HAMDI BUSHATI *): ESAT PASHË TOPTANI DHE DORËZIMI I SHKODRËS (PRILL 1913)!

Pashtriku.org, 23 tetor 2017: Me 11 tetor (1912) filloi i pari sulm i madh. Shpallja e luftës nga Mali i Zi dhe kalimi i kufinit nga forcat malazeze nga ana e perëndimit, shkaktoi një situatë kërcënuese për mbrojtjen e Shkodrës.
Ushtria në fillim të marshimit u ndalue në “Kodraç”, prej ku u dalluen forcat e anmikut, në vargun e maleve të Krajës. Një forcë prej 200 vullnetarësh shqiptarë marshoi përpara drejt një majeje të “Taraboshit“.Lufta u ashpërsue, kambësoria anmike u afrue deri 1050 metra dhe aty filloi qitja. Nisi luftimi trup më trup e përleshja mes dy palëve. Lufta mori karakter të tmerrshëm. Ndërsa malazezët po luftonin gjoks për gjoks me ushtarët e batalionit të dytë, arritën edhe vullnetarët shqiptarë.
Kjo betejë, e para, zgjati gjashtë orë me kacafytje të përgjakshme, ma në fund u kurorëzue me fitoren e ushtrive osmano-shqiptare..malazezët lanë 800 të vdekun, përveç armëve,thikave e flamujve.
Kjo qe beteja e parë, që u zhvillue kundër forcave të Malit të Zi prej shkodranëve dhe shqiptarëve të tjerë..të tilla beteja u zhvilluan gjatë 6 muajve të rrethimit. Ndër të gjitha morën pjesë shkodranë e të tjerë shqiptarë të krahinave të ndryshme.

Drejtues i aparatit ushtarak në Shkodër ishte Hasan Riza Pasha, që erdhi në Shkodër në vitin 1911 dhe me 7 mars 1912 u emnue vali e komandant i kësaj guvernature.
Me zotësinë prej strategu të rrallë ka fitue një nderim ndërkombëtar. Harta ushtarake e Mbrojtjs së Shkodrës, përpilue sipas udhëzimeve të tij, ndodhet e ekspozueme në reliev në Muzeun ushtarak të Zvicrës. Këtë ma pat pohue vetë Lumo Skendoja, që e kishte vizitue personalisht atë muze.
Hasan Riza Pasha, i shtyem nga idetë e tij mbi të drejtat e liritë që duhej të kishte çdo komb, ai vetë ishte bagdadas, përpiqej që shqiptarëve t’ua mbante të gjallë, bile t’ua nxiste sam a tepër nacionalizmin. Kështu, një herë, i propozoi Gjergj Fishtës të kompozonte një marsh shqip për me ua mësue ushtarëve shqiptarë. At Gjergj Fishta ia përgatiti marshin dhe ia dërgoi.
“Hasan Riza Pasha, tue pa se perandoria osmane kësaj here po dëbohej përgjithmonë nga Evropa, dau me qindrue për të drejtat e popullit të vogël shqiptar, për këtë qëllim u vue në përpjekje, nëpërmjet atë Gjergj Fishtës, të cilin e donte dhe e çmonte shumë, me emzot Jakë Serreqin, arqipeshkvin e Shkodrës. Qe dërgue menjëherë një korier me letra tek i pari i Kuvendit të Rubikut, që të bajnë gati krenët e maleve me u ra në shpindë malazezve posa të shifnin të ngritun flamurin Kuq e Zi“. ( „Shkolla shqiptare“ botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1941, nr 47, fq245). Vetëm në këtë mes po përgatitej një ngjarje e madhe brenda në Shkodër. Esat Toptani kishte dijeni rreth rrjedhjeve të punës dhe Hasan Rizakja do të vritesh pak ditë më vonë. (E përkohshmja „Dituria“.)
Opinioni publik shkodran pat përshtypjen dhe bindjen se, Esat Pasha e kishte kurdisë planin e vrasjes së Hasan Riza Pashës me dorën e kriminelëve Osman Bali nga rrethet e Tiranës, të Mahmutit nga Kavaja dhe të një të quajtuni Teofik nga Shqipnia e Mesme.
Humbjen e atij burri e vajtoi mbarë Shkodra, sepse me vdekjen e pashës parashihte rrezikun e madh që i kanosej.
Marrëveshja e Esatit me malazezët
Literatura historike dhe tradita popullore dëshmojnë se Esat Toptani nuk gëzonte fare simpati në popull.
Në çastet e fundit, Hasan Rizaja nuk pat ba asnjë deklaratë për zëvendësimin e tij. Kur i thanë që ta zëvendësojë Esat Pasha, bërtiti e tha: „Në asnjë mënyrë nuk ban, se e ban hatanë“.
Pasi siguroi postin e zëvendës valiut dhe komandant i Shkodrës, Esat Toptani përnjëherë nisi bisedimet me malazeztë. Komandanti i përgjithshëm i forcave malazeze, Princ Danili, me pretekst, gjoja, ilaçe për të plagosun, me anë të një delegacioni i uroi Esat Pashës detyrën e naltë që i ishte ngarkue. Shkodra vazhdoi të mbesë e rrethueme edhe tre muej. Kjo qëndresë u detyrohej komandantëve të zonave ushtarake dhe popullit të Shkodrës në përgjithësi, që në asnjë mënyrë nuk pranonte të dorzohej deri në kafshatën e fundit.
Esat Toptani për me sigurue postin e naltë të sundimit të Shqipnisë duhej t’i kënaqte serbo-malazezët me tokat shqiptare për me pasë mandej përkrahjen politike, punë që do të tolerohej edhe nga anglo-francezët. Esat Toptani nuk mund të realizonte planin e tij, dmth të hynte në marrëveshje me ballkanasit tue qenë Riaza Pasha gjallë. Punë kjo që u vertetue dy ditë pas vrasjes së këtij të fundit, kur dilte nga shtëpia e pashës,ku ishte mik i thirrun. Esati,porsa e mori në dorë komandën e përgjithshme, hyni në marrëveshje me malezezët.
Me 3 mars 1913 nga ana e Liqenit erdh një vapor me një delegacion nga Mali i Zi. Delegacioni vinte për bisedime me Esatin. Delegacioni ishte i formuem prej gjeneralit Miter Martinoviq, kryekomandant i ushtrisë së bregut, i cili solli letrën e shkrueme me datën 15 fruer – shkurt 1913. Në delegacion merrte pjesë edhe Pjetër Pllamenaci, ministër i jashtëm i Malit të Zi dhe ish ambasador në Stamboll. Mbas sa bisedimeve rreth bombardimeve të bame gabimisht kundër spitaleve etj, ma në fund Pllamenaci kërkoi të rrinte vetëm me Pashën. Sipas autorëve të librit „Rrethimi i Shkodrës“, kur Esati qenka pyet rreth takimit me delegacionin malazias qenka përgjegjë tekstualisht: „Qëndresa është e kotë! Serbët për me çue në vend hakmarrjen e disfatës që ata patën në Bërdicë, sot a nesër po sjellin 20.000 ushtarë e 75 topa. Inati nuk të jep asnjë dobi. Fortesa e Shkodrës e ka ba detyrën e saj. Madhninë dhe nderin ushtarak ka kohë që e ka plotësue“.
Esat Pasha me anëtarët e komisionit malazias shfaqej krejt intim. Ai nuk dëshironte të merrte pjesë ndojë tjetër ndër bisedimet private që kishin në mes tyre. U kuptue mirë, thuhet në literaturën e cituar, se Esati ishte tuj ba pazarllëk për të ardhmen e tij dhe të Shqipnisë. Pllamenaci, pas këtij takimi, erdh edhe dy herë të tjera. Esat Pasha hidhte gurin e fshihte dorën. Ai nuk kishte guxim t’ua doreëzonte Shkodrën malazezve në krye të vet.
Esat Toptani, i marrun vesh me malazeztë, me një mënyrë ose në një tjetër, pavarësisht nga qëndrimi zyrtar, përsonalisht përpiqej të ia dorëzonte Shkodrën Malit të Zi. Qeveria malazeze andrronte se mbas pushtimit, Shkodra do ti mbetej malit të Zi, prandaj me çdo kusht pranonte pushtimin e këtij vendi.
Me datën 16 prill 1913 ushtria serbe e përbame prej 15.000 vetësh, me 6 bateri, po tërhiqej drejt Lezhës. Në këtë rast komandanti Bojoviq, komandanti i ushtrisë serbe, e kishte ba me ditë krejl Nikollën e Malit të Zi për vendimin e largimit të ushtrisë serbe nga rrethimi i Shkodrës.
Me datën 20 prill 1913 Esat Toptani dërgoi delegatët pranë komandës malazeze për me bisedue kushtet e dorëzimit të qytetit. Po këtë ditë ai mori një telegram të Mahmut Shefqet Pashës, ministër i luftës së Turqisë, me të cilin urdhnonte komandantin e Shkodrës që të mos ndiqeshin serbët, mbasi kishin marrë urdhnin të largoheshin nga rrethinat e Shkodrës.
Të nesermen më datën 21 në mëngjes, vapori i Malit të Zi sillte gjeneralin Janko Vukatiq dhe ministrin e jashtëm Pjetër Pllamanacin, të cilët ishin të ngarkuem vetëm për marrëveshje të kushteve të dorëzimit.
Me datën 22 prill 1913 EsatToptani ua dorëzoi projektin për kushtet e dorëzimit… Kushtet e marrëveshjes së dorëzimit ishin 15.
Ndër këto dy ditë Esat Toptani ishte shumë i shqetsuem dhe i frikësuem: kishte bindjen se populli i Shkodrës kishte përshtypjen e një tradhtie që ky po bante me dorëzimin e qytetit dhe e gjykonte si vrasës të Hasan Riza Pashës.
Esat Toptani vazhdimisht kishte përshtypjen e kurdisjes së një komploti nga ana e shkodranëve, prandaj ai merrte masa paraprake.
Më datën 23 prill 1913 Esat Toptani mblodhi parinë e Shkodrës në zyrën e Doganave. Esati me këtë donte me argumentue dorëzimin që gjoja po bahej edhe me dëshirën e popullit dhe u njoftoi se qytetin do ta dorëzonte e nuk ishte ma në gjendje me qindrue.
Për këtë mbledhje, autori i librit „L’Assedio di Scutari“, ndër të tjera shkruen: „Gjashtë kristianë ishin të pranishëm në mbledhje, të cilëve u vinte keq për dorëzimin dhe dhanë sigurime që në qoftë se valiu kërkonte ndihmë ishin gati. Një pjesë e myslamanëve propozuen të shtyhej edhe disa ditë qëndresa, ndër ta Sylçe Begu i ofronte 100 lop valiut, tue e sigurue edhe për të tjera. Jakup Rroji, nga tregtarët e parë të tregut bashkë me disa të tjerë jo vetëm qe gadi me dorëzue bagëtitë e trasha dhe të imta,por me dhanë edhe ndihma në të holla. Këtë na e pohonte Muharrem Gjylbegu, kryetari i bashkisë, që kishte qenë prezent në mbledhje. Fjala e shumicës ishte veç të mos i dorëzohej qyteti anmikut. Në këtë diskutim Esat Pasha foli ashpër kundër shkodranëve edhe ma në fund „ doli nga mbledhja tue kthye krahët“.
Meqenëse anmiku e kishte sigurue ramjen e qytetit nga Esat Toptani e tue qenë në dijeni se paria e qytetit ishte mbledhë për këtë çështje, për me i trembë të mbledhunit, nisi të bombardojë qytetin me një breshni predhash e shrapnelash: mbi treqind hodhi atë natë në qytetin e Shkodrës.
Me datën 24 prill 1913 malazeztë hynë në qytet…(…)
Shkëputur nga libri: “Shkodra dhe Motet” të autorit Hamdi Bushati.


* * *

*) KUSH ËSHTË HAMDI BUSHATI
Hamdi Bushati është një ndër personalitet më të shquara të arsimit shqiptar, i njohur dhe për aktivitetin e tij produktiv si historian, grumbullues e studiues folklori. Lindi dhe u rrit në një familje të njohur shkodrane. I mbetur jetim në moshën 3-vjeçare, pati fatin të kishte tutor dajën e vet, Muharrem Gjylbegun, patriotin e nderuar që pat ngritur flamurin kombëtar në Shkodër, me 28 nëntor 1913. Fëmijërinë dhe rininë e parë i kaloi në shkollat e kohës: ushtaraken e qytetit (Mejtepi Ruzhdije Asqerie). Pas pushimeve verore u regjistrua në gjimnazin civil. Lufta Ballkanike ia ndërpreu përfundimin e shkolles. Gjatë viteve 1914-16 ndoqi një kurs të hapur nga Italia për t’u mësuar italishten të rinjve myslimanë. Vazhdoi shkollen tregtare deri sa u mbyll. Më pas ndoqi kolegjin saverian. Çdo herë si nxënës i dalluar, i vlersuar shumë mirë e me çmime. Më pas nuk iu nda studimit vetiak dhe gjuhëve të huaja. Vetëm në sferën e gjuhëve të huaja mund të shënojmë se në gjimnazin civil turk studioheshin tri të tilla (2 të lindjes dhe 1 të përendimit) kurse në kolegjen e jezuitëve dy klasike e dy të gjalla. I rëndësishëm ka qenë ndikimi i mjedisit familjar kryesisht i vëllezërve të tij më të mëdhenj, Vishos e Xhemalit. Në këtë familje lexohej rregullisht shtypi i kohës, shqiptar e përparimtar turk. Diskutoheshin e komentoheshin gjërësisht ngjarjet e ditës të lidhura me Shqipërinë. “Qysh në këtë kohë,- shkruan Hamdiu, nisa të kuptoj rëndësinë e çështjes kombëtare”. Elementë fanatikë që ishin në kundërshtim me nacionalizmin shqiptar, mbajtën një qëndrim jo miqsor ndaj vëllezërve Bushati, pikërisht për idetë e tyre atdhedashëse dhe për faktin që ata përkrahnin pa rezerva idenë e shkollimit në gjuhën amtare. Në vitin 1917, me thirrjen që ua drejtoi të rinjve, Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit, Luigj Gurakuqi, ndoqi kursin e shpejtë pedagogjik për përgatitjen e mësuesve, që drejtohej nga Gaspër Beltoja. Në moshën 21 vjeçare filloi karrierën e mësuesisë që do ta vazhdojë me ndërprerje për 14 vjet. Deri më 1921 figuron mësues i shkolles fillore Rus-Haslikej, pastaj vazhdon në Shkollën e Parrucës me drejtor Abaz Golemin. Gjatë viteve 1920-1921 pat një shkëputje, sepse shkoi vullnetar në Luftën e Koplikut ku, për arsye shëndetsore u mbajt si sekretar i dytë pranë shtabit kryesor. Në vitin 1925 transferohet në Lushnje si ish-opozitar, por ndalohet në Tiranë, ku punon për dy vjet në një shkollë plotore, duke dhënë njëkohësisht dhe frëngjishten në Medresenë e Lartë. Në vitet 1926-1927 emërohet drejtor i shkollës së Perashit, nga ku jep dorëheqjen për t’u rikthyer m’arsim në periudhën 1940-1945.
I mëkuar me dashurinë për atdheun dhe qytetin e tij të lindjes, me punën e dijen, ai që në moshë të re u formua si intelektual duke studiuar në shkollat më të njohura të Shkodrës dhe jashtë saj, në Romë e Paris, ai arriti një profeksionim të elementëve kryesore të shkencave të ndryshme. Përveç kontributit të tij të madh në fushën e arsimit shqiptar, ai studion në mënyrë audodidakte, grumbullon dhe gërmon në arkiva të ndryshëm, dëshifron dorëshkrime të vjetra, përkthen documenta, mbledh fakte e dëshmi verbale nga pjesëmarrës në ngjarje të ndryshme. Zotërimi prej tij mjaft mirë i turqishtes së vjetër, por dhe i asaj të resë, i italishtes e frëngjishtes, si dhe njohja e mirë e arabishtes e gjermanishtes, i dha mundësi të njihej me botimet e huaja për historinë kombëtarer e lokale. Tepër aktiv në punën kërkimore, dhe i ngazhuar në jetën intelektuale të elitës së qytetit të Shkodrës, Hamdi Bushati jep një kontribut të madh si mësues, historian, përkthyes, e studiues. Si mësues dhe drejtues shkolle ai shquhet për përgatitjen me përkushtim të brezave të tërë nxënësish, hartimin e mjaft teksteve shkollore dhe studimin e historisë së shkollës dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Si historian, ai boton nëpër organet e shtypit të kohës, artikuj e studime si “Gjenealogjia e Bushatlinjve”, botuar në revistën “Dituria”, punimin “Lufta e Miletit” të botuar në vitin 1928 në “Kalendari Kombtar”, e mjaft studime e punime të tjera që u përfshinë më pas në kryeveprën e tij “Shkodra dhe Motet”. Si përkthyes ai përveç dokumenteve tëshumta në turqisht, si dhe mbishkrimeve mbi objekte kulti, përktheu dhe vepra të plota siç janë” Fjalori Historik” dhe “Fjalori Etnografik” nga “Enciklopedia” e Sami Frashërit, “Psikologjia” e Hasan Tahsinit, “Xhibali” e J. Davvenport, “Mbrojta e Shkodrës” nga Nazif-Karamentin etj. Ai pasuroi bibliotekën e tij personale me vepra të larmishme si fjalorë, gramatika e manuale gjuhësore të gjuhëve që njihte, me vepra latrare e historike, me krijime folklorike etj.
Vepra e tij kryesore “Shkodra dhe motet”, me dy vëllime dhe një suplement shtesë e botuar në vitin ë 1998 është unitale në llojin e vet dhe i shërben brezave. Ndërsa në vitin 2003 u botua vepra tjetër historike e Hamdi Bushatit, “Bushatllinjtë”. Vepra “Shkodra dhe motet” e “Mësuesit të Popullit”.
Hamdi Bushati, është një vepër enciklopedike që tregon më së miri madhështinë e qytetit të Shkodrës, vlerat e tij historike e kulturore, figurat e bijtë e tij të ndritura. Ajo është enciklopedia më e plotë e botuar apo dhe e shkruar deri tani, për qytetin e lashtë të Rozafës. Në rreth 1500 faqet e dy vëllimeve, për të cilat autori punoi gati 60 vjet dhe që u arrit të botohet 15 vjet pas vdekjes së tij, nën kujdesin e djalit të tij Nexhmi Bushati, pasqyrohet më së miri madhështia e këtij qyteti, familjet shkodrane, niveli ekonomik, kulturor, arsimor, i tyre, zakonet e doket, historia e figurat e saj. Në faqet e kësaj vepre, autori jep shumë gjëra për qytetin e tij. Historia, shtrirja gjeografike, humori, të dhëna topografie, arkeologjike, etnografie, urbanistike, sociologjike, gjuhësore etj. Më 1945, Hamdi Bushati burgoset politikisht por i jepet pafajësia. Më 1950 largohet nga arsimi e punon si punëtor krahu. Më 1954-1960 internohet politikisht. Në vitet 1960- 1983 i kushtohet punës shkencore por i mohohet pensioni. Vepra e tij shkencore e historike u botua pas ardhjes së demokracisë nga djali i tij Nexhmi Bushati, i cili e pasuroi me të dhëna të tjera gjithça kishte ruajtur e trashëguar nga babai i tij. Aktualisht, pasardhës të Bushatlinjve ndodhen të shpërndarë në të gjithë botën, jo vetëm në Evropë, por dhe në Afrikë, Australi, Shba e Azi. Në Shkodër janë rreth 180 familje që i përkasin trungut të Bushatlinjve. Gjatë gjithë periudhave historike, Bushatlinjtë kanë dhënë kontribut të madh për zhvillimin politk, ekonomik e shoqëror të Shkodrës. Që në periudhat e hershme të pashallekut të tyre, ato ndërtuan disa ura si mjete komunikimi siç janë ura e Mesit në Postribë, Ura e Tamarës në Kelmend, Ura e Vezirit në Kukës, Bexhisteni në Shkodër ku kishte me qindra njësi tregtimi, Ura e Moraçës në Mal të Zi, Xhamia e Plumbit etj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura