GJOKË DABAJ:S’ËSHTË ZOR I MADH TË VIHET RREGULL NË DREJTËSI

Durrës, 05. 12. 2103 – Jo vetëm në drejtësi, por kudo, nuk është zor të vësh rregull. Zor është të DUASH për të vënë rregull. Thonë se një familjeje po ia hante ujku bagëtitë. U rrit djali dhe i tha të jatit: “O tatë! A të shkoj ta vras atë ujk, se na e shfarosi gjënë e gjallë?!” I jati ia rrëmbeu pushkën nga dora dhe i tha: “Or budallë! A nuk di unë me e vra ujkun?!” Plaku vdiq. Ngordhi edhe ujku e u zëvendësua me ujqër të tjerë. U plak edhe i biri i ish-plakut, dhe i erdhi koha për të vdekur. I erdhi koha për të vdekur, por s’e mori vesh kurrë pse i jati nuk donte me e vra ujkun.
Sidoqoftë, unë po e parashtroj këtu një mënyrë se si do të mund të rregullohej sistemi gjyqësor, nëse parlamenti do të dëshironte për ta rregulluar.
Pala e pakënaqur, pala e diskriminuar në gjyqin e shkallës së parë, do të ish e thirrur, madje e detyruar të padisë në gjykatën e shkallës së dytë, jo vetëm palën kundërshtare, por edhe gjykatësin e shkallës së parë.
Në gjykimin e shkallës së dytë duhet të ketë ligje, jo vetëm për të vënë në vend gjykimin e shtrembër të gjykatësit të nënrenduar, por edhe për ta dënuar me gjobë apo me burg gjykatësin përkatës. Pse duhet të dënohet, madje sa më rëndë, gjykatësi i shkallës së nënrenduar?! Sepse çdo gjykatës e ka shkollën përkatëse, i ka ligjet dhe kodet përmbi tavolinë, e ka krejt literaturën gjyqësore në dispozicion dhe e ka atë PESHOREN, simbolin e moralit gjyqësor ditë e natë përpara syvet. Pse të mos gjykoJë ashtu si duhet?! Ka vetëm 1 përgjigje: sepse dëshiron t’I shkelë parimet e drejtësisë.

 Është fare e thjeshtë për t’u kuptuar. Gjykatësi është bërë palë me keqbërësin, pra, është kthyer edhe vetë në keqbërës. Si është e mundur t’i ketë shpëtuar sistemit juridik kjo e vërtetë kaq ashiqare?! I ka shpëtuar sistemit juridik kjo e vërtetë, sepse nuk ka DASHUR ta shikojë!
Kur një shkallë e dytë e sistemit gjyqësor nuk e zgjidh në mënyrë të kënaqshme një çështje, ajo çështje i paraqitet shkallës së tretë. I paraqitet shkallës së tretë, por me kusht që shkalla e tretë të ketë për të gjykuar 3 fajtorë: palën e paditur fillimisht, gjykatësin e shkallës së parë dhe gjykatësin e shkallës së dytë. Le të shkojnë që të 3 në burg!
A do të ndodhnin, përballë një të këtillë sistemi gjyqësor, gjykime të shtrembër, ryshfete, makinacione, dallavere, sekserë e skandale? Do të ndodhnin, por aq pak, sa populli nuk do të ndjehej më… i terrorizuar. Përkundrazi, populli do të ndjehej i inkurajuar dhe, fare normalisht, do të fillonte t’i besonte tempullit të drejtësisë. Do të fillonte t’i besonte, më në fund, asaj PESHOREJE, me të cilën aq shumë na është mburrur ky i uruar tempull, ndër shekuj.
Kjo do të ishte detyra më e ngutshme e një parlamenti, përndryshe, edhe ne do të vdisnim pa e kuptuar kurrë pse plaku nuk donte ta vriste ujkun. Ose, do të ishim përjetësisht të detyruar të bëjmë sikur nuk e kuptojmë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura