HARTA ETNOGRAFIKE AUSTRIAKE E VILAJETEVE TË KOSOVËS, SELANIKUT, SHKODRËS, JANINËS DHE MANASTIRIT

Harta etnografike e Ballkanit e vitit 1900

HARTA ETNOGRAFIKE AUSTRIAKE E VILAJETEVE TË KOSOVËS, SELANIKUT, SHKODRËS, JANINËS DHE MANASTIRIT

Nga Sheradin Berisha, më 18 janar 2025

Një vështrim i përgjithshëm

Kjo hartë etnografike e Ballkanit (e vitit 1900) ofron një pamje të peizazhit kompleks etnik e kulturor të rajonit në decenien e fundit të shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe në prag të dy luftërave Ballkanike (1912 dhe 1913).

Kjo periudhë shënoi një pikë kthese në historinë e Evropës Juglindore, pasi rënia e Perandorisë Osmane çoi në ndryshimin e kufijve dhe në dallimin e identiteteve kombëtare.

Grupet etnike shpesh mbivendosen gjeografikisht, duke krijuar territore të diskutueshme, në katër Vilajetet Shqiptare (Vilajeti i Janinës, Manastirit, Kosovës dhe Shkodrës) që ishin definuar gjatë  reformave të Tanzimatit të vitit 1839. Rrjedhimisht diversiteti fetar e ndërlikoi edhe më tej gjendjen politike, pasi të krishterët ortodoksë, myslimanët dhe katolikët jetonin krah për krah me njëri tjetrin.

Në dhjetëvjetshin e parë të shekullit XX-të Perandoria Osmane akoma kontrollonte pjesë të rëndësishme të Ballkanit, ndonëse ndikimi i saj po binte me shpejtësi. Rritja e lëvizjeve nacional – shoviniste midis shteteve ortodokse ballkanike: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi,  kërkuan të zgjeronin territoret e tyre në dëmë të gjeografisë etnike shqiptare. Për këtë qëllim u themelua edhe “Lidhja Ballkanike” nga këto katër shtete.

Harta e vitit 1900 nxjerr në pah diversitetin etnik dhe fetar të Ballkanit, i cili ka qenë prej kohësh burim i mosmarrveshjeve me përmasa të konfliktit. Dhe në vitin 1912, këto mosmarrëveshje etnike dhe territoriale kulmuan me Luftën e Parë Ballkanike (1912), në të cilën Lidhja e katër shteteve Ballkanike e ndihmuar edhe nga Rusia cariste, në emër të luftës kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane pushtuan tokat shqiptare në katër vilajetet e saj!

Në kapërcyellin e shekujve XIX – XX-të etnikumi gjeografik i katër Vilajeteve Shqiptare përfshinte rreth 121 329 km². Konferenca e Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912 – korrik 1913) mori vendime dëmtuese për shqiptarët, duke e njohur një Shqipëri të gjymtuar në një territor prej 28.748 km².

Këto vendime mbollën farën e luftës së re jo vetëm  kryengritjen e shqiptarëve kundër katër shteteve të “Lidhjes Ballkanike”, por edhe luftën ndërmjet këtyre shteteve (Bullgarisë, Greqisë, Serbidë dhe Malit të Zi) të cilat shfaqën pakënaqësi në ndarjen e territoreve shqiptare në dobi të tyre! Dhe për pasoj u zhvillua Lufta e Dytë Ballkanike (e vitit 1913) e cila nuk u ndalë dhe vazhdoi me Luftën e Parë Botërore (1914 – 1918).

Harta etnografike e Ballkanit e vitit 1900 shërben si një kujtesë e kompleksitetit historik të rajonit dhe rolit të tij si një udhëkryq i perandorive, etnive, kulturave dhe feve të ndryshme. Dhe si e tillë nënvizon sfidat e përcaktimit të kufijve politikë në zona të ndryshme etnike, një sfidë që vazhdon të formësojë Ballkanin edhe sot!

KATËR VILAJETET SHQIPTARE NË PRAG TË SHPALLJES SË PAVARËSISË, MË 28.11.1912

Sipas vjetarit statistikor të Ministrisë së Financave të Perandorisë Osmane, situata demografike e vilajeteve shqiptare për vitet 1910 – 1911 paraqitet kështu:

1.Vilajeti i Shkodrës kishte një sipërfaqe prej 12.991 km² dhe 233.965 banorë. Dendësia e popullsise ishte 18 banorë për km².

2.Vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 44.192 km² dhe 1.243.501 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 28 banorë për km².

3. Vilajeti i Manastirit kishte një sipërfaqe prej 44.136 km2 dhe 880.000 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 20 banorë për km².

4. Vilajeti i Janinës kishte një sipërfaqe prej 20.000 km² dhe 537.199 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 27 banorë për km².

Kosova dhe Janina hynin në vilajetet me dendësi popullsie të madhe në Perandorinë Osmane. Ndërsa të gjitha vilajetet shqiptare kishin një sipërfaqe prej 121.319 km² dhe një popullsi prej 2.894.719 banorësh.

Nga kjo shifër duhet zbritur një përqindje të popullsive të përkatësive etnike tjera. Por e sigurtë se shqiptarët kalonin shifrën e 2 milionshit. (Burimi: Hasan Bello – Sa ishte sipërfaqja dhe popullsia e vilajeteve shqiptare në vitet 1910-1911?)

__________

Ilustrimi: Harta etnografike austriake e vilajeteve të Kosovës, Selanikut, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit, e botuar në Institutin dhe Muzeun e Historisë Ushtarake në Vjenë, në vitin 1900 …

https://maps.hungaricana.hu/en/HTITerkeptar/22375/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura