HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (26)
Nga Sabit Alidema – Pashtriku 24 Korrik 2021
HALILI E TEUTA EDUKATORË E PATRIOTË
Kam punuar me Halil Alidemën dhe me Teuta Kryeziun – Alidemën gjatë vitit shkollor 1962/63 në Malishevë. Halil Alidema ka qenë drejtor i shkollës. Ai ishte organizues i mësimit të sportit. Ia kishim lakmi të gjithë për aftësinë dhe gjendshmërinë e tij në çdo situatë. Ai ishte patriot i madh. Mirëpo, ai ruhej dhe i mbante sekrete të gjitha fshehtësitë e shkollës dhe të aktivitetit patriotik të saj për të mos rënë në sy të Sigurimit Shtetëror – UDB-ës. Ndërkaq, edhe Teuta ishte një grua fisnike dhe e ndershme, grua malësore dhe mësuese shembullore. Ajo ishte krah i djathtë i Halilit, e ligjëronte gjuhën frënge.
Istref Paçarizi, i lindur më 1933 në Dragobil
Shënimet prej tij i mora më 13 gusht 2004
Ndërkaq, Milazim Telaku, veteran i arsimit ka punuar në zbulimin e tumave të varrezave kolektive ilire, që datojnë rreth 3300 vjet.
HALILI MËSUES I PALODHSHËM
Shkolla tetëvjeçare e Malishevës ishte e emërtuar “Emin Duraku”. Në këtë shkollë më 1965-1966 unë isha nxënës i Halil Alidemës dhe i Teuta Kryeziut – Alidemës.
Halil Alidema ishte drejtor i kësaj shkolle. Kemi pasur fat që e kemi pasur Halil Alidemën drejtor e mësimdhënës, sepse ai ishte punëtor i madh, njeri i kompletuar me të gjitha virtytet njerëzore. Ai ishte tip sportiv, ndaj edhe ne ndonëse ishim të rinj, ai na ushtronte dhe na mësonte e na pranonte në gjirin e vet si të ishim fëmijët e tij. Ai ishte një yll, që nuk mund ta harrojmë kurrë. Na ka lënë përshtypje të mira si njeri, si edukator dhe si patriot. Ndërsa Tetutën e kemi pasur arsimtare të gjuhës frënge. Ajo për herë të parë na ka ligjëruar lëndën e gjuhës frënge, sepse deri atëherë nuk kishim pasur rast të mësonim frëngjishten. Ajo ishte arsimtare dhe edukatore e mirë, e afërt me nxënës dhe e sjellshme. Ishte arsimtarja e parë në këtë tetëvjeçare, ndaj me punën e saj edukative, ajo ndikonte edhe te vajzat dhe nxënëset e këtij mjedisi, duke u bërë shembull se si duhet të jetë një mësuese shqiptare. Në të ardhmen shumë femra të kësaj ane do të ndjekin shkollimin tetëvjeçar, të mesëm e të lartë.
Foto: në Malishevë ; Banesa ku kanë banuar Halili e Teuta; Fontana, Fusha sportive dhe grupi që i ka ndihmuar Halilit.
Ismet Abdullah Mazreku, Malishevë, ish nxënës.
TEUTA BASHKËSHORTE BESNIKE DHE MËSUESE SHEMBULLORE
Gjatë vitit shkollor 1962-1963 kemi punuar bashkë me Halil Alidemën dhe Teuta Kryeziun – Alidemën. Halili në këtë kohë ka qenë drejtor i shkollës, i organizimit të mësimit dhe ushtirmit të sportit, sa që për punën e tij të zellshme organizative dhe udhëheqëse, por edhe si sportist lakmi ia kemi pasur të gjithë. Për shkak të hetimeve të UDB-ës duhej mbajtur fshehtë nacionalizmin. Ndërkaq, Teuta Kryeziu – Alidema ligjëronte gjuhën frënge. Ajo ishte bashkëshorte besnik e e Halil Alidemës, ishte grua e ndershme, një grua me tipare malësore dhe burrërore dhe në mësime shembullore.
Istref Paçarizi nga fshati Dragobil (1933)
Marrë deklaratën më 13 gusht 2004 në orën 13,45
HALILI E TEUTA FRYMËZUAN POPULLIN PËR ARSIMIM
Atëbotë, Shkolla e Malishevës quhej Shkolla Fillore “Emin Duraku”. Në këtë shkollë në të cilën unë mësoja gjatë vitetve 1965-1966, unë isha nxënës i Halil Alidemës, ndërsa Teuta na jepte gjuhë frënge. Halil Alidema në këtë kohë ka qenë drejtor shkolle. Kemi pasur fat që e kemi pasur Halil Alidemën drejtor e mësimdhënës me plotëkuptimin e fjalës si njeri dhe si punëtor i dalluar e shembullor i arsimit. Halili ishte tip sportiv, kurse ne ishim të rinj, por ai na ka pranuar si të rinj më të mirë. Halili ka qenë yll. Teuta Kryeziu – Alidema e kemi pasur arsimtare të parë të gjuhës frënge. Ajo ka qenë edukatore e mirë dhe arsimtarja e parë shqiptare në këtë shkollë tetëvjeçare, e cila me pranin e saj, punën edukative ka ndikuar që nga ky mjedis ta ndjekin shkollën edhe shumë vajza të tjera shqiptare.
Ismet Abdyl Mazreku, ish nxënës i Halil Alidemës dhe Teuta Kryeziut – Alidemës (tel. 204-548)
Fotografia në Malishevë, ku ka banuar Halil Alidema
1. Vendi ku ka banuar Halili e Teuta
2. Fontana e rregulluar
3. Fusha sportive ku ka luajtur Halili
4. Grupi i njerëzve që i ndihmoi për grumbullimin e materialit
HALILI HERET U NIS NË RRUGËN E LIRISË
Halil Alidema rrjedh nga një familje e shquar patriotike, liridashëse që gjithmonë u angazhua për unitet dhe bashkim kombëtar. Halili qysh në moshën rinore ndoqi rrugën e babait të vet dhe të axhallarëve të tij, rrugën e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare. Ishte i flakët për unitet kombëtr si nxënës, si normalist dhe si student, gjithnjë i urrente armiqtë e kombit shqiptar, e këta ishin komunistët serbosllavë. Kurrë nuk është pajtuar me shqiptarët e “ndershëm”, të cilët ishin bashkëpunëtorë besnikë të udbashëve-vëllezër të serbëve, që nëpërmjet të spiunazheve përpiqeshin të arrijnë në pozita të larta në Qeverinë jugosllave të Titos. Prandaj, Halil Alidema ishte i përndjekur nga Sigurimi Shtetëror jugosllav në çdo vend dhe kudo që shkonte dhe me këdo që bisedonte. Ai shpesh qëndronte edhe në Shkup. Po ashtu qëndroi edhe tek unë, në Saraj, ku bisedonim çiltaz si dy shokë të ngushtë, në relacion dajë-nip pa kurrfarë rezervash. Ai më tregonte për aktivitetet e veta në shërbim të çështjes kombëtare, duke ia kushtuar punën e vet dhe veprat e veta bashkimit kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare në një shtet unik.
Në vendin e punës, ku punoja unë në shkollë si arsimtar, e kisha një shqiptar “të ndershëm”, i cili gjithnjë interesohej se kush është ky person dhe se çka bisedon dhe me kë bisedon. Ky person “i ndershëm” – agjent, gjithnjë më përcillte edhe mua, ndaj shumë herë punëtorët e Sigurimit Shtetëror më ftonin në të ashtuquajtura biseda informative, duke më pyetur se me kë po takohem dhe se çka po bisedojmë. Për këtë kam dëshmi dosjen, të formuar nga ata “të ndershmit” dhe punëtorët e Sigurimit Shtetëror, dosje të cilën e kam marrë nga Sigurimi Shtetëror dhe e kam në shtëpi. Në dosjen time është shënuar se si unë kam bashkëpunuar me kosovarët, sikurse edhe me të ndjerin Halil Alidemën për një Shqipëri të Madhe – unike për të gjitha trojet shqiptare.
Kjo dëshmon se i ndjeri Halil Alidema është munduar me mish e shpirt të bashkëpunojë në përhapjen e idesë për një unitet kombëtar dhe një shtet të përbashkët gjithëshqiptar. Në këtë drejtim atij i ka ndihmuar pa kurrfarë rezerve dhe dileme edhe bashkëshortja e tij e jetës – Teuta. Ajo në çdo moment ka qenë e përgatitur dhe e gatshme ta sakrifikojë edhe jetën e vet, po ashtu edhe fëmijët e saj ashtu sikur edhe H.Alidema vetëm e vetëm për idealet e larta të unitetit kombëtar. Këtë e vërtetojnë keqtrajtimet e burgimet e tyre nga pushtuesit serbosllavë. Lavdi trimit dhe dëshmorit kombëtar, Halil Alidemës për veprimtarinë e tij për unitet kombëtar!
Beqir Mustafë – Kabashi, Saraj – SHKUP.
RRËFEN KUJTIMET E VETA MOTRA E MADHE E HALIL ALIDEMËS
“Halili si i vogël ka qenë zavrak, pehlivan, kurr teprap s’i ka ra. N’vakt t’Shqipnisë kam qenë e fejuar. Dy javë pa u martue pashë një andërr që dy oxhakë të shpisë sonë u rrxuen. Të nesërmen e morën babanë. Ishte nata e bozhiçit. Ato ditë që e vranë Januzin në familjen tonë lindi vëllai ynë – Zeqiri, ndërsa babain e morën në Shmitër. Pastaj prej Gjilanit e kanë dërguar nëpër Zhegovc, Gadime dhe Pejë si ushtar brigade dhe atje e kanë vrarë. Në kullë të Pejës e kanë vrarë babain Behxhet. Edhe Xhemë Radivojci, Azem Begunca, Isak Shabani nga Budrika nuk janë kthyer më. Njani nga Livoçi ka njoftuar se e kanë vrarë Behxhetin. Sabiti i Xhemoviqe nga Sllatina i ka pasur teshat e Januzit, por nuk na ka njoftuar, kurse Shaip Livoçi ishte liruar nga burgu, edhe këta thonin se tjetri grup do të lirohen nga burgu, ndonëse e dinin se janë të vrarë.
Për vrasjen e babës Behxhet na ka njoftuar Abdyrrahman Kurteshi, kurse për Januzin që e kanë vrarë lajmin e kishin mësuar nga Shaip Osmani. Të nesërmen kemi shkuar dhe i kemi marrë teshat e Januzit në Sllatinë. Nana Hanë u tha rejave: vishnu e mathnu e pritni gjinen n’t’pame ashtu si asht adeti si asht ma mirë, se nanës Hanë i kishin dalë nga shtëpia katër djemë: Bexheti e Januzi vra, kurse Bejta e Izeti të arratisur e dalë në tjera shtete, në Turqi dhe në Gjermani. Pasi i kanë mbytur këta dy, Behxhetin e Januzin, armiqët serboçetnik kanë ardhur dhe e kanë plaçkitur shtëpinë e Bexhetit, duke i marrë dhe konfiskuar gjithë pasurinë.
Halilin e kishim incizuar dhe fotografuar me radhë me gjithë Teutën . Halilin e kanë marrë në rrugë, kurse studentët që ishin në katin e poshtëm, Sinan Zhegra, udbash kur ka ardhur me bastis ka shkelë këmbët e Tajarit të Zijasë te Halili dhe e kanë marrë në burg. Dy javë ka ndejtur.
Rrëfeu: Merrushe Alidema – Shabani, motra e madhe e Halilit e martuar në Budrikë te Mulla Halimi por që jetonte në Gjilan. (Më 16 gusht 2004).
HALILI ME GUXIMIN E VET TRIMËRONTE POPULLIN
Halili ka qenë një trim i madh. Ai, në situata të ndryshme ka rrezikuar shpesh edhe jetën e vet për shokë. Ka qenë shumë vështirë të kundërshtosh e të kacafytesh me pushtetin jugosllav, me përfaqësuesit e tij, me policë e udbash serbomëdhenj, mirëpo Halili nuk ka ditë të frikësohej. Ai ka shërbyer si mbrojtës i shokëve të vet dhe i popullit të tij. Në shumë raste ka marrë rolin e mbrojtësit të njerëzve të dobët e të varfër. Ai u bë digë kundër sulmeve të okupatorit serb. Në situata ku ka hyrë Halili, nuk ka guxuar gjithkush të hyjë. Ai ka hyrë pa kujtuar se a mund të dalë nga ajo situatë apo do të mbetet në të. Ai vazhdimisht ka rrezikuar dhe sakrifikuar për shokët e vet dhe popullin e vet, sepse e ka dashtë popullin e vet dhe çdo gjë që ishte shqiptare e kombëtare. Me trimërinë dhe guximin e vet ai i trimëronte edhe shokët e vet, ndaj unë mendoj se vështirë është t’ia gjesh shoqin Halilit.
Halil Alidema që nga vegjëlia është dalluar për guximin e tij, si fëmijë, si nxënës, si student e si punëtor administrativ e shoqëror, si politikan dhe patriot, gjithmonë haptas dhe vendosmërisht ka kundërshtuar padrejtësitë që u janë bërë popullit të tij. Ndonëse, ky kundërshtim i ka kushtuar me ndëshkime e dënime drakonike, ai kurrë nuk u gjunjëzua para torturave të armikut. Të themi të vërtetën, ai nuk e ka njohur frikën. E burra të këtillë siç ishte Halili i duheshin këtij populli. I duheshin t’ia kthejnë guximin dhe t’i jepnin zemër që të kundërshtojnë padrejtësitë në mënyrë kolektive, e jo ashtu individuale siç ndodhte në shumë raste, kur Halili mbete i vetmuar. Prandaj, ai kërkonte përkrahje morale edhe nga shokët, duke thënë se popullit tonë nuk i mungojnë trimat, ndaj merrte shembull luftëtarët e lirisë, si Idriz Seferin, Mulla Idrizin, Ramiz Cernicën, Islam Pirën, Ramë Avdyl Pozheranin, Hamdi Kurteshin, Hasan Kabashin e Hasan Ali – Remnikun e shumë të tjerë, që nuk ditën të frikësoheshin nga armiqtë tanë shekullorë, ndaj ai thoshte prej tyre duhet të marrim shembull se si duhet të qëndrojmë e të luftojmë për popull e për liri të atdheut tonë. Hiç pa shybe Halili ka shkuar shehit. E shehiti edhe te Zoti është i lavdueshëm dhe e ka vendin në xhenet.
Mulla HALIM BUDRIKA, Gjilan
HALILIN E PREOKUPONIN ÇËSHTJET KOMBËTARE
Për veprimtarin dhe patriotin Halil Alidemën kam disa kujtime dhe përshtypjet e mia ndaj tij si intelektual dhe bashkëpunëtor në fushën e shkencës dhe çështjen e zgjidhjes sonë kombëtare:
“Halili ishte i preokupuar gjithnjë me çështjet më madhore kombëtare. Në çdo bisedë, në çdo takim apo tubim, ai, problem të dorës së parë kishte çështjen kombëtare. Madje për këtë çështje ai ishte në gjendje të sakrifikojë edhe jetën e vet. Si i këtillë i ra në sy UDB-esë jugosllave dhe gjithnjë u ndoq, u arrestua disa herë dhe u dënua si intelektual shqiptar i rrezikshëm për regjimin monist. Meqë ai e hiqte zanafillën nga një familje patriotike gjithashtu e ndjekur nga regjimi monist jugosllav, edhe Halili si pinjoll i kësaj familjeje ishte në shënjestër të okupatorit serbomadh. Ishte njeri i guximshëm, i vendosur dhe trim. Madje, shpesh duke i tejkaluar mundësitë e realizimit të qëllimit të caktuar. Ishte eksplosiv dhe i rrëmbyeshëm dhe i pakompromis ndaj armiqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. E respektoja dhe më respektonte. Për shokë ishte i afërt dhe shumë i dashur. Kishte trup atleti, ndaj merrej me sport, bënte ushtrime, duke ecur kryengulthi e duke kërcyer tarapushk. Më respektonte si intelektual dhe edukator të moshuar dhe për veprimtari shkencore. Veçanërisht e pëlqente tematikën time që studioja popullatën muhaxhire, që lidhej me Shqipërinë e cunguar Etnike.
Takimi im i fundit me të në Tiranë ishte sa i përzemërt aq edhe i prekshëm. Ai m’u ankua se Teuta, bashkëshortja e tij besnike, ishte sëmurë seriozisht. Dhe me këtë rast më tha: “Zotëri Sabit, Teuta është sëmurë shumë keq. Shqetësimi për të nuk po më lë të qetë. Kam frikë se do të mbetem pa të. Atë sëmundja gjithnjë po e rëndon. Me të e kam ndarë të mirën dhe të keqen. Bashkë me të kemi zhvilluar edhe veprimtarinë tonë patriotike e politike. Ajo kurrë nuk më ka qortuar për aksionet e mia, por përkundrazi më ka trimëruar dhe më ka ndihmuar dhe më është bërë shok i pandashëm në idealet e jetës sime”. Ky ishte takimi im i fundit me të. Dhe vërtetë pas një kohe të shkurtër, Teuta e la vetëm Halilin, por edhe ky nuk jetoi gjatë pas saj. Ai ndërroi jetë më 20 mars 1996, në moshën 60 vjeçare. Halilin e kujtoj dhe respektoj si njërin ndër intelektualët e shquar atdhetarë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!
Dr. Sabit Uka, historian.
HALIL ALIDEMA GJITHKAH SHKONTE SHPËRNDANTE RREZE DRITE
Në muajin gusht të vitit 1977 ishim në verime në Greqi bashkë me Halil Alidemën në këto vende: Pargë, Manastir, Konicë, Janinë, Igumenicë, etj. Ku i kaluam pushimet 20 ditë Sabri Bektashi, Raif Aliu, Hasim Vranovci, Abdullah Bektashi, Ukshin Hoti me zonjën e vet, Ekrem Kryeziu. Në mbrëmje morëm vesh se dy fashatarë ishin shqiptarë (alvanik – Sotir), fshatrat Rrapez dhe Axhi. Këta shkuan në fshatin Rrapez, ku takuan priftin e fshatit dhe një student, që studionte në Palermo dhe me ta flisnim shqip. Halil Alidema atyre u dha abetare shqip, do të thotë priftit dhe studentit dhe disa qytetarëve të tjerë nga Parga. Ai kishte marrë me vete 50 abetare. Dhimitri kishte bankë në pargë, i cili na ndihmoi shumë dhe një familje Kacimici, ku banonim në Pargë. Kjo dëshmon, se Halil Alidema nuk kishte shkuar vetëm për pushime në Greqi, por edhe të zgjonte ndjenjën patriotike dhe dashurinë ndaj gjuhës shqipe dhe librit shqip.
Rrëfeu: Sabri Bektashi, më 28 janar 2003, Prishtinë.
HALIL ALIDEMA MBËSHTESTE BESIMIN NË RININË SHQIPTARE
(Mr. Halil Alidema, në vitin 1990, në shtëpinë time në Prishtinë)
Mr. Halil Alidema erdhi tek unë në një vizitë në shtëpinë time në Prishtinë edhe si shok i hershëm i rinisë, edhe si shok i idealeve të njëjta edhe për të më konsultuar se kah cila anë është i orientuar dhe fund e krye biseda e tij ishte në lidhje me çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve jasht trungut amë Shqipërisë. Fjala ishte për të gjitha trojet shqiptare të pushtuara nga pushtuesit serbë, maqedonë, malazezë dhe grekë, si p.sh.: Kosova me Luginën e Preshevës, Shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe shqiptarët e Çamërisë nën Greqi.
Mr. Halil Alidema përpiqej të gjente një mënyrë, një strategji sa më adekuate për të kapërcyer sa më me pak pasoja, por llogariste se vështirë është të kalojmë pa pasoja, por duhet përdorur të gjitha mjetet deri në maksimum për gjetjen e një rruge me sa më pak dëme njerëzore dhe materiale, e që Mr. Halil Alidema nuk përjashtonte konfrontimin me luftë me pushtuesit që kishim të bëjmë dhe luftën me Serbinë e llogariste si një gjë të pashmangshme.
Halili kishte informata të shumta nga shumë intelektualë të huaj, që konsultohej me ta dhe përafërsisht e njihnin mirë historinë e Ballkanit dhe padrejtësitë e bëra ndaj popullit shqiptarë, ku nga çdo analist e studiues largpamës vlerësohej se nuk përjashtohej lufta jo vetëm ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës e më gjërë, por edhe ndaj Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, por do të provokohet edhe Sllovenia pa u përjashtua edhe Maqedonia nëse i jepet rasti vetëm pak Serbisë. Edhe analistët ndërkombëtarë, diplomatë të shumtë që e njihnin mirë historinë e Ballkanit vlerësonin se pa luftë nuk mund të mendohet as shpërbërja e Jugosllavisë as zgjidhja e çështjes shqiptare në Ballkan. Shkaktarë të luftës do të jenë grabitçarët tradicionalë, gllabëruesit tipikë, e këta janë serbët. Serbët, marrin guximin për të hyrë në luftë ndaj popujve të Ballkanit, për herë duke shpresuar në përkrahjen e Rusisë, ku Rusia nuk do të lë mjet pa përdorur për ta përkrahur Serbinë, sepse duke mbrojtur Serbinë mbron edhe interesat e veta për të dominuar në Ballkan dhe për ta pasur në dorë Detin Adriatik, e tjera…
Kështu që Mr. Halil Alidema ishte i dhënë pas çështjes së pazgjidhur të shqiptarëve, sa që i dukej e shkurtër dita edhe nata për të punuar në këtë drejtim. Halili, bisedonte edhe me shumë intelektualë nga Kosova dhe interesim të madh kishte të jetë sa më afër studentëve pa përjashtuar edhe shokët e idealit e shumë të tjerë, por edhe mua si shok më rrinte afër dhe më njoftonte për shumë gjëra, por unë i qëndroja afër dhe pa rezervë e përkrahja kudo që mund ta ndihmoja.
Halil Alidema ishte i gatshëm t’i prijë një organizimi dhe të ishte në ballë të tij qoftë edhe me rreziqe për jetë. Pas çdo bisede që zhvillonte Halili me njerëz të caktuar, kishte parasysh luftën me Serbinë kur thoshte: Nuk do të mund t’i shmangemi një lufte të flliçur që do ta zhvillonte Serbia ndaj nesh, fjala ishte për Kosovën. Deshëm ne apo nuk deshëm, Serbia do të na imponojë luftën, tani ne, nuk guxojmë as nuk duhet të lejojmë veten tonë që lufta të na zë në befasi, duhet të jemi të përgatitur edhe për më të keqën, dhe për këtë gjë duhet të mendojmë natën edhe ditën se si do ta përballojmë një gjë të tillë. Përpjekjet tona pa reshtur duhet të jenë të natyrës paqësore për derisa të shterrën mënyrat dhe mjetet paqësore nuk do të marrim hapa tjerë, duhet të shfrytëzojmë fuqimisht edhe taktikën e veprimeve që të jemi të arsyeshëm në raste të duhura.
Një gjë duhet ta kemi të qartë thoshte Halili se Serbia, nuk do ta përfillë absolutisht veprimin tonë demokratik as mënyrat tona paqësore, por ne do të ndjekim kujdeshshëm rrugën dhe mënyrat paqësore që të jemi sa më të arseyshëm për të na përkrahur Evropa, Bashkësia Ndërkombëtare dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa e lënë anash edhe shtetin ëmë- Shqipërinë, e cila është shumë me një rëndësi të veçant, e që ne, duhet të jemi shumë të sinqert dhe serioz ndaj shtetit ëmë për të mos i sjellë në asnjë moment dhe në asnjë çast telashe provokuese, që Shqipëria përherë le të jetë e arsyeshme për të na përkrahur dhe jam plotësisht i bindur thoshte Halili se në çaste të caktuara Shqipëria do të na ndihmojë me të gjitha mjetet që ka në disponim: me potencialin njerëzor (ushtrinë). Përkrahja e Shqipërisë nuk do të mungojë asesi.
Mr. Halil Alidema në veçanti mbështeste besim të parezerv ndaj rinisë shqiptare të Kosovës, ndaj ishte i paluhatur në besimin e tyre, por edhe në mendimin e tyre, sepse artikulimet e mendimeve të të rinjve shqiptarë nga Kosova ishin të një filozofie të dyfisht, njëherit kishin përvojën e vitit 1981 dhe me kalimin e kohës ishin marrë me lexime të ndryshme të siguruara jo vetëm nga shteti ëmë por edhe nga vende tjera të botës të filozofëve të mirfilltë e që kjo literaturë kishte të bëjë shumë me çështjen e shqiptarëve të Kosovës, në anën tjetër ishin kalitur mirë në organizime qoftë në rangun legal qoftë në çështje politike, por nuk ishin të paktë as ata që në të vërtetë nuk kishin qenë në burgjet administrative, por që ishin në burgun kolektiv do të thotë popullata e tërë shqiptare e robëruar nga serbo-maqedono-malazezo-sllavë. Domosdoshmëria i kishte detyruar të mësojnë dhe të piqen para kohës. Dhe me të drejtë Mr. Halil Alidema, e çmonte rininë studentore, sepse edhe kishin dhënë provimin maksimal që në vitin 1981, duke u hedhur nëpër zinxhirët e tankseve serbosllave me një guxim të heronjve më të çmuar, tani shihte në sytë e tyre pastëritnë, korrektësinë, seriozitetin dhe guximin e tyre të një vlere nga më të çmuarat, shihte edhe dinamizmin dhe përkushtimin shpirtëror të të rinjve shqiptarë që me tërë energjinë e tyre ishin hedhur kundër çdo padrejtësie, që ushtronte pushtuesi serb, ishin të vendosur për t’u çliruar qoftë edhe me çmimin më të lartë, duke sakrifikuar tërë pasurinë e tyre më në fund edhe jetën.
Mr. Halil Alidema, u fut në mesin e këtyre të rinjve, duke mos kursyer asgjë nga vetja e tij, dhe pa dyshim se dha prova të njëpasnjëshme që nga rinia e tij, por veçmas që nga vitet 1968 e këndej duke e vazhduar tutje pa ndërprerje, ku në vitin 1981 është njëri nga intelektualët e parë që iu prinë ngjarjeve të mëdha të vitit 1981 duke i mbrojtur publikisht edhe para gjyqit të regjimit serbo-jugosllav kërkesat gjithëpopullore të popullit shqiptar të Kosovës e më gjërë, ku për këtë u dënua me 11(njëmbëdhjetë) vjet burgim. Mr. Halil Alidema nuk do të ndale t për asnjë qast ku edhe pas lirimit të tij nga burgu jugosllav vazhdoi aktivitetin e tij politik për t’u mos ndalur deri në frymën e fundit të jetës së tij.
Nusret Hajdari.
- VIJON –
_______________________
HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (25)
Nga Sabit Alidema – Pashtriku 22 Korrik 2021