombarduan (lagjet) Mëhalla e Re dhe Meraja, ku jetonin vetëm shqiptarë, me ç’rast u vranë mbi 100 vetë. Në (lagjen) Meteriz, ku jetonin (kolonistët, Gj.D.) malazezë, nuk u hodh asnjë predhë.”
     2. Në të njëjtin libër kemi edhe shembullin e dytë, moralisht të njëjtë, por numerikisht 30-fish më të rëndë se të parin. Aty thuhet: “Më 13 qershor të vitit 1944, një skuadrilje aeroplanësh anglo-amerikanë prej 28 bombarduesish e bombardoi Pejën, me ç’rast (u vranë) mbi 3000 (tre mijë, Gj.D.) qytetarë pejanë dhe (pati) po aq të plagosur.” “…aeroplanët anglo-amerikanë bombarduan lagjet ku jetonin shqiptarët.” “…asnjë qytetar i kombësisë sërbe nuk është vrarë në këtë bombardim.” (f.143).
     3. Në qershor të vitit 1999 ka ndodhur i njëjti “episod”. Në Korishë të Prizrenit, komanda sërbe kish marrë informata, sigurisht nga dikush i komandës së NATO-s, se atë natë NATO-ja do t’u bombardonte një repart tankesh. I hoqën tanket nga vendi ku i kishin dislokuar dhe në vend të tankevet vendosën një kolonë të dëbuarish shqiptarë. U dhanë urdhër të ndalen aty, me gra e fëmijë, dhe nuk i lejuan të lëviznin prej andej, deri sa u krye bombardimi, me ç’rast, në vend që “të vriten” tanket, u vranë mbi 60 shqiptarë.
     Të gjithë e kemi të qartë që vrasja e civilëvet shqiptarë, në mënyrë kaq mizore, nuk ka qenë dhe nuk është politikë shtetërore as e Britanisë, as e SHBA-së dhe as e Aleancës së Atllantikut si tërësi, por megjithatë, nuk kemi dëgjuar deri më sot që, qoftë komanda e atëhershme e aleatëvet tanë, qoftë kjo e sotmja e NATO-s, të kenë zbuluar ndonjë fajtor, që në të 3 rastet s’ka qenë tjetër veçse spiun prosërb, përgjegjës për të këtilla masakra mbi popullsinë civile shqiptare. Prandaj, në këta kushte, duke e pasur krejt të qartë se kujt i intereson t’i çarmatosë shqiptarët (në mënyrë që të mund edhe t’i masakrojë), ne, në formë paralajmërimi, miqësor por mjerisht ogurzi për aleatët tanë, për dashamirësit tanë, po bëjmë këtë paralelizëm: Strategu Franko, kur e pyetën nëse do të mund ta merrte Madridin me 4 kolona, pat thënë: “Kam edhe Kolonën e Pestë.” Ndodhi pikërisht ashtu siç tha ai: Republikën e Madridit e shkatërroi, e shpartalloi, kryesisht Kolona e Pestë. Gjenerali Franko mund të ketë qenë monarkist, fashist e çfarëdo tjetër, por që ishte një strateg i përkryer, këtë nuk mund ta mohojë askush. Dua të them: Ata, të cilëvet u intereson asgjësimi i ushtrivet shqiptare e, në vazhdim, asgjësimi i krejt kombit shqiptar, mund të jenë megalogrekë, megalosërbë, megalorusë, por strategë e takticienë të këqinj nuk janë. Ne bëhemi strategë e takticienë të këqinj, për 2 thasë kripë. Kini kujdes, zotërinj të nderuar, se edhe “Republikën e NATO-s” ka për ta shkatërruar pikërisht një e tillë Kolonë e Pestë. Antishqiptare, por thelbësisht anti-NATO!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura