HAKI STËRMILLI, I HARRUARI I MADH!

Pashtriku.org, 15. 04. 201 – Në maj është 120 vjetori i lindjes së shkrimtarit dhe veprimtarit të shquar Haki Stërmilli. Në veprimtarinë që do të ketë jubileu i këtij personaliteti të letrave, kulturës dhe politikës shqiptare, do të jetë dhe botimi i një monografie për të, nga studiuesi letrar Xhezair Abazi. Gazetarja Flora Nikolla bisedoi me studiuesin letrar Xhezair Abazi.
F.Nikolla: Zoti Xhezair, cili ka qenë synimi juaj në hartimin e kësaj monografie për Haki Stërmillin? Dhe pse pikërisht tani…?
Xh.Abazi:
Po e nis përgjigjen nga segmenti i dytë i pyetjes. Sepse në maj, shkrimtari i mirënjohur dhe një personalitet i kulturës kombëtare si Haki Stërmilli, ka 120 vjetorin e lindjes. Dhe them se, më në fund, duhet bërë diçka që ky personalitet i letrave dhe i kulturës të mos i lihet harresës…
F.Nikolla: Më falni që ju ndërpres…Pse, mendoni se ka ndodhur kjo deri tani?
Xh.Abazi:
Nuk është se mendoj unë…Ka ndodhur realisht. Në regjimin e kaluar e vetmja “bëmë” për Stërmillin ishte një botim i cunguar i Veprës Letrare (në katër vëllime) me një përzgjedhje, redaktim dhe parathënie thellësisht të ideoligjizuar.
Pas viteve ’90 është “rrëmihur”, shkruar, vlerësuar dhe dekoruar një varg shkrimtarësh dhe veprimtarësh nacionalistë dhe demokratë (siç cilësohen rëndom), kurse për një shkrimtar dhe atëdhetar demokrat që nga Kongresi i Lushnjës, në periudhën e Pavarësisë e deri pjesëmarrës me armë në dorë në Luftën e II Botërore (ndonëse në moshën 50 vjeçare) – ka zotëruar për gati-gati një heshtje varrit, siç thuhet….

Haki Stermilli (1895 – 1953) 

F.Nikolla: Pse ka ndodhur kështu?
Xh.Abazi:
Nuk them se jam “verdiktdhënës” i kësaj çështjeje, por gjykoj se jeta dhe vepra e Haki Stërmillit, ka qënë ngaherë në rrjedhë të kundërt me rrymat korente politike, regjimet dhe ideologjitë e ndryshme zotëruese. Haki Stërmilli u rrit dhe u formua (në Dibër të Madhe, Manastir dhe Tiranë) si një idealist i kulluar, si luftëtar i lirisë dhe i çështjes kombëtare dhe të drejtave njerëzore.
F.Nikolla: Ju lutem, a mundet më konkretisht, se lexuesit ajo i intereson dhe gjithësesi e bind.
Xh.Abazi:
Po. I larguar nga Dibra e Madhe si muhaxhir në vend të vet (nga ploja serbe e 1913-s), jeton dhe vepron në Elbasan, Durrës, Tiranë e Mat, ku punon për ngritjen e pushtetit vendor. Pas Kongresit të Lushnjës, bashkëpunon me Ahmet Zogun (sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme), të cilin e njihte herët dhe besonte se ishte një luftëtar i çështjes kombëtare…..Kur, me kohë, kuptoi prirjen e tij feudo-monarkiste, (“Shpejt fillova me i diktue intrigat e tij, të cilat ma vonë e çuen në tradhti”- shkruan në “Autobiografi”), Stërmilli afrohet me Avni Rustemin dhe shoqërinë demokratike progresiste “Bashkimi”. Pastaj do të jetë bashkëpunëtor dhe bashkëemigrant me Fan Nolin. Pesë vite emigrant në Itali, Francë, Rusi, Austri dhe Jugosllavi, ku serbët duke shkelur Konventën Ndërkombëtare për emigrantët politikë, e arrestojnë dhe e deportojnë te “mbreti i tij” , i cili e kalbi në burg…Në këtë kohë, kryesues të Kongresit Botëror të Paqes (Mynih, 1929) si H.Barbys, Ajnshtajn, S.Katajama dhe tre personalitete botërore, denoncojnë me një peticion “rrëmbimin, torturat çnjerëzore dhe burgosjen e emigrantit politik, shkrimtarit Haki Stërmilli” . Gjithçka do të dëshmohet më vonë në librin –ditar “Burgu”.
F.Nikolla: Po më tej, në vitet e Luftës së II Botërore?
Xh.Abazi:
Është periudha më intensive dramatike e jetës së tij. I bashkuar me intelektualët antifashistë, merr pjesë në Konferencën e Mukjes dhe pas saj, merr udhën e maleve në trevat verilindore bashkë me M. Frashërin dhe intelektualë të tjerë nacionalistë, çka dëshmohet në dhjetra faqe të “Ditari i Luftës”. Dhe kështu nga viti 1943 deri në nëntor të ’44, bëri jetën e veprimtarit, ndërmjetësit (me misionet angleze në Dibër) dhe luftëtarit me armë në krah, nga Çermenika në Gostivar, nga Golloborda e Bulqiza në shpatet e bjeshkëve të Korabit dhe Koritnikut. Provoi izolimin dhe urinë në dimrin e 1944-s, kaloi sëmundje të rënda në kasolle mes borës së maleve, por edhe shkroi Ditarin e Luftës me një afsh dhe sinqeritet të rrallë.
Gjithë jeta dhe veprimtaria e tij dëshmojnë atdhetarinë, idealet e tij si demokrat përparimtar. Megjithëse ai u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, pas ’44-s refuzoi të bëhej anëtar i PKSH-së dhe të merrte pjesë në Kongresin e parë të saj. Dhe në varrimin e tij (1953) ndonëse ishte deputet i Dibrës, u dëgjua vetëm zëri i hoxhës.
F.Nikolla: Po në sferën e krijmtarisë letrare, ç’vënd zë vepra e Haki Stërmillit në letrat shqiptare?
Xh.Abazi:
Po përmend këtu vetëm dy fakte. Deri në vitet ‘20 të Shek. XX, në dramaturgjinë shqiptare, si krijime të nivelit profesionist njiheshin vetëm 2-3 drama të Gj. Fishtës dhe F.Nolit. Pas tyre vijnë katër drama të Haki Stërmillit, të cilat edhe sot, me një konceptim regjisorial bashkëkohor-mund të ngjiten në skenën e teatrit.
Në historiografinë letrare shqiptare, tashmë është e pohuar se në themelet e romanit shqiptar (si gjini) janë tri vepra: “Shkodra e rrethueme” nga N. Nikaj, “Lulja e Kujtimit” nga F. Postoli dhe “Sikur të isha djalë” e H. Stërmillit. Por ndonëse dy të parët kanë patur vlerën historike letrare të zanafillës së romanit shqiptar, romani i Haki Stërmillit, ka vazhduar të jetë për treçerek shekulli bashkëudhëtar i brezave të lexuesve…..
F.Nikolla: A mundet diçka më konkretisht për këtë roman vërtet jetëgjatë?
Xh.Abazi
: Po, romani i mirënjohur “Sikur të isha djalë” (1936) është ndoshta i vetmi roman “bestseller” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani ishte një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të Shek. XXI, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në plagën më të dhimbshme sociale shqiptare- tragjizmin e jetës së femrës, çka e shohim të shfaqet përditë edhe sot.
F.Nikolla: Po në gjini të tjera, ka spikatje vepra letrare e H. Stërmillit?
Xh.Abazi:
Siç përmenda më lart, Stërmilli krahas Fishtës dhe Nolit në kultivimin e dramatikës drejt nivelit të teatrit profesionist. Në katër dramat e tij (shkruar në vitet’20 të Shek. të kaluar) ndihet veçanërisht fati tragjik i luftëtarit për liri, i cili e sheh krijmin dhe vijimësinë e jetës familjare të lidhur ngusht me lirinë kombëtare dhe fatet e atdheut.
Por Stërmilli është gurë themeli edhe në atë që quhet letërsi dokumentare. Shënimet, kujtime dhe ditaret e tij në librat “Burgu” dhe “Shtigjet e lirisë” nuk janë thjeshtë memorie sociale e gjysmës së parë të Shek. XX, por edhe fjalë letrare, elegancë dhe sinqeritet, kulturë dhe talenti i të shkruarit.
Uniteti dhe vijimësia e jetës dhe reflektimi i tyre në procesin letrar janë gjithashtu një dëshmi unike e Stërmillit që nga skicat dhe tregimet e para të moshës djaloshare dhe deri te radhët e dorëshkrimit të tij të fundit- ndihet jeta dhe lufta e njeriut të thjeshtë, e atij që, si Atlanti, mban mbi shpatulla globin dhe bën histori. Lënda e veprës letrare të këtij shkrimtari sjell periudha dramatike historiko-shoqërore, ngjarje, fakte, heronj dhe karaktere që mbartin intensitet ideoemocional.

Monografia antologjike e përgatitur, synon të paraqesë gjithçka u përvijua në këtë bisedë. Por më lejoni të përmend këtu një fakt: Në 73 miniprojekte që Ministria e Kulturës subvencionoi për këtë vit, “nuk kishte” as dy mijë euro për botimin e monografisë për Haki Stërmillin. Projektet e kësaj ministrie shkojnë, mesa duket, siç thotë një koleg, për këngë e valle “me çika cullak” dhe “spektakël me xhixha”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura