Durrës, 09. 12. 2105: E kam shok të hershëm. Ka botuar poezi mjaft të mira, me një figuracion e problematikë të veçantë. Kemi shkuar mirë njëri me tjetrin. Kemi pasur madje edhe njohje familjare. Ka prirje në fushën e filozofisë dhe është mjaft origjinal në përgjithësimet që bën, prandaj edhe e kam vlerësuar.
Më TELEFONOI për t’u takuar. Më pat dhënë disa teza të tijat mbi gjendjen e sotme të kombit tonë dhe mbi domosdonë e fuqizimit tonë përballë rrëziqevet që, sa vjen e po na shtohen. Sa i përket aspektit të konstatimevet, unë isha përgjithësisht dakord. Por, për rrugët konkrete, praktike, të daljes nga kjo gjendje, ai, në ato teza, s’kish thënë asgjë.
Unë, ndërkaq, për t’i dhënë zgjidhje një morie konstatimesh dhe shqetësimesh, që i kanë një shumicë shqiptarësh, kam parashtruar dhe publikuar edhe RRUGËN PRAKTIKE të shpëtimit të kombit shqiptar. Ai më thotë se e ka lexuar 2 herë librin tim „Strategjia e shqiptarëvet“ dhe unë, krejt natyrshëm, prisja që biseda jonë të mos kufizohej vetëm me analizat teorike, por të kalonim edhe te platforma ime, për të parë ç’duhet të bëjmë dhe ç’do të bëjmë KONKRETISHT.
Mirëpo, për fat të keq, shoku im i hershëm nuk kish fare ndërmend t’i analizonte pikëpamjet e mia lidhur pikërisht me pjesën e dytë të problemit: REALIZIMIN PRAKTIK, pa të cilin konstatimet s’ka ç’i duhen askujt.
Kur i thashë mendimin tim pozitiv lidhur me materialin që më pat dhënë për ta lexuar, e pashë që i ndritnin sytë dhe këndellej nga kënaqësia. Fytyra e tij rrëfente mburrje dhe krenari. Filloi të m’i parashtronte një nga një konkluzionet e tij. Unë i thashë që i kam lexuar dhe i njoh mirë mendimet e tij, edhe mendimet e shumë të tjerëve, por tash duhet të na preokupojë, atë edhe mua, RRUGA si do ta nxjerrim kombin tonë nga gjendja ku e ka lënë historia.
Ai nuk ia vuri veshin fare kërkesës sime. Foli pothuaj 1 orë pa u ndalur. „Shqiptarët duhet të dalin nga prapambetja dhe të arrijnë sa më parë nivelin e popujvet të përparuar. Sa më parë, aq më mirë. Ne nuk meritojmë të jemi të fundit. Fajin e kanë romakët, fajin e kanë bizantinët, fajin e kanë sllavët, fajin e kanë turqit. Dhe, në vitet e fundit, anglo-saksonët po duan të na shndërrojnë në anglofonë…A i ke parë tabelat e dyqanevet në ç’gjuhë po shkruhen?.. Ç’do me thënë Top-çenëll?! Ç’është ky Top-çenëll? Pse nuk është shqip?!“
Unë mundohesha t’ia ndryshoja kahjen e arsyetimit: „A nuk kanë faj ilirët, që lejuan t’i pushtojë Roma?“ Ai ma preu fjalën: „Na pushtoi Roma! Është Roma ajo që na pushtoi!“ „Si guxoi Roma të na pushtojë?! Pse guxoi Roma të na sulmojë?!“
Doja t‘i thosha: „Vërtet që fajin e kanë shiu dhe bora, që na lagin, na ngrijnë e, më në fund, vdesim me mijëra, të kallkanosur. Po ne, a nuk kemi kurrfarë faji që nuk i ndërtojmë, me kohë dhe mençurisht, strehët mbrojtëse?!“ Por ai nuk më linte të arsyetoja.
Ai vazhdonte në të tijën. „Historia ka qenë njerkë për ne! Tani, o duhet të arrijmë nivelin e popujvet të tjerë, gjermanë, anglezë, francezë, italianë, ose na pret sllavizimi.”
Pak parë po thoshte: “po duan të na shndërrojnë në aglofonë”, tash: “na pret sllavizimi”. Sigurisht që këtu ka shumë për të diskutuar: Pse ne nuk po shndërrojmë asnjë anglo-sakson dhe asnjë sllav në shqiptar?! Por nuk i thashë asgjë. E dëgjova 1 orë. Ishim në një lokal. Kamerierët dhe bnakieret na shikonin me kërshëri.
Më në fund i thashë: “A do të më lësh mua të flas, apo do të flasësh vetëm ti?” “Prit të mbaroj”, më tha dhe vazhdoi edhe disa minuta.
E dija që ishte e kotë t’i parashtroja çfarëdo opcioni tjetër, sepse ai ish i mbushur deri në grykë me të tijët. Megjithatë, i thashë: “Si mendon ti t’i çojmë këto ide të tuat deri te nipërit e mi? Unë kam disa nipër në Australi, fëmijët e 4 kushëriravet të mia. Kam disa nipër e mbesa në Çikago, kam disa nipër në Detroit dhe kam në Njujork, veç disa të tjerëve, edhe nipçen tim të drejpërdrejtë, djalin e djalit tim. Kam edhe në Barcelonë, kam në Halver, kam në Berlin. Si t’i çojmë deri atje idetë e tua? A po thua se shqiptarët duhet të ngrihen në nivelin e popujvet më të përparuar?! Si?! Me televizion, me gazeta, me fejzbuk?! Këto, doemos që kryejnë shumë punë, por janë si shiu që i rrit të gjitha bimët. A ke parë si bujisin bimët, kur bien shira me bollëk, dhe pastaj, ato më të dobëtat thahen nga harlisja e më të fuqishmevet?! E ke vënë re ti këtë dukuri të tharjes dhe zhdukjes së disa bimëve, pikërisht nga harlisja e disa bimëve të tjera?!“
Nuk e di a po më dëgjonte ç’po thosha, por përgjigjen s’po ma jepte.
„Kemi edhe këtu në Tiranë gati 1 milion shqiptarë“, i thashë. „Si do të marrin vesh tiranasit që ti dëshiron të jemi një komb i përparuar? Apo po mjaftohesh me mua e me ndonjë shok tjetër, me të cilin mund të pish një kafe?!”
Dikur, me sa duket, iu duk se fola shumë, sado që ai kish folur nja 9 herë më shumë se unë, dhe më tha: “Po hë! Ma thuaj ti!” Unë ia pata gati. “DUHEN GURË E LLAÇ,”. Ai hapi sytë aq shumë, sa mua më zuri frika. “Mos u çudit!” I thashë. “Që idetë e tua, apo të kujtdo tjetër (sepse midis shqiptarëvet ka pasur dhe ka me mijëra njerëz të mençur), na duhen GURË E LLAÇ, tulla e llaç, dural, xhama, lëndë për çatitë. Me një fjalë, na duhen NDËRTESA, të cilat unë i kam emërtuar Fjalëmira të Gjuhës Shqipe. Na duhen edhe predikuesit përkatës, të cilët do t’i çonin idetë, kombëtare, po edhe gjithnjerëzore, drejt e te veshët e shqiptarëvet kudo që ata ndodhen. Brenda këtij shekulli, ne do të na duhet të ndërtojmë, me atë lloj materiali, për të cilin ti po habitesh aq shumë, e pakta 150 mijë Fjalëmira.”
“Ëndrra më diell!” Më tha shoku. “Ti nuk bën dot as edhe 1 të vetme, jo 150 mijë!”
“Jo unë,” i thashë, “por shqiptarët, në ua ndjefshin nevojën! Kombi, fatin e të cilit po e qajmë sot, ti edhe unë, do t’i ndërtojë ato, në qoftë se ua ndien nevojën! Unë edhe ti kemi për detyrë t’ia parashtrojmë, t’ia shtrojmë përpara, kombit tonë këtë mundësi.”
Ai m’u kthye, me një shprehje serioze e plot me brengë: “Ti a s’po sheh se shqiptarët janë një komb i varfër?! Shqiptarët s’po kanë bukë thatë, për të mbushur barkun, ti më kërkoke TULLA E LLAÇ! Ti s’je në vete!”
S’e di a bërtita, a fola me zë normal: “Sa kisha katolike, sa kisha ortodokse, sa xhami, sa teqera, sa kisha ungjillorësh, janë ndërtuar në tokën e këtyre shqiptarëve të varfër, vetëm në këto 20 vjetët e fundit?!”
“Ato janë tjetër gjë. Ti nuk e shikon dot dallimin.”
„A s’më the që shqiptarët s’kanë bukë?!“ Këtë here bërtita, aq sa një kameriere ktheu kokën nga ne.
E pashë që miku im nuk i shikonte dot, as dallimet, as ngjashmëritë, midis tempullit FETAR dhe tempullit KOMBËTAR. Ai nuk e kuptonte që sinagoga e hebrenjvet ishte njëkohësisht edhe tempull fetar, edhe tempull kombëtar, pikërisht sepse atje shërbehej hebraisht. Ai nuk e shikonte dot që Kisha e Romës, sa kohë që liturgjinë e kryente në gjuhën latine, ishte njëkohësisht edhe tempull fetar, edhe tempull, të themi kombëtar, sado që kombet në ato kohë nuk i kishin tiparet e sotëm. Madje, edhe pasi gjuha latine kishte vdekur, Kisha e Romës vazhdonte të „rrezatonte“ KULTURË LATINE nëpërmjet liturgjisë dhe Ungjillit. Ai nuk e shikonte që Kisha Greke ish njëkohësisht edhe fetare, edhe nacionale. Ai nuk e shikonte, nuk e kuptonte që kishat sllave, ndërtuar si çdo tempull tjetër, me gurë e me llaç, ishin më shumë tempuj kombëtarë, se sa tempuj religjionesh. Ai nuk e kuptonte (S’e besoj se nuk donte ta kuptonte, por realisht nuk e kuptonte), që xhamia myslimane, teqeja myslimane, krejt besimi mysliman, përderisa shërbehen në gjuhën arabe, janë besime edhe fetarë, por edhe kombëtarë arabë.
Ai nuk e kuptonte që, që të gjithë këta tempuj, duke qenë njëkohësisht edhe fetarë, edhe KOMBËTARË, kanë bartur me vete, në të gjithë shekujt, edhe tiparin e EKSPANSIONIT, si dhe të ASIMILIMIT të kombevet të tjerë. Si u shndërruan një varg popujsh joarabë në popuj arabë?! Si u sllavizua pjesa më e madhe e iliro-arbërvet, prej lumit Sava e deri në Strumicë?!
Cili ishte qëllimi i Kishës Luterane?! Qëllimi i Kishës Luterane ishte, që të mos latinizoheshin gjermanët. Edhe Kisha anglikane i shpëtoi anglezët prej neolatinizimit, duke e adoptuar, në mënyrë PROTESTUESE, liturgjinë në gjuhën e vet.
Asgjë nga këto nuk po i kuptonte shoku dhe miku im, dhe unë, sa nuk bërtita prapë: “A thua kaq të cekët paskan qenë miliona paraardhës të etnisë sime dhe të kombit tim, që nuk e kanë krijuar dot një INSTITUCION të vetin, (FUNKSIONAL, me gurë e me llaç, në 1 milion vendbanime!) i cili të mund t’i përhapte idetë, çfarëdo ideshë, NË GJUHËN E TYRE!?”
“Një numër ndërtesash, me gurë e me llaç dhe me nga një predikues në secilën prej atyre ndërtesave, i cili do të predikonte, JO NË GJUHË TË HUAJA, por në gjuhën e popullsisë së atyshme! Le t’i luteshin, ndaç Zotit, ndaç Dreqit! Veç NË GJUHËN E TYRE t’i luteshin!” Thashë me vete, i mbushur me indinjatë.
Tani shqiptarët, kaq sa kanë mbetur, një e 25-ta e ilirëvet të dikurshëm, gjenden në shekullin XXI, në rrethana krejt specifike: Ata nuk mund të përdorin asnjërin prej religjionevet ekzistues si faktor UNIFIKIMI. Që do të thotë: faktor IMUNIZIMI, faktor MOSZVOGËLIMI dhe faktor SHPËTIMI! Faktor për të mbetur kombëtarisht gjallë. Secili religjion i yni po tërheq dukshëm në drejtimin e vet. Ortodoksia po vazhdon të na greqizojë, me forma, sa dinake, aq edhe arrogante (“Për inat të komunizmit!”). Islamizmi po gjen në radhët e kombit tonë ithtarë të gjithfarë “ekstremizmave”, por, që të gjithë, me duart mbi Kur’an. Mjafton të kujtojmë vetëm një rast: Një djalë nga Mitrovica e Veriut, me gjyshin hoxhë, në vend që, NË EMËR TË KOMBIT, të luftonte kundër zaptuesvet sërbë, shkoi dhe vrau në Gjermani ushtarët amerikanë, NË EMËR TË FESË. Katolicizmi s’e ka prej kohësh në kombin shqiptar, as peshën e një sekti nga më periferikët. Aq pak fuqi po ka katolicizmi ndër ne, sa që Vatikani, qendra e katolicizmit, për kaq vite, s’po e njeh Republikën e Kosovës. Krishtërimi duhej të ish predikuar në gjuhën ilire qysh në kohën e Shën Palit. Ose qysh në kohën e perandorit Konstantin. Tash është vonë.
Shqiptarët, në këso rrethanash, nuk mund të përdorin asnjërin prej religjionevet si FAKTOR UNIFIKIMI, prandaj dhe jemi të detyruar të krijojmë tempujt tanë thjeshtë KOMBËTARË. Të ndërtohen tempuj kombëtarë kudo ku ka shqiptarë!
Shoku dhe miku im ishte krejt i shurdhuar përballë një të këtillë ideje, prandaj unë, nga inati që ai nuk po më kuptonte, vazhdova të grindem me vetëveten.
“Pse t’i duket këtij njeriu i pamundur ndërtimi i Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, në një kohë kur, po ky komb, i varfër dhe i katandisur sa një grusht, po vazhdon të ndërtojë me mijëra objekte?! Mijëra dyqane zarzavatesh, mijëra dyqane veshëmbathjesh, mijëra ambiente shërbimesh, deri edhe sallone për masazhe, për larje flokësh me shkumë e me erëra speciale! Në mos me mijëra, me qindra lokale lojërash fati e lokale bastesh! Po ndërtohen fusha sporti, biblioteka. Po ndërtohen pabe e diskoteka, ku grumbullohen me mijëra të rinj. Po ndërtohen shkolla e çerdhe për fëmijët. Po ndërtohen spitale. A thua vetëm Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe nuk iu dashkan shqiptarëvet?! A nuk u duhen shqiptarëvet, apo unë nuk di t’ua mbush mendjen?!“
„Mirë e keq, mjaftueshëm apo pamjaftueshëm, shqiptarët gjithsesi PO NDËRTOJNË. Pse më qenka ëndërr në diell ndërtimi I TEMPUJVET TË KOMBIT?! Pse u quajtka punë e pamundur përdorimi i tullavet dhe i llaçit, për të ndërtuar TEMPUJ TË KOMBIT, që unë kam quajtur FJALËMIRA TË GJUHËS SHQIPE?! Unë nuk kam projektuar reparte ushtarakë, nuk kam projektuar anije lufte, nuk kam projektuar baza raketash, as skuadrilje avionësh pa pilot. Kam projektuar FJALËMIRA, disa ndërtesa hyjnore dhe engjëllore, në të cilat do të predikohej FJALA E MIRË e një kombi të mirë.“
Nuk ia thashë këto shokut tim, sepse ish e kotë. Ai nuk po mund ta bënte as dallimin midis shtetit dhe atdheut, midis popullit dhe kombit, sado që unë po i jepja shembuj mjaft të kuptueshëm: “Qeveria e Shkupit, edhe sikur ajo të jetë më shumë se gjysma shqiptare, nuk mund të caktojë në buxhetin e vet edhe meliorizimin e Myzeqesë. As pyllëzimin e kodravet e malevet në Republikën e Shqipërisë!.. Një parti shqiptare e Shkupit nuk mund të pretendojë të marrë vota në Skrapar. Partitë politike të Republikës së Shqipërisë nuk marrin dot vota në Stamboll e në Izmir.”
Të gjitha këto punë, përfshirë aty edhe plagët gjak të gjakmarrjes në Malësitë tona, edhe të dënuarit tanë të shumtë nëpër burgjet e botës, do të mund t’i zbutte dhe t’i çonte drejt shërimit vetëm PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE.
Shprehja Përkujdesja Gjithshqiptare, me sa duket, i shkaktonte mikut tim alergji. “Ç’është kjo PËRKUJDESJE?!” Më tha. “Fjala PËRKUJDESJE përdoret për paraplegjikët, për të sëmurët, për sakatët!” E përsëriti disa herë këtë, duke synuar që ta dërrmonte përfundimisht platformën time. “Po burri për gruan”, i thashë unë, “a nuk PËRKUJDESET, sado që ajo mund të jetë shëndoshë e mirë?”
Kam rrahur ujë në havan me atë njeri për më shumë se 2 orë dhe, mbas 2 orësh, e kapi me të 2-ja duart platformën time, të fotokopjuar dhe të lidhur në formë libri, ma zgjati dhe më tha: “Merre se nuk më duhet!“
U ndamë keq. Por unë sot e kam shumë më të qartë se dje, që ideja ime nuk është e gabuar. Kam qenë gjithmonë në gjendje dhe jam në gjendje ta korrigjoj vetëveten, sa herë që më shtrohen argumente bindës. Përndryshe, janë të tjerët ata që duhet të korrigjohen.
Gjokë Dabaj – 9 dhjetor 2015