HALIL HAXHOSAJ: DASHURIA – MUZË E LIRIKËS POETIKE

Prishtinë, 22. 06. 2014 – Shefqet Dinaj: “Enigma”, poezi, botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2014.) – Në vend të hyrjes) Krijuesi, Shefqet Dinaj, pas katër veprave me nuanca studiuese, monografike, historike e letrare dhe veprës poetike “Lotët e ashtit” botoi edhe veprën e tij më të re me poezisë me titull paksa simbolik e metaforik “Enigma”. Edhe kjo vepër sikurse ajo e mëparshmja është e përkthyer në dy gjuhë botërore, por tash në gjuhën frënge dhe gjermane. Sidoqoftë kjo formë e botimit të librit ka rëndësinë e vet ngase ia rrit vlerën, jo vetëm te lexuesit shqiptarë, por edhe tek ata gjermanë e francezë.
Në simbiozën e librit qëndron i fiksuar numri dyzet që përbën numrin e dyzet poezive, në njërën anë, por edhe një gjymtyrë të tematikës kryesore të këtyre poezive me motiv dashurie, në anën tjetër. Dhe kështu, ky numër shndërrohet në figurë domethënëse kryesisht, por edhe frymëzuese e një stabiliteti të dashurisë të subjektit lirik.
Strumbullar i frymëzimeve të vargjeve poetike të këtij libri të Shefqet Dinajt, është lirika e dashurisë me të gjitha nuancat, shtrirjet, domethëniet, ndijimet, figuracionin, e pse jo, edhe frymëmarrjen e saj. Poezinë e dashurisë e hasim bollshëm në poezinë popullore, ndërkaq, që nga lashtësia e hasim, te Anakreonti e Safo, pastaj te Dante Aligieri, Françesko Petrarka, Gëte e të tjerë. Në letërsinë shqipe, poezinë e dashurisë e ka shkruar Jeronim de Rada, pastaj Zef Serembe, i cili pas të dashurës së vdekur shkon deri në Brazil për t’ia gjetur varrin, e pse jo edhe për të vdekur e për t’u varrosur atje, Naim Frashëri, i cili dashurinë e krahason me perëndinë, Lasgush Poradeci, që dashurinë e ndërlidh me elementet kozmike, sepse edhe yjet i lëviz dashuria; pastaj poezi dashurie shkruan Ismail Kadareja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu e të tjerë.

Poeti Shefqet Dinaj

Së fundi, poeti Shefqet Dinaj, për lexuesit e tij, dhuroi një libër me lirika intime më të bukura të dashurisë, të titulluar “Enigmë”. Mbase ky titull jehon pak sa paradoksalisht, sepse, poeti e shtrinë ndjenjën e dashurisë mbi konotacionin enigmatik, që dashtë e pa dashtë rri diku në thellësi i strukur, por gjithmonë i gatshëm të shpërthejë me vrull, afshe, apo me “ahu” të subjektit lirik, pra të dashurit, që janë ofshama, të cilat shpesh mbesin pezull. Mbi këtë koncept frymëzimi shtrihet edhe strukturimi i veprës, që mëton të jetë ngacmuese e ndjenjave të lexuesve, që në një mënyrë apo tjetër, gjejnë ndonjë element të vetin, hasin ndonjë dromcë të përjetimeve të veta, apo nga thellësia e ndjenjës del ndonjë ofshamë dashurie.
Strukturimi poetik dhe ndjesor i dashurisë
Libri me poezi “Enigma” i poetit, Shefqet Dinaj, përbëhet prej dyzet poezive, që janë përkthyer në frëngjishte nga Donika Juniku dhe në gjermanishte nga Gëzim Krasniqi, të cilat me vargëzimet e tyre formojnë strukturën e veprës. Një ngritje sadopak ndërtuese ia shtojnë edhe shtrirja e tyre në tre qerthuj poetikë që janë: I. “Ne të dy dhe liqeri”, II. “Shega ime” dhe III. “Flas me Muzën”. Pra, në këto tri njësi lirike shtrihen të gjitha poezitë, por fatmirësisht, pa ndonjë qëllim të ngurtësimit teorik që duhet pasur parasysh krijuesi në raste të këtilla. Këtë gjë poeti i këtyre vargjeve kaq të ëmbla, kaq të ndjeshme, kaq ndjesore e kaq intime e shtrinë gjerësisht nëpër të gjitha poret, qelizat, indet, por edhe foletë e zemrës e të shpirtit të dashurisë, që përbëhet kryekëput prej frymëzimeve të shfaqura me vargje.
Poezia si pasion shpirtëror i lindur apo i nxitur nga kushte dhe rrethana të veçanta, të cilat pikasin në jetën e njeriut, e shtyjnë qenien e tij emocionale për të reaguar e për të shfaqur ndjenjat e veta. Kjo krijimtari artistike artikulohet si përjetim shpirtëror që, në të vërtetë, është art. Andaj, si e tillë, kjo është karakteristika themelore e të shkruarit të lirikës intime, apo poezisë së dashurisë. Mirëpo, pavarësisht nga format krijuese të vjershërimit, ato përbëjnë universin artistik të poetit dhe magjikja e artit është e përveçme, e papërsëritshme dhe plotësisht e mëvetësishme. Meqë është kështu, atëherë, çdo tentativë krijuese është një dukuri e shprehi e shenjtë, ashtu siç konsiderohet krijimtaria artistike, sidomos poezia lirike intime, pra poezia e dashurisë. Mbase, kjo përkon edhe me poetikën e Shefqet Dinajt, në përmbledhjen me poezi “Enigma”, që faktikisht, ka elemente të tilla në vargjet e këtyre poezive të përfshira këtu, sepse:
Përse më buzëqeshë?
Pse sillesh vërdallë?
Bota sa e vogël
për dashurinë tonë të parë!
thotë në vargjet e poezisë “Botë e vogël për shpirtin tënd”, që është poezia e parë e librit, por edhe e para e qerthullit “Ne të dy dhe liqeri”. Në poetikën intime të dashurisë të këtij cikli hasen elemente analoge me ngjyrime të Lasgush Poradecit. Mbase, këtë duhet arsyetuar për të mirë edhe me titullin e qerthullit, në të cilën haset nominimi liqeri, që është një “neologjizëm poetik” i poezisë së peizazhit lasgushian. Dhe kjo normë duket se shpërfaqet lirshëm, por edhe suksesshëm në poetikën e poezisë së përmbledhjes “Enigma”. Duke e latuar më tutje këtë vargëzim, poeti depërton edhe në esencën e poezisë së dashurisë lasgushiane, sepse më tutje, edhe ky, si Lagush Poradeci, atë e ngjyros me elemente kozmike, për ta bërë më të ndjeshme, më përjetuese, e pse jo, edhe të shenjtë. Në domethënien emërtues të qerthullit “Ne të dy dhe liqeri” shtrihet elementi kozmik, ngase dy të dashuruar, tashmë shndërrohen në engjëj për njëri tjetrin me dashurinë që ndjejnë, sidomos kur gjenden buzë liqerit kaltërosh, duke vështruar valët. Dhe buzë tij, dashuria farkohet dhe fisnikërohet edhe më tutje në zemrat dhe shpirtin e të dashuruarve, duke vezulluar në qiell si yll:
Në kupën e qiellit
vezullonte një yll,
lakmonte dehjen
e dy shpirtrave të lumtur.
Dhe kështu dashuria e tyre me anë të puthjeve të afshëta e të rinuara shndërrohet në romancë, breg atij liqeni, apo “atje buzë liqerit” me “Me melankoli zërash,” shkruhet në vargjet poetike në fund të poezisë me titull “Buzë liqerit”. Nuanca të këtilla, por edhe të tjera hasen edhe në vargjet e tjera të poezive të këtij qerthulli poetik.
Elementet e dukshme të vargëzimit poetik
Elemente të tjera që pasqyrohen në vargjet e këtyre poezive janë edhe popullore, mistike, antike, legjendare, që madje, edhe fiksohen, duke u qartësuar me nominime në vargje. Lexuesi do të lexojë figuracion të njohur me të cilin është ballafaquar edhe më parë. Krijimet me elemente të tillë shtrihen në tërësinë e veprës, pra që nga fillimi e deri në fund, por ato dominojnë sipas situatës, mënyrës së shprehjes, e sidomos, frymëzimit të poetit. Andaj, shpesh disa nuanca krijojnë imazhe të formësuar, që nuk zhduken lehtë nga gurra e frymëzimit dhe kështu fiksohen në memorien e lexuesit.
Edhe në poetikën intime të dashurisë të krijuar nga poeti, Shefqet Dinaj, shihet ngritja e shprehjes popullore në atë artistike. Ky shndërrimi, apo kjo shkrirje nuk është aspak artificiale, e dhunshme, madje as e tepruar, por bëhet në mënyrë të krijimit poetik, sidomos të atij lirik të dashurisë. Gjera të tilla shpërfaqen në ndërtimin figurativ e metaforik, por edhe në atë të fjalëformimit që nuk është i vogël në këto vargje, sidomos të kompozitave. Shpeshherë kompozitat si shprehje poetike ngërthehen në vazhdën e frymëzimit, pse jo edhe të përjetimit të dashurisë, e cila mëton të jetojë, të gjallërojë dhe të përjetësohet. Dhe kjo arrihet me penën e poetit, ngase:
Kush je ti moj?
Shpirtengjëll
që thyen heshtjen time
e fjalët shuhen në bulevard.
thuhet ndër të tjera në këto vargje të poezisë “Në bulevard” dhe kompozita “Shpirtengjëll” bartë në vetvete ndjenjën që me vargun e Petrarkës, muza poetike të thurë serenatë në zemër. E dashura nuk bën t’i shkelë lotët e fshehtë të zemrës, sepse janë burim i mallit dashuror. Ndërkaq në poezinë tjetër “Ulur përballë”, poeti, Shefqet Dinaj, personazhin e njohur të Petrarkës e bën kompozitë figurative “LAURAPETRARKËS”, duke e fiksuar e dalluar madje me shkronja të mëdha emërtimin e saj. Edhe kompozitat figurative: pëllumbantiku, Luleboret, Qafëmali, Drinbardhi, zhurmëvalët, dritëhijet, dritëhijen, përgjumëpritja, krahterrin, dritëneonët, Majëkullë, e të tjera, kurorëzohen ëmbëlsisht në shtimin e këtyre vargjeve dhe gjëllijnë në afshin e tyre lirik të dashurisë. Kompozitat që shndërrohen në figura poetike të sajuara nga fjala ujë dhe të tjera kanë në nuancat e veta veti të një frymëzimi që ndikon ndjeshëm në përjetimet e lexuesit në njërën anë, por edhe të poetit si transmetues artistik, në anën tjetër. Të tilla janë: ujëlotët, ujëdjersët, ujëbardhi, ujëflokët, e të tjera.
Elemente të dalluara, por të shpërfaqura me figura të njohura nga poezia e tillë e dashurisë janë edhe ai popullor (Zana, Shega), legjendar, (Rozafa), antik (Lumbardha e Anakreontit), e humanizmit e renesancës (Beatriça e Dentes dhe Laura e Petrarkës), e të tjera, madje edhe figura e Evës dhe Kopshti i Edenit në aspektin biblik.
Shikuar nga këto nivele mund të thuhet se këto nuanca janë të shtruara mirë dhe me masë, sepse ato janë funksionale dhe tepër të këndshme kur frymojnë në këto vargje poetike.
Në vend të përfundimit
Duke lexuar, pse jo edhe duke i analizuar poezitë e dashurisë, të paraqitura në librin e dytë poetik, të cilat do të mbesin më të dashurat për lexuesin e të gjitha kohërave, poeti Shefqet Dinaj, me vargje i ngriti një monument dashurisë. Është ky një vëllim ku, në tërësi zë pozitën e parë poezia e dashurisë, pa lënë vend për motive të tjera, madje janë këto vargje ku çdonjëri nga lexuesit gjen veten në vargëzimet e tij. Në këto vargje mbizotëron një atmosferë plot me dashuri, ku poeti i këndon subjektit të dashur. Në këto lirika të bukura të dashurisë, edhe pse ndihet një jehonë romantike, prapë se prapë shfrytëzimi i kësaj ndjeshmërie ka qëllim për të krijuar poezi me vlera të reja e moderne.
Pothuajse në çdo poezi zbulohet diçka e re, e në çdo fjalë të secilit varg i pasqyrohet artistikisht diçka e veçantë lexuesit, andaj poezitë e dashurisë në veprën “Enigma”të Shefqet Dinajt, mund të shijohen, ndjehen dhe vlerësohen nga lexuesi i çdo moshe e i çdo kohe. (Halil Haxhosaj: [email protected])

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura