SOKOL BYLYKBASHI: UDHËRRËFYESI PA UDHËTARË!

 Prishtinë, 19. 06. 2012) – Bashkimi Evropian e dorëzoi udhërrëfyesin që na tregon se çfarë duhet të bëjmë për liberalizimin e vizave dhe cila është rruga drejt BE-së. Nuk është që nuk dihej rruga që na çon në BE, por disi mospërmbushja e kriterëve të kësaj organizate, nga ana e autoritetëve tona arsyetohej gjithmonë me mosmarrjen e udhërrëfyesit. Tashti që e kemi formalisht udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, neve na mbetet që të ecim përpara për të realizuar aspiratat tona integruese. Mirëpo, me qeverisjen politike dhe me sistemin e drejtësisë që e kemi, ne edhe pse e kemi udhërrëfyesin nuk do të mund të jemi udhëtarë në rrugën e gjatë të integrimeve evropiane.
Përmbushja e kushteve për liberalizimin e vizave dhe të fazave të tjera integruese, nuk mund të ndodhë pa një tjetërsim substancial të statusit politik dhe social të qeveritarëve dhe ish-qeveritarëve tanë. Kjo i bie që shumica e atyre që kanë qeverisur me vendin tonë që nga paslufta e deri më tani të mbeten pa pushtet, pa pasuri dhe në fund edhe pa liri. Këta politikan e kanë vjedhë ashiqare edhe pushtetin edhe pasurinë dhe tash po e vjedhin edhe lirinë personale. Meqënëse hajnia është kushti për mbijetesën e këtyre politikanëve, ata nuk do të heqin dorë kurrë nga ky kusht që i mban aty ku nuk do të duhej të ishin më.

_______________
Bruksel: Kosova merr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave!

____________________________

Qeverisja lokale dhe ajo qendrore tashmë e kanë arritur kulmin e keqmenaxhimit dhe keqpërfaqësimit. Në të gjitha komunat pa dallim, qytetarët denoncojnë raste të shumta korruptive kundër kryetarëve dhe zyrtarëve tjerë komunalë. Këto denoncime të qytetarëve për padrejtësitë e pushtetarëve komunalë, në të shumtën e rasteve nuk po trajtohen nga organët e drejtësisë. Dënimet e fundit me burg për dy kryetarët e komunave nuk mjaftojnë për të vendosur drejtësi dhe rend nëpër komuna. Po të kishim drejtësi të mirëfilltë, shumë kryetar dhe zyrtar të tjerë komunalë do të përfundonin në burg. Për qeverisjen qendrore mund të themi se është koka e dukurive negative në shtetin tonë. Qeveritarët tanë qendrojnë prapa çdo të keqeje dhe sigurisht që ata përfitojnë nga gjerat e keqija që ndodhin në shoqërinë tonë.
Procesi i liberalizimit të vizave kërkon zbatimin e një mori standardesh demokratike evropiane. Mosplotësimi i këtyre standardeve të kërkuara nga BE-ja, ka bërë që shteti i jonë të jetë i vetmi vend në rajon që i nënshtrohet regjimit të vizave nga ana e BE-së. Për liberalizimin e vizave kushtet kryesore kanë të bëjnë me riatdhesimin, riintegrimin e personave të riatdhesuar, menaxhimin e integruar të kufijve, sigurinë e dokumenteve të udhëtimit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto kushte nuk do të mund të plotësohen pa e pasur një qeverisje qendrore dhe lokale krejtësisht ndryshe nga ajo që e kemi tani.
Procesi i riatdhesimit dhe i riintegrimit të qytetarëve tanë po kalon më shumë parrëgullsi dhe mangësi. Sipas Naim Osmanit, nga Qendra për të Drejtat Civile, shumë persona të riatdhesuar, pas qëndrimit disa ditësh në Kosovë, për shkak të kushteve të vështira socio-ekonomike, po detyrohen që të kthehen përseri nga kanë ardhur. Të riatdhesuarit ankohen se kanë probleme të mëdha sa i përket pajisjes me dokumentet e gjendjes civile, mungesës së kurseve të veçanta të gjuhës për fëmijët që nuk flasin asnjërën nga gjuhët zyrtare në Kosovë, si dhe mungesës së objekteve për banim të qëndrueshëm. Mediat vendore pak ditë më parë kanë raportuar se persona nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë kërkuar të holla nga pronari i kompanisë fituese të tenderit për akomodimin e personave të riatdhesuar.

(!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!)

________________________

Për Qeverinë e Kosovës kushtet për liberalizimin e vizave që kanë të bëjnë me kontrollimin e kufijve dhe luftimin e dukurive të jashtëligjshme janë mision i pamundur. Dihet që qeveritarët tanë duke mos pasur vullnet dhe vendosmëri politike për të kontrolluar kufirin me Serbinë, kanë pranuar anomalin jo vetëm në kufi, por edhe në tërë veriun e vendit tonë. Sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar, nga Qeveria jonë nuk duhet të kërkohet më që t’i luftojë ato, e aq më pak të pritet nga ajo se do të bëj ndonjë progres në këto fusha të rëndësishme. Qeveria e jonë falë këtyre dukurive negative ekziston dhe janë pikërisht këto dukuri që po e mbajnë në këmbë. Kjo Qeveri mund të krijojë shanse dhe mundësi për përmirësimin e këtyre fushave vetëm duke dhënë dorëheqje të mënjëhershme.
Për t’u bërë anëtar i BE-së duhet të kalojmë në shumë faza të ndryshme. Rruga e integrimeve evropiane mund të përshkohet vetëm duke instaluar një qeverisje që garanton institucione stabile e demokratike, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, funksionimin e ekonomisë së tregut, aftësinë për të përballuar presionin e konkurencës së forcave të tregut brenda BE-së. Sa jemi larg këtyre standardeve evropiane, na tregon për çdo vit Komisioni Evropian përmes raporteve të progresit. Për Kosovën këto raporte kanë treguar regresin e vazhdueshëm në fushat e rëndësishme shoqërore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura