GJUHA JONË

GJUHA JONË

Nga Ndriçim Kulla, Tiranë 26 shtator 2021

“Historia që ka një farë rëndësie në jetën e një kombi”, shkruan Jahonnet, “nuk është historia që përbën tërësinë e së djeshmes, por ajo histori që është prodhim i ëndrrave të së tashmes”.

Në këtë kuptim, ata që e marrin historinë si një burim plot fuqi dhe vlerë të jetës kombëtare, duhet t’i nënshtrohen të paktën faktit se dijet tona historike i shtrohen kurdoherë një relativiteti kombëtar.

Historia ka treguar mjaft raste kur popujt që duan të justifikojnë pushtimet e tyre, iu drejtohen ndodhive të caktuara, në një kohë kur e vërteta historike është krejt e kundërta. P. sh. kur francezët pushtonin rrethinat e Rinit, rikujtonin kryengritjen frënge; gjermanët që të merrnin Rigën menduan kalorësit teutonë. Fqinjët tanë grekë, për hir të historisë së largët bizantine, gjatë luftës me Turqinë e derdhën gjakun lumë për të hyrë në Stamboll; kurse serbët, luftën e Fushës së Kosovës të rreth 700 vjetëve më parë e konsiderojnë ende si “flamurin e legjitimitetit” për të mbajtur nën kontroll Kosovën e sotme, tashmë të pavarur dhe shtet më vete.

Për të gjitha këto sofizma historike do ia vlente të përmendnin një vërejtje të famshme të Gëtes kur thotë: “E shkuara për ne është si një libër i vulosur me shtatë vula. Ajo gjë që ju e quani shpirt të kohëve të shkuara, është vetëm shpirti i historiografëve që i menduan ato kohëra. Një histori e tillë i ngjan atij dyqani që shet gjëra të vjetra. Më e shumta që gjen aty janë disa kukulla që shpërhapin disa teori dhe fjalë të fryra, me një ton që e tepron dhe me një qëndrim që rëndon shumë”.

Atëherë, pas gjithë saktësimit dhe kuptimit të domethënies së termave, çdo të nënkuptonim vallë me karakter apo identitet kombëtar. Në përgjithësi, jetën estetike, kulturore, juridike dhe filozofike të një populli që përbën shfaqjet e ndryshme të këtij karakteri. Kurse, në veçanti spikasin tre elementë:

– Një karakter që nuk varet nga ulje-ngritjet që i dikton historia;

– Një karakter që krijon dhe shpjegon gjithë jetën historike, ekonomike, morale e lëndore të një populli;

– Një karakter që të shfaqet si një pikë e veçantë dalluese me kombet e tjerë.

Po nëse do të shikonim historinë shqiptare, si do dëftohej evolucioni i karakterit tonë kombëtar?

Më tepër nga të gjithë popujt e tjerë të botës, ne shqiptarët jemi ai popull që ka si bazë të veçantë, e mbase të vetme të bashkimit të tij kombëtar, gjuhën. Një shqiptar, jo vetëm që e quan, por në një kohë e sipër edhe e ndjen atë si të vetmin burim të qenies së vet ndaj populli shqiptar, në të gjitha trojet ku ai rron paraqet sot pamjen dhe karakterin e një qënieje gjuhësore. Gjuha është mbase vegla më e mirë e nacionalizmit. Ashtu siç idealizmi ynë nuk mund të gjejë vegël tjetër më të përshtatshme dhe më të goditur për ta përdorur në përmbushjen e qëllimeve të veta, sesa gjuhën.

Në qoftë se shteti shqiptar u themelua ditën kur bota politike e Evropës njohu pavarësinë e Shqipërisë, kombi shqiptar u themelua ditën që u vendos dhe u shtyp Abetarja shqipe. Po kështu dhe ndërgjegja kombëtare e popullit tonë, që u shfaq kryesisht me anë të gjuhës, do të realizohet plotësisht vetëm atëherë kur intelektualët e brezit të sotëm dhe të nesërm do të dëftohen të zot që të krijojnë “periudhën e lulëzimit letrar dhe emancipimit filozofiko-shkencor të botës shqiptare”.

Mënyra më e sigurt për të hyrë në qytetërimin evropian është fillimisht pasurimi i gjuhës me të gjitha fjalët që shprehin terminologjinë shkencore, kulturore, kuptimet filozofike, format letrare dhe ndjenjat politike të këtij qytetërimi. Dhe, vetëm një mënyrë ka që ta bëjnë tonën këtë pasuri të domosdoshme: të shqipërojmë shkrimtarët dhe poetët më të zgjedhur dhe veprat më të mira filozofike dhe shkencore botërore. Ndaj edhe përpjekja jonë kulturore është e detyruar të ndjekë këto dy rrugëtime paralele: drejt popullit dhe drejt Perëndimit. Sa më shumë shpirt dhe hije të marrë literatura jonë nga modelet më të gjallë të kulturës sonë të pashtershme popullore dhe dialektikore, aq më shumë e aq më mirë do të realizohet edhe vetë kulturëzimi i botës së saj.

Modeli i dytë kah të cilit duhet të priremi është literature botërore klasike, pasi për një “bibliotekë” kombëtare përkthimesh si kjo e jona, që gjendet akoma në nisje e sipër, nuk ka shembull më të mirë emancipues dhe formues se sa kryeveprat klasike, qofshin këto të letërsisë por sidomos të fushave të ndryshme shkencore e humane (filozofi, psikologji, sociologji etj. Gjendet pikërisht në këtë proporcion të zhdrejtë midis këtyre dy lloj literaturave, në dëm të klasikëve të shkencave humane, pika më e dobët e zhvillimit emancipues që duhej të kishte kryer përpjekja jonë kulturore dhe iluministe. Është e pamundur që ajo të ecë në rrugën e duhur dhe të shtrihet në fushat e modernizimit, siç ka ndodhur shpesh në ditët tona, pa gëlltitur mirë e mirë çdo “pikë të verës së thjeshtë të estetizmit klasik”. Aq më tepër që kombet si yni, kanë shumë nevojë për një literaturë të tillë.

Roli ndikues i gjuhës si një truall i jetës sonë shoqërore, mund të na japë mjaftë dritë edhe për të shpjeguar një dallim tjetër mjaft të rëndësishëm, atë midis kulturës dhe qytetërimit. Madje mund të thuhet se provën e parë të kulturës e shohim tek fjalët e gjuhës, kurse termat e rinj që sajon gjuha e një kombi shfaqin provën e parë të qytetërimit. Fjalët janë institucione shoqërore, kurse termat e rinj instalime individuale, ndaj fuqia e përhapjes së tyre varet shumë nga ajo anë e fshehtë, nga ajo rrymë e padukshme e shoqërisë për ti kuptuar dhe bërë ato të tyren.

Jo më kot shkruante Branko Merxhani se përkthimi është hyrja jonë në qytetërim. Sa rëndësi pati për historinë statike të Shqipërisë pranimi i alfabetit latin, po aq rëndësi, në mos akoma dhe më të madhe, ka fillimi dhe zhvillimi cilësor i përpjekjes së përkthimeve të shqipes me literaturën klasike të Perëndimit, për evoluimin ideologjiko-dinamik të kombit tonë.

Që të zhvillohet një jetë kombëtare, është i domosdoshëm, pra, një bashkëveprim i ngushtë mes kulturës dhe qytetërimit. Veçse ka një ndryshim të madh midis karakterit kombëtar të energjive përgjithësisht ekonomike dhe karakterit kombëtar të institucioneve estetike, filozofike, shkencore dhe letrare. Për një komb ekonomia është vetëm një mjet, kurse e bukura, e drejta dhe e vërteta është një qëllim. Vetëm se është kurdoherë e mundur që qëllimet e ndryshme të realizohen duke përdorur po ato mjete. Për këtë arsye, mjetet, veglat dhe sistemet mund të jenë të përbashkëta midis kombeve, dhe një gjë të tillë na e jep Qytetërimi. Pasi ky i fundit zotëron në vetvete një sistem të veçantë, një logjikë, një estetikë dhe një kujtim të tij të jetës.

Kulturën e ka populli, të diturit kanë vetëm qytetërimin, metodën dhe vullnetin. Ndaj, për të fituar një ndërgjegje të fortë kombëtare, nëpërmjet forcimit të këtij bashkëpunimi, qëllimi i rrugëtimit të intelektualitetit shqiptar “në udhën që të shpie drejt popullit” duhet të jetë i dyfishtë: të marrë prej tij një edukatë kulturore dhe ti mësojë atij qytetërimin. Vërtet nacionalizmi është një ide, një fuqi dhe një lidhje morale, por edhe qytetërimi nga ana tjetër duhet trajtuar si një fe, që kërkon para së gjithash besë dhe përkushtim shpirtëror. Këtu qëndron çelësi i përmbushjes së brendësimit në shpirtin e kombit të një ndjenje të qëndrueshme kombëtare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura