NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (VIII)

NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (VIII)

Nga Ajaz Emini

E hënë, 07 qershor 1999

Pas shkuarjes së Gjeneralit Kudusi Lama në Tropojë dhe Bajram Curr, puna jonë ishte ngadalësuar bukur shumë,sepse Gjenerali ishte burimi ynë kryesorë i informatave për procesin e punës tonë të lëvizjeve në teren si të UÇK-së në njërën anë, dhe poashtu edhe të trupave të armikut jugosllav në anën tjetër. Mu për këtë arsye mendoja se edhe puna jonë gjatë këtyre 3 ditëve do të jetë e reduktuar në përmasa të dukshme me shkuarjen e Gjeneralit Lama. Tani po detyrohemi të marrim pushime edhe pse asnjëri prej nesh (njësisë tonë) nuk e dëshironim këtë lloj ndërprerje! Për të qenë sado pakë të nxanun nganjëherë disa nga njësia jonë kemi filluar të dalim në vëzhgim të gjendjes për rreth kufirit deri në afërsi të pikës kufitare në Morinë. Po, sa për të parë prej më së afërmi gjendjen për rreth kufirit si dhe për të parë ndonjë lëvizje përtej kufiri, në pozicionet e armikut serb. Ne ende po merrnim listën e objektivave të reja nga Shtabi i Ushtrisë së Shqipërisë në Kukës, mirëpo në një intensitet shumë më të ngadalshëm dhe më të vogël. Sot takuam Shyqeri Shabanin Shefin e Zbulimit të Ushtrisë së Shqipërisë nga Divizioni i Kukësit, të cilin kësaj radhe e ftuam që të vijë në zyrën tonë për të biseduar në lidhje me disa objektiva prej nga po gjuanin me artileri forcat paramilitaro ushtarake serbe, prej nga Vërbnica dhe rrethi i Zhurit. Por ata gjuanin edhe nga pjesët tjera për rreth kufirit të Shqipërisë me Kosovën. E ftuam me qëllim që në sulmet e ardhëshme të qëllohen dhe neutralizohen edhe ato pikat e armikut serb.

Në orën 15:30 pas dite, filluan bombardimet nga aviacioni i NATO-së me dy bombardues B-52, duke filluar me sulmet e tyre menjëherë përtej kufirit, në Gorzhup,Tejec, Malaj, Planeje dhe bjeshkët e malit Pashtrik. Lajmet nga tereni po na tregonin se këto bombardime dhe ato të ditëve të fundit ishin shumë të suksesëshme.Vetë fakti nga tereni po na tregon se gjatë  këtyre  ditëve  edhe  kristmat  e  artilerisë  së armikut   serb   kishin   pushuar,   nuk   ndëgjoheshin granatimet më siç po ndëgjoheshin ditëve të kaluara. Në orën 22:30 të mbrëmjes më mori në telefon Selim Spahiu Shefi i Gjeneral Shtabit në Kukës për të më lajmëruar dhe për të na njoftuar me njohuritë më të  reja  nga  tereni  që  i  paskan  arritur  nga  Forcat Vëzhguese të Ushtrisë së Shqipërisë prej diku në afërsi të  kufirit  Shqipëri-Kosovë,  diku  krejt  në  afërsi  të Morinës nga tereni i luftës së forcave çlirimtare të UÇK-së, të cilët duke i faleminderuar edhe aviacionin e forcave aleate të NATO-së gati se kishin arritë të marrin nën kontroll të gjitha fshatrat për rreth kufirit si:fshatrat Gorzhup, Tajec, Majaj dhe Planeje. Me këtë na lanë të kuptojmë se bombardimet e më herëshme me B-52 nga Aviacioni Amerikan ishin shumë efikas dhe të suksesëshëm! Por edhe nga ana tjetër Forcat e UÇK’s të ushtruara dhe përgaditura si më mirë ishin në gjendje të rimarrin këto pozicione nga armiku kriminel serb.

Përgaditja dhe trimëria e forcave të UÇK-së u pa edhe nga lufta e tyre në ditën e djeshme në afërsi të Planesë, kur njësitë e UÇK-së po gjuanin nga mbrendësia e pyellit me mortaja të kalibreve të ndryshme në afërsi të fshatit të Planesë, të cilat gjuajtje u vlerësuan shumë nga kolegët e mijë të Forcave Speciale Amerikane, të cilët janë elita ushtarake e Armatës Amerikane dhe shumë më profesional. Kolegët e mijë Amerikan vërejtën prej së largu, dhe më thanë se gjuajtjet e tyre ishin shumë precize dhe të koordinuara në mënyrën më efikase që ishte e mundur. Këto ushtarë para disa ditësh vërejtën edhe gjuajtjet me artileri të forcave serbe drejt pozicioneve të UÇK-së, gjuajtje të cilat nuk ishin shumë të sakta. E sidomos në rastin e më hershëm kur forcat e armikut serb po mundoheshin që ta qëllojnë repetitorin e RadioTelevizionit të Kukësit, i cili ishte përforcues që programet e tyre të shifeshin edhe në mbrendësi të teritorit të Kosovës, e që gjuajtja e tyre ishte shumë largë cakut që i bëri të qeshen këta ushtarak, sepse gjuajtjet e tyre nuk ishin aspak precize. Epërsia dhe fati i forcave serbe ishte sepse ata kishin armatim të rëndë dhe të shumëllojshëm, e që për UÇK-në ishte e vështirë që t’i përballonin me armët e tyre që kryesisht ishin të këmbësorisë së lehtë si: kallashnikov, mortaja dhe disa armëve tjera të lehta, mirëpo këta të rinjë kishin  trimërinë,  guximin  dhe  zemrën  me  plotë dëshirë për çlirimin e vendit të tyre, që armiku nuk kishte për ta përballuar asnjëherë!

Gjatë ditës së sotme bombarduesit e aviacionit të NATO-së kishin bërë më shumë se 700 fluturime, e ku shumica e sulmeve të tyre ishte përqendruar për brenda kufijve të Kosovës. Sipas njoftimeve nga Shtabi Amerikan në Rinas, planet për bombardime në ditën e nesërme ishte që të shtoheshin sa më tepër që është e mundur, dhe me plan që tani të shfrytëzoheshin për sulmet mbi forcat e armikut serb edhe bombat më të mëdha që ishin përdorur gjerë më tani! Këto bomba peshonin edhe mbi 1000 kg., me qëllim të shkatërrimit të bunkerëve dhe tuneleve nën tokë ku ishin të përqendruar trupat e armikut si dhe municioni i tyre. Për këto sulme presim t’i shofim dhe ndëgjojmë në ditën e nesërme, nesër në ditën e Martë më 08 qershor 1999, sulme që do të dëmtojnë armikun materialisht dhe shpirtërisht në themel. Që donë të thotë se ata do të kenë shkatërrim të plotë. Sipas fjalëve të kolegëve të mijë Amerikan që më thonin se, edhe nëse arrinë të shpëtojë ndonjëri prej ushtarëve të tyre, ata do të jenë të shkatërruar edhe mentalisht. Po, sepse ato lloj bombash janë të pa përballueshme për çdo njeri të gjallë sa do që të jenë të fortifikuar.

Situata informative e datës 07-06-1999

(Lista origjinale e objektivave të armikut serb nga UÇK-ja pa koordinata AE)

Situata e luftës

Në mes të datave 05 deri 07-06-1999 forcat serbe po sulmojnë ashpër mbi forcat tona. Gjatë tre ditëve të fundit forcat tona ishin shumë aktive në regjionin e Dukagjinit dhe Pashtrikut, ku i mbrojtëm me shumë sukses pozicionet tona.

Informatat për armikun

Forcat serbe ishin mjaftë aktive në regjionin e Dukagjinit, atje ku ishim sulmuar nga këmbësoria e tyre e motorizuar dhe e mekanizuar, nga policia speciale dhe forcat paramilitare, artileria dhe tanket. Forcat serbe janë përqëndruar në drejtim të Pashtrikut në:

–              Qafa e Merturit

–              Në lartësinë pa emër e 1300 dhe 1400 m. në lindje të Malit Kurora

–              Qafa e Likës

–              500 m. në jug të Malit Podi

–              Binaj

–              Rreth Lumit të Drinit

Gjatë këtijë sulmi armiku po përdorë armë kimike LHL, artileri edhe aviacionin përmbrenda teritorit të Kosovës, dhe në të njejtën kohë janë duke u përforcuar në pozicionet e tyre me mjete të motorizuara dhe autoblinda.

Rreth Plafit të Kurorës gjinden përforcimet e 10 autoblindave dhe tankeve.

Në zonën e luftës të Lumbardhit dhe Kotradiq të Brigadës 131 armiku është duke gjuajtur me mortaja, artileri dhe tanke, ku patën pakë sukses, mirëpo më 06-06-1999 nga bombardimet e aviacionit të NATO’s dhe sulmeve tona, armiku kishte humbur një batalion të këmbësorisë si dhe maqinerinë ushtarake.

Sot më 07-06-1999 forcat e reja serbe po vijnë për të luftuar në drejtim të Brigades 131 dhe Pashtrikut.

Raporti i forcave tona

Forcat tona patën sukses në regjionin e Dukagjinit dhe Pashtrikut, patëm sukses në mbrojtjen e pozitave tona pa marrë parasysh numrin e ushtarëve dhe teknikës (së armikut). Forcat e armikut patën humbje të mëdha në drejtim të Lumbardhit dhe Kostriqit ku humbën gati se një batalion të këmbësorisë si dhe teknikë ushtarake. Nga sulmet artilerike të armikut ne patëm 5 ushtarë të lënduar.

Në këtë situatë forcat operative në rajonin e Dukagjinit ku gjendet Brigada 138 me ndihmën e bombardimeve të NATO-së kanë sukses në lëvizjen e tyre.

Popullata civile

Në Kçiq të Madh janë 25.000 njerëz të pa mbrojtur

Në Serbicë (Skenderaj) janë 10.000 njerëz të pa mbrojtur

Aviacioni i NATO-së bombardoi me sukses 1 Batatalion (me mbi 300 pjesëtarë) ushtarë dhe teknikë.”

“Situata informative e orës 22:40 datës 07-06-1999

Në Pashtrik armikut i erdhën në përforcim forcat e mëdha të këmbësorisë së motorizuar. Grupi ynë vëzhgues mendon se po bëhen gati që në mëngjes të na sulmojnë. Këto janë objektivat që NATO-ja duhet t’i ndërmarrë urgjentisht.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Gjatë ditës së sotme patëm mëse 800 sulme të bombarduesve të aviacionit të NATO-së mbi forcat jugosllave, dhe përqendrimi i tyre ishte në përgjithësi për rreth kufirit Shqipëri-Kosovë, ku po shifej se armiku serb të ketë patur humbje kolosale të mëdha në ushtarë dhe material luftarak. Gjatë ditës së sotme u bë bombardimi i ndërtesës së RTV-së të Serbisë në Beograd si edhe Ambasada Kineze Beograd në të cilën u vranë edhe 3 gazetarë Kinez.

Takimi i Oficerëve të NATO-së dhe atyre jugo- sllave që po mbahej në afërsi të kufirit me Maqedoninë në fshatin Bllacë, ku nuk po merrnin pjesë oficerët rus në shenjë proteste për shkak se bombardimet e NATO-së ende nuk ishin ndalë por ato po vazhdonin. Në këtë mbledhje palët e NATO-së me ato jugosllave kishin dështuar për kohën se kur dhe si të tërhiqeshin trupat jugosllave nga Kosova.

Problemi ishte se oficerët jugosllav po kërkonin një afat14 ditësh për tërheqje, e jo siç i kishin urdhëru oficerët e NATO-së si dhe largimi i tyre të bëhej pë të njëjtës rrugë siç kishin hyrë brenda në Kosovë!

Gjenerali Britanez LT. Gjeneral Michael Jackson pas 12 orësh bisedë, tha se trupat jugosllave nuk dojnë të garantojnë kthimin e sigurtë të refugjatëve kosovarë, si dhe tërheqjen e të gjithë forcave të tyre të sigurisë nga Kosova. Në këtë marrëvshje kërkohej që edhe forcat e armikut serb duhen të largoheshin nga kufiri  në  distancë  prej  15  milash  largë  kufirit  me Kosovën, si dhe të jenë 5 zona ushtarake të KFOR-it në  Kosovë  e  që  të  kontrolloheshin  nga  ushtria: Amerikane,  Gjermane, Italiane, Franceze edhe Britaneze, e që secila të ketë kontrollin në zonën e tyre. Sot u bë publike se Presidenti serb Sllobodan Millosheviq i kishte transferu 5 milion Marka në një bankë të Afrikës së Jugut, dhe se kishte kërku që të jipen viza për të gjithë familjen e tij.

Sipas planit të paqes gjithashtu u kërkua nga Gjenerali Shelton Shefi i Gjeneral Shtabit Amerikan që edhe Forcat e UÇK-së të lënë anash armët e rënda të tyre, mirëpo atyre u lejohet dhe munden të mbajnë vetëmse armët e lehta të zjarrit.

Sekretari i Mbrojtjes së SHB -së, William Cohen tha se: edhe pse do të jenë trupat ruse në Kosovë, edhe ata do të jenë nën komandën e NATO-së dhe se nuk do të ketë sektor në vete për trupat ruse.

E martë, 08 qershor 1999

Sot kishim një ditë të bukur, me diell dhe të nxehtë, sa për nga arena politike nuk ishte aq e frytëshme. Edhepse kishin filluar bisedimet për marrëveshje në mes të komandës së forcave aleate të NATO-së dhe asajë jugosllave ende nuk kishte asgjë të re.

Gjatë bisedimeve të grupit G-8, kishin bërë disa lëshime për palën e armikut jugosllav në lidhje me Kosovën. Aty ishte bërë lëshimi se po qesë  marrin pjesë edhe trupat paqeruajtëse ruse, ata do të munden që të jenë nën komandën e OKB-së e jo siç ishte planifikuar që edhe rusët me qenë nën komandën e Shtabit të NATO-së.

Ky lëshim nuk i kishte pëlqyer aspak lidershipit amerikan, të cilët me këmbëngulje ishin që edhe trupat ruse për të qenë nën komandën e Shtabit të NATO-së, kërkesë e cila tani u ndryshua. Tani edhe trupat paqëruajtëse ruse do t’i nënshtrohen urdhërave të Shtabit të NATO-së, si dhe të mos kenë teritor në Kosovë të ndarë për to siç iu kishte caktuar dhe dhënë forcave të tjera!

Edhe sot deri vonë, nuk patëm aq shumë punë, për shkak se Gjenerali Lama ende ishte në vizitën e tij disa ditëshe në Tropojë, Bajram Curr si dhe duke i vizituar trupat e UÇK-së edhe në malet e Pashtrikut.

Dikur, më vonë morëm lajmin se aty rreth orës 19:00 nga Shtabi Ushtarak i Rinasit do të na vijë në vizitë Gjenerali John Hendrix, i cili po vinte në Kukës që të takojë Gjeneralin Kudusi Lama, si dhe na lajmëruan se edhe Gjenerali Lama po kthehej për në Kukës  dikur  gjatë  pasditës  së  sotme,  para  se  të mbërrinte Gjenerali Amerikan Hendrix që të takohen në mes veti gjatë kësajë mbrëmje.

Tani meqenëse ata po vinin te ne, ne i bëmë një ofertë që të vijnë edhe në darkë, por këtë ofertë na e refuzuan që të dy Gjeneralët sepse i dinin kushtet dhe mundësitë  tona  që  ne  nuk  kishim  kushte  që  të përgadisim  darkë  për  rreth  15  mysafirë!  Edhepse takimi ishte caktuar për në orën 19:00 të mbrëmjes, nga Shtabi në Rinas na paralajmëruan se Gjenerali Amerikan do të kishte vonesë në nisje. Rreth orës 23:00 përsëri na lajmëruan nga shtabi  se  Gjenerali Hendrix  tani  sa  ishte  nisur  dhe  pas  orës  23:00  ia arritën si zakonisht me helicopter. Po në të njejtën kohë nga ana tjetër arriti edhe Gjenerali Kudusi Lama. Pas përshëndetjeve që të dy menjëherë filluan mbledhjen e tyre e cila zgjati deri në orën 1:30 pas mesnate. Këto bisedime, në përgjithësi ishin sqarime në lidhje me pikat e “Marrëveshjes Tekniko Ushtarake të Kumanovës”, e cila op mbahej në mes të Gjeneralëve të forcave aleate të NATO-së dhe atyre jugosllave.  Pas këtij takimi i përcollëm që të dy Gjeneralët dhe ne ramë në gjumë.

“Situata operative e orës 13:40 e datës 08-06-1999 (Informacioni  origjinal  i  ardhur  nga  Shtabi  i UÇK’s, koordinatat mbeten konfidenciale AE)

Informacioni për armikun

A) -NATO mundë të godasë këto objektiva:

–              Plafi i Kuronës

–              Binaj

–              Rrugën Goden-Kuronë

–              Goden

–              Në afërsi të Godenit

–              Në afërsi të Çanakit

Në këto koordinata janë përqendruar forcat e motorizuara, të mekanizuara, tanket, mortajat dhe këmbësoria, policia speciale dhe forcat paramilitare.

Nga Plafi i Kuronës në drejtim të Gjakovës është i mbushur plotë me forcat e këmbësorisë së motorizuar të armikut.

Në dy rrugët nga Godeni në drejtim të kufirit të Shqipërisë janë përqendruar forcat e mekanizuara

B) -Në Lumbardh pas sulmit të forcave të NATO-së ne zurëm një kamion të forcave serbe dhe municion të kalibrit 12.7 mm. me disa dokumente.

Në Rekën e Kuqe është koncentruar maqineria serbe në drejtim të Lumit Erenik për Nivokaz.

Në kodrat e Prilepit, në mes të Drenovcit dhe Prilepit rreth 100 metra mbi rrugë është një bateri e artilerisë me artileri 122 mm. të cilët po gjuajnë në drejtimin tonë. Nga ky sulm neve humbëm 1eprorë (eprorin; Enver Dobra) dhe 3 ushtarë të plagosur.

Në Pozar dhe Irzniq armiku është përforcuar me forcat e motorizuara dhe të mekanizuara me autoblinda, artileri dhe mortaja mbrenda kanalit të ujitjes.”

Informacionet e 24 orëve të fundit

Aviacioni i NATO’s deri më tani kishin bërë më tepër se 34,000 fluturime, dhe duke qëlluar 490 caqe dhe 520 caqeve taktike gjatë Operacionit të Forcave Aleate.

Gjatë 24 orëve të fundit me shkëputjen e palës jugosllave nga bisedimet  e  marrëveshjes  tekniko ushtarake,  forcat  e  aviacionit  të  NATO-së  e  rritën akcionin e tyre kundër caqeve të forcave serbe. Ata arritën rekordin e sulmeve me mbi 600 mbrenda 24 orëve, duke u fokusuar kryesisht mbi forcat jugosllave gjithandej ku po sulmonin forcat e UÇK-së.

Bombarduesit e mëdhenj B-52 edhe B-1, edhe ato morën pjesë gjatë këtyre bombardimeve për rreth kufirit të Shqipërisë duke iu shmangur në maksimum popullatës civile. Pentagoni nuk mundi që ta konfirmojë përdorimin e armëve kimike nga forcat jugosllave që u tha më parë.

Diplomacia e ministrave të G8 gjatë mbledhjes së sotme në Gjermani u pajtuan në draftin e rezolutës se OKB-së për Kosovën. Në përgjithësi ishin pajtuar që të gjitha palët përveçëse asajë ruse e cila po insistonte gjithësesi që të ndërpriten sulmet e NATO- së.

James Rubin, Zëdhënësi i Departmentit të Mbrojtjes tha se draft rezoluta i përmbahet tërësisht kërkesave tona, që i detyron që të gjitha forcat paqëruajtëse në Kosovë të mbeten nën komandën e NATO-së, si dhe bombardimet do të ndërpriten vetëmse atëherë kur forcat jugosllave  fillojnë tërheqjen e tyre nga Kosova.

U raportua edhe për bisedën e Presidentit Rus Yeltsin me Presidentin Kinez Zemin në sqarimin e rezolutës nëpërmjet telefonit.

Gjithashtu edhe lideri i shqipëtarëve të Kosovës Ibrahim Rugova kishte thënë se ai do të takohet me liderët e UÇK-së së shpejti për të biseduar për gjendjen në teren.

Sipas UNHCR –së në rajon tani kishim 782.300 refugjatë, edhe atë në Shqipëri kishim 444.000 refugjatë, në Maqedoni 247.000 refugjatë, në Mal të Zi 69.600 refugjatë dhe në Bosnje dhe Hercegovinë 21.700 refugjatë.

Gjatë ditës së sotme edhe Sekretaresha e SHBA- së ishte takuar me Hashim Thaçin, Ibrahim Rugovën edhe Rexhep Qosjen në lidhje me vetëqeverisjen e Kosovës. Gjithashtu edhe lideri i UÇK-së Thaçi kishte thënë se forcat e UÇK-së nuk do të sulmojnë forcat e armikut për derisa ato do të tërhiqeshin nga Kosova. Sekretaresha Albright kishte thënë se me hyrjen e forcave paqëruajtëse të NATO-së në Kosovë edhe UÇK-ja u pajtua se do të bëjnë demilitarizimin e tyre. Presidenti Clinton tha se tani do të dërgonte edhe 4.000 trupa shtesë në Shqipëri për të lehtësuar ndihmën dhe tani SHBA kishte arritë në 10.000 trupa paqeruajtëse që do të vendoseshin në Kosovë…

E mërkurë 09 qershor 1999

Meqenëse mbrëmë qendruam deri vonë me gjeneralët; Hendrix dhe Lama, sot u zgjuam pakë më vonë se zakonisht. Diku rrreth orës 16:00 pas dite ndëgjuam përsëri kristmat e bombardimeve të aviacionit të NATO-së, ndoshta edhe më tepër për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjes nga pala jugosllave, e cila kishte kërkuar më tepër kohë që të konsultohen me krerët e tyre në Beograd.

Gjatë këtyre bombardimeve përsëri po përdoreshin edhe bombarduesit më të mëdhenjë që kishte aleanca e NATO-së, siç ishin bombarduesit Amerikan B-52 Stratofortres, B-1 Lancer dhe bombardues të tjerë, të cilët armikut i shkaktuan dëme shumë të mëdha në personel dhe mjete ushtarake. Për këtë marrëveshje nuk ishte i kënaqur as Gjenerali Amerikan Hendrix, sepse sipas tij njerëzit siç ishte Presidenti Sllobodan Millosheviq si dhe udhëheqësia jugosllave, ata duhej shqelmuar dhe shkatërruar tërësisht, dhe pa kurrëfarë mëshire. Duhej shqelmuar pikërisht për të gjitha mizoritë që i kishin shkaktuar këtijë populli të pa mbrojtur dhe të pa fajshëm, dhe për të gjitha ato krime, tortura, dhunime, djegje, dëbime dhe maltretime që i kishin sjellur popullit shqipëtarë. Po, sepse ata ishin edhe shkaktarët e shumë luftërave në ish Jugosllavi!

Në orën 9:30, unë dhe kapiteni Wiggis shkuam për të takuar në zyrën e tij Gjeneralin Lama, dhe për t’ia kthy disa  dokumente nga UÇK-ja  që  i kishim marrë vonë në mbrëmje nga vetë ai. Gjatë takimit u furnizuam edhe me listën e objektivave të reja, gjithashtu biseduam edhe për situatën nga fronti në brendësinë e Kosovës.

Për shkak të mos nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës nga pala serbo jugosllave, tani forcat e NATO-së kishin ndërmarrë aksionin që të përdorin të gjitha forcat dhe arsenalin më të rëndë që kishin në dispozicion nga aviacioni i NATO-së. Ata ndërrmorrën sulmin për trupat jugosllave kudo qofshin mbrenda Kosovës që të sulmohen sa më brutalisht! Sot përsëri u përdorën  bombarduesit  e mëdhenj si: B-1 dhe B-52 të cilët bartnin secili nga 50 bomba Mk-82, e që secila peshonte 225 kg., si dhe municionet tjera. Këto bombardime, siç po shihej nga tereni e gjunjëzuan palën e armikut, e cila po përjetonte humbje të pa imagjinueshme, shumë të mëdha. Sipas informacioneve nga tereni, morëm vesh se nga bombardimet e sotme, derisa po sulmonim me bombarduesit B-52 diku në afërsi të kufirit të Shqipërisë, në shpatijet e malit Pashtrik u zunë të hapur 2 Batalione Jugosllave, të cilët pësuan humbje të mëdha në ushtarë dhe mjete luftarake. Nga këto bombardime thuhet se nga pala serbe pati 400-800 ushtarë të vrarë.

Në orën 21:40 të mbrëmjes na mbërriti një mesazh nga Gjenerali John Hendrix, e që për menjëhere duhej t’i dërgohej Gjeneralit Kudusi Lama në lidhje me Marrëveshjen e Kumanovës, e cila sapo ishte nënshkruar edhe nga pala serbo jugosllave, lajm të cilin grupi ynë nuk e pritëm aq me entuziazëm, sepse me këtë nënshkrim siç po shifet po i vinte edhe fundi i detyrës tone të shejtë në çlirimin e Kosovës!

Me të marrë lajmin unë dhe kapiteni Wiggis u nisëm rrugicës në këmbë, teposhtës për në zyrën e Gjeneralit Lama, atje ku edhe arritëm pas vetëm disa minutash. Me të hyrë mbrenda zyrës së Gjeneralit Lama, i shpjeguam për përmbajtjen dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Tekniko Ushtarake të Kumanovës, si dhe i treguam se ajo marrëveshje na qenka nënshkruar tani edhe nga pala serbo jugosllave.

Gjeneral Lama nuk e priti aspak mirë këtë lajm të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, dhe nuk u ndi aspak i kënaqur me të. Nuk ishte i kënaqur sepse tani duhej ndërprerë bombardimet. Ai madje nuk kishte kurrëfarë besimi në palën serbo jugosllave, si edhe dëshira e tij ishte thuajseishte e njejtë me atë të gjeneralit Amerikan Hendrix. Nuk ndihej i kënaqur përderisa nuk ishin shkatërruar tërësisht forcat e armikut kriminel serb, për të cilët asnjëri prej tyre nuk kishte kurrëfarë mëshire.

Pas sqarimit të marrëveshjes dhe bisedës së lirë që patëm dikur në orën 22:15 të mbrëmjes, përsëri u nisëm po të njejtës rrugicë në këmbë për t’u kthyer në zyrën tonë në godinën e Policisë Ushtarake të Shqipërisë. Rrugica nuk kishte kurrëfarë drite, si dhe kjo natë ishte shumë e errët edhe pak e freskët, dhe derisa ne po ngjiteshim përpjetë bregores diku nga gjysma e rrugës përnjëherë filloi rrebeshi i gjuajtjeve me llojlloj arsenalesh, nga të gjitha anët e Kukësit!

Tani i gjithë qielli u ndritë nga arsenali flakadan i shqiptarëve që po festonin, pamje që më përkujtonte shumë Festën e 4 korrikut, Ditën e Pavarësisë së Amerikës që e kisha përjetuar tani për shumë e shumë vite që kur po jetoja në Amerikë. I tërë qielli ndritej nga fishekëzjarret e ndryshëm që i dhezën në ajër! Kjo që po ndodhë tani sigurisht se na qenka pas marrjes së lajmit të mirëpritur nga i gjithë njerëzimi. Sigurisht prej lajmeve nga mediat shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes, e që tani e gjithë popullata po festonin “DORËZIMIN” e palës serbo- jugosllave. Po gjuhej me të madhe edhe nga çadrat e refugjatëve kosovarë që i kishim afër, e që shumica e refugjatëve që ishin të strehuar në çadrat afër neshë po festonin se tani edhe ato do të mundë të kthehen në shtëpitë e tyre. Po, edhe atë pa ballafaqime me gjakpirësat dhe kriminelët paramilitaro-ushtarak-policor  serb.  E gjithë hapësira qiellore e Kukësit tani po dukej po sikurse të jetë pushtuar nga shiu meteorik!

Pas disa minutash arritëm në zyrën tonë dhe menjëherë Kapiteni Wiggis i telefonoi Gjeneralit Hendrix për t’i tregu për dorëzimin e mesazhit të tij, si dhe për t’i treguar se si e priti lajmin e marrëveshjes edhe Gjenerali Lama gjatë takimit me ne. I tregoi edhe për mendimet, vërejtjet dhe sugjerimet e Gjeneralit shqiptar, sepse Gjenerali Hendrix kishte shprehë gadishmërinë që për çfarëdo mosmarrëveshje që do të ndodhëte, ai ishte i gatshëm që në çfarëdo kohe që të vijë në Kukës dhe të takohet me Gjeneralin Lama, sa për t’i sqaruar atij personalisht.

Tani gjithëçka ishte mëse e qartë, se edhe kësajë lufte tani i kishte ardhë fundi.

Por sa ramë me fjetë, në orën 24:00 të mesnatës, njëri nga oficerët e zyrës së Policisë Ushtarake të Shqipërisë, e cila ishte po në të njejtën ndërtesë ku ishim vendosë edhe ne, erdhi edhe më zgjoi mua, duke më thënë:“Gjenerali Lama po të thërret në telefon, dhe duhesh të vishë urgjentisht tani për menjëherë”. I habitur dhe përgjumshëm menjëherë shkova në zyrën e tyre edhe e kapa telefonin, nga ana tjetër e telefonit për menjëherë e ndëgjova zërin e Gjeneralit Lama i cili sipas zërit të bisedës ishte mjaftë i mllefosur! Disi filloi duke e ngritë zërin edhe të më bërtasë, edhe nuk po ndalej dot. Unë për vete nuk isha mësuar që të ndëgjoja ndonjërin të më bërtasë kështu, mirëpor e mbajta veten dhe e ndëgjova deri në fund me shumë gjakftohtësi.Po, sepse e njihja shumë mirë Gjeneral Lamën me të cilin kishim kaluar një kohë të gjatë në Kukës nën kujdesin e tij. Po, për më tepër se një muaj dhe gjithëmonë kishte qenë shumë korrekt ndaj të gjithë njësisë tonë, e në veçanti ndaj meje dhe kapitenit Wiggis! Thuajse gjithëmonë me mua dhe kapitenin  gjatë  tërë  kësajë  kohe  sa  ishim  këtu  në

Kukës dhe të takimeve të përditëshme, edhe nganjëherë edhe disa herë në ditë. Kishim bërë një marrëdhenie të besueshme me të, dhe shumë vëllazërore. E lashë të shfryhet njëherë për derisa e kreu të tërë atë mllef, dhe kur ndaloi së bërtituri ,unë ia ktheva me fjalë të buta: “Po pse po më bërtet kaq shumë i dashur dhe i respektuar Gjeneral Lama?! Çka ju bëra aq keq që po shprehë të tërë këtë mllef ndaj meje?! A thua çfarë faji paskam bërë unë?! ”Gjenerali për menjëherë ndaloi dhe u pendua pa masë, edhe ma priti: “Jo or biri im, por ajo Sebi përkthyesja e Gjeneralit Hendrix më ka nevrikosë pa masë. Ju duhet ta dini se sa e rëndësishme është puna juaj. Nuk bënë dhe nuk guxon të lejohet që dikush që nuk i njeh gjuhët shumë mirë, të bëjë punën e përkthyesit. Kërkoj nga ju që në takimet e ardhëshme me qenë edhe ti prezent me ne, sepse ne duam që të kuptohemi sa më mirë se për çka po flasim me Gjeneralin Hendrix, e jo që ajo të më flasë më tepër Anglisht duke menduar se edhe unë po e kuptoj atë se çka po më thotë.

Problemi kishte qenë se Gjenerali Hendrix me përkthyesen e tij e kishin telefonu Gjeneralin Agim Çeku të UÇK-së, për t’ia lexuar dhe sqaruar “Marrëveshjen Ushtarako Teknike të Kumanovës” të sapo nënshkruar nga të dy palët: ajo e NATO-së dhe serbo- jugosllave. Pas përfundimit të bisedës së tyre, Gjeneral Çeku menjëherë i kishte telefonu Gjeneralit Lama, edhe iu kishte anku se nga ajo telefonatë e Gjeneralit Hendrix nga Shtabi i Armatës Amerikane në Rinas në lidhje me marrëveshjen, nuk kishte mundë të arrijë që të kuptojë asgjë nga Sebi, përkthyesja e Gjeneralit.

Gjenerali Lama më porositi që menjëherë t’i telefonojmë  Gjeneralit  Hendrix  edhe  t’ia  sqarojmë problemin, dhe t’i themi që përsëri ai t’i telefonojë direkt Gjeneral Çekut edhe t’i flasë atij në gjuhën Angleze, sepse ai e njeh shumë mirë edhe Anglishten. Pasi të kryejnë bisedën, ata të Gjeneralit Hendrix të ju marrin në telefon përsëri juve, dhe me iu treguar juve se si rrodhi biseda. Dua të dijë se a u kuptuan mirë në mes vete. Pastaj ti më merr mua në telefon përsëri që të më tregosh se si ka rjedhë biseda, edhe atë pa marrë parasyshë kohën. Më telefono mua që ta dijë se a janë kuptuar mirë në mes tyre apo jo. Për këtë porosi mu desht që të presim deri në orën 2:30 pas mesnate, atëherë kur na telefonoi përsëri Gjeneralit Hendrix dhe na tregoi për bisedën e tyre të frytëshme që kishin patur nga mënyra direkte e bisedës dhe e sqarimeve të marrëveshjes me Gjeneralin Çeku.

Menjëherë me të marrë lajmin i telefonova Gjeneralit Lama edhe i spjegova pikërisht për telefonatën e Gjeneralit Hendrix për atë që na tha, se biseda e tyre gjithëçka kishte shkuar në rregull. Për këtë Gjeneralit Lama iu bë qejfi, dhe më tha se: “Tani që të gjithë jemi mirë, sepse nuk mundesha të qetësohem pas asajë se ç’kishte ndodhur më herët me përkthimin që ia kishin bërë”. Pastaj u morëm vesh që përsëri nesër (d.m.th. sot), dikur para dite që të takohemi përsëri si ditëve të tjera në zyrën e tij dhe të shqyrtonim pikat tjera vijuese. Po, edhe për të marrë listën e objektivave te reja për çfarëdo rasti po qëse shkelen rregullat e marrëveshjes, për të cilën marrëveshje ishte shumë skeptik.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Brenda 24 orëve të fundit kishte mbi 523 fluturime, me 130 caqe të qëlluara kundër forcave ushtarake të ish Jugosllavisë.

Pentagoni kishte lajmëruar se po shiheshin përgatitjet e forcave jugosllave për tërheqjen e tyre prej Kosove.

Pentagoni raportoi se siç po shihet nga tereni, forcat serbe po përgatiten të tërhiqen nga Kosova, si dhe marrëveshja e paqes është arrite në mes përfaqësuesve të NATO-së dhe përfaqësuesve të ish Jugosllavisë.

Anëtarët e G 8 gjithashtu u pajtuan në draft rezolutën e OKB-së për Kosovën, ku Kapitulli VII i OKB’s e cila lejon prezencën e një grupi ndërkombëtarë të sigurisë, si dhe i garanton tërheqjen e sigurtë të trupave jugosllave si edhe kthimin e vetëm një numri të caktuar të tyre në Kosovë. Forcave të ish Jugosllavisë iu dha vetëmse 7 ditë kohë për t’u tërhequr nga Kosova si dhe ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve të tyre, si dhe pajtimin e formimit të një tribunali për krimet e kryera. Gjithashtu u bë marrëveshja edhe për demilitarizimin e UÇK-së, si dhe iu dha shqiptarëve e drejta e një autonomie substanciale për të vetëqeverisë me vendin e tyre, por me ndihmën e personelit të OKB-së.

Pas shpalljes së marrëveshjes së rezolutës, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusise Ivanovi dhe Sekretaresha e Shtetit të SHBA-së Albright biseduan rreth sqarimit të interpretimit të marrëveshjes ku Ivanovi kishte thënë se ndoshta Rusia do të dërgojë deri në 10.000 trupa të sajë në Kosovë. Por, ato trupa të mos jenë nën komandën e NATO-së, mirëpo për çfarëdo aspekti ne do të merremi vesh në mes veti, kurse Albright në këtë kontrast tha se NATO-në do të jetë ajo që udhëheqë me KFOR-in si dhe ajo do të komandojë operacionet! Nga ana tjetër Kina kritikoi pjesën e rezolutës për bashkëpunimin e KFOR-it me tribunalin e krimeve, si dhe statusin e ardhshëm të Kosovës e cila minon integritetin territorial të shtetit jugosllav.

Gjatë ditës së sotme përsëri kishin vazhduar bisedimet në mes të gjeneralëve të NATO-së edhe atyre jugosllav në termat “tekniko-ushtarake”, pas ndërprerjes disa orëshe të delegatëve jugosllav të cilët shkuan për t’u konsultuar me Beogradin. Përfaqësuesi i NATO-së tha se pika kyçe e marrëveshjes kishte të bënte me sekuencat e kohës së tërheqjes së trupave jugosllave prej Kosove.

Gjithashtu sot u bë e ditur nga agjencia e lajmeve jugosllave Tanjug, se grupet e para të policisë dhe ushtrisë jugosllave ishin tërhequr nga Kosova sipas urdhërave të armatës jugosllave.

Po ashtu u tha se sot edhe liderët kosovar: Hashim Thaçi i UÇK-së, Ibrahim Rugova i LDK-së dhe Rexhep Qosja i LDB u pajtuan se do të punojnë së bashku në formimin e qeverisë së përkohëshme, në të cilën do të përfshiheshin të gjitha palët.

Sot pati edhe një kritikë nga Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq ku e kritikoi ashpër presidentin jugosllav Sllobodan Mollosheviq, i cili tha se forcat serbe gjatë tërheqjes nga Kosova të mos dërgohen në Mal të Zi.

Sipas informacionit të UNHCsë nga Maqedonia ishin evakouar për në shtetet tjera me Aeroplan 794 refugjatë nga Kosova që na jepte numrin e të evakuarve deri më sot 79,979 refugjatë që nga 05 Prilli deri më 09 Qershor 1999. Tani mendohet se në këtë regjion kemi në total të 783,000 refugjatëve kosovarë, prej tyre në Shqipëri 444,200 refugjatë, në Maqedoni 247,400 refugjatë, në Mal të Zi 69,700 refugjatë edhe në Bosne dhe Hercegovinë 21,700 refugjatë.

Sipas fjalëve të Sekretareshës së Shtetit të SHBA- së Albright, ajo tha se drafti i rezolutës se OKB-së i përmbahet kërkesave tona të SHBA’s, si dhe kërkesave substanciale të NATO’s për prezencën e trupave paqëruajtëse vetëmse nën komandën NATO- së, si dhe ajo tha se trupat ruse nuk do të kenë sektor të ndarë të tyre si dhe do të jenë edhe ata nën komandën e NATO-së.

E enjte, 10 qershor 1999

Dita e sotme filloi me një tempo shumë më të ngadaltë se ditët e tjera. Në orën 11:00 para dite, pasi morëm një porosi nga Komandanti Suprem i NATO- së Gjenerali Wesley Clark për Gjeneralin Lama, menjëherë shkuam që të takohemi në zyrën e tij, dhe t’ia përcjellim porosinë në lidhje me gjuajtjet e artilerisë së armikut serb për rreth zonave kufitare të Shqipërisë.

Kërkohej që këto gjuajtje të verifikohen nga vetë Gjenerali Lama, dhe pastaj përmes neve ato informata t’i dërgohen atij për menjëherë edhe atë deri në orën 11:30 para mesditës. Pikërisht atëherë kur Gjenerali Clark do të takohej me krerët e lartë të ushtrisë jugosllave, me kusht që edhe këto shkelje të marrëveshjes t’ia prezantojë para syve të tyre edhe palës jugosllave. Gjenerali Clark i kërkoi këto informata, sepse ushtria jugosllave ende nuk i kishte ndërprerë sulmet e saja, edhe pse marrëveshja ishte bërë për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha sulmeve.

Gjatë bisedës me Gjeneralin Lama, kuptuam se forcat serbo jugosllave veçse kishin filluar tërheqjen e tyre nga Kosova, e bile gjatë tërheqjes duke kaluar nëpër Podujevë ua paskan vu zjarrin edhe disa shtëpive të shqiptarëve, duke treguar barbarizmin e tyre sllav edhe gjatë ikjes së tyre nga toka Dardane!

Gjeneralin Lama gjithashtu e njoftuam edhe për fluturimet e aeroplanëve (dronave) spiun të NATO-së pa ekuipazh, të cilët gjithnjë do të bëjnë kontrollin e zonës kufitare Shqipëri-Kosovë, dhe që janë në gjendje që të hetojnë çfarëdo prishje të armëpushimit, si dhe t’i njoftojë edhe trupat e UÇK-së, sepse edhe ata që të gjithë do të jenë në mbikëqyrje nga ajri nëpërmjet dronave me kamerë. Pra, të kenë kujdes sepse rregulli i marrëveshjes vlen për të gjitha palët, pa marrë parasysh se kush është!

Informacionet e 24 orëve të fundit

Sipas informatave të reja, përfaqësuesit e NATO- së me përfaqësuesit jugosllav nënshkruan Marrëveshjen Tekniko Ushtarake (MTA) mbrëmë, duke caktuar fazat e tërheqjes së të  gjitha forcave jugosllave nga territori i Kosovës, si dhe detalizimin e autoritetit të forcave paqeruajtëse të KFOR-it që do të hynte në Kosovë.

Forcat jugosllave do të fillojnë me tërheqjen e tyre në faza, dhe për t’u kryer gjerë më 20 qershor 1999. Marrëveshja e nënshkruar ushtarake e NATO-së i jep autorizim për të përdorur të gjitha forcat e tyre po që se duhet për të mirëmbajtë sigurinë në vend.

Gjatë 24 orëve të fundit patëm mbi 400 fluturime të aviacionit të NATO-së duke bombarduar kryesisht mbi caqet serbe.

Trupat e KFOR-it Britanez do të jenë të gatshëm që të hyjnë në Kosovë që në ditën e nesërme. Kontingjentin “Task Force Falcon” të KFOR-it me pajtimin e 19 pjesëtarëve të NATO-së ishin pajtuar që të zavendësojë “Operation Allied Force”që do të përbëhej prej; 3,600 trupave (82nd Airborne dhe U.S. Marines), të cilët do të zavendësohen pas 30 ditësh nga 7,000 trupa (1st Armored Division ne Gjermani); nga 1,900 U.S. Marinës që po pritnin në skelën e Selanikut ku po i pengonin demonstruesit grekë të cilët ishin kundër prezencës së tyre që të zbarkojnë në tokën greke!

Sot ishte parë konvoji i madh i ushtrisë serbo jugosllave duke dalë  jashta  kufirit të Kosovës. Në ditën e sotme veçse kishin fillu edhe përgatitjet e mëdha të forcave të NATO’s, nga Shqipëria dhe Maqedonia që të jenë të gatshme që në ditën e nesërme të fillojë zbarkimi i tyre brenda kufijve të Kosovës. Tani çdo gjë kishte filluar që të lëvizë në hapat e shpejtë dhe të duhur, sipas marrëveshjes që kishin bërë krerët e NATO’s. Gjatë ditës së sotme u bë edhe votimi i Rezolutës së Kosovës në OKB, për të cilën ishin pajtuar që të gjithë palët përveçëse Kinës e cila kishte abstenuar, për çka dihen shkaqet sepse ata kishin problemin e tyre të brendshëm, duke insistua se askush nuk guxon të përzihet në sovranitetin e brendshëm të një shteti tjetër. Kina kishte problemin me territoret rreth sajë siç janë: Tajvani, Nepali dhe Hong Kongu.

Të njejtin veprim do ta bënin edhe rusët, mirëpo për shkak të gjendjes së tyre të shkatërruar ekonomike, ata ishin në gjendje që të lëshonin pe gjithkund, veçëse që të kenë ndihmën e perendimit në investime në shtetin e tyre. Për Rusinë, edhe pse ajo gjithmonë kishte luajtur rolin e vëllaut të madh të Serbisë, tanimë ata kishin dhimbjet dhe problemin e vetë, dhe nuk donin që të rrezikonin veten për Serbinë. Sipas informatave më të reja tani dëgjuam se edhe në Beograd paskan fillu manifestimet e mëdha për përfundimin e luftës. Edhe atë duke e quajtur edhe Millosheviqin fitues kundër aleancës së NATO-së Diçka që më përkujton betejën e Kosovës kundër Perandorisë Osmane, të cilën edhe sot e kësaj dite ende e festojnë si fitore të tyre, edhe pse edhe ajo ishte humbje e madhe e Serbisë! Me këtë marrëveshje Jugosllavia ishte e detyruar që të tërhiqej tërësisht nga Kosova, si dhe trupat e tyre që të zëvendësohen nga trupat e armatosura të aleancës së NATO-së, që donë të thotë se marrëveshja ishte nënshkruar me të gjitha kërkesat ashtu siç iu kanë kërkuar dhe urdhëruar nga forcat e NATO-së. Sipas marrëveshjes kërkohej që një numër i caktuar policësh dhe ushtarësh të mbeten në mbikqyrjen dhe mbrojtjen e popullatës serbe, mirëpo më vonë edhe ajo nuk u mor parasyshë. Pra, me një fjalë që të gjitha forcat e tyre ishin të detyruara që të largohen nga mbrendësia e Kosovës.

Për momentin, fitorja është krejtësisht në anën e shqiptarëve, mirëpo ajo që është më e rëndësishme tani ishte problemi se si do t’i bashkojmë krerët e partive dhe rrymave të ndryshme shqiptare të Kosovës. Për derisa e gjithë shqiptaria po zvarritej për çlirim, në anën tjetër kishte edhe të atillë që po luftonin për pozita se kush çfarë pozite do të ketë. Për çka mendoj unë personalisht, se ajo punë duhet t’i mbetet popullit që të vendosë, e jo liderëve partiak!

E premte, 11 qershor 1999

Edhe sot si ditëve më të hareshme, ushtria serbo jugosllave po vazhdonte tërheqjen e trupave të tyre, dhe gjithçka deri më tash po shkonte sipas “Marrëveshjes Tekniko Ushtarake të Kumanovës”, që kishin nënshkruar për tërheqje të plotë. Kësaj tërheqje nga Kosova iu bashkëngjiten edhe kriminelët civil serb dhe rom me familjet e tyre që ndoshta edhe ata kishin qenë të involvuar në krime ndaj fqinjëve të tyre shqiptare. Po largoheshin më tepër nga frika e ndonjë hakmarrje të familjarëve të masakruar për krimet që kishin bërë mbi popullatën e pambrojtur dhe të pafajshme shqiptare.

Meqenëse nuk ishim aq të nxanun dikur në orën 15:00 pas dite, vendosëm që unë me Kapitenin Wiggis dhe dy kolegët e tjerë Amerikan të njësisë tonë, t’i bëjmë një vizitë nga afërsia pikës kufitare në Morinë, të kufirit Shqipëri-Kosovë. Qëllimisht edhe për të parë prej së afërmi se ç’po ngjante dhe si ishte gjendja andej kufirit.

Përtej kufirit po shihej se ende kishte disa trupa ushtarake serbe. Gjithashtu nga largësia pamë edhe

fshatin Gorzhup, një fshat në Kosovë afër kufirit, i cili po digjej dhe ishte në flake. Diçka e tiilë ishte krejtë e zakonshme, sepse aty ku kalonin serbët, ata i plaçkitnin edhe më në fundë ia venin zjarrin për t’i humbë gjurmët e tyre të krimit. Ky ishte urdhëri dhënë nga kryesia serbe-jugosllave që pas vetes mos të lënë asgjë në mënyrë normale!

Prej këndej pamë edhe Planejen dhe disa fshatra të tjerë afër kufirit, vende të cilat gjerë më tani ishin përdorë edhe si fortifikata për armikun serbo jugosllav, e që shifeshin se ishin të shkatërruara tërësisht edhe nga bombardimet e aviacionit të NATO-së. Në këto vende për ku mendohet se u vranë mijëra pjesëtarë dhe u shkatërruan një numër i madh i arsenalit të armikut gjakatarë serb.

Gjatë bombardimeve të këtyre fshatrave u përdor armatim i llojllojshëm nga bombarduesit e aviacionit të NATO-së, siç ishin nga B-52 që po gjuanin bomba deri në 1000 kg., të cilat ishin në gjendje të shkatërronin gjithçka për rreth, bile edhe në nëntokën ku ishin barikadu trupat e armikut sllav.

Pas vëzhgimit që i bëmë terenit përsëri u kthyem në vendëqëndrimin tonë. Gjatë ditës së sotme kishim edhe një lajm shumë interesant. Po, për dislokimin e një njësie ruse nga Bosna dhe Hercegovina e cila pa pyet askend kishte ardhë në Prishtinë, aty ku në fillim, atëherë kur gjithëçka ishte konfuze dhe ishte pritur në mënyre madhështore nga serbët lokal të Kosovës. Ishin pritur si vllezërit e mëdhenjë të tyre, dhe pastaj kishin vazhduar dhe ishin futur mbrenda në aeroportin e Sllatinës. Pa lejen e Shtabit të NATO-së.

Kjo na ishte një çmenduri ruse që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se do të ndodhëte ashtu, por që nuk është për t’u çuditur me to.

Nga marrëveshja ushtarake e NATO-së kjo zonë ishte caktuar që të jetë nën kontrollin Britanez, të cilët ishin në rrugë e sipër nga Maqedonia për në këtë vend ku veçse njësia ruse ishte vendosur aty, e që kuptohet sigurisht se për qëllimet e tyre strategjike.

Deri sa po çlodheshim, gjatë mbrëmjes së sotme në orën 22:00 ndëgjuam një eksplodim. Mbrenda disa sekondash menjëherë na lajmëruan nga Policia Ushtarake e Shqipërisë që kishin zyrën në anën tjetër të ndërtesës ku ishim ne, për një aksident të një aeroplani Britanez që sapo kishte ndodhur. Ai gjatë ngritjes së fluturimit nga aeroporti i sapondërtuar i Kukësit (aeroport i cili sapo ishte rindërtuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe) kishte ra edhe kishte filluar të digjej. Kjo ngjarje që ndodhi ishte krejtësisht afër nesh, në një distancë më pakë se një kilometër. Me të ndëgjuar për ndodhinë, njoftuam Shtabin në Rinas dhe i kërkuam ndihmë për të shpëtuar ekuipazhin e aeroplanit, dhe menjëherë u nisën për t’i dalë në ndihmë, kurse mua më lanë që të presë me një bateri sinjalizues në dorë për të pritë helikopterët që i kishim kërkuar për ndihmë nga Shtabi i Rinasit. E që kur të arrijnë, unë t’i japë atyre shenjë me atë lloj baterie për vendin e aterimit në oborrin tonë. Aeroplani kishte pasë rënë jashtë rrethojës me tela gjembash të pistës së aeroportit të Kukësit, dhe nuk ishte aspak larg nga çadrat e refugjatëve të Kosovës, në një distancë rreth 200-300 metrash. Ishte fat që kishte rënë pakë më largë prej çadrave, se për ndryshe do të kishte shkaktuar një tragjedi të madhe njerëzore me pasoja shumë të mëdha. Po, pasi se aty ishin të strehuar me mijëra refugjatë të Kosovës. Pasi arriti në vendëngjarje njësia jonë atje, gjeti aeroplanin të mbuluar tërësisht në flakë, ku menjëherë kishin arritë që të evakuojnë të tërë

personelin njerëzorë prej 12 vetash së bashku me ekuipazhin që kishin qenë në aeroplan. Ishte një fat dhe falë ndihmës së Njësisë Speciale të Armatës Amerikane që ishim në Kukës që me shumë sukses i shpëtoi që të gjithë ata që kishin qëlluar në atë Aeroplan përveçëse disave që kishin pësuar lëndime trupore. Në ndihmë për evakuim erdhën edhe 3 helikopterët “Black Hawk” të Armatës Amerikane dhe1 helikopter i Armatës Belge, kurse ai i Armatës Franceze pasi se na thanë se po vijnë për t’i evakuar të lënduarit e aeroplanit, menjëherë na zhgënjyen sepse pas disa minutash na lajmëruan se nuk do të vijnë. Nga vendi i ngjarjes së aksidentit të lënduarit u transferuan për në spitalin e Tiranës. Për sigurinë e fluturimit të helikopterëve ushtarak gjatë ndihmës së tyre këtu në afërsi të qytetit të Kukësit, gjatë kësaj kohe na u paraqitën edhe 6 aeroplanë luftarak të NATO-së për sigurinë e helikopterëve për çfarëdo rasti, dhe të cilët ndihmuan edhe duke na e ndriçuar qiellin e errët me llojet e tyre të fishekëzjarreve (flares), të cilët i lëshonin kohë pas kohe nga një lartësi e lartë në qiell. Ky operacion i ndihmës së evakuimit të tyre zgjati për disa orë, derisa u evakuan që të gjithë të lënduarit edhe u sigurua vendi i ngjarjes së aksidentit për hetimet e më tutjeshme.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Sipas informatave të sotme të NATO-së gjerë më tani personeli prej 4,000 ushtarësh jugosllav ishte tërheqë prej teritorit të Kosovës, kurse gjatë ditës së sotme gjithëashtu kishim 399 fluturime të aviacionit të NATO-së të cilët në përgjithësi ishin në mbikqyrje dhe vëzhgimin e trupave të armikut serb.

Gjatë kampanjës së bombardimeve 78 ditore, kishim në fluturim mbi 1,000 aeroplanë të forcave të NATO-së të cilët bënë 35,219 fluturime duke gjuajtur 23,000 municione (bomba, raketa etj.).

Gjatë ditës së djeshme kishim arritjen e 700 ushtarëve në Maqedoni duke e rritë numrin e forcave të KFOR-it në 19,300 trupa. Hyrja e trupave të parë të KFOR-it në Kosovë nga Maqedonia pritej për sot, mirëpo për shkaqe të ndryshme hyrja e tyre u shty ndoshta edhe për 24 orë më vonë.

Nga diplomacia kishin vazhduar edhe më tej bisedimet rreth pjesëmarrjes së trupave ruse, sepse ata ende insistonin që trupat të kenë sektorin e tyre si dhe të mos jenë nën komandën e NATO-së. Gjenerali rus Ivachov i cili ishte negociator tha: “Nëse ne nuk mundemi me ardhë deri te pajtimi me palën amerikane, ne do ta caktojmë me palën jugosllave që të kontrollojmë një sektor në vete”, për derisa Talbott tha bindshëm se nuk do t’i jipet sektor në vete palës ruse për shkak se do ta çonte në coptimin e Kosovës!

Zëdhënësi i NATO-së nga forcat e SFOR-it në Bosne, lajmëroi se një kontingjent rus prej 150 trupave paqëruajtëse nga Bosna ishin nisur drejt Kosovës. Mirëpo zyrtarët rus thanë se ata do të pritnin në jug të Serbisë për derisa të bëhet marrëveshja për të hyrë si trupa paqëruajtëse në Kosovë me një komandë të përbashkët…

E shtunë, 12 qershor 1999

Siç po shifet edhe sot, për neve do të jetë ditë monotone, pasi se me nënshkrimin e Marrëveshjes Tekniko Ushtarake të Kumanovës, punës tonë veçëse po i numëroheshin ditët e fundit e që po vinte drejt përfundimit! Meqenëse nuk ishim të nxanun aq shumë Kapiteni Wiggis me disa pjesëtarë të grupit vendosën që sot të shkojnë për vizitë deri te kolegët e tyre. Pra tek grupi tjetër që ishin të vendosur në Krumë, kurse mua me dy pjesëtarët e tjerë na lanë që të kujdesemi nëse na vjen ndonjë send prej Gjeneralit Kudusi Lama.

Pas largimit të tyre në orën 9:00 para dite, më telefonoi Gjenerali Lama për të më bërë me dije se donte që të takohet me kapitenin Wiggis! Pasi se i tregova se ata ishin nisur për në Krumë, Gjenerali insistoi që unë të shkojë me ndonjë pjesëtarë tjetër të njësisë tonë për ta takuar atë në zyrën e tij. I tregova kolegut tim Dan, pjesëtarit tjetër i Njësisë Speciale të Armatës Amerikane që ishte me ne që nga fillimi ynë në Kukës se na duhet për t’u nisur për tek Gjenerali tani menjëherë.

U nisëm dhe shkuam në zyrën e Gjeneralit Lama, ku si çdo herë edhe sot përsëri ai na priti në mënyrë të ngrohtë vëllazërore dhe shumë miqësore. Biseda ishte kryesishtë për gjendjen mbrenda Kosovës. Por ajo që ishte më me rëndësi, ishte futja e trupave ruse në Prishtinë, e që sipas tijë pasi se këto trupa ushtarake kishin ardhur pa kurrëfarë marrëveshje, që donë të thotë se ata duhej të konsideroheshin si  trupa okupuese armike! Ky farë kontingjenti rus kishte qenë tani prej disa vitesh për ruajtjen e paqes në Bosne dhe Hercegovinë, dhe siç po shifej ata kishin lënë detyrën e tyre. Po, edhe atë pa e pyetur askënd ishin dislokuar dhe  kishin  ardhur  në  Prishtinë,  e  pastaj  kishin vazhduar rrugën për në aeroportin e Sllatinës ku edhe kishin bërë okupimin e tij! Ky ishte një incident që do të shkaktojë mosmarrëveshje në mes të forcave aleate të NATO-së dhe palës ruse. Biseduam edhe për tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova, si dhe veprimet e tyre fashiste gjatë tërheqjes duke dhezë edhe shume shtëpi të shqiptarëve. Por, edhe në shumë raste po i djegnin edhe shtëpitë e veta, e që sipas mendimit tonë ata e bënin ndoshta edhe për shkak të krimeve të bëra nga vetë ata. E tani, ata nuk mendonin që të kthehen këtu, dhe kështu që mos t’ia lënë të tjerëve për t’i shfrytëzuar shtëpitë e tyre! Nga ana tjetër ndoshta ishte që më vonë edhe të thojnë se shtëpitë e serbëve janë djegur nga forcat e UÇK-së dhe shqiptarët pas tërheqjes së tyre, që popullata serbe mos të ketë ku të kthehet më! Këto ishin vetëmse mendimet tona konspirative!

Biseduam edhe për problemin e minimeve të shtëpive të vendbanimeve shqiptare, duke ia minuar dyert, dritaret, enët e kuzhinës edhe kopshtet e shtëpive. Pasi përfunduam bisedën përsëri u kthyem në zyrën tonë, ku tani po prisnim urdhërin për të ardhmen tonë si dhe çka të vepronim më tutje. Pas kthimit tonë në zyrë, Dan me shokun e tij ia transmetuan përmbajtjen e kësajë bisede edhe Gjeneralit Hendrix i cili pa kurrëfarë pritese vendosi që të na vijë tek ne në Kukës, për ta takuar personalisht ai vetë Gjeneralin Kudusi Lama. Ai na porositi që ta njoftojmë Gjeneralin se ai do të vijë te ne në orën 15:00 për t’u takuar. Në orën 15:00 pasdite, si zakonisht te ne mbërriti Gjenerali amerikan Joe Hendrix me helikopterët ushtarak, dhe po në të njejtën kohë arriti edhe Gjenerali shqiptar Kudusi Lama.

Takimi mes tyre ishte shumë miqësorë, pas përshëndetjeve dhe përqafimeve të tyre menjëherë e filluan bisedën rreth shqetësimit të tyre për hyrjen e trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës. Pikërishtë aty ku duhej vendosur Shtabin Qendrorë të aleancës së NATO’s për tërë Kosovën, e që sipas marrëveshjes ushtarake ishte diçka e pa imagjinueshme për të gjithë se si një fuqi botërore do të vendosë kësisoji kokë në vete! Sipas fjalëve të Gjeneralit Hendrix, mendohej se mos ishte bërë edhe ndonjë marrëveshje e fshehtë në mes të forcave ruse dhe asajë të ushtrisë jugosllave, që po sa të tërhiqen forcat serbe, të futen dhe të zëvendësohen me ato ruse. Ndoshta me qëllim që të mbanin pjesën të cilën edhe po ëndërronin, pra për kontrollin e Trepçës dhe disa pjesëve të tjera më të pasura të Kosovës. Apo ndoshta edhe me qëllime tjera të ndërrimeve teritoriale.

Sipas fjalëve të Gjeneralit Hendrix, një gjë e tillë as që vjen parasyshë dhe nuk do të lejohet kurrësesi. Një gjë të tillë ne gjithnjë e kemi pritur dhe na e ka marrë mendja se do të ndodhë, sepse në të gjitha marrëveshjet ruso-amerikane, ata janë munduar që të na tradhëtojnë, edhe na tha:”Ndarja e Kosovës nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që të ndodhë”!

Gjatë bisedës Gjenerali Hendrix i premtoi Gjeneralit Lama se pasi se të qetësohet gjendja mbrenda Kosovës, do të dëshironte që së bashku me të të shkonin për t’a takuar Gjeneralin Agim Çeku të UÇK-së në Malishevë. Po, atje ku e kishte shtabin e UÇK-së si dhe pastaj të vizitojnë tërë Kosovën. Ai dëshironte që në rend të parë të vizitojnë dhe shtëpitë e refugjatëve të cilat tani veçëse ishin të plaçkitura, të djegura dhe të shkatërruara deri në themel nga bombardimet e forcave fashiste serbe.

Gjenerali Hendrix shprehu dëshirën që gjatë vizitës në Kosovë që të vizitojnë dhe një familje Pejane që i njihte dhe kishte miqësi të mirë tani një kohë të gjatë nga vendbanimi i tij në Amerikë. Që të dy Gjeneralët ishin tepër të kënaqur për bashkëpunimin dhe miqësinë që kishin krijuar në mes vete, e sidomos edhe me suksesin dhe rezultatet në koordinimin e bombardimeve të aviacionit të NATO-së , aty ku vetëmse amerikanët udhëhiqnin me mbi 60% të bombardimeve mbi forcat jugosllave si dhe mbi tërë Jugosllavinë! U gëzuan gjithashtu shumë, sepse po i jepnin fund njëherë e përgjithmonë mizorive të popullit shqiptarë në Kosovë nga okupatori serb.

Gjenerali Lama shprehi dëshirën që refugjatët kosovarë të kthehen sa më shpejtë në shtëpitë e tyre, dhe t’i përvishen punës edhe ta ringjallin vendin e tyre. Edhe ai vetë shprehi dëshirën që të shkojë për të ndihmuar këtë popull të vuajtur kaq shumë edhe në rimëkëmbjen e vendit.

Gjenerali Lama na tha se më vonë do të kërkojë dorëheqje nga Shteti shqiptar, që ta e lërë edhe postin e tij të Gjeneralit të Ushtrisë së Shqipërisë të Zonës Kufitare të Kukësit, sepse ishte i dhënë me mish e me shpirtë edhe në ç’do mënyrë që të jetë e mundur që ta ndihmojë popullin e tij shumë të dashur, popullin shqiptarë nga Kosova!

Nga fillimi kur u njohëm me Gjeneralin Lama, tek ai pamë se ishte i vendosur dhe i përkushtuar 100% në çfarëdo sfide që t’i vinte, përzgjidhjen e çështjes me fitoren e luftës. së popullit shqiptarë kundër gjakatarëve serb. Për kohën që kaluam në punë së bashku Maj-qershor1999, në zyrën e tij në Kukës, lirisht mundë të them se Gjenerali Kudusi Lama ishte  një  prej  patriotëve  më  të mëdhenj të kombit shqiptarë që kisha takuar. Në fytyrën e tij shpeshëherë pashë edhe lotët e dhimbjes dhe pikëllimit për luftëtarët e lirisë, për pjesëtarët e UÇK- së kur pësonin ndonjë humbje. Kjo ishte gjëja e cila më lëndonte shpirtin edhe mua personalisht, sepse edhe unë kisha të njejtat dhimbje, por i kujtojë edhe gëzimet që ndanim me të kur ishte kulmi i sukseseve! Për Gjeneralin Kudusi Lama mundë të them lirisht se ai është hero i ditëve tona. Ndjehem i privilegjuar që pata rastin të bashkëpunojmë me një personalitet të tillë siç ishte ai.Gjeneral Lama ishte në gjendje që të sakrifikonte gjithëçka, vetëm e vetëm për fitimin e lirisë së popullit të tij shqipëtarë. Me të punuam pa ndërprerë, pa kurrëfarë orari, ku për 24 orë gjithmonë ishim të gatshëm për aksion që të përmbyllim vuajtjet e mëse 2 milion shqiptarëve që kishin lënë shtëpitë e tyre nga armiku kriminel-gjakatarë serb.

Gjeneral Lama kishte përfituar mirënjohjet e konsiderueshme edhe për: trupat e aleancës së NATO-së, e në veçanti për njësitë Ushtarake të Armatës Amerikane, si dhe bashkëpunimin vëllazëror me Lt. Gjeneralin Amerikan John Hendrix, si dhe neve të njësisë tonë të Forcave Speciale të Armatës Amerikane në Kukës, si dhe ndihmën e Forcave Ajrore të NATO-së pa ndihmën e të cilave fitorja do të ishte shumë më e vështirë.

Gjatë përqafimit lamtumirës me Lt. Gjeneralin Hendrix, Gjenerali Lama tha: “Ky është personi që me mish e me shpirtë iu përkushtua detyrës së fitores, dhe me punën e tijë të pandalshme e gjunjëzoi dhe e detyroi Presidentin e Jugosllavisë Sllobodan Millosheviqin që të gjunjëzohet dhe të nënshkruaj KAPITULIMIN,” për çka edhe vetë Gjenerali Hendrix patë shprehë dëshirën që në fund do të donte që edhe ta shqelmonte liderin fashist serb Millosheviqin. Fjalë të cilën unë ia përkujtova atij sepse na e kishte thënë neve gjatë vizitës së tij në Kukës para disa kohësh. I habitur Gjenerali Hendrix me buzëqeshi dhe më tha: “Po, po por nuk po na lejojnë të tjerët!”

Gjenerali Hendrix gjithashtu ishte shumë  i kënaqur edhe për punën që bënë pala e UÇK-së me luftën e tyre, e sidomos me furnizimin e listave të objektivave të caqeve me lëvizjet dhe vendëndodhjen e forcave të armikut serb, ku me të cilat informata na ndihmuan në sulmet e caqeve të bombardimeve që ndërmorrëm. Ai pati fjalë shumë të mira për UÇK-në e cila luftoi në mënyrë profesionale dhe me trimëri dhe me moral jashtëzakonishtë të lartë, dhe nuk bënë kurrëfarë flliqësire siç po vepronin luftëtarët e armikut jugosllav.

Kjo bisedë u zhvillua mbi pullazin e objektit ku e kishim adaptuar në vendë pushimi, me tavolinën dhe karrikat e drurit që kishim bërë mbi të, të vendosur mbi stacionin e Policisë Ushtarake të Shqipërisë.Aty në një vend ku i kishim ndërtuar edhe shkallë për t’u ngjitë lartë, dhe atje lartë një tavolinë me karrika për rreth të ndërtuara nga pjesëtarët e grupit tonë, prej nga na bëhej më lehtë dhe vëzhgimi i bombarduesve të aviacionit të NATO-së.

Për këtë punë të grupit tonë mbetën të habitur që të dy Gjeneralët se si në një mënyrë profesionale dhe kaq të përsosur e kishin rregullu këtë pikë vrojtimi dhe pushimi.

Gjatë kësajë bisede filloi të fryej një erë e fortë nga mali i Gjallicës që ishte përballë neve. Era u rritë aq shumë saqë gjithëçka filloi të luhatej, kurse Gjeneralët ishin të thelluar aq shumë në bisedë sa më duket se as që ndienin për erën e madhe që po fryente.

Diku gjatë përkthimit të bisedës nuk mu durua, edhe iu luta nëse pranojnë do të ishte më së miri që të zbresim poshtë në zyrën tonë që e kishim në përdhesë, për çka u pajtuan që të dy me propozimin që iu dhashë dhe menjëherë zbritëm poshtë. Pas zbritjes bisedën e vazhduan edhe për një kohë në zyrën tonë që kishim. Biseda që zhvillohej ishte shumë e ngrohtë në mes tyre, ishte bisedë vëllazërore në mes dy shokëve të ngushtë me profesion dhe qëllim të njejtë, dhe që kishin një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë. Nga fundi i bisedimeve Gjenerali Lama shprehi faleminderimet e tij të përzemërta të bashkëpunimit si dhe mu faleminderua edhe mua personalisht për ndihmën me përkthimet dhe këshillat e mia që kisha bërë. Kësajë here Gjenerali Lama gjithëçka e kishte të qartë, dhe se gjithëçka kishte kuptuar mirë gjatë bisedës me Gjeneralin Hendrix. Para se të nisej Gjenerali Hendrix për në shtabin e tij na u lutë që të bëjmë edhe disa fotografi me Gjeneralin Lama si dhe së bashku me grupin tonë bashkëpunues.

Kërkoi të bëjmë foto para një dërrase që kishim bërë në murë, e ku kishim të shenuara shumicën e humbjeve të forcave të armikut pas çdo sulmi nga bombarduesit e NATO’s që kishim koordinuar grupi ynë. Në dërrasë shenoheshin numri i të vrarëve serb, numri auto-blindave, tankeve, artilerisë si dhe automjeteve ushtarake të shkatërruara nga bombardimet, për të cilën punë që të dy Gjeneralët haptas na u faleminderuan dhe e vlerësuan punën tonë si dhe thanë se aksionet tona ishin ndër më kryesoret që detyruan dorëzimin dhe kapitulimin e ushtrisë jugosllave.

Na faleminderuan veçë e veçë secilit dhe të gjithë  grupin  “Zorro”  (shifrën  që  kishim  ne gjatë Operacionit të Forcave Aleate).Siç po shifej ky do të ishte ndoshta edhe takimi i fundit i dy Gjeneralëve që aq ngushtë kishin bashkëpunuar në mes vete gjatë të gjithë këtijë operacioni, i cili e kishte detyruar palën e armikut për të përfunduar ëndërrën e tyre shekullore për të mbajtur nën okupim tokat e Dardanisë -të Kosovës, si dhe në nënshkrimin e “Kapitulimit” të shtetit fashist serb…

Me këtë takim të përbashkët gjithashtu edhe qëndrimit tonë në Kukës i kishte ardhë fundi. Sot u njoftuam se në ditën e nesërme na duhej që të nisemi për në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-së në Rinas në afërsi të Tiranës, dhe prej ku do të na caktohej drejtimi dhe lëvizja jonë drejt Kosovës së çliruar. – Kosovës së Pavarur!!!

Prej sot edhe titulli i misionit tonë ndryshon nga forca sulmuese ”Operacioni i Forcave Aleate” në atë të misionit paqeruajtës të KFOR-it “Task Forca Skifteri”.

Prej sot filloi edhe hyrja e trupave paqeruajtëse nën komandën e NATO-së me emrin KFOR –rit, për në Kosovë, ku menjëherë do të fillojë ngritja e kampit më të ri ushtarak për forcat e ushtrisë Amerikane në Kosovë i quajtur Kampi “Bondsteel” në Sojevë të Ferizajit, dhe më vonë do t’i shtohet edhe një kamp tjetër për forcat Amerikane ai i grupit tjetër që do të quhet Kampi “Monteith”që do të vendoset në kazermën ushtarake të ish armatës jugosllave (JNA) në Gjilan.

Trupat paqëruajtëse të NATO-së në Kosovë do të ndahen në 5 sektore të ushtarakëve paqëruajtës: Sektori Amerikan (Sojevë dhe Gjilan), Italian (Pejë), Gjerman (Prizren), Francez (Mitrovicë) dhe ai Anglez (Prishtinë).

Informacionet e 24 orëve të fundit

Në Cologne rreth 40 shtete nënshkruan “aktin e stabilitetit” për Ballkanin, si nënshkrues ishin edhe shtetet e G 8, me qëllim që të rindërtojnë dhe riforcojnë gjendjen ekonomike në Kosovë dhe të gjithë regjionin. Ai gjithashtu ia përkujtoi edhe popullit serb për derisa të përkrahin Presidentin Millosheviq, shteti i tyre nuk do të marrë kurrëfarë ndihme nga perëndimi.

Sekretarja e Shtetit Amerikan Zonja Albright gjatë ditës së sotme arriti në Maqedoni në vizitë të kampit të refugjatëve kosovarë, si dhe aty takoi edhe ushtarët amerikan.

Presidenti Clinton iu gëzua tërheqjes së trupave serbe nga Kosova si dhe ndërprerjes së bombardimeve të NATO-së si “fitimtare”, gjithashtu premtoi se së bashku me Bashkësinë Evropjane do të ndihmojnë Kosovën me resurse që kanë nevojë.

Sipas UNHCRsë numri i refugjatëve në regjion është 780,200; në Shqipëri 444,200 Maqedoni 244,500 Mal të Zi 69,800 Bosna 21,700.

E diel 13 qershor 1999

Sot ishte një ditë e nrgohtë dhe e bukur, ishte një ditë e fitores por edhe një ditë e mërzitëshme sepse sot po ndaheshim nga Komanda e Armatës së Republikës së Shqipërisë, me të cilën bashkëpunuam për gati dy muaj, dhe ndarja nga qyteti piktoresk i Kukësit si dhe i falënderohemi e dhe qytetarëve të sajënë mikpritjen e tyre.

Me t’u zgjuar nga gjumi menjëherë filluam përgaditjet për udhëtim, së pari bëmë mbledhjen dhe paketimin e gjësendeve që kishim, dhe para nisjes tonë për udhëtimin drejt Shtabit Amerikan në Rinas, tani para largimit tonë nga Kukësi po pritnim të takonim edhe shokun, mikun dhe vëllaun tonë më të dashur, njeriun me të cilin bashkëpunuam për gati dy muaj Komandantin e Divizionit të Kukësit Gjeneralin Kudusi Lama!

Në orën 11:00 para dite na erdhi Gjenerali Kudusi Lama në takimin e fundit lamtumirës me Njësinë tonë të Forcave Speciale të Armatës Amerikane, i cili erdhi dhe me vete na kishte sjellë edhe nga një shenjë kujtimi të bashkëpunimit tonë që kishim patur deri më sot. Gjenerali Lama me vete kishte sjellë për secilin pjesëtarë të njësisë tonë disa dhurata të bukura modeste dhe me shumë vlerë. Secilit prej nesh na kishte sjellë nga një Flamur Kombëtarë të Shqipërisë dhe nga një panoramë shumë të bukur me pamjen e veshjeve kombëtare të zonave të ndryshme shqiptare. Ishin shenja me shumë vlerë, dhurata që do t’i ruajmë me nostalgji në shenjë kujtimi për tërë jetën tonë dhe për bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dhe mundë të them edhe se bashkëpunimin historik që patëm!

Gjatë këtijë takimi lamtumirës iu faleminderuam Gjeneralit Kudusi Lama për bashkëpunimin e ngushtë që patëm, si dhe mikëpritjen dhe kujdesin ai dhe i tërë stafi i tij që treguan ndaj neshë gjatë gjithë kohës derisa ishim aty. Mbetemi me shpresë që të takohemi përsëri, por kësajë here së pari në Kosovën e Lirë, për të cilën ëndërruam edhe sakrifikuam kaq shumë.

Në ndarje me Gjeneralin Lama edhe njëherë u përqafuam si vëllau më vëllanë duke i dëshiruar njëri tjetrit shëndet me jetë të gjatë, dhe të gjitha të mirat e kësajë bote!

Gjithashtu i faleminderohemi edhe qytetarëve të Kukësit për ndihmën dhe mikëpritjen që na e bënë kudo që shkuam.

Në orën 12:00 në mesditë, u nisëm drejtë Rinasit me dy automjetet tona Hamvee’s që kishim në dispozicion që nga fillimi. Kaluam nga Kukësi drejtë maleve të larta të Mirditës. Ishte një rrugë e gjatë dhe mjaftë e vështirë, e cila nga lartë na jepte një pamje magjepëse dhe spektakulare me maje të larta të maleve, disa prej të cilave në majet e tyre mbanin dëborë e që dukej sikurëse t’ia kishin veshur plisin e bardhë shqiptar, si dhe luginave  të bukura  që shtriheshin para neve në horizont. Gjatë rrugës pamë edhe disa vendbanime të vogla dhe shumë piktoreske!

Ndoshta po përshkonim rrugën e zonjës Eith Durham e cila në përshkrimet e saja na e kishte përshkruar diçka të ngjajshme, në kujtimet e saja mjaftë mbresëlënëse për Shqipërinë dhe popullin trim dhe bujarë shqiptarë.

Në Rinas arritëm dikur në mbrëmje, rruga ishte mjaftë e gjatë e që na zgjati rreth 7 orë udhëtimi me automjetet tona ushtarake. Në të arritur në kampin e Armatës Amerikane në Aeroportin e Rinas’it afër Tiranës, nga lodhja e rrugës menjëherë zumë një çadër, i shtruam thasët tonë të gjumit edhe pas një kohe të shkurtër që të gjithë pjesëtarët e njësisë tonë fjetëm, me qëllim  që të  jemi të  gatshëm për  udhëtimin e nesërm i cili ishte edhe i gjithë qëllimi i këtijë rrugëtimit tim të gjatë prej SHBA-së për në Kosovë. Por kësajë here po shkonim në Kosovën e Lirë, atje ku do të takojmë edhe njerëzit tanë më të dashur!

(VIJON)

© Pashtriku.org

_____________

NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (IX)

Nga Ajaz Emini

https://pashtriku.org/nje-jete-kushtuar-atdheut-ditar-lufte-ix/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura