GLAUK KONJUFCA: DEPUTETË…, SOT DO TË VENDOSNI NËSE DO TË JENI APO NUK DO TË JENI SIKUR HYSAMEDIN AZEMI!

Pashtriku.org, 27. 06. 2013 – (Fjala e Glauk Konjufcës në seancën e sotme parlamentare) – Në vitin 1989 pikërisht në këtë objekt ku jemi ne, pikërisht këtu ku jeni të ulur ju, ishin ulur deputetët e Kosovës, të cilët i thoshin vetes përfaqësues të popullit. Edhe atëherë shumica mendonin se ata përnjëmend i përfaqësojnë interesat e Kosovës.
Por kur erdhi puna që vërtet të mbrohet interesi i Kosovës kundër qëllimit të Serbisë për ta anuluar autonominë e Kosovës, secili e tregoi vetveten se a është me popullin apo kundër tij.
Se a është me Kosovën, apo kundër interesave të saj.
Dhe e dimë të gjithë se çfarë ndodhi.
Shumica e deputetëve pat votuar sipas interesit të Serbisë dhe Millosheviqit.
Dhe ky vendim a e dini si kualifikohej: ‘shumicë demokratike’.
Sot, të nderuara zonja dhe zotërinj, sfida është po e njëjta, ndonëse në formë tjetër:
Ta votojmë një marrëveshje që i mbron interesat e Serbisë, apo të mos e pranojmë realitetin e imponuar kriminal që e ka ndërtuar Serbia në Kosovë me dhunë, shpërngulje e dëbime, vrasje e krime, barrikada e kontrabandë.

Sot po vendosim se për çka do të përcaktohemi si shtet.
Prandaj sot është një ditë vendimtare për çdo deputet.
Ne edhe sot e kësaj dite kur e sjellim në mendje vitin 1989 me krenari i kujtojmë nja 7-8 deputetë të cilët e patën guximin në atë kohë të vështirë për t’i dalë kundër një Jugosllavie të madhe e të fuqishme.
Por me urrejtje të madhe i mbajmë mend ata që e ulën kokën, dhe paturpësisht u rreshtuan në anën e kundërt të popullit liridashës të Kosovës.
Dikush e bëri sepse kështu i thanë ‘instancat e larta’ dhe ‘faktorët vendimmarrës’, e dikush sepse frikësohej se kështu mund ta humbte karrigen e deputetit.
Por, shkurt e shqip, secili që u dorëzua bëri kështu vetëm sepse i vendosi interesat e ngushta personale përpara atdheut.
Sot ju do ta vërtetoni se kujt i ngjani më shumë dhe se me vendimin tuaj do ta vulosni vendin tuaj që do ta keni në mbamendjen kolektive kombëtare.
Sepse do të vendosni nëse do të jeni apo nuk do të jeni sikur Hysamedin Azemi.
Po ashtu sot do të vendosni edhe se çka do t’iu pyesin fëmijët apo nipat tuaj, pas disa vitesh.
Nëse kjo marrëveshje që po ia legalizon Serbisë pushtetin në veri, do ta çojë procesin drejt shkëputjes më të madhe të kësaj pjese nga Kosova;
Nëse kjo marrëveshje do t’i krijojë kushtet e pafavorshme për shtrirjen e sovranitetit tonë, dhe do ta çojë veriun drejt ndarjes;
Dhe, në fund, nëse kjo marrëveshje një ditë do t’i bind faktorët ndërkombëtarë se autonomia e veriut është e paqëndrueshme, prandaj veriu mund t’i bashkohet Serbisë.
A thua në atë moment si do ta ndjenit veten.
Çka do t’iu thoshit fëmijëve tuaj.
Pse e votuat këtë marrëveshje?
Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Kjo marrëveshje e cila sot është hedhur për ratifikim nga ana e Qeverisë, e përcakton fatin e shtetndërtimit të Kosovës për 20-30 vitet e ardhshme.
Nëse deri në këtë çast Kosova ka të drejtë legjitime që ta zbatojë Kushtetutën e vet edhe në veri, duke e imponuar me institucionet e shtetit sovranitetin e Republikës, po që se ratifikohet kjo marrëveshje kjo gjë bëhet e pamundur.
Sepse për çdo veprim në veri duhet të pyetet Serbia.
Prandaj rruga e veprimeve të Qeverisë në veri kalon nëpër Beograd.
Përderisa para se të ratifikohet kjo marrëveshje, kemi të drejtë ta arrestojmë Zvonko Veselinoviqin, pas kësaj marrëveshje, jo që nuk mund ta bëjmë këtë punë, por vjen e na bëhet komandant i policisë, shoku i tij, Nenad Gjuriqi.
Aq i etshëm është kryeministri Thaçi për m’i ndreqë punët me Serbinë antishqiptare të Daçiqit, saqë e ka dhënë vizën për emërimin e Gjuriqit ende pa u ratifikuar marrëveshja.
Kjo është e tmerrshme.
Tash shtrohet pyetja – a e ka pasë mirë Qeveria kur e ka suspenduar Gjuriqin, atëherë kur i ka zbatuar urdhrat e Vulinit, apo tash kur po e emëron komandant të policisë për veri?
Shiheni se çfarë dorëzimi i Qeverisë dhe çfarë fitore e Serbisë është kjo:
Dy herë suspendohet polici i Policisë së Republikës së Kosovës që veproi kundër interesave të shtetit tonë, kurse tash pas negociatave ai të kthehet me post edhe ma të lartë, të kthehet si komandant i rajonit të Asociacionit, i propozuar dhe i mbështetur nga Serbia.
Unë nuk e di, zonja dhe zotërinj, qysh duket ndryshe dorëzimi para Serbisë.
Para dy viteve kur ia patën filluar negociatat, ne patëm paralajmëruar se janë dy rrugë për Kosovën, kurse ne ndodhemi në udhëkryq.
Rruga e sovranitetit dhe ajo e negociatave.
Rruga e sovranitetit është rruga e Enver Zymberit.
Rruga e negociatave është ajo e Nenad Gjuriqit.
Qeveria është përcaktuar për këtë të fundit.
Kryeministri Thaçi e ka zgjedhë rrugën e forcimin të pushtetit politik personal duke paguar me kartelën e shtetësisë së Kosovës.
Prandaj mos e votoni këtë marrëveshje të dëmshme dhe antikombëtare.
Prishtinë, 27 qershor 2013
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

================================

– Fjala e Albulena Haxhiut në seancën e sotme parlamentare – 

Nuk ka më asnjë fije dyshimi që Marrëveshja Thaçi-Daçiç është tejet e dëmshme për vendin dhe qytetarët, andaj në asnjë mënyrë nuk guxojmë të lejojmë që ky Kuvend të ratifikojë një marrëveshje aq të dëmshme dhe antikushtetuese, e cila e cenon sovranitetin dhe integritetin territorial.
Rekomandimi i Komisionit për Legjislacion që na është sjellë sot, tregon joseriozitetin dhe papërgjegjësinë e këtij komisioni, pasi që ky komision sipas Kushtetutës dhe Rregullores së punës, është përgjegjës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së projektligjeve, të vlerësojë pikë për pikë secilin akt që vjen pranë tij, mirëpo ajo se çfarë ndodhi është se anëtarët e këtij komisioni qëllimisht mbyllën sytë karshi këtyre shkeljeve flagrante të Kushtetutës.
Për më tepër e kundërshtuan propozimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për vlerësimin paraprak të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese.
Në rekomandimin e propozuar nga Komisioni për Legjislacion janë të parapara 3 amendamente, që kanë të bëjnë me heqjen e planit të zbatimit nga ky projektligj.
Mirëpo heqja e planit të zbatimit nga projektligji nuk e zbeh thelbin e kësaj marrëveshje të dëmshme.
Plani i zbatimit rrjedh nga Marrëveshja, dhe si i tillë është reflektim i çështjeve të dakorduara në marrëveshje. Çdo plan zbatimi që do të rridhte prej tekstit të kësaj marrëveshje do të ishte njëjtë i dëmshëm.
Pra miratimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes edhe pa planin e zbatimit nuk na shpëton nga dëmet dhe antikushtetueshmëria e saj. Problemi zanafillor është vetë marrëveshja, ajo në princip na e shpërfytyron shtetin e na pamundëson të ardhmen e sovranitetit.
Janë të paktën 5 çështje antikushtetuese të cilat do ti përmend me radhë:
Fillimisht krijimi i fondit zhvillimor për veriun i ndarë nga Buxheti i shtetit bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ligji për financat publike dhe përgjegjësit është hartuar në frymën e nenit 1 paragrafi 1 të Kushtetutës i cili ndër të tjera thotë që, Republika e Kosovës është shtet unik, pra kjo nënkupton që edhe sistemi financiar duhet të jetë unitar.
Krijimi i këtij Fondi në parim bie në ndesh edhe me nenin 120 paragrafin 1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kjo ngase, sipas kësaj dispozite, janë të parapara në mënyrë strikte parimet mbi të cilat menaxhohen financat publike, e këto parime përkojnë me llogaridhënie, efektshmërinë dhe transparencë.
E gjithë kjo garantohet sipas parimit ligjor të centralizimit të mjeteve financiare që rregullohen me ligj të veçantë mbi buxhetin.
Në këtë mënyrë, duke iu referuar edhe Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, Fondi i Veriut bie ndesh edhe me nenin 17 paragrafët 1 dhe 2, sepse këto mjete nuk kalojnë procedurën e miratimit dhe projektimit buxhetor dhe kështu vjen deri te shkelja e parimit kushtetues të efektshmërisë dhe transparencës, si dhe nenin 18 paragrafin 1 i cili parasheh një Llogari të Vetme në të cilën menaxhohen mjetet financiare të Buxhetit të Kosovës.
2. Themelimi i Asociacionit të Komunave serbe të Kosovës, shkel rregullimin e brendshëm të Republikës tonë.
Duke u nisur nga koncepti kushtetues i shprehur në nenin 1 paragrafi 1 të Kushtetutës, në të cilin theksohet se “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, pra edhe themelimi i asociacionit me kompetencat e parapara në marrëveshje bie ndesh me këtë dispozitë.
Kjo gjithashtu bie ndesh edhe me nenin 123 par 1 të Kushtetutës dhe nenin 124 të saj.
Sepse fryma e rregullimit duhen të jenë interesat e përbashkëta të komunave, por këto interesa nuk mund të merren parasysh vetëm për një komunitet etnik dhe e gjithë kjo të jetë në dëm të një grupi tjetër etnik.
Këtij Asociacioni po i jepen kompetenca të tilla që konstituojnë një trup politik me organizim institucional të ndryshëm nga pjesa tjetër e Kosovës.
Ky asociacion do ta ketë Presidentin, zv.Presidentin, Kuvendin dhe Këshillin, pra po krijohet një strukturë paralele në nivel shtetërorë.
Ky asociacion përveç krijimit të tij ka të drejtën edhe për zgjerim, i instalohet e drejta e vetos për shpërbërje, pra Presidenti mund ta shpërbëjë Kuvendin por jo edhe këtë asociacion. Edhe Kryeministri e shpërbën Qeverinë përmes dorëheqjes por jo edhe këtë asociacion sepse i njëjti shkarkohet me 2/3 e anëtarëve të këtij asociacioni e që kjo nuk do të ndodh asnjëherë.
Për më tepër nuk dihet se në bazë të cilave ligje do të funksionojë ky asociacion, meqë në Marrëveshjen Kosovë-Serbi, përmendet ligji kushtetues, pra sistemi jonë kushtetues është sistem i kodifikuar, ndërsa në anën tjetër Serbia e ka sistemin partikular ku krahas Kushtetutës së saj, organi ligjvënës mund të nxjerrë edhe ligjin kushtetues.
Pra kjo nënkupton që ai Asociacion do të zbatojë dhe do të veprojë në bazë të ligjit kushtetues të nxjerrë nga Serbia!!
Më tej pikat 7,8,9 të marrëveshjes kanë të bëjnë me Strukturat e sigurisë –
Inkuadrimi i strukturave paralele të sigurisë tërheq pas vete një sërë çështjesh që krijojnë rrethanë me të cilin vije deri tek kundërkushtetutshmëria e kësaj marrëveshjeje.
Në bazë të nenit 125 paragrafi 1 të Kushtetutës, theksohet se: “Republika e Kosovës ka pushtet mbi zbatimin e ligjit, sigurinë, drejtësinë, sigurinë publike, inteligjencën, organet civile emergjente dhe mbi kontrollin e kufijve në territorin e vet.” Në anën tjetër, sipas paragrafit 2 të po këtij neni të Kushtetutës ceket se “Institucionet e Sigurisë duhet të pasqyrojnë shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës.”
Pra përfshirja e strukturave paralele është në kundërshtim me këto dispozita, ngase si të tilla ato nuk pasqyrojnë shumëllojshmërinë etnike, por, krijohen pikërisht për strukturimin e një përkatësie etnike, gjë që më së miri shprehet në pikën lidhur me përzgjedhjen e komandantit të Asociacionit, për të cilin është paragjykuar përkatësia etnike e tij.
NENADI
Kjo marrëveshje po i legalizon strukturat kriminale të Serbisë dhe amniston bartësit e institucioneve antikushtetuese e të paligjshme të përfaqësuesve të Beogradit që veprojnë në Kosovë.
Zotimi i Hajredin Kuçit në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë për efektet juridiko-praktike në lidhje me institutin e Amnistisë, është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në kompetencat e sistemit të drejtësisë.
Në rregullimin juridiko-penal amnistia shpallet për persona që kanë kryer vepër penale dhe për veprën e kryer në bazë të vendimit gjyqësorë të formës së prerë është shqiptuar dënimi konform legjislacionit penal në fuqi.
Çdo formë e amnistimit jashtë sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës është arbitrar, në kundërshtim me ligjet dhe përbën në vetvete përgjegjësi përveç se politike e morale, është edhe përgjegjësi penale. Për më tepër kjo për çfarë është zotuar Kryeministri dhe Zëvendëskryeministri është në fakt amnistim i krimit të kryer nga strukturat ilegale të Serbisë dhe inkurajim për krime të reja.
Së pari duhet të vendoset drejtësia për krimet e bëra dhe më pas duhet të zhbëhen strukturat ilegale.
Themelimi i njësisë së veçantë të Gjykatës së Apelit është në kundërshtim me nenin 102 paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në të cilin thuhet se “Sistemi Gjyqësorë është unik, i pavarur” dhe krahas epiteteve të tjera, ai siguron qasje të barabartë për të gjithë.
Nuk mund të flitet për qasje të barabartë, kur në aspektin e kompetencës lëndore, marrëveshja përcakton dy trupa të veçantë të Gjykatës së Apelit, të cilat do të merren me rastet të cilat vijnë nga komunat, siç është theksuar, me shumicë serbe.
Në pikën 11 të marrëveshjes thuhet që zgjedhjet lokale do të organizohen me ndihmën e OSBE-së.
Edhe kjo pikë është kundërkushtetuese, konkretisht me nenin 139 par 1, në të cilin thuhet “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyrë, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre”.
Pra Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka dhënë autorizim kushtetues, vetëm KQZ-së, që në cilësinë e organit të përhershëm ti njihen kompetencat ekzekutive për organizimin e zgjedhjeve.
Njohja e kompetencës ekzekutive për OSBE-në është shkelje e nenit 139 të Kushtetutës.
Kjo gjithashtu paraqet cenim të autorizimit kushtetues të KQZ-së dhe në këtë mënyrë vije deri të cenimi i sovranitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, bazë kryesore për organizimin e procesit zgjedhor, proces nga i cili burojnë të gjitha institucionet qeverisëse dhe vendimmarrëse të Republikës së Kosovës, është Kushtetuta e Kosovës.
Ligji për zgjedhjet lokale, i cili literalisht nuk është specifikuar në pikën 11 të marrëveshjes, është ligj me të cilin rregullohen procedurat e veçanta të cilat e ndihmojnë realizimin e procesit zgjedhor te garantuar në aspektin kushtetues.
Në fund edhe njëherë ju bëjë thirrje deputetë të nderuar, që të reflektoni drejtë dhe të votoni kundër këtij projektligji i cili e bënë shtetin jofunksional, pra ta ndalim së bashku këtë marrëveshje dhe dëmet që rrjedhin prej saj.
Prishtinë, 27 qershor 2013
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura