GJOKË DABAJ: UNË PRAPË NUK PO MUND TË HESHT

Durrës, 20 prill 2013 – Nuk janë “Shqipëria dhe Kosova”, siç e titullon librin e vet Prof. Dr. Rexhep Qosja! Janë: “Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës”! Të 2-ja së bashku (dhe pjesë të tjera), janë: SHQIPËRI. Ne nuk na lejohet të joshemi nga komoditeti i të shprehurit. Në rend të parë duhet të vihet SAKTËSIA e të shprehurit, pastaj të shihen: lehtësia, të rënit për shkurt, eleganca apo komoditeti.
Libri i Prof.Dr.Rexhep Qoses është i mbushur me patriotizëm. Nuk kam, me këtë rast, asgjë lidhur me përmbajtjen e librit të Prof.Dr.Rexhep Qoses. E kam fjalën thjeshtë te forma e të shprehurit. Je akademik, zotëri! Të takon të kesh kujdes për çdo nuancë të fjalës tënde! Varet shumë nga mënyra se si e mban flamurin flamurmbajtësi!
Si do të thoshim, kur të flisnim për shqiptarët që bëjnë pjesë në shtetin, përkohësisht të quajtur Ish Republika Jugoslave e Maqedonisë? A do të mund të thoshim: “Shqipëria dhe Maqedonia”? Çfarë përmban semantikisht emërtimi Maqedoni? A mund të përfshihet nën këtë emërtim edhe Shkupi? A gjendet Shkupi në Maqedoni, ndonëse ai është kryeqytet i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë?!

Kur Republikën e Kosovës ta quajmë Kosovë, ku gjendet gjeografikisht Prishtina? A gjendet në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë? Që Prishtina gjendet jashtë Republikës së Shqipërisë, është e qartë. Por a gjendet jashtë Shqipërisë Prishtina?! Ç’është Kosova, në qoftë se nuk është pjesë e Shqipërisë, në kuptimin gjeografik të sajin?! Tërësia nuk mund të bashkërenditet me pjesën e vet.
A do të mund të titullohej një libër: “Shqipëria dhe Fieri”, duke pasur parasysh Qarkun e Fierit?! Ndoshta do të mund të thuhej: “Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qarku i Fierit”, por kurrsesi: “Shqipëria dhe Fieri”.
A mund të themi: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Venedik?! Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë, që gjendej nën sundimin venedikas, por vdiq në Arbëri, jo jashtë Arbërisë. Shtetërisht Lezha nuk bënte pjesë në Principatën e Arbërisë, por gjeografikisht atë nuk mund ta nxirte askush jashtë kufijvet të Arbërisë. As Lezhën, as Shkodrën, as Durrësin. Madje, edhe vetë qeveritarët e Republikës së Venedikut bënin kujdes dhe thoshin: “Zotërimet tanë.” Nuk thoshin: “Venediku”, kur bënin fjalë pë Shkodrën apo për Lezhën.
Për mua, t’i vësh një libri titullin “Shqipëria dhe Kosova” është një copëtim i Shqipërisë së rilindasvet tanë, me vetë gjuhën tonë, me mënyrën tonë të të shprehurit. Kjo nuk na lejohet! Akademikëvet tanë kjo pakujdesi, qoftë edhe shprehi rutinë, nuk u lejohet!
Thoni ç’të doni! Unë nuk mund të pajtohem me një të këtillë terminologji. Dhe duhet ta dini: Unë nuk po flas këtu për dofarë kryesuesish të jangllështë, aksidentalë, forumesh, të cilët po na i shpojnë veshët, ditë për ditë e natë për natë, me një shqipe injorantësh. Po flas për një flamurtar të shqiptarizmit, por edhe flamurtar të demokracisë në mesin e shqiptarëvet: për akademikun, të merituarin Prof.Dr.Rexhep Qosen!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura