GJOKË DABAJ: NË KËTË KOHË EMANCIPIMI (ÇLIRUESHMËRIE), GRUAJA KA DETYRA TË MËDHA

Durrës, 8 mars 2020: Në të gjithë vendet e botës po ndjehet një atmosferë çlirueshmërie ndër femrat. Madje edhe atje ku femra detyrohet të mbulohet me çarçaf! Anembanë botës janë mbushur me vajza e me gra: shkollat, universitetet, fushat e ndryshme të shkencavet, administratat, përfaqësitë në organet e zgjedhur, sportet, artet, deri edhe organet policorë e ushtarakë. Ky është ndoshta aspekti më i shkëlqyer , madje më shpresëdhënësi i kohës sonë, në të cilën, fatkeqësisht, shumë punë po venë për së prapthi. Aq për së prapthi, sa po kemi frikë se mos po jemi brezat e fundit, prej të cilëvet mund të mbetet gjallë pakkush ose askush.
Çlirueshmëria e femrës, dalja në pah e punës dhe e rolit të saj, vetëkuptohet, e ngarkon vetë femrën me detyra shumë të mëdha. Femra ka pasur gjithmonë përgjegjësi të mëdha. Nuk thoshin kot dhe nuk thonë kot: Siç është e ëma, del e bija. Ose: Ku ka një grua të mirë, ka një familje të mirë.
Në kontekstin e bisedës sonë, në këtë ditë 8 MARSI, këto dy sentenca do t’i perifrazonim kështu: Nga gratë e sotme varet cilësia, madje jeta e brezavet të ardhshëm. Dhe: Ku ka gra të mira, ka edhe shtete të mirë, ka edhe qeverisje të mirë në shkallë planeti.
Mirëpo, me gjithë çlirueshmërinë, pra emancipimin, që e pohova që në fjalinë e parë, a është femra sot në atë shkallë që do të duhej të ishte? Jo dhe kjo ndodh për shkak të dy gjendjeve: Gjendja e parë: Gruaja e sotme nuk e ka kuptuar ende sa e rëndësishme është ajo për fatin e ardhshëm të krejt njerëzimit. Gjendja e dytë: Gjysma tjetër e njerëzimit, mashkulli, çlirueshmërinë e femrës po e kupton si favor për ta shfrytëzuar atë “më me sukses”.
Këto dy gjendje sa më parë t’i kuptojë femra e sotme, aq më mirë do të jetë dhe, kur ta kuptojë gruaja e sotme sa e rëndësishme është puna e saj për fatin e ardhshëm të njerëzimit, asaj do t’i duhet të marrë një varg vendimesh tepër të rëndësishëm.
Puna, dua të them, kthesa e madhe drejt ndërgjegjësimit të femrës, ndërgjegjësim MIRËFILLI EPOKAL, duhet të fillojë prej atyre grave që kanë mbaruar një shkollë të lartë dhe që janë duke punuar diku, si dhe prej vajzavet me shkollë të mesme. Të fillojë, përhapet dhe udhëhiqet prej tyre, jo përkohësisht, por për sa kohë të ekzistojë jeta në këtë planet.

Momenti I pare: Ndoshta do të duket disi e papritur, por puna e parë e saja, punë tepër e rëndësishme, madje vendimtare, do të jetë kjo: Të mos pranojë në asnjë rrethanë të bëjë seks me dy meshkuj në të njëjtën periudhë. Nëse është e martuar, vendimi i saj i prerë duhet të jetë që me atë burrë ta mbyllë jetën. Nëse është e pamartuar, vendimi i saj i prerë duhet të jetë që virgjërinë ta ruajë për burrin e vet të ardhshëm. Duke qenë me shkollim të konsiderueshëm, ka asye për të menduar se atë burrë e ka zgjedhur vetë, prandaj dhe vendimi i saj duhet të jetë që, me atë bashkëshort edhe ta përfundojë jetën. Femra, gruaja, kurrsesi nuk duhet ta konsiderojë martesën EKSPERIMENT: Po më doli i mirë, do ta mbaj burrin, po s’më doli i mirë, do të kërkoj të tjerë. Deria sa ta gjej atë që përshtatet.
Momenti i dytë: Gruaja e martuar nuk duhet të tolerojë kurrsesi që bashkëshorti i saj të shkojë me një grua tjetër. Sapo ta faktojë, jo dyshojë, por faktojë, ajo duhet ta hedhë në gjyq bashkëshortin dhe të divorcohet vendosmërisht, duke paraqitur si dëshmi një numër të mjaftueshëm fotografishë. Le të shënoj shkarazi, me këtë rast, që gruaja kurrë nuk duhet t’i thotë të shoqit: Ti po më tradhton. Këtë parim të sajin, i cili në fakt duhet të jetë parim i secilës grua, ajo mund t’ia ketë thënë të dashurit të vet vetëm në kohën kur kanë qenë të fejuar,apo, thënë ndryshe, kur kanë qenë në “negociatat” për martesë.
Momenti i tretë: Nëse burri është kumarxhi kronik, pijanec kronik, konsumues kronik i drogës apo tregtues i drogës, gruaja duhet, simbas rastit, me durim të mundohet ta parandalë e ta kthejë burrin nga rruga e keqe dhe vetëm mbasi të ketë provuar çdo mënyrë arsyetimi e debati dhe të mos ketë pasur sukses, ajo, në çastin e duhur, duhet të kërkojë edhe divorcin, duke paraqitur gjithashtu dokumente të mjaftueshëm. Le të vihet re dallimi: Te tradhtia bashkëshortore nuk ka debat as shprehje dyshimi, kurse në këtë momentin e tretë, që në nisjen e rrugës së keqe, gruaja duhet të debatojë mençurisht, çiltërisht dhe këmbëngulshëm me burrin.
Momenti i katërt: Gruaja nuk duhet të lejojë që burri ta rrahë. Nëse ndodh ndonjëherë, gruaja duhet të ndalet dhe ta analizojë ngjarjen në mënyrën sa më objektive. Në qoftë se ka qenë AJO fajtore ose shkaktare, duhet njëherë e mirë të vendosë të mos e acarojë më bashkëshortin e vet. Sigurisht, ngjarja duhet të shikohet në kompleks dhe gruaja duhet të bëjë çmos që kurrë më të mos e nxitë burrin në veprime dhune. Që burri acarohet me bashkëshorten mund të ketë shumë shkaqe. Disa prej tyre le t’ kujtojmë këtu: Mundet që gruaja, për motive të ndryshëm, të ketë refuzuar marrëdhënie seksuale me burrin e vet. Ky është njëri nga motivet më delikatë në jetën e një çifti bashkëshortor. Bashkjëshortja ndonjëherë mund të mos jetë e disponuar, por ajo duhet të bëjë çmos për t’ia plotësuar rregullisht burrit të vet kërkesat seksuale. Është detyra kryesore e femrës në jetën e saj si çift. Motiv për acarimin e burrit mund të jetë çrregullsia e saj në punët e shtëpisë. Femra, jo vetëm duhet të jetë profesioniste në menaxhimin e punëvet të shtëpisë, por duhet të jetë e zonja edhe burrin ta ushtrojë që punët e shtëpisë t’i kryejë edhe ai. Një motiv tjetër mund të jetë xhelozia e pabazuar. Edhe këtu gruaja duhet të jetë në gjendje t’ia faktojë burrit që nuk e ka tradhtuar dhe që nuk do ta radhtojë kurrë, deri sa të jenë bashkëshortë. Gjithsesi, në rastet kur burri e përsërit ndërhyrjen fizike, ajo, gjithnjë e bazuar mbi fakte të parrëzueshëm e mundësisht të regjistruar, duhet të kërkojë divorc. Mund të ketë aty arsye për të duruar për hir të fëmijëvet ose edhe sepse e do burrin, por, nëse burri vërtet ka vazhduar të jetë brutal, ajo, siç thonë, duhet t’i vërë një gur zemrës dhe nuk ka, nuk mund të ketë asnjë arsye për të duruar.
Mund të duket se ka këtu një lloj kontradikte, sepse kam thënë në fillim që gruaja duhet t’i qëndrojë besnike gjithë jetën burrit të vet. Por këtu nuk ka kurrfarë kontradikte. Kur bashkëshorti ka guxuar të shkojë me një femër tjetër, ai faktikisht, s’është më bashkëshort. Kur bashkëshorti ka guxuar të luajë bixhoz, ai s’është më për familjen, pra s’është as bashkëshort. Kur bashkëshorti e rreh disa herë dhe, për më tepër, brutalisht bashkëshorten, ai realisht s’është më bashkëshot.
Edhe në lidhje me rritjen dhe edukimin e fëmijëvet, gruaja-nënë ka detyra të mëdha. Detyra e parë e saj është të mos jetë e butë me fëmijët e vet. Dashuria ndaj fëmijëvet është në nayrën e çdo nëne. Ajo i do dhe duhet t’i dojë fëmijët. Madje, edhe po t’i thuash „mos i duaj“, do të jetë një thënie e kotë. Por forma e shkallës më të lartë dhe më të mirëfilltë se si një nënë duhet t’ia shprehë dashurinë fëmijës së vet, është EKZIGJENCA e saj. Ta mësojë praktikisht fëmijën të ushqehet vetë. Jo, t’ia kojë ushqimin deri sa ai të shkojë në shkollë e, në shumë raste, edhe kur të jetë në klasë të katërt! Ta mësdojë t’i shtrojë vetë e t’i palosë vetë rrobat e fjetjes. Ta mësojë, me kalimin e kohës, t’i hekurosë vetë rrobat e veta, madje edhe të motravet dhe të prindëvet. Ta mësojë t’u pjekë kafet gjyshes dhe gjyshit. Ta mësojë të lajë enët dhe të pastrojë shtëpinë. Kështu shprehet dashuria e nënës ndaj fëmijës së vet, në mënyrë që, kur djalit të saj t’i vijë në shtëpi nusja, të mos thotë: „Ky ditka të bëjë vetëm një punë!“ Dhe, kur ta martojë bijën, të mos detyrohet e vjehrra ta mësojë si pastrohen xhamat.
Të gjitha këto e kanë bazën e vet në njërën prej ngjarjevet më madhore historiko-sociologjike të njerëzimit: në aktin, apo më mirë të themi, në procesin e kalimit nga matriarkati në patriarkat. Pakkush prej historianëvet të sociologjisë e di që sistemin e patriarkatit e ka krijuar (themeluar) gruaja e jo burri. Shumëkujt mund t’i duket paradoksale kjo thënie, por e vërteta është pikërisht kjo. Në sistemin e matriarkatit pat ardhur një kohë kur vetëm meshkujt e fuqishëm kryenin marrëdhënie me të gjitha gratë e tribusë. Ndërsa meshkujt e tjerë ishin të detyruar të rrinin anash, si këlyshë të rrahur, dhe ishin të detyruar të gjenin forma të tjera për t’u shkarkuar. Femra e pa se po rrinte kot në krye të fisit, sepse fisi i saj po shkatërrohej, duke lindur idiotë e sakatë, nga marrëdhëniet vëlla e motër, bir e ëmë, e nip e gjyshe. E pa që fisi i saj po shëmtohej, po kretenizohej gjenetikisht, dhe vendosi që SECILA FEMËR TË KRYQËZOHEJ VETËM ME NJË BURRË.
Ky ka qenë patriarkati, të cilin burri as që ka ditur dhe as që ka dashur ta krijojë. Përveç, ndoshta, pjesa e „këlyshëvet të rrahur“, mbasi ua kanë treguar nënat sekretin. Ky ishte edhe HAPI MË REVOLUCIONAR në jetën e species-njeri, veprim të cilin, në fund të fundit, s’e praktikonte vetëm njeriu, por edhe mjaft gjallesa të tjera. Njerëzimi, që kur gruaja e krijoi patriarkatin, njohu zhvillimin, me të cilin mburremi kaq shumë.
Por përsëri burri nuk ndenji urtë. Ai e ka në natyrën e vet, si mashkull, për të qenë i dhunshëm. Edhe mëzati është i dhunshëm, edhe cjapi është i dhunshëm, edhe qeni është i dhunshëm. Femra, duke qenë e krijuar për nënë dhe duke qenë edhe e mençur, edhe e zgjuar, por edhe dinake, e ka mbajtur dhe ruajtur familjen, duke u bërë ashtu themeli i progresit gjithnjerëzor.
Burri i dhunshëm, burri i pangopshëm për të ushtruar pushtet, patriarkatin, të cilin, siç thashë, e kanë krijuar gratë, nëna dhe bashkëshortja e tij, e ka shfrytëzuar për të realizuar prirjet e veta të mbrapshta. Le të përmendim haremet që i krijuan monarkët, le të përmendim prostitucionin, tradhtitë ndaj bashkëshortevet, maninë e zhvirgjërimevet, sikur vetëm ai është mashkull e s’ka të tjerë meshkuj që duan gjithashtu ta zhvirgjërojnë barem shoqen e vet të jetës.
Nuk është gruaja ajo që e ka zhveshur veten deri rrëzë kofshëvet dhe deri nën gjysmën e gjoksit. Është mashkulli i babëzitur ai që po kërkon ta shohë femrën gjysmëlakuriq fillimisht në skenë e pastaj edhe nëpër bulevarde. Në anë tjetër, nuk është gruaja që e ka detyruar veten për të mbuluar deri edhe fytyrën, që të mos ia shohin meshkujt e tjerë.
Është burri, pjesa më e mjeruar e tij, që po e legalizon homoseksualizmin dhe lezbizmi s’është tjetër, veçse formë e denatyrimit të femrës simbas shembullit të meshkujvet. Është burri ai që i ka shpikur kumarin dhe drogën dhe unë nuk besoj që trafikimin e fëmijëvet ta ketë shpikur femra, e krijuar për t’i ruajtur foshnjat në barkun e vet e jo për t’i trafikuar, që t’i shfrytëzojnë si lypës ose që t’ua shkulin organet nëpër spitalet krimnalë.
Tani ka ardhur koha, një kohë që ka sjellë shumë të mira, por që ka sjellë edhe shumë rëziqe, aq rrëziqe sa, njeriut që i sheh gjërat me sy e mendje të kthjellët, i dridhet këmisha në shtat.
Gruaja e sotme, në bashkëpunim me pjesën racionale të burravet, është e thirrur, në këtë gjysmë të parë të shekullit 21 e në vazhdim, të shndërrohet vendosmërisht në një forcë udhëheqëse jo vetëm në familje, por në të gjitha fushat e jetës: në organizimin dhe ushtrimin e pushtetit në shkallë lokale, kombëtare dhe gjithnjerëzore, në orientimin e ekonomisë, artit, shkencës, andej nga duhet dhe jo andej nga nuk duhet. Jo në shtimin e armatimevet shfarosës, jo në përqëndrimin e pasurivet në pak njerëz, jo në pasurimin e një pjese të babëziturish dhe në varfërimine milairda njerëzve, jo në vrapimin drejt shtetevet të pasur, duke u vrarë e duke u mbytur në detra, por duke e shpërndarë në mënyrë harmonike pasurinë gjithnjerëzore dhe duke e shpëtuar ashtu botën e gjallë të këtij planeti pa u vetasgjësuar tragjikisht.
Këtë mision, në kohën e sotme, mund dhe duhet ta marrë përsipër pikërisht gruaja. Gruaja, duke mos pranuar të jetë marionetë në duart e pjesës më të keqe të meshkujvet, por duke e konsideruar veten NËNË!
NËNË e të gjithë fëmijëvet që lindin dhe që nuk duhet të lihen në pamëshirëm e pjesës sonë më të pamëshirshme!
Gjokë Dabaj, Durrës – 8 mars 2020.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura