Pashtriku.org, 09. 06. 2013 – Duke dëgjuar këngën “vijnë vampurat” të Haxhi Meqallarës dhe fjalët “disa qajshin moj nanë, disa knojshin …” s’e di pse m’u kujtuan grevistët, që për 9 ditë rresht po qëndrojnë në grevë urie pranë dyerve të burgut të qarkut në Prishtinë, duke kërkuar nga organet relevante, për të ndërmarrë diçka në favor të lirimit të ish komandantëve të UÇK-së.
Por, përkundër këngës që thotë: “disa qajshin e disa knojshin” këtu po ndodhë greva, në njërën anë dhe heshtja ndaj saj si përmasë e cinizmit më idiotesk, që vetëm në Kosovë mund të ndodhë! U bënë disa ditë, që lexoj lutjet e grevistëve, drejtuar organeve relevante vendore e ndërkombëtare, por deri tani askush nuk ka marrë seriozisht kërkesat e tyre.
Njëri nga politologët Fränkel, ndër të tjera thotë: Demokraci, është jo vetëm të kesh të drejtë të bësh pyetje por për pyetjen e bërë të marrësh edhe përgjigjen e duhur.
Siç dihet, Ibrahim Kelmendi, me shokët tjerë grevistë i kanë bërë pyetjet dhe ju takon të marrin përgjigjen!
Përderisa organet relevante vendimmarrëse, mbajnë qëndrime refuzuese dhe nuk është ndonjë befasi e madhe heshtja e tyre si përgjigje e prerë, më len përshtypje heshtja e shoqërisë sonë, e sidomos e mediumeve tona, të cilat dinë të japin lajme se a po i hahet buka maces së Britney Spearsit a jo, por nuk japin në gjendje të japin lajm për gjendjen e 4 grevistëve shqiptarë dhe për kërkesat e tyre para burgut të Prishtinës!
– GREVA VAZHDON… –
Përkundrazi, ata bëjnë propagandën e dobishme për qarqet e interesuara për diskreditimin e UÇK-së, duke propaganduar se grevistët nuk janë seriozë dhe gjoja ata hanë e pinë si në ndonjë restorant luksoz!
Shoqëri shurdhmemece
Marrim gazeta, hapim portale dhe agjenci lajmesh virtuale, e shohim lajme nga më të ndryshmet, nga gjithë rruzulli tokësor. Bile shohim edhe lajme nga jeta private e shumë artistëve të njohur e të panjohur. Dhe s’ka si të mos na kujtohet, që po të ishin 4 njerëz për 8 ditë rresht duke mos ngrënë bukë, diku në Amerikë apo në Afrikë, me siguri gazetat e agjencitë tona të lajmeve do të shkruanin, por nuk shoh asnjë lajm për 4 personat shqiptarë që kannë 8 ditë pa ngrënë e pa pirë në një hapësirë të improvizuar pranë burgut, mu në mes të Prishtinës, të cilët po qëndrojnë aty për të realizuar një mision, qoftë edhe krejt absurd!
Se pse ndodhë kjo gjë në Kosovë, është vështirë të zbërthehet, edhe pse edhe kjo ka shpjegimin e vet, të cilën natyrisht që do të duhej ta merrnim nga ekspertët përkatës.
Por një gjë e di, pa qenë fare ekspert, që shoqëria jonë është e pushtuar nga fuqia e elementeve me fjalë të mëdha e me shpirt të vogël, me mendje injorante e me potencial egoist të pafund, me një horizont vështrimi aq të kufizuar sa nuk shkon përtej hundës se vet!
Jemi vetëdehur nga e mira, apo se çfarë ka ndodhur me ne, një Zot e di. Vetëm, ky rast po na jep të kuptojmë sesa larg rrugës së Zotit jemi, në kohën kur më shumë se kurrë thirremi në Të.
Si duket, duke mos ditur të dallojmë arrestimin për “krime lufte” me personalitetin kontrovers të të arrestuarve dhe veprimet e tyre të pasluftës, shoqëria jonë ka kaluar në një kontroversitet që lidhet me të arrestuarit, si për shembull: “Sami Lushtaku, njëri nga komandantët e arrestuar, që është votuar për kryetar komune, në radhë të parë për merita lufte, se sa për intelektualitet, ai kurrë nuk do të votohej! Dhe tani, kur ai dhe shokët e tij janë në burg pikërisht për shkak të luftës, injorohen dhe heshtën deri në armiqësi! Ky injorim po vërehet më së miri duke heshtur grevën e urisë për lirimin e tyre. Të tilla gjëra a do të mundet kush t’i shpjegoj? Të tilla fenomene që ndodhin veç te ne, a do të mundet kush t’i kuptoj?
Në anën tjetër, në vend që të shfrytëzohet momenti të filloj përnjëmend lufta që pushteti gjyqësor të filloj të frymoj dhe në aspektin politik të lirohemi prej logjikës së ushtarakëve, Parlamenti ynë mjeran, hedh ide për themelimin e Tribunalit Kombëtar për krime të luftës dhe as që i kujtohet se tribunali duhet ti paditë në radhë të parë ata që penguan luftën (e Thaqi bashkë me të tjerët, ka brenda partisë tipa të tillë që i kontribuan politikës pacifiste që ishte pengesa nr. 1 në rrugën e lirisë dhe mposhtjes së Millosheviqit).
Tani shtrohet një pyetje tjetër që kërkon përgjigje: ku janë forcat turbo-kombëtare, të dalluara kundër politikës ndërkombëtare ndaj Kosovës, e veçanërisht kundër EULEX-it dhe pranisë së tij në Kosovë?
Apo ata “ndërkombëtarët”, nuk qenkan tani në anën e Serbisë, sepse tani kanë burgosur kundërshtarët e deridjeshëm të tyre politikë?
Papritmas humbën, u zhdukën si bora e parvjetme!
Dikush thotë: Kemi protestuar njëherë ashpër dhe pikë. Dhe me kaq, hiq më shumë e as më pak, përfundon zëri i “ndërgjegjes” sonë si shoqëri ekstremiste!