GJOKË DABAJ: PSE NUK SHKOVA NË PANAIRIN E LIBRIT

Durrës, 19. 11. 2015: Arsyeja e parë: Nuk kam para për të blerë libra, në një kohë kur, si studiues, kam shumë nevojë të kem libra. Nëse do të shkoja, do të lakmoja për të blerë të paktën 50 nga më të domosdoshmit, në mënyrë që, deri në panairin tjetër, të mund t’i lexoja (nga 1 në javë) dhe të mund t’i shfrytëzoja në punën time. Por mua, nga 170 mijë lekë të vjetër pension, nuk më teprojnë as për të pirë një kafe me ndonjë shok, le më për të blerë libra. Atëherë, përse të shkoj?! Që të më plasë shpirti, kur t’i shoh, të rreshtuar e të stivosur, të gjithë ata libra, aq të vlefshëm, e të mos mund t’i blejë?! Që të sëmurem nga marazi?! Të bredh midis eksponateve si një qen sallhane që vjen rrotull thertorevet, duke lëpirë turinjtë me gjuhë?!
…Unë jam rritur me libra në shtëpi. Im atë, kur pat ardhur nga Stambolli, nuk pruri dot flori, por pruri aq shumë libra, sa porositi 2 mushka për t’i bartur nga Tivari në Shestan. Jam rritur mes atyre librave, të cilët i lexonte im atë (ndonëse autodidact me vetëm 4 klasë shkollë), në gjuhën frënge, në gjuhën greke të vjetër e të re, dhe në gjuhën turke me të 2 alfabetet. (Fatkeqësisht, më vonë, rrënimi i të 2 shtëpivet tona, në Gurrzë dhe në Krythë, i mori me vete edhe ata libra.)
Kur punoja si punëtor bujqësie, në Tepelenë, në çdo fund 15-ditëshi, një pjesë të rrogës e ndaja për librat. Pata krijuar ashtu, në 5 vjet punë e jetë në Tepelenë, një bibliotekë presonale mjaft të mirë.
Shokët e mi të fakultetit (midis tyre, Rudolf Marku, Moikom Zeqoja, Alfred Çapaliku, Rakib Lasku, Llazar Veroja, Viktor Sharra, Arshin Xhezoja), e dinë sa libra ka pasur në dhomën time në Qytetin “Studenti”.
Edhe ish-nxënësit e mi, në Klos të Matit, e dinë sa libra kam pasur në banesën time.
Ndërsa tash s’jam në gjendje t’i shtoj bibliotekës as edhe 1 libër dhe jam i detyruar të navasem me ç’më falin kolegët shkrimtarë dhe studiues ose kur ndonjëri fëmijësh më blen ndonjë, me raste…
Dje më mori djali në telefon dhe më tha: “Çfarë libri të ju blej?” Mua m’u dridh buza dhe s’i thashë dot asgjë, se e di gjendjen e tij. Ia dhashë telefonin sime shoqeje. Ajo i tha: “Merr ç’të duash, veç të mos jenë shumë shtrenjtë!” “A t‘i marr nja 2 të Arif Matit?” “Merri,” i tha e ëma, “veç, aman, mos harxho shumë!”
Arsyeja e dytë
Unë i kam botuar nja 12 libra gjer më sot, por ata nuk shiten.
– Libri “Shestani” nuk shitet, se është shumë i shtrenjtë. Vetëm shtypja e tij ka kushtuar 20 mijë dollarë dhe ende s’ia kam shlyer krejt borxhin shtypshkronjës.

– Libri “Strategjia e shqiptarëvet”, me sa duket, s’i hyn në punë askujt, sepse: „Me aso punësh nuk ka pse merremi ne të vegjlit. Le ta përcaktojnë strategjinë tonë qeveritarët, qoftë edhe pa lexuar asnjë libër! Ata paguhen për këtë punë!“
– Libri “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit” mund t’i interesojë ndonjë studiuesi, por as ai, si dhe unë, nuk ka me se ta blejë.
– Romani “Kriza e arkivistit” është i rëndë për t’u lexuar, sepse flet për vrasjet e për masakrat ndaj shqiptarëvet. „Ç’po na duhet të dimë edhe për vrasje shqiptarësh!? Kemi filma me vrasje e me horror, sa të duam!“ Kështu që, as „Krizën e arkivistit“, as „Prush plagësh të pambyllura”, ata që kanë para, nuk i blejnë. Nuk kanë shtytje, nuk kanë motiv për t’i blerë.
Të 12 librat e mi ndoshta do të bliheshin, sikur të kisha farë menaxheri apo ndonjë formë të përshtatshme marketingu. Por unë nuk jam tregtar. Nuk di as të shkruaj libra „për tregti” dhe as t’i shes librat që kam shkruar.
Kështu që, përse të shkoj në panairin e librit? Të shkoj e të sillem andej si një qen që sillet rreth thertorevet?! Një pjese jo të vogël krijuesish të sotëm shqiptarë u shkon më së miri ky lloj krahasimi.
Arsyeja e tretë
Unë tani po merrem me një projekt shumë të madh, i cili, për fatin e keq të kombit tim, ka shumë pak gjasa të vihet në jetë. E kam publikuar qe 4 vjet te “Strategjia e shqiptarëvet”, por janë fare të pakët njerëzit që më kanë shprehur përkrahje.
Disa nuk thonë asgjë dhe unë s’e di a e kanë lexuar apo jo, ndonëse ua kam dhuruar librin. Disa e lexojnë dhe, në vend që ta përkrahin dhe pranojnë projektin tim, hartojnë projekte për vete, krejt të ndyshëm nga imi, ngjashëm me dhjetëra projekte shoqatash e stërshoqatash, dhe m’i ofrojnë mua. Duan të jenë ata shpëtimtarët e kombit. Disa të tjerë kanë plane e punë të vetat dhe kjo është e arsyetueshme. Disave u duket vetja i vogël. Disave u dukem unë i vogël. Ka edhe zyra qeveritarësh, që ua kam dërguar projektin, por ata, ose nuk e kanë lexuar fare, ose, që është shumëfish më keq, e kanë lexuar e s’kanë kuptuar asgjë, më sa gjyshja ime, që s’kish asnjë klasë shkollë.
Në këta kushte, edhe sikur 1000 libra të kem shkruar dhe të më jenë shitur që të gjithë, edhe sikur të kem mundësi të blej libra me dhjetëra, e ç’më duhen?! Projekti im “Përkujdesja gjithshqiptare” do të siguronte mbarëvajtjen e mijëra punëve në kombin tonë e, midis tyre, në radhë të parë mbarëvajtjen e gjuhës shqipe dhe të librit shqip. E pra, kjo punë do të mund të fillonte me fare pak dishepuj. Jezusi i kish 12 apostuj. Mua do të më duheshin vetëm 9 apostuj (me kushtin që të jenë të rinj, nën 40 vjeç, dhe shenjtërisht të përkushtuar). Vetëm 9, aq sa ka pasur edhe Komiteti i Stambollit, në vlugun e të rilindurit të kombit tonë. A thua as kaq nuk do të mund t’i gjej?!
…Këto ishin 3 arsyet, pse nuk shkova në panair. Gjatë këtyre ditëve, pastrova ferra rreth baçes sime, me një kadhë e me një sfurk, në mënyrë që t’i largohesha sadopak stresit nervaemendjeshkatërrues. T’i largohesha sadopak brengës!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura