GJOKË DABAJ: SHQIPTARËT DUHET TË DINË KUSH JANË (II)

(Pashtriku.org, 16. 04. 2012) – Në 2 shekuj e gjysmë, deri sa kanë ardhur përfundimisht romakët, ne kemi pasur mbi 60 mbretër. Shqiptarët duhet t’i njohin ata mbretër. T’ua dinë emrat, të dinë ndonjë gjë nga jeta e tyre, të dinë vendin, mbretërinë, ku kanë qenë mbretër. Këta mbretër duhet të mësohen nëpër shkolla e jo të na ndodhë që, kur pyet ndonjë shqiptar: A kemi pasur mbretër ne në të kaluarën? , ai të të përgjigjet: Po, e kemi pasur 1 mbret, Ahmet Zogun. Të 60 mbretërit ilirë nuk kanë qenë “mbretër” të fisevet “të egër”, por kanë qenë mbretër popujsh të qytetëruar.  Këtë e dëshmojnë qytetet e shumtë që i kemi pasur ne në ata shekuj. Që popujt e Ilirisë kanë qenë popuj të qytetëruar, e dëshmojnë monedhat që kanë qarkulluar e që janë gjetur nga arkeologët në të gjithë hapësirën ilire. 
     KOHA ILIRE
     Iliria para pushtimit romak. Kjo është koha të cilën shqiptarët duhet ta njohin si histori të vetën. Nuk mund të mjaftohemi me një vështrim panoramik. Periudha deri në sh VI p.e.s. nuk është studiuar thuajse fare. Për këtë epokë duhet të bëhen kërkime jo në 1 por në disa disiplina. Arkeologjia, kuptohet, jo vetëm në territorin gjymtak të “Shqipërisë Londrase” prej 28000 km katrorë, por që nga Istria e rrjedha e epërme e lumit Sava deri në Pind (të paktën deri në Pind) e nga Beogradi deri në Selanik. E gjithë kjo hapësirë është atdheu ynë i dikurshmi, një pjesë e të cilit është edhe i sotmi. (Në njohjen e kësaj pjese të historisë sonë mund të ndihmojë, siç po shohim, edhe gjuhësia, sidomos antroponimia, toponimia, hidronimia. Por mund të hyjnë në shërbimin e studiuesvet edhe gjenetika, analizat e ADN-së, në rastin e hapjes së varrezavet tumulare, numizmatika etj.

ILIRIA…

______________________________________

     Periudha nga sh V p.e.s. e deri në pushtimin romak njihet diç më mirë, por nuk i është kushtuar pasioni i nevojshëm.
     Kur merresh me jetën e të parëvet të tu, duhet pasion. Duhet nderim e devocion ndaj atyre, pa të cilët ne nuk do të kishim ardhur në jetë. Në një thellësi kohe deri në 10 breza, njeriu (individi) ka 2 046 paraardhës. Kur është autokton, ai i ka rreth vetes varret e të gjithë atyre paraardhësve. Kurse në 20 breza numri i paraardhësvet shkon në 1 991 900 (një million e nëntëqind e nëntëdhjet e një mijë e nëntëqind). Kudo që ta hedhësh hapin, nëse je autokton, të duket sikur të gjithë ata paragjyshër të tu janë aty. Është puna e tyre, janë muret, është dheu, janë dëshirat, shpresat, peripecitë, tragjeditë. Mirëpo 20 breza s’janë më shumë se 600 vjet. Po kur mendon se ne kemi qenë këtu 2 500 vjet, 3 500 vjet, 4 000 vjet?! Të jesh një popull i lashtë, s’është gjë e pakët. Është një krenari dukshëm e veçantë në krahasim me krenarinë e atyre që janë ardhës. Një arab që ka ardhur këtu në Ballkan nuk i ka të parët e vet këtu. Nuk e ndien erën e tyre, nuk ua sheh dheun, nuk ua sheh gurët. Ndërsa shqiptari, që rron këtu në vendin e vet, një copë tjegull të marrë, mund t’i shkojë mendja: Këtë mund ta ketë prekur edhe dikush prej të parëvet të mi. Ndjesë pastë! Sigurisht, kur nuk kemi të bëjmë me ndjenja e mendime kuazimodernësh të çoroditur. Në 2 shekuj e gjysmë, deri sa kanë ardhur përfundimisht romakët, ne kemi pasur mbi 60 mbretër. Shqiptarët duhet t’i njohin ata mbretër. T’ua dinë emrat, të dinë ndonjë gjë nga jeta e tyre, të dinë vendin, mbretërinë, ku kanë qenë mbretër. Këta mbretër duhet të mësohen nëpër shkolla e jo të na ndodhë që, kur pyet ndonjë shqiptar: A kemi pasur mbretër ne në të kaluarën? , ai të të përgjigjet: Po, e kemi pasur 1 mbret, Ahmet Zogun.
     Të 60 mbretërit ilirë nuk kanë qenë “mbretër” të fisevet “të egër”, por kanë qenë mbretër popujsh të qytetëruar. Këtë e dëshmojnë qytetet e shumtë që i kemi pasur ne në ata shekuj. Që popujt e Ilirisë kanë qenë popuj të qytetëruar, e dëshmojnë monedhat që kanë qarkulluar e që janë gjetur nga arkeologët në të gjithë hapësirën ilire. E dëshmojnë sendet zbukurues, e dëshmojnë armët, e dëshmon qeramika, mënyra e ndërtimit e fortifikimit të qytetevet, ujësjellësit, akveduktet. Në mënyrë të veçantë e dëshmojnë flotat tona të asaj kohe, aq të fuqishme, sa ato i shërbyen Romës si kazus beli (casus belli), për të filluar pushtimin e shtetevet tanë.
     Të gjitha këto është e domosdoshme t’u shpjegohen bukur e me pasion njerëzvet tanë, rini e të moshuar, në mënyrë që shqiptari ta kuptojë që ne nuk jemi një komb pa rrënjë. Nuk jemi pa rrënjë e nuk jemi as rrënjëshkulur.
     Ne po i japim këtu emrat e atyre qyteteve sipas trevavet ku janë ndodhur dhe emrat e mretërvet, jo sipas shtetevet ku kanë sunduar, por sipas alfabetit. Është detyrë e historiografisë që t’i trajtojë gjërat më përshkrueshëm dhe është detyrë e muzeologjisë ta paraqesë të shkuarën tonë më shikueshëm. Është detyrë gjithkështu edhe e artevet figutativë, veçanërisht e skulpturës.
     Qytetet në Iliri:
     Në trevat e japodëvet ishin qytetet: Metuli, Terponi dhe Vendi (Vendoni ose Avendoni). Në Panoni (të Epërme e të Poshtme) ishin qytetet: Vizontioni, Valina, Vakontioni, Teutiborgu (Teutibarku), Tauruni, Solua, Skarbentia, Sisopa, Siroga, Serbitioni, Segesta, Savoria, Salinoni, Saldisi, Sala, Sabarira, Rittioni, Rispia, Praitorioni, Potobioni, Parsioni, Olimakoni, Noviodunoni, Nauporti, Mursela, Mursaminori, Mursamairi, Marsonia, Magniana, Lugiononi, Lussonioni, Lentuloni, Kurta, Kornaku, Kivalisi, Kibala, Karrodunoni, Karpisi, Karnuti, Kartisa, Jubaloni, Grai, Emona, Kuminioni, Cibali, Brigationi, Bononia, Bolentioni, Berbisi, Bassantisi, Basiana, Arsaku, Andautonioni, Alusioni, Akuinkoni, Aciminku, Abiundria, Sirmi (Mitrovica e Sremit e sotmja).
     Në Myzi ishin qytetet: Viminaci, Prikornia, Ortheomarhosi, Margu, Marcianopoli, Gratiana, Dionisopoli, Aureumi (Aureo Montea), Konstantiola, Singiduni (Beogradi i sotëm).

ILIRIA…

_______________________________

     Në Dakinë e Brendshme ishin qytetet: Turibusi, Remisiana, Ratiaria, Pautalia, Kartobalosi, Valeriani, Zana, Kuimedaba.
     Në Dardani ishin qytetet: Veklanumi, Ulpiana, Theklana, Damastioni, Sintia, Sarnonti, Merioni, Kratiskara, Justinopoli, Bederiana (Më vonë: Justiniana e Parë), Akuasi, Naisi (Nishi i sotëm), Skupi (pranë Shkupit të sotëm). (Vo! Në Dardani, si dhe gjetkë, ka pasur edhe një numër të madh të quajturash fortesa, por që nuk emërtohen si qytete, prandaj nuk i shënuam.)
     Në Paioni ishin qytetet: Noraku, Dobera, Bimazosi, Dylazora, Alorosi, Abydoni.
     Po fillojmë tani krahun e bregdetit. Në Istri: Pola, Parentioni, Nesatikumi, Neapolisi, Tergesti (Triestja e sotme), Kreksi (ishull e qytet).
     Në Liburni ishin këta qytete: Aenona, Alvona, Apsorosi, Arausa, Ardotioni, Argyrunti, Arukkia, Ausankalei, Adra, Blanona, Burni, Dyyrta, Fulfinioni (në ishullin Kurrikta), Halupsi, Idasta, Korkumi, Krepsa, Lopsika, Nedini, Kurikoni (edhe ky në ishullin Kurrikta), Ortopla, Promona, Salvia, Senia, Sidronia, Skardona, Stulpi, Tarsatika, Taliasoni, Varvaria, Vegi, Volkera, Voporui, Akuilea.
     Në Dalmati ishin qytetet: Siparuntoni, Aleta, Issa (ishull dhe qytet, Visi i sotëm), Spalationi (Aspalatoja, Spliti i sotëm), Epidauri (Ragusiumi, Dubrovniku i sotëm), Aikuoni, Andetri, Aseria, Bigesti, Bonki, Bulua, Dalmi, Enderoni, Epeti, Akuoni, Fari (ishull dhe qytet), Herona, Jadera (Zara e sotme), Magnumi, Narona (Vidi i sotëm), Nutria, Oiminakioni, Onaioni, Sinoti, Petunti, Saloniana, Setovia, Siklisi, Stridoni, Traguri (sot: Trogiri), Thermidava.
     Në Ilirinë Qendrore ishin qytetet: Dorrsiku, Dorakioni, Dizeri, Dimali, Dibolia, Denda, Daulia, Bylisi (Hekali i sotëm), Bunna, Boluri, Uskana, Durni, Dyrrahu (Durrësi i sotëm), Enhelana, Epikaria (Puka e sotme), Eugeni, Evia, Gerunti, Harpuia, Helidonioni, Karavandi, Keraka, Knidi, Koragu, Krysondyona, Orgesa, Pelioni, Kodrioni, Kolkini (Ulqini i sotëm), Lissosi (Lezha e sotme), Rizoni (Risani i sotëm), Diokleja, Batua (Budva e sotme), Adria, Magia, Melitusa, Meteoni (Meduni i sotëm), Narbisi, Oidantioni, Olympeja, Rraknosi, Sardosi, Sarnusi, Sationa, Sidoni, Syberosi, Skodra (Shkorda e sotme), Skampa (Elbasani i sotëm), Polyheriupolisi (Antipatrea), Lyhnidi (Ohri i sotëm), Sesaretosi, Partha, Aiginioni, Akamanta, Akrolisi, Akrui, Akulina, Albanopolisi (Zgërdheshi i sotëm, nëmos një tjetër diku në Mirditë), Ankyra, Antipatrea (Berati i sotëm), Apollonia, Abria, Abroni, Arnisa, Arrha, Astraia, Bantia, Bargului, Basania (Pllana afër Lezhës), Bojoja.
     Në Ilirinë Jugore ose, siç thuhej ndryshe, në Epir, ishin qytetet: Thronioni, Trampya, Timori, Skeuptoni, Skuptoni, Oresteja, Omfalioni, Nikopoli (Akta, Preveza e sotme), Myoni, Listroni, Kassiopi, Herakleja, Helaoni, Hekatonpedoni, Haradrasi, Hadrianopoli, Fotika, Foiniku (Finiqi i sotëm), Euroia, Euria, Eurimena, Eriboia, Elateja, Egini, Efyra, Celetri, Buthroti (Butrinti i sotëm), Bunima, Buketi, Baiakeja, Atheneja, Astahoni, Argoi, Argitasi, Aponi, Anaktori, Amymnaia, Ambrakia (Arta e sotme), Akarnanoni, Tymfaia, Pandosia, Kyhiri, Pasaroni (kryeqyteti i Molosisë), Oriku, Onhesmi (Saranda e sotme), Amantia, Antigoneja, Aulona (Vlora e sotme).

Shikoni ne formatin e zmadhuar:

http://purl.pt/754/1/ca-395-v_JPG/ca-395-v_JPG_24-C-R0075/ca-395-v_0044_XXIII_t24-C-R0075.jpg

____________________________________

     Në Maqedoni, për të cilën nuk mund të pohojmë me siguri se ishte pjesë etnikisht e padallueshme prej Ilirisë, por për të cilën dimë me siguri se nuk ishte një vend i helenëvet, ishin qytetet: Apollonia e Maqedonisë (Polina e sotme), Azori, Pelagonia (Manastiri i sotëm), Lebaeja, Akmeoni, Parthikopolisi, Philippi, Serai, Skydra, Stobi, Alalkomena, Almani, Almopia, Alori (Paleohori i sotëm), Amfipoli, Antania, Arasoni, Araurosi, Barnusi, Beroia (Veria e sotme), Bragylosi, Bajani, Kalikumi, Celisi, Dioborosi, Dioni, Edesa, Eordeja, Eraklia, Euporia, Europi, Eustraioni, Gortyna, Harmonia, Heraklia, Ksantika (Zervohori i sotëm), Pynda, Herkuli, Geminda, Edesa, Bata, Asigonia, Akanthosi, Alga, Acerdosi, Herkui, Idomenia, Ihna, Kasandra, Kalenidini, Libaeja, Mieza, Neapolisi, Nikedesi, Olynthi, Pella, Primula, Stubera, Tauriana, Thurisi, Verpei, Zapara.
     Që nga brigjet e lumit Sava e deri në kufi me Helladën janë rreth 350 qytete. Vepruam kështu metodikisht, duke i shënuar të gjithë emrat, marrë në librin Ilirët dhe Iliria, botim i Prishtinës, 1979, sepse, po të jepnim shifrën e thatë 350, edhe vetë përfytyrimi do të na mbetej i thatë. Janë rreth 350 qytete, rreth tyre shtrihen me mijëra fshatra, vendbanime malësorësh dhe skllevërish që punojnë tokat dhe ruajnë bagëtitë. Një pjesë e këtyre qyteteve janë shumë të hershëm, një pjesë më të vonë, por krejt kjo kurrsesi nuk tregon as kulturë “fisesh”, as formë “fisnore” të jetesës. E gjithë kjo pakundështueshëm tregon një shkallë të lartë zhvillimi dhe pa një të këtillë njohje shqiptarët as përafërsisht nuk mund ta njohin vetëveten.
Mbretërit tanë të kohës aq të qytetëruar të Ilirisë janë: (Po i japim me alfabet, thjeshtë sa për t’i njohur si emra dhe për të shmangur thatësinë shifrore të informacionit) 1.Admeti, mbret molos, fill. i sh V p.e.s; 2.Afeida, mbret i afeidantëvet të Molosisë; 3.Agi, mbret i paionëvet; 4.Agroni, mbret i ardianëvet, 250-231 p.e.s; 5.Aiakidi, mbret molos, i ati i Pirros; 6.Aineu, mbret legjendar ilir (Kur themi legjendar, ndonëse mund të mos ketë ekzistuar si person, ai prapëseprapë përfaqëson mbretër, ekzistencë mbretërish); 7.Aleksandër Molosi, mbret i molosëvet, i ati i Neoptolemit II, 362-326 ose 345-331 p.e.s; 8.Aleksandri II, mbret i Epirit, biri i Pirros, 270 p.e.s; 9.Alketa I, mbret i molosëvet, biri i Tharrypës, 390-373 p.e.s; 10.Alketa II, mbret i molosëvet, biri i Arrybës, 313-312 p.e.s; 11. Aminandri (Amyna), mbret i athamantëvet të Epirit; 12.Antiohu, mbret i orestëvet të Epirit ose të Maqedonisë; 13.Arryba, mbret molos; 14.Atali I Soteri, mbret i Pergamit (A është Epir?); 15.Audoleoni, mbret i Paionisë, 310 p.e.s; 16.Bardhyli, mbreti i parë i enkelejvet; 17.Bardhyli i Ri, mbret i enkelejvet, aleat me Pirron; 18.Batoja, mbret i dardanëvet, biri i Longarit; 19.Deidameia, mbretëreshë e Epirit, 230 p.e.s; 20.Eumeni, mbret i Pergamit, Epir?; 21.Fyla, mbret i Efylës, Epir; 22,Genti, mbret i labeatëvet,181-168 p.e.s; 23.Gerioni, mbret mitologjik i Epirit; 24.Glaukia, mbret i taulantëvet, 302 p.e.s; 25.Kalidika, mbretëreshë e thesprotëvet; 26.Kliti, mbret i enhelejvet, trashëgimtar i Bardhylit, mbas 344-s p.e.s; 27.Longari, mbret i dardanëvet; 28.Longari, mbret i agrianëvet të Paionisë; 29.Maleo, mbret (legjendar) i pellazgëvet; 30.Monuni, mbret i taulantëvet, sh IV p.e.s; 31.Monuni, mbret i dardanëvet; 32.Mytili, mbret i taulantëvet, biri i Glaukut, 302-270 p.e.s; 33.Neoptolemi, mbret i molosëvet, i ati i Aleksandër Molosit, 302-298 p.e.s; 34.Neoptolemi II, mbret i molosëvet, 317 p.e.s; 35.Oroidi, mbret i paravejvet në Epir; 36.Pirroja, mbret i Epirit, biri i Aiakidit, 307-272 p.e.s; 37.Pirroja II, mbret i Epirit; 38.Pleurati, mbret në Ilirinë Qendrore, i ati i Agronit; 39.Pleurati, mbret në Ilirinë Qendrore, i biri i Skerdilajdit, i ati i Gentit, 181-180 p.e.s; 40.Pleuria, mbret i taulantëvet, 338 p.e.s;41.Ptolemeu, mbret i molosëvet, i nipi i Pirros, 231 p.e.s; 42.Skerdilajdi, mbret i ardianëvet, Iliri Qendrore, i ati i Pleuratit; 43.Teuta, mbretëreshë në Ilirinë Qendrore, regjente e Pinesit, 232-228 p.e.s; 44.Teutana, mbretëreshë e liburnëvet; 45.Tharypi, mbret i Epirit, 430-390 p.e.s.
     Mbretër të Maqedonisë, që, siç thamë, s’e dimë saktësisht nëse janë të së njëjtës etni me ilirët, por e dimë që sidoqoftë janë më të afërt me ne se me helenët: 1.Aeropi; 2.Aleksandri I, 495-450 p.e.s; 3.Aleksandri II, 369-365 p.e.s; 4.Aleksandri i Madh, 356-325 p.e.s; 5.Aleksandri IV, biri i Aleksandrit të Madh dhe Roksanës; 6.Amynta I, 495 p.e.s; 7.(Amynta II); 8.Amynta III, 382-370 p.e.s; 9.Antigon Dosoni, 229-220 p.e.s; 10.Antigon Gonata, 277-239 p.e.s; 11.Argeu; 12.Demetri II, 239-229 p.e.s; 13.(Filipi I); 14.(Filipi II); 15.Filipi III Arideu; 16.Filipi IV; 17.(Filipi V); 18.Karani, mbreti i parë i Maqedonisë; 19.Kasandri, 316-297 p.e.s; 20.Perdika I; 21.Perseu.
     Këtu na kanë dalë 350 qytete dhe 66 mbretër, përkundër pasaktësive e mangësive që mund të ketë, sepse na mungojnë tmerrësisht studimet. Nuk besojmë të ketë ndonjë popull rrotull nesh me një të kaluar kaq të madhe, me një traditë qytetërimi kaq gjëmimtare, të përhapur në këtë mënyrë, edhe në kohë, edhe në hapësirë. Megjithatë, ndërsa psh në Paris, në Vjenë apo në Stamboll, sapo të ulesh në një restorant ose të zësh dhomë në një hotel, e para gjë që do të të kujtojnë ciceronët dhe guidat, janë mbretërit dhe sulltanët e atyre vendeve dhe lashtësitë e atyre qyteteve, ne na vijnë nxënësit nga Theranda në Durrës dhe, kur kthehen: “Çka patë?” “Pamë driteret dhe krevatët e dhomavet ku fjetëm.” Na shkojnë grupe qytetarësh nga Tirana në Shkup dhe: “Çka patë?” “Pamë një kryq të madh 64 metra të lartë.” (Të cilin e kanë ngritur sllavët, për të na u mburrur sikur janë ata që e kanë prurë krishtërimin aty.) “Po ndonjë gjë nga historia e shqiptarëvet a patë?” “Pamë xhami, në Shkup, në Tetovë e kudo që shkuam. Pamë edhe restorante ku nuk të shërbehej as edhe një shishe birrë.” E thamë pak parës që ne shqiptarët nuk jemi rrënjëshkulur, por, me të këtilla informata, s’ka si të mos na krijohet përshtypja që ne, megjithatë, i kemi të kalbura një pjesë të madhe të rrënjëvet. I kemi të kalbura një pjesë të madhe të rrënjëvet, për shkak se një pjesë e degëvet dhe e fletëvet tona na janë vetëtharë tashmë. Me degë e fletë të thara, rrënjët nuk mund të mbahen gjallë.

     KOHA E PUSHTIMIT ROMAK

     Në gjysmën e dytë të sh III (232) dhe në gjysmën e parë të sh II (168) p.e.s. Roma arriti t’i nënshtrojë të gjitha mbretëritë e Ilirisë. Në Jug na i shkatërroi mbi 70 qytete, në Veri një qytet istriot arriti ta pushtojë vetëm kur aty s’kish mbetur më asnjë mbrojtës i gjallë. Mjaftojnë këta 2 shembuj për ta pasur të qartë tragjedinë: Flakë zjarresh që shuhen jo me shkulma uji, por me shkulma gjaku. Por pyetja më e ftohtë që mund të bëjë një shqiptar, nip i dikujt që shpëtoi ndoshta rastësisht pa u shkrumbuar në ata zjarre romakësh para 2 200 vjetësh, është kjo: Pse nuk e pushtuam ne Italinë, por e pushtuan ata Ilirinë?! Faji doemos ka qenë dhe mbetet i romakëvet, por gabimi fatal ka qenë pa tjetër i yni. Ne duhej të ishim aq parapritës, aq strategë, sa ata të mos guxonin as të na mësynin, jo më të na shkatërronin në atë farë feje.
Mjaftojnë 2 apo 3 rrënjë kalbëse
     Ashtu si secili prej nesh, në qytetërimin tonë dhe në mbretëritë tona të Antikitetit, është i prirur dhe duhet të jetë i prirur për të njohur atje rrënjët tona ngjallëse, madje për t’u krenuar me to e për t’u mbajtur me dinjitet pas atyre rrënjëve, ashtu secili prej nesh duhet të shikojë, në atë qytetërim tonin dhe në ato mbretëri, edhe rrënjët tona kalbëse. Të mos kish pasur brenda vetes, qoftë 2 apo 3 rrënjë kalbëse, historia jonë nuk do të kish rezultuar me të tillë shkatërrime, siç rezultoi në fundin e Epokës së Vjetër dhe siç do të përsëritej shumë herë në 2000 vjetët që do të pasonin.

PERANDORIA ROMAKE – 395…

________________________________

     Rrënja më kalbëse, më vetasgjësuese, në mbretëritë tona të Antikitetit, ka qenë mospraktikimi, kushtimisht të themi: SI DUHEJ, i shkrimit në gjuhën ilire. Duke qenë mbretëri, vetëkuptohet që ato mbretëri e kanë pasur një administratë. Administrata dihet që punon, përveç me gojë, edhe me të shkruar. Janë mbajtur shënime mbi tregtinë, janë bërë regjistrime tatimpaguesish, janë derdhur monedhat, janë gdhendur emrat e të vdekurvet mbi rrasa varresh. Por ai shkrim, me sa duket, nuk është konsideruar si një veprimtari identifikuese, vetafirmuese edhe në pikëpamje etnike. Prandaj edhe është përdorur, si duket, në gjuhë të huaja. Nuk është lodhur kush me atë punë. Ose, edhe në qofshin shqetësuar 5 apo 10 njerëz largpamës, 100 të tjerë jo vetëm s’e kanë vrarë mendjen në kahen e duhur, por mund edhe t’i kenë përqeshur individët vizionarë.
     Duke qenë pjesë e një të këtillë brumi, edhe vetë mbretërit duket se nuk kanë bërë kujdes lidhur me kultivimin shkrimor të gjuhës vendëse. Të tjerët e kanë lulëzuar dramaturgjinë, e kanë zhvilluar filozofinë, e kanë shkruar historinë, kanë bërë edhe harta gjeografike, kanë mbajtur statistika, në një kohë kur ne, duke qenë çdo i treti ilir një poet i lindur, nuk e kemi shkruar poezinë tonë. Ky është një mjerim i llojit të veçantë. Një lloj filozofie mbrapshtane: Të shkruash?! E ç’po fiton se po shkruan? A mos po të japin bukë ato miza të hedhura si kokërdhi miu mbi lëkura kecash?! (Kështu duhet t’i kenë ironizuar të parët tanë shkronjat dhe pergamenat.)… (Ose na i kanë asgjësuar ata që janë trembur prej madhështisë sonë, duke shfrytëzuar suksesshëm elementët kastravecorë, trangulorë, të vetë qinies sonë!)
     Një tjetër rrënjë kalbëse, e lidhur me të parën, të kalbëzuarit e së cilës ka arritur deri në brezat tanë në formën e një gangrene, ka qenë moskultivimi me vetëdije i patriotizmit. Po kujtojmë këtu një episod që ka të bëjë me njërin prej mbretërvet më të mëdhenj të Antikitetit tonë, me Pirron. Pas asaj fitores me shpirt ndër dhëmbë, e cila i dha edhe famë gjithënjerëzore Pirros tonë, Pirroja u mundua të hyjë në bisedime me romakët. U arrit të sajohej një takim me njërin prej personaliteteve të Romës dhe Pirroja ngarkoi një karvan karrocash me dhurata për romakun, flori, diamante etj., dhe shkoi për bisedime. Mirëpo, fjalët e personalitetit të lartë të Romës ishin këto: Kaloje ushtrinë tënde matanë detit, pastaj m’i jep dhuratat! Sigurisht, kjo nuk dëshmon asgjë për mungesë patriotizmi te Pirroja, por dëshmon m’anë tjetër që romakët e kishin patriotizmin emblemë: Pa Romën je askushi, me Romën je gjithçka.
     Që njerëzit tanë nuk e kanë pasur patriotizmin emblemë, dëshmojnë një varg dukurish “të vogla” e të mëdha, që nga ajo që thamë, të mosshkruarit e gjuhës sonë, te sëmundja e mercenarizmit që zotëronte e zotëron në masë tek ne, deri te të mbingarkuarit e popullit të vet nga ana e mbretërvet me taksa të papërballueshme.
     Por ne po ndalemi prapë te të shkruarit apo të mosshkruarit e gjuhës vetjake, si shenja më e qartë e të qenit apo të mosqenit patriot. Vetë moskrijimi i shkrimit në gjuhën ilire (ose të mosruajturit), në një kohë kur fqinjët tanë, të ardhur këtu pas nesh, e kanë krijuar dhe e kanë kultivuar shkrimin në gjuhët e tyre, tregon për një mungesë indinjuese të sedrës etnike. Po shkruaj në gjuhën e tij. Kush po lodhet tash me gjuhën që ai, i huaji, nuk e merr vesh!? Njerëzit tanë i kanë mësuar gati me servilizëm gjuhët e popujvet të tjerë, në një kohë që, si duket, as që u ka shkuar ndërmend t’u kërkojnë të tjerëvet që edhe ata ta mësojnë gjuhën tonë. Kjo është një mungesë patriotizmi krejt lakuriqe. I kemi shkruar edhe emrat tanë ashtu siç i donin ato, gjuhët e huaja. E kjo është një mungesë krejt lakuriqe jo vetëm e patriotizmit, por edhe e dinjitetit më elementar vetjak, personal.
     Po sjellim prapë ndërmend një episod të ndodhur po këtu, në hapësirat tona, nja 1 300 a 1 400 vjet më vonë e që lidhet me zhupanin e Sërbisë, Stefan Nemanjën, dhe një tjetër që lidhet me një nga prelatët tanë më të shquar, Fran Bardhin. Stefan Nemanja, në një dokument, një aktmarrëveshje me Republikën e Raguzës, e cila, sipas traditës, ishte e shkruar latinisht, nuk nënshkroi me shkronja latine, as me emër të latinizuar: Stephanus, por nënshkroi me shkronja cirilike dhe me emrin ashtu siç e kishte. Zhupani i Sërbisë, Stefan Nemanja, ka qenë një popujvrasës dhe një qyteteshkatërrues, qyteteshkrumbues, por këtu gjithkush është i detyruar t’ia heqë kapelen. Fran Bardhi ynë, ndërkaq, patriot i dëshmuar dhe njeri me vlera vërtet të larta morale, e shkruan emrin e vet krejt papërgjegjshmërisht të latinizuar: Francus Biancus. Kështu i kemi edhe pllakat e varrevet. Shko në Muzeun arkeologjik të Durrësit, shko në Apolloni, shko në Butrint. Shko sot në varrezat e çamëvet ortodoksë në Pargë apo në Prevezë, i kanë varret greqisht. Shko në Tivar, shqiptarët e Tivarit i gdhendin varret e vet sllavisht. A ka vetëposhtërim më të pakonceptueshëm se të vazhdosh të tallesh me vetëveten edhe pasi të kesh vdekur?!
     Koha e barabartësisë në perandorinë e Romës
     Në mbarim të Epokës së Vjetër ilirët bënë një kryengritje të madhe, por nuk fituan thuajse asgjë, sepse nuk kishin strategji vetjake. Që nuk kishin strategji vetjake, strategji për vete, e tregojnë fjalët që tha Batoja i desidiatëvet kur po e gjykonin për ta ekzekutuar. “Pse ngritët krye?”, e pyeti Tiberi. “Sepse ju kishit prurë këtu ujqërit për të ruajtur dhentë.” Pra, nuk kishin strategji as për t’u çliruar prej pushtuesit, as për mënyrën se si do të mund të organizohej jeta, mbasi të ishin çliruar. Kërkesa e vetme e ilirëvet ishte që të mos keqtrajtoheshin prej romakëvet.
     Sigurisht që Roma nuk do të dërgonte kurrë “dele” për të ruajtur “delet”. Megjithatë, jeta do të vazhdonte edhe ashtu. Perandoria e Romës tashmë shtrihej thuajse në krejt Evropën, në Azi të Vogël, në Lindje të Afërt dhe në Afrikë, në pjesën veriore. Midis këtyre tokave ndodhej Deti Mesdhe. Popujt, me sa duket, as që mund të mendonin për t’u mvehtësuar. Ata do të përpiqeshin vetëm sa për ta zbutur sundimin e romakëvet dhe për këtë duhej kërkuar një filozofi humane, jo separatiste, por përkundrazi, gjithëbashkuese. Roma kish bërë bashkim ushtarak, popujt duhej të bënin bashkim shpirtëror. Kështu, mendojmë ne, do shpjeguar lindja dhe përhapja e krishtërimit në Mesdhe e më vonë në krejt Botën. Popujt e Azisë së Vogël, të Lindjes së Afërt, të Greqisë dhe të Ilirisë, qenë të parët që e bënë të vetin krishtërimin. Ai i thërriste njerëzit jo të çliroheshin me anë të shpatës, por të çliroheshin me anë të dashurisë për njëri tjetrin. Ishte pra një përpjekje pacifiste, e cila gjithsesi nuk do të mund të kurorëzohej me sukses pa sakrifikuar jetë njerëzish.
     Kaluan 2 shekuj. Anembanë Perandorisë tashmë kishin ndryshuar shumë gjëra. Romakët (latinët) u detyruan më në fund të shpallin barazinë juridike për të gjithë shtetasit e lirë. Ishte kjo një aleancë internacionale e skllavopronarëvet, me qëllim që të bëhej e mundur mbajtja e mëtejshme nën sundim e skllevërvet. Ilirët përfituan nga një e tillë barazi dhe shumë shpejt ia arritën që të luajnë rol jo vetëm në strukturat lokale të qeverisjes, por të ngjiten deri në majat më të larta të shtetit. Duket se në këtë proces ilirët i favorizoi fakti që një shumicë e popullsisë sonë, prej Istrisë e deri në Pind, kishin qenë tradicionalisht jo skllevër por malësorë të lirë. Në një pjesë të mirë të shekujvet III, IV dhe V të e.s. këtë perandori, që ne po e quajmë, krahasimisht me kohën e sotme, “Unioni Euro-mesdhetar i Antikitetit”, e kanë qeverisur ilirët. Janë më se një duzinë perandorësh tanë, të cilët jo vetëm kanë qeverisur, por edhe kanë lënë gjurmë në historinë e atij shteti vërtet të stërmadh për kohën. Diokleciani bëri reformat e mrekullueshme, si në kupolën shtetërore, ashtu në riformulimin administrativ të provincavet. Konstantini i Madh e bëri fenë e krishterë një fe shtetërore dhe në atë mënyrë hapi, edhe me legjislacion, epokën e re në historinë e religjionevet dhe në përgjithësi të një zhvillimi të ri social në shkallë botërore.
     Kur themi: “Unionin Euro-mesdhetar të Antikitetit”, alias Perandorinë Romake, e kanë qeverisur ilirët, ne duhet të mbajmë parasysh 3 apo 4 të vërteta. 1.Ilirët kanë zënë vende të rëndësishëm jo vetëm në krye të shtetit, por në krejt administratën shtetërore. Sidomos në territoret ku banonin vetë ilirët, si dhe në sferën ushtarake, ku ata “natyrshëm” dëshmoheshin më të aftë. Do kuptuar kështu që qysh prej fillimit të sh III të e.s. e këndej ne nuk duhet të konsiderohemi më si vend apo popull i pushtuar prej romakëvet. Nuk mund të quhesh popull i pushtuar, kur e ke perandorin të gjakut tend. 2.Ajo kastë shtetërore ilire, e cila u preokupua aq shumë për mbarëvajtjen e asaj perandorie, nuk gjeti dot, si duket, as më të voglën arsye për të krijuar një strategji për vete, për etninë së cilës i përkiste. Ata njerëz, ata paraardhës të shqiptarëvet, bënë politikë gjithështetërore, gjithevropiane, gjithmesdhetare, por nuk menduan aspak që një ditë ai shtet edhe mund të shpërbëhej. Ç’duhej të bënin ilirët, nëse ai shtet një ditë shkatërrohej?! 3.Në po këta shekuj, në kohën kur jo vetëm ilirët, por asnjëri nga popujt e qytetëruar të atij “Unioni” nuk po gjenin dot ndonjë rrugë tjetër të së ardhshmes, turma popujsh të paqytetëruar, armatosur me logjikën për të plaçkitur çdo gjë që mund t’u hynte në punë dhe për të rrënuar çdo gjë që nuk u hynte në punë, e mbuluan krejt vendin me kufoma dhe me gërmadha. Popujt e lashtë, mes tyre edhe ilirët, u detyruan t’i nënshtrohen procesit të një simbioze të re me popujt imigrantë: vandalë, svevë, normanë, gotë, longobardë, hunë, avarë, sllavë, kotrigurë… 4.Në asnjë shkollë të mesme, as në fakultet, të Evropës së sotme dhe të Mesdheut të sotëm, as në Itali, as në Francë, as në Angli, as në Spanjë, as në Algjeri, as në Libi, as në Egjipt, as në Izrael, as në Siri, as në Turqi dhe as në Greqi, nuk u thuhet nxënësvet dhe studentëvet që vendet e tyre i kanë qeverisur dikur paraardhësit e shqiptarëvet të sotëm. As në filma. Trajtohen nëpër filma tema të furtunshme të asaj kohe, por asgjëkundi nuk thuhet që kryepersonazhet e atyre furtunave kanë qenë paraardhës të këtyre të sotmëve shqiptarë, për të cilët diskutohet me dekada: T’i pranojmë apo të mos i pranojmë në BE?! Na e kanë, vallë, frikën (instinktivisht) se mos i qeverisim prapë?! 
     Por ne nuk e kemi qeverisur “Unionin Euro-Mesdhetar të Antikitetit” më keq se eropianët e tjerë. E vetmja e metë e jona e dallueshme ka qenë që ne nuk kemi menduar për vete si etni. Kemi menduar kryesisht për vete si person dhe për “Unionin”. Të shpëtojmë “Unionin”! Kjo ka qenë deviza jonë e atyre shekujve. Jo: Të shpëtojmë Ilirinë në radhë të parë, pastaj, natyrish që, do të kujdesemi edhe për “Unionin”. [Të njëjtin mentalitet do ta vëmë re te arnautët (pasardhës të ilirëvet), në kohët kur Perandoria Osmane u quajt: I Sëmuri i Bosforit. I Sëmuri i Bosforit ishte shtrirë për të vdekur, ne bënim çmos për ta shpëtuar. Përjashtim bënë, për fatin tonë të mirë, vetëm Rilindësit tanë. Ata e pajisën me sy Kombin tonë.] VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura