PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE (VI)

Pashtriku, 28 Maj 2020: Parulla “Kosova-Republikë” nuk ishte e re më 1981. Ajo ishte shqiptuar madje edhe në organet udhëheqëse zyrtare para vitit 1968, por në demonstratat e këtij viti u bë parullë qendrore, kërkesë popullore. Mbasi përfundimisht më 1974 avancimi i Krahinës në Republikë dështoi, Lëvizja Kombëtare Shqiptare iu kthye sërish atij programit maksimum e tradicional, të bashkimit të kombit. Më 1981 natyrshëm u përsërit kjo kërkesë, për më tepër që në horizont dukej qartë përpjekja serbomadhe për reduktimin e autonomisë së vitit 1974.
***
Parulla “Kosova Republikë” daton edhe para vitit 1968
Edukimi me idetë atdhetare

Pashtriku: Nga viti 1969 – 1972 ndodh organizimi i grupeve ilegale, me qëllim për ta konsoliduar Lëvizjen Kombëtare. Cili është rrëfimi i juaj për ato organizime, kush ishin protagonistët dhe si zhvilloheshin aktivitetet në ilegalitet?
Hajrizi: Shpërthimin
e revoltës së vitit 1968 e pasuan ndjekjet policore dhe dënimi i shumë veprimtarëve e pjesëmarrësve në demonstrata. Entuziazmi i vitit 1968 megjithatë nuk po ulej. Pati përpjekje të rimëkëmbjes së veprimtarisë, por në disa grupe të vogla, jo aq mirë të organizuara. Merreshin me sigurimin e literaturës së ndaluar, e cila lexohej dorë më dorë, shkruhej ndonjë parullë, u shpërnda një trakt në shënim të përvjetorit të parë të 68-s, etj. E meta kryesore e organizimit të këtyre viteve ishte mungesa e konspiracionit dhe disiplinës, mungesa e kufirit midis veprimtarisë së fshehtë dhe asaj të hapur. Me një fjalë, më shumë kishte kuantitet se kualitet. Organizime të tilla, sidomos nga të rinjtë shkollarë pati edhe në vitet vijuese, veçmas nga fundi i viteve shtatëdhjetë, prandaj veprimtarët e organizatës sonë hynin në to, përzgjidhnin elementët më të përparuar dhe i organizonin mirëfilli. Shumë prej tyre ishin që në fillim të veprimeve, me entuziastë të rinj, pa emërtim të organizimit, por kishte edhe me emër të grupit, si “Shqiponjat e Arta” në Gjilan, „Para Agimit“ në Kamenicë, “Zjarri” në Prishtinë etj.

Pashtriku: Në prag të vitit 1981, udhëheqja e Lëvizjes Kombëtare, pra, edhe OMLK vlerësonte se, ende nuk kishte kushte për bashkimin kombëtar, ndaj, avancimi i statusit të Kosovës në Republikë, brenda ish-Federatës jugosllave përbënte hapin e radhës drejt vetëvendosjes. A kishte pasur përplasje politike, për të marrë atë qëndrim dhe cilat ishin udhëzimet e Tiranës zyrtare?
Hajrizi:
Parulla “Kosova-Republikë” nuk ishte e re më 1981. Ajo ishte shqiptuar madje edhe në organet udhëheqëse zyrtare para vitit 1968, por në demonstratat e këtij viti u bë parullë qendrore, kërkesë popullore. Mbasi përfundimisht më 1974 avancimi i Krahinës në Republikë dështoi, Lëvizja Kombëtare Shqiptare iu kthye sërish atij programit maksimum e tradicional, të bashkimit të kombit. Më 1981 natyrshëm u përsërit kjo kërkesë, për më tepër që në horizont dukej qartë përpjekja serbomadhe për reduktimin e autonomisë së vitit 1974. Organizatat e Lëvizjes së atyre viteve nuk kishin kontakte midis tyre, për shkak të konspiracionit në të cilin vepronin, prandaj nuk mund as të koordinoheshin. Gjatë kryengritjes së vitit 1981 u vështirësuan shumë edhe takimet me përfaqësues të Shqipërisë, kurse nga fundi i vitit u arrestuan përveç udhëheqjes edhe shumë veprimtarë të OMLK-së. Të paktën në përvojën e organizatës sonë, deri më 1981, përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë, e mbështetnin dhe e inkurajonin veprimtarinë çlirimtare në Kosovë, por përmbaheshin në dhënien e udhëzimeve konkrete.
Kërkesa për “Kosovën Republikë” nuk binte ndesh me Projektin për bashkim kombëtar
Pashtriku: Ju shkruani se objektivi Programor i Lëvizjes për çlirimin e Kosovës ishte bashkimi kombëtar, por në planin taktik mbizotëroi ideja për Kosovën Republikë. A mund të jepni, nga ajo distancë historike, shpjegime për studimet historike shqiptare? Aq më parë që, ju keni deklaruar se qëndrimi i Lëvizjes Kombëtare ishte të punohej, sa ishte e mundur, madje në ndonjë situatë, duke bashkëpunuar edhe me segmentet institucionale, me qëllimin për ta avancuar statusin e autonomisë së vitit 1974 të Kosovës në Republikë brenda Federatës jugosllave?
Hajrizi
: Parullë qendrore e demonstratave të viteve 1968 dhe 1981 ishte “Kosova-Republikë”, që kishte kuptimin e barazisë së shqiptarëve, si populli i tretë nga madhësia në Jugosllavi, me popujt tjerë konstituivë të Federatës. Kjo kërkesë dhe program i kryengritjes së vitit 1981 nuk binte ndesh me objektivin e bashkimit kombëtar, por përbënte një hap historik drejt çlirimit dhe bashkimit. Kini parasysh që e kombinuar me këtë parullë ishte edhe ajo “Vetëvendosje”. Republikat e kishin këtë të drejtë universale, që e realizuan më vonë, por krahinat jo. Strategjia e bashkimit dhe taktika e Republikës ishin në harmoni të plotë (taktika në funksion të strategjisë). “Liria”, e OMLK-së, tre muaj para fillimit të demonstratave, në numrin 2 të dhjetorit të vitit 1980, në shkrimin me titull “Kush janë luftëtarët e lirisë në Kosovë dhe ç’ duan ata?”, shkruante: “Kërkesa e popullit tonë të robëruar që të bashkohen trojet e tij në një njësi të vetme administrative është e drejtë dhe e ligjshme.” Programi i Republikës kishte bazë shoqërore më të gjerë se ai për bashkimin kombëtar. Avancimi i statusit të Kosovës nga krahina në republikë kishte më shumë gjasa të realizohej, sepse ishte në mos në germën e Kushtetutës së Jugosllavisë, në frymën e saj po, sepse nuk binte në kundërshtim me parimet e Helsinkit për ruajtjen e kufijve, sepse kishte njëfarë miratimi ndërkombëtar, sepse Klani kroato-slloven e dobësonte kështu fuqinë e atij unitarist serb etj. Qëllimi ynë ishte ta bënim sa më të pranueshme gjerësish kërkesën për republikë, brenda Kosovës, në Jugosllavi dhe ndërkombëtarisht, në njërën anë dhe t’i neutralizonim sa të kishte mundësi kundërshtarët e saj. Ky qëllim fillonte në Kosovë, duke tërhequr rreth parullës “Kosova-Republikë”, të gjitha shtresat e shoqërisë së saj.
Pashtriku: A mund ta sqaroni më gjerësisht këtë përfshirje?
Hajrizi:
Ora e historisë më 1981 kërkonte të shmangeshin mënjanë dallimet dhe të krijohej unitet sa më i gjerë dhe sa më i fortë. Ky unitet duhej të fillonte me bashkimin e të gjitha organizatave çlirimtare në një front të përbashkët, për të vazhduar me bashkimin qytetar, pa dallime politike, sociale, ideologjike, fetare, krahinore, etnike etj. Pa u bashkuar do të duhej mbetur vetëm një grusht i izoluar kolaboracionistësh ekstremë, por jo edhe zyrtarë institucionesh, policë, drejtues ndërmarrjesh etj. Fronti do të ishte hapësirë e gjerë për të gjithë, pa përjashtim. E konsideroj të rëndësishme të citoj këtu pjesë, të paktën nga dy dokumente të OMLK-së, botuar dhe shpërndarë më 1981. Në dokumentin programatik të kryengritjes me titull “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, shkruante:
”…Fronti duhet të bashkojë në luftën për Republikë të gjitha masat popullore, punëtorët, fshatarët, zejtarët, rininë, gratë, inteligjencën revolucionare e elementë përparimtarë nga radhët e ndryshme të borgjezisë, të gjithë komunistët, patriotët, dhe revolucionarët e vërtetë, pavarësisht nga bindjet politike, dallimet klasore, fetare a krahinore… Në Frontin për Republikën do të bëjnë pjesë të gjitha organizatat dhe grupet ilegale, komuniste, patriotike e revolucionare, pavarësisht, nëse është Republika qëllimi i tyre i fundit apo jo… Në Frontin për Republikën mund të bëjnë pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, në viset tjera të Jugosllavisë apo kudo tjetër në botë… Republika e Kosovës është në interes edhe të popujve joshqiptarë në Kosovë, prandaj edhe ata duhet ta përkrahin kërkesën për Republikë dhe të përfshihen në radhët e Frontit…Në Frontin për Republikën nuk mund të bëjnë pjesë grupet e organizatat fashiste e terroriste dhe agjenturat e ndryshme që organizon reaksioni i jashtëm apo ai i brendshëm… Forca jonë qëndron në unitetin tonë.“
Thirrja demokratike, drejtuar serbëve dhe malazezëve të Kosovës
Ndërkaq në një thirrje të përgjithshme, me titull “Përpara drejt fitores!”, drejtuar qytetarëve të Kosovës, pa dallim, punëtorëve, fshatarësisë, intelektualëve, rinisë, grave dhe vajzave, studentëve, komunistëve e patriotëve, mërgatës etj., botuar në organin e shtypit “Liria”, nr. 4-5, gusht 1981, nga fundi komunitetit serb e malazias i thuhej:
„…Ju, serbët e malazezët e ndershëm në Kosovë, e dini më së miri të vërtetën mbi luftën e popullit shqiptar për të drejtat e tij të ligjshme. Ne nuk duam të luftojmë me asnjë popull të Jugosllavisë, as me popullin serb e as me popullsitë serbe e malazeze në Kosovë… Lufta për të drejtat e Kosovës, lufta e saj për shkëputje nga vargonjtë shtypës dhe shfrytëzues, është edhe për të drejtat e serbëve dhe të malazezve në Kosovë, është edhe në të mirë të tyre, sepse edhe ata jetojnë në varfëri… Klika shoviniste serbe në Beograd dhe shërbëtorët e saj serbë në Kosovë, nuk mund të jenë mbrojtës të interesave të popullit serb…
Shovinistët serbomëdhenj në Beograd flasin shpesh në emër të interesave të popullit serb, ashtu siç fliste Hitleri në emër të interesave të popullit gjerman. Ata janë antishqiptarë të tërbuar dhe po bëjnë çdo përpjekje për të armiqësuar të gjithë popujt jugosllavë me popullin shqiptar, por as patriotë serbë s’janë e as mund të jenë kurrë; ata janë armiq të popullit të vet dhe luftojnë kundër interesave të tij… Ne me të drejtë presim dhe shpresojmë që serbët dhe malazezët e ndershëm në Kosovë të luftojnë së bashku me shqiptarët për të drejtat e tyre, që populli i Serbisë dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë do të na përkrahin, të na mbështesin në luftën tonë të drejtë. Çdo armiqësi mes nesh është në interes të armiqve tanë, kundër të cilëve një ditë do të ngrihemi doemos të gjithë së bashku.“

Aty shkruheshin edhe këto radhë: „…Ne i bëjmë thirrje gjithë popullit tonë që të trajtojë mirë popullsinë serbe e malazeze në Kosovë, sot e në të ardhmen, megjithëqë shfaqje të shovinizmit shqiptar në Kosovë nuk ka…“
Siç shihet Fronti ishte i hapur për të gjithë, pa përjashtim, por nomenklatura e udhëheqjes zyrtare kishte zgjedhur jo shfrytëzimin e plebishitit popullor për presion ndaj Federatës, por shpalljen armiq të veprimtarëve të Lëvizjes dhe luftimin e tyre me të gjitha mjetet. Ky qëndrim e bëri të pamundur çfarëdo bashkëpunimi.
Pavarësisht këtij realiteti, OMLK asnjëherë nuk i ka identifikuar të gjithë punonjësit e këtyre institucioneve me karakterin dhe rolin e tyre. Në vitet shtatëdhjetë shumë nga institucionet qendrore të Krahinës së Kosovës udhëhiqeshin nga shqiptarët, struktura e Lidhjes Komuniste e Kosovës mbizotërohej nga shqiptarët, zyrtarët e mekanizmave shtetërorë ishin në shumicë krahasuar me komunitetet tjera, tashmë kishim Universitetin tonë me pedagogë shqiptarë, kishim institute, shoqata e asociacione shkencore, arsimore, letrare e kulturore, me shumë intelektualë, shtëpi botuese e informative etj. Hiç Ukshin Hotin, asnjë zyrtar i lartë shqiptar nuk u burgos gjatë dhe pas kryengritjes së njohur të vitit 1981, e mos të flasim për ndonjë institucion që t’i binte tavolinës dhe të thoshte “Ndal!” dhunës e terrorit shovinist serb, sepse “ne e përfaqësojmë këtë popull, prandaj nuk mund të bëni çfarë të doni me të!” Po sikur të shkonin edhe më larg e ta shpallnin Republikën e Kosovës, pa le të burgoseshin të gjithë, sikur që ndodhi me udhëheqjen e lartë kroate dhe serbe dhjetë vjet më herët? Cili do të ishte efekti dhe solidariteti ndërkombëtar, thoni ju? E di që do të nënqeshnin me ironi shumë zyrtarë pleq të atëhershëm po të dëgjonin këto fjalë, prandaj them se nuk mund të bashkëpunohej me ta, sepse frika u kishte hyrë në palcë.

Gjithë atë shtresë intelektuale të Kosovës e sillnin vërdallë rreth e rrotull pak spurdhjakë politikë me diferencimin e famshëm në një fushatë ankthi e shantazhi. Më 1982 nga burgu ua kishim lakmi profesorëve universitarë palestinezë tek po hidheshin në grevë të përgjithshme në emër të lirisë së popullit të vet.
Asnjë nga eksponentët shqiptarë të politikës së Beogradit nuk mori mundin deri sot të shprehë në çfarëdo forme pendesë për gjithë gjëmën që i kanë bërë popullit të vet dhe veprimtarëve të lirisë, përveç Mahmut Bakallit, i cili publikisht në një intervistë të pasluftës tha disa fjalë: “Vërtet kanë ekzistuar dhe kanë vepruar ilegalisht në Kosovë, në shumë mjedise, grupet ‘marksiste-leniniste’ ose me emra të tjerë por në esencë me ide të njëjta, të përbërë nga disa të rinj shqiptarë, të frymëzuar nga idetë dhe veprat e Enver Hoxhës, nga praktika e atëhershme e Shqipërisë. Ato grupe të rinjve kosovarë nuk ishin staliniane në kuptimin proruse, bile as leniniste në kuptimin e plotë të fjalës, por në aspektin ideologjik mbështeteshin tek Enver Hoxha dhe modeli i socializmit shqiptar për aq sa atyre u duhej kjo mbështetje… por, mbi të gjitha veprimtarinë e tyre e kishin fokusuar në zgjidhjen e çështjes kombëtare në Kosovë dhe përgjithësisht të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Prandaj, me të drejtë një pjesë e atyre të rinjve edhe sot thonë, dhe unë ju besoj plotësisht, se në grupet ‘marksiste-leniniste’ ishin të inspiruar me idetë kombëtare, sidomos disa nga ata që ishin të talentuar, vitalë dhe vërtet patriotë për nga bindja…
Edhe ne në Kosovë kemi bërë gabimin trashanik ndaj këtyre të rinjve dhe gjithnjë më bren ndërgjegjja…”.
– VIJON –
____________________
PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÒªËSHTJES KOMBËTARE (V)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10075

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura