(Durrës, 8 shkurt 2012) – Nëse z,Busek do ta kish arsimin e nevojshëm, ai duhej ta dinte me kohë që Kurshumlinë, Prokuplen, Leskovcin, Toplicën, Kosanicën, Pazarin e Ri, që janë toka të Shqipërisë, i ka pushtuar Sërbia në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek.XX… Zotit Busek duhet t’i sqarohet edhe fakti që kufijtë administrative, tani edhe shtetërorë, të Republikës së Kosovës nuk i kemi vënë ne shqiptarët. Ata kufij i kanë vënë, madje tepër padrejtësisht, pushtetarët sllavë, midis të cilëvet vetë sërbët, në kohën e RFS të Jugosllavisë. Po të ishin vënë me drejtësi, ata kufij do të fillonin në Prijepole e Sjenicë e do të përfundonin në derë të Nishit, atje ku është Qele-Kulla.
Ne nuk e dimë sa zë vend dhe sa peshë ka fjala e z.Busek në vendimmarrjen e ndërkombëtarëvet. Por edhe në rrugë të dëgjohen qëndrime të tillë, ne do të ishim të detyruar të ndalemi dhe të bëjmë sqarimet e domosdoshëm. Mitrovica Veriore, bashkë me Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin, janë pjesë të Republikës së Kosovës. Dmth janë pjesë gjeografike të Shqipërisë, ashtu siç është edhe Anamorava pjesë gjeografike e Kosovës e në vazhdim pjesë gjeografike e krejt Shqipërisë. Prandaj do të ishte jashtë çdo logjike të mendohet e aq më shumë të bisedohet për çfarëdo shkëmbimi të një territori shqiptar me një tjetër territor shqiptar. Kjo është baza nga duhet të niset, jo vetëm z.Busek, por kushdo që merr përsipër të flasë për kësofarë “shkëmbimesh” e “trambash” në tokat e shqiptarëvet.
Nëse nuk ndjehet i sigurtë në ato që deklaron, z.Busek do të duhej t’u drejtohej beletristikës dhe dokumentevet në arkiva. Midis shumë dëshmive të tjera, ai do të mund t’i drejtohej psh njërit prej enciklopedistëvet më të mëdhenj të shek. XIX, Sami Frashërit, në veprën e tij Kamus Al-Alam. Në atë vepër, z.Busek do të mund të gjente edhe këtë të dhënë shumë të rëndësishme: “Krahinat e Vranjës, Leskovcit e të Kurshumlisë… janë thjeshtë toka të Shqipërisë.” (I,f.149) Sigurisht, kjo është e vështirë për dikë që nuk e ka arsimin e nevojshëm.
Nëse z,Busek do ta kish arsimin e nevojshëm, ai duhej ta dinte me kohë që Kurshumlinë, Prokuplen, Leskovcin, Toplicën, Kosanicën, Pazarin e Ri, që janë toka të Shqipërisë, i ka pushtuar Sërbia në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Të gjitha këto toka e, vetëkuptohet, edhe Mitrovica, që është më në jug, mbeten gjeografikisht pjesë të Kosovës, gjegjësisht të Shqipërisë, pasi nuk ka asnjë vendim, as kombëtar, as ndërkombëtar, mbi ndryshimin e nocionevet gjeografikë në këto hapësira. Të gjitha vendimet që janë marrë lidhur me këto hapësira, kanë të bëjnë vetëm me ndryshime politiko – shtetërorë, por jo me ndryshimet gjeografikë.
Zotit Busek duhet t’i sqarohet edhe fakti që kufijtë administrative, tani edhe shtetërorë, të Republikës së Kosovës nuk i kemi vënë ne shqiptarët. Ata kufij i kanë vënë, madje tepër padrejtësisht, pushtetarët sllavë, midis të cilëvet vetë sërbët, në kohën e RFS të Jugosllavisë. Po të ishin vënë me drejtësi, ata kufij do të fillonin në Prijepole e Sjenicë e do të përfundonin në derë të Nishit, atje ku është Qele-Kulla.
Megjithatë, ne shqiptarët nuk po kërkojmë që kufijtë shtetërorë të Republikës së Kosovës, pra të njërit prej shtetevet tanë, të shtyhen deri në kufijtë tanë gjeografikë. Kemi varret e të parëvet tanë dhe xhamitë tona të rrënuara, në të gjithë ata vende dhe ende nuk kemi kërkuar as status të veçantë për ata varre e për ata objekte kulturorë e fetarë. Një numër jo i vogël pasardhësish të një pjese të atyre shqiptarëve, shpëtuar gjallë prej mësymjesh asgjësuese sërbe, sot jetojnë në Besianë (Podujevë), në Prishtinë, në Kamenicë, në Ferizaj e deri në Tiranë e në Kavajë. Por ata nuk po kërkojnë për t’u kthyer në vatrat e stërgjyshërvet të vet. Sërbët po kërkojnë! Sërbët po ngrejnë pluhur e zhavorr e po duan t’i rindërlikojnë kufijtë që vetë etërit e tyre i kanë piketuar ashtu siç u ka interesuar atyre. Ne shqiptarët kemi shumë arsye që nuk po kërkojmë rindryshime e riformulime kufijsh, por njëra nga arsyet është edhe kjo: Nuk po duam të krijojmë tensione në këtë gadishull, edhe ashtu të mbingarkuar me primitivizma.
Kur flet për shkëmbim territoresh, z.Busek ndoshta mund të jetë nisur prej aspektit aktual demografik në këta 2 territore. Në Mitrovicën e Veriut, mbasi vetëm vitet e fundit janë përzënë prej andej mbi 12 mijë shqiptarë, mund të thotë ai, shumica e banorëvet janë sërbë. Ndërsa në Anamoravë, shumica e banorëvet janë shqiptarë. (Meqë s’është arritur të dëbohen të gjithë prej andej.) Mirëpo, z.Busek e di që psh në Suboticë, që shtetërisht i takon Sërbisë, jeton një shumicë hungarezësh, kurse në Segedin, që shtetërisht i takon Hungarisë, jeton një shumicë sërbësh. Atëherë, pse të mos kërkojmë shkëmbim territoresh edhe midis Republikës së Humgarisë dhe Republikës së Sërbisë? Në qytetin Temishvar me rrethina jetojnë 3 herë më shumë sërbë se sa në Republikën e Kosovës. Edhe në Zvicër jetojnë sërbë më shumë se në Republikën e Kosovës.
Z.Busek, sigurisht për mungesë informacioni, mund të thotë që sërbët në Zvicër e gjetkë janë imigrantë, ndërsa këta të Mitrovicës Veriore janë vendës. Historikisht vërtetohet krejt ndryshe, duhet t’i themi z.Busek. Sërbët, jo vetëm në Mitrovicë apo në Zubin Potok, por në krejt Ballkanin, në raport me shqiptarët, pasardhës të ilirëvet, janë të ardhur, janë imigrantë. Le që, pothuaj secili sërb i Mitrovicës e di mirë se nga ka ardhur, ai vetë ose të parët e tij.
Ne duhet t’i kujtojmë z.Busek edhe një përvojë tonën shumë tragjike, atë të vitevet 1880-1881 në lidhje me Ulqinin. Në atë kohë ne “u këshilluam” prej Fuqivet të Mëdha të Evropës, që t’i jepnim Malit të Zi Ulqinin, NË KËMBIM me Grudën, Hotin, Plavën dhe Gusinë. Fuqitë e Mëdha e shoqëruan këtë “këshillë” me një kërcënim të madh nga ana e detit. Flota e 6 Fuqivet të Mëdha të Evropës, që demonstroi atëherë përballë Ulqinit, kish në bordin e vet më shumë ushtarë se ç’kish Ulqini banorë. Mos po bëjnë prapë, forca të fshehta atavike të asaj Evrope të atëhershme, të njëjtën punë edhe me Mitrovicën?! Në ato kohëra, ato forca, që s’ishin të fshehta, por të hapura, sepse Evropa e atëhershme nuk ish as përafërsisht demokratike, jo vetëm ia dhanë Ulqinin Malit të Zi, me ndihmën edhe të Perandorisë Osmane, por u kthyen e ia dhanë Malit të Zi edhe Grudën, Hotin, Gusinë e Plavën, që na i kishin premtuar si “territore shkëmbimi”. Mos po luhet prapë e njëjta lojë e forcavet të fshehta të Evropës, forca jodemokratike, që të na i marrin e t’ia falin Sërbit, edhe Mitrovicën, edhe Anamoravën, e ç’të mundin tjetër të zhvatin prej kësaj Kosove të sapokrijuar si shtet?!
Duhet t’ia sqarojmë këto gjëra z.Busek, por duhet edhe vetëvetes t’ia themi me forcë. T’ia themi vetëvetes shumëfish më me forcë se z.Busek!
Postime të Lidhura
LIRIM KRASNIQI: DY PLLAMË LETËR NGA UNIVERSITETI I PRISHTINËS
Prizren, 08. 2014 – Entuziazmi i një të sapodiplomuari në Universitetin e Prishtinës të shtyn ndoshta edhe pavullnetshëm…
ARIF EJUPI: JAHIR BAHTIRI,DO TË KUJTOHET PËRHERË SI EDUKATOR I DALLUAR I SHUMË BREZAVE TË GJIMNAZIT ‘ALEKSANDËR XHUVANI’ TË PODUJEVËS
Gjenevë, 26 shkurt 2020: Pas një sëmundje të shkurtër dje ka ndërruar jetë Jahir Fejzullah Bahtiri,profesor i shumë…
BEHXHET SHALA: KUR ”MINJTË E KANALIZIMEVE“ U SHNDËRRUAN NË PROFETË DHE KËSHILLTARË TË PUSHTETIT!
(Prishtinë – 08 shkurt 2012) – Ata që i shërbyen Titos e që e luftuan shqiptarinë, në mënyrën…
DR.FATMIR TERZIU: DISKURSET E FOTOGRAFISË SË LUFTËS SË KOSOVËS NË SPEKTRIN FILOZOFIK TË NJË LIBRI
Londër, 14. 10. 2014: Libri më i suksesshëm i pas luftës së Kosovës, ndoshta më i veçanti i…