GJOKË DABAJ: S T A M B O L L I, V E N D L I N D J A I M E!

Durrës, 28. 02. 2017: Kam lindur në Stamboll, në lagjen Kadi Qoi, më 25 shkurt 1938. Jam nga Shestani, një krahinë e Tivarit, Shqipëri Veriperendimore, pushtuar prej Malit të Zi në vitin 1877 dhe sot pjesë e shtetit malazias.
Sigurisht që në jetën e njeriut dhe, atje ku është për së mbari, edhe në veprimtarinë e njeriut, ka rëndësi vendimtare VENDRRËNJA. Por edhe VENDLINDJA ka rëndësi. Prandaj dhe e çoj nëpër mendje Stambollin, shpeshherë. E kujtoj atë qytet më shumë se ç’do ta kujtoja, kur të mos isha lindur aty. E ndiej që aty „më ka rënur koka“, siç do të thoshte A.Z.Çajupi ynë. Aty, diku në kalldrëmet e Kadi Qoit, apo në ndonjë spital të tijin, aty kam lindur, i përgjakur gjakrash të nënës sime, dhe aty e kam lëshuar klithmën e parë.
Edhe sot, në orët kur po përgatitem për të hyrë në vitin e 80-të të jetës sime, po tërhiqem të meditoj për atë qytet. Të madh dhe të famshëm! Të lidhur organikisht, jo veç me qenien time si person, por edhe ME QENIEN E KOMBIT TIM, më tragjikun dhe më të madhërishmin midis shumë kombeve!
S’kam pse të mos e them që po e ndiej veten krenar. Por jam edhe I BRENGOSUR!.. Krenar, se Stambolli s’është qytet dosido. Është Stamboll! Vetëm kaq mjafton të shkojnë nëpër mendje nipërit e mi, që gjyshi i tyre ka lindur në Stamboll, dhe ta ndiejnë veten „jo si të tjerët“… I BRENGOSUR, sepse nuk po di ç’po bëhet dhe ç’do të bëhet me Stambollin. Nuk do të doja t’i ndodhnin hatara. Do të doja të ish qendër e botës, si përherë, por jo edhe qendër e tragjedivet.
S’ka mëdyshje se Stambolli, me gjithë rrethinën, më të ngushtë apo më të gjërë, ka qenë gjithmonë qendër e botës. Ose, thënë më saktë, njëra nga qendrat e botës.
Luftës zulmëmadhe, tërsëllimtare dhe mynxyrëpashuar të Trojës, edhe sot i dëgjohen aty rropamat dhe i nuhatet era e shkrumbit. Ç’qe ai mallkim i përmasavet kozmike, që nuk iu shuan gjurmët as në tre mijë e kusur vjet?! Miti thotë që ish MËKATI I LAOMEDONTIT, i një dardani, i një paraardhësi të Kombit tim, që e shkaktoi atë mallkim me peshën e një shkëmbi të pashkallmueshëm. E shkaktoi dhe iu përcuall ai mallkim asaj pjese të botës brez pas brezi ndër shekuj.
Laomedonti, thotë miti, i fyeu perenditë e veta, Apollonin dhe Poseidonin, si dhe bijtë e perendivet, Eakun dhe Herkulin. I fyeu aq rëndë, sa pasardhësit e tij, deri në ditët e sotme, deri te unë, s’e gjetën dot për tre mijë vjet një strehë perendie për të qenë. Një strehë të sigurt perendie, them unë, NË GJUHË TË VET! Të vetën dhe jo të huajën!
Megjithkëto, fara e Laomedontit, edhe pa një perendi të vetën, herë me bubullimë e herë çalë-çalë, vazhdoi të mbijetojë në mija vjet, edhe në ata vise. Dikush nga ata pasardhës të po atij Laomedonti, jo si ai, mendjemadh e mëkatar, në një ditë të papërcaktueshme lehtë, HODHI THEMELET e një vendbanimi mu mbi vendin ku i zihej gryka detit, dhe njerëzit rretherrotull e quajtën atë vend, në gjuhën e vet, MBIZANËTË. A thua e mendoi dikush se pikërisht prej atij vendbanimi, prej atyre gurëve të murit apo hunjvet të gardhit, po zinte fill një shtet i ardhshëm mijëvjeçar me emrin BIZANT?!
Shumë shekuj më vonë, prapë me largësi kohore jo lehtë të përcaktueshme, u ndal aty një tjetër pasardhës laomedontas, një dardan tjetër, këtë herë jo i panjohur si ai që e pat ndërtuar kasollen e parë të MBIZANËTIT, por shumë i njohuri perandori ynë, perandori i ilirëvet dhe i të gjithë popujvet të atëhershëm pellgmesdheas, Konstantini i Madh.
Konstantini i Madh e projektoi, tashmë me një vetëdije e me larpamësi gjeniale, njëkohësisht mizore, qytetin që sot e kësaj dite mban emrin e tij. Ishte shekulli i katërt i erës sonë.
Sot Stambolli, dmth, Konstantinopoli, po shtrihet i madhërishëm në të dy brigjet e të ZANËTIT, me më shumë se dhjetë milionë banorë. Por deti vazhdon të jetë si gjithmonë I ZANËT, me emrin Ngushtica e Bosforit, sipër të cilit varet një urë më se impozante. Edhe ngushtica detare, edhe ura sipër saj, i kanë DY FUNKSIONE shumë të rëndësishëm: funksionin e LEHTËSIMKALIMIT dhe funksionin e PENGIMKALIMIT. Lumturisht, por edhe fatalisht, të ndërkushtëzuar!
Projektin vizionar të Konstantinit të Madh e pat prurë edhe më këndej një tjetër dardan, një tjetër pasardhës i Laomedontit, këtë herë Justiniani i Madh, në shekullin e gjashtë, duke ia zgjatur jetën Perandorisë zëmadhe të Romës edhe një mijë vjet të tjerë.
Konstantinopoli madhështor, seli tempujsh e statujash të florinjta, zëvendësuese e denjë e Trojës laomedontiane, sajesë pallatesh e sallash të ngurta, ku, mes netësh të errëta, janë thurur mijëra plane përgjakjesh e linçimesh! Përzierje lëkurërrënqethëse e së virtytshmes, nga njëra anë, dhe lakmisë, ligësisë dhe krimit, nga ana tjetër, kryesisht, nëmos tërësisht, prej të huajsh!
Më 1453 Konstantinopoli kaloi nga një dorë, dikur e fuqishme, por edhe tinëzare, dorë perandorësh grekë të MBIZANËTIT, në një tjetër dorë, në atë kohë, sa të mbifuqishme aq edhe gjakderdhëse. Ishte Sulltan Mehmeti i Dytë Pushtuesi, ai që hyri me triumf në të famshmin Konstantinopol. Puna e parë e tija ish, që kambanaret e Aja Sofisë (Shën Diturisë), vepër madhore e Justinianit të Madh, t’i kthente në minare. Dikur, një cezarokrat, Konstantini i Madh, i pat ndaluar në këtë qytet tempujt e zotavet të vet parakë, duke lejuar vetëm tempuj të krishterësh me zanafillë hebreje, tash një tjetër cezarokrat, sulltan edhe kalif, po hynte, hipur mbi një kalë. Mbi një kalë, si dikur Agamenoni në Trojë, mu brenda në katedrale, për ta poshtëruar Shën Sofinë.
Arkitekti i të kthyerit të kësaj Shën Sofie në xhami, do të ishte sërish, çuditërisht, një pasardhës i Laomedontit: Arqitekt Sinani. Rrëno të huajt e ndërto ne, jo siç duam vetë, por siç duan të huajt. Mallkimi s’ka të këputur.
Do të jetonte kështu Konstantinopoli edhe pesë shekuj të tjerë, duke humbur një nga një plot shtatë tinguj të emrit të vet e, megjithatë, mbetur po ai. Do të vërtiteshin andejpari, brenda e jashtë Çanakkalasë, dhe do të hipnin e zbrisnin rrotull fronit të huaj sulltanor, me dhjetëra pashallarë e vezirë, pasardhës të po atij Laomedonti, mallkuar pashërueshëm perendish të veta.
U linden sulltanë pa fund. Të një tjetër race, jo race dardanësh. Të huaj, si dikur Agamemnoni apo Menelau. U kurorëzuan e shkurorëzuan. U vranë e vëllavranë, u gjakosën planesh së tyre ushtri të mëdha e të vogla, u mjeruan popuj, për të veshur në mëndafsh e ar një Stamboll gjëmëmadh, një Trojë gjuhëhumbur të ringjallur.
Më në fund, prapë një laomedontas, një shqiptar tashmë, do të bëhej Ati i Turqvet (Ataturk), dhe do t’i hapte Stambollit një horizont krejt të ri, horizontin e jetës moderne. E pat qëndisur atë horizont, pak dhjetëvjetësha më parë, një nga bashkëkombësit më të mëdhenj të Atit të Turqvet, një Sami Frashër, dhe tash, atij qielli, i duhej për ta hapur vetëm një majë shpate. Ati i Turqvet e përdori atë majë shpate.
Askush nuk duhet të çuditet që pikërisht në Stamboll iu dha gravet E DREJTA E VOTËS, para Parisit dhe para Londrës. Ish zëri i Hekubës, zëri i Andromakës, që thërrisnin së thelli: “Jemi edhe ne!”
“Jemi edhe ne!”, thonë Hekuba e Andromaka, ndërkohë që një Helenë e huaj u vë zjarrin, edhe njerëzvet, edhe gurëvet.
Ç’po bën tash, në po atë Stamboll, një R. Erdogan, edhe ky, siç po thonë, një mëgjurmës i Laomedontit tremijëvjeçar?! A po i rizemëron Apollonin e Poseidonin, apo po kërkon e gjen rrugë për t’i zbutur, duke mos ia rindjellë Stambollit fatin e dikurshëm të Trojës dhe fatin e sotëm të Alepos?!
———————————————-
Mbas gjithë kësaj, a mund të mos e ndjejë veten, edhe të privilegjuar edhe të bengosur, kushdo që ka lindur në atë qytet, qendër të botës për shumëçka, jo veç për pozitë gjeografike dhe me protagonist kaq zëmëdhenj të gjakut tim?!
Midis qindra milionë të lindurvet të tjerë, po ndër ata gurë e po ndër ata mure, në po ato anë e brigje detesh, po e ndiej veten edhe unë TË PRIVILEGJUAR e njëkohësisht edhe TË BRENGOSUR. Brengosur, përzier frikë edhe shpresë!
S’e di çdo të mendonte Nazim Hikmeti në këta çaste. Por unë po dëshiroj, në këtë ndërkohë meditimi, që, ai Stamboll, ai Konstantinopol shekujsh i ngjizur mbi atë ngushticë deti TË ZANËT, ai Afërtroj, i vendosur përjetësisht në udhëkryq historie, të gjente tash një rrugë që t’i rrëfente botës KAHJEN nga duhet të shkojë bota.
Do të doja që, në atë qendër tepër të lakmuar, të fillonte të ngjizej një epokë e re e rindriçimit të mendjes njerëzore. Të vrullohej një mirëkuptim midis kombevet. Të liheshin “në shejtninë e tyne” kambanaret e minaret, siç ka thënë prej kohësh Migjeni ynë, dhe t’i hidheshin themelet një RELIGJIONI TË RI, jo mistik, por thjeshtë tokësor, ku GJUHA e çdo kombi të ishte PERENDIA MË E ADHURUAR. E adhuruar prej kombit të vet dhe e respektuar prej të gjithë kombevet të tjerë. Të kishte secili komb shenjtëritë veta, por duke mos ia urrejtur shenjtëritë asnjë kombi tjetër!
Gjokë Dabaj – Durrës, 25 shkurt 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura