HALIL KRASNIQI: “ANTI-EUROPIANIZMI” I KIRYEMINISTRIT!

Prishtinë, 17. 05. 2012 – Ditë më parë pati cilësime të padrejta dhe fyese të të parit të qeverisë për disa qëndrime politike të ardhura nga opozita, lidhur me ngecjen e integrimit të Kosovës në BE dhe rrugën që po e ndjek qeveria në këto integrime. Tashmë skena jonë politike, për aq sa mund të quhet politike, është mësuar me cilësime tendencioze që si qëllim kanë vetëm etiketimin e tjetrit e asgjë më tepër. S’ka politikë në to, aspak. Përkundrazi, përpiqesh t’i bësh gropën tjetrin e vet bie në të.
Kështu i ndodhi qeverisë këto ditë. Ajo i dha indikacionet e para për raportet në ngecje të integrimit të Kosovës në BE-në, ndërkohë që pak ditë më herët i kundërshtoi ato. Duket sikur t’ia përmendin “ngecjet” të tjerët, qeveria nuk e kapërdinë dot. Atëherë, cili na qenka qëllimi i “reflektimit” të qeverisë lidhur me raportet tona me BE-në? Sqarimi i opinionit për shkaqe korrektësie? Hidhërimi në BE-në për mos shpërblim për lëshimet e panumërta ndaj Serbisë? Apo fillimi i tregimit të së vërtetës – saktë fillimi i demaskimit të mashtrimit të madh të servuar deri më tani?
Deri më tani ishte e qartë për të gjithë, përveç qeverisë, se Kosova jo vetëm për fajin e saj padrejtësisht ka ngecur në krijimin dhe avancimin e marrëdhënieve të saj me BE-në. Për fajin e Serbisë (shkatërrimi i Kosovës para dhe gjatë luftës) ne kemi filluar në kushte fillestare tejet të pabarabarta me të tjerët. Në kushte të tilla të pabarabarta jemi ende (mungesa e raporteve, siç po quhen kontraktuale me BE-në, mungesa e përfaqësimit ndërkombëtar etj,).

______________________________________

Këtë duhej ta pranonte së pari Qeveria, jo ta gënjente veten dhe popullin, e jo të krekosej kinse si pasojë e punës së saj të madhe Kosova po i afrohet shpejtë BE-së. E tani, ç’u bë, ku mbeti ky “afrim i shpejtë”? Duke pasur parasysh këta faktorë, çdo rezonim i thjeshtë politik e di se çfarëdo qeverie të kishim, ne nuk mund t’u afroheshim aq lehtë standardeve të BE-së.
Andaj, të themi se tani qeveria ka vendosur të “reflektojë”, apo të na thotë të vërtetën, nuk është aspak e besueshme. Pse, duhet besuar në të kur për subjektin në fjalë ka gënjyer deri tani?
Duke pasur parasysh sjelljet tekanjoze të shoqërisë sonë në përgjithësi, e të politikës gjithsesi, ka nuanca edhe të opsionit të dytë, pra shprehjes së hidhërimit të papërmbajtur ndaj BE-së për mos shpërblim për lëshimet e bëra na raportet me Serbinë. Por, ajo qe bën e këtë shprehje hidhërimi aspak dinjitoze, është mënyra e shprehjes. Mënyrë kjo burracake, jo e thënë hapur në sy dhe zyrtarisht në takimet e drejtpërdrejta me përfaqësuesit e BE-së (aty ku protokolohen qëndrimet), por përmes gazetave (aty ku mund të keqinterpretohen qëndrimet).
Natyrisht që një burrështetas mund ta thotë qëndrimin e tij edhe përmes shkrimeve autoriale. Por, në kohën për sa është në detyrë ai është i ngarkuar që qëndrimet politike të tij dhe të vendit të tij t’i shpalosë së pari në takime zyrtare. Përndryshe, takime të tilla do të ishin një abuzim dhe s’do të kishin kurrfarë kuptimi. Për më keq, pas këtyre takimeve kemi parë gjithmonë entuziazëm se gjoja punët po na “vajnë ujë”. Pra, kemi një qëndrim dyfytyrësh: tjetër qëndrim për opinion dhe tjetër qëndrim zyrtar.
Më i besueshëm duket të jetë opsioni i tretë. Qeveria ka filluar të mendojë për një “strategji dalëse” për mashtrimin e madh që ia ka bërë opinionit të brendshëm deri tani. Fajin për mospërmbushjen e premtimeve të veta të pabaza do t’ia hedh BE-së. Në ndërkohë, as qeveria s’ka përmbushur standarde nga ato që mund të përmbusheshin, sidomos në sundimin e ligjit, e as BE-ja nuk është treguar konsistente dhe unike – që ka mundur të tregohej, në politikat e saj ndaj Kosovës, sidomos në pengimin e Serbisë dhe detyrimin e vendeve të saj anëtare në njohjen e Kosovës. Bile, përkundrejt arsyetimeve politike të njohura publike, nuk arrij assesi të kuptoj sesi ka lejuar BE-ja që vendet që i kanë bërë kërkesë asaj t’i bashkohen, të kenë qëndrime të tilla regresive për procese politike historikisht të pakthyeshme siç është krijimi i një shteti të ri.
Nuk e di se a më e pritshme është që Sllovakia, Qipro apo Rumania t’ua imponojnë qëndrimet e tyre politike themeluesve të BE-së – Gjermanisë, Francës apo Britanisë së Madhe – apo do të duhej që themeluesit e BE-së përkundrejt peshës që ka secili shtet në Union, të mos humbnin kohë me to dhe t’ua tregonin vendin karshi Kosovës.
Përfundimisht, qeveria duhet të gjejë guximin e munguar deri tani që në takimet zyrtare t’i shpalosë kërkesat dhe nevojat e Kosovës dhe popullit të saj, bile edhe të imponohet për nevojat e menjëhershme që ka Kosova për hapje me BE-në.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura