Prishtinë, 14. 02. 2015 – Qeveria e tanishme e Kosovës e ka anashkaluar tërësisht Kuvendin e Republikës sa i përket bisedimeve me Serbinë. Kjo tregon se Qeveria Mustafa është plotësisht vazhdim i qeverisjes së keqe të Hashim Thaçit. Isa Mustafa erdhi në qeveri në premtime se do ta ndryshonte keqqeverisjen e kaluar. Por nga veprimet e deritashme, mund të thuhet pa hezitim se nuk kemi të bëjmë me ndryshim të Thaçit por me zëvendësim të tij. Ne nuk kemi pasë nevojë për zëvendësim të fytyrave, por për ndryshim të kursit shtetëror.
***
Se Isa Mustafa do të takohet me Vuçiqin më 9 shkurt në Bruksel është ditur së paku qe një muaj.
Kryeministri e ka pasë kohën e mjaftueshme, për të paraqitur në Kuvend planin e tij për dialogun.
Ne nuk e dinim si deputetë të zgjedhur, por as si qytetarë të këtij vendi se për çfarë saktësisht do të bisedonte Mustafa me Vuçiqin.
Se cilat tema do t’i ngriste Serbia, e cilat Kosova.
Këto do të duhej të na i kishte thënë vetë kryeministri në Parlament.
***
Çfarë serioziteti e ka kjo Qeveri kur kryeministri i vendit çështjet më të rëndësishme për shtetin tonë nuk vjen që t’i trajtojë në Kuvend, kurse deputetët marrin vesh për temat e dialogut nga media?
Kjo që po ndodh është pikërisht avazi i qeverisë së shkuar e cila Kuvendin e pat kthyer në dikaster të ekzekutivit.
***
Qeveria e Kosovës nuk ka platformë për bisedimet me Beogradin.
Mustafa dhe Thaçi po shkojnë në dialog me Vuçiqin dhe Daçiqin pa lejen e Kuvendit të Kosovës dhe pa prezentuar kurrfarë qëndrimesh, platforme apo qëllimesh.
Nuk ekziston kurrfarë dokumenti zyrtar në Kuvendin e Kosovës, e madje as në Qeverinë e Kosovës, mbi agjendën e dialogut.
***
Qytetarët e Kosovës nuk mund të kenë besim që Isa Mustafa do t’i mbrojë siç duhet interesat e shtetit dhe të popullit.
Ky besim është rrënuar me vetë faktin që Isa Mustafa paraqet një person i cili shumë shpejt i ndërron qëndrimet dhe i tradhton partnerët.
Më 10 shtator të vitit të kaluar ai personalisht e vendosi nënshkrimin e tij mbi një marrëveshje me 3 subjektet politike opozitare.
Në pikën 5 të kësaj marrëveshje thuhet se “çështjet që do të dialogohen dhe korniza e dialogut të miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Dy muaj pas, Isa Mustafa i braktisi këto parime, dhe u përcaktua që dialogun me Serbinë ta vazhdonte gjurmëve të Thaçit.
***
Por jo vetëm kaq.
Isa Mustafa edhe pasi u zgjodh kryeministër nuk i ka veprimet në përputhje me deklarimet.
Dëshiroj t’ua tërheq vëmendjen tuaj mbi një intervistë të tij dhënë Deutsche Welle-s më 11 dhjetor 2014, tri ditë pasi u bë kryeministër, dhe dy muaj nga sot.
Kur e pyesin për dialogun me Serbinë, ai thotë, po e citoj:
***
“Formati afërsisht duhet të jetë i njëjtë, por ajo çfarë unë mendoj se duhet të bëjmë edhe me njerëzit, me të cilët kam biseduar edhe nga koalicioni, është që ne ta bëjmë edhe me transparent dialogun në kuptimin edhe të përfshirjes më të madhe të Kuvendit të Kosovës në procesin e dialogut dhe në fazën fillestare të temave, që do të dialogohen në Bruksel, por edhe në fazën përfundimtare të informimit të tyre dhe të pranimit nga ata të marrëveshjeve, të cilat ne i bëjmë në Bruksel, me qëllim që të gjithë deputetët ta kenë të qartë, se çfarë po dialogohet në Bruksel”.
***
Pra, ai e premton transparëncën, përfshirjen e Kuvendit, trajtimin paraprak të temave si dhe informimin e pastajmë për rezultatet e bisedave.
Tash po ndodh veç kjo e fundit.
Kryeministri vjen këtu dhe thotë kam vendosur bashkë me Vuçiqin që drejtësia në Kosovë të ndahet në baza etnike.
Dhe na thotë që demokracia qenka duke funksionuar sepse ky po na tregon dhe po na informon për vendimet e tij fatale.
Çfarë demokracie është kjo ku deputetët janë spektatorë, kurse qeveritarët marrin vendime se si do të duket Kosova dekadat e ardhshme.
***
Në një paraqitje të mbrëmshme, ministri Kuçi tha se ajo që u nënshkrua dje në Bruksel ishte një projekt dyvjeçar, i cili u kurorëzua dje.
Kryeministri Mustafa, i mori votat e qytetarëve duke u thënë se do ta ndryshonte qasjen e qeverisjes së kaluar.
Tash ky shkon atje në Bruksel dhe e vendos nënshkrimin e tij mbi një marrëveshje të cilën e paska përfunduar faktikisht qeveria Thaçi.
Kjo është e mjerueshme.
***
Çështja tjetër që dua ta ndaj me ju është aspekti i spektrit të kompetencave të kryeministrit.
Isa Mustafa bisedoi me kryeministrin serb për drejtësinë në Kosovë.
Rregullimi i drejtësisë në Kosovë, nuk është kompetencë e kryeministrit, as e Qeverisë.
Si është e mundshme që kryeministri të vendos në dialog me Serbiunë mbi një fushë të cilën fare qartë e rregullon Kushtetuta?
Si është e mundshme që kryeministri të vendos se cila gjykatë të hapet në veri të Kosovës e cila jo?
Këto që po ndodhin janë vërtet shqetësuese.
***
Këtu po shkelet edhe rezoluta e Kuvendit e 18 tetorit 2012, të cilën e kanë miratuar vetë deputetët e koalicionit.
Kjo Rezolutë, në pikën 3 thotë, po e citoj: “Dialogu dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm – rendin unik kushtetues të Kosovës”.
Në momentin që ju e keni vendosur sistemin e drejtësisë në tavolinën e bisedimeve me Vuvviqin dhe pikërisht në momentin kur ju jeni pajtuar që drejtësia të organizohet mbi baza etnike, tamam siç ka kërkuar Beogradi, ju e keni shkelë Kushtetutën, interesin nacional, rregullimin unik institucional dhe unitetin e sistemit të drejtësisë.
Si rrjedhojë e këyre vendimeve do të ketë pasoja për Kosovën, por edhe për juve.
(Fjalim i mbajtur në Kuvendin e Kosovës, më 12 shkurt 2015)