GJOKË DABAJ: REKTIFIKIM I NJË INTERVISTE – TË BOTUAR TE GAZETA ‘DITA’ NË KORRIK 2013(II)

Durrës, 20. 01. 2013 – (DITA, e premte, 12 korrik 2013, f.18-19.) – Edhe në këtë numër ka shumë gabime. Unë do të mundohem t’i bëj rektifikimet sa më shkurt. Te titulli “Më dërguan në internim në Tepelenë dhe më akuzuan për agjitacion e propagandë”. Del sikur ajo akuzë ka qëndruar përherë mbi personin tim dhe fill pas kësaj bëhet pyetja: “Po, si s’e paskan burgosur?!” Në të vërtetë, ajo akuzë më është bërë vetëm njëherë, nga persona të caktuar, të cilët, duke qenë edhe injorantë, ose mendonin sikur po vigjëlojnë në mbrojtje të Atdheut, ose ishin vegla të segmentevet të caktuar të Ministrisë së Punëvet të Brendshme, në shërbim të zbulimit jugosllav. (Them: SEGMENTEVET! Nuk them: MINISTRISË, sepse Ministria jonë e Punëvet të Brendshme nuk ka qenë kurrë, si institucion, në shërbim të askujt, përveç shtetit të vet, RPSSH-së, dhe popullit të vet, shqiptarëvet kudo që ndodheshin.)
“Detyrohet të bëjë punë nga më të rëndat në bujqësi. Ndërkohë, ai përndiqet nga Sigurimi i Shtetit.” Sqarim: Punët që bëja unë, kanë qenë fare të zakonshme, ashtu si për të gjithë punëtorët e tjerë. Sigurimi i Shtetit, natyrisht që do të informohej mbi qëndrimin tim, por kjo kurrë nuk ka qenë, as përndjekje, as pengesë për mua. Madje, më vinte mirë që njerëzit tanë ishin vigjilentë. Mjaftonte që të mos bënin budallalëqe e të vrisnin qenin në vend të ujkut, siç edhe ka ndodhur shpeshherë.

– Gjokë Dabaj –

“Aty në kamp kishte edhe kosovarë të tjerë që kishin ardhur në Shqipëri për një jetë më të mirë.” 
Është tepër i pasaktë ky informacion. Kur mua më kanë çuar në Tepelenë, kampi i atyshëm, i cili, gjithsesi, s’ka qenë për kosovarët, kish kohë që s’ekzistonte më. Vendi ku punoja e jetoja unë, ka qenë një NBL, një ndërmarrje bujqësore lokale, e cila ishte hapur aty, me investimet e shtetit, me qëllim që t’u sigurohej punë banorëvet të qytetit të Tepelenës dhe një pjese të fshatarëve që nuk e përballonin dot jetën vetëm me të ardhurat e kooperativës. Gjatë atyre 5 vjetëve që unë kam punuar në atë ndërmarrje, aty nuk ka pasur asnjë kosovar, përveç të ndjerit Hajdar Qetkaj, të cilin e patën prurë aty për pak kohë si arkëtar e llogaritar. Hajdari, që kish mbaruar për histori e gjeografi dhe që kish dhënë mësim në gjimnazin e Tepelenës për vite me radhë, një burrë flori, një mësimdhënës nga më të mirët, për fat të keq, tani ishte sëmurë nga nervat, nuk mund të jepte mësim, dhe prandaj e patën prurë aty.
“Ata, shumica e tyre ishin në survejim, ashtu si edhe unë që atë kohë isha më i riu në atë kamp pune.” Më vjen shumë keq, por këtu intervistuesi im ia ka lëshuar frenat fantazisë dhe thotë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën.
“Në çdo hap isha nën kontrollin e plotë të agjentëvet të Sigurimit të Shtetit. Më vinte keq që ëndrra jonë… ishte ndërprerë.”
Sigurimi i Shtetit Shqiptar dhe organizmat e tjerë shtetërorë të RPSSH-së, në të gjithë ata vite kanë punuar shumë për pjesët e Shqipërisë që gjendeshin nën Jugosllavi. Radio-Tirana, Radio-Kukësi, Radio-Shkodra, gazetat, sidomos Zëri i popullit, nuk pushonin së foluri për të drejtat e shqiptarëvet nën Jugosllavi. Krijoheshin e këndoheshin këngë patriotike, shpalleshin Heronj të Popullit luftëtarët e lirisë kombëtare, Bajram Curri, Dedë Gjo Luli, Isa Boletini, Shote Galica, Idriz Seferi, Sylejman Vokshi. U këndoheshin këngë këtyre heronjve. Pak më vonë Enver Hoxha dërgoi atje profesorët për të mbajtur ligjërata. Si mund të thuhet që “ËNDRRA JONË ISH NDËRPRERË”?!

Kopertinat e librit “Në rrugë rrëziqesh”, të autorëve Gjokë Dabaj&Fadil Cukaj.

“Më brengoste fati i shokëvet të mi.” natyrisht që më brengoste, por unë i njihja ata dhe dija që, edhe nëse arrestoheshin, do të qëndronin si heronj. Dhe ashtu kish ndodhur vërtet. Një Haxhi Zybë, një Bedrush Çollak, një Fadil Cukë, një Shefki Muçë, një Hysen Bukosh, koha ka treguar që s’ishin tjetër veçse heronj të këtij Kombi. Hysen Bukoshit ia kishin dhënë mundësinë që të dalë në gjyq si dëshmitar dhe madje e kishin liruar. Por ai “e ka gjetur mënyrën” për t’u burgosur përsëri, në mënyrë që të mos konsiderohej tradhtar i shokëvet. Për Bedrushin mora vesh që në Tepelenë që ish treguar hero i vërtetë. Për Fadilin m’u tha pak më vonë: “Ai shoku yt doli vërtet ashtu siç e ke përshkruar ti.” 
“Punonim gjithë ditën në punët më të rënda, ndërkohë që ushqimi ishte shumë i keq.” E thashë njëherë, punët ishin punë të zakonshme bujqësie. Ne rinia e mbaronim normën për 4 orë dhe pastaj rrinim. Unë lexoja libra gjithë ditën. Por edhe lahesha në Vjosë bashkë shokët ose luanim letra apo domino nën hije. Të tjerët, sidomos gratë e të moshuarit, e kishin më të vështirë, por nuk rraskapiteshin, se normat mbaheshin përherë në një nivel të përballueshëm. Ushqimi në mensën e fermës, në ata vite, nuk ka qenë i keq. Aq më tepër, për mua, që konsiderohesha jabanxhi dhe jetoja larg familjes, kuzhinierët kishin kujdes të veçantë. 4 vitet e parë ka qenë kuzhinire një grua oficeri që quhej Hilmie dhe ajo gjithnjë do ta hidhte një gjysmë garuzhde më tepër në pjatën time. Vitin e fundit erdhi kuzhinier një djalë i ri, Qemal Dervishi quhej. Edhe ai sillej shumë mirë me mua.
Vjen tani një pasazh të cilin jam i detyruar ta riprodhoj të plotë: “Flisnim në intimitet njëri me tjetrin ndonjë gjë, por nuk guxonim se e dinim që do të na ndëshkonin. Një ditë prej ditësh, më thërrasin drejtues të fermës dhe disa që kishin ardhur nga Dega e Punëvet të Brendshme apo nga Tirana dhe më thonë se flisja shumë, kisha shprehur pakënaqësi për regjimin, kisha thënë se ushqimi është i keq, se puna është e rëndë e se na paguanin fare pak.”
Asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Asnjëherë nuk më ka thirrur askush në zyrë për këto punë dhe unë asnjëherë nuk kam folur kundër atij regjimi. Jo atëherë, por as tash nuk flas dot kundër rendit shtetëror të asaj kohe, sepse dua të mbështetem në të vërtetën e jo në fantazi e në urrejtje. Tjetër është kur duam të bëjmë analiza, pse dështoi ai lloj regjimi. Analizat duhet të bëhen e do të bëhen, por gjithmonë mbështetur në një logjikë të pranueshme social-historike.
“Ka qenë prilli i vitit 1967. Përveç tjerash, më thanë se kisha shprehur pakënaqësinë e se doja të largohesha nga Shqipëria.” As kjo s’është aspak e vërtetë.
“Dikush (në kamp kishte dhe të ardhur si puna ime, nga Kosova) kishte informuar vazhdimisht për mua në Degën e Punëvet të Brendshme.” Krejt kjo i ka rrëshqitur intervistuesit tim, duke menduar se “ashtu duhet të ketë qenë”.
“Kush të merrte në pyetje?” E thashë edhe njëherë: Askush s’më ka marrë në pyetje. Todi Keqi, në atë kohë kryetar i Degës së Punëvet të Brendshme të Tepelenës, më ka thirrur në zyrën e tij, thjeshtë për t’u informuar si kishte ndodhur që unë kisha bërë grevë urie, si dhe për të më qetësuar. E kam informuar dhe ai më ka thënë: “Shteti ynë nuk ka asgjë kundër teje. Ata 2 shokët kanë bërë gabim dhe janë kritikuar nga shoku Elmaz Teme,” që ishte Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë. Unë i kam thënë Kryetarit të Degës që ata 2 njerëz, njëri sekretar i organizatës-bazë të Partisë e tjetri kryetar i bashkimevet preofesionalë për ndërmarrjen, duhet të hidhen në gjyq e të dënohen, sepse kanë shpifur kundër meje. Todi më ka thënë: “Jo, ata nuk do t’i hedhim në gjyq, por ti duhet të vazhdosh punën dhe nuk do të të shqetësojë më askush.”
Kohë më vonë, por jo siç thuhet në intervistë, ka ndodhur që, njëri prej atyre, P.B., ka përhapur thashetheme edhe kundër të ndjerit Qazim Shehu, Sekretar i Komitetit të Rinisë për rrethin, dhe për një udhëheqëse pionierësh. Pikërisht për shkak të atyre thashethemeve, 2 të rinjtë kanë vrarë veten në zyrat e Komitetit të Rinisë dhe Enver Hoxha ka mbajtur lidhur me atë ngjarje një fjalim të rëndësishëm kundër thashethemevet.
“Ashtu ishte ndërtuar shteti, shoqëria shqiptare e asaj kohe.” Pak më poshtë: “Vendosa të dal hapur.” Natyrisht, unë kam mendimin tim, se si ishte ndërtuar shteti shqiptar i asaj kohe, por jo kështu siç e ka shkruar z.K.Boriçi. Lidhur me shprehjen “Vendosa të dal hapur”, që unë si shumë gjëra të tjera që janë shkruar këtu, nuk ia kam thënë zotit K.Boriçi, do sqaruar që unë kam qenë gjithmonë i hapur me pushtetarët e asaj kohe, kam diskutuar nëpër mbledhje fare lirshëm dhe kurrë nuk kam mbajtur gjë të fshehur. Të fshehura kam mbajtur, kur kam qenë në Gjakovë e në Prizren, ndaj organevet të pushtuesvet sllavë, jo ndaj qeverisë sime, këtu në RPSSH.
“Fletërrufeja përgjithësisht nuk u prit mirë.” S’është e saktë. Atë fletërrufe as që arriti ta lexojë dikush nga punëtorët, sepse e hoqën menjëherë njerëzit që kishin shpifur. Punëtorët, në përgjithësi, ishin në anën time, sepse, për 5 vjet, ata kishin pasur mundësi të më njihnin.
Ç’të vazhdoj më tutje? Aty ka gabime të atillë, që, psh, unë kam thënë KUAJ e Kujtimi m’i ka shndërruar në MUSHKA. Mere me lëng, se mishi u mbarua, thonë ata nga Tepelena.
DITA, e shtunë, 13 korrik 2013, f.18-19.
“Gjatë studimeve universitarë u njoha me një vajzë nga Përmeti.” Me time shoqe, me Fotininë, jam njohur, jo gjatë studimevet, por gjatë punës si punëtor ferme në Tepelenë, sepse ajo, pasi kish mbaruar gjimnazin në Delvinë, kish ardhur e jetonte aty bashkë me prindët e vet. Në ditët kur unë protestoja me grevë urie kundër shpifjevet, edhe Fotinia, ish-gjimnaziste, punonte bashkë me nënën e vet, në fermë dhe ishte një ndër dhjetëra punëtorë e punëtore, që nuk e besonin se ishin të vërteta ato që u thanë në mbledhjen e kolektivit për mua.
(Sulmi, pra, qe bërë në mbledhjen e kolektivit, në prani të 200 punëtorëvet, dhe unë prandaj dyshoj që aty mund të ketë pasur dorë ndonjë segment i Sigurimit të Shtetit, që kish lidhje me UDB-ën. Skënder Backa më pat thënë më vonë, një natë kur kishte pirë dhe na puthte në ballë ne djemtë e Kosovës: “Për ty e për Myrteza Bajraktarin kam ndenjur gatitu para Kadri Hazbiut, pse ju kam prurë në fakultet.” Sidoqoftë, këto, se aty mund të ketë pasë dorë UDB-a, janë vetëm hamendje, të cilat kërkojnë hulumtime dhe dokumentim.)
“(Nëna) erdhi si turiste në Shqipëri.” Nuk e di me çfarë vize ka ardhur, por di që ka qëndruar nja 3 muaj dhe jemi kënaqur të gjithë, veçanërisht fëmijët që, deri atëherë, ishin rritur pa e pasur gjyshen afër.
Por mua prapë po më bezdis të shprehurit “erdhi… në Shqipëri.” Nëna ime, në ata vite, jetonte në Kosovë dhe në Ulqin. Pra, ajo JETONTE NË SHQIPËRI. A mund të themi për një nënë që kalon nga lagjja “Ali Demi” në rrugën “Myslym Shyri”: “Erdhi nëna në Tiranë”?! Kur një plakë tiranase kalon nga “Ali Demi” te “Myslym shyri”, qoftë edhe sikur te Rruga e Elbasanit të ketë postbllok kufitar, nuk ka logjikë të thuhet: “Erdi plaka në Tiranë!” Sepse ajo në Tiranë ishte! Ta marrë dreqi! Për kaq gjë duhet ta zotërojmë gjuhën shqipe!
Për Rifat Kuçin thuhet: “Në vitin 1964 ai u detyrua të ikë familjarisht dhe akomodohet në shtetin amë.” E para, Rifat Kuçi nuk ka IKUR, por E KANË DËBUAR jugosllavët familjarisht, sepse kanë marrë vesh që ka pasur nënshtetësi shqiptare qysh në Luftën e Dytë Botërore. Veç kësaj, intervistuesi duhej ta kishte pyetur veten: “A mund të IKTE dikush FAMILJARISHT, me kalamaj, me gra e me pleq, në atë kohë, nga Jugosllavia?” E dyta, sapo të kemi thënë “në shtetin-amë”, na lind pyetja: “Po shtetet bij e bija të këtij shteti-babë, cilët janë?” Mësojeni, pra gjuhën shqipe, të paktën ju që jeni gazetarë! S’e kam fjalën këtu vetëm për z.K.Boriçi. Janë shumica e gazetarëvet tanë, ashtu si edhe shumica e mësuesvet tanë, KREJT TË PADITUR në përdorimin logjik të gjuhës shqipe.
Kemi në vazhdim një shprehje tjetër që shënohet sikur e kam thënë unë: “Edhe kaq që më kishin dhënë, e kisha tepër.” Ç’do me thënë kjo, zotëri?! Si e paskam pasë tepër unë punën e një mësuesi?!
Lidhur me zv-shefin e atëhershëm të arsimit, gjithashtu nuk janë thënë gjërat ashtu siç ka qenë e vërteta.
Më tutje prapë kemi shënimin në lidhje me bibliotekën. Të 12 mijë librat janë paraqitur sikur janë librat e mi. Sa duhej ta kisha rrogën unë, për të pasur 12 mijë libra në bibliotekën time personale, duke rritur edhe 5 fëmijë?! Por, aty unë kam folur për bibliotekën e shkollës! Ajo bibliotekë, në të cilën punova unë rreth 17 vjet, me fondet e shtetit, u bë një ndër bibliotekat më të mira e më funksionale në republikë.
Edhe në lidhje me letërkëmbimin tim me familjen, është thënë, që ai është kryer në mënyrë ilegale nëpërmjet Turqisë. O zot! A vërtet kështu e përfytyron rinia e sotme RPSSH-n e atëhershme?! E vërteta është se vetëm 2 letra janë shkëmbyer në atë mënyrë në fillim të internimit tim në Tepelenë, pastaj, në të gjithë vitet në vazhdim, letërkëmbimi im me familjen ka qenë krejt i rregullt, drejtpërsëdrejti, në Ulqin ose në Prishtinë. Por, një e vërtetë tjetër, që duhet thënë, është kjo: Sidoqoftë, ne e bënim një lloj autocensure në ato letra. Kishim kujdes që të mos ngatërroheshim me fjalët tona, siç është e natyrshme në të gjitha kohët.
Në lidhje me ardhjen e vëllait tim nga Prishtina në vitin 1981, unë kam publikuar një artikull të gjatë te portali “pashtriku.ogr”, me titull “Viti 1981, vit i të gjithë shqiptarëvet”. S’kish pse thuheshin këtu gjërat në mënyrë kaq konfuze. Aty vërtet ka pasur qarje e lot, por ajo qarje e ata lot kishin një domethënie krejt tjetër: Në Kosovë, lufta për çlirim nga zgjedha sërbe tashmë kish hyrë në një fazë të re. Lufta, për të cilën Bota nuk deshi as të na mirëkuptonte, as të na përkrahte, me përjashtim të Enver Hoxhës dhe RPSSH-së, në ata vite, dhe Bill Klintonit e Toni Blerit, 20 vjet më vonë.
“I mora ato para, pasi ishte e pamundur t’i refuzoja.” Nuk i kam marrë, ndonëse vëllai i kishte kthyer në lekë dhe ndonëse kisha gati 40 mijë lek të vjetër borxh, por, me sa më kujtohet, i kam thënë vëllait kështu: “Shko dhe blij bukë me këto para për demonstruesit e Prishtinës! Ne këtu bëjmë si bëjmë.”
Edhe dialogu me nënën për lopët e kooperativës është dhënë gabim. Nëna nuk më ka pyetur: “A kështu i keni të gjitha lopët?” Ajo nuk ka qenë aq e cekët, sa të më provokonte mua me të tilla pyetje. Ajo i ka parë lopët, që rrinin në zall në anë të lumit, kockë e lëkurë, dhe më ka thënë, thellësisht e brengosur, me plot kuptim dhe me një mençuri që vetëm plakat si ajo mund ta kenë: “Bir, në i paçi të gjitha lopët kështu, s’i keni punët mirë.”
Një e metë e madhe e kësaj interviste janë FOTOGRAFITË. Ato, përgjithësisht, nuk kanë lidhje me temën që trajton intervista. Njerëzit, me të cilët kam dalë unë aty, janë që të gjithë miqtë e mi, por ata nuk i lidh pothuajse asgjë me atë çfarë shkruhet në intervistë. U kërkoj ndjesë atyre, nëse nuk ndjehen mirë, kur e shohin veten pranë një shkrimi pa kurrfarë lidhjeje me jetën e tyre.
Ndërkohë, libri që unë i dhashë Kujtimit (e që ai e ka shfrytëzuar e nuk e ka përmendur fare), i kishte fotot e anëtarëvet të grupit ilegal “Liria”, unë vetë kam fotografi nga Tepelena, nga studimet në Tiranë dhe nga jeta jonë me nxënësit e me kolegët në Fullqet e në Klos. Me një interesim e përkushtim më profesional, krejt kjo punë e FOTOGRAFIVET do të mund të kryhej shumë më mirë.
DITA, e diel, 14 korrik 2013. Nuk e kam lexuar. Sidoqoftë, mendoj që gjërat kryesore u korrigjuan.
Dua të theksoj edhe njëherë: Me që jam marrë me letrat gjithë jetën dhe jam me moshë më i madh, z.Kujtim Boriçi nuk duhet të më zemërohet dhe gjithashtu zotërinjtë botues të gazetës DITA nuk duhet ta konsiderojnë këtë ngjarje si diçka që e prish imazhin e asaj gazete. Përkundrazi, duke e botuar vetë ata rektifikimin tim, imazhi i asaj gazete rritet më shumë dhe unë shpresoj që, bashkë me z.Kujtim Boriçi, të mbetemi miq të përhershëm të asaj gazete.

_____________________

 SHËNIM: Qëndrimet e mi nuk po shfaqen këtu për herë të parë. Të interesuarit mund të lexojnë të 8 librat e mi të publikuar gjer më tani dhe rreth 100 shkrimet e artikujt studimorë, botuar në organe të ndryshëm: portali “pashtriku.org”, portali “kraja online”, revista Emathia, revista Buzuku, revista Malësia, libri “Namik Luci”, libri “Kraja me veçantitë shestanase ndër shekuj” dhe mjaft organe të tjerë të mediavet tona.
Pjezë, 17 korrik 2013. Gjokë Dabaj.
SQARIM i datës 16 tetor 2013: Këtë reagim timin ia kam dorëzuar z.K.Boriçi fill mbasi e kam hartuar, me kërkesën që ta publokojë ai vetë te gazeta Dita. Por unë prapë mendoj se i takon pikërisht gazetës Dita të botojë, jo vetëm këtë, por çdo lloj reagimi që vjen në adresë të asaj gazete, sidomos kur lidhet me atë gazetë. Prandaj, Ju lutem, z.A.Thana, më njoftoni nëse botohet apo nuk botohet!
Të fala miqësisht, Gjokë Dabaj.

(FUND)

===================

– PJESA E PARË –

REKTIFIKIM I NJË INTERVISTE – TË BOTUAR TE GAZETA ‘DITA’ NË KORRIK 2013(I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura