GJOKË DABAJ:INFANTILIZMI NË POLITIKËN SHQIPTARE PASRILINDASE

Durrës, 12 prill 2013 – Infantilizmi është një sëmundje patologjike, e cila e ndërpret zhvillimin e fëmijës, si në pikëpamje fizike, ashtu edhe në pikëpamje mendore. Një fëmijë i prekur nga kjo sëmundje e rëndë, mbetet edhe në moshën madhore i pazhvilluar, si fizikisht ashtu edhe psikikisht, mbetet foshnjarak, mbetet fëmijëror gjithë jetën. Vaj halli, kur dikush përfshihet nga një e tillë sëmundje, e frikshme dhe lemerisht shëmtuese!
Por, kur POLITIKA E NJË KOMBI sëmuret nga infantilizmi, llahtaria shumëfishohet me miliona herë. Për fat të keq, pikërisht një e tillë sëmundje e ka prekur Kombin tonë, e pakta, prej mbarimit të Rilindjes e këndej.
Unë po marr vetëm disa shembuj dhe besoj se do të jenë të mjaftueshëm për t’u bindur secili prej nesh që POLITIKA jonë vërtet ka vuajtur dhe vuan prej kësaj sëmundjeje, në formën e saj më të shëmtuar.
Më 25 gusht të vitit 1928, Asambleja Kushtetuese e Rep. së Shqipërisë “e shpalli Shqipërinë mbretëri dhe Ahmet Zogun mbret të shqiptarëvet, me emrin Zogu i Parë.” (Historia e popullit shqiptar, për shkollat e mesme, Tr. 1995, f.179-180. Në vazhdim, i njëjti libër, shënohet vetëm faqja.)
Sapo të kemi lexuar shprehjen “e shpalli Shqipërinë”, na lind pyetja: “A kishin: Mitrovica, Presheva, Kumanova, Manastiri, Janina, Arta, Preveza, Ulqini dhe Plava, përfaqësues në atë Asamble? Jo. Atëherë, si mund të thuhet: “e shpalli Shqipërinë”, pa qenë kalama nga mendja, pa qenë ajo Asamble infantile? Shprehja tjetër: “Ahmet Zogu, mbret i shqiptarëve”, nënkupton që, ky mbret i ri ishte mbret edhe i banorëvet, ta zëmë, të Shkupit dhe të Gjakovës. A kish ajo Asamble fuqi ligjore për ta shpallur Ahmet Zogun mbret të shkupianëvet dhe të gjakovarëvet?!

Të kuptohemi: Nuk po pozicionohemi tani kundër të shpallurit mbret, por po ngulim këmbë kategorikisht kundër të shprehurit jo të saktë. Shqiptarë ishin, shqipen e dinin, le t’i gjenin shprehjet e duhura!
Më 8 nëntor 1941, u krijua në Tiranë Partia Komuniste Shqiptare. Me programin e asaj Partie “u shpall se ajo do të përpiqej për bashkimin e mbarë shqiptarëve, pa dallim feje, krahine e ideje… kundër pushtetit fashist.” (f.199)
Shprehja “për bashkimin e mbarë shqiptarëve” na shtyn të mendojmë: “A krijoi ajo Parti celulat e veta, ta zëmë, në Filat, në Kërçovë apo në Tuz?” Jo. Atëherë, si guxon ajo Parti të thotë: “për bashkimin e të gjithë shqiptarëve”? Sepse ajo Parti është infantile në mënyrën e të menduarit. Enver Hoxha, madje, e ka deklaruar vetë: “Bëmë mirë që nuk krijuam një parti, ku të përfshihej edhe Kosova.” Unë mendoj që pikërisht ky ka qenë një prej gabimeve kryesorë të Enver Hoxhës. Sidoqoftë, kjo ishte puna e tij. Por pse të thotë “për bashkimin e të gjithë shqiptarëve”?!
Ushtrinë që krijoi Enver Hoxha, e quajti “Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare”. Por, me qenë se quhej ashtu, a nuk duhej që ajo Ushtri t’i çlironte NACIONALISHT, ta zëmë, edhe shqiptarët e Tivarit e të Medvegjës? Pa qenë i sëmurë rëndë nga infantilizmi, askush nuk do të mund ta quante veten NACIONALÇLIRIMTAR, pa e pasur as ndërmend një çlirim të mirëfilltë e të tejpërtejshëm NACIONAL.
Në procesverbalin e Konferencës së Pezës, në të cilën merrnin pjesë përfaqësues vetëm nga 1/3 (një e treta) e Shqipërisë, thuhet kështu: “Rroftë Shqipëria e lirë, e pandashme… dhe demokratike!” (f.201)
Shprehja “Shqipëria… e pandashme” nuk nënkupton mosndarjen e Shqipërisë, por nënkupton mosndarjen e asaj pjese të Shqipërisë, që mezi e kish lejuar të ekzistojë si shtet Konferenca e Londrës më 22 mars 1913. (f.144). Konferenca e Pezës, as që e ka shtruar problemin e çlirimit të Shqipërisë. Ajo ka diskutuar dhe ka marrë vendime vetëm për 1/3 (një të tretën e Shqipërisë). Atëherë, përse e ka përdorur shprehjen “Shqipëria… E PANDASHME”?! E ka përdorur atë shprehje, sepse Konferenca e Londrës nuk ka copëtuar vetëm Shqipërinë. Konferenca e Londrës ka copëtuar e sakatosur edhe shpirtin e shqiptarit.
Në Dekalogun e Ballit Kombëtar, në pikën 2, thuhet: “Luftojmë për një Shqipni të lirë, etnike, demokratike, me baza shoqnore moderne.” (f.201)
Shprehja “Luftojmë për një Shqipni etnike” është një shprehje e kthjellët dhe e saktë, si në kuptimin semantik, ashtu edhe në kuptimin formal gjuhësor. Por, po t’i lexosh më tutje të 9 pikat e tjera të Dekalogut, atje nuk gjen asgjë, ose thuajse asgjë, nga ato që thuhen në pikën 2. Në të 9 pikat e tjera ka më shumë çështje sociale, sesa etnike. Aq infantil është ai dokument me emrin Dekalog, sa aty as që përmenden Kosova apo Çamëria, le më të parashtrohet program për çlirimin e tyre. Edhe fjala LUFTOJMË, aty s’është veçse një fjalë që e përdorin ca burra 50-vjeçarë, mbetur foshnja përjetë. Është përdorur 10 herë, në krye të çdo pike, pa e përcaktuar asnjëherë ç’kuptohet mirëfilli me këtë fjalë: A ka kuptimin e thjeshtë dhe të zbehtë: përpiqemi, apo përfshihet aty edhe kuptimi bazë: përdorimi i armëvet. Është përdorur folja me luftue (luftojmë), në të 10 pikat e Dekalogut, por asnjëherë nuk është thënë se kundër kujt konkretisht: A kundër italianëvet? A kundër grekëvet? A kundër sërbëvet? Nuk janë cilësuar me emër asnjëri prej pushtuesvet. Kur ke një të tillë Dekalog përpara, merret me mend se si mund të jetë organizuar ajo “luftë” dhe del shumë qartë, pse nuk u fitua ajo “luftë”. Dmth pse nuk u realizua as përafërsisht pika e bukur 2: SHQIPËRIA ETNIKE.
Edhe në procesverbalin e Mbledhjes së Mukjes është përdorur shprehja “për një Shqipëri etnike” (f.204)
Por, kush do ta realizonte atë “Shqipëri etnike”? Kush do të vihej në krye të asaj pune? A kish farë marrëveshjeje, apo miratimi, apo përfaqësimi, nga qytete të rëndësishëm të Shqipërisë, siç ishin: Prizreni, Shkupi, Peja? Kush mund ta merrte për bazë Mukjen “për një Shqipëri etnike”, kur aty s’kishin përfaqësues as 1/5 (një e pesta) e asaj Shqipërie?!
Më 16 shtator 1943 u mbajt në Prizren Kuvendi për themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në atë Kuvend morën pjesë, siç thuhet, përfaqësues nga Kosova, Dibra, Struga, Tuzi, Ulqini. (f.207)
Pyetja shtrohet: A morën pjesë përfaqësues nga Shkodra, Tirana e Vlora? Jo. Atëherë, ç’Lidhje mund të quhet ajo, përveçse një lidhje burrash të mbetur përjetësisht në nivel fëmijësh, e cila e fyen rëndë Lidhjen Shqiptare, famëmadhe, të Prizrenit, atë të vitit 1878?!
Më 21 nëntor 1943, zogistët mbajtën në Zall-Herr të Tiranës KONGRESIN e tyre. Në programin e tyre, ata parashikonin: “Luftë kundër pushtuesit për çlirimin e Shqipërisë dhe për formimin e një shteti shqiptar me të drejtat e tija ETNIKE.” (F.208)
A kish në atë KONGRES përfaqësues, ta zëmë, nga Tetova, Ulqini, apo Margëlliçi? Jo. Atëherë, për çfarë çlirimi TË SHQIPËRISË mund të pretendonte ai KONGRES? Për ç’të drejta ETNIKE mund të luftonin ata zogistë?!
Në datat 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944, në Bujan të Tropojës mbahet Konferenca e Bujanit. (f.210)
Mbahet ajo Konferencë, por nuk merr pjesë askush, as nga Tirana, as nga Korça, madje as nga Kukësi. Dhe, mirë që ka guximin, një Konferencë e tillë, të shprehë “dëshirën e zjarrtë për bashkim me Shqipërinë”, por kush ia vë veshin?! (f.211) Atë e asgjësoi me një të lëvizur të lapsit një AVNOJ, krejt i huaj, mbajtur diku në Malet e Bosnjës. E rrëzoi infantilizmi, jo AVNOJI!
Shëtitëm gjithandej nëpër histori, gjithkund gjetëm fjalën e madhe SHQIPËRI, të përdorur prej njerëzish dëshirëmirë, por, mjerisht, të paarrirë. Prej njerëzish pa koncepte të qartë, as logjikisht, as gjuhësisht, e le më organizativisht apo strategjikisht. Me të tillë politikanë, kulturalisht foshnjorë, nuk na mbetet aspak të çuditemi, pse nuk është arritur më shumë.
Dhe nuk na mbetet as të shpresojmë më shumë, nëse nuk shërohemi njëherë e mirë prej këtij të tmerrshmit infantilizëm, në radhë të parë logjik e gjuhësor, dhe vetëm pastaj: praktik, organizativ, taktik etj etj! Asgjë nuk mund të arrihet, pa e pasur të qartë idenë dhe pa e THËNË qartë atë ide.
Thotë gazetari: “Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë.” A nuk mund të thotë, ky i uruar gazetar: “Sali Berisha, kryeministër i Republikës së Shqipërisë”?! Sepse, duke thënë, thjeshtë e pa u menduar: “kryeministër i Shqipërisë”, gazetari ynë, ose ia zvogëlon tragjikisht kufijtë gjeografikë Atdheut të vet, ose ia rrit artificialisht kompetencat kryeministrit, apo cilitdo personalitet tjetër, të Rep.së Shqipërisë. Rrjedhimisht, a nuk është, edhe ky gazetar, një i sëmurë keq nga INFANTILIZMI, nga të mbeturit kalama gjithë jetën, në pikëpamje kombëtare e ç’të duash tjetër?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura