Durrës, 16 mars 2017: Po bëhej në Durrës promovimi i librit „Apostol Barko-Malëshova, shqiptari i madh, që punoi, luftoi dhe më në fund, ra dëshmor për gjuhën shqipe e për Shqipërinë“.
Në promovim, përveç bashkëkrahinasvet të Apostol Malëshovës, erdhën edhe shumë durrësakë dhe të krahinavet të tjera. Vetë unë, autori i librit, isha nga Shqipëria Veriperendimore dhe kisha bërë libër për një personalitet të Shqipërisë Jugore. Ka edhe kjo simbolikën e vet që rreh të manifestojë vlerat kohezionale të Kombit tonë.
Por mua më tërhoqi vëmendjen konstatimi tepër trishtues i njërit prej kolegëvet të mi shkrimtarë, kur tha: „Jemi i vetmi komb në botë që kemi DËSHMORË TË GJUHËS. Dëshmorët e gjuhës shqipe, martirët e gjuhës shqipe,“ shtoi ai, „janë proverbialë në Kombin Shqiptar.“
Dhe mua s’më zuri gjumi gjithë natën, duke u munduar të gjej shkakun.
Pjetër Budin e kanë mbytur në Dri më 1622, sepse kërkonte që në kishë të përdorej arbërishtja. Dhaskal Todhrin e masakruan më 1805-n. Edhe Gjokë Shqiptari, në trevat e Pogradecit, shekulli XIX, është masakruar. Naum Veqilharxhi u helmua më 1846-n. Anastas Kullurioti kërkoi që populli shqiptar të arsimohet në gjuhën amëtare. E helmuan grekët më 1887-n. Pandeli Sotiri u vra më 1891-shin. Balil Tahiri më 1893-shin. Papa Kristo Negovani u masakrua më 1905-n. Petro Nini Luarasi u helmua më 1911-n. Sali Nivica u vra më 1920-n. Sali Çeka, më 1925-n. Shtjefën Gjeçovi u vra më 1929-n. Kristo Isaku më 1942-shin. Raqi Qirinxhi, më 1944-n. Ndrecë Ndue Gjoka më 1946-n. Për të vazhduar pa fund me të gjithë martirët e kësaj gjuhe, që u vranë ose u torturuan nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë thjeshtë sepse jepnin mësim në gjuhën shqipe.
Nuk po i rendit këtu heronj të tillë si Luigj Gurakuqi e Avni Rustemi, që ishin pionierë të arsimit shqip, por që u vranë, përveç si mësues, edhe si politikanë.
Në Luftën e Dytë Botërore janë, vetëm në Republikën e Shqipërisë, nja 25 mësues që janë vrarë në luftë për çlirimin e vendit. Por ne këtu po flasim vetëm për ata shqiptarë që e sakrifikuan jetën përballë armiqvet të Kombit tonë thjeshtë sepse donin të ruhej e të kultivohej gjuha shqipe.
Në hapësirat shqiptare, jashtë Republikës së Shqipërisë, arsimi shqip është persekutuar, sikur vetëm ai të ish e keqja më e madhe e botës!
Grekët nuk e lejuan kurrsesi arsimin shqip, as në territorin e Shqipërisë, dmth në Janinë, Prevezë, Paramithi, Margëlliç, Pargë, Filat, Konicë, Kostur, Follorinë, por as në viset ku banojnë arvanitët, Peloponez, ishuj e gjetkë. Kulluriotin dhe Negovanin prandaj i vranë, por edhe Aristidh Kolën më vonë. Çamët myslimanë prandaj i dëbuan dhe i masakruan, sepse flisnin shqip. Jo se ishin myslimanë, por se flisnin shqip! Besimi i tyre mysliman ishte sebepi, ishte alibia!
Arsimi shqip, por edhe të regjistruarit me kombësi shqiptare apo si arvanitas (arbëresh të Greqisë), u diskriminua si tërësi. Të bësh diskriminim mbi gjuhën e një kombi është genocid më i tmerrshëm se të bësh masakër mbi trupat fizikë të një kombi.
Edhe në viset shqiptarë që i kishin sllavët dhe në ato pjesë që ende i kanë sllavët, janë përdorur të dyja format: edhe diskriminimi mbi gjuhën, edhe masakra mbi trupat fizikë të përdoruesvet të kësaj gjuhe.
Në trevat periferike shqiptare, si Tivari, Podgorica, Rozhaja, Bihori, Dacajt, Plava, Peshteri, Kurshumlia, Toplica, Vranja, Leskovci, Nishi, Velesi, Përlepi, por edhe më në thellësi (si punë e kancerit), Ohri, Manastiri, Resnja, është synuar të asfiksohet shpirti shqiptar, duke mos lejuar shkollat shqipe dhe duke mos i regjistruar shqiptarët shqiptarë.
Në Republikën e sotme të Kosovës dhe në Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë, janë vënë në veprim të dyja format, sipas trastit. Janë burgosur dhe torturuar me qindra mësues. Burgosur e lëshuar, lëshuar e burgosur përsëri, për ta mbajtur të ngrehur frikën e terrorit ndaj të gjithë përdoruesvet, ruajtësvet, përhapësvet dhe mbrojtësvet e gjuhës shqipe. Titistët e kishin lejuar mësimin e gjuhës shqipe, politikanët e Sërbisë desh lojtën mendsh. Sllavët që ishin direkt në kontakt me shqiptarët i pushtoi histeria! Ata iu vunë me ngut riinstalimit të genocidit.
Dy kanë qenë veprimet e alergjikëvet histerikë ndaj gjuhës shqipe në Ish-Jugosllavi, pas vdekjes së Titos, i cili, sipas tyre, ish fajtori më i madh, sepse e kish lejuar këtë gjuhë josllave të përdorej në një shtet “të sllavëvet”.
Veprimi i parë ish helmimi masiv i shtatë mijë nxënësvet shqiptarë me anë të gazit toksik SARIN, helmim i cili nuk mund të mos vihej re në shkallë botërore. Nuk u helmua asnjë nxënës shqiptar që shkollohej në gjuhën sllave dhe nuk u helmua asnjë nxënës shqiptar, në Çamëri, Janinë e gjetkë, që shkollohej në gjuhën greke.
Veprimi i dytë ishte mbyllja e të gjitha shkollave shqipe në ish-Republikën Socialiste Autonome të Kosovës, veprim ky që solli si reagim funksionimin e shkollavet shqipe nëpër familje. Mësuesit e persekutuar ishin me qindra dhe mësuesit martirë e gjuhës shqipe qenë me dhjetëra. (Do të duhej një listë e tyre.)
Një Ukshin Hoti as sot nuk po i gjendet varri. Në Reçak, më 15 janar 1999 do të torturohej, do të masakrohej e në fund do të vritej, bashkë me 24 bashkëfshatarë, mësuesi Sadik Osmani.
Persekutimi i gjuhës shqipe dhe i përhapësvet të gjuhës shqipe nuk ka fund. Konstatimi i kolegëvet të mi shkrimtarë, në ditën kur po përkujtohej njëri prej martirëvet më markantë të kësaj gjuhe, Apostol Barko Malëshova, ishte sa i vërtetë, aq edhe i hidhur. Shqiptarët janë i vetmi komb në botë që ka MARTIRË të gjuhës së vet! Martirë të gjuhës shqipe! Nuk e di çfarë vendi do të zinte ky nocion, kjo shprehje, në historinë gjithbotërore, por di fort mirë që ne shqiptarët duhet ta kuptojmë dhe ta gjejmë SHKAKUN HISTORIK: Pse ka ndodhur kështu?!
Prandaj edhe nuk më zuri gjumi atë natë gjithë natën dhe prandaj, mbas asaj nate, çdo mëngjes po më del gjumi që në katër.
Është lehtë të thuash se ka qenë fati ynë i keq, mbasi jemi ndodhur të rrethuar prej armiqah. Është krejt e vërtetë që ne jemi të rrethuar prej popujsh që e urrejnë gjuhën shqipe. Madje, një përqindje e lartë e atyre popujve janë me prejardhje iliro-arbro-shqiptare dhe urrejtja që ata ushqejnë ndaj kësaj gjuhe ngjan me urrejtjen që ushqejnë një tufë femrash të përdala ndaj një gruaje që ende ka mbetur e ndershme.
Por, e vërteta shumëfish më e hidhur është, se ne vetë, brenda nesh, ose nuk e kemi vlerësuar gjuhën tonë, ose i kemi shkaktuar një mijë telashe kësaj gjuhe. Kjo është e vërteta jonë, më e hidhura, dhe kësaj së vërtete ne duhet t’ia gjejmë me doemos rrugën ndryshimit. Duhet doemos ta kërkojmë, ta gjejmë dhe ta zbatojmë mënyrën për ta mbrojtur gjuhën tonë nga persekutimi. Mënyrë të organizuar dhe efikase! Jo gjysmake! Jo shkel e shko! Jo, si t’i mbushet mendja njërit apo tjetrit dhe jo duke lejuar të na i vrasin heronjtë e vetmuar, herë njërin, herë tjetrin.
Pjetër Budin, 1622, nuk erdhën italianët ta hedhin në Dri. Themi, nuk erdhën italianët, duke u mbështetur në faktin që Pjetri, para se të mbytej, pat ndenjur gjithatë kohë në Itali, por edhe me kuptimin, kur ke mashën, s’ke pse djeg dorën. Dhaskal Todhrin, 1805! Shihni filmin “Udha e shkronjavet”! Naum Veqilharxhin, 1846, kush e helmoi drejtpërdrejtë? Gjokë Shqiptarin, sh. XIX, a mos e vranë grekët me dorën e tyre?! Anastas Kulluriotin, 1887, thuhet se e helmuan grekët, por pa të shikojmë pak më thellë: A grekët, apo dikush prej bashkëkombësvet të tij?! Pandeli Sotirin, 1891, kush e vrau? Lexojeni historinë e tij dhe do të ju rrënqethet trupi! Papa Kristo Negovanit, 1905, kush ia copëtoi trupin me thika e me shpata?! Vetë grekët, pa „masha“, as veladonin s’ia preknin dot Papa Kristos! Petro Ninin, 1911, kush e helmoi? Të mos i ngatërrojmë pyetjet: „Kush e helmoi?“ dhe „Kush dha urdhër?“! Mbi Sali Nivicën, 1920, kush e shkrehu pushkën? Sali Çekun, 1925, kush e vrau? Shtjefën Gjeçovin, 1929, a mund ta vrisnin sërbët pa e spiunuar ndonjë shqiptar?! Kristo Isakun më 1942-shin dhe Raqi Qirinxhiun më 1944-n, mund të themi se i vranë pushtuesit drejtpërsëdrejti, por as atëherë pushtuesit, pa shërbimin e shqiptarëvet, nuk do të mund t’u bënin patriotëvet shqiptarë ato që u kanë bërë. Të gjithë të huajt bëhen trima kur e shohin shqiptarin të lidhur. Të gjithë të huajt, edhe sllavët, edhe grekët, bëhen trima, kur i gjejnë shqiptarët turmë të paorganizuar.
Prandaj dhe është e domosdoshme të sqarohet gjërësisht, shkencërisht dhe parrëzueshmerisht: NGA SE I KA ARDHUR TRAGJEDIA GJUHËS SHQIPE?! Rrjedhimisht, cili është shkaku substancial, që është ngushtuar dhe rrënuar kaq keq Kombi Shqiptar?
Nëse Iliada dhe Odiseja nuk do të ishin përkthyer në gjuhën e atëhershme helene me paratë e patricëvet helenë të Athinës, sot njerëzimi nuk do t’i njihte as Iliadën, as Odisenë. Në qoftë se Virgjilin nuk do ta kish përkrahur, me të gjitha mënyrat, me autoritet dhe me para, perandori August, sot njerëzimi nuk do t’i njihte as Eneidën, as Bukolikët. Nëse veprat e Shekspirit nuk do t’i kish “sponsorizuar”, qoftë edhe inkonjito, mbretëresha e Anglisë, sot Shekspiri nuk do të ekzistonte. Në qoftë se Gëten dhe Shilerin nuk do t’i mbante, me bukë dhe me para, Duka i Vajmarit, sot bota do të ndjehej e varfër për një Gëte e për një Shiler. Në qoftë se Molierin nuk do ta përkrahte materialisht mbreti Luigji XIV, sot në botë nuk do të ekzistonin komeditë e Molierit.
Tani nuk ka nevojë t’i përmendim sërish me emra të gjithë MARTIRËT E GJUHË SHQIPE, si RAST UNIKAL NË BOTË, flijuar, vrarë e masakruar, për shkak se deshën ta shkruajnë e ta ruajnë gjuhën e vet. Në të gjithë shekujt, kur këta atdhetarë vetëmohues jetuan e vepruan dhe vuajtën edhe për bukë, kombi ynë ka pasur pasanikë me shumicë, që i mbanin floinjtë në qypa. Shqipëria njihet si vendi i qypavet me flori, aq sa edhe sot, idiotë të llojit të vet, s’po lënë kështjellë pa e rrëmuar e gërmuar me kazmë.
Po kërkon flori shqiptari i çakërdisur! Në ç’hale nuk po e fut veten ky lloj shqiptari truënjtur e sybuhavitur?! Por, pa ma gjeni një pareli të Shqipërisë, që ta ketë mbajtur me para, qoftë edhe sa për të publikuar veprat e veta dhe sa për të mbajtur frymën gjallë, një lëvrues e propagandues të Gjuhës Shqipe?!
Këtu qëndron edhe SHKAKU I MIRËFILLTË I TRAGJEDISË, edhe i Gjuhës Shqipe, edhe i Kombit Shqiptar! Karamahmudpashë Bushatasi kurdisej për të krijuar një “Konfederatë të Iliridës”, por letrat, as edhe polisat e ngrikim-shkarkimit të leshit e lëkurëvet, nuk i shkruante arbërisht. Alipashë Tepelena, kurdfisej e stërkurdisej, për ta shkëputur Arbërinë Jugore prej Sulltanatit Otoman, por në Janinë hapte shkollë, jo arbërisht por greqisht, dhe në Myzeqe derdhte para për një manastir të një “Shën Kozmai” greqishtpredikues!
Atdhetarët shqiptarë, dëshmorët dhe martirët e Gjuhës Shqipe, i kanë pasë pengesat të panumërta, filluar që nga familjet e tyre. Gruaja, vëllai, motra, djali, dhëndri… Shprehja më stereotipe e tyre ka qenë: “Po ky?! Ç’të mirë po na sjell me gjuhën shqipe?! Njeriu nuk ha shkronja dhe libra, por bukë!” Mijëra pengesa e nënvlerësime të përditshëm ka pasur në jetën e secilit prej këtyre atdhetarëve të përkushtuar! Vetëm në rastet kur një shkrimtar shqiptar sjell para në shtëpi, nderohet prej familjes. Nderohen paratë, jo vepra e tij! Se vepra në fjalë mund të jetë edhe antikombëtare!
I gjithë vajtimi për fatin e keq të gjuhës shqipe këtu fillon dhe këtu mbaron.
Më 11 mars 2017 u bë në Durrës promovimi i librit „Apostol Barko Malëshova, shqiptari i madh, që punoi, luftoi dhe më në fund, ra dëshmor për gjuhën shqipe e për Shqipërinë“. Në Durrës jetojnë e veprojnë me dhjetëra durrësakë që s’i kanë për gjë 300 apo 500 euro. I shpenzojnë paratë si lëpushka misri vend e pa vend, madje shumë herë edhe ku nuk duhet t’i shpenzojnë!
Po përmend a propos vetëm disa prej tyre: Koka, Braho, Dako, Duka. (Njërin prej këtyre e ftova miqësisht në promovim, por nuk erdhi.) Ç’u kushtonte këtyre ta sponsorizonin botimin dhe promovimin e këtij libri ose të ndonjë tjetër libri të ngjashëm me këtë, shkruar e mykur nëpër sirtarë për mungesë parashë?!
Apostol Barko Malëshovën e kanë vrarë grekët, sigurisht spiunuar prej shqiptarësh, dhe e kanë hedhur në det, diku midis Havanës dhe Floridës. 91 vjet kanë kaluar që atëherë dhe ky martir i Kombit, le që s’ka varr, por s’e kish as një libër dhe s’e ka një skulpturë, një shtatore, as në Përmet dhe as në ndonjë qytet tjetër, ndërkohë që Kokët, Brahot, Dakët dhe Dukët, me paratë që kanë, do të mund ta ringjallnin, jo një hero si ky, por krejt Kombin. Të katërt këta dhe katërqind të tjerë si këta, në Durrës, Tiranë, Prishtinë, Pejë, Korçë, Vlorë, Shkup, Janinë, Paramithi, Tetovë, Gjilan, Prizren, Shkodër, vetëm me nga 1000 euro në muaj, do të mund të na ndihmonin për të ngritur FJALËMIRAT E GJUHËS SHQIPE anembanë Shqipërisë dhe anembvanë botës, kudo ku gjuha shqipe po vdes e asfiksuar gjuhësh të tjera. Dhe Kombi Shqiptar, pa i prishur punë asnjë kombi tjetër qëllimmirë, do të bëhej përfundimisht zot i vetëvetes.
Gjokë Dabaj, 12-15 mars 2017.