GJOKË DABAJ: PA 7 MARSIN E VITIT 1887, AS PAVARËSIA E SHQIPËRISË NUK DO TË ISHTE SHPALLUR NË VITIN 1912 (II)

Durrës, 21. 03. 2014 – 37.A e kanë mësuesit tanë veprën e Ogyst Kontit, themeluesit të rrymës pozitiviste në filoziofi? O. Konti ka thënë që vetëm shkencat empirike janë burime të diturisë së mirëfilltë. Si do të dinë mësuesit tanë që O. Konti ka thënë kështu, bashkë me shumë të tjera, që ai gjithsesi i ka thënë për ne e jo për paraardhësit e tij, nëse nuk e kanë lexuar e rilexuar veprën e tij? O. Konti e ka ndarë historinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore në 3 shkallë (etapa) dhe ka thënë: “Ashtu siç ka historia e zhvillimit të shoqërisë njerëzore 3 shkallë, shkallën teologjike, shkallën metaforike dhe shkallën shkencore, të cilën ende nuk e ka arritur, edhe fëmija ka 3 shkallë zhvillimi: Deri në 7 vjeç, 7 deri 14 dhe 14 deri 21 vjeç.” “Pasi të mbarojë shkollimin, fëmija duhet të udhëtojë, për të plotësuar njohuritë.” “Shoqëria duhet të udhëhiqet nga elita shkencore.” “Të dish të parashikosh, të parashikosh, që të parandalosh.” (Hpb,II, f.80-82) Vetëm kjo thënia e fundit do të mjaftonte për ta vënë në punë trurin e njeriut dhe të ketë punë me veten deri sa të jetë gjallë.
38.Edhe Herbart Spenseri është njëri prej themeluesvet të filozofisë pozitiviste, i rëndësishëm edhe në fushën e pedagogjisë, sidomos me veprën “Edukata mendore, morale dhe fizike.” Ka qenë një prej kritikëvet të ashpër të edukatës dhe arsimit në Angli. “Nxënësit anglezë”, ka thënë ai, “janë të stërngarkuar me lëndë mësimore, e cila nuk ka kurrfarë dobie në jetën dhe punën e njeriut.” “Ideali themelor i edukatës është aftësimi i njeriut për jetën në rrethanat aktuale.” “Mësimi konkret nuk duhet kufizuar vetëm në shkollë. Ai duhet të realizohet edhe në fushë, pyll, shtëpi etj.” (Hpb,II, f.83-89)

39. A e kanë mësuesit tanë në bibliotekat e tyre vetjake Konstantin Dimitrieviç Ushinskin, themeluesin e pedagogjisë moderne ruse? K.D.Ushinski, midis tjerash, ka lënë edhe këto thënie me shumë vlerë: “Njeriu të edukohet në çdo pikëpamje, për drejtësinë, mirësinë e të njerëzishmen, në mënyrë që interesat e njerëzimit t’i ndërlidhë me interesat e popullit të vet dhe me ato vetjaket.” “Puna është bazë, faktor dhe proces i edukatës. Nëse duam ta bëjmë fëmijën të lumtur, duhet ta edukojmë pa tjetër me dashurinë ndaj punës dhe për punën.” “Të nxënit është punë dhe duhet të jetë punë.” “Ndjenja e patriotizmit te njeriu jeton më gjatë se çdo ndjenjë tjetër.” (Hpb,II, f.97-106)
40. Po veprat e Ljev Nikollajeviç Tolstojit, (është fjala për ato pedagogjiket), a i kanë mësuesit tanë në bibliotekat e veta? L.N.Tolstoji ka qenë një fantazist i madh në fushën e arsimit. Unë, madje, do ta kisha quajtur utopistin më të spikatur edukativo-arsimor në shkallë botërore. Pikërisht kjo do të ishte edhe arsyeja pse vepra e tij pedagogjike duhet lexuar, studiuar dhe ristudiuar. Nxënësit e shkollës së L.N.Tolstojit nuk ishin të detyruar të shkonin në shkollë me rregull, madje as me libra. Librat e fletoret i mbanin në ormarin e shkollës. Uleshin në klasë si të donin e ku të donin. Duke qenë ithtar i Zh.Zh.Rusoit “njeriu lind i përkryer, i mirë, i bukur, i vërtetë, pra njeri”, L.N.Tolstoji u bë përfaqësuesi më tipik i edukatës së lirë: “Kriter i pedagogjisë”, ka thënë ai, “është vetëm 1: LIRIA.” (Hpb,II, f.107-112)
41. A e kanë mësuesit tanë në bibliotekën e tyre personale Georg Mihal Kërshenshtajnerin, themeluesin dhe teoricienin e Shkollës së Punës, autorin e 12 veprave të rëndësishme pedagogjike? “Puna duhet të jetë shpirti i shkollës,” thotë G.M.Kërshenshtajneri. “Dituritë, shkathtësitë dhe shprehitë dalin nga puna prodhuese dhe, si rrjedhojë, ndikojnë në punën prodhuese.” “Puna e nxit fëmijën të mendojë.” “Shkolla duhet të ketë punëtori, kopsht shkollor, laboratore, kuzhinë, rrobaqepësi.” “Nxënësit nuk duhen stërngarkuar, as me punë, as me mësime.” (Hpb,.II, f.170-177)
42. Zigmund Frojdin e kanë njohur tashmë shumica e intelektualëvet tanë e, midis tyre, edhe mësuesit. Por, a e njohin mësuesit tanë Z.Frojdin, ashtu si duhet njohur ai, edhe në fushën e psikologjisë shkollore dhe të pedagogjisë? “Superiorja është cenzori i brendshëm moral, i cili, nëpërmjet Egos, i kritikon, miraton ose gjykon mendimet, sjelljet dhe veprimet e njeriut.” “Instinkti seksual i nxit të gjithë aktivitetet dhe çdo kënaqësi është seksuale.” Kështu thotë Z.Frojdi, duke e mbivlerësuar rolin dhe rëndësinë e inkonshiencës, sidomos instinktin seksual. Për këtë dhe është kritikuar. Z.Frojdi, madje, ka qëndrim negativ ndaj pedagogjisë. Megjithkëtë, psikanaliza e tij ka ndikuar fuqishëm pikërisht në pedagogji. Frojdistët janë përpjekur për ngritjen e një pedagogjie psikanalitike, gjegjësisht seksualizimin e edukatës, për tolerancë ndaj agresivitetit të fëmijëvet dhe kundër aplikimit të çfarëdo detyrimi. Gjithsesi, Z.Frojdi duhet njohur dhe duhet studiuar. Të ish për të mos u njohur: edhe e mira, edhe e keqja, Dante Aligieri nuk do t’i kish shkruar: edhe “Parajsën”, edhe “Ferrin”. (Hpb,II, f.195-197)

Gjergj Fishta – 28 Nëntor 1913

43. Emil Dyrkemi ka thënë: “Edukata është veprim, të cilin gjeneratat e rritura e ushtrojnë mbi ata, të cilët nuk janë pjekur ende për jetë shoqërore.” (Hpb,II, f.90-92)
44. Xhon Djuin a e kanë mësuesit tanë në raftet e tyre të libravet? X.Djui është ndër pedagogët më të shquar botërorë. Por, a e kanë apo nuk e kanë këtë pedagog mësuesit tanë të nderuar në tavolinat e tyre të punës? Le që, ne as që e dimë: Sa për qind e mësuesvet tanë kanë, në banesat e tyre, dhomë pune dhe bibliotekë, të ndarë nga pjesa tjetër e banesës? “Individi”, thotë Xhon Djui, “është produkt i shoqërisë, aq sa shoqëria është produkt i individit (individëvet).” “Dituritë janë instrumente për zgjidhjen e problemevet.” “Edukata është një rikonstruksion i përhershëm i përvojës.” “Edukata duhet t’i shërbejë përparimit shoqëror.” “Edukimi i njeriut fillon nga lindja dhe vijon gjatë gjithë jetës së tij.” “Edukimi i vërtetë fillon pikërisht atëherë, kur ne e kemi përfunduar arsimimin shkollor.” “Shkolla duhet të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm për sicialistizimin e të rinjvet.” (Hpb,II, f.205-215)
45. Nadjezhda Konstantinovna Krupskajën, a e kanë mësuesit tanë midis libravet të profesionit të vet? Apo, meqë ajo ka qenë pedagoge e shtetit komunist, nuk duhet ta kenë?.. Ndonëse kërkonte që mësimi të ndërlidhet me punën prodhuese dhe që politeknizmi ta përshkojë tërësisht punën në shkollë, N.K.Krupskaja e kritikoi ashpër eksploatimin e punës së fëmijëvet. “Puna e fëmijëvet,” thotë ajo, “duhet të jetë relativisht e lehtë.” “Me punë të dobishme duhet filluar nga mosha 12-vjeçare.” N.K.Krupskaja kërkonte që midis nxënësvet të zhvillohej intensivisht ndjenja e solidaritetit dhe, në funksion të kësaj, duhej të shërbente maksima e njohur komuniste (dhe jo vetëm komuniste, Gj.D.) “Një për të gjithë e të gjithë për një.” (Hpb,II, f.251-256)
46. A e kanë mësuesit tanë në vitrinat e veta mjeken Maria Montesori, e cila u muar me rehabilitimin e fëmijëvet të vonuar intelektualisht? Ajo ka hapur në Romë të parën Shtëpi për Fëmijë dhe këshilloi, në mënyrë shumë profesionale, që permes stërvitjevet të muskujvet, shqisavet dhe sistemit nervor, të formohet kultura senzitive e fëmijëvet. “Fëmijët”, thoshte ajo, “të qëndrojnë në kopsht nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke i kryer të gjitha punët, nga ushqimi, deri te pastrimi i ambientevet.” “Fëmijët e vegjël”, ka thënë M. Montesori, “duhet të punojnë çdo gjë që mund të punojnë.” (Hpb,II, f.179-181)
47. Helena Parkhers është nismëtarja e shumë të njohurit Plani Dalton, thelbi i të cilit ishte ky: “Nxënësit vetë të bëjnë orarin e punës dhe ta zbatojnë atë sipas programit që kanë hartuar po ata vetë. Programet mund të jenë minimalë, mesatarë dhe maksimalë.” Të mos ekzistojë mësimi klasë-orë. Çdo detyrë që merr nxënësi të ndahet në 20 pjesë. Në 1 vit shkollor nxënësi të zhvillojë 50 detyra. Nxënësi nuk kalon dot në detyrën tjetër pa dorëzuar të mëparshmen. Mësuesi ka detyrë vetëm të kontrollojë dhe të vlerësojë. (Hpb,II, f.220-222) Vetëm kaq sa shkrova këtu, do të mjaftonte që çdo mësues t’i vërë qëllim vetes: “Pa ta shoh njëherë më me hollësi, ç’është ky Plani Dalton!?”
48. Edhe Ovid Dekroliu është autor i një sistemi të veçantë, themeluar në Institutin për Fëmijë me Pengesa në Zhvillim. Motoja e tij është: “Shkolla e jetës, për jetën.” Metoda e O.Dekroliut mbështetej në parimet e edukimit individual dhe frontal. Me punën globale, frontale, realizonte shkrim-leximin, gjeografinë, historinë. Me punën individuale realizohej aritmetika, kurse muzikën e realizonin mësues profesionistë. “Fëmija i lidhur për bankën e shkollës”, thoshte O.Dekroliu, “nuk mund të përgatitet për jetën.” O.Dekroliu e pat organizuar punën e nxënësvet me grupe. Në krye të secilit grup kishte nga një komisar. (Hpb,II, f.182-184)
49. Në shkollat tona sot po përdoret metoda e projektevet, por unë kam përshtypjen që mësuesit e zbatojnë këtë metodë, sepse ua ka programuar drejtori i Drejtorisë Arsimore e jo Viliam Kilpatriku, autori apo shpikësi i kësaj metode pune. V.Kilpatriku ishte organizuesi i metodës së projektevet në një shkollë ushtrimore të një kolegji mësuesish. Kjo metodë është qartas e njëjtë me metodën e punës kërkimore-shkencore ose pjesë e saja. Me praktikimin e kësaj metode nxënësi gjendet në rolin e hulumtuesit, kurse mësuesi gjendet në rolin e ndihmësit dhe këshilluesit. (Hpb,II, f.218-220)
50. Eduard Klaparedi është përfaqësues i Pedagogjisë Funksionale. “Metoda e mësimdhënies”, thotë E.Klaparedi, “duhet t’i përshtatet natyrës së secilit nxënës, siç bëhet me rrobat e me këpucët.” “Nxënësit t’i mundësohet që mësimet t’i vijojë në nivele të ndryshëm: Matematikën në nivel të dytë, latinishten në nivel të tretë etj.” Parulla e tij ishte: “Shkollë për fëmijë e jo fëmijë për shkollë.” “Klasa e nxënësvet është një republikë në miniaturë, nuk është monarki.” “Shkolla të jetë më shumë laborator, se sa auditor.” Nisur nga ky vizion, E.Klaparedi ka formuluar të quajturit 7 ligjet e edukimit funksional: 1.Rregulli gjenetik, 2.Ushtrimet funksionalë, 3.Adaptimet funksionalë, 4.Autonomia funksionale, 5.Individualiteti, 6.Nevoja (kërkesa, domosdoshmëria, Gj.D.), 7.Interesi. E.Klaparedi ka thënë: “Interesi është parimi themelor i aktivitetit mendor.” (Hpb,II, f.184-188) Vo! Është fjala për interesimin, për të tërhequrit pas një lloj veprimtarie, midis të cilëvet, natyrisht, mund të hyjnë edhe interesi për para, interesi për karrierë etj, por mund të jenë edhe poezia, lulishtaria apo drugdhendja.
51. A e kanë mësuesit tanë në raftet e tyre të quajturin Plani i Jenës, ideuar nga Peter Peterseni në vitin 1924? Atje është thënë: “Shkolla duhet të jetë një bashkësi jetësore e punuese, sipas modelit të familjes.” “Të respektohen aftësitë e interesat e nxënësvet.” “Të angazhohen nxënësit në hulumtime.” “Nxënësit të punojnë lirisht sipas aftësivet dhe interesavet, mësuesi të japë këshilla, të përcjellë punën dhe ta kontrollojë atë.” “Mësimi të mos organizohet sipas lëndëvet, por sipas temavet të propozuara nga vetë nxënësit.” Në Planin e Jenës nuk ka as orar, as orë mësimi. Java fillon e mbaron me muzikë e me solemnitete. Në fund të javës bëhen analiza dhe vlerësimet e rezultatevet. Madje shkolla, të themi, e P. Petersenit, nuk ka as banka për nxënës, as katedër për mësues. (Hpb,II, f.188-189)
52. Robert Kuzine ka zbatuar metodën e punës së lirë në grupe. R.Kuzine thotë: “Edukimi nuk është detyrë, as e mësuesit, as e familjes, por është kryesisht një veprimtari fëmijërore.” Grupet që krijon R.Kuzine merren me 4 lloje punësh: Shkenca natyrore, histori, gjeografi dhe punë krijuese. 40 vjet kohë sollën ndryshime në Shkollën e Re Evropiane, përfaqësuar nga S.Freneja, O.Dekroliu etj. (Hpb,II, f.189-191)
53. Anton Semionoviç Makarenkon e kanë njohur mësuesit shqiptarë diç më mirë. Por nuk mjafton të dish vetëm disa gjëra prej tij dhe nuk mjafton ta njohin A.S.Makarenkon vetëm disa prerj nesh. Jo vetëm A.S.Makarenkon, por të gjithë personalitetet e pedagogjisë që i përmenda deri këtu, mësuesi është i DETYRUAR t’i njohë me hollësi. A.S.Makarenkoja është njëri ndër pedagogët më të shquar sovjetikë. Më 1920-n ai drejton një koloni punuese për delikuentë të mitur, me emrin “Maksim Gorki”. Nga delikuentë të mitur, ai arriti të formojë një kolektiv të fortë e të disiplinuar. Pjesë përbërëse e jetës së asaj kolonie ishin: Uniforma, disiplina e fortë, raportimet, flamujt, orkestra, buria… Shkolla tjetër ku punoi A.S.Makarenkoja, ishte Komuna “Feliks Xherxhinski”. Disa nga thëniet e A.S.Makarenkos janë: “Delikuentët nuk janë fëmijë devijantë, por njerëz të pafat, të cilët duhet të futen në jetën normale.” dhe “Pedagogjia është shkenca më dialektike.” Ai ishte kundër pedagogjisë liberale. “Liria, fati dhe interesat e individit duhet të harmonizohen me atë të kolektivit.” “Baza dhe aktiviteti kryesor i kolektivit është puna prodhuese.” Dhe, midis tjerash, ai e pohonte me ngulm: “Jam i ashpër, sepse të dua.” (Hpb,II, f.256-261)
54. I quajturi Plani i Vinetkës ka 2 programe: Minimal dhe fakultativ. Bartësi dhe zbatuesi i këtij Plani ishte Karlton Uoshberni. Orar mësimor të përhershëm nuk kishte. Zbatohej puna mësimore individuale. Synimi ishte: T’i krijohen nxënësit mundësi për një vetëveprim maksimal. Kontrolli i punës bëhej me testime. Praktikoheshin forma grupore. Bëheshin dramatizime, nxirej gazetë, bëheshin rregullime ambientesh, organizoheshin diskutime. Kjo mënyrë procedimi, thotë kritika, nuk ofronte dituri të sistemuara. (Hpb,II, f.222-224)

55. Më në fund, a e kanë mësuesit tanë Selesten Frenenë në bibliotekat e tyre? S.Freneja është themelues i Sistemit Mësimor të Shkollës së Re, sistem i cili është quajtur edhe Lëvizja e Frenesë. Parimi themelor i atij Sistemi, të quajtur edhe Lëvizja e Frenesë, ka qenë liria dhe autonomia e nxënësit në mësim dhe në punë. Nxitja, kultivimi i dashurisë për punë te nxënësit, ka qenë një nga idetë kryesore të S.Frenesë. “Vetë nxënësi përcaktohet për punën që dëshiron.” “Secili nxënës ka planin javor të punës.” “Rezultatet e punës së vet nxënësi i paraqet në raport para shokëvet të vet.” Shkolla e S.Frenesë kishte shtypshkronjë, fisha vetëkorrigjuese, shirita mësimorë. Nxënësit mbanin korrespondencë, këmbenin albume e objekte të tjerë me klasa e shkolla të tjera. Mësuesi është më shumë bashkëpunëtor i nxënësit, sesa misimdhënës. Kjo shkollë, që quhej Shkolla e Frenesë, kish edhe një kushtetutë të vetën me 10 nene. Neni 5 thoshte: “Shkolla moderne është një cooperative, model pune eksperimentale. Qëllimi kryesor është: Të formojë te fëmija njeriun e së nesërems.”
– – – – – – – – – – – – – – – – – 
Një shumicë e atyre që kanë pasur durimin dhe e kanë lexuar këtë shkrim nga fillimi deri këtu, me siguri kanë bërë pyetjen: “A seriozisht e ka ky, apo po bën shaka?!” Madje ndonjëri mund ta ketë shtruar edhe kështu çështjen: “Ky, o tallet me arsimin dhe njerëzit e arsimit, o s’është mirë në mendje. Kush e ka shtruar ndonjëherë këtë kërkesë, që mësuesi duhet të ketë në shtëpinë e vet apo në kabinetin e vet të punës një bibliotekë të këtillë profesionale?! A keni parë në ndonjë plan-program ministrie, ku të shtrohen të paktën 2 nga këto kërkesa që lidhen me këtë aspekt të kualifikimit të mësuesvet: Botimi në sasinë e duhur i kësaj literature dhe kontrolli në terren, cilët mësues nuk e kanë këtë literaturë dhe cilët e kanë, por nuk e vënë në punë, dmth nuk e lexojnë kurrë, se s’ka kush luan domino e bilardo dhe s’ka kush pi raki, s’ka kush rri në rradhë nëpër floktore për të ngjyrosur e ringjyrosur flokët, s’ka kush shikon nga 5 orë në natë televizor?!”
Kuptohet, përderisa ministritë tona që janë marrë me arsimin, nuk e kanë vënë ndonjëherë këtë ujë në zjarr, përderisa nuk është marrë ndonjëherë përsipër nga ministritë përkatëse përkthimi dhe botimi i kësaj literature, as unë që i shkrova këta rreshta, nuk kam pasur mundësi ta kem në dispozicion këtë literaturë. Madje, për ta hedhur në letër këtë pasqyrë, si një kërkesë të së ardhshmes, të themi, këtë regjistër panoramik, unë shfrytëzova librin universitar “Historia e pedagogjisë botërore” të Prof.Dr.Hajrullah Koliqit, botuar në Prishtinë në vitin 1997. Faqet që janë shënuar në kllapa, tregojnë se i jam referuar pikërisht atij libri.
Mirëpo, jo vetëm literature, që na sugjerohet duke lexuar këtë libër, por as vetë librin në fjalë “Historia e pedagogjisë botërore”, nuk besoj ta kenë shumica e mësuesvet tanë. Bëni sondazh në cilindo njësi vendore të doni, në Tiranë, në Gramsh, në Gjilan, në Istog, në Strugë, jo sondazh me pyetje, por sondazh me kqyrje, dhe nxirni përfundimin: Sa për qind e mësuesvet tanë e mbajnë mbi tavolinë librin e Prof.Dr.Harullah Koliqit? Në mos këtë, se ndoshta s’u ka shkuar në mend ministrivet ta rekomandojnë, po libra të profesorëvet të tjerë shqiptarë a mbajnë mbi tavolinë mësuesit tanë?
Dhe, përfundimisht, unë jam i detyruar të shtroj pyetjen: Çfarë produkti nxjerrin shkollat shqiptare në kohën tonë? Ç’janë në të vërtetë shkollat shqiptare 127 vjet mbas hapjes së shkollës së parë shqipe (me leje shteti) në Korçë?!
Punishte tifozësh, që rrihen njëri me tjetrin nëpër stadiume?! Impiante bastexhinjsh dhe kumarxhinjsh?! Furnizuese të ushtrivet muxhahedine?! Prodhuese në seri të vjedhësvet të korentit?! Instititucione specialistësh për të falsifikuar dokumente zyrtarë të të gjithë llojevet?! Hajdutë xhepash?! Grabitës me maska?! Shkelës permanentë të rregullavet të qarkullimit?! Shoferë që e vënë rripin e sigurimit vetëm kur shikojnë policinë?! Bashkëshortë që tradhtojnë njëri-tjetrin, sapo t’u dalë para një gjoja më i bukur a më i mirë?! Burra që lënë gruan me 3 fëmijë dhe fejohen si pa të keq me një tjetër?!
Çështë, në të vërtetë, shkolla shqiptare, 127 vjet mbasi Naimi ynë i madh u gëzua aq shumë?! Fabrikë kopjacësh, që duhet t’i ruash me polici në ditët e provimevet?! Prodhuese banorësh që s’dinë të mbajnë pastër vendin ku jetojnë?!
Ç’TË BËHET, TASHMË, JO ME NXËNËSIT, POR ME MËSUESIT?!
Kjo është kërkesa më e ngutshme e sistemit tonë arsimor në shekullin XXI: Ç’të bëhet dhe sit ë veprohet me MËSUESIT?! Le ta shqyrtojmë këtë problem pak më me hollësi!
Faktorët që ndikojnë në formimin e njeriut janë 2: VETË NJERIU dhe MJEDISI ku ai njeri jeton. Te nocioni VETË NJERIU përfshihen predispozitat e tija vetjake, elementët e trashëgimisë, forcat volitive të tijat dhe, në përgjithësi, vetëpërpunimi i individit. Te nocioni MJEDISI përfshihen: familja, komuniteti ku njeriu jeton, nga kombi e deri te përmasat gjithnjerëzore, si dhe institucionet që merren drejtpërsëdrejti me njeriun, por edhe natyra ku ai jeton.
Midis institucionevet që merren drejtpërsëdrejti me formimin e njeriut bën pjesë edhe ARSIMI, krejt sistemi arsimor. Pra, nuk mund të mos ngulim këmbë te përkufizimi që faktorët njeriformues janë vetëm 2: AI VETË dhe MJEDISI ku ai jeton, midis të cilëvet, doemos, edhe sistemi arsimor.
Qëllimi i arsimit, si njëri prej faktorëvet mjedisorë ose jashtësorë më të rëndësishëm në formimin e njeriut, është që ta bëjë njeriun gjithanësisht TË MIRË. Edhe këtu duhet të ngulim këmbë. Ky qëllim buron nga fakti që njeriu lind me predispozita, sa të mira, aq edhe të këqia. Edhe këtu duhet të ngulim këmbë. Rrjedhimisht, duke i pasur të 2 llojet e predispozitavet, njeriu mund të bëhet edhe i mirë, edhe i keq, ose herë i mirë e herë i keq, apo herë i keq e herë i mirë. Nuk është e saktë ajo që është thënë në pedagogji, se “njeriu lind i mirë”, apo në formën e së famshmes “tabula raza”. Të ish ashtu, do të ish vërtet një çudi e madhe, një dalje e çuditshme nga natyra e gjallesavet.
Duke marrë udhë nga përkufizimi: Qëllimi i arsimit është për ta bërë njeriun të mirë, analiza shtrihet në thellësi e në gjërësi. Brenda shperehjes për ta bërë të mirë kemi: Të mirë në pikëpamje morale dhe të mirë në pikëpamje të zotësisë për të punuar e vepruar. I mirë në pikëpamje morale është njeriu, i cili nuk synon për të bërë keq në jetë dhe madje refuzon për të bërë keq. Refuzon, nuk pranon për t’u bërë keq të tjerëvet dhe refuzon, nuk pranon për t’i bërë keq vetëvetes. I mirë në pikëpamje të zotësisë për të punuar e vepruar është njeriu i cili i zotëron, mundësisht gjer në përsosmëri, punët dhe veprimet që ka për të kryer. Zotëron, mundësisht gjer në përsosmëri, jo 1, por sa më shumë punë e veprime, midis të cilavet, doemos, 1 apo 2 janë pjesë kryesore të jetës së tij. Te komponenti VEPRIME, i shprehjes punë e veprime, duhet të nënkuptojmë: lojërat, sportet, artet, ritet, shëtitjet. Pra, shprehja punë dhe veprime nuk ka vetëm kuptimin e të punuarit për të prodhuar të mira materiale, por ka edhe kuptimin e plotësimit të kërkesavet shpirtërore të njeriut.
Shtrirja dhe thellimi, dmth zbërthimi i qëllimit të arsimit, do të vazhdonte më tej, deri në përmasat e një literature shkencore voluminoze, por në suazat e një artikulli ku po del e domosdoshme të përqëndrohemi te mësuesi, kaq besoj se është e mjaftueshme.
MËSUESI është ai që realizon drejtpërsëdrejti qëllimin e arsimit në formimin e njeriut. Për mësuesin janë formuluar shumë konsiderata e shumë vlerësime. E kanë konsideruar faktor tepër të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe në jetën dhe zhvillimin e kombevet. Madje e kanë adhuruar.
J.A.Komenski, edhe vetë njëri ndër përfaqësuesit madhështorë të arsimit, ka thënë: “Profesioni i mësuesit është i madhërishëm si asnjë profesion tjetër nën qiell.”
J.H.Pestaloci, njëri ndër shembujt më idealë të përkushtimit si mësues, thotë: ”Lotët e mi pikonin së bashku me lotët e tyre.”
Me këtë rast nuk po më largohet nga kujtesa një mësues i imi nga Gjakova. E quanin Muhamet Rizvanolli. Na jepte matematikë. Edhe ai qante bashkë me ne, sa herë gjendeshim në klasë në grupe 3-4 vetësh, në orë konsultimesh, ku më shumë bisedonim për fatet e Kombit tonë, se sa për matematikën.
J.H.Herbarti, 1776-1841, ka shkruar: “Mësuesi është autoriteti kryesor në mësimin dhe edukimin moral të nxënësit.” Të mos harrojmë: “Në edukimin moral”! Si ta përfytyrojmë këtë rol të mësuesit kaq vendimtar në formimin e njeriut, kur të rinj, që sapo kanë dalë nga shkolla, shkojnë e ia shkulin gruas kalimtare gjerdanin nga qafa në mes të Tiranës?!
F.V.A.Frebeli, 1782-1852, thotë në anë tjetër: “Edukatori duhet të bëhet vetë fëmijë.” E ka fjalën që një mësues duhet ta njohë aq thellë botën e nxënësit të vet, sa edhe në fjalor, edhe në gjeste, t’i përshtatet atij. Vetëkuptohet që kjo punë nuk është aspak e lehtë dhe kjo nënkupton thjeshtë e qartë që jo çdokush mund të bëhet mësues.
F.A.Distervegu, 1790-1866, e ka krahasuar mësuesin me Diellin. Ai ka thënë: “Mësuesi për shkollën është njësoj si Dielli për gjithësinë.” Por, në po këtë kontekst, ai ka vazhduar: “Është e pamundur t’i japësh dikujt tjetër atë që nuk e ke as vetë.” Është, pra, e detyrueshme që mësuesi të jetë vetë një Diell, në mënyrë që të mund t’u japë fëmijëvet atë që Dielli i jep Tokës.
Xh.Djui, 1859-1952, pedagogu i madh i të 2 shekujvet të fundit, thotë: Mësuesi duhet të jetë “model i përkryerjes së edukatës” dhe, njëkohësisht, “krenar për punën e profesionin e vet.”
Le ta mbyllim këtë revistë fare të shkurtër thëniesh për mësuesin me A.Xhuvanin tonë. Ai ka thënë: “Mësuesi asht tue formue gjanë ma fisnike në botë, shpirtin e njeriut.”
E gjithë kjo që thashë, është tepër e rëndësishme të dihet. Mirëpo, qoftë praktika botërore, qoftë kjo e jona, kombëtarja, e kanë vërtetuar tashmë që nuk mjafton vetëm vlerësimi, vetëm të ngriturit në piedestal, apo vetëm kërkesa: Bëhu i këtillë! Ka me mijëra, në mos me dhjetëra mijë mësues, të cilët nuk i afrohen gjëkundi kërkesës për të qenë ata që duhet të jenë. Ka me mijëra, në mos me dhjetëra mijë mësues, të cilët, edhe kur duan e përpiqen të bëhen të tillë, nuk bëhen dot. Duan, pra, të jenë të atillë siç i kërkon profesioni i tyre i shenjtë, por i pengon pjesa tjetër, aspak e shenjtë. I pengon edhe burokracia. I pengon edhe korrupsioni dhe, më në fund, arsimi i sotëm, në vend që të krijojë, në vend që të ndihmojë në krijimin e njeriut të mirë (në kuptimin që e thashë në fillim), bën të kundërtën. E gjithë kjo dëshmon qartë se krejt sistemi arsimor çalon diku. Unë, madje, nuk po them: Çalon. Unë po them: Zvarritet, sepse i ka të 2-ja këmbët jashtë përdorimit. Përfytyroni një qenie që zvarritet!
Ky është problem kryesor i sistemit të sotëm arsimor: Jo, SI DUHET TË JETË mësuesi, por, SI TË JETË, SI TË BËHET mësuesi ashtu siç i është kërkuar.

Në fushën e teknologjisë kjo ide do të shprehej kështu: Kur ta kesh gjetur si e do produktin, duhet të gjesh edhe mënyrën si ta prodhosh, si ta krijosh një të tillë produkt. Mirëpo, nuk mjafton të zotërosh mënyrën e prodhimit. Duhet edhe të gjesh mënyrën që prodhimi të jetë funksional dhe i qëndrueshëm. Jo të prishet me përdorimin e parë, por të vijë gjithnjë duke u përsosur në punë e sipër. Kjo është kërkesa në teknologji.
Në fushat sociale kjo, doemos, është qindfish më më e vështirë. Megjithatë, jo vetëm duhen kërkuar rrugë e mënyra, por edhe duhen gjetur rrugë e mënyra për t’i vënë ato në jetë, para se të vijnë katastrofat.
Unë kam bindjen që, në fushën e arsimit, mënyrë vendimtare për t’i vënë për vijë të gjitha këto punë, është SISTEMI I MARRJES NË DORËZIM. E kam tjerrë këtë ide qysh prej fillimit të vitevet 1980. E kam botuar edhe në media dhe e kam shpjeguar, në vijat më kryesore, se ç’kuptoj me një të këtillë sistem arsimi, që e kam quajtur sistemi i marrjes në dorëzim. Prandaj këtu po ndalem fare shkurt, sa për të dhënë një shenjë se, megjithatë, ka rrugëdalje.
Parimi I përgjithshëm është ky: Mësuesi nuk i shoqëron nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, por specializohet vetëm për njërën nga këto klasa.
Mësuesi i klasës së pare, ai që është specializuar për klasë të parë, i merr nxënësit nga kopshti ose nga shtëpia. Atij nuk i lejohet të mos i pranojë nxënësit që vijnë të regjistrohen, përveç ndonjë rasti të veçantë, kur dukshëm ka të bëjë me zhvillim të vonuar. Për këtë, ky mësues, pra mësuesi i klasës së parë, merr rrogë një kuotë më lart se mësuesit e klasavet të tjera. U jep mësim gjatë gjithë vitit, përpiqet të realizojë me ta krejt çfarë parashikon programi, në mënyrë të veçantë aspektin e zhvillimit fizik dhe shpirtëror të nxënësvet, pa lënë pas dore, doemos, edhe aspektrin edukativ e arsimor: Leximin, shkrimin, të folurit, përshëdetjet, mënyrën e të ecurit, kujdesin ndaj pastërtisë, dallimin e sendevet dhe të dukurivet, emërtimet.
Mirëpo, cili është thelbi inovacionit që unë po e parashtroj ndoshta për herë të pare në historinë e arsimit? Thelbi i këtij inovacioni është ky: Mësuesi i klasës së parë mund të jetë njeri i mrekullueshëm, mund të jetë edukator i përkryer, por mund edhe të mos jetë i tillë. E ka marrë diplomën. Ka kaluar nëpër shoshën apo sitën e provimevet, por ne ende nuk e dimë cilat janë vlerat e tija konkrete në punën me nxënësit. Ne nuk e dimë as çfarë formimi profesional ka, as çfarë formimi moral ka ai njeri, të cilit i kemi dhënë në dorë një tufë krijesash të njoma. Ose, edhe mund t’i dimë të gjitha këto, sepse mësuesin në fjalë e njohim prej shumë vitesh, por prapë duhet të ketë një mjet matës, një barometer institucional dhe të përvitshëm.
I vetmi “barometër” institucionalisht i besueshëm për t’i vlerësuar cilësitë profesionale dhe morale të mësuesit të klasës së parë, është mësuesi i klasës së dytë. Ai mësues, i cili vitin që vjen do të marrë në dorë nxënësit përkatës. Me qëllim që njohja e nxënësvet, gjegjësisht, e punës së mësuesit të klasës së parë, të marrë formë konkrete, duhet që mësuesi i klasës së dytë të ketë edhe mundësi ligjore për të vepruar. Ndryshe, ç’u muar vesh që mësuesi i klasës së dytë i konstatoi të mirat apo të metat e kolegut paraardhës?! Pra, mësuesi i klasës së dytë duhet të ketë kompetencë ligjore për të mos i marrë në dorëzim, për të mos i pranuar në klasën e dytë, nxënësit që nuk e kanë përvetësuar lëndën e domosdoshme, mësimore dhe edukative, të programuar për klasën e parë. Për ta kryer këtë punë, duhet të ekzistojë, doemos, procedura përkatëse, e paraprojektuar dhe e paracaktuar me rregullore ministeriale. 2 javë punë me atë klasë në fund të gjysmëvitit dhe 2 javë në fund të vitit.
Nxënësvet që ka marrë në dorëzim, mësuesi i klasës së dytë do të përpiqet t’u japë arsimimin dhe edukatën që ia ka përcaktuar programi. Mësuesi i klasës së tretë do ta përcjellë punën e tij dhe të nxënësvet të tij gjatë gjithë vitit, kurse, në fund të vitit do të vendosë, pas një shoshitjeje përfundimtare 2-javore, se cilët nxënës të asaj klase të dytë meritojnë të kalojnë në klasë të tretë e cilët nuk do të kalojnë.
Nxënësvet që ka marrë në dorëzim, mësuesi i klasës së tretë do të përpiqet t’u japë arsimimin dhe edukatën që ia ka përcaktuar programi. Mësuesi i klasës së katërt do ta përcjellë punën e tij dhe të nxënësvet të tij gjatë gjithë vitit, kurse, në fund të vitit do të vendosë se cilët nxënës të asaj klase të tretë meritojnë të kalojnë në klasën e katërt e cilët nuk kalojnë.
Unë mendoj që, si fillim, të paktën deri në mbarimin e klasës së pestë kjo procedurë duhet të jetë e detyrueshme. Por, në të ardhshmen, ndoshta e njëjta procedurë do të mund të aplikohet deri në mbarimin e klasës së nëntë. Dmth deri në mbarim të shkollimit të detyrueshëm.
Kam parasysh këtu, midis tjerash, edhe një thënie me vlerë të madhe të F.A.V.Distervegut: “Mësuesi popullor duhet t’i zotërojë të gjitha lëndët mësimore të shkollës fillore.” Në kohën tonë nuk mund të thuhet që një mësues, i një klase të caktuar, nuk mund t’i zotërojë të gjitha lëndët mësimore të asaj klase, ku ai e jep mësimin. Përkundrazi, duke u specializuar vetëm për 1 klasë, secili prej këtyre do të mund të bëhet shumë shpejt një zotërues i përkryer i që të gjitha lëndëve që i përkasin asaj klase. Doemos, do të ketë reformë edhe në sistemin e përgatitjes së mësuesvet.
Bibliotekën që e paraqita këtu si të domosdoshme, natyrisht, duhet ta ketë secili në dispozicion. Përndryshe, një mësues që nuk lexon vetë, nuk ka as moral t’u kërkojë të tjerëvet për të lexuar dhe, duke qenë gjithë jetën nën presionin e kolegut “sipër tij”, ai, ose do të bëhet i atillë siç e kërkon misioni i tij, ose do të detyrohet të kalojë në një punë tjetër.
Pagesa e çdo mësuesi do të varet nga numri i nxënësvet që i janë pranuar. Fakti që pagesa e secilit mësues do të varet pikërisht prej numrit të nxënësvet që do të pranohen në klasën më të lartë, do t’i nxitë ata, që të punojnë ditë e natë në përsosjen e profesionit të vet.
Në përfytyrimin tim, një mësues i shekullit XXI, e i shekujvet të tjerë, do të jetë, sa praktik në të gjitha kërkesat që ia detyron programi, aq edhe erudit në fushën e pedagogjisë, metodikës, didaktikës etj. Që të lëshojë rreze Dielli, ai do të jetë i detyruar të bëhet vetë një Diell. Përndryshe, do të fiket. Një mësues i paditur nuk u jep dot nxënësvet të vet dituri, ashtu si një mësues me mangësi në moral e sjellje, nuk mund të edukojë për mirë askënd.
Në këtë kontekst, duhet të njohim edhe një fakt tjetër tepër indinjues: Sot nuk është fatkeqësi injoranca e atyre që nuk dinë të lexojnë (sepse të atillë ka fare pak). Sot është fatkeqësi gjithnjerëzore injoranca e atyre që dinë të lexojnë e nuk lexojnë dhe të atillë injorantë ka në botë me qindra milionë. Mësuesi injorant është qeliza kanceroze e përhapjes së injorancës në kulturën gjithnjerëzore. Atij, pra, i duhet vënë dikush mbi kokë, ndryshe nuk ka si rregullohet kjo punë.

——————————-

Gjuha Shqype – Gjergj Fishta

Prandaj, në bibliotekën e vet profesionale, një mësues, i detyruar, o për të qenë sa më i përkryer, o për të mos punuar më si mësues, duhet t’i ketë në shërbim të punës së vet, që të gjitha veprat e që të gjithë pedagogëvet apo dijetarëvet. Aty duhet të renditen, qoftë në shqip, qoftë në ndonjërën prej gjuhëvet të huaja, veprat e të gjithë atyre dijetarëve që kanë lidhje me pedagogjinë, që nga Konfuci i madh, me konstatimet dhe këshillat e tija të pavdekshme, te Protagora, te Sokrati, te Platoni e Aristoteli, deri te Komenski, Helveci, Rusoi, Pestaloci, Herbarti, Distervegu, Spenseri, Dyrkeni, Ushinslki e Makarenkoja.
Mësuesi duhet të jetë i detyruar, jo vetëm t’i ketë në bibliotekën e vet këta apostuj e shenjtorë të punës me nxënësin dhe me njeriun, por t’i lexojë dhe t’i shtjerë në punë përvojat dhe thëniet e tyre në mënyrë të pandërprerë. Rrugë tjetër nuk ka. Mësuesi, o duhet të jetë mësues, o të mos rrijë në shkollë, sepse i merr më qafë fëmijët e popullit.
Deri atëherë, ne shqiptarët nuk do të mund të themi: “O vëllezër shqiptarë, gëzohi që erdh kjo ditë!”. Sepse nuk mund të gëzohemi, sa kohë që një nënë, të cilën doemos dikush prej nesh e ka pasur nxënëse, na i vret 3 fëmijë dhe na mjeron që të gjithëvet! Nuk mund të jemi të lumtur, kur ish-nxënësit tanë apo nxënësit tanë, pa dalë ende nga shkollat, të na vriten nga 5 e nga 6 në ditë. (FUND)
Gjokë Dabaj – Durrës, Mars’2014

***************************

PJESA E PARË:
GJOKË DABAJ: PA 7 MARSIN E VITIT 1887, AS PAVARËSIA

E SHQIPËRISË NUK DO TË ISHTE SHPALLUR NË VITIN 1912 (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2563

=======================
(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura