JETON LLAPASHTICA: TË PARËT E KUVENDIT – KOKULUR, PËR GJYNAH

(Prishtinë, 07. 04. 2012) – Jakup Krasniqi vetëm rrinte dhe me dorë e fërkonte gojën. Ismet Beqiri vazhdimisht ka lëvizur. Adrian Gjini (AAK) e mbante kokën ulur dhe me duar e shtypte kokën. Adem Grabovci (PDK) vazhdimisht i shikonte me një buzëqeshje përfaqësuesit e opozitës, duke i injoruar”. Ismet Beqiri (LDK) i tha Adem Grabovcit se nuk është mirë të na i gjuani amerikanët në qafë. Xhavit Haliti (PDK) thoshte se është mirë që këtu janë edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes që ta shohin edhe këta se çka është presioni.
Zyrtari i lartë amerikan në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se, dy ligjet e kontestuara duhet të kalojnë pa ndryshime në pikë apo presje!
     Më pak se pesë minuta kohë i janë dashur një zyrtari të lartë amerikan në Kosovë, që t’i rrëzojë “përtokë” dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
     Këmbëngulësia e tyre se nuk do t’i votojnë, dhe madje as t’i pranojnë si pika të rendit të ditës dy ligjet, atë për Banka dhe Institucione Financiare dhe Ligjin për Ndërtime, ka marrë fund vetëm pasi para tyre është “kollitur” zyrtari i lartë amerikan.
     Njëri nga të pranishmit në takimin që të dy ditë më parë (të enjten) ka zhvilluar zyrtari amerikan me anëtarët e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka treguar në kushte anonimiteti “fije e për pe” çdo detaj të takimit. 

„Kryekukullat“ e Kuvendit të Republikës së Kosovës me Fusnotë!

___________________________________

     Ky person ironizon me, siç thotë ai, amortizatorët e butë të LDK-së dhe AAK-së, ndërsa thekson se për herë të parë në jetë ka lakmuar që të jetë në vend të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk janë frikësuar nga amerikani.
     “Fillimisht ka thënë se nuk ka punë me anëtarët e Vetëvendosjes, sepse ata nuk e kanë pranuar Pakon e Ahtisarit, e më pas iu ka drejtuar Ismet Beqirit (shef i Grupit parlamentar të LDK-së) dhe Adrian Gjinit (shef i Grupit parlamentar të AAK-së), duke iu thënë se nuk janë në pozitë që t’i bëjnë politikë atij, pastaj iu ka thënë se unë kam folur me Isa Mustafën dhe Blerim Shalën, e ju po më bëni politikë”, ka thënë ai.
Deputetët mezi marrin frymë
     Sipas këtij burimi, i cili ka qenë i pranishëm në takim, në kohën sa zyrtari amerikan u ka folur, anëtarëve të kryesisë gati sa nuk iu është ndalur fryma.
     “Jakup Krasniqi vetëm rrinte dhe me dorë e fërkonte gojën, Ismet Beqiri vazhdimisht ka lëvizur, ndërsa Adrian Gjini e mbante kokën ulur dhe me duar e shtypte kokën. Adem Grabovci vazhdimisht i shikonte me një buzëqeshje përfaqësuesit e opozitës, duke i injoruar”, sqaron ai.
     Sipas tij, interesante është se si zyrtari amerikan, iu ka thënë në takim se dy ligjet e kontestuara duhet të kalojnë pa ndryshime në pikë apo presje, dhe se gjithashtu ai i ka kërcënuar ata se nëse i kundërshtojnë politikat e qeverisë, atëherë e vënë në pikëpyetje mbështetjen e mëtutjeshme të Qeverisë amerikane.
“Për mua ka qenë e habitshme se si zyrtari amerikan na është drejtuar se nëse nuk e miratojmë Ligjin për ndërtime do ta humbasim mbështetjen amerikane. Pas këtij fjalimi zëvendësambasdori na ka falënderuar që e dëgjuam, është ngritur dhe ka shkuar pa na lejuar që t’i themi qoftë dy-tri fjalë të vetme”, ka sqaruar ai.
VV: Kishte presion, Grabovci mohon
     Presionin e jashtëzakonshëm mbi opozitën të premten e ka konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, i cili në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë i pranishëm në këtë takim, nuk ka dashur të japë shumë detaje, ndërsa e ka pranuar se ka pasur presion. 
     “Jo vetëm që është e vërtetë, por unë këtë presion do ta quaja në një mënyrë të caktuar. Unë mendoj se atë ditë ka pasur urdhra të caktuara për t’i kaluar ato ligje, me të cilat është pajtuar edhe një pjesë e opozitës përveç Vetëvendosjes, e cila vazhdon me qëndrimet e veta. Ka qenë gjuha e përdorur që këto duhet të kalojnë patjetër dhe që opozita duke iu drejtuar në veçanti LDK-së dhe AAK-së se duhet të kthehen në Kuvend, duhet ta ndalin bojkotin dhe duhet t’i kalojnë këto ligje pa asnjë kusht”, ka thënë Konjufca.
     Ai thotë se është e çuditshme se si përfaqësuesi amerikan ka bërë përpjekje që t’i ndërlidhë dy ligjet në fjalë me Pakon e Ahtisaarit.
     Por, Adem Grabovci nga PDK-ja, gjithashtu i pranishëm në këtë takim ka mohuar presionin. “Asnjëherë të vetme nuk kemi pasur presion nga asnjë përfaqësues i SHBA-ve. Përkundrazi e vlerësojë shumë lart bashkëpunimin e sinqertë, korrekt dhe ndihmesën që na është dhënë nga SHBA-të”, ka thënë Grabovci.
Sipas tij, ka qenë i domosdoshëm miratimi i dy ligjeve, meqenëse ato kanë qenë pjesë e Pakos së Ahtisaarit, dhe si të tilla ndikojnë në përshpejtimin e përfundimit të procesit të pavarësisë së mbikëqyrur.
Ndërkaq, duke i pyetur se çka nënkupton për të deklarimi i përfaqësuesit të SHBA-ve se “nëse nuk e miratojnë Ligjin për ndërtime e vënë në pikëpyetje miqësinë me shtetin amerikan”, Grabovci ka thënë se PDK-ja nuk ka ndërtuar dhe nuk ndërton raporte me askënd mbi bazën e presionit.
     Sikurse Grabovci, edhe Adrian Gjini nga AAK-ja, mohon se është bërë presion, duke theksuar se takimi me zyrtarin amerikan ka qenë tërësisht miqësor dhe si i tillë ka shërbyer vetëm që të harmonizohen qëndrimet dhe të tejkalohet çdo krizë e mundshme.
     “Ai ka ardhur në takim ku ka qenë prezent kryetari, anëtarët e kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare, na ka treguar që Amerika mendon se Kosova duhet sa më shpejt që është e mundur me impelemtojë të gjitha ligjet që na dërgojnë drejt përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, dhe se mospërmbushja e këtij obligimi mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën”, ka thënë Gjini, duke shtuar se pas fjalimit të tij ai është larguar nga takimi për t’ua lënë partive të pranishme që ta zgjidhin çështjen në fjalë.
     Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së ka theksuar se si rezultat i bashkëpunimit me grupet parlamentare është arritur që të tërhiqet Ligji për Bankat dhe Institucionet Mirkofinanciare.
     “Pasi që ka dalë ne kemi qëndruar në takim edhe jemi marrë vesh përpos Vetëvendosjes, që nëse tërhiqet Ligji për bankat, që ka qenë kërkesë e jona, atëherë ne rrimë në sallë edhe mundësisht i votojmë në parim këto dy ligje”, është shprehur ai, duke nënvizuar se në takim ka qenë edhe ministri i Financave, Bedi Hamza, si sponsorizues i ligjit.
     Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, të premten nuk e ka komentuar këtë çështje, duke u arsyetuar se nuk është në Kosovë. “Jam jashtë Kosovës”, ka thënë shkurt ai nëpërmjet SMS-së.
“S’dua me mbet shitës i cigareve”
     Zyrtari i lartë i Kuvendit të Kosovës që ka folur në kushte anonimiteti, ka sqaruar debatet mes anëtarëve të kryesisë, pasi janë “liruar” nga zyrtari i SHBA-ve.
     “Ismet Beqiri i tha Adem Grabovcit se nuk është mirë të na i gjuani amerikanët në qafë, Xhavit Haliti thoshte është mirë që këtu janë përfaqësuesit e Vetëvendosjes e le ta shohin edhe këta se çka është presioni. Ndërsa njëri nga deputetët e pranishëm në këtë takim pak çaste pas largimit të zyrtarit të lartë amerikan thoshte se nuk është i interesuar që ta humbasë vendin e punës dhe më pas të shesë cigare”, ka nënvizuar ai.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura