DR.MOIKOM ZEQO: SINOPSE HISTORIKE DHE KULTURORE (1)

Tiranë, 12 shkurt 2018: PJESA E PARË
1.NJË NGJASHMËRI E PABESUESHME
Dy fotografi, që intrigojnë, që të mahnisin, kur janë së bashku, krejt të zakonshme dhe aspak tronditëse veç e veç.
Studiuesi vullnetmadh i arteve figurative, Lorenc Torreli, me origjinë italo-franceze, i diplomuar fillimisht për filozofinë parasokratike të lashtësisë, të cilën e braktisi “sepse nuk i përshtatej humorit dhe hobive të tij sportive të hokejit amerikan” (deklarata është e vetë L.T.) para ca kohësh bëri një zbulim të habitshëm, padyshim rastësor, por tejet të qëlluar.

Duke parë tablonë e njohur “Pieta” të piktorit të madh të Rilindjes italiane (emërtim konvencional për Rilindjen Europiane në përgjithësi, që ka ngjallur debate dhe kritika, aspak tolerante dhe etike, nga kritikët anglo-saksone dhe japoneze, të arteve figurative, në këtë fund shekull të trishtueshëm të kibernetikës dhe shpikjes së hamburgerëve të pashijshëm), i quajtur Xhovani Belini, të shekullit XV, pa një fytyrë groteske të personazhit të pikturuar, që përpara pesë shekujve, si një sozie e aktorit të papërsëritshëm të komedisë franceze, Fernandel.
Ngjashmëria është e plotë, “absolute” dhe L.T. në esenë e tij “Metapsikoza e piktorit dhe aktorit në pesë shekuj” botuar së pari në “Le Mond” e pastaj përkthyer në shumicën e revistave të arteve figurative të kontinentit të vjetër, kërkon të argumentojë pikërisht domosdoshmërinë e kalimit të shpirtit nga piktori, që ka vdekur shumë kohë përpara, te aktori, ndërmjet imazhit të pikturuar, si një ndërmjetës, si një medium magjik.
Ky shpjegim i sforcuar gjeti kundërshtim nga kritiku dhe studiuesi amerikan Xhon Bordman, i cili u tall lehtësisht, po edhe pamëshirshëm me tezën e L.T., po pa e mohuar zbulimin e tij “të madh, të rëndësishëm, po edhe krejtësisht të kotë” (ky pasazh i pakëndshëm e zemëroi tepër rëndë Lorenso Torrelin, i cili në fakt nuk di anglisht, por ja përkthyen shkel e shko artikullin e Xh.B.)

Në Universitetin e Los Anxhelos, Katedra e Kabalistikës Ebraike, organizoi një simpozium diskutimesh të thella, spiritualiste, për zbulimin e L.T. po nuk e gjeti të arsyeshme ta ftonte, të paktën për etiketë profesionale edhe vetë studiuesin italo-francez, tashmë të indinjuar.
Sidoqoftë zbulimi i tij nuk mund të shmanget, as të mohohet.
Ziliqarët dhe skeptikët, kaq të shumtë në planetin tonë mëkatar nuk mund ta zbehin rëndësinë e kësaj ngjashmërie të shekujve.
Për fat të keq ky zbulim u bë tani, kur aktori i famshëm komik Ferndandel ka kohë, që prehet në jetën tjetër.
Gazetarët dhe specialistët e sensacioneve e humbën rastin, që ta mërzisnin dhe ta masakronin me pyetje të mprehta, po edhe idiote Fernandelin, i cili, ndonëse ka shkëlqyer në jetën aktoreske si komik i madh në jetën intime vetiake nuk kishte fare humor dhe qe një tragjik i rëndë, i pashërueshëm, madje i pa përballueshëm dot.
2. KULTI I KALIT TEK ILIRËT DHE SHQIPTARËT
Nuk ka asnjë kafshë në botë si kali që të ketë një rol kaq të madh dhe të pazëvendësueshëm në historinë njerëzore.
Kulti i kalit është i plotfuqishëm dhe i veçantë që në historinë më të hershme të njeriut.
Kali mund të kuptohet vetëm me kalorësin dhe kalorësi quhet i tillë prej kalit.
***
Uniteti i njeriut me kalin, krijoi figurën e çuditshme hibride dhe pasionante të Centaurit, të qenies mitologjike gjysëm njeri dhe gjysëm kalë.
Miti i Centaurit ka lindur tek thesprotët në Epirin ilir dhe jo më kot mësuesi diturak i Akilit, kryeheroi epirot ka qenë një Centaur, i quajtur Kiron.
Legjendat e Centaurëve kanë qenë shumë të gjalla në Jugun e Shqipërisë dhe në Çamëri.
Është shumë e habitshme dhe interesante që albanologu i madh austriak Georg Hahn shënon, në një prej librave të tij, se në Shqipërinë e Jugut besohej se ka disa njerëz të fuqishëm me bisht kali, kurse disa të tjerë janë me bisht dhie.
Këta janë njerëz të pamposhtur dhe për ta thuren këngë.
Njeriu me bisht kali është jehona e Centaurit, njeriu me bisht dhie është jehona e hyut të barinjve dhe të hedonizmit antik Panit të madh.
Folklori shqiptar është i mbushur me kuaj që flasin me zë njeriu, të njëjtë me racën e kalit Buqefal të Aleksandrit të Madh.
Miti i kalit është skajëzuar edhe te Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Naim Frashëri ka shkruar mrekullisht për kalin e Abaz Aliut, që ai e trajton si figurën e një kalorësi të një eposi mesjetar evropian.
Eposi i Veriut i Mujit dhe i Halilit lartëson dhe kultivon kuajt e tyre luftarakë.
Kuajt bëjnë dialog me heronjtë si të barabartë me ta. Por dhe arkeologjia dhe autorët antikë japin të dhëna shumë të rëndësishme për kultin e kuajve tek ilirët dhe te shqiptarët.
***
Homeri në epet e tij flet për kultin e kuajve trakë, për kuajt e bardhë të furishëm si dallgët e detit.
Kali është një kafshë hyjnore, që lidhet me hyun e detrave tek ilirët me Redonin dhe te grekët me Poseidonin. Ilirët e motshëm sakrifikonin kuajt për nder të Hyut të Detrave.
Sipas autorit të shek. II pas Krishtit romakut Festus, hyu i detit Neptuni, quhej Hipius, për shkak se Saturni njëherë e ka ngrarë kalin në vend që ta hypte Neptuni. Neptuni romak është variant i Poseidonit grek.
Sipas mitit hyu i detrave ka goditur me trifurkun e tij shkëmbin, duke nxjerrë prej tij kalin.
***
Edhe një mit tjetër, i cili ka qenë i gjallë në Durrësin antik, miti i Perseut, që i preu kokën Meduzës, thotë se nga gjaku i Meduzës lindi kali fluturues Pegas.
Të gjithë këto mite tregojnë kultin e kalit.
Në Epirin ilir bëhet fjalë për kuajt, që ushqeheshin me mish njeriu.
Miti i Diomedit me prejardhje nga Trakia flet për rolin e tij të madh për kuajt.
Kali është një hyjni jashtëzakonisht e rëndësishme tek ilirët.
Hyu kryesor i luftës tek ilirët quhet Medaur.
Medauri paraqitet përherë si kalorës.
Ikonografia e kalorësit Medaur është tepër e qartë në një kryevepër të artit ilir, që njihet si Pafka e Selcës dhe i takon si kohë shek. III p.e.sonë.
Medauri është i veshur me armaturë ilire me përkrenare dhe me mburojë me simbole dekorative diellore.
Prapa Medaurit është në formën e një dragoi figura e Kadmit me origjinë nga Teba, i cili pas vdekjes u shndërrua në dragua.
***
Kadmi lindi tek enkelejtë rreth liqenit të Ohrit, djalin me emër Ilir prej të cilit u quajt i gjithë populli: ilir.
Kulti ilir i kuajve është kaq i rëndësishëm dhe kaq me peshë tek të parët tanë saqë një dijetar i formatit të madh, austriaku Karl Treimer thotë se emri i kalit në Evropë ka origjinë ilire.
Vetë emri Hipius, që quhet kali, lidhet me foljen “hip”, d.m.th. të kalorësh.
Sipas Treimerit fjala “kabalos” që e kanë romakët për kalin është fjalë tipike ilire.
Kombi ilir përdorte qerret me kuaj dhe kali tek ilirët qe një hyjni edhe e tokës edhe e detit.
Mendimi i Treimerit vërtetohet edhe nga monumentet arkeologjikë.
***
Por ajo që është më e rëndësishme dhe më e çuditshme është fakti që tregon dijetari Pauzania i shek. II pas Krishtit, i cili shkruan se fituesi i Olimpiadës së 66 në Olimp të Greqisë në vitin 557 para Krishtit është qytetari dhe banori i Epidamnit i quajtur Kleosten.
Pauzania thotë se Kleosteni fitoi garën e vrapimit me qerre me katër kuaj.
Kleosteni për fitoren e tij të jashtëzakonshme olimpike është kampioni i parë i botës që bëri monumentin e Zeusit dhe pranë monumentit vendosi karrocën e tij të garës ku shënoi dhe emrat e katër kuajve.
Këto emra ishin: Foiniks (kali me sa duket qe nga qyteti Foinike i Epirit, Finiqi i sotëm), Koraks, Knakias dhe Samo (ky kalë me këtë emër duhet të ketë ardhur nga ishulli Samo).

Ky kompleks skulpturor ka të shënuar edhe një poezi me dy vargje:
Detari Kleosten më vuri këtu
Pasi fitoi me kuaj garën fisnike të Zeusit.
Kjo poezi kushtimore është e para në llojin e vet në historinë botërore të olimpiadave.
***
Kompleksi skulpturor me emrin e Kleostenit dhe kuajve të tij u bë nga skulptori i madh Agelati i shek. VI para Krishtit.
Këto të dhëna flasin qartë se tek ilirët kuajt ishin të kultivuar.
Edhe Hesiodi edhe Virgjili flasin për kuajt e famshëm të ilirëve.
***
Sipas Aleksandër Stipçeviçit edhe anijet ilire kanë patur në bashin e tyre kokën e kalit.
Ky fakt tregon se kali ndërlidhte mitologjinë e tokës dhe të detit.
Rëndësia e kalit është e madhe dhe në mesjetë. Kalorësit mesjetarë të Skënderbeut u bënë të famshëm në mënyrë proverbiale.
Shumë proverba franceze të mesjetës flasin për kalorësit shqiptarë si tipologji, gjë që e ka vënë në dukje qartë edhe Faik Konica.
Në eposin e Veriut flitet edhe për kuajt magjarë, që janë ata hungarezë.
Në të vërtetë historia e racës së kuajve tek ilirët dhe shqiptarët është e lidhur që herët me racën e famshme të kuajve arabë.
Kjo gjë vërtetohet edhe për shqiptarët edhe për hungarezët.
***

Një nga traktatet më të famshme të kalorësisë në shek. XVI e ka shkruar heroi shqiptar Gjergj Basta që fitoi gradën Gjeneralisimus në Evropë.
Kalorësi shqiptar Mërkur Bua Shpata është kënduar në disa poema evropiane me admirim edhe për kalin e tij të luftës.
Tërë ky pasazh i mësipërm lidhet me admirimin tim të hershëm për kuajt.
***
Më kujtohet që në rininë time shkoja në stacionin zooteknik të kuajve në Spitallë të Durrësit. Aty mësova të kalëroj mbi kuajt e racës arabe mbi të cilët hipja pa shalë vetëm duke u mbajtur nga jelet.
Shpesh kam kalëruar me kuaj në cektinën detare të Durrësit dhe jo rrallë rrëzohesha në det.
Kjo më jepte një kënaqësi të madhe.
***
Duke biseduar një ditë ( vite me pare ) me Dritëro Agollin, mësova se në një antologji të botuar për kuajt në Francë, Agolli është përfaqësuar me 5 poezi të tij për kuajt.
Edhe ky fakt është një jehonë poetike e kultit të lashtë të kalit tek ilirët dhe shqiptarët.
(VIJON…)

____________________________

MOIKOM ZEQO: SINOPSE HISTORIKE DHE KULTURORE (1)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=7286
***
DR.MOIKOM ZEQO: SINOPSE HISTORIKE DHE KULTURORE (2)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=7287

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura