GJOKË DABAJ: SHKOLLA E SË ARDHSHMES

 Durrës, 29. 01. 2014 – Kam, diku rreth 35 vjet, që jetoj me idenë e një shkolle të reformuar, ndryshe nga ç’e kemi deri më sot. Fjala është për një reformim në shkallë botërore, por përqëndrimi im, kuptohet, ka qenë më së shumti te shkolla jonë kombëtare. Hollësi të idesë, doemos, kanë evoluar në këta 3-4 dhjetëvjetësha, por thelbi ka mbetur po ai: Marrja në dorëzim e nxënësvet nga mësues të klasavet më të larta. Jo: kalim nga klasa në klasë me notat e mësuesit që i ka mësuar, por pranim ose mospranim nga mësuesi që do t’i mësojë.
Marrëdhëniet normale, prind, nxënës dhe mësues, nuk mund të realizohen ndryshe, përveçse duke i vënë në të njëjtin pozicion ndaj KALUESHMËRISË. Kalimi në një klasë më të lartë, apo mbetja në klasë, duhet të jetë, jo kompetencë e mësuesit që i jep mësim, por e mësuesit që do t’i japë mësim në vitin që vjen.
Nuk po sjell këtu detaje. Është fjala për një reformë dhe dihet që reforma ka një mori elementesh përbërës. Po jap, si shembull, vetëm një prononcim të përfytyruar të një mësuesi: “Unë po përpiqem dhe do të përpiqem të të jap njohuri dhe edukatë, por nuk varet prej meje, do ta kalosh apo nuk do ta kalosh klasën. Prandaj duhet të punojmë së bashku: ti, bashkë me prindët e tu dhe me mua, në mënyrë që të mund të na shpërblehet mundimi.”
Një mësues i tillë, i cili nuk ka kompetencë ligjore për t’i çuar nxënësit në klasën më të lartë, ka në dispozicion 2 baza kryesore materiale: një dhomë mësimore dhe një autobus të madhësisë mesatare. Shofer është vetë, ashtu siç është edhe mësimdhënës. Ka programin për klasën së cilës i jep mësim, ka mjetet e konkretizimit, disa prej të cilëvet janë të përhershëm, disa në rinovim të vazhdueshëm, ka, doemos, pajisjet kompjuterike, një bibliotekë për fëmijët dhe për vete, një arkiv dokumentesh, një fototekë, një hartotekë dhe çdo gjë që i nevojitet procesit mësimor të një klase shkollore, bazë didaktike kjo, e cila nuk kalon dorë më dorë, por mbetet në dorë të të njëjtit mësues deri sa ai eventualisht të ndërrojë vend ose deri të dalë në pension. Një i tillë mësues, me vend të përhershëm pune, natyrisht që duhet të njohë edhe programin e një klase më poshtë, prej nga furnizohet vit për vit, si edhe programin e një klase më lart.

Hasan Tahsini (1811 – 1881) mendjendrituri i shqiptarëvet. Jo rastësisht thuhet se, “historia e një kombi, është historia e personaliteteve të tij” (sh.b).

Në atë ambient mësimor, mësuesi bën punë frontale me nxënësit, shpjegime, demonstrime, ushtrime, komente, bashkëbisedime, gara. Është i specializuar, jo veç për një lëndë apo për një grup lëndësh, por për të gjitha lëndët e asaj klase. Në atë dhomë mësimi mësuesi bën edhe punë të diferencuar me nxënës të prapambetur, por edhe me nxënë të përparua (Do ta shonim pse.). Me më të përparuarit apo me më të prapambeturit, mund të punohet në grupe më të mëdhenj, por edhe me dyshe apo treshe, në oraret më të përshtatshëm.
Me autobusin, në mënyrë të programuar, pothuaj të përditshëm, mësuesi e lëviz klasën atje ku nxënësit lidhen konkretisht me jetën. Po numëroj vetëm disa: I çon në pyll, atje ku fëmijët duhet të vrapojnë fare të lirë, të bërtasin, të munden, të kacafyten, të hipin nëpër drurë. Kjo është e domosdoshme të kryhet sa më shpesh, sepse shpirti i fëmijës, duke e mbajtur të mbyllur në ambientet e qytetit, dëmtohet jashtë maset. I çon në pyll, jo vetëm kur është mot i mirë, por edhe për shi e sidomos kur bie borë. Dhe nuk i çon gjithnjë në të njëjtin pyll. I çon edhe në lumë, i çon në det.
Nuk po zgjatem. Mund të shkruhen broshura të tëra për këtë problem.
I çon në një punishte zdrukthtarie. Moshat e vogla thjeshtë për të parë, më të rriturit edhe për të punuar diçka, qoftë edhe për të pastruart mbetejt e zdrukthit.
I çon në një repart rrobaqepësie, i çon në një ofiçinë, i çon në një repart të riparimit të kompjuterëvet, në një bankë, në një shtypshkronjë, në një magazinë mallrash, në një burg, në një komisariat policie, në parkun e autobusëvet, në një qendër të mekanikës bujqësore. I çon atje dhe u bën fëmijëvet, ai vetë ose dikush tjetër, shpjegimet përkatës.
I çon në një fushë sporti, ku nxënësit bëjnë stërvitje sipas programit. Kur themi fushë sporti, kuptohet, jo vetëm futboll, jo vetëm basket, por çdo lloj sporti. I çon në një palestër sportive. Edhe aty bëhen ushtrime. I çon sa më shpesh nëpër kënde të ndryshëm lojërash, në mënyrë që nxënësit, edhe atje, si në pyll, si në lumë, si në det, të mund të kënaqen duke u argëtuar.
A duam qytetarë të një bote që është bërë aq e vogël, sa mund t’i vish rrotull brenda ditës? Si do t’i krijojmë ata qytetarë? Duke i mbyllur brenda 4 murevet, ku të lozin mendsh duke uluritur dhe ku mushkëritë t’u mbushen me 1 gisht baltë shkumësi përzier me dhe këpucësh?!
I çon në teatër, në opera, në ambientet ku bëhen ushtrime me veglat muzikore, i çon në atelienë e një piktori, në studion e një shkrimtari, në institutin e gjuhësisë, në arkivin e shtetit, në ambientet e universitetevet, nëpër të gjithë muzetë që ka republika, madje edhe jashtë.
Gjithashtu, sipas një program të mbështetur në këshillat e shumë pedagogëve gjatë shekujvet, si dhe në kërkesat që shtron koha jonë e urbanizuar, mësuesi duhet t’i çojë nxënësit e vet në të gjithë ambientet e mundshëm bujqësorë e blegtoralë. Atje, fëmijët, së pari, duhet të shikojnë si punohet në bujqësi dhe si u shërbehet bagëtivet, dhe, së dyti, duhet të punojnë edhe vetë. Nuk po i përmend këtu punët që nxënësit duhet të mësojnë t’i bëjnë: që nga shkulja e preshëvet, pastrami e lidhja në tufa, që nga shkulja e patatevet, deri te pastrami i bajgavet në stallat e lopëvet apo shpërndarja e ushqimit në pulari.
Pat shkuar njëherë një grup studentësh të vitit të fundit të juridikut në një stallë të madhe lopësh. Lopët kishin futur kokat në grazhdet e tyre dhe hanin bar. Njëra nga studentet iu afrua një lope dhe e pyeti: “Hë, të shijon?” Lopa vazhdoi të hajë. Studentja iu kthye stallieres: “Pse nuk po më flet kjo lope mua?!” “Lopët nuk dinë me folë.” I tha stallierja. “Ua! Ç’thua kështu?!” U habit studentja. “Në televizor të gjitha lopët flasin! “
Autobusi, në shumë raste, mund të shërbejë edhe si klasë mësimi. Brenda, në bagazhet e autobusit, gjendet edhe një kuzhinë fushe. Drekën e gatuajnë vetë nxënësit, të ndarë në ekipe: një ekip sot, një nesër.
Mësuesi pranues , i cili në të njëjtën kohë bën të njëjtat punë me klasën e një shkalle më të lartë, i ndjek sistematikisht punët dhe veprimtaritë e klasës që duhet të marrë në dorëzim. Në mes të vitit, në kohën e caktuar me program, ai punon 2 javë me klasën që duhet të marrë në dorëzim dhe nxjerr konkluzionet përkatës mbi gjendjen, si edukative, ashtu edhe diturore. Në fund të 2-javëshit bën një raport të hollësishëm, 1 kopje të të cilit ia dorëzon mësuesit që aktualisht punon me ata nxënës dhe 1 tjetër drejtorisë.
Me atë rast, sipas rregullavet të përcaktuara mirë dhe në konsultim me prindët, disa nga nxënësit më të përparuar mund ta kenë përvetësuar krejt programin vjetor të asaj klase dhe atyre u duhet dhënë mundësia që të marrin nga 2 klasa në vit. S’ka pse plaket i talentuari, duke pritur sa ta mësojë tabelën e shumëzimit turma e të ngadalshmëvet. Të atillë nxënës kalojnë në klasën më të lartë dhe bëjnë përpjekje për ta marrë edhe atë klasë brenda po të njëjtit vit. Për të atillë nxënës të përparuar marrin pagë të plotë, si mësuesi dorëzues, ashtu edhe mësuesi pranues.
Duhet të sqaroj këtu që paga e çdo mësuesi të këtij sistemi arsimor nuk llogaritet as me muaj, as me orë mësimi, por me numrin e nxënësvet që atij ia kanë pranuar në klasën më të lartë. Për nxënësit mbetës, mësuesi nuk paguhet. Këtu qëndron edhe efekti rebvolucionar i kësaj reforme të madhe arsimore. O duhet të punojë mësuesi siç është për të punuar, o nuk do të paguhet. O duhet të mësojë fëmija siç është për të mësuar, o nuk e pranon kush në klasën më të lartë. O duhet ta edukojë prindi fëmijën e vet siç është për t’u edukuar, o nuk do të mund të përparojë fëmija i tij me ritmin e fëmijëvet të tjerë.
Në fund të vitit shkollor, mësuesi pranues e merr prapë klasën kandidate 2 javë në provë. Ata nxënës që nuk dinë të shkruajnë, ata që nuk dinë të lexojnë, ata që s’dinë aritmetikë dhe dituri natyre sipas programit, nuk pranohen në klasën më të lartë. Ata që nuk dinë të qepin 2 kopsa brenda kohës së përcaktuar dhe bukur, ata që nuk dinë të qërojnë një patate, ata që nuk dinë të mjelin një dhi, ata që nuk dinë mbërthejnë 2 dërrasa, ata që nuk lajnë dot 10 pjata brenda minutazhit të paracaktuar, nuk e kalojnë klasën, sepse vitin tjetër kanë të tjera gjëra për të mësuar. Por as ata që s’i kanë mbajtur në rregull fletoret dhe librat, s’kanë pse të shkojnë në klasën më të lartë, ashtu si edhe ata që bëjnë rrëmujë e ngrejnë pluhur nëpër klasë. Ka vend ku të bësh rrëmujë, në klasë s’ke pse hidhesh e ulurin.
Mësuesi pranues ka të drejtë, edhe detyrë, të shkojë gjatë vitit në shtëpitë nxënësvet kandidatë. Nëse i gjen këpucët dhe shapkat të shpërndara andej e këndej, nxënësi kandidat ka një minus, nëse ia gjen dhomën e ndenjjes apo dhomën personale të hallakatur, prapë ka minus, nëse ia gjen familjes enët grumbull mbi lavapjatë të palara, vihet minusi tjetër. Bëhen vërejtjet, hapur e qartë, dhe shkruhen mu aty, në shtëpinë e nxënësit, në prani edhe të familjarëvet.
Kjo është rruga e edukimit dhe e arsimimit të qytetarëvet të botës së ardhshme.
Për edukimin e fëmijëvet nuk kanë përgjegjësi vetëm prindët apo mësuesi që punon me ta aktualisht. Për edukimin e fëmijëvet ka detyrë të kujdeset i gjithë komuniteti. Kjo arrihet në këtë mënyrë: Kur fëmijët shkojnë, ta zëmë, në një rrobaqepësi apo në një fermë bujqësore, mësuesi do t’i këshillojë dhe do t’i udhëzojë si duhet të sillen. Jo të rrinë si dru, jo të mos guxojnë as për të folur, por të kenë një paraqitje të lirë dhe të bukur. Ai do të monitorojë sjelljet e tyre të mira apo jo aq të mira dhe do t’i analizojë kur të kthehen te autobusi. Por kjo nuk do të mjaftojë. Monitorimin e sjelljevet të nxënësvet do ta bëjnë edhe punonjësit pritës. Ata mund të bëjnë vërejtje me gojë, por mund edhe të filmojnë apo fotografojnë shfaqjet më flagrante të sjelljevet jo të denja. Materialin e filmuar apo fotografitë, monitoruesit kanë detyrë t’ia dorëzojnë mësuesit, i cili do t’i marrë në dorëzim ata nxënës. Kjo duhet t’u thuhet nxënësvet qysh më parë. Nxënësit duhet t’i ndruhen mësuesit të tyre të ardhshëm.
E njëjta gjë do të bëhet edhe në autobusët urbanë, edhe në supermarketet, edhe në tregjet e zarzavatevet, edhe në kryqëzimet e rrugëvet, kur nuk respektohen semaforët apo vijat e bardha. Qytetarët vrojtojnë sjelljet e fëmijëvet dhe ia çojnë, të dokumentuara, atij mësuesi që, në fund të vitit shkollor do të vendosë t’i pranojë apo të mos i pranojë në klasën e vet.
Kur nxënësit pinë cigare cepavet të pallatevet, kur nuk bëjnë figurë të mirë në pabe ose kur shihen duke marrë drogë, komunitetit nuk i lejohet të rrijë indiferent. Mirëpo, me sistemin ekzistues të arsimit, ku të shkojë njeriu që nuk dëshiron të rrijë indiferent?! Kujt t’i drejtohet? Me sitemin që kam ideuar unë, shihet qartë që ndërhyrjet e njerëzvet mund ta japin, madje shumë mirë, efektin e dëshiruar. Mësuesi që i meson, është këshilluesi dhe mbrojtësi i tyre, njëkohësisht paralajmëruesi. Për këtë, ai merr edhe rrogën sipas rezultatit. Mësuesi që do t’i mësojë vitin tjetër, vetëkuptohet që s’ka levërdi të marrë në klasë nxënës që do t’i sjellin telashe, sepse edhe atij do t’ia monitorojë punën kolegu i klasës pasardhëse.
Por, shtrohet pyetja, çfarë do të bëhet me nxënësit që mbeten në klasë? Ky është kapitull më vete, ashtu siç ka edhe shumë të tjerë kapituj një e këtillë reformë, pa të cilën arsimi, jo vetëm i yni, por gjithbotërori, nuk mund ta ketë kurrsesi të ardhshmen e dëshiruar. Kjo është tema që duhet trajtuar dhe për të cilën duhet të diskutojmë, jo arna e mballoma, pa mbërritur kurrë atje ku duhet.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura