MENDIMI I KVG NË LIDHJE ME LETËRPËRGJIGJEN E KRAHUT TË ish-PKMLSHJ NË LIDHJE ME PËRGJIGJEN E TYRE NDAJ PIKËPAMJEVE TË SHOKUT LL (LLESHI – XHAFER SHATRI)

Nga arkivi i LRSHJ-së, 1982

Letër e Xhafer Durmishit në emër të KVG më 1 tetor 1982

Më 1 tetor 1982, Kryetari Xhafer Durmishi – në emër të Komitetit “Vëllezërit Gërvalla” (KVG), shpreh mendimin lidhur me Letërpërgjigjien e krahut të ish-PKMLSHJ-së ndaj pikëpamjeve të Xhafer Shatrit

***

MENDIMI I KVG NË LIDHJE ME LETËRPËRGJIGJEN E KRAHUT TË ish-PKMLSHJ NË LIDHJE ME PËRGJIGJEN E TYRE NDAJ PIKËPAMJEVE TË SHOKUT LL (LLESHI – XHAFER SHATRI)

(Shkruan: Xhafer Durmishi)

Letra në të hyrë fillon me komplimente të merituara në adresë të shokut Ll. (LLESHI – Xhafer Shatri – shënim i redaksisë). Lidhur me këto komplimente do të ndalem pak më poshtë.

Çështja jonë me rëndësi, organi (Zëri i Kosovës – shën. i red) është preokupim i hyrjes së përgjigjes. Ajo që thirret teorikisht nga autorët nga të tjerët kjo është realizuar me kohë praktikisht. Këtë e vërtetojnë faktet ashtu siç e vërtetojnë faktet edhe atë se kjo thirrje ka mbetur vetëm në letër nga nënshkruesit e saj. Nga ana tjetër në mbledhjen e fundit të KVG (më 11 korrik 1982 – shën. i red.), Halimi (Osman Osmani – shën. i red.) kur ishte pyetja e vendosjes së makinës dhe vazhdimit të punës rreth organit (Zëri i Kosovës – shën. i red.), ai për ta arsyetuar planin e vet rreth shkuarjes në Turqi (pas mbledhjes së fundit më 11 korrik 1982 – shën. i red.), para të gjithë shokëve tha: (duke mu drejtuar mua), organi është preokupim i imi (pra i Xhafer Durmishit-shën i red). Sipas marrëveshjes së 15 majit (1982 – bashkimit të OMLK-së në LRSHJ – shën. i red.) kjo përgjegjësi i ka mbetur Skënderit. Unë (Halimi – shën. i red) kam detyrën të preokupohem për çështjet e LRSHJ-së brenda dhe në këtë drejtim i kam filluar punimet.

Unë i kam thënë: Ashtu kemi thënë, por këtë punë e di dikush më mirë se unë edhe se ti, dhe kësaj fjale unë iu kam përmbajt. Për këto fjalë të neve të dyve në atë mbledhje mund të japin deklarata katër vet. Gjatë përgatitjes së numrit të ZK të qershorit (1982) unë me Halimin kemi pasur disa mosmarrëveshje. Këto i kam shprehur në dy letra të mëparshme që ua kam dërguar U. (Ukës – Xhafer Shatrit – shën im), dhe M (Mërgimit – Sabri Novosellës – shën im) dhe të tjerëve jo, në mungesë të adresës. Duke u nisë nga këto mosmarrëveshje ai në një rast në zyrat e shokëve gjerman më tha: Në të ardhmen, njëri për organin duhet t’i ketë kompetencat e plota dhe duart e lira. Si variant për këtë e ka marrë veten dhe mua.  Në asnjë rast U. (Xhafer Shatrin). Nga kjo rrjedh se fjalët në hyrje të letrës, janë përshtatje sipas realitetit, përshtatje e atillë që në zhargonin popullor njihet dhe shprehet si “kthim kah të frynë era”, dhe në bazë të asaj çka kemi vërejtur unë dhe shokët këtu, kjo ishte karakteristika themelore në veprimtarinë politike (s’po guxojmë me thënë patriotike se mund të jemi borgjez të rrezikshëm) të këtyre njerëzve.

KVG (Komiteti Vëllezërit Gërvalla) e mbron pikëpamjen se LRSHJ-ja është përfaqësuesja e vetme e popullit shqiptar në Jugosllavi. Kjo është shprehur edhe në Komunikatën e botuar në numrin 1 të ZK (qershor 1982) e e potencuar sidomos në fjalimin e mbajtur në Bern (më 26 qershor 1982 – shën. i red.). Deri më tani ne nuk jemi të njoftuar në asnjë reagim kundër këtij mendimi, apo pikëpamje.

Shoku KK (Kushtrim Kosova = Abdullah Prapashtica – shën im) si njeri me përgjegjësi, në letrën e tij vëmendje të madhe, gjë që është shumë e natyrshme, i kushton vijës politike duke e përmendur këtë fjali shtatë herë në letrën e tij dhe të bashkëmendimtarëve të vet. Në lidhje me vijën politike që i pëlqen aq shumë ta përmend orë e çast ai tërheq vërejtjen KD (Komitetit Drejtues) të LRSHJ-së se si duhet ndërtuar strategjia e LRSHJ-së: se a duhet të preokupohemi pas nacionales apo klasores por meqë këto janë edhe të pazgjidhshme siç e di edhe vet KK donë të na sqaroi se cila duhet të vij në radhë të parë. Për shumicën kjo veç është e qartë, por ai do ta shpjegoi “njëherë e mirë për disa që ende po bredhin në hapësirë…” (faqe 1 e letrës, rreshtat 35-36, vërejtjet dhe citatet tjera me faqe e rresht janë nga kjo letër) se përndryshe sipas tij kjo çështje as që ka nevojë të shtrohet për diskutim. Duhet në radhë të parë të bëjmë luftë klasore arsyeton Kushtrim Kosova sepse:

– po të përmendet nacionalja atëherë bëjmë vetëm luftë klasike (definicion modern),

– duhet të dominoj klasorja sepse kjo është në përputhje me ideologjinë e popullit tonë në pjesën më të madhe të tij.

– duhet të potencohet klasorja në radhë të parë sepse ky vlim më i ri është i frymëzuar nga kjo ideologji (pa i përmendur askund idolet e asaj ideologjie e as ideologjinë në fjalë).

Nuk duhet të vijë në radhë të parë nacionalja sepse:

– armiku na akuzon për nacionalizëm e irredentizëm.

– se lufta jonë “klasike” patriotike donë të thotë shi në misër të rankoviqizmit (faqe 2, rreshti 31).

– se potencimi i nacionales të vë firmën e nacionalizmit (faqe 5, rreshti 6).

– ata që janë përkrahës të kësaj pikëpamje donë ta fusin LRSHJ-në në binar borgjez dhe jo vetëm të dyshimtë por edhe shumë të rrezikshëm (f. 5 rreshtat 7,8).

– potencimi i nacionales d.m.th. kthim prapa, në ideologji nacionale (?) dhe kundër internacionalizmit socialist (po ta kishin shfletuar marksizmin apo çfarëdo vepre të kësaj natyre do t’u binte ndërmend se duhet thënë internacionalizmit proletar).

– Sipas kësaj logjike gjërat do të duhet të shikoheshin kështu:

– se një arsimtar në një shkollë fillore së pari duhet të protestoj pse nuk i rritet rroga e pastaj të vijnë protestat për atë se: pse nga muret e korridorit të shkollës së tij janë hequr të gjitha fotografitë e rilindësve përveç njërit, nëse emrin e rilindasit apo të heroit e mban shkolla në fjalë.

– se ai së pari duhet protestuar pse nuk i rriten shtesat e fëmijëve para se të interesohet se pse janë censuruar të gjitha vjershat nga librat e leximit dhe abetareve që po atyre fëmijëve ato vjersha ua ndiznin shpirtin flakë me dashuri për atdheun.

– se punëtori në Obiliq apo në Trepçë së pari duhet kërkuar përmirësimin e kushteve të punës para se të kërkoj llogari për grabitjen koloniale të qymyrit, rrymës e mineraleve.

Duhet luftë klasore sepse kjo është në përputhje me ideologjinë e popullit tonë në pjesën më të madhe të tij. Por ajo pjesë e madhe e popullit tonë që sot e ka preokupim ideologjinë, në një kohë siç e ka thënë edhe vet PPSH dhe Akademia e Shkencave e atij shteti, në një kohë para dyzet vitesh PKSH ka bërë vetëm luftë “klasike” nacionalçlirimtare. PKSH në Konferencën e Pezës ka ftuar të gjitha partitë politike (edhe pse parti politike përveç PKSH nuk kishte) në luftë të përbashkët kundër fashizmit. Fitorja e LNÇl në pjesën e stome të atdheut tonë, çoi në fitoren e revolucionit demokratik i cili me punën e vazhdueshme të partisë revolucioni demokratik u shndërrua në një revolucion socialist.

Në lidhje me atë se po nuk u shprehëm së pari për klasoren do të jemi në kundërshtim me ideologjinë dhe me popullin tonë të lirë, sipas mendimit të Kushtrim Kosovës unë po përmendi një fragment që kam pasur me bashkëmendimtarin e KK, Halimin (Osman Osmanin). Ai gjatë një bisede se cila organizatë çka ka punuar e si ka punuar më ka deklaruar: LNÇKVSHJ-ja e ka komprometuar PPSH dhe gjithë shtetin shqiptar duke e shpërndarë literaturën e saj, të ligjësuar këtë veprim edhe me statut, duke e lavdëruar veten se ata nuk kanë pasur nevojë t’i referohen PPSH pasi që e kanë formuar PKMLSHJ e cila është origjinale dhe nuk është në kundërshtim me vetëqeverisjen e Titon por vetëm me rankoviqizmin dhe forcat regresive në LKJ.

Kjo është idioteske, të kapesh pas disa gjërave pa kurrfarë parimi, por vetëm si ta kërkon rasti për të realizuar qëllimet e tua.

Të flasësh për klasore në cilësinë e një njeriu që do ta trasosh një lëvizje përfaqësuese të një populli dy milionësh në rrugën ml / Marksiste – Leniniste /  (vërejtje e Skënderit, pasi ml nuk potencohet nga Kushtrim Kosova dhe dy shokët e tij) e të mos i referohesh për asnjë rast qoftë edhe sa për formalitet klasikëve të ml dhe veprave të shokut E. (Enver) do të thotë se veprat e klasikëve të ml as nuk i ke shfletuar ndonjëherë por vetëm mundohesh të gënjesh të tjerët se je ml e k (marksist-leninist e komunist – shën im).

Veprat e ml asnjë nga ne nuk i kemi studiuar për shkak të kushteve por nga disa shfletime kemi mund me vërejt se ato ku t’i hapësh do të gjesh diçka të afërt, të vlershme dhe të aplikueshme në çdo kohë për ty. Ato janë si një lëmsh i madh përçuesish elektrik që për t’ia gjetur fijet të ndihmojnë treguesit e shumtë të veprave të tyre dhe se ku t’i prekësh ato fije, tregojnë rrymë.

Të thërrasësh deri në kupë të qiellit për luftë klasore si në kushtet tona, si në çfarëdo kushtesh, së pari duhet ta kesh studiuar mirë zbulimin e madh të Marksit se: “… esenca e luftës së klasës nuk qëndron në ndërrimin e një aparati me një tjetër por esenca e luftës së klasës qëndron pikërisht në thyerjen e plotë të këtij aparati dhe zëvendësimin e një klase të tërë shtypëse me një klasë shumë më të madhe në masë, me klasën e të shtypurve…”

Të bërtasësh deri në kupë të qiellit e pas shpine të mbash mburojën për vetëqeverisjen e në anën tjetër të thuash se këtë ma mëson Marksi siç po e sheh KK dhe bashkëmendimtarët e tij, nuk shkon.

Nga ana tjetër nga shteti ynë dhe avangarda e tij dhe udhëheqësi i kësaj avangarde është botuar një libër i njohur me rëndësi të madhe teorike e praktike, i cili ia çjerr maskën socializmit vetëqeverisës, që KK (Abdullah Prapashtica – shën. i red.) me shokë e kanë ndërmend t’ua marrin burokratëve e me ua kthye punëtorëve, tregon esencën e tij kapitaliste. Pra ne konsiderojmë se vetëqeverisja e kapitalizmi për shqiptarët janë një, ashtu siç janë Titoja dhe Rankoviqi një, dhe për këto nuk kemi çka të flasim as për “hir të politikës së madhe” sepse bëhemi për të qeshur edhe nga armiqtë tanë e lere më nga populli ynë. Një dallim në mes Titos dhe Rankoviqit kundrejt shqiptarëve është munduar me çdo kusht ta bëjë LKJ dhe sidomos UDB-a pas Plenumit të Brioneve. Për shqiptarët Tito dhe Rankoviqi janë të lidhur si mishi e kocka, dhe s’ka fuqi që i ndan. Këtë e di më së miri populli i Kosovës që e ka provuar në kurrizin e tij, e di shteti ynë që këto procese i ka parë më mirë edhe se ne, këtë vazhdon ta pohoj çdo ditë edhe shtypi botëror. Dihet sa ka ndryshue e sa s’ka ndryshue gjendja e shqiptarëve pas brioneve. Titoja është ai që e ka shkelë të drejtën e vetëvendosjes, që ka shkelur marrëveshjet e luftës, është ai që ua mohoi më 1968 republikën shqiptarëve që çuditërisht i kishte rënë ndërmend popullit edhe kur nuk ishte aq aktiv në këtë drejtim KK me shokë, dhe që i burgosi e torturoi deri sa i rrahu fryma.

– Duhet luftë klasore në radhë të parë sepse edhe ky vlim është frymëzuar nga kjo ideologji.

Nga është frymëzuar ky vlim në planin më të përgjithshëm dhe shkencor e ka dhënë artikulli i Zëri të Popullit i datës 8 prill 1981. Nga këndi ynë ne mund të flasim më ndryshe dhe të koncentrohemi në atë se pse tha rinia “kështu më nuk durohet”. Së pari mendojmë se ky ishte një zgjim i ndjenjës kombëtare deri në atë shkallë sa populli mbarë ta kuptoj se ka ardhur koha e ndryshimeve të mëdha revolucionare. Këtë zgjim para së gjithash e kushtëzoi 100 – Vjetori i Lidhjes “klasike” të Prizrenit, ashtu siç ndikoi më së shumti 500-Vjetori i vdekjes së Skënderbeut në ngjarjet e vitit 1968. Se forcat e organizuara u brumosën me leximin e veprave të shokut E. (Enver) dhe fituan një ndjenjë shumë të madhe të krenarisë kombëtare nga veprat e I. Kadaresë i cili në Prishtinë u prit si kryetar shteti, ai u dashurua në historinë e tij më të re sidomos nga dy librat e Ajet Haxhiut, të Hasan Prishtinës dhe Shote e Azem Galicës, se e tërë ajo gjeneratë vajzash të shkollave të mesme nuk kishin arritur të studionin veprat e Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit e të shokut Enver, por që u frymëzuan aq shumë nga këngët “nacionaliste” të Shyhrete Behlulit e Shkurte Fejzës. Programi i televizionit shqiptar për një vit e gjysmë qe katalizatori më efektiv dhe vendimtar që të shpejtësohet një zgjim i tillë në atë shkallë si e kemi sot. … 

Gjatë gjithë kësaj kohe në programin e televizionit shqiptar nuk qe as aludimi më i vogël r. (republikë), për b. (bashkim) me qindra herë. Kur shfaqej drama Shote e A. Galica nëpër Kosovë e sidomos në Drenicë nuk pushonin krismat tërë natën. Kush nuk e di këtë nuk e ka përcjellë televizionin shqiptar. Me një fjalë, nga programet e televizionit shqiptar, sidomos nga emisionet për fëmijë populli i Kosovës e pa se çka do me thënë me qenë i lirë. Kjo ndjenjë e qoi peshë më 1981.

Ai u frymëzua edhe nga shtypi ilegal revolucionar dhe atë nga revistat: Bashkimi, Lajmëtari i lirisë dhe Liria.

Kjo është ajo që e shtyri popullin tonë të thotë mjaft, sipas mendimit tonë.

– Në lidhje me atë se a do t’na etiketojnë si nacionalist armiqtë tanë, për luftën tonë, këtë më së miri e ka shpjeguar me shembull mjaft të mirë shoku Ll. (Xhafer Shatri) duke u shërbyer me proverbin e gjuhës së Krishtit. Pra këtu s’kemi pse me u kthye mbrapa dhe me diskutue rreth saj. Kur Sylejman Vokshit që në fillim i përmendin vdekjen ai u thotë i kënaqur se “përderisa ma përmendni vdekjen kjo do të thotë se ma paskeni pas frikën, dhe të vjetrit tanë na kanë thënë se në luftë kur armiku ta dëshiron vdekjen d.m.th. ia ke arritur qëllimit”. (nga drama Epoka para gjyqit).

Letra prek edhe një temë të rëndësishme. Udhëzimin për gjakftohtësi ndaj presioneve që po ushtron armiku mbi familjet e kuadrove tona duke e përmendur rastin e familjes së tij (Abdullah Prapashticës-shën im), dhe kjo nuk është hera e parë që me dorë të vet ia nisë me na tregua se si në një letër më parë “… se nga burime të sigurta ka informata se për kokën time (të Abdullah Prapashticës -shën im) është ndarë një shumë e madhe të hollave…”.

 Tani në këtë letër përmend prapë vetë presionin që po iu bëka në familje. KK dhe shokët e llojit të vet duhet ta dijë se nga ky mes janë përmendur dhe janë bërë presione ndaj disa njerëzve të cilët kurrë nuk i zmadhuan e as si përmendën kurrë me gojën e tyre. Prandaj shoqërisht po u themi lej këto marrina se njerëzit tanë kanë një respekt të madh për ata që luftojnë dhe rrezikohen, prandaj nëse ti s’e ke parë ende këtë të vërtetë, përvishju punës nëse dëshiron ta shohësh ndonjëherë. Me këtë rrugë e me përmendje të vetes nuk do ta sheh askushi.  Sipas kësaj logjike ne jemi “…duke e sulmuar LKJ, me RSFJ me sistem e me Titon e tyre…” (f. 7, rreshti 22) vetëm kur paskan filluar presionet ndaj disa familjeve të disa kuadrove tona. Me këtë fjalor udhëheqësve të lëvizjeve të Kosovës u janë drejtuar qysh prej kohësh Turqia dhe Serbia. Ata e kanë fryrë variantin se udhëheqësit e lëvizjeve të ndryshme çlirimtare të Kosovës janë njerëz shpirtërisht të dëshpëruar apo edhe siç i drejtohet edhe Mexhid beu Sylejman Vokshit në dramën Epoka para gjyqit: “… ç’tu deshtë jeta e malit Sylejman, ti ashtu edhe derfikt nuk ishe…”. Pra Turqia dhe Serbia janë munduar që udhëheqësit e lëvizjeve t’i paraqesin si njerëz pa influencë, të dëshpëruar që u ka humbë qetësia personale, prandaj u ka humb arsyeja dhe nuk duan të pyesin për të përgjithshmen. Por kjo kurrë s’ka qenë kështu. I tillë nuk ishte H. Prishtina, B. Curri, A. Galica etj. I tillë siç donë me na thënë të kuptojmë KK nuk është M. (Mërgimi=Sabri Novosella) i cili ende nuk na e shtroi si çështje se kaq të holla nga burime të sigurta u njoftova se u paguan për kokën time. I tillë nuk është as U. (Uka – Xhafer Shatri)  për presionin që bëhet ndaj familjes së tij, me traditë di sot gjithë Kosova, e i cili nuk u kujtua ende të na thotë se shokë shikoni çfarë presioni, urra kundër LKJ e Titos së tyre. Me e lavdërua veten na duket punë e ulët edhe nëse thua të vërtetën. S’ke q’i bënë, kështu kish pas qëllue karakteri i shqiptarit shoku KK (Abdullah Prapashtica).

Ç’ideologji e ç’punë kanë bërë tri organizatat më përpara KVG pajtohet plotësisht me vlerësimet e dhëna në kryeartikullin e numrit 2 të ZK. Këtu po kthehem te fjala opozitë e përmendur në letrën e shokut L.. (Lleshi – Xhafer Shatri) i ka shërbyer KK jo për të kuptuar të vërtetën se logjikisht kur ne jemi opozitë e LKJ atëherë sipas të gjitha rregullave edhe LKJ është njëherit opozitë e LRSHJ. Fjala opozitë e përmendur në letrën e 10 korrikut i ka shërbyer KK  për një frymëzim që t’i hyj një pune që të nxjerr “dokumente me rëndësi” duke hapur në këtë drejtim edhe perspektiva të mëdha për shkencat historike. Sipas kësaj opozitat e LRSHJ qenkan me zanafillë më të re, nga koha e Lidhjes së Prizrenit e pasojat dhe rrjedhimet e saj po e dëmtojnë aktualisht LRSHJ, përfaqësuesit e të cilës janë ca kuadro të ish-LNÇKVSHJ dhe OMLK. Se a paraqet Lidhja e Prizrenit fillet opozitare të LRSHJ e tema të ngjashme ne nuk po mund të hyjmë duke konsideruar se në lidhje me këtë shkenca shqiptare e ka dhënë fjalën e fundit. Në çështje me Lidhjen e Prizrenit, në maj 1978 në Zërin e rinisë ka qenë i paralajmëruar një studim voluminoz i punës 20 vjeçare të prof. dr. Ali Hadrit se do të botohej, por sot e asaj dite se pa dritën me sy. Mos botimi i tij na jep të drejtën të mendojmë se as në atë studim nuk ka ndonjë fjalë se Lidhja e Prizrenit ishte klasike, se paraqet fillet e opozitës së LRSHJ, dhe se aktualisht idolet e kësaj lidhje po të potencohen aq shumë janë shërbyesit më të mirë të rankoviqizmit. E quaj veten të papërgatitur që t’u hyj këtyre temave që aq lehtë i përmend KK (Abdullah Prapashtica) dhe i studion me një fjali si me pas qenë baba i Herodotit.

Në lidhje me diskutimet e më parme rreth çështjes se a duhet të organizohemi në p. (parti) apo në Lëvizje, KK na drejtohej me receta të gatshme: duhet të organizohemi në parti sepse ajo do të jetë parti e shqiptarëve në Jugosllavi. Pra shumë e qartë, kështu thotë edhe plaku (Bujar Hoxha-shën im). Qëndrimin e tij në Ankara afër plakut (Bujar Hoxhës) KK (Abdullah Prapashtica) ne e ofron ashtu siç ua ofronte Koço Tashkoja grupeve komuniste qëndrimin e tij në Moskë duke thënë se unë jam i pranuar dhe mua më njeh Kominterni.

Të kapesh aq shumë pas ideologjisë e të mos i referohesh asnjëherë asaj do të thotë të jesh një Mao Ce D. i vockël, i cili më 3 shkurt 1967 i kishte deklaruar një delegacioni shqiptar të PPSH: “… për veten time, unë jam një njeri që nuk i dëgjoi radiot, as ato të huajat dhe as ato të Kinës, por vetëm transmetoi.” Ai ka pohuar gjithashtu: “Kam deklaruar hapur se nuk do ta lexoj gazetën Zhenminzhibao. Këtë ia thash kryeredaktorit të saj. Unë nuk e lexoj gazetën tënde.”

Të kapesh për klasoren me fjalë e në anën tjetër të jesh për ruajtjen e rendit do të thotë të jesh një Mao Ce që kanë nisur me të dalë “gecat”. Këtë e vërtetojnë më së miri thirrjet e shpeshta për qeverinë provizore. Maoja ka deklaruar: “… ne dhe Guomindani qankaishist në themel jemi të kundërt me njëri-tjetrin. Si rrjedhim i luftës dhe i përjashtimit reciprok të të dy aspekteve ne me Guomindanin ndërruam vendet…” (Ma Ce Dun, Vepra të zgjedhura, vëll. 5, bot. frengj. f. 479, Pekin 1977).

Një komponentë më vete është edhe tërheqja e vërejtjes se dikush po dashka me e hedh popullin në luftë “vetëvrasëse” duke e bërë në këtë mënyrë “mish për top.”

Që në fillim këta njerëz kanë deklaruar se strategjia e tyre ka qenë të kërkohet republikë me paqe (me telegrame e letra, faza e parë), faza e dytë me dasma masive që edhe ajo u krye. Faza e tyre e tretë thoshin se është revolucioni i armatosur. Sipas shpjegimit të Halimit (Osman Osmanit) që të mos jepet as shenja më e vogël jashtë kërkesës për republikë ka qenë se ndoshta ky do të jetë numri i fundit (i Zërit të Kosovës, qershor 1982-shën i Xh.D.), se do të kalohet në kërkesën e b. (bashkimit) duke i thënë LKJ se p. (partia jonë) boll të luti e tash ke me pas se çka ka me te gjetë. F. (Faridin Tafallari), pas Kongresit XII (të LKJ-shën i Xh.D.) tha në një rast në praninë time dhe të Halimit: “Tash s’kemi çka e përmendim republikën, pasi nuk na e dhanë kësaj radhe. Halimi ndërhyri duke i thënë se ke shumë të drejtë. Unë jo njëherë e kam kundërshtuar Halimin se këtu nuk mund të luajmë orë e çast. Më 15 maj (1982) Halimi (Osman Osmani) na ka folë mua dhe U. (Xhafer Shatrit) për ZONËN E LIRË duke na e tërhequr vëmendjen mua dhe U. se çka kemi thënë deri më tash (ne PKMLSHJ-ja-shën i Xh.D.) është bë si kemi thënë edhe pse thëniet tona nuk janë bazuar në mundësit reale, prandaj është mirë të përpiqemi e të vazhdojmë me atë tempo. Prandaj KK (Abdullah Prapashtica) mos u lodh aq shumë me ua tërhequr vërejtjen të tjerëve për gjëra që ende vet nuk i ke të qarta. Ti me bashkëmendimtarë, me propozimet tuaja je ai që po të kesh mundësi e bënë popullin mish për top kur thua të lidhemi me b. (Bullgarinë) dhe me udbën e Kosovës e ta shpallim republikën.

Të tëra këto në lidhje me këto sjellje e pikëpamje tregojnë për një pragmatizëm të rrezikshëm që s’ka asnjë fije lidhje me elasticitetin komunist.

 Jo KK recetat e gatshme në ideologji nuk hahen. Nëse ke menduar kështu do ta shohësh se ke gabuar. Po më vjen keq që thua të mos bëjmë polemikë, por më duhet të tregoj se polemika në luftën ideologjike është “A”. Nëse merr mundimin e me i shfletuar veprat e Marksit, Engelsit e Leninit do të shohësh se 80% e vëllimit të tyre është polemikë. E njëjta është shumë e dëmshme të ndodhë kur kemi të bëjmë me luftë nacionalçlirimtare. Te luftërat nacionalçlirimtare jo vetëm që nuk bëhet polemikë brenda së njëjtës parti por edhe të ndryshmet bëjnë kompromise me njëra tjetrën kundër armikut të kombit. Dhe këto kompromise nuk bëhen duke i fshehur ato me çjerrjen qesharake të unitetit të kristaltë. Pra na u dashtë të bëjmë pak polemikë. Si po e shef, mospajtimet tona nuk janë administrative por qëndrojnë në themel të çështjes. Nuk mund të veprohet me pikëpamje të kundërta në emër të së njëjtës. …

KVG i përkrah pa asnjë ndryshim më të vogël pikëpamjet e shokut Ll. (Xhafer Shatrit-shën i Xh. D.) të shprehura në letrën e tij të datës 10 korrik 1982 (*).

KVG (Komiteti Vëllezërit Gërvalla), 1. 10. 1982                     

Në emrin e tij Shp. (Shpendi – Xhafer Durmishi)

____________  

SHTOJCË E PASHTRIKUT

(*) Letër e Xhafer Shatrit për Xhafer Durmishin, 10 korrik 1982

I dashuri shok,         10 korrik 1982

mbrëmë i mora dy letrat tua në të cilat i mësova bukur shumë gjëra lidhur me marrëdhëniet e ju të dyve (Xhafer Durmishit e Osman Osmanit-shën i red.), për të cilat kam shpresuar se duhet të jenë në nivel më të lart, por sidoqoftë këto janë gjëra që ndodhin, prandaj është edhe e domosdoshme që të tregohemi të pjekur e tolerantë dhe kurrë të mos i merrni njerëzit si duhet të jenë, por ashtu siç janë, me të gjitha të metat e mundshme që i kanë. Sidomos në të ardhmen keni kujdes, që në prezencë të të tjerëve të mos i qitni në shesh kundërthëniet tuaja, sepse në atë mënyrë e humbni autoritetin në sy të shokëve dhe ata pastaj s’u binden urdhërave tuaja, apo nëse në të ardhmen vie gjer tek ndonjë konflikt i ngjashëm, ju duhet të delni dikund dhe vetëm ju të dytë t’i shqyrtoni ato probleme. Përndryshe sa i përket motos së organit ato fjalë vetëm sa e bëjnë më të fuqishëm atë. Por mu për atë citat unë ka menduar se do të ishte mirë që të gdhendet në një gur (obelisk) të përbashkët varresh për të tre shokët sepse vërtetë është shumë domethënës.

Kur jemi tek varret, lidhur me këtë një shok ka biseduar me Ibra. (Ibrahim Kelmendin) dhe ai i paska thënë se gurët janë shumë më lirë dhe shumë më të bukur në Çekosllovaki, prandaj ma merr mendja se do të ishte mirë që për këtë çështje të konsultohemi me një skulptor dhe të na e jap ai një ide, disi për një gur (obelisk) të përbashkët për të tre, disi të jetë i madh dhe i vënë mbi një bazë të përbashkët guri mu në mes të të tri varreve dhe në të gdhenden emrat e shokëve të rënë së pari dhe pastaj ai citat aq i qëlluar… Sidoqoftë për këto gjëra duhet të mendojmë më gjatë dhe ta gjejmë një zgjidhje sa më të mirë.

Përndryshe më pëlqen kontakti yt me “Rininë kosovare” dhe të lutem që për këto gjëra të më njoftosh sa më gjerësisht, sepse ai është një terren shumë i përshtatshëm për neve, ndërsa për magjistrin po e marrë unë përsipër që të kontaktoj me të apo me një shok tjetër që ka mundësi, ndërsa për organin do të ishte mirë që sa më parë t’i rezervoni bile nja 200 ekzemplarë dhe t’i leni tek F. (Faridin Tafallari) e atje do ta çojmë ndoke t’i marrë, sepse duhet ta shfrytëzojmë një rast që t’i fusim disi në Vajazan (Kosovë), ku siç jam informuar disponimi është i mrekullueshëm. A e dëgjove mbrëmë Radio Beog. si lajmëroi për gjykimin e shokëve në Prishtinë dhe mos prezencën për “shkak të sëmundjes” të shokut H. Hysenit dhe reagimi e mospëlqimi i shokëve që të flasin para gjyqit përderisa të mos e sjellin Hydajetin në gjyq. Oh, kjo ka rëndësi shumë të madhe për besë, çka do të thotë se këtu ka qenë në pyetje diçka edhe më e madhe kur ata xhelatë marrin mundimin të njoftojnë për të…

Sa i përket organit (ZK) në të ardhmen unë do të jap propozime konkrete se çka duhet të bëjmë, përndryshe ne këtu i kemi siguruar tri baza shumë të mira për mbajtjen e makinës dhe teknikës në tërësi… por tash në situatën e krijuar ma merr mendja se duhet ta zgjidhim çështjen organizative njëherë e përgjithnjë, ndërsa sa i përket propozimit për “dekonspirim” të përgjegjësit kryesor këtu ose dhe brenda na duhet të mendojmë më gjatë për këto gjëra, pra t’i masim të mirat dhe të këqijat që dalin prej kësaj dhe sidomos a është ky çelës i mjaftueshëm apo ndoshta duhet ndonjë tjetër që t’i mbyllë që në embrion të gjitha mospajtimet e mundshme që dalin pas këtij bashkimi të cilin duhet ta ruajmë si sytë e ballit dhe ta ushqejmë për çdo ditë qoftë edhe me gjakun tonë. Në anën tjetër për këto çështje duhet të bisedojmë me Kamberin (Sabri Novosellën) dhe shokët e tjerë dhe t’i qesim në rrugë të gjitha çështjet. Sidoqoftë duhet ta ruajmë gjakftohtësinë dhe të tregohemi të pjekur…

Të fala Lleshi (Xhafer Shatri)

——–

(E shkruar me dorë):

Këqyr për organ të sigurohen ata numra. Herën tjetër me shkruaj më gjerësisht për të gjitha çështjet. Më njohto më gjerësisht për “R. Kosovare” që ta kem një pasqyrë të qartë për ta.

======================

Nga arkivi i LRSHJ-së (1982)

LIDHJA KOMUNISTE E RSSHJ-së ËSHTË PARTI KOMUNISTE MARKSISTE LENINISTE DHE PRIJËSE IDEORE E KLASËS PUNËTORE DHE POPULLIT SHQIPTAR NË RSFJ, SI PJESË PËRBËRËSE E LKJ-së …

Shkruan: Abdullah Prapashtica, Ankara 14 qershor 1982

„Sa i përket organizimit të organizatave të brendshme të LRSHJ ajo qështje duhet realizuar, sapo të ndërtohet tërësisht LRSHJ dhe këtë nuk mundet ta pengoi askush sepse ai është vendim i pa tjetërsushëm i dokumentit të bashkimit të 17 shkurtit 1982. Kështu që edhe organizata komuniste (Partia Komuniste – shënim i redaksisë) edhe tjerat përcjellse (Organizata Sindikale e Punëtorëve, Organizata e Grave, Organizata e Rinisë, Organizata e Pionierëve… – shënim i redaksisë) do të organizohen. Sa i përket emnit të organizatës komunist, ma merr menja se nuk ka dilemë, sepse plotsisht është i përshtatshëm emni LK (Lidhja Komuniste – shënim i redaksisë) e Republikës Socialiste Shqiptare në RSFJ nga çdo aspekt e posaqërisht është në vi të LRSHJ. Këtu vetëm në definicionin e LK të RSSHJ mund të thuhet ”LK e RSSHJ është Parti Komuniste Marksiste Leniniste dhe roli i sajë është pris ideor i klasës punëtore dhe popullit shqiptar në RSFJ, është pjesë përbërse e LKJ (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë – shënim i redasksisë) dhe pjesë integrale e lëvizjes komuniste marksiste leniniste botrore”. Ky definicion vazhdon për dokumentet e LK të RSSHJ e jo të LRSHJ.“ – kështu i shkruan udhëheqësi i Partisë Komuniste të Kosovës (PKK-së), Abdullah Prapashtica në letër dërguar Sekretarit të „Komitetit – Vëllezërit Gërvalla“ për Europën Perëndimore, Osman Osmanit (Halimit).

………………………………………

Dëshmi arkivore nga arkivi i LRSHJ-së © Pashtriku.org

Përgatiti për botim editori: Sheradin Berisha, më 25 prill 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura