HAMDI HYSUKA: GJUHA E NJËSUAR ËSHTË KUSHTETUTË

Tiranë, 19. 07. 2014 – Kohët e fundit 20 akademikë (gjuhëtarë, shkrimtarë, botues e historianë) jo dosido, kërkojnë publikisht paprekshmërinë dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, kësaj pasurie të rrallë kombëtare. Nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, ata theksojnë se “tani është koha që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë”. E menjëhershme lind pyetja: Ç’ka ndodhur?!… Gjatë këtyre viteve të gjata tranzicioni ka ndodhur ajo që nuk besohej se mund të ndodhte. Kohët e fundit nga një Këshill Ndërakademik dhe Institut i Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe është sulmuar kështjella e gjuhës së njësuar. Edhe pse më parë është quajtur një nga arritjet më të mëdha të historisë së kulturës sonë kombëtare, aktualisht gjuha e njësuar është vënë në dyshim. Kongresi i vitit 1972 për drejtshkrimin e gjuhës shqipe po quhet “një gabim i rëndë, i imponuar nga regjimi komunist, posaçërisht nga ish-diktatori Enver Hoxha”.

 
20 INTELEKTUALË I SHKRUAJNË LETËR EDI RAMËS:
NDALO SHKATËRRIMIN E SHQIPES SË NJËSUAR NGA ‘AKADEMIKET’!
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2734

****

Këshilli Ndërakademik dhe Instituti i Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe as që duan t’ia dinë, se ai Kongres ka qenë mbarëkombëtar, një nga arritjet më të mëdha, në themel të së cilit nuk qëndrojnë idetë e regjimit që iku, por puna e palodhur e gjuhëtarëve më të mirë që ka nxjerrë ky komb, me një pjesëmarrje të gjerë të shkencëtarëve tanë edhe nga viset jashtë kufijve shtetërorë dhe se parimi themelor i tij ishte: Një komb, një gjuhë letrare kombëtare! “Për rreth dy dhjetëvjeçarë pas Kongresit, – shkruajnë 20 akademikët, – gjuha shqipe jo vetëm nuk njohu shpërdorime e kriza zhvillimi, por dëshmoi të gjitha aftësitë e saj të mrekullueshme për të pasqyruar me fuqinë e fjalës çdo krijim të shëndoshë të mendjes dhe të shpirtit njerëzor”. Por problemi është tepër serioz. Ta ruajmë apo ta prishim gjuhën e njësuar? Kjo është çështja. Nga ai Këshill Ndërakademik nuk po merret në konsideratë se gjuha e njësuar I shërben komunikimit mbarëkombëtar. Ky Këshill ka pasur e ka në shënjestër sulmin kundër gjuhës së njësuar, e cila mori formën e saj përfundimtare në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Tashmë debati i hapur për çështje të gjuhës shqipe dhe të njësimit të saj ka kapërcyer kufirin e ekspertëve. “Në asnjë vend të Europës, – deklaron shkrimtari Ismail Kadare, -nuk sulmohet aq mizorisht, aq shëmtueshëm gjuha, pakti themeltar i një kombi”. Sipas tij, “…zhurma e pandershme është bazuar në disa të pavërteta, ndër të cilat vendin e parë e mban mashtrimi se në komunizëm gegërishtja u ndalua. Komunizmi ka bërë aq mbrapështira saqë nuk ka nevojë t’I shtojmë një krim të paqenë”.
Për Prof. Dr. Emil Lafen, pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, gjuha letrare e njësuar është një arritje e madhe kulturore, shkencore e kombëtare, kurorëzim i një dëshire të shprehur që në fillimet e Rilindjes sonë. Me Kongresin e Drejtshkrimit, – thekson ai, – shqiptarët bënë atë që popuj të tjerë e kishin arritur shekuj më parë. Debatet vazhdojnë e vazhdojnë.
Sipas letrës së 20 akademikëve, drejtuar kryeministrit Rama, koha kërkon që qeveria të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj përpara shoqërisë dhe të ndalë dëmin e pafalshëm ndaj së shenjtës Gjuhë Shqipe!
Ndërkohë, realiteti gjuhësor tregon se gjendja nuk është krejtësisht kështu. Natyrisht, si gjuhë e njësuar, shqipja ka nevojë për përmirësime dhe pasurime, sidomos duke rishikuar disa probleme të marrëdhënieve të saj me dialektet dhe nëndialektet.
* * *
Edhe për gjuhën, pas viteve ’90, ndryshimet në vendin tonë kanë qenë të pritshme. Se gjuha zhvillohet bashkë me shoqërinë njerëzore. Konkretisht, lëvizjet demografike, me apo pa dashje, sollën kontakte më të dendura ndërmjet të folmeve vendore, ngaqë njerëzit, thuajse të të gjitha moshave, filluan të dilnin më shpesh nga krahinat e tyre dhe të sistemoheshin brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë, duke përdorur vend e pa vend fjalë e ndërtime gjuhësore të huaja. Si rezultat, gjuha shqipe iu nënshtrua një lloj reformimi me prurje të rëndësishme dialektesh dhe fjalësh të reja. Sidomos në ligjërimin e përditshëm bisedor vërshuan fjalë të huaja, të cilat gjetën përdorim “pa doganë”.
Gjithashtu ato vërshuan edhe në të shkruar. Atëherë, por edhe sot, këto fjalë po ia marrin frymën gjuhës shqipe, ndonëse ndërgjegjësimi në përdorimin e fjalëve shqipe në vend të fjalëve të huaja po rritet. Shumica fjalën e huaj e përdorin ngaqë nuk e dinë se cila fjalë i përgjigjet në gjuhën shqipe. Edhe mediat vizive e të shkruara, në mënyrë të papërgjegjshme, përdorin fjalë të huaja dhe ndërtime gjuhësore jo shqipe. Disa nga arsyet që e kanë çuar gjuhën shqipe deri në këtë gjendje, lidhen me përparimin e teknologjisë së informacionit, përdorimin e rrjeteve sociale, por dhe lënien pas dore të gjuhës së mësuar në nivel parauniversitar.
* * *
Gjuha shqipe është thesar kombëtar, pasuri europiane, shpirti dhe zemra e kombit shqiptar, shprehje e kristalizuar e identitetit tonë kombëtar, që nga Ukraina gjer në Argjentinë, Kanadaja dhe Amerika, deri në Australi dhe Zelandën e Re. Siç shkruan gjuhëtari me famë botërore, albanologu Holger Petersen, “gjuha shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral. Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”.
Duhet ta mësojmë, sepse është gjuha jonë, gjuha e nënës, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Është gjuhë e ëmbël, e pasur, e bukur, nga gjuhët më të lashta të Evropës dhe të njerëzimit. E mbi të gjitha është gjuha e identitetit tonë kombëtar.

Ndahet në dy dialekte, toskërisht e gegërisht, mbi të cilat në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, u sanksionua gjuha e njësuar ose gjuha standarde shqipe. Kuptohet se për komunikim, veçanërisht për komunikimin në fushën e shkencës e të teknikës, disa fjalë merren nga gjuhë të tjera. Por mjaft fjalë, të huaja, me zhvillimin e mëvonshëm të shqipes, mund të dalin nga përdorimi, madje të harrohen fare. Dhe kjo gjë ka ndodhur me shqipen tonë.
Historikisht, për shkak të nevojës që është ndierë,
abandonoj – braktis
abrogim – shfuqizim
absorboj – përthith
abuzim – shpërdorim
açik – hapur, qartë
adapt – i përshtatshëm
adash – njëemërsh
adio – mirupafshim
agrar – bujqësor
akcent – theks
akoma – ende
akord – marrëveshje
aks – bosht (rrugor)
aksham – mbrëmje
aksion-veprim
aktivitet – veprimtari
aktual – i sotëm, i ditës
alet – vegël, mjet pune
aman – të lutem
ambient – mjedis
aneks – shtojcë

fjalë të reja janë futur nga latinishtja, greqishtja, turqishtja etj. Në kohë të mëvonshme kanë hyrë dhe nga anglishtja, frëngjishtja e ndonjë gjuhë tjetër. Ato fjalë i quajmë huazime, por nuk rezulton të jenë të tilla. Sepse kanë përdorim të gjatë në gjuhën shqipe, aq sa janë bërë si të “shtëpisë”. Prandaj cilësimi “huazim” nuk qëndron. Ato nuk kanë hyrë me kontratë.
Madje kanë fituar dhe “nënshtetësinë”. Kështu që, me të drejtë, janë fjalë shqipe me origjinë nga gjuhët e huaja. Tjetër gjë është sot problem i mprehtë e i ngutshëm për gjuhën tonë, sinjali SOS për të cilin është dhënë. Por… E kam fjalën për pastrimin nga ato fjalët e ardhura prej simotrave europiane, sepse në vend të tyre rrojnë e gëzojnë shëndet të mirë fjalët shqipe. Dmth, për ato kuptime ka edhe fjalë shqipe. Kështu që puna për pastrimin e gjuhës letrare kombëtare nga fjalët e huaja të panevojshme kërkon punë të organizuar, mirë e shumë mirë, sidomos nga gjuhëtarët, pasi ata, pa mohuar edhe të tjerë, gjejnë fjalën e re shqipe, duke e cilësuar atë si fjalë sinonim. Fjalë të huaja, që mund dhe duhet të zëvendësohen me fjalë shqipe, i takojnë leksikut të përgjithshëm, por dhe atyre fjalëve, jo të pakta, të cilat përdoren si terma në fushat e ndryshme të shkencës, teknikës, prodhimit apo fusha të tjera të veprimtarisë shoqërore, ngaqë nuk pajtohen me strukturën tonë gramatikore e leksikore. Jo rastësisht, vargjet e poetit Gjergj Fishta kanë me vete mesazhin e përditshëm:
Pra, mallkue njaj bir shqiptari,
qi ket’ gjuhë të Perendís,
trashigim, qi na la i pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
qi e perbuzë ket’ gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten len mbas dore…

* * *
Me këtë rast kam përzgjedhur shumë fjalë të huaja, të cilat përdoren lirshëm nga shqipfolësit, por pa kuptuar se në vend të tyre shqipja i ka fjalët e duhura, madje më tingëlluese:
anti – kundër
apel – thirrje
aplikim – kërkesë
aproksimativ – përafërsi
aprovim – miratim
asete – pasuri
asimilim – përvetësim
asistent – ndihmës
aspekt – pamje
avangardë – pararojë
avantazh – përfitim
avash – ngadalë
berberhane – rrojtore
bilateral – dypalësh
biná – ndërtesë
birinxhi – bukur, për bukuri
boll – mjaft
bosh – i / e zbrazët
bravo – të lumtë
bujrum – urdhëro
civilizim – qytetërim
curriculum vitae – jetëshkrim
deciziv – vendimtar
dedikoj – kushtoj
definitiv – përfundimtar
demarsh – përçapje
detaj – hollësi
detajoj – imtoj
devijoj – shmang
dezhurn – shërbim ditor
deziluzion – zhgënjim
dimension – përmasë
direkt – drejtpërdrejt
distancë – largësi
divergjencë – mospajtim
divorc – ndarje
dominoj – zotëroj
eksperiencë – përvojë
eksplozion – shpërthim
ekspoze – paraqitje
ekuilibër – barazpeshë
ekuivalencë – barazvlerë
ekzagjeroj – teproj, zmadhoj
ekzigjent – kërkues
elektoral – zgjedhor
eliminoj – zhduk
eveniment – ngjarje
evident – i qartë, i dukshëm
evitoj – mënjanoj, shmang
fals – i / e rremë
fenomen – dukuri
front – ballë, ballor
frutikulturë – pemëtari
gjiton – fqinj
gusto – shije
herbarium – bimëtore
hezitoj – ngurroj
identik – i njejtë
imazh – pamje
imediat – i menjëhershëm
impakt – ndikim
implikoj – ngatërroj
impresionant – mbresëlënës
inaguguroj – përuroj
indeks – tregues
indinjatë – zemërim
indipendencë – pavarësi
infektiv – ngjitës
influencë – ndikim
informoj – lajmëroj
iniciativë – nismë
insistoj – këmbëngul
inspiroj – frymëzoj
internacional – ndërkombëtar
kaldajë – ngrohtore
kallaballëk – turmë
karshi – përballë
kaskadë – ujëvarë
katarakt – ujëvarë
kolektiv – i / e përbashkët
komplikoj – ndërlikoj
komshi – fqinj
koncesion – lëshim
kondicionoj – kushtëzoj
konditë – kusht
konfrontim – ballafaqim
konfrontoj – ballafaqoj
konkluzion – përfundim
konsultore – këshillimore
kontemporan – bashkëkohës
koordinoj – bashkërendoj
korrent – rrymë
kualitativ – cilësor
kurioz – kureshtar
legjislativ – ligjvënës
mazhorancë – shumicë
megaloman – mendjemadh
minoritet – pakicë
mizerie – mjerim
monstër – përbindësh
monument – përmendore
mortalitet – vdekshmëri
neglizhoj – shmang
novacion – risí
nuklear – bërthamor
ofensivë – mësymje
orator – gojëtar
parcelë – ngastër
pastiçeri – ëmbëltore
penetroj – depërtoj
personal – vetjak
preferoj – pëlqej
presion – trysni
prezantim – paraqitje, njohje
primar – parësor
procedim penal – ndjekje penale
produktiv – prodhimtar
progres – përparim
proporcion – përpjesëtim
radikal – rrënjësisht
reciprok – i ndërsjellë
refuzoj – mohoj
relata – raporte
sakrifikoj – flijoj
sekondar – dytësor
seleksionoj – përzgjedh
servise – shërbime
spektator – shikues
stabilitet – qëndrueshmëri
star – yll
supervizion – mbikëqyrje
tarracë – brezare
tekstualisht – fjalë për fjalë
tentativë – orvatje
transformoj – shndërroj
transmetoj – përcjell
turn – ndërresë
unanim – i / e njëzëshëm
unifikoj – njësoj, bashkoj
univers – gjithësi
urban – qytetës
urgjent – menjëherë
vadit – ujit
verbal – gojor
violencë – dhunë…

…e shumë e shumë të tjera.
Sigurisht, çdo fjalë e re shqipe duhet të ketë përparësi, por fjalët e huaja nuk mund të përjashtohen me “urdhër” nga gjuha shqipe si “të huaja”? Kërkohet profesionalizëm i madh, në radhë të parë nga gjuhëtarët, sepse një gjë e tillë do të ishte gati e pamundur. Më efektive do të ishte të sugjerohej fjala e re shqipe, duke e lënë atë fjalë si sinonim. Po të bëjmë një krahasim gjuha jonë e njësuar i ngjan Kushtetutës. Dhe si e tillë nuk pranon ndryshime. Në etapa të rëndësishme zhvillimi ndërhyrje për konsolidim të mëtejshëm po, por jo me dinakëri politike. Nëse akademikë dhe ndërakademikë nuk janë sot në nivelin e gjuhës së njësuar, në kohën e duhur do të dalin Ndre Mjedë, Koliqë e Camaj të rinj, që së bashku me Naimë, Lasgushë e Kutelë, po të rinj, do t’i japin fund sherrit për shikimin dhe rishikimin e shqipes së njësuar, pa patur nevojë për asnjë lloj mbështetje politike. Dhe vargjet monumentale të Naim Frashërit në shekuj të tilla do të mbeten:
“Pa shihni ç`gjuh` e mirë!
Sa shije ka e hije!
Ç`e bukur dhe e dlirë,
Si gjuhë perëndie”!
* * *

Ajo që është bërë deri tani me gjuhën shqipe nga të shpallurit “Këshill ndërakademik” dhe “Institut i Promovimit të Vlerave në Gjuhë” jo vetëm që nuk i ka shërbyer përmirësimit të punës, por, përkundrazi, ka pasur “arritje” në zhbërjen e njësimit dhe futjen e gjuhës shqipe në një udhë pa krye.
Problemi më i madh qëndron te dialekti gegërisht, me synimin e vetëm për ta ribërë gjuhën e njësuar në bazë të këtij dialekti. Nuk diskutohet që dialekti gegërisht është i bukur e i pasur. Askush s’e mohon këtë. Por gegërishtja paraqet një larmi dukurish krahinore dhe zhvillimesh fonetike, që e kanë bërë të vështirë drejtshkrimin dhe
njësimin letrar të saj. Pas 40 e ca vjetësh të përdorimit të suksesshëm të shqipes standarde, që mbështetet në një masë të ndjeshme edhe në pasurinë e gegërishtes, nuk ka asnjë kuptim që të fillojmë ta prishim e ta nisim punën nga e para. Madje, sot kur shtrohet kërkesa e forcimit të njësisë kombëtare, nuk mund të përfaqësohemi me më shumë se një identitet gjuhësor, që sjell edhe pasoja të tjera. Dhe kjo nuk do të thotë që “përndryshe gegërishtja zhbëhet si dialekt”. Ajo i ka folësit e shumtë, në ligjërimin e përditshëm, nëpër faqet e librave të botuara, të mediave vizive e të shkruara, nëpër skena arti, sallave e debateve në tribuna të mendimeve dhe opinioneve etj, etj.
Gjuha shqipe e shkruar, që përdoret në dokumente, shkresa dhe gjithçka tjetër zyrtare, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Mospërdorimi i germave “ë” dhe “ç” është problem madhor. Këto dy germa, edhe pse u mësohen fëmijëve që në klasën e parë dhe kanë të njëjtën rëndësi si të gjitha germat e tjera të alfabetit, në pjesën dërrmuese të dokumenteve zyrtare nuk njihen fare. Pajisjen me dëshmi të njohjes së anglishtes, “Toeflin”, pasuniversitarët e kanë detyrim, por jo zyrtarisht, me ligj, provimin dhe njohjen e gjuhës shqipe, si kusht për të pasur një vend pune në administratë, vendore apo qendrore.
Tendencat e fundit për rishikimin e gjuhës shqipe të njësuar nuk përcjellin dashamirësi. As raporti i ri i gegërishtes me njësimin nuk është i sinqertë. Kështjellë të re për gjuhën shqipe nuk mund të ngremë dhe as kemi pse të kërkojmë të ngremë. Sepse, siç brohoret Ndre Mjeda:
Geg’ e Toskë, Malci jallia
janë komb, m’u da s’duron,
fund e maje nji a Shqipnija,
e nji gjuhë t’gjithve na bashkon

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura